KONSULTIMET E BEOGRADIT NË BRUKSEL
E Hënë, 03.11.2013, 02:50pm (GMT+1)
Kreu shtetëror i Serbisë do të udhëtojë sot për në Bruksel, ku do të takohet me
përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, duke përfshirë këtu edhe Përfaqësuesen e
Lartë, Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet Kosovë - Serbi.
Kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, kryeministri Ivica Daçiq dhe
zëvendës-kryeministri i parë Aleksandar Vuçiq do të bisedojnë me baroneshën
Ashton lidhur me ngecjet në bisedimet që kanë të bëjnë me formimin e bashkësisë
së komunave serbe në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar formimin e kësaj bashkësie, që
në Kosovë njihet si Asociacion, por ka refuzuar mundësinë që ky organizim të
ketë fuqi ekzekutive, ashtu siç synon Beogradi.
Para nisjes, kryeministri serb Daçiq ka deklaruar se Serbia nuk do të pranojë
asgjë më pak nga ajo që në Kosovë të formohet bashkësia e komunave serbe, e
cila do të kishte pushtetin ekzekutiv.
Zëvendës-kryeministri i parë serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se kreu i
shtetit serb po udhëton në Bruksel për të marrë datën për fillimin e bisedimeve
për anëtarësim në BE.
Lidhur me këtë çështje dhe me procesin negociator në përgjithësi, baronesha
Ashton pritet ta vizitojë Prishtinën më 14 mars.
Takimet e zonjës Ashton janë cilësuar si konsultime në kuadër të dialogut për
normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Raundi i ardhshëm i këtij dialogu, në nivel kryeministrash, mbahet në Bruksel
më 20 mars.
www.voal-online.ch
|