E Premte, 12.06.2019, 09:16am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
NJË JUGOSLLAVI E RE ME DY SHTETE SHQIPTARE
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 09.23.2013, 09:20am (GMT+1)


Gazeta malazeze “DAN” njoftoi në 17 shtator se, sipas një informacioni të Ministrisë së Jashtme dhe të Integrimit Europian të Malit të Zi, në fund të shtatorit, në Nju Jork, udhëheqësit e Malit të Zi, të Serbisë, të Maqedonisë, të Bosnjë-Hercegovinës, të Shqipërisë dhe të Kosovës, do të zhvillojnë një takim për të diskutuar për nismën diplomatike malazeze të krijimit të një "Unioni Ballkanikoperëndimor". Njoftimin e këtij takimi e kanë dhënë edhe mediat serbe, maqedonase, boshnjake, duke i mëshuar konceptit të ri të këtij "Unioni Ballkanikoperëndimor". Në fakt kjo është një nismë, që ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Luksiç, e ka parashtruar që në muajin maj të këtij viti, dhe një "non paper", me parimet dhe detajet e kësaj nisme diplomatike malazeze, u është dërguar të gjitha Ministrive të Jashtme të gjashtë shteteve të projektuara për të qenë anëtare të këtij "Bashkimi Ballkanikoperëndimor".

Tërheq vëmendjen fakti se, akoma pa u përtypur mirë nga diplomacitë e vendeve përkatëse se çfarë përmban, çfarë synon dhe sa mundësi konkrete ka që të realizohet nisma për krijimin e një "Unioni Ballkanikoperëndimor", Podgorica ka arritur të bindë kryeqytetet kandidate për një takim të posaçëm të udhëheqësve të gjashtë vendeve në Nju Jork, ku ata ndodhen në kuadrin e pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Duket se të gjitha Ministritë e Jashtme të shteteve kandidate për "Unionin Ballkanikoperëndimor", përfshirë edhe Shqipërinë, kanë rënë dakord që të kalohet kaq me nxitim në një nivel kaq të lartë diskutimi i këtij projekti. Për hir të së vërtetës, duhet theksuar se pëlqimi i diplomacisë shqiptare është dhënë nga qeveria e vjetër, e cila ishte në detyrë deri në datën 14 shtator 1013, ndërsa qeveria e re, që u betua në 15 shtator 2013, është ndodhur përpara faktit të kryer dhe natyrisht do të kërkojë kohë të formulojë qëndrimin e saj për këtë projekt.

Edhe formalisht, përpara se të mbahet një samit i udhëheqësve të gjashtëshes ballkanikoperëndimore për një "Union" të ri, duhej të ishte zhvilluar një mbledhje e posaçme me këtë temë e ministrave të Jashtëm të gjashtë shteteve për të diskutuar. Pastaj, nëse do të kishte rakordim dhe përputhje pikëpamjesh dhe interesash, mund të kalohej në fazën më të lartë të takimit të udhëheqësve të këtyre vendeve. Një diskutim në këmbë, që i është bërë kësaj nisme në kuadër të samitit të dështuar të SEECP në Ohër në 1 qershor 2013, nuk mund të konsiderohet hap dhe përgatitje serioze për një samit të posaçëm. Zyrtarisht dihet vetëm që një mbledhje e posaçme për këtë nismë është organizuar nga Ministria e Jashtme e Malit të Zi në 16 korrik në Përzhno, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Ministrive të Jashtme të Serbisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Bosnjë-Hercegovinës, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në nivel drejtorësh politikë. Sipas komunikatës zyrtare, të botuar për këtë takim nga MPJ e Malit të Zi në faqen e saj zyrtare, përfaqësuesit e gjashtë shteteve pjesëmarrëse kanë shprehur pëlqimin e shteteve përkatëse për krijimin e këtij "Unioni Ballkanikoperëndimor".

