E Premte, 04.26.2024, 04:35am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
VIRUSI RUS I BULLGARISË
Virusi rus ndodhet në kompjuterët e të gjitha shteteve ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 06.10.2013, 07:53am (GMT+1)



Akoma pa ngrohur mirë kolltukët e pushtetit, qeveria e re bullgare e kryeministrit Plamen Oresharski, që bëri betimin në 29 maj, rihapi dosjen e çështjes së projektit energjitik rus të ndërtimit të centralit bërthamor të Belenës. Ky nxitim me sa duket është një lëvizje nën presionin dhe kërkesën e Rusisë dhe qeveria e re bullgare, e drejtuar nga Partia Socialiste, e cila njihet për lidhje të ngushta me Moskën, po tregohet e zellshme ta rihapë dosjen, që ishte mbyllur nga qeveria e mëparshme. Projekti i centralit bërthamor të Belenës është një nga tri projektet e mëdha energjitike ruse, për të cilat Moska kishte nënshkruar marrëveshje me udhëheqjen e Bullgarisë, kur në fuqi ishte Partia Socialiste. Këto tri projekte ishin gazsjellësi "South Stream", naftësjellësi Burgas-Aleksandropullos dhe centrali bërthamor i Belenës. Qeveria e djathtë e ish-kryeministrit Bojko Borisov, që erdhi në pushtet në 2009, refuzoi realizimin e dy prej tri projekteve energjitike ruse, naftësjellësin Burgas-Aleksandropullos, nga e cila hoqi dorë në vitin 2010 dhe centralin bërthamor të Belenës, nga i cili hoqi dorë në mars të vitit 2012, duke goditur interesat strategjike energjitike ruse në Bullgari dhe në Europë. Projekti i Belenës do të ishte centrali i parë nuklear në të gjithë Bashkimin Europian, i ndërtuar nga rusët dhe me teknologji ruse.

Odisea e centralit bërthamor të Belenës është e denjë për një skenar filmash thriller, sepse përtej intrigave, makinacioneve dhe komplikacioneve të lojërave subversive, ajo ka evidentuar ekzistencën dhe funksionimin e një virusi rus në kompjuterin e shtetit aktual bullgar. Qëndrimi i qeverisë së mëparshme bullgare për refuzimin e ndërtimit të centralit bërthamor, u arsyetua me argumente të shumta, që nga ato financiare të kostos së lartë, ku rusët e dyfishuan koston në krahasim me projektin primar, me mungesën e investitorëve strategjikë perëndimorë e deri tek pasojat e rënda ambientaliste dhe pasiguria e madhe e ndërtimit të centralit në një zonë të njohur në kronikat sizmike. Por pas debateve ekonomike e teknike u qartësua shpejt se çështja e projektit rus të Belenës mori një karakter politik e strategjik në përplasjen mes poleve dhe forcave politike bullgare, ku qëndrimet përcaktoheshin nga këndvështrimi i lidhjeve dhe i raporteve të Bullgarisë me Rusinë. Përplasja e ashpër politike çoi në organizimin e një referendumi të propozuar nga Partia Socialiste lidhur me ndërtimin e centralit të Belenës. Referendumi i 27 janarit 2013 dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët, nën normën ligjore, ku as 20 për qind e votuesve nuk u sigurua. Çështja u kthye në parlament dhe në 27 shkurt 2013, disa ditë përpara se të shpërndahej për shkak të zgjedhjeve të reja parlamentare të 12 majit 2013, parlamenti vendosi mbylljen e këtij kapitulli me refuzimin përfundimtar të ndërtimit të centralit bërthamor të Belenës.

