VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KRISTOFORIDHI MBI SHQIPËRINË, GJUHËN DHE PËRKTHIMET E SHKRIMEVE TË SHENJTANga MEMLI KRASNIQI

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 11:56am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
KRISTOFORIDHI MBI SHQIPËRINË, GJUHËN DHE PËRKTHIMET E SHKRIMEVE TË SHENJTA
Nga MEMLI KRASNIQI

E Djelë, 01.04.2015, 11:17am (GMT+1)



Nga koha e botimit të Dhiatës së Re të vitit 1827 kaluan 30 vjet pa një ribotim tjetër. Shkaqet e kësaj zbrazëtire 30-vjeçare mund të ishte ngopja e vendit me sasinë e shpërndarë të librave të shenjtë nga Shoqëria Biblike, gjithnjë duke pasur parasysh mungesën e një alfabeti unik dhe të kushteve të tilla ku një numër i kufizuar njerëzish dinin shkrim-lexim.

Një arsye tjetër e këtij pushimi të gjatë në veprimtarinë e Shoqërisë Biblike, mund të kishte qenë edhe ajo e natyrës politike. Në të vërtetë distanca kohore e viteve 1827-1854, ishte kohë kur në Evropë ende vlente status-quo e mosndryshimit të kufijve dhe rregullimit të brendshëm shoqëror. Rrjedhimisht, edhe veprimtaria e Rusisë Cariste kundër Perandorisë Osmane në këtë rast ishte e kufizuar, prandaj edhe Mbretëria e Bashkuar nuk kishte asnjë interes të drejtpërdrejtë, me përjashtim të Greqisë, të bëhej më aktive në Ballkan.

Por, konflikti fillestar franko-rus mbi atë se kush është mbrojtës i objekteve fetare të krishtera në Jerusalem dhe kërkesës ruse drejtuar Sulltanit, që ajo të legjitimohet si mbrojtëse e të krishterëve ortodoksë, solli një krizë të karakterit ndërkombëtar.

Në këtë konflikt të madh kundër një fuqie, e cila donte vetë të zgjerohej në kurriz të Perandorisë Osmane, u përfshinë Anglia dhe Franca, interesat e të cilave cenoheshin drejtpërsëdrejti. Në këtë luftë, që zgjati nga vitet 1854-1856, fitimtarë dolën aleatët evropianë dhe Perandoria Osmane, por aty u pa edhe simpatia e popujve ortodoksë të Ballkanit për Rusinë në një anë, si dhe orientimi i shqiptarëve, përkrah aleatëve.

Pesë fletoret dhe përshkrimi i Shqipërisë

Rrjedhimisht, edhe interesimi i shtuar në këtë rast i anglezëve për popullin shqiptar, si një aleat i mundshëm i saj në Ballkan u rrit, rrjedhimisht nuk habit fakti i një rifillimi të veprimtarisë botuese të Shoqërisë Biblike në trojet shqiptare. Viti kthesë ishte ai i 1857-s, kur përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike Isac Lowders, mori iniciativën për ribotimin e Dhiatës së Re sipas përkthimit të Vangjel Meksit të vitit 1827.

Po në të njëjtën kohë edhe Shoqëria Protestante Amerikane me emrin "American Board of Commissioners for Foreign Missions", fillon të interesohet për të gjetur një person të aftë rreth bërjes së përkthimeve në gjuhën shqipe. Nga ky moment në skenë paraqitet emri i Konstandin Nelko Kristoforidhit, veprimtaria e të cilit do të jetë e lidhur si me Rilindjen Kombëtare Shqiptare ashtu edhe me Shoqërinë Biblike Britanike për të Huajt.

Mirëpo, veprimtaria e tij përkthyese,që në fillim ndeshi në vështirësi, sepse erdhi në kundërshtim me përpjekjet e Shoqërisë Biblike për të ribotuar përkthimin e vitit 1827. Përfaqësuesi i misionit protestant amerikan C. Hamlin, i kërkon sqarime se pse ka nevojë për një përkthim të ri.

Si përgjigje ishte punimi "Memorandum on Albanian Language", ku ai shfaqi arsyet pse duhet një përkthim i ri. Ky punim konsiderohet si i pari në fushën e gjuhësisë shqiptare nga një shqiptar. Njëkohësisht, ai mbaroi me përkthimet ose përmirësimet e domosdoshme gjuhësore të botimit ekzistues të katër ungjijve dhe në korrik vazhdon studimet në Kolegjin Protestant të Maltës.

Nga viti 1858 deri më 1860, Kristoforidhi kishte mbaruar përkthimet e Dhiatës së Re në të dy dialektet e gjuhës shqipe. Dorëshkrimi i këtij përkthimi sot gjendet në arkivin e Shoqërisë Biblike në Londër. Ato përfshijnë pesë fletore të shkruara me alfabetin grek. Fletorja e parë, përfshin alfabetin e shqipes dhe titullin e veprës: "Dhiata e Re e Zotit edhe Shpëtimtarit Tënë Jisu Krishtit.

