VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KULLA E PËRGOJUARTregim nga FARUK MYRTAJ

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 01:51am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

KULLA E PËRGOJUAR

Tregim nga FARUK MYRTAJ


E Martë, 05.25.2010, 06:55am (GMT+1)

Si rrallë herë tjetër, nuk arriti ta ujdiste përgjigjen që duhet të jepte. I ndodhur mes tri të tjerëve, të huaj edhe ata, nuk diti ç'të thoshte. Iu tha pështyma në buzë, iu bë se po mbytej, teksa njeri prej tyre, ai që këmbëngulte të merrte një përgjigje, duke i qeshur fare pranë, iu lut të mos e merrte seriozisht.

"Përse e vuani kaq shumë, miku im?! Unë nuk po shpik gjë. Nuk di se ku, por e kam lexuar diku, jam i sigurt. Në një krahinë tuajën, në disa fshatra a mbase në një fshat të vetëm, diku në hartën e Atdheut tuaj, ka qenë zakon që për të respektuar mikun i dërgohej në shtrat vajza e shtëpisë! S'është e vërtetë kjo?!"

Prej frëngjisë ku ajo vetmonte dukeshin qafat e maleve, lugina mbyllej aty ku tretej vështrimi, një gjurmë si rrugë e rishtë bari shkelur këmbësh që ajo nuk e dinte, ose e kishte harruar, për ku nxirrte. Dëgjoheshin zilet e këmborët e bagëtive kur dilnin apo ktheheshin nga kullotja dhe angullima e përvajshme e qenve nëpër natë, pas së cilës nëna përsëriste gjithnjë të njëjtën frazë, "Hëngshi kokën tuaj, o Zot!", dhe kaq.

Edhe asaj dite, syri "˜s'mundi t'i rrokte pamje tjetër veç asaj të të gjitha ditëve të tjera. Vështrimi largohej prej mureve të errët të kullës, shkonte rrëshqitazi tek pllakat e gurit me të cilat ishte shtruar oborri, shtynte vetëtimthi portën, dilte përtej udhëzës që lakohej në të tëposhtën e bregut, i cili i bëhej se humbiste tek një breg tjetër më i lartë që, nën hijen e malit përballë, mbetej për vete si një xhuxh. Pamja mbushej e tëra prej krijesash të natyrës: dru, shkurre, gëmusha, gurë, ca pllanga të vogla toke prej dheu të mbjella me misër, si thjesht për të provuar se, megjithatë, edhe këtu mund të jetohej. Si gjithëkund.

Njerëzit thuajse mungonin tërësisht në këtë fushëpamje, nëse nuk do të llogariteshin njerëzit e shtëpisë. Ata ishin të vetmit, të njëjtët, të pakëmbyeshëm me askënd tjetër. Kulla për ta ishte vetëm strehë e natës. Sapo agonte, largoheshin për tu kthyer vonë në muzg, kurse ajo, Age Peshkagjini kishte përpara tërë ditën e lume dhe tërë natën me vetminë e saj të ofruar nga Zoti. Ajo nuk largohej. Për askund. Si të ishte pjesë e kullës, dilte në frëngjinë e saj dhe u lutej syve të saj të vështronin sa të ishte e mundur më larg. Kërmijtë përgjatë murit të lagësht të kullës, ashtu të avashtë e të drojtur, bënin shoqëri të heshtur me vajzën. Lëshoheshin përpara me antenat ngritur sa mundnin, me tërë trupin nxjerrë prej guackës, duke lënë pas vragën e tyre të artë. Në shterje të ditës, në muzgun që njomte deri edhe frymëmarrjen, do të duhej të mbylleshin njëlloj, kërmijtë dhe vajza e asaj kulle.

E kush vallë, do të vinte re asaj dite përskuqjen e fytyrës së asaj vajze në moshë, tek qëndronte në pezullin e ftohtë të frëngjisë së kullës së Peshkagjinëve? As përhumbjen e lojës se paqartë të dorës së saj, nuk kishte ngè ta kqyrte kush. Si të ishte pjese e trupit të një tjetri, gishtërinjtë e saj krehnin, në fillim butë e pastaj ca më ashpër, thuajse dhunshëm, gëmushën e flokëve të saj, duke zbritur pastaj deri në qafën e njomë e paksa të djersitur. Ndaleshin për një çast, trembur, në lugun e butë të gushës dhe vazhdonin të zbrisnin më poshtë, sikur të prekin frutat e një peme fshehur prej diellit, mbirë e rritur nën hijen e mureve të lagësht të kullës.

