E Djelë, 04.28.2024, 04:55am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
NJË INTRIGË ENERGJITIKE: GREQI-RUSI-BE
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 06.17.2013, 04:34pm (GMT+1)



Greqia pësoi një goditje financiare të befasishme në 10 qershor, kur kompania e madhe ruse e gazit "Gazprom" refuzoi të paraqitej në ditën e fundit të tenderit në Athinë për shitjen e kompanisë kryesore shtetërore të gazit DEPA. Është një goditje e madhe për planin qeveritar grek të privatizimeve, sepse "Gazprom", që kishte mbetur i vetmi pjesëmarrës në tender, kishte ofruar 1,2 miliardë dollarë në dokumentet e veta, kur ishte seleksionuar si e vetmja kompani për të marrë pjesë dhe për të fituar në tender. Greqia është e detyruar nga borxhdhënësit europianë që të nxjerrë 2,6 miliardë euro nga privatizimet këtë vit dhe tërheqja e "Gazprom"-it në minutën e fundit kuptohet se krijon një gropë financiare, të cilën shteti grek, i mbytur në borxhe, nuk e ka të lehtë ta mbushë. Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, u nxitua një ditë më pas të sigurojë publikun se qeveria nuk do të ndërmarrë masa të reja shtrënguese dhe as shkurtime në buxhet për të mbushur vakumin që krijon mosshitja e kompanisë greke DEPA.

Goditja që pësoi Greqia nga tërheqja e "Gazprom"-it, nuk është nga ato që riparohet shpejt, pavarësisht se qeveria bëri të ditur se një tender i ri do të organizohet. Vendimi i kompanisë ruse ishte i papritur edhe për vetë zyrtarët e lartë grekë, sepse bisedimet mes "Gazprom"-it dhe qeverisë greke për modalitetet e blerjes së DEPA-s nga rusët, vazhdonin prej disa muajsh, dhe vetëm brenda pak javëve presidenti i "Gazprom"-it, Aleksej Miller, vizitoi tri herë Athinën për bisedime me qeverinë greke. Për "Gazprom"-in, blerja e DEPA-s ishte një lëvizje strategjike, me synimin për të shtënë në dorë sistemin grek të gazit dhe për të rritur mundësinë e kontrollit të Rusisë në gjithë gazsjellësit që planifikohen të kalojnë nëpër Greqi për të furnizuar Europën me gaz jorus, si TAP, ITGI etj. Ky interes gjeostrategjik e shtyu Moskën të ofrojë edhe një çmim të lartë prej 1,2 miliardë dollarësh për DEPA-n në tender, të përafërt me vlerën e kompanisë greke në treg, gjë që "Gazprom" nuk e ka bërë për asnjë shtet tjetër, po të kemi parasysh çmimet qesharake që "Gazprom" ka ofruar për industrinë e naftës dhe të gazit në Serbi dhe në Shqipëri.

Qeveria greke, gjatë bisedimeve me rusët dhe për t'i kënaqur ata, ndërmori disa hapa lëshimesh ndaj blerësve të mundshëm të DEPA-s, duke ulur shumën e depozitës së detyrueshme për fituesin e tenderit nga 20 në 10 për qind të vlerës së kontratës. Për më tepër, Athina ndërmori dhe një hap të rëndësishëm, duke siguruar "Gazprom"-in se qeveria greke do t'i kthente kompanisë fituese të gjithë shumën e depozitës, në rast së Komisioni Europian nuk do të miratonte rezultatin e tenderit të DEPA-s. Kjo u konsiderua si një shigjetë në drejtim të Komisionit Europian dhe shenjë se Athina insistonte që DEPA-n ta merrnin rusët.
Të gjitha këto lëshime greke nuk duket se krijuan bindjen e sigurisë përfundimtare te "Gazprom"-i se gjithçka ishte në rregull, dhe në datën 10 qershor nënpresidenti i kompanisë ruse dhe zëdhënësi i saj shpallën se "Gazprom" ka vendosur të mos marrë pjesë në tender, sepse nuk ka siguruar garancitë e nevojshme nga qeveria greke se gjendja financiare e kompanisë greke nuk do të keqësohet, gjatë periudhës nga fitimi i tenderit në përfundimin e kontratës së shitjes.