Kthyerë prej greqishtes vjetërë shqip ndë gluhë toskërishte, 1860", pastaj vjen titulli i fletores "Shenjti Ungjill pas Mattheut", me 74 faqe. Fletorja e dytë ka 35 faqe me titull "Shenjti Ungjill pas Joanit". E treta fletore me 53 faqe është "Ungjilli sipas Llukajt". E katërta prej 28 faqe është "Shenjti Ungjill pas Markut" dhe fletorja e fundit prej 156 faqesh "Karta e apostollit Pavli mbë Romanët".

Pra ,që nga ai vit, Bibla ishte e gatshme në të dy dialektet dhe vetëm priste lejen e botimit nga shoqëria e lartpërmendur. Për të bindur komitetin botues, Kristoforidhi shkruan një studim në mars 1860 me titull: "Remarks on Albania, the Language and Translation of the Scriptures", në të cilin ai flet për të kaluarën e popullit shqiptar, për paraardhësit e tyre pellazgët dhe përpiqet t'i shpjegojë disa fjalë nga mitologjia greke, nëpërmes gjuhës shqipe, duke dhënë aty për herë të parë krahasime të fjalëve në të dy dialektet tona.

Lidhur me këtë shkrim të Konstandin Kristoforidhit shkruan edhe Isaac Lowndes në letrën dërguar më 15 mars 1860 nga Malta, zotëri T.W.Meller, duke e informuar zotëri Meller, mbi një të ri shqiptar, i cili kishte përkthyer në gjuhën shqipe pjesë të Shkrimeve të shenjta, më saktësisht Dhiatën e re sipas Mateut, në të dy dialektet e saj. Së bashku me përkthimet Kristoforidhi i dërgoi edhe një ese me titull "Mbi Shqipërinë, gjuhën dhe përkthimet e Librave të shenjta". Isaac Lowndes, më tej thekson se rëndësia e këtij punimi nuk është vetëm e karakterit religjioz, por mund të shërbejë edhe si pikë këndvështrimesh të ndryshme.

Kosova si "Serbia e Vjetër"

Në esenë e shkruar më 1860, Konstandin Kristoforidhi, fillimisht përshkruan hapësirën gjeografike, në të cilën banojnë shqiptarët; lat(gjerësia) 39º 43 në veri dhe long (gjatësia) 19º 31 Lindje. Këto koordinata gjeografike kanë të bëjnë sipas pikëpamjeve të mia me Shqipërinë bregdetare, pra kufijtë që në veri përfshinin Tivarin, ndërsa në jug brenda vendbanimeve me shqiptarë përfshihej pjesërisht edhe Çamëria, ndërsa pjesa tjetër e saj, sipas Kristoforidhit, por edhe koncepteve perëndimore, përfshihej në zonën gjeografike të njohur si "Epir".

Duhet sqaruar se opinioni publik evropian zonat ballkanike nën Perandorinë Osmane, duke u bazuar në të kaluarën, i kishte ndarë në kufij të ish-shteteve antike si Epir e Maqedoni, edhe pse popuj të tillë më nuk ekzistonin në shekullin XIX. Kurse hapësira serbe, bullgare apo greke, definohej jo në bazë të kriterit faktik, pra real të vendbanimeve të banuara nga këta popuj, por në bazë të kriterit historik në të cilën përfshiheshin territoret që mbretëritë e tyre mesjetare kishin sunduar.

Kështu, duke përvetësuar terminologjinë historike serbe, hapësirën që ne sot e quajmë Kosovë, shumë herë në atë periudhë edhe nga të huajt filloi të quhej "Serbia e Vjetër". Rrjedhimisht edhe Shoqëria Biblike Britanike Dhe për të Huajt, të cilëve Kristoforidhi ia kushtoi esenë e tij, me Shqipërinë, kuptonin kushtimisht vetëm kufijtë gjeografikë të kohës së Skënderbeut.

Sidoqoftë të njëjtat të dhëna mbi shtrirjen gjeografike të hapësirave të banuara me shqiptarë në Shqipërinë bregdetare, na japin edhe raportet e diplomatëve italianë dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë më 1898, ku përshkruhej se hapësirat ku jetojnë shqiptarët përfshihej në meridianin longitud (gjatësinë) 19.5 në lindje dhe 39.5 Latitund (gjerësinë) në veri, dhe i vetmi ndryshim i këtij raporti me atë të Kristoforidhit është se në këto hapësira nuk përfshihen më zonat e shkëputura të Tivarit dhe Ulqinit, që iu dhanë Malit të Zi në Kongresin e Berlinit.

