E Djelë, 05.05.2024, 10:35pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
PIRAMIDAT
Nga QERIM SKËNDERAJ

E Martë, 12.30.2014, 07:21am (GMT+1)


1997! Viti më i vështirë për të gjithë ata që ishin gjallë. Kishte filluar me bujë, e me para të madhe. "Piramidat" rrëmbyen lekët e qytetarëve, i dy e tre fishuan, sa hap e mbyll sytë dhe u dhanë interesa verbuese. Të gjithë lanë punën, vërshuan në klube, duke i mbushur me zhurmë, alkol dhe tym duhani. Akoma nuk kishte një ligj që ta ndalonte në ambiente publike. Të dehurit ngrinin zërin dhe gogësinin erë rakie, zjerë nga mbetjet e rrushit përzier me sheqer. Kontrabanda bënte kërdine, por askush nuk donte t'ia dinte nëse humbte apo fitonte. Parrulla "rrofshin piramidat" kalonte gojë më gojë dhe qetësonte të gjithë zërat e inatosur nga grindje të rastësishme në mbështetje të njerës apo tjetrës parti politike. Jeta rridhte si lumë, bulevardet u frynë nga xhirot, një sfilatë modash në veshje që nuk ishte parë kurr me parë. Të gjithë dilinin nga shtëpia në mëngjes, takoheshin me miq e të njohur, flisnin gjatë e gjerë për "mrekullinë e piramidave", llogarisnin të ardhurat muajore nga interesat, hanin e pinin në restotante dhe ktheheshin në shtëpi pa bërë asnjë gram punë. Pas një diktature pesëdhjetë vjeçare, demokracia kishte sjellë jetën e vërtetë. Njerëzit po ushqeheshin me "lugë floriri", një premtim i hershëm i ish diktatorit që nuk u realizua kurr, as në gjallje, as në vdekje te tij. Të gjithë u bënë artistë, poetë, shkrimtarë, kengëtarë, avokatë, menaxherë, vetëm puntorë nuk kishte. Liria kishte hapur krahët e saj dhe u kishte dhënë krahë të gjithëve për fluturim.

Lajmi, se njëra nga "piramidat" do të binte, ishte si bombë edhe mbi kokat e kreditorëve, të atyre që e kishin ushqyer, e rritur. Askush nuk fjeti. "Termeti" i mbajti zgjuar dhe të nesërmen, piramida ra vërtetë. Të gjithë u vërsulen për atje. Gjatë vrapimit toka u dridhej nën këmbë. Nisën të binin me radhë edhe të tjerat. Të gjitha kishin qënë pa themele!...

U boshatisën klubet, restorantet, dyqanet, por jo rrugët e bulevardet. Ato u frynë edhe më shumë, tashmë jo për shëtitje. Kishin dalë të gjithë të protestonin. Në fillim një qytet, pastaj dy, tre, e me radhë, doli në rrugë i gjithë vendi. Turmave nuk u printe ndonjë prijës i spikatur, veçse një djallë e di, kush fshihej prapa tyre. Parrullat që hidheshin ishin vetëm dy: "duam paratë tona" dhe "poshtë qeveria". Kjo e dyta lidhej me një deklaratë që Kryetari i Qeverisë kishte bërë përpara një viti, kur "piramidat" ishin në kulmin e lulëzimit të tyre. Në një konferencë shtypi kishte thënë, se paratë e qytetarëve shqiptarë, ishin të pastra dhe të siguruara me djersën e ballit. Vetëm kjo, kishte mjaftuar që të gjithë të shisnin shtëpi e katandi, për të "sulmuar piramidat" që ofronin interesa habitese. Dhe pikërisht kur nisën realizimin e ëndrrës për të ngrënë me "lugë floriri", mbetën "me gisht në gojë". Ishte kjo arsyeja, që nisën të protestonin dhunshëm duke thyer e shkretuar çdo gjë që u dilte përpara. U shkatërruan banka, ura, dyqane, makina, gjithçka. Kjo situatë kulmoi me shpërthimin e depove të armëve të ushtrisë, me të cilat u armatos i madh e i vogël. Shteti ra! Nisën kërcënimet, vrasjet, rrëmbimet, përdhunimet.
Qyteti jugor anëdetas, shuhej me ditë edhe pse dita vriste njësoj si nata. Pas orës 16,00 nuk gjendej frymë jashtë shtëpive. Televizionet private i mbushnin lajmet me kufoma, shkatërrime, vjedhje, ndeshje bandash, larje hesapesh. Kaosi sundonte kudo. Pasiguria ishte mbjellë në çdo metër katror dhe vriste edhe pa krismën e armëve. Plumbat "qorr" merrnin jetë pa dallim moshe e bindjesh politike. Ishin prezent në çdo cep të qytetit dhe pjesë e rëndësishme e bisedave familjare për të mbrojtur më të vegjlit, ata që gjendjen e shikonin si teatër të një loje aktorësh. Megjithatë, koha nuk ndalej dhe viti po i afrohej fundit të tij, pa e rikthyer qetësinë dhe "lumturinë" e dikurshme të "piramidave"! U hapen fjalë, e të thëna të çuditëshme! Kur pushonin armët, thuhej se viti shndërrohej në një "gjarpër të zi", më të tmerrshëm se plumbat, predhat apo granatat. Gjarpri dilte natën, ndizte zjarrin e syve dhe zvarritej kudo duke kafshuar e helmuar pa mëshirë shpirtra dhe zemra nënash. Pickonte femijën e vetëm, helmonte ushqimet në rafte, u lidhej për gryke dhe mbyste të dashuruarit. Kur viti po mbrrinte në finish, u duk sikur ra një qetësi.

