Kryetari i nënkomisionit për Çështjet Europiane pranë Komisionit për
Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan Christopher Murphy thotë se
simbolika e takimit mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij serb
Aleksander Vuçiç është tani më e rëndësishme se kurrë. Në një intervistë
për Zërin e Amerikës, në përfundim të një turi në disa vende të
Ballkanit, senatori Murphy flet për sfidat me të cilat përballet rajoni,
marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, vizitën e fundit të
presidentit rus në Serbi si dhe rrezikun e të ashtuquajturit shtet
islamik. Senatori Murphy i tha korrespondentit të Zërit të Amerikës në
Tiranë Armand Mero se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një angazhim më
të madh në Ballkan.
Zëri i Amerikës: Senator Murphy, së pari ju
falenderoj për mundësinë kësaj interviste për Zërin e Amerikës. Do të
doja ta nisja me një pyetje rreth turneut tuaj në Ballkan, një rajon që
duket se është ende larg një paqeje të qëndrueshme. Mjafton të kujtojmë
se ishte një ndeshje futbolli e cila e përkeqësoi menjëherë situatën mes
Shqipërisë dhe Serbisë këto ditët e fundit
Senator Christopher Murphy: Pata
një javë me të vërtetë produktive këtu në Ballkan, ku pata mundësinë të
vizitoja 5 shtete të ndryshme në harkun kohor të gjashtë ditëve. Besoj
se ka dy këndëvështrime për t'iu referuar Balkanit. Nëse e shohim me
optimizëm, mund të vini re përparimin që ai ka bërë në pak vite, duke u
transformuar nga një rajon i copëtuar nga konfliktet, në një rajon me
përparim të madh. Po bëhen përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve
mes Kosovës dhe Serbisë, kombe që së bashku po i afrohen BE-së dhe
Natos, dhe ekonomitë janë në zgjerim e sipër. Por ka edhe sfida. Mund të
jesh në të njëjtën kohë edhe pesimist për Ballkanin, nëse i referohesh
vetëm sfidave. Personalisht po largohem më shumë me optimizëm, se sa me
pesimizëm. Unë di që ka ende sfida dhe incidenti në ndeshjen e futbollit
nxjerr më në pah vështirësitë që mbeten përpara. Por një zhvillim i
madh po ndodh. Realiteti tregon se ka patur disa incidente të vogla dhe
ushtrim dhune që prej ndeshjes, por reagimi ndaj tyre ka qënë përmes
komunikimit dhe jo përleshjeve. Dhe kjo në vetvete tregon përparim të
madh. Pra po largohem nga rajoni plot shpresë, por po largohem
gjithashtu me një ide të qartë se ky rajon, veçanërisht Ballkani
perëndimor, ka nevojë për një prani aktive të Shteteve të Bashkuara.
SHBA kanë ambasada të mrekullueshme, veçanërisht këtu në Tiranë, të
cilat po bëjnë një punë shumë të mirë. Ne kemi nevojë për më shumë
anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, më shumë senatorë, më shumë vëmendje
nga Departamanti ynë i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë. Ky është një
moment specifik për Ballkanin. Jemi në prag të fitoreve të mëdha këtu.
Ka kombe që janë kthyer drejt ekonomive euro-atlantike, drejt
institucioneve politike euro-atlantike. Investitorët të huaj të cilët
janë të gatshëm të vijnë këtu, të hapin biznese dhe të krijojnë vende të
reja pune. Ky është momenti në të cilin SHBA-të duhet të angazhohen dhe
të riangazhohen në Ballkanin Perëndimor. Dhe ky është një nga mesazhet e
qarta që do t'ua transmetojë kolegëve të mi në Shtetet e Bashkuara
Zëri i Amerikës: Çfarë rezultatesh mund të sjellë vizita e pritshme e kryeministrit Edi Rama në Beograd?
Senator Christopher Murphy: Kam
shpresë se të dy udhëheqësit do të shtrëngojnë durat me njëri tjetrin
dhe do ta bajnë të qartë se vetëm një incident dhe huliganizmi në një
ndeshje futbolli nuk mund të pengojë procesin e gjatë të pajtimit mes
fqinjëve. Unë e di se kryeministri po e pret me padurim këtë vizitë.