Pothuaj instiktivisht dora i bindej urdhërit të marrë prej shqisave e ndjesive që sikur fshiheshin, drojtur edhe prej vetes. Më tej dora i zhvendoset edhe më poshtë, nëpër trup, por gjithnjë vetëm mbi rrobat që, edhe ato, digjeshin në të njëjtën temperaturë të tij. E kush e di ku burojnë llavat vullkanike?

Kur syri nuk mundte më, madje kur ai humbte edhe terrenin që ishte pronë e Peshkagjinëve, ajo kujtohej se ia kishte mbrritur mbrëmja, që kishte ritualin e vet. Babai shfaqej në harkun e bregut të vogël, ajo duhej të zbriste e t'i hapte portën e jashtme. Gjithësesi, duhet të zbriste për çdonjerin që vinte. Rituali i hapjes dhe mbylljes së portës, edhe pse dukej fare i kotë, ishte pjese e atij kodi, e atyre rregullave të lëna prej më të mëdhenjve që vdisnin kënaqur që linin pas këto amanete të vyera e të përjetshme. Kurrkujt tjetër, as për të mirë e as për të keq, nuk i voliste të vinte gjer aty ku ishin ngjitur Peshkagjinët, por dyert e portat prandaj janë: të hapen e të mbyllen. Dyert që rrijnë gjithnjë hapur nuk janë dyer. Edhe dyert e stallës apo hangarit të bagëtive i hap dhe i mbyllë dikush.

Kur muzgjet rëndoheshin nga lagështira, i duhej ca mundim të dallonte zërin e babait nga ai i nënës, teksa zërat e vëllezërve ndryshonin fare pak nga i njeri tjetrit. Atë buzëmbrëmje erdhi e para nëna. Nuk e ngriti kokën, teksa po qasej për tek kulla. E bija zbriti fluturim, hapi derën e rëndë të oborrit të kullës, pasi kishte lënë hapur portën e oborrit. Teksa priste që e bija t'a mbyllte sërish pas shpinës së saj, vështrimi i së ëmës shkoi dhe ngriu tek fytyra e Ages: Pse kështu fytyra e saj sot? Mos ka gjetur pasqyrën e vogël tek dollapi im?

Për këtë pyetje nuk përdori zërin, por bëri bubulluese heshtjen, zakon që burrat e atyre anëve ushtronin ndaj grave të tyre. Zonja e shtëpisë, që bënte njëherësh edhe gruan edhe nënë, po kqyrte hamendëse rreth e qark oborrit, pastaj brenda shtëpisë, si të dyshonte në ishte edhe tjetërkush brenda kullës.

E bija ishte po ajo, po aq e dashur, dhe qëndroi në pritje të porosive të saj.

Atë mbrëmje e vonoi paksa hapjen e dyerve për vëllain e vogel, madje priti sa ai nisi të trokiste fort. Age Peshkagjini nuk guxoi ta përsërisë shakanë me vëllanë e madh. Mbase vërtet ishte marrosur asaj mbrëmje, teksa shkoi ndërmend që edhe babanë ta linte të priste paksa atje jashtë! Jetoi vetëm pak çaste kjo shkëndijë mendimi, se kur ai do të zgjaste dorën të trokiste, porta e jashtme do të niste menjëherë gërvërimën e saj të zakonshme dhe do të hapej kanatash.

Babai ishte nurzi, i ashpër, i drejtë dhe i dhimbshur. E bija nuk kishte shkuar ndërmend kurrë të trishtohej apo të mërzitej, aq më pak të mendonte keq për babanë, edhe kur ai, pa iu drejtuar asaj, kërkonte të mirrej vesh, një herë e mirë, se femra në Peshkagjinët dilte nga shtëpia bashkë me nderin dhe kthehej vetëm e vdekur pa të. Ajo e dinte mirë, e besonte, ndjehej mirë madje, kur dëgjonte se të mirat në shtëpi vinin për të gjithë, ashtu si edhe të ligat, nëse ndokush prej pjestarëve bëhej shkak një ditë. Mezi priste që ata të vinin në kullë, edhe pse ardhja e tyre pak-o-gjë ndryshonte në monotoninë e jetës së saj.