U dëgjuan fjalë se shteti ishte ringritur, kishte mbledhur armët dhe e kishte vrarë gjarprin e zi. Njerëzit muarën frymë lirisht. U orientuan me kohën dhe e kuptuan se ky vit pas pak do të mbyllej, duke lënë pas një tokë të djegur, ku zor se mund të mbinte përsëri një jetë e qetë dhe e "lumtur" si në kohën e "piramidave". Megjithatë, filluan të mendonin për një festë të vogël të vitit të ri, për të kënaqur fëmijët dhe për të harruar sadopakë atë kasaphanë që i kishte tmerruar e dëmtuar, deri në kufijtë e mbijetesës, për një vit të tërë.

Edhe unë, së bashku me time shoqe dhe djalin katërmbëdhjetë vjeç, po mendonim për një fest modeste, pas humbjes së madhe të parave në "piramida". Duke qënë fqinjë me prindërit e gruas, kooperuam me ta, për të qënë së bashku në kohën e ndërrimit të viteve. Gjthçka u përgatit në një tavolinë të madhe me asortimente të vogla, e cila na mblodhi rreth saj, më shumë për të kujtuar, se për të festuar. Atë mbremje, mes nesh, ishte edhe nipi i sime shoqeje, djali i dytë i vëllait të saj, qe ishte kthyer nga Roma së bashku me të fejuarën, një shtetase italiane, të cilën e kishte njohur e dashuruar atje. Folëm gjatë edhe rreth planeve të tyre për të ardhmen.

Kur akrepat e orës iu afruan mesnatës, vendosëm të dalim në verandën e katit të dytë për të soditur diçka nga ajo që do të ndodhte në këtë festë tradiconale. Akoma pa dalë mirë nga dera, qielli u skuq nga zjarri i armëve të të gjitha kalibrave. Fishekë e predha gjurmëlënëse, vizonin natën kryq e tërthorë me një zjarrë të pandërprerë, ku breshëritë nuk kishin të sosur. Shtëpia jonë u gjend e rrethuar nga zjarri i armëve të fqinjëve. Qëllonin të mëdhenj e të vegjel, madje edhe gra. Zhurma dhe flaka ishin shokuese, por frikën më të madhe e ndjeu vajza italiane dhe qeni i të zotëve të shtëpisë. Të dy ulërinin pandërprerë dhe kërkonin vendstrehim për të shpëtuar kokën nga ai zjarr luftarak, që kishte ndezur të gjithë qytetin. As vajza dhe as qeni, nuk i dëgjonin fjalët e këshillat ngushëlluese që u shkonin prej nesh. I pari, Lessi, gjeti strehë dhe pak qetësi nën një divan të fshehur, diku, në aneksin e kuzhinës. Vajza vazhdonte të qante e tmerruar, pa kuptuar asnjë fjalë nga ato që i thoshte i fejuari në gjuhën e saj. Kaloi goxha kohë, derisa ajo e mori pak veten, duke mbeshtetur kokën në gjoksin e tij. Qetësia relative e të dyve nuk pati asnjë ndikim në zjarrin e pandërprerë që villnin armët e zjarrit. Ato vazhdonin të digjnin qiellin edhe më shumë se ne fillim. Ishte një garë të çmendurish që ndoshta kishin vendosur të skuqnin tytat e armëve, deri në nxjerrjen e tyre jashtë përdorimit. Por kjo e dyta nuk ishte e vertetë, e para po. Cfare kishin me qiellin këta njerëz?...

U krijua vetëm një çast i vogël qetësie, kur më mbrritën në vesh fjalët e djalit tim katërmbëdhjete vjeç.

Babi, mund të ma japësh pak pistoletën, të qëlloj edhe unë? Nuk e kam provuar kurr!
Jo, xhan i babit! Po qëllove, do te jesh edhe ti si këta dhe do ta harrosh që nesër këtë "festë". Më mirë mos qello që ta kujtosh gjatë si një "luftë" të çmendurish.

Sigurisht që do të ketë pasur edhe shumë të tjerë si unë, që i këshillonin fëmijët e tyre të mos qëllonin me armë, por..., për fat të keq, ata ishin një numër shumë i kufizuar në raport me ushtarët e "luftës".

QERIM SKËNDERAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PANXHARËT E KUQ dhe ÇARLÇAPLINITHANI NAQO, fragment nga romani 'Pezhishka' (12.28.2014)
PIKA E MADHE E GJAKUTRRUSTEM GECI - 50 vjet krijimtari, rreth 30 mijë vargje, 17 libra, dy mijë poezi, 26 poema. Ky është kontributi i tij dhënë Letërsisë sonë të bukur!.. (12.28.2014)
KRIJIMICikël poetik nga QAZIM D.SHEHU (12.28.2014)
MËNGJESE TË NJË KOHE QË SHKOICikël me lirika nga PËRPARIM HYSI (12.26.2014)
CIKËL POETIK NGA SERGEI ESENINPërktheu: FASLLI HALITI (12.26.2014)
PASTAJ LOTI IA MBYLLI SYTËCikël hajku nga LULZIM LOGUNga libri i ri “ Dashni pa zë” (12.25.2014)
BANKETI(nga cikli i tregimeve eksperimentale)Nga LUMO KOLLESHI (12.24.2014)
SOKRATI MIGJENIAN DHE DERRI I KËNAQUREsé kushtuar Moikom ZeqosNga PETRO LUARASI (12.22.2014)
JEHONA DHE DILEMAT E NJË POEMEEsé për poemën 'Dielli dhe rrëkerat' të Faslli HalititNga QERIM SKËNDERAJ (12.22.2014)
MËNGJESET E BARDHA NË KAFE 'ROSTAND'Esse nga PERPARIM HYSI (12.21.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]