Gjithçka, e luajtur në skenë dhe në prapaskenë, evidenton se është në zhvillim e sipër një lojë më e thellë se ajo që shihet në publik, me një karakter dhe shumëvalencë drejtimesh e qëllimesh, që e tejkalojnë planin energjetik. Duket si një intrigë energjetike, ku fusha ka një format trekëndëshi dhe lojtarët që përplasen janë Greqia, Rusia dhe Bashkimi Europian. Çështja e kompanisë shtetërore greke të gazit dhe e pikëpyetjes se kush do ta zotërojë atë, ka marrë karakterin e një objektivi strategjik afatgjatë, për të cilin po lëvizin diplomaci dhe shtete. Greqia padyshim ndodhet në pozitën më të pafavorshme, si shtet në nevojë, i cili duhet të nxjerrë 2,6 miliardë euro nga privatizimet në vitin 2013, dhe që është gati të shesë çdo aset, pavarësisht se çfarë pasojash energjetike, strategjike apo gjeopolitike ka. Në këtë sens, qeveria në Athinë ka demonstruar një predispozicion të lehtësimit të kushteve për futjen e "Gazprom"-it në Greqi, gjë e cila nuk është parë me sy të mirë në Bruksel dhe në Uashington. Ndaj në Athinë ishte e madhe pakënaqësia për dështimin e privatizimit dhe menjëherë nxituan të shfajësoheshin për dështimin e tenderit të DEPA-s. Vetë kryeministri Samaras deklaroi në 11 qershor se arsyet e refuzimit të "Gazprom"-it për të marrë pjesë në tender "janë përtej Greqisë", ndërsa zëvendësministri grek i Energjisë ishte më specifik, kur deklaroi se "Nuk ka probleme në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Rusisë". Nuk është vështirë të dedektohet këto ditë një pakënaqësi e qeverisë greke ndaj BE dhe Komisionit Europian lidhur me këtë çështje, dhe zyrtarët e ndryshëm grekë u kanë pohuar në shumë raste mediave ndërkombëtare se faji qëndron pikërisht tek BE.

Greqia është lojtare në fushën trekëndëshe të intrigës energjetike, por ajo duket se ka gabuar në pikëpamjen strategjike dhe gjeopolitike. Në fakt loja duket se është zhvilluar mes "Gazprom"-it dhe Komisionit Europian. Dihet në qarqet diplomatike se qeverisë së Athinës i është bërë e ditur në kanale zyrtare se duhet të tregohet e kujdesshme në lidhje me pronësinë e ardhshme të sektorëve strategjikë të gazit, sepse në të implikohen interesat afatgjata euroatlantike. Gazeta britanike "The Guardian" shkruante në 10 qershor se "ka zëra se vendimi i Moskës për t'u tërhequr është diktuar nga presione gjeopolitike. SHBA dhe BE kanë bërë të qartë mospëlqimin e tyre për rritjen e influencës së Rusisë në tregun europian të energjisë". Madje, në një formë apo tjetër, Athinës i është bërë presion që të përpiqet të mënjanojë kushtet, të cilat do ta kurorëzonin "Gazprom"-in pronar të DEPA-s. Informacione të ndryshme shprehen se argumentet strategjike euroatlantike, të paraqitura tek qeveria greke, nuk duket se kanë pasur efektin që pritej në Bruksel. Atëherë Brukseli ka hyrë në lidhje direkte me Moskën dhe, një javë para afatit të fundit të tenderit në Athinë, ka paralajmëruar Rusinë se Bashkimi Europian do ta anulojë një kontratë të mundshme fituese mes "Gazprom"-it dhe qeverisë së Greqisë. Sipas rregullave ekzistuese në BE, marrëveshje të kësaj natyre, siç është kjo për privatizimin e kompanisë greke të gazit, pavarësisht nga rezultatet e tenderit dhe pavarësisht nga vendimi që merr qeveria përkatëse, kanë nevojë për miratimin e Komisionit Europian. Dhe duket se ky paralajmërim në linjë të shkurtër ka pasur efektin e vet dhe Moska nuk ka dëshiruar të rrezikojë reputacionin e saj ndërkombëtar dhe ta vërë veten në pozitën që të refuzohet nga BE-ja një kontratë e mundshme me qeverinë greke. Pavarësisht se zëdhënësi i Komisionit Europian e mohoi lidhjen e Brukselit me atë që ndodhi, bindja është se presioni direkt i BE e çoi peshoren në vendimin e "Gazprom"-it për t'u tërhequr nga gara.

