GJUKANOVIQ: SERBIA KA PROBLEME ME TË GJITHË RAJONIN
E Mërkurë, 03.10.2010, 03:44pm (GMT+1)
Kryeministri malazez Milo Gjukanoviq ka kritikuar ashpër Serbinë, duke e akuzuar se ka për qëllim ta paraqesë Malin e Zi si "shtet kriminal".
Në një intervistë për TV malazez Gjukanoviq ka thënë se Beogradi synon ta komprometojë shtetin malazez dhe të tregojë se Mali i Zi nuk ka kapacitete juridike që të jetë shtet i pavarur.
E gjitha kjo tregon, tha ai, se problem thelbësor nuk është qëndrimi malazez ndaj Kosovës, por problem thelbësor është pavarësia e Malit të Zi dhe ata nuk janë pajtuar me të drejtën e Malit të Zi që të marrë vendime të veta.
Gjukanoviq ka thënë se Serbia ka probleme me të gjitha shtetet e rajonit, Kroacinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
"Serbia pretendon për pozicionin e liderit në rajon, por që dikush të jetë lider duhet të zgjidhë problemin e kriminelëve të luftës, të zgjidhë nëse ata që kanë bërë krime në Srebrenicë janë heronj apo kriminelë, dhe të tregojë aftësi për zhvillimin e marrëdhënieve me fqinjët". ka thënë Gjukanoviq. (http://www.evropaelire.org)
www.voal-online.ch
|