Por me ardhjen në fuqi të qeverisë së re socialiste u rikthye edhe kursi i saj i përkrahjes së projektit rus. Presioni i Kremlinit ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i pandërprerë për imponimin e realizimit të këtij projekti, që mund të kushtojë 10-12 miliardë euro. Pa humbur kohë, një javë pas formimit të qeverisë së re, në Sofje shkoi në 7 qershor zëvendësministri rus i Energjisë, Anatoli Janovsk, i cili zhvilloi bisedime me ministrin bullgar të Ekonomisë dhe të Energjisë, Dragomir Stojnev, ku një nga temat kryesore ishte projekti i Belenës. Pas bisedimeve, zëvendësministri rus i Energjisë deklaroi se kompania shtetërore ruse "Rosatom" mund ta tërheqë padinë e saj në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Parisit kundër shtetit bullgar për zhdëmtimin në masën 1 miliard euro të humbjeve të shkaktuara nga ndalimi i realizimit të projektit, nëse shteti bullgar bie dakord të ringjallë projektin e braktisur të centralit bërthamor. Natyrisht, vizita dhe bisedimet e delegacionit energjitik rus në Sofje për Belenën paraqesin hapin e parë konkret drejt riçeljes qeveritare të derës për projektin energjitik rus. Qeveria e re bullgare ka demonstruar një predispozicion të pazakontë për të plotësuar kërkesën ruse. Që në daljen e tij të parë televizive si kryeministër në 30 maj, Plamen Oresharski deklaroi se do të jetë më me përfitim, nëse do ta mbarojmë centralin bërthamor. Agjencia bullgare "Fokus" njoftonte në 5 qershor se kryeministri Oresharski kishte deklaruar në një intervistë tjetër televizive se do të ishte më mirë ta përfundonim projektin e Belenës, se sa të humbim gjyqin në Arbitrazh.
Ndryshimi i qëndrimit qeveritar bullgar ndaj projektit rus të centralit bërthamor, me sa duket është një zhvillim më i thellë, se sa vetëm një riardhje në pushtet e qeverisë socialiste, që favorizon të tria projektet energjitike ruse. Duke qenë një çështje me karakter dhe me pasoja strategjike, ajo kap një kuadër më të gjerë se sa thjesht bullgar. Burime bullgare bëjnë të ditur se edhe vetë zgjedhjet e parakohshme dhe ndryshimi i qeverisë bullgare kanë pasur si katalizator një fushatë dhe një veprimtari të mbidheshme dhe të nëndheshme, të orkestruar nga Moska. Sepse menjëherë pas dështimit të referendumit për projektin e centralit bërthamor, jo vetëm u organizua një ofensivë e madhe propagandistike e politike kundër qeverisë dhe në favor të projektit, por pati disa lëvizje të dyshimta të karakterit operativ e strategjik. Menjëherë, në mënyrë të befasishme, çmimet e energjisë elektrike për qytetarët u dyfishuan dhe u trefishuan, një hap ky i llogaritur të shkaktonte, siç edhe shkaktoi, reagimet e fuqishme popullore dhe protesta masive në të gjithë Bullgarinë. Efekti domino vazhdoi me dorëheqjen e qeverisë së Bojko Borisovit, e cila kishte ndaluar projektin e centralit, vazhdoi me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të 12 majit 2013, të cilat e larguan atë qeveri nga pushteti.

Ajo që ndodhi në Bullgari ka interes për të kuptuar fuqinë e virusit rus dhe të ndërhyrjes së Moskës për të ndikuar në ndryshime politike në favor të projekteve të saj të mëdha strategjike energjitike. Analisti politik bullgar, Ognian Minçev, theksonte në 15 maj se ndryshimi i qeverisë në Bullgari "ishte qartë një skenar i KGB. Rusia tashmë ekonomikisht ka nënshtruar Serbinë dhe Malin e Zi dhe nuk është e mundur të lejë Bullgarinë jashtë perimetrit të influencës së saj". Hija e metodës së vjetër ruse të ndryshimit të qeverive për hir të arritjes së interesave strategjike qarkullon nëpër shtetet ish- komuniste. E përdori Rusia këtë metodë në Ukrainë, ku ndërhyrja e Moskës rrëzoi presidentin demokrat të revolucionit të portokalltë, i cili kërkonte të fuste Ukrainën në NATO dhe të dëbonte bazën ushtarako-detare ruse nga vendi, dhe krijoi kushtet për ardhjen në fuqi të një presidenti prorus, i cili ndaloi zyrtarisht integrimin Atlantik dhe u zgjati rusëve 50 vjet praninë e bazës ushtarako-detare në Krime. Ngjashmëria duket e madhe edhe me Bullgarinë.