Pata mundësinë të takojë dhe kryeministrin Vuçiç. Dhe di se dhe ai e
priste me padurim atë. Ka shumë më tepër për t'u bërë për marrëdhëniet e
fqinjësisë në këtë rajon. Nuk mund të vish në Ballkanin perëndimor dhe
të mos vesh re nevojën për bashkëpunim rajonal, për të ndërtuar ekonomi
të forta dhe për të përmirësuar infrastrukturën. Do t'ua lë
kryeministrave Rama dhe Vuçiç të vlerësojnë detajet e këtij takimi. Por
ky është një moment i rëndësishëm, veçanërisht i rëndësishëm, për të dy
udhëheqësit. Në rastin e një incidenti të tillë, udhëheqësit politik dhe
njerëzit e thejshtë duhet të ulen së bashku dhe diskutojnë, të zgjidhin
mosmarrëveshjet përmes komunikimit, dhe jo me provokime dhe dhunë.
Simbolizimi i këtij takimi tani është më i rëndësishëm se kurrë.
Zëri i Amerikës: Duke mbetur pikërisht te
bisedimet, te marrëdhëniet mes fqinjëve. Ju si do i konsideronit
marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës?
Senator Christopher Murphy: Pesë
vite më parë nuk do ta kishim imagjinuar dot se do të ishim sot këtu, në
një proces drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
Qëndrova gjatë si në Beograd dhe Prishtinë. Duhet ende përparim në
vendosjen e dialogut. Ka entuziazëm në të dy kryeqytetet për të bërë
përpara me këto marëveshje dhe për të diskutuar marëveshjet e ardhshme.
Për momentin është e vështirë që të zbatohet menjëherë marrëveshja e
Brukselit, pa një qeveri në Kosovë. Shkova në Kosovë për ta bërë të
qartë se e gjithë udhëheqja duhet të bashkohet për të krijuar një qeveri
sa më shpejt të jetë e mundur, për t'ju paraqitur të bashkuar botës dhe
të jenë aftë për të zbatuar elementët e rëndësishëm të marrëshjes së
Brukselit. Mungesa e qeverisë në Kosovë nuk është një arsye që Beogradi
të rri duarkryq. Ka disa hapa që mund të ndërmerren nga Beogradi për të
zbatuar disa pjesë të asaj marrëveshje. Por detaji më i rëndësishëm për
të vazhduar më tej marrëdhëniet e normalizuara mes Kosovës dhe Serbisë
është që partitë politike në Kosovë të lenë menjanë paragjykimet e tyre
politike dhe të ndërtojnë së bashku një qeveri të re.
Zëri i Amerikës: Sot në botë ka shumë zona
problematike, konfliktuale ku Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara. A e
ka zbehur kjo situatë angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan? Ju
përmendët diçka pak më parë...
Senator Christopher Murphy: Besoj
se Ballkani po përfiton mjaft nga përfshirja e fuqishme e SHBA-ve në
këtë rajon. Eshtë e dukshme se nuk kemi një mik më të mirë në rajon se
sa Shqipëria, dhe shpresojmë që dhe Shqipëria të mos ketë asnjë mik më
të mirë në botë se sa SHBA-të. Argumenti që do të paraqes në Uashington
është që SHBA-të të rrisin investimet në këtë rajon dhe kjo do të
kërkojë disa vite. Mundësia e SHBA-ve për të mbështetur hyrjen në BE dhe
të vazhdojë zgjerimi i Natos dhe pajtimi politik mes vendeve dhe
popujve të ndryshëm është një punë e rëndësishme për vitet në vijim.
Eshtë e vërtetë se SHBA-të përballen me shumë sfida, në Lindjen e Mesme,
në Ukrainë, dhe një konflikt që po shfaqet në Afganistan. (Por nëse do
të përdor një shprehje amerikane). Por duhet të pranojmë që përfitimet e
investimeve tona në Ballkan janë të mëdha. Mund të përfitojmë shumë nga
një investim relativisht i vogël, krahasuar me atë ç'ka shpenzojmë sot
në vende si Lindja e Mesme. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara do të
vazhdojnë të investojnë këtu.