&

Prej së largu, vuri re se babai nuk po vinte vetëm. Po sillte në kullë dikë tjetër. Një njeri tjetër?

O Zot, një njeri tjetër! Nuk e kishte shkuar ndër mend këtë mundësi.

Sa kohë që syri shihte vetëm njerëzit e saj: babai, nëna, vëllezërit, të njëjtë me të, aty kishin qenë, prej kur ishin lindur. Të gjithë i ishin të dashur. I mjaftonin dhe i tepronin njeri tjetrit. Deri përpara ca kohe, kishte qenë edhe gjyshi, por zotat u kujtuan t'ia kthenin fletën e jetës dhe shpirti i tij u ngjitë atje lart, në ajrin dhe retë që shungullonin mbi majën e malit. Trupi i prehej në kodrën me dhè të bardhë. Prej asaj dite, gjyshi nuk kthehej më në shtëpi.

"Një fytyrë më pak...", kishte thënë e trishtuar Age Peshkagjini me vehte, asaj nate, kur ra për të fjetur. Nuk shkoi ndërmend të pyeste veten përse trishtimi i ndjehej më i madh se dhimbja për vdekjen e gjyshit.

"Sikur po e mërzisnim njeri tjetrin...", i kishte thënë çiltazi së ëmës, disa ditë më vonë. Për gjyshin i kishte thënë këto fjalë, por pa ia përmendur emrin. Nëna e kishte vështruar një copë here ngultazi, ishte mërrolur paksa, derisa e bija ia kishte plasur të qarit: "Ia kam ndjellë unë vdekjen, thua, duke menduar kështu?"

Prej ikjes përgjithnjë të gjyshit nga kulla, kishte mbetur fare vetëm. I pastronte brenda një ore të gjitha kthinat, pastaj dilte në dritare, në atë frëngjinë prej ku nuk dukej asgjë e re dhe vështronte po ato gjëra, ditë për ditë, vit për vit, gjer kësaj pasditeje të vonë, kur babai dukej se po sillte tjetërkëndin me vehte.

Age Peshkagjini po kujtohej se nuk ishte e thënë që syri të kapte gjithë jetën të njëjtat gjëra.

I huaji shkeltte në të njëjtën gjurmë me babanë, si për të zbutur të vërtetën se ai ishte tjetër. Nuk ishte pjestar i familjes së Peshkagjinëve. As ndonjë i afërm, prej rrethit të miqësisë ose fisit. Ajo i ndoqi me sy gjersa arritën fare pranë kullës, pa e kuptuar pse po ndjehej e turbulluar, pjesë-pjesë, pastaj e tëra. U përmend sa për t'i kujtuar vetes se i duhej të nxitonte të zbriste për të hapur portën e madhe. Instiktivisht, po mendonte diçka që në vetmi do t'i dukej e çuditshme: "Paskej njerëz të tjerë në këtë botë, pra! Ja si qenkan...!"

Po thoshte kështu me veten, teksa babai bëri përpara, e hapi portën më gjerë se kurrë, vuri dorën tek zemra, pastaj e shtriu përpara, duke u përkulur lehtë, si t'i lutej të ardhurit të hynte në kullë si në shtëpinë e vetë.

I ardhuri vazhdoi të çapitej me të butë, edhe brenda oborrit, sikur bënte kujdes mos trembte ndokënd. Babai i priu për nga porta e brendshme që çonte për tek oda e burrave.

Ages i mbetej të sillej si gjithë ditët e tjera. Mbylli portën e madhe dhe lëvizi pas dy burrave. E mbante vështrimin ulur. Ishte mësuar prej kohësh të shikonte kështu. Shpinën paska të kërrusur të babait e njihte si formën e të gjithë objekteve rreth e qark kullës, por e gjeti veten të joshur nga dëshira për të vënë re trupin e njeriut tjetër.

Fytyra e tij, për aq sa ajo mundi ta vëzhgonte, iu duk më me dritë se e babait dhe rrobat që mbante veshur më të çelura. Më vonë mori vesh se bujtësi vinte prej qytetit dhe se të nesërmen qysh herët do të vazhdonte rrugën për në fshatin tjetër. Vetëm ndonjë fjalë prej odës së burrave depërtonte gjer te ajo. Krijoi përfytyrimin e një të qeshure të lehtë që shoqëronte papushim të folurën e njeriut tjetër.