Shqiptarët, vazhdon ai, banojnë në hapësirat antike të Ilirisë dhe Epirit, të cilat sot bëjnë pjesë në kuadër të Perandorisë Osmane, porse ata bëjnë jetë pothuaj të pavarur sa u takon çështjeve të karakterit lokal. Popullsia evropiane e Perandorisë, duke mos përfshirë provincat tributare (Serbia, Mali i Zi, Vllahia), është e ndarë në katër klasë: turq, skllavonianët (bullgarët dhe boshnjakët), shqiptarët dhe grekët. Klasa sunduese në këtë perandori janë turqit dhe të dytët në fuqi janë shqiptarët e besimit mysliman.

Në tërë Shqipërinë guvernatorët, tribunët, magjistratët dhe funksionarët policorë janë shqiptarë të besimit mysliman të emëruar nga autoritetet osmane. Për më tepër shqiptarët myslimanë mbajnë pozita të larta edhe në provincat e tjera osmane. Ushtria osmane, vazhdon ai në esenë e tij, është e përbërë gjithashtu nga këta dy popuj. Ndërsa bullgarët që janë një popull pa karakteristika luftarake, si dhe grekët të cilët hiqen si shumë të aftë dhe tregtarë, konsiderohen si të pabesë dhe perfidë nga qeveria osmane, prandaj ata janë të përjashtuar nga postet politike dhe shërbimeve të tjera qeveritare.

Në të gjitha qytetet shqiptare, thotë Kristoforidhi, është vendosur ligjshmëria me çka garantohet jeta dhe prona e çdo shtetasi, siç është rasti me çdo shtet tjetër të qytetëruar. Nëpër qytetet shqiptare, vazhdon rrëfimin ai, kishte lulëzuar tregtia me Italinë, Greqinë dhe ishujt jonianë, por edhe tregtia e brendshme kishte njohur një zhvillim. Shqiptarët, thotë ai, janë njerëz trima dhe në dukje të ashpër, por kur të huajt afrohem me ta, kuptojnë se ata në të vërtetë janë të butë dhe shumë mikpritës.

Edhe pse toka është shumë cilësore dhe prodhimet bujqësore janë të një niveli të njëjtë me Italinë dhe Greqinë, prapëseprapë një numër i madh i tyre është i detyruar të migrojnë jashtë atdheut të tyre. Në shumicën e rasteve ata në ato vende shërbejnë në shërbimin ushtarak, ndërsa pothuajse në çdo qytet të Perandorisë Osmane shumica e shërbyesve policorë përbëhen nga shqiptarët (Arnaut Zaptie). E njëjta dukuri është edhe me profesionin e rojtarëve të grykave malore dhe se në kohë luftërash, ata shërbejnë si mercenarë ose si ushtarë jo të rregullt të fuqive të huaja.

Çdo i shtati banor i Greqisë - shqiptar

Popullsia e Shqipërisë ka rreth 2.000.000 banorë, prej të cilëve 1.500.000 jetojnë në Shqipëri dhe Epir, ndërsa pjesa tjetër jeton në provincat e Maqedonisë,Thesalisë dhe të Greqisë. Çdo i shtati banor i Greqisë është shqiptar, e sidomos në pjesët e saj lindore dhe perëndimore, ku jetojnë afër 80.000 shqiptarë, si dhe në ishujt e Egjeut. Kështu, në Salaminë janë rreth 3.000, në Paros 3.000, Hydra 12.400, ndërsa në Spegia 10.000, ku të gjithë janë shqiptarë.

Ata janë të njohur për trimërinë, aftësitë ndërmarrëse dhe si marinarë të aftë të lundrojnë nga viset më të largëta të perandorisë e deri te Gjiri i Gjibraltarit. Gjithashtu, gjysma e popullsisë prej 25.000 banorëve të ishullit Andros, janë shqiptarë. Në More (Peloponez) nuk ka shumë banorë shqiptarë. Kështu, në Envirano jetojnë 5.000 shqiptarë , në Aurnon 2.300, Didymo 900 dhe në Furthi 150. Të gjithë banorët shqiptarë të Greqisë i takojnë ritit greko-ortodoks dhe ishin pjesëmarrës aktivë të luftës çlirimtare greke, të dalluar për trimëri në luftërat detare dhe tokësore.

Ndërsa, pas rënies së Kostandinopojës në vitin 1453, një numër i madh i shqiptarëve u larguan për në Itali, duke u përqendruar në Sicili, ku jetojnë 150.000 pasardhës të tyre dhe kishin arritur të ruanin gjuhën, zakonet dhe religjionin e tyre. Ata, shkruan në vijim Kristoforidhi, edhe pse i takonin ritit greko-ortodoks me priftërinjtë, peshkopë dhe kisha të veçanta, përsëri pranonin Papën si institucionin më të lartë kishtar.