Zëri i Amerikës: Ju si do ta shihnit vizitën e pak ditëve më parë të presidentit rus Vladimir Putin në Beograd?
Senator Christopher Murphy: Mendoj
se presidenti Putin, ka mundësi të jetë larguar i zhgënjyer. Ai
shpresonte që Beogradi do të firmoste marrëveshjen për gazshjellësin
South Stream, por nuk e arriti. Ai po ballaqohet dhe me vende të tjera
në rajon të cilat refuzojnë të bëjnë përpara me këtë projet gazsjellësi,
si Bullgaria. Pra mesazhi im për Beogradin, është i njejti me mesazhin
që ju përcolla dhe juve. Shtetet e Bashkuara i shohin miqtë e tyre
ndryshme nga ç'i sheh Rusia të vetët. Për Rusinë ose duhet të jesh me
ata, ose je kundër tyre, nuk ka rrugë të mesme. Nuk është kjo ajo që
bëjnë Shtetet e Bashkuara. Ne e kuptojmë se do të ketë vende të cilat do
të duan të kenë marrëdhënie dhe aleancë me BE-në, por dhe me SHBA-në,
por që gjithashtu do të duan të vazhdojnë të kenë marrëdhënie politike
dhe ekonomike me Rusinë. Ne nuk do t'i kërkojmë vendeve që të bëjnë një
zgjedhje të gjerë, mes marrëdhënieve me Rusinë apo atyre me SHBA-në dhe
Europës. Megjithatë ka disa momente kur duhet bërë një zgjedhje, kur një
vend ka shkelur ligjet ndërkombëtare, siç ne besojmë se ka ndodhur me
rastin e Rusisë me pushtimin e Ukrainës, ne u kërkojmë miqve tanë të
bëjnë një zgjedhje: Do të qëndroni në krah të shtetit ligjor, apo do të
qëndronin në krah të atyre që e thyejnë atë. Por këto janë përjashtim
nga rregulli i përgjithshëm. Ka disa shembuj të kufizuar kur ne i
kërkojmë vendeve të vendosin të mbështesin shtetin ligjor. Kur isha në
Beograd mu bë pyetja nëse vizita e presidentit Putin atje cënon
marrëdhëniet e SHBA-ve me Serbinë. Nuk besoj. Nëse Serbia duhet të ecë
më tej me linjën e gazsjellësit atëherë patjetër që kjo do i dëmtonte
marrëdhëniet me SHBA-në. Por sidoqoftë ky është një tregues se si ne
bashkëpunojmë me fqinjët tanë, ndryshe ngë mënyra se si vepron Rusia.
Zëri i Amerikës: Ka një avancim, ose një përjekje
të Rusisë për të avancuar në Europën Lindore. Si mendoni se duhet t'i
përgjigjen Shtetet e Bashkuara kësaj situate?
Senator Christopher Murphy: Eshtë e
dukshme se Vladimir Putin ka qëllime zgjerimi. Ai pretendon se gjëja me
e keqe që i ka ndodhur Rusisë, të paktën në 100 vitet e fundit, ka qenë
shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, duke u përpjekur për të ribashkuar
disa rajone të perandorisë së vjetër sovjetike. Duhet t'i mbajmë sytë
hapur, se cila është axhenda e tij, të bëjmë kujdes që ajo të mos
përfundojë në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë. Dukshëm ai i ka sytë dhe
mbi Ballkan dhe nuk është e vështirë për t'u kuptuar, se do të përpiqet
të shkaktojë probleme për vendet anëtare të Natos në të ardhmen. Pra ne
duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm, si miqtë tanë në Europë edhe
partnerët tanë në Ballkan, për qëllimet e presidentit Putin, prandaj ne
duhet t'i dërgojmë një mesazh të fuqishëm bashkimi lidhur me sjelljen e
tij në Ukrainë. Ekonomia e tij është për momentin në një tkurrje masive.