Ndihmoi nënën në përgatitjen e darkës dhe afrimin e pjatave tek Oda e Burrave. Në një çast, e ngatërruar në kthinat e trurit që bluante pa drith, pa e kuptuar as vetë, me pjata në duar, gati sa po hynte në odën e burrave. Në çastin e fundit, kur retina e syrit të saj bëhej gati të reflektonte shembëllimin e njeriut tjetër, e kishte përmendur zëri i nënës.

"Ej, ti...U marrose a...?!"

Age Peshkagjini u kthye vetëtimthi, duke e falenderuar me tërë shpirt. E kishte shpëtuar nga koritja. Zëri i nënës, i ushtruar për kësi rastesh gjatë një jete të tërë, nuk e kapërceu pragun e derës së burrave por, i shoqëruar prej lëvizjeve të duarve, shformimit të fytyrës, regëtimës së buzëve dhe zbardhëllimit të dhëmbëve, mbërriti tek veshi dhe pastaj thellë qenies së të bijës si një klithmë e vërtetë. Vajza s'kishte asnjë shkak të mendonte për të keq. Bëhej dy të mos linte punë të pa kryer dhe shndërrohej në sy e veshë ndaj porosive të nënës. Duheshin bërë po ato gjëra, po ai kujdes, po ato punë dhe po ajo jetë që ishte bërë përherë nga gratë në atë kullë. Burrat si burrat dhe gratë si gratë. Kaq, vetëm kaq duhej kuptuar. Nëse ende nuk kishte ardhur dita për të dalë jashtë kulle si nëna e vetë, frëngjia ishte i vetmi vend ku ajo mund të rrinte, por jo pa dijeninë e tyre. Sikur dalja tek frëngjia të ishte e ndaluar, as atje nuk do të dukej. As ditëve, kur robtë e tjerë të shtëpisë humbisnin pas brigjeve dhe blegërimës, as mbrëmjeve, kur prej frëngjisë nuk dukej asgjë, madje as edhe gjërat e mësuara përmendësh që i kapte syri ditëve.

Ajo që mund të pritej, dukja, përshfaqja, madje ardhja e një njeriu të ndryshëm, kishte ndodhur.

Tjetri, i huaji, jo i fisit Peshkagjin, ishte tashmë në odën e miqve ku as nëna e as vajza e shtëpisë nuk duhej të shfaqeshin. Për Age Peshkagjinin, këto zakone, këto rregulla të pashkruara askund por të mësuara prej gjithkujt, ishin gjëra të bukura, të kthjellta, burrnore. Nëna ia kishte përshkruar si shenjtërira.

Vajza ofronte pjatat tek e ëma që i përcillte deri tek pragu i burrave, nga ku zgjateshin duart e të shoqit.

"Janë të shkruara e të rregulluara të gjitha gjërat në këtë botë e në atë botë, bijo..."

Vajza ndjente herë pas here dëshirën ta përqafonte të ëmën. S'dinte nëse kjo ishte dhëmbshuri për sakrificën dhe lodhjen, apo përpjekje e gëzuar që edhe asaj po i lejohej të gjendej në të njëjtin ritual të cilin nëna e kishte mësuar prej nënës, vjehrrës, gjyshes, vdekur të gjitha prej kur s'mbahej mend. Duhej të jetoje si ato, por edhe më tepër akoma: duhej të gëzoje të vuaje, gëzoje e vdisje si ato. Age Peshkagjini do të çuditej , do të zemërohej, nëse ndonjë hije qoftëlargu do t'i vinte dhe do t'i pëshpëriste tek veshi: ke nisur te ndjehesh grua, apo po ngushëllohesh qysh tani për shpërfilljen e ardhme ndaj teje?!