Alban për ata që visheshin në të bardha

Në vazhdim të kësaj eseje, Kristoforidhi, mundohet të shpjegojë edhe etimologjinë e fjalëve: alban dhe shqiptarë. Sipas tij, emri Alban rrjedh nga gjuha latine me të cilën romakët i kanë quajtur banorët e alpeve shqiptare, dhe ka domethënien e vendasve të veshur me rroba të bardha. Ndërsa, albanët, veten e quanin shqiptarë në kuptimin e njerëzve shqiponjë, ose popullsisë që dikur besonte në shqiponjën, simbolin e Jupiterit. Edhe fjala pellazg, po ashtu mund të shpjegohej përmes gjuhës shqipe, në kuptimin e plakut ose të vjetrit, çka vërteton se kjo popullsi është vendase në Ballkan.

Natyrisht, ai vazhdon me shumë fjalë nga greqishtja e vjetër si: Zeus (zëri), Athina (e-thënë) etj., të cilat nuk mund të kuptoheshin në gjuhën e re greke . Pra, Kristoforidhi nga këto shkrime, shihet se ishte në dijeni të projekteve të rrezikshme antishqiptare, të cilët duke argumentuar me islamizimin e pjesshëm të tij dhe duke i paraqitur si element joautokton shqiptarët, përgatiste terrenin për një pushtim të mëvonshëm të vendbanimeve të iliro-arbërve.

Pas përfundimit të kësaj pune, Kristoforidhi propozoi që përmirësimet t'i bënte konsulli austriak, Han. Por, nëse ai për arsye të ndryshme nuk do të ishte në mundësi ta bënte, atëherë "babai i gjuhës shqipe", shprehte gatishmëri që vetë ta vizitonte Shqipërinë, ku do të gjente një njeri të përshtatshëm për një punë të tillë. Në Maltë, pastaj do të sillte me vete një certifikatë, që vërtetonte punën në korrigjimet e përkthimit të Dhiatës së Re.

Isaac Lowndes, në letrën e tij, ndërkaq, jepte shpjegime për konsullin Han, i cili sa ishte nënkonsull në Janinë përgatiti dhe botoi në Vjenë më 1850 fjalorin shqip-gjermanisht, si dhe gramatikën e gjuhës shqipe.

Gjithashtu, në këtë letër të Isaac Lowndes, shpjegon arsyet që e cytën Kristoforidhin të propozonte një përkthim të ri të Dhiatës së Re. Kështu, me rastin e vizitës së tij në Librarinë e Shoqërisë Biblike Britanike në Londër më 1857, Benjamin Barker i tregoi Kristoforidhit rastin kur i kishte lexuar një shqiptari pjesë të Dhiatës së Re, dhe ai nuk e kishte kuptuar aspak.

Mirëpo, Isaac Lowndes ishte takuar edhe me konsullin Han, i cili si edhe Kristoforidhi e kuptoi versionin e Vangjel Meksit, andaj ai shfaqte mendimin, se edhe versioni i Kristoforidhit ishte shumë i ngjashëm me botimin e Korfuzit të vitit 1827. Njëkohësisht, Kristoforidhi për përkthimin e tij kishte shfrytëzuar shkronjat të bazuara në alfabetin latin dhe vetëm me ndërhyrjen e Isaac Lowndes-it , kishte pranuar të përdorte shenjat e alfabetit grek.

Autori është shef i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës

MEMLI KRASNIQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ARIXHESHKATri poezi nga QAZIM SHEHU (01.03.2015)
DOLI LIBRI MË I RI I POETIT BRAHIM AVDYLI - POEZI TË VESHURA ME PETKUN E DHIMBJESNga Prof. Mr. MUHAMET ROGOVA (01.03.2015)
MOTIVE DIMRICikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (01.03.2015)
KUJTIMENga JOLA MARGJEKA (01.03.2015)
Përshëndetje për fillimvitin 2015SKICA LETRARENga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (01.01.2015)
POETËT E PRUSHITEsé nga RRUSTEM GECI (12.31.2014)
RAMIZ KELMENDI, MAG I LETRAVE SHQIPEGJASHTË VËLLIMET E XHEMAIL PECIT PËR RAMIZ KELMENDINNga PREND BUZHALA (12.31.2014)
NJERËZ TË ZBRAZËT SI SHPIRTI I ERËSCikël poezish ADEM ZAPLLUZHA (12.31.2014)
KUR DITËT NISIM T’I NUMËROJMË MBRAPSHT, MENDOJ…Në vend të urimit… -pak reflektim-DRITA LUSHI (12.30.2014)
PIRAMIDATNga QERIM SKËNDERAJ (12.30.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]