Njerëzit po paguajnë pasoja të cilat nuk duhet t'i paguanin për shkak
të shkeljeve të ligjive ndërkombëtare nga ana e tij. Pra, nëse ne
qëndrojmë të bashkuar për të dënuar atë ç'ka Rusia ka bërë në Ukrainë
dhe për të forcuar sanksionet ekonomike, ata do të kuptojnë se ka një
cmim për t'u paguar. Vetëm kështu do të kemi mundësinë të sigurohemi se
kjo gjë nuk do të përsëritet diku tjetër.
Zëri i Amerikës: Sot bota kërcënohet nga një tjetër
rrezik, ai që vjen nga ISIS, një fenomen që ka prekur edhe vendet e
Ballkanit. Ju sa problematike e shihni situatën?
Senator Christopher Murphy: U
takova me presidenten e Kosovës dhe e falenderova atë për masat e forta
ligjore të ndërmarra kundër imamëve radikalë, të cilët ftojnë të rinjtë
të bëhen pjesë e terrorizmit dhe atyre të cilët duan të marrin armët
kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë. Në mënyrë të ngjashme
edhe vende të tjera në rajon po përforcojnë masat e tyre, dhe Qeveria
shqiptare gjithashtu ka vepruar mjaft mirë në lidhje me këtë. Duhet të
jemi të sinqertë. Masat ligjore janë vetëm një pjesë e zgjidhjes. Të
rinjtë, veçanërisht, tërhiqen drejt ekstremizmit, edhe sepse ata nuk
shohin një rrugë tjetër për veten, kur ka shkallë të lartë papunësie në
masën, 30-40 apo 50 për qind, atëherë lind rreziku që këta klerikë
radikalë t'i tërheqin disa prej këtyre të rinjve për t'i futur atë në
një rrugë shumë të rrezikshme në jetë. Kështu në të njejtën kohë na
duhet një përforcim të qartë, çdo vend në këtë rajon duhet të miratojë
një ligj që e shpall të jashtëligjshme luftën e banorëve të tij kundër
SHBA-ve dhe Europës dhe partnerëve tanë suni në Iraq dhe Siri. Ne duhet
gjithashtu të ndërtojmë ekonomitë tona, e t'i japim të rinjve përgjigjet
që nuk i kanë, ndryshe nga imamët radikalë që japin një shumë të
konsiderueshme parashë që të shkojnë të luftojnë në Siri apo Irak.
Zëri i Amerikës: Duke u kthyer te Shqipëria. Ju
Senator patët takime me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe
politikës shqiptare. Si do ta vlerësonit situatën e këtushme. A po bën
vendi përpjekjet e duhura për reforma dhe për të ecur përpara?
Senator Christopher Murphy: Është e qartë se
Shqipëria nuk ka bërë mjaftueshëm reforma dhe ka ende shumë çështje për
t'u zgjidhur. Në krye të listës është mungesa e vazhdueshme e besimit që
shumë sipërmarrje të huaja, veçanërisht amerikane, kanë ndaj shtetit
ligjor këtu në Shqipëri. Por është e qartë se vendi po ecën në drejtimin
e duhur dhe mund ta dëgjoni këtë edhe nga drejtues të grupeve të
shoqërisë civile. Unë takova disa prej tyre, të cilët janë të angazhuar
në lufën kundër korrupsionit dhe krimit. Ata ishin të gjithë optimistë
lidhur me drejtimin që ka ndërmarrë qeveria e re për t'i hapur dyert
shoqërisë civile dhe për të ndërmarrë disa hapa praprakë dhe të
rëndësishëm për të reformuar sistemin gjyqësor dhe policinë. Shqipëria
ka ende një rrugë të gjatë përpara. Por ka edhe shumë vende të tjera në
rajon, Shqipëria nuk është e vetmja, që ka probleme me korrupsionin dhe
me shtetin ligjor. Dhe patjetër unë dua që bizneset amerikane të jenë
këtu në Shqipëri. Unë dua firmat amerikanë të investojnë këtu për të
rritur ekonominë e saj. Por e vetmja mënyrë që kjo të ndodhë, është që
ky vend dhe fqinjët e tij ta marrin seriozisht dhe t'i sigurojnë
investitorët e huaj se ata kanë të bëjnë 100 për qind me partnerë të
besueshëm.