Kur përcjellja e darkës për në Odën e Burrave kishte marrë fund, nëna e kujtoi se qe koha të shtronin rrobat për gjumë. Tjetra u duk sikur mezi e kishte pritur këtë fjalë. Nxitoi, madje, për në dhomën e saj. Veç shtratit dhe rrobave, në dhomë ruante librat e shkollës. Të shkollës fillore. I kishte ruajtur sikur të ruante ashtu kujtimin e kohës me njerëz të tjerë dhe naivitet fëmijëror. Siç edhe me përrallat e gjysheve, kujtimet dhe dashuria për to, provohen si ndjesi që rriten edhe më, gjatë kohës që rrjedh pas humbjes së tyre. Ja, kishte ardhur një njeri ndryshe, dhe kujtesa nxitoi të shkonte menjëherë tek librat.

Asnjë fjalë, asnjë tingull nuk vinte prej Odës së Burrave. As ajo drita që mezi kapet prej yjeve të largët. Pas bukës, do të ngriheshin për të dalë edhe vëllezërit. Njeriu Tjetër do të mbetej vetëm me babanë. Vetëm babai e kishte atë fat, të rrinte deri vonë me njeriun që s'ishte prej Peshkagjinëve. Babai kishte të drejtë të takohej e të kuvendonte me njerëzit ndryshe. Vetëm ai mund të ftonte ndokënd në kullë, siç kishte bërë edhe kësaj mbrëmjeje, dhe vetëm ai do të dilte ta përcillte të nesërmen, kur Tjetri të ikte.

Age Peshkagjini e respektonte edhe më shumë babanë për këtë privilegj që i jipte zakoni. Mbase prandaj i dukej se e donte diçka më shumë se nënën. Si duket kishte dremitur, ashtu shtrirë, e pazhveshur për gjumë, teksa dëgjoi derën që u hap. Ndjeu frymëmarrjen e nxituar të nënës, pastaj dëgjoi zërin e saj. "Ngrihu dhe shtroi atij, moj qyqe. Si nuk të shkon mendja vetë? Nesër pasnesër do bëhesh grua..."

Vështrimi i nënës iu duk i largët, jo i zakonshëm. Më këmbë, me sytë tek e bija, me mendjen mërguar tjetërkund. Kishte turbulluar shtëpinë ardhja e atij tjetrit, kështu?

"Në dhomën e miqve, e di ti...", plotësoi qortimin nëna.

Ndenji edhe për pak çaste mëdyshëse dhe ktheu shpinen. Vajza u ngritë menjëherë. Do të shtronte rrobat në krevatin ku do të flinte ai, njeriu tjetër. Nuk i kishte ndodhur kurrë të bënte këtë gjë.

"Dyshekun e miqve dhe jorganin e ri, më dëgjove?"

"Po nënë, të dëgjova..."

Pas njëzetë minutash dhoma dhe shtrati ishin gati. Vajza bëri të dilte por, në çastin e fundit, syri i kapi një rrudhë në çarçafin e bardhë. U ndje tërë dëshirë që në atë shtrat të mos mungonte asgjë. Shtriu pëllëmbën përmbi çarçafët ku Ai, tjetri, jo Peshkagjini, do të shtrihej. Ajo gjendja e ngrohtësisë, që e kishte pushtuar tërë atyre ditëve, iu përsërit edhe në këto momente.

Trupi i digjej së brendshmi, duart preknin dyshekun dhe mbulesat, sikur ashtu të gjenin udhë për t'a përcjellë temperaturën tjetërkund. E përhumbur në lojën me veten e panjohur, nuk ndjeu se e ëma ishte kthyer sërish. Pa u vënë re nga e bija, por pa shkuar ndërmend ta përgjonte, e gjeti vajzën e saj të përkulur, duke lëmuar rrudhat, por me të butë fare, sikur po përkëdhelte çarçafët dhe mbulesat. Nuk kishte asnjë shkak të mendonte për keq. Në të vërtetë ishte fare e zakonshme: të gjitha femrat lodhen për dukjen, aq më shumë kur ndjehen në syrin e botës.

E bija u ngrit më këmbë, tha se i merreshin mendtë, mbase kishte edhe pak temperaturë.

"Je ftohur tek frëngjia...", i tha nëna dhe dolën njera pas tjetrës nga dhoma ku do të flinte i ardhuri.

Pas një gjysëm ore, në kullën e Peshkagjinëve secili ishte në shtratin e tij. Edhe ai, bujtësi.