Diplomacia e qeverisë që humbi zgjedhjet, nuk i ka bërë të ditur opinionit publik se cilat janë motivet dhe arsyet, që e kanë shtyrë të pranojë hyrjen e vendit në një "Union Ballkanikoperëndimor", të propozuar nga diplomacia e shtetit më të vogël në Ballkan. Sepse një diplomaci serioze duhet të mendohet dy herë, kur i ofrohen "Unione ballkanike apo ballkanikoperëndimore", për të cilat nuk të inkurajon as historia ballkanike para dhe pas mbarimit të luftës së ftohtë, as historia para dhe pas shembjes së ish-Federatës Jugosllave, dhe natyrisht as historia e marrëdhënieve të kombit shqiptar me ish-Jugosllavinë. Shqipëria është i vetmi shtet anëtar i NATO-s i kësaj gjashtësheje ballkanikoperëndimore dhe nuk mund të sillet si shtet pa vlerë, që rri në dritare për të parë se cili kalimtar do ta ftojë në fundjavën e tij diplomatike.
Ambicia e diplomacisë së shtetit më të vogël në Ballkan për krijimin e "Unionit ballkanikoperëndimor", është tepër e madhe, sepse projektohet një bashkim i ngushtë institucional, ku mjafton të ndalemi në dy objektiva të tij, për të kuptuar se sa shumë duhet të mendohen Shqipëria dhe Kosova përpara se të japin pëlqime aprioristike. Nisma malazeze parashikon krijimin e një parlamenti të përbashkët ballkanikoperëndimor, me pjesëmarrjen e 10 përfaqësuesve të çdo shteti anëtar dhe krijimin e një policie të përbashkët ballkanike. Me një fjalë, synohet një formë dhe një nivel aq i lartë integrimi dhe bashkimi brenda "Unionit Ballkanikoperëndimor", të cilat nuk i kanë as bashkimet apo organizatat rajonale të Europës. Sepse as Bashkimi Europian nuk ka një polici të përbashkët europiane, siç kërkon nisma e Malit të Zi ta realizojë. As vendet nordike, me gjithë atë nivel të pakrahasueshëm demokracie dhe marrëdhëniesh të jashtëzakonshme me njëri- tjetrin, nuk kanë krijuar një polici të përbashkët nordike, siç kërkon të realizojë nisma malazeze. Nisma konturon parametrat e një federate jugosllave, nga përvoja e së cilës vijnë pesë shtete të kësaj gjashtësheje.

Kjo nuk është befasuese, sepse që nga shkatërrimi i Federatës Jugosllave në vitin 1991, kanë qenë të panumërta projektet dhe përpjekjet për ringjalljen e Jugosllavisë në forma të ndryshme. E habitshmja e kësaj linje është se vazhdohet të planifikohet gjithmonë përfshirja e Shqipërisë në unionet apo federatat e reja ish-jugosllave. Entiteti i ri "Ballkan Perëndimor" u krijua në vitin 2000, me samitin BE-Ballkani Perëndimor të Zagrebit, kur BE, për lehtësi organizimi të procesit të integrimit europian të vendeve ballkanike, i përkufizoi shtetet e ish-Jugosllavisë, ku futi edhe Shqipërinë, si shtete të Procesit të Stabilizim-Asocimit apo të Ballkanit Perëndimor. Ishin të gjitha shtetet e ish- Jugosllavisë, pa Slloveninë, vendin e së cilës ia atashuan Shqipërisë. Tani që edhe Kroacia u bë anëtare e BE, mbeten dy vende bosh nga Federata e dikurshme, dhe projektuesit e nismës nxituan për të zëvendësuar Slloveninë dhe Kroacinë me dy shtete shqiptare. Kroacia ka qenë kundërshtarja më e vendosur e të gjitha projekteve dhe përpjekjeve për ringjalljen e Jugosllavisë së vjetër. Pas ikjes së saj në BE, ridel oferta e një mini Jugosllavie me dy shtete shqiptare. Kryetari i komisionit parlamentar malazez për integrimin europian, Slaven Radunoviç, pranon se "Duket ngjashmëria me Jugosllavinë tonë, në të cilën me këtë rast do të mbetemi pa Slloveninë dhe Kroacinë dhe do t'i zëvendësojmë ato me Shqipërinë dhe Kosovën".