Rasti i Bullgarisë është interesant për të kuptuar më mirë dhe për të analizuar fenomenet dhe disa zhvillime apo qëndrime të papritura strategjike në shtetet e Europës Lindore, të cilat kanë qenë dikur sferë e influencës së Moskës, në kohën e perandorisë komuniste sovjetike. Nuk është mirë të ushqehen iluzione dhe të besohet se me anëtarësimin në NATO dhe në BE, sigurohet automatikisht ndërprerja e ndërhyrjes së Rusisë në ish-shtetet komuniste, dikur sferë e influencës së saj. Ajo që po ndodh në Bullgari, është sinjifikative për llojin e veprimit dhe të pranisë së fuqishme të lobit rus në Bullgari dhe në ish-vendet e tjera komuniste pa përjashtim, përfshirë edhe Shqipërinë. Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet me Moskën në vitin 1961, por edhe pas kësaj ndarjeje të gjatë 30-vjeçare lobi rus në Tiranë mbeti i fortë dhe është i tillë edhe sot e kësaj dite.

Çështja e projekteve energjitike ruse nuk është me karakter të pastër ekonomik dhe financiar, sikundër dëgjohet dendur nga lobet ruse në Ballkan. Ajo është një çështje gjeopolitike dhe strategjike, e cila lidhet me vartësitë energjitike dhe me ndikimin dhe me praninë e shtetit financues të projekteve energjitike: Lufta për sfera influence nuk ka mbaruar dhe nuk mjafton profilaksia e anëtarësimit në NATO dhe në BE për një imunitet sovraniteti. Nuk mjafton, sepse një pjesë e elitës politike dhe financiare në vendet ish-komuniste është e prirur për rivendosjen në forma të ndryshme të sofistikuara të ndikimit, që Rusia kishte dikur në vendet ish-komuniste në Ballkan. Një prirje e tillë drejt Lindjes favorizohet edhe nga një farë neglizhence e Perëndimit ndaj kësaj dukurie, sepse edhe në Perëndim ekziston ende në disa qarqe një iluzion se vendosja zyrtare e sistemit demokratik kapitalist në shtetet ish-komuniste i neutralizoi edhe prirjet, edhe lidhjet e vjetra të shumëfishta me Rusinë.

Virusi rus gjatë periudhës së tranzicionit ka qenë i fjetur dhe i instaluar në strukturat shtetërore të ish-vendeve komuniste. Është mirë që NATO dhe BE ta kenë në konsideratë këtë rrethanë strategjike dhe gjeopolitike, me qëllim që të mos ndodhen para të papriturave të pakëndshme, të cilat mund të marrin forma nga më të ndryshmet. Virusi rus ndodhet në kompjuterët e të gjitha shteteve ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GAZETA DIELLI, SI ZËDHËNËSE E FUQISHME E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS ”VATRA”Nga DALIP GRECA/* (06.09.2013)
OPINIONISTËT E TIRANËS, BINJAKËZUAR ME POLITIKËN DHE OLIGARKËT, IA KANË SHITUR SHPIRTIN DJALLITNga ELIDA BUÇPAPAJ (06.08.2013)
LIRIA ËSHTË NË ZMBRAPSJENga FRANK SHKRELI (06.06.2013)
PRESIDENTI NISHANI DHE TRE GJENERALËT E LIRUARNga MARK MARKU (06.06.2013)
TURQIA NË TYMNga FRANK SHKRELI (06.04.2013)
HAPËSIRA SHQIPTARE MË VERILINDORE - PENG I TERMAVENga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.04.2013)
MBI NJË DËSHTIM DIPLOMATIK HISTORIK NË SHKUPNga SHABAN MURATI (06.03.2013)
NJË VIT PËR TË KUJTUAR PRESIDENTIN JOHN KENNEDYNga FRANK SHKRELI (06.01.2013)
PO Ç'KA ELVIS ROSHI ME MONUMENTIN E DY GISHTAVE TË FITORES NË KAVAJËNga ELIDA BUÇPAPAJ (05.31.2013)
A KRIJON SISTEMI ZGJEDHOR QËNDRUESHMËRI POLITIKE DHE NJË PËRFAQËSIM TËRËSOR TË PUBLIKUT?Nga ROMEO GURAKUQI (05.31.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]