PRESIDENTI OBAMA ZHVILLOI BISEDIME ME AUNG SAN SUU KYI
E Shtunë, 11.15.2014, 09:10am (GMT+1)
Presidenti Barack Obama zhvilloi sot bisedime me udhëheqësen e demokracisë në Birmani, Aung San Suu Kyi, ndërsa në këtë vend të Azisë Juglindore janë vënë në pikëpyetje drejtimi dhe ritmi i reformave demokratike në prag të zgjedhjeve të vitit 2015.
Zonja Aung San Suu Kyi tha në një konferencë shtypi sot se procesi i reformave reformave ka ndeshur me vështirësi në Birmani dhe e përshkroi kushtetutën e vendit si "të padrejtë, dhe jo demokratike". Por ajo shprehu besimin se SHBA, që ajo i cilësoi një vend mik, do të vazhdojnë ta mbështesin Birmaninë gjatë transformimeve demokratike. Aung San Suu Kyi u zgjodh si anëtare e Parlamentit në vitin 2012 dhe përkrahësit e saj kërkojnë një amendament kushtetues, që do ta lejonte atë të kandidonte për presidente vitin e ardhshëm.
Kushtetuta e Birmanisë i ndalon individëve me lidhje të forta me të huaj që të kandidojnë për postin e presidentit. Djemtë e zonjës Aung San Suu Kyi janë shtetas britanikë, sikurse bashkëshorti i saj, që nuk jeton më. Presidenti Obama tha në konferencën e shtypit se nuk ka kuptim që kushtetuta t'i ndalojë njerëzit të kandidojnë për postin e presidentit, për shkak të anëtarëve të familjes së tyre.
www.voal-online.ch
|