Ka një interes diplomatik, konstant dhe të pashpjegueshëm, për të krijuar një federatë ballkanikoperëndimore. Sepse nuk duket e rastit, që nisma malazeze doli në skenë menjëherë sapo Brukseli i dha dritën jeshile pranimit të Kroacisë si anëtare në BE. Mandantët e kësaj nisme nxituan të vazhdohet projekti ballkanikoperëndimor, duke zëvendësuar dy ish-shtetet veriore të Federatës Jugosllave me dy shtete shqiptare. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare në rajon, pas luftës së ftohtë dhe pas shembjes së Jugosllavisë, evidenton se shteti më i interesuar për projekte federatash, minifederatash, unionesh e kartelesh ballkanike etj. është Serbia, si shteti i vetëm që shpall zyrtarisht pretendimin për të qenë lider i Ballkanit, siç konfirmoi presidenti i saj T. Nikoliç në Pekin në fund të muajit të kaluar. Dijana Vukmanoviç, nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, (partia e kryeministrit serb), duke folur për nismën malazeze, shprehu shqetësimin në 19 shtator, se kjo nismë do të interpretohej si një formim i një Jugosllavie të re dhe bashkë me këtë, në këtë rast vjen edhe dështimi i saj. Portali serb "inserbia.info" shkruan në 18 shtator, se kjo nismë është rezultat i një marrëveshjeje të ministrave të Jashtëm të rajonit me Komisionerin e Zgjerimit dhe me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, RCC, Goran Svilanoviç. Svilanoviç, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë, paraqiti në takimin e 16 korrikut në Mal të Zi propozimin që zyra e tij e sekretariatit të përgjithshëm të RCC të bëhet "dora ekzekutive e "Unionit ballkanikoperëndimor". Ka një modë diplomatike në Ballkan për të propozuar bashkime dhe organizime të përbashkëta ballkanike, si mini Jugosllavia, Këshilli Nordik Ballkanik, Beneluksi Ballkanik, e deri tek kjo e fundit për "Unionin Ballkanikoperëndimor". Është një sëmundje e vjetër, që nga koha e Kominternit komunist, për krijimin e federatës ballkanike, si mjet për hegjemoninë në Ballkan.

Se si do të veprojnë shtetet e ish-Jugosllavisë dhe popujt e tyre sllavë për format e asocimit me njëri-tjetrin, është punë e tyre, por Shqipëria dhe Kosova duhet të mendohen mirë për ta lejuar veten të lidhen me federata politike dhe institucionale ish-jugosllave. Ish-presidenti kroat Stipe Mesiç, në një intervistë me agjencinë "Anadolli Azhans" në 21 shtator, për këtë nismë deklaron: "Një Jugosllavi e re është një iluzion. Ne kemi pasur dy eksperimente me Jugosllavinë, Jugosllavinë e parë dhe të dytën, dhe të dyja përfunduan në gjak. Në termat e një asociacioni politik, nisma e Luksiçit nuk ka asnjë kuptim". Nëse Ballkani Perëndimor është i interesuar të vendosë bashkëpunim konkret dhe dobiprurës, le ta bëjë atë me projekte të përbashkëta ekonomike dhe infrastrukturore, me gazsjellës dhe naftësjellës të përbashkët, me autostrada dhe linja Interkonjeksioni të përbashkëta, me rrjete hekurudhore dhe prodhim të përbashkët energjie etj. Sa për bashkime të reja politike, institucionale dhe organizative, shtetet e Ballkanit e kanë pikëmbërritjen e tyre, që është BE-ja.

Do të mjaftonte edhe vetëm një argument, në bazë të të cilit nuk mund të cilësohet e pranueshme kjo nismë, dhe konkretisht paragjykimi që ajo i bën statusit të Kosovës. Në "non paper" dhe në gjithë deklarimet e diplomacisë malazeze, serbe dhe serboboshnjake, theksohet se Kosova mund të marrë pjesë në "Union" në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB dhe sipas parimit të neutralitetit ndaj statusit të Kosovës. Nisma diplomatike malazeze e nënvleftëson dhe anashkalon shtetin e pavarur të Kosovës si subjekt të së drejtës ndërkombëtare dhe e trajton jo të barabartë me të tjerët, por si shtet të kategorisë së dytë. Është e njohur se BE, për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtete anëtare, është detyruar të ndjekë parimin e neutralitetit ndaj statusit të Kosovës. Kjo është e kuptueshme për BE-në, por është e papranueshme në formatin ballkanik, që në fund të vitit 2013, kur është nënshkruar marrëveshja historike mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, të vazhdohet kufizimi politik, diplomatik dhe shtetëror i Kosovës. Është e qartë parealizueshmëria e një parlamenti ballkanikoperëndimor apo e një policie ballkanikoperëndimore, kur dy shtete të "Unionit" të projektuar, nuk e njohin ende Kosovën. Shqipëria nuk ka mundësinë t'i imponojë BE-së qëndrime, por në formatet ballkanike duhet thënë se ka kaluar kufiri i tejdurimit, kur Tirana po toleron neglizhimin e Kosovës në takimet dhe në organizimet ballkanike.