Është interesant se, nga tenderi, që zhvillohej në 10 qershor, u tërhoq jo vetëm "Gazprom"-i, por po njëlloj befasishëm, edhe kompania tjetër ruse SINTEZ, e cila ishte një ofertuese dhe pretendente ndër kryesoret. I vetmi ngushëllim ose lajm i mirë për Greqinë është fakti që në tenderin për shitjen veçmas të operatorit të sistemit të shpërndarjes së gazit, DESFA, që është një filiale e DEPA-s, u paraqit e vetme në tender kompania shtetërore e naftës e Azerbajxhanit, SOCAR. Në 16 qershor, presidenti i kësaj kompanie, Rovnag Abdullajev, njoftoi se kanë filluar bisedimet me qeverinë greke për blerjen e DESFA-s dhe deklaroi se "së shpejti i gjithë sistemi i shpërndarjes së gazit në Greqi do të jetë në duart tona". Hyrja e kompanisë azerbajxhanase në Greqi mund të merret si një sinjal, që forcon parashikimet për një qëndrim përkrahës të Azerbajxhanit për ndërtimin e gazsjellësit TAP, që do të kalojë nga Turqia në Greqi dhe Shqipëri, me destinacion Italinë.

Mirëpo largimi i "Gazprom"-it nuk është mbarimi i intrigës energjetike, sepse mund të ketë reperkusionet e veta negative në politikën energjetike të Rusisë ndaj Greqisë. "Gazprom"-i ka në dorë nëse do të kalojë apo jo nëpër Greqi nga Bullgaria degëzimi i dytë i gazsjellësit "South Stream", i cili ka filluar nga ndërtimi dhe që ka pasur një planifikim fillestar për të transportuar gazin rus nga Greqia në Itali. "Gazprom"-i furnizon gjithashtu aktualisht 67 për qind të nevojave greke për konsumin e gazit natyral, dhe kjo përbën një instrument jo të vogël presioni në fushën e çmimeve.

Në këtë trekëndësh përplasjesh interesash shtetërore në privatizimet e sektorit strategjik të gazit në Greqi provohet edhe njëherë se çështja e privatizimeve energjetike dhe e politikës energjetike të një shteti nuk është dhe nuk mund të jetë as thjesht teknike, as thjesht financiare dhe as thjesht energjetike. Madje, për të folur më hapur, ajo nuk mund të jetë as thjesht dhe as vetëm vendim individual i shteteve, që hyjnë në tratativa të karakterit ndërkombëtar për shitjen e sektorëve të tyre energjetikë. Strukturat, rrjetet dhe strategjitë energjetike, kanë në të njëjtën kohë një karakter gjeopolitik, nga i cili nuk mund të shkëputet asnjë shtet në rajon. Në këtë kuptim, një largpamësi qeveritare dhe shtetërore këshillon që planifikimet dhe privatizimet e sektorëve energjetikë ta kërkojnë suksesin në formën dhe në qëllimin që t'u shërbejnë interesave të përputhshme të shtetit me ato të aleancave ku bën pjesë ai shtet, si BE dhe NATO.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
A ËSHTË 23 QERSHORI ZGJIDHJA?Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.16.2013)
BEDRI ÇOKU DHE LIBRI I TIJ “PËRTEJ DHIMBJES” (06.15.2013)
IDEOLOGJITË PËRJASHTUESE PO BËHEN KANCER I KOMBITNga LEBIT MURTISHI (06.15.2013)
ME APO PA MODEL PËRBALLË KRIZËS?!Nga Dr. PËRPARIM KABO (06.14.2013)
PATRIOT APO TRADHTAR?Nga FRANK SHKRELI (06.14.2013)
NELSON MANDELA SI NËNË TEREZANga FRANK SHKRELI (06.12.2013)
TAKIMI AMERIKANO-KINEZ JOZYRTAR NË KALIFORNINga FRANK SHKRELI (06.10.2013)
VIRUSI RUS I BULLGARISËVirusi rus ndodhet në kompjuterët e të gjitha shteteve ish-komuniste, përfshirë edhe ShqipërinëNga SHABAN MURATI (06.10.2013)
GAZETA DIELLI, SI ZËDHËNËSE E FUQISHME E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS ”VATRA”Nga DALIP GRECA/* (06.09.2013)
OPINIONISTËT E TIRANËS, BINJAKËZUAR ME POLITIKËN DHE OLIGARKËT, IA KANË SHITUR SHPIRTIN DJALLITNga ELIDA BUÇPAPAJ (06.08.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]