Age Peshkagjini s'po i mbyllte sytë. Gjumi vonoi t'i vinte, si me porosinë e saj, derisa ajo ndjeu hapa në koridorin e shtruar me dërrasa. Dëgjoi babanë që i uroi tjetrit "natën e mirë-n", dhe pastaj rrëshqitjen e derës së tërhequr nga jashtë. Hapat e babait që zbritën shkallët, shuarja e jehonës së tyre, u ndoqën më në fund nga heshtja absolute, heshtja e kullës, që e bëri edhe më të thekshme vetminë.

Gjithë natën ai do të ishte atje. Deri në mëngjes do ta kishte njeriun tjetër aty, përtej mureve që ndanin kthinat e kullës. Krejt pafajsisht, nisi të mendonte për muret që i ndanin. Prania e atij tjetrit u bë me të vërtetë ngacmuese, tunduese, bezdisëse, torturuese. A e kishin menduar nëna, babai, vëllezërit, këtë?

Një orë e ca më vonë, e bindur se asaj nate nuk kishte gjumë për të, Age Peshkagjini kërceu prej rrobave. Nuk u vu re nga askush teksa doli nga dhoma e saj, ndali tek ajo përbri, përgjoi frymëmarrjen e njeriut tjetër, u bind që ai ishte në gjumë, priti edhe pak të sigurohej me vdekje për këtë, shtyu lehtë derën e mbetur paksa hapur dhe, majagishtash, hyri në dhomën e tij.

Ai vazhdonte të flinte rëndë, shyqyr o Zot, nuk ndjeu asgjë teksa ajo hyri brenda, me qiririn në dorë. Njeriu në gjumë s'ka punë me hallet e të gjallëve. Trupi merrte e jepte frymë, kurse fryma e vërtetë e tij, ajo e shpirtit, kush e di ku ishte. Age Peshkagjini rrinte dhe e vështronte. Si ai fëmija që kur madhohet në çdo sekondë, dikur vë re se përveç nënës së tij, që e lindi dhe i rri në sy, paska edhe njerëz të tjerë.

Guxoi dhe preku lehtë, fare lehtë, mbulesat e njeriut që flinte. Diku tek këmbët, pastaj më tej akoma, gjer tek mbulesa, që frymonte me ritmin e gjoksit. Ballin po e ndjente paksa djersitur. Sytë, qerpikë e qepallë rrëzuar, buzët në një dridhje të lehtë, teksa gjoksi vazhdonte t'i ulej e ngrihej si ai deti që gufon e gufon, edhe pse për njeriun e gjore e të vogël sa një thërmijë në breg, nuk ndjehet as erë, për të shpjeguar ushëtimën e ujit.

Prej vitesh, nuk kishte parë njeri tjetër dhe, prej sa mbante mend, kurrë nuk i ishte ndodhur një njeriu tjetër, një mashkulli, kaq afër. I panjohur, i pafajshëm, njëlloj si ajo, ai flinte fare patëkeq në shtratin e shtruar prej duarve të saj...

Befas iu dëgjua se ai pëshpëriti përgjumshëm. Ca fjalë që ajo as nuk guxoi t'i dëgjonte e jo më t'i kuptonte apo të mirrte vesh kumtin e tyre. Mbeti aty, duke e vështruar në sy, se mos ai ishte zgjuar, por pastaj iu bë se tek flinte përmendi, në jerm, një emër gruaje. Mbase emrin e gruas së tij. Age Peshkagjini i largoi menjëherë duart prej mbulesave hedhur përsipër atij, si prej një zjarri të mufatur gjatë tërë natës, përposh hirit.

U kujtua se ishte me rroba gjumi, madje iu bë se po vinte ndokush prej të sajve. Vetëm në këtë çast po habitej me veten: nuk i kishte menduar pasojat për shkuarjen në dhomën ku flinte njeriu i huaj, miku i kullës, bujtur prej babait të saj? Me çfarë logjike, me çfarë shkaku? O Zot, jam në ëndërr kështu, apo jam çmendur?