MPJ e Malit të Zi është përpjekur ta kalojë nismën e saj me shpjegimin se ajo ka mbështetjen e ekspertëve të Komisionerit të BE për Zgjerimin. Edhe nëse ky pretendim është i vërtetë, kjo nuk e bën më të bukur nismën e "Unionit Ballkanikoperëndimor". Nëse BE do të donte të ndërmerrte nisma për Ballkanin, do t'i shpallte vetë dhe nuk do ia linte njërit apo tjetrit shtet ballkanik. Nuk përjashtohet që në Bruksel të ketë ende diplomatë, të cilët janë të apasionuar pas shkollës dhe teknologjisë diplomatike ruse të krijimit të boshteve apo unioneve me dy apo me tri shtete. Këta diplomatë, të bezdisur nga sherret dhe trazirat e shpeshta në Ballkan, janë të prirur drejt konceptit të futjes së ballkanasve në një vathë ballkanike "për të shpejtuar integrimin". Nuk ka asnjë shenjë se nisma malazeze mund t'i japë shtytje integrimit të Ballkanit Perëndimor, sepse procesi i integrimit në BE ka qenë, është dhe do të mbetet një garë dhe rrugë individuale për secilin shtet, dhe jo vajtje kolektive në Bruksel.

Procesi i integrimit europian të shteteve ballkanike ka hyrë në një fazë të lartë, e cila nuk ka nevojë tani të krijojë unione apo grupime të reja me shtetet që kanë mbetur ende jashtë. Sapo ka hyrë Kroacia në BE, dhe katër shtete, bashkë me Shqipërinë që shpresohet në dhjetor, janë në stadin e statusit të kandidatit, dhe një union i tyre nuk ndihmon dhe nuk duket të ketë lidhje me integrimin europian. Ballkani ka një përmbytje organizatash e grupimesh, që mbikalojnë e kopjojnë njëra-tjetrën në emër të integrimit, që nga Procesi i Bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, SEECP, Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit, RCC, Nisma Adriatiko-Joniane, Nisma e Europës Qendrore, Nisma e Detit të Zi, Adriatik 5 etj., etj., dhe nuk nevojë për ujë të ri diplomatik një rajon i tejngopur me nisma.

"Unioni ballkanikoperëndimor" shfaqet si një reminishencë e ideve dhe përpjekjeve jugonostalgjike të rikrijimit të Jugosllavisë. Natyrisht, disa nga ata, që drejtojnë ish- shtetet jugosllave dhe popujt sllavë të ish-Federatës, kanë të drejtën të aspirojnë për ringjalljen në forma të ndryshme të bashkimit të dikurshëm. Por Shqipëria dhe Kosova nuk mund të kenë asnjë interes diplomatik, politik, kombëtar dhe strategjik, të futen nën ombrellën e ndonjë Jugosllavie të re.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Barometri diplomatikISH PRESIDENTI I SHQIPËRISË ALFRED MOISIU APELON KOSOVËN DHE SHQIPËRINË PËR BASHKIMNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.23.2013)
KTHIM TEK VLERAT MORALENga AFRIM KRASNIQI (09.22.2013)
ËNDRRAT E PAREALIZUARANga RESHAT KRIPA (09.22.2013)
Barometri diplomatikHEQJA E PORTRETIT TË PRESIDENTIT NISHANI, AKT PRIMITIV POLITIK DHE ANTIKUSHTETUESNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.21.2013)
NEVOJA PËR TË RIPARË KONCESIONET E HECeveNga MENTOR KIKIA (09.20.2013)
KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN NDERON FILIP RIKERNga FRANK SHKRELI* (09.18.2013)
DITAR PËR QEVERINË RAMA - RRETH VIZITËS NË BRUKSEL DHE SHKRIMIT TË NEUE ZÜRCHER ZEITUNGNga ELIDA BUÇPAPAJ (09.18.2013)
LOJA PËR VOTËN DHE ISMAIL QEMALINNga AFRIM KRASNIQI (09.18.2013)
SKAFANDRAT POLITIKENga RAMIZ LUSHAJ (09.17.2013)
VIZITË HISTORIKE PËR FITOREN E PARTISË SOCIALISTE, JO PËR BASHKIMIN E KOSOVËS ME SHQIPËRINË!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.17.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]