Iu bë se dëgjoi hapa që afroheshin. Asnjë rëndësi se të kujt, prej njerëzve të saj ishin. Bija e babait dhe nënës, motra e vëllezërve, gjendej atje, në mes të natës, në dhomën ku flinte bujtësi dhe, në të gjitha variantet, kjo e vërtetë ishte e pabesueshme, e papërfytyrueshme. Ajo ishte e sigurt se askush prej tyre nuk do të shkonte ndërmend të hynte në dhomën e mikut, ku marrëzisht gjendej ajo. Ata nuk do të vinin në dyshim mikun e shtëpisë, edhe kur të vinin re mungesën në dhomën e saj. Gjëma kishte ndodhur, veç e veç, për secilin, ndarazi pre të tjerëve. E pafalshmja, kishte ndodhur. Njëherësh me ardhjen e njeriut tjetër, e pakthyeshme, e pafalshme...

I bëhej sikur vej-e-vinin atje jashtë, në koridor. Ndjehej në fajin më të madh që mund të bënte në jetë: kishte bërë që njerëzit e saj të ndjeheshin më ngushtë se kurrë në jetët e tyre. Ishte e kot të priste falje prej tyre. Nuk e meritonte. Edhe nëse ata nuk ishin atje jashtë, madje edhe sikur nuk kishin qenë për asnjë çast duke pritur daljen e saj, ajo vetë s'kishte të drejtë t'ja falte vetes...

U ndje edhe më keq kur mendoi se në ato çaste mund të zgjohej ai që flinte...Gjëma, pas kësaj, do të ishte e plotë, fatkeqësia do të merrte përmasa të tjera...

Siç kishin ardhur punët, në këtë jetë të saj, në këtë botë, nuk mund të ndryshohej dot asgjë. Nxitoi rrëmbyeshëm për tek frëngjia dhe, mundimshëm, depërtoi përmes saj. Duke bërë ç'mund të mos bënte asnjë lloj zhurme. Në çastin e hedhjes a kur po rrëzohej tëposhtë, u dëgjua një klithmë drithëruese e paqëllimshme dhe kulla u zgjua e tëra.

E gjetën pas pak orësh atje poshtë, në fundin e mureve të ftohtë të kullës. Ishte e nxehtë, endè. Varrimi u bë qysh atë ditë. Bujtësi, mori pjesë edhe ai, në lamtumirën e vajzës së shtëpisë të cilës vetëm siluteën i kishte parë, ashtu shkarazi, teksa hapi dyert e kullës, mbrëmjen më parë.

&

Mezi e priti rastin të ndodhej mes tri të huajve të tjerë. Ua rrëfeu ndodhinë më sipër dhe heshti. Mbeti vuv përballë tyre. Nuk diti ç'duhej shtuar më tepër. Përsëri iu tha pështyma në buzë, iu bë se po mbytej, teksa njeri prej tyre, pikërisht ai që këmëbëngulte për një përgjigje, iu lutë të mos vazhdonte më.

Faruk Myrtaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AVE MARIAProzë nga BILAL XHAFERRI (05.24.2010)
HINGËLLIMA E KALITTregim nga RAIMONDA MOISIU (05.21.2010)
S'HABIT KËND QË HËNA NË DRITAREN TËNDE TË DUKET SIKUR KA DALË NGA NJË POEMË DASHURIE TË CILËN TI DIKUR E DIJE PËRMENDSHPoezi nga poeti bashkëkohor amerikan BILLY COLLINS (05.08.2010)
ORHAN PAMUK: TË LIRË PREJ FQINJËVE!Përkthyer nga FARUK MYRTAJ (04.30.2010)
FREDERIK RESHPJA POETI QË NUK U THYENga SOKOL ZEKAJ (04.20.2010)
DASHURI E NJOMË E VAJZËRISË, MË FAL NËSE TË HARROJ, NDËRSA MË PËRFSHIJNË RRYMAT E BOTËSPoezi nga EMILY BRONTË (1818-1848) (04.11.2010)
DUKE U DRIDHUR, DUKE NGRIRË AKULL, NË TREMBJE TË FRIKSHME, AH! AJO SHKOI E VAJTIPoezi nga WILLIAM BLAKE (1757-1827) (04.01.2010)
NAIM KELMENDI: SHQIPTARI VDES DUKE KËNDUAR(Poemë kushtuar Adem Jasharit, legjendës së trimërisë shqiptare) (03.27.2010)
DASHURISË I MJAFTON DASHURIAPoezi nga KHALIL GIBRAN (1883-1931) (03.19.2010)
BERMUDATregim nga FARUK MYRTAJ (03.17.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]