VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KOMPLOTI I GJUHËS: KOSTALLARI DHE SHUTERIQI SI E RRËZUAN ÇABEJNNga ARSHI PIPA

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 07:03am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

KOMPLOTI I GJUHËS: KOSTALLARI DHE SHUTERIQI SI E RRËZUAN ÇABEJN

Nga ARSHI PIPA


E Martë, 11.30.2010, 01:02pm (GMT+1)

Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe, është përmbyllësi i fazës së parë të politikës së ShNjL-së. Faza e dytë, do të ishte ajo e konsolidimit dhe e rregullimit, e rritjes dhe e "spastrimit". Zgjati 12 vjet për të ardhur botimi i Rregullave të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1967), gjë që shënoi edhe fundin e fazës së dytë. Njëmbëdhjetë vjet për të hartuar rregullat drejtshkrimore të një gjuhe, kriteret kryesore të të cilave ishin përcaktuar në manifestin drejtshkrimor të 1956-ës, mund t'i duken dikujt një periudhë e gjatë...

Një kronologji rreth procesit të GjNjL-së

Njeriu mëson mjaft rreth këtij procesi, nga raporti i mbajtur prej Kostallarit në Kongresin e Drejtshkrimit. Ky proces ka filluar qysh më 1951 me botimin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe nga një grup i ngarkuar prej tre autorësh: Xhuvani, Cipo dhe Çabej, grup ky i përbërë nga dy prej gjuhëtarëve më me influence dhe prej të vetmëve gjuhëtarë në vend me reputacion ndërkombëtar. Xhuvani e Cipo, elbasanas, nga Shqipëria e Mesme, kishin marrë pjesë në Frontin Antifashist, një front mbështetës ky i organizuar prej Partisë, kurse Çabej nuk kishte marrë pjesë. Kështu pra, grupi ishte krejt përfaqësues nga ana politike, në një kohë kur Shqipëria, pasi ishte prishur me tutelën jugosllave, po jetonte një eufori nacionaliste, që preku vetë udhëheqësit komunistë (më 1948 PKSH e ndërroi emrin dhe u bë PPSH). Cipoja kishte botuar tashmë Gramatikën Shqipe (1949), të shkruar në toskërisht dhe ai vetë për njëfarë kohe kishte qenë edhe ministër i Arsimit. Politbyroja e dinte se ai ishte protoskë. Por ata e dinin gjithashtu se Xhuvani nuk ishte dakord me planin e tyre. Por ata e kishin varur besimin te Çabej, që ishte toskë. Por, megjithatë, ai u rreshtua me Xhuvanin. Rezultati ishte një sistem i reformuar drejtshkrimor në dy variante, gegërisht e toskërisht, "të cilët ishin në rrugën e afrimit". Nga pikëpamja shkencore kjo ishte, në fund të fundit, zgjidhje e drejtë dhe e arsyeshme. Partia u zhgënjye dhe reagoi me mbledhjen e dy konferencave kombëtare. Konferenca e parë (janar 1952) e mori në shqyrtim gjuhësinë shqiptare në dritën e veprës së Stalinit Marksizmi dhe Gjuhësia, kurse e dyta, (shtator 1952) u fokusua në çështjen e gjuhës kombëtare letrare shqipe.

Rezultatet e konferencës së dytë, u publikuan në Buletinin për shkencat shoqërore IV 1952. Buletini hapet me një raport të gjatë (fq.3-66) "Mbi gjuhën kombëtare letrare shqipe" të Dhimitër S. Shuteriqit, më vonë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë. Megjithëse vetë ishte gegë (nga Elbasani), Shuteriqi qe pionieri që avokatoi çështjen e GjNjL-së të bazuar te toskërishtja në shkrimet e tij, të cilat përfshinin vjersha për Partinë dhe liderin e saj, Hoxha.

Teza e Shuteriqit është se, duke filluar me periudhën e Rilindjes (1872-1912), toskërishtja letrare ka dominuar mbi gegërishten letrare. Këtë ai e provon me statistika të nxjerra prej Bibliographie Albanaise (1912) të Legrandit për periudhën 1800-1877, si dhe prej veprës së Guys me të njëjtin titull (1938) për periudhën 1900-1910. Statistikat e tij tregojnë se nga një total prej 282 librash dhe të tjera botime të veçanta, 177 (63%), janë toskë (përfshi këtu edhe arbëreshët) dhe 105 (37% prej të cilëve 32% në shkodranishte) janë gegë. Ai specifikon se, prej 105 titujve gegë, 59 janë letërsi fetare (dmth, katolike) në krahasim me 29 botime fetare (myslimane e ortodokse), nga 177 tituj toskë. Ai nuk jep asnjë shembull për periudhën 1900-1944, duke u kufizuar vetëm në statistikat që kanë lidhje me shtypin: prej 177 gazetave, 51% janë toskërisht dhe 27% në gegërisht (12% në shkodranishte) pjesa që mbetet, 22%, janë në të dy dialektet. Një tjetër argument kishte lidhje me numrin e shkollave fillore. Sipas statistikave zyrtare, më 1938, Shqipëria kishte 643 shkolla të tilla, prej të cilave 377 gjenden në Jug dhe 266 në Veri, me një total prej rreth 520 000 nxënësish. Nga kjo sasi, përafërsisht 300 000 janë jugorë dhe vetëm 220 000 veriorë (57% me 43%). Në të njëjtin vit, numri i analfabetëve ishte përafërsisht 291 000, prej të cilëve rreth 125 000 ishin toskë dhe 166 000 gegë (43% me 57%).

Po të nisemi të gjykojmë prej këtyre të dhënave, mund të bihet dakord me përfundimin e Shuteriqit: "Si gjuhë e shkruar, dialekti "˜toskë' ishte më i përhapur". Por statistika e tij merret vetëm me periudhën më të vonë të historisë shqiptare, një periudhë që shkon prapa një shekull e gjysmë për sa u përket statistikave për gazetarinë dhe tre çerekë shekulli për sa i përket letërsisë. Letërsia shqipe fillon me Mesharin e Buzukut të botuar më 1555 dhe ka vazhduar për gati dy shekuj me një seri veprash të Budit, Bardhit e Bogdanit, me autorin e Kuvendit të Arbnit, Da Leçen e Kazazin, të cilët formojnë një traditë shkrimi gegë e katolike, ku i vetmi përjashtim është uniti Lekë Matrënga. Pse Shuteriqi e shpërnjeh kryekëput gjithë këtë traditë letrare? Për shkakun se kjo traditë është fetare? Po ne shohim se letërsia fetare është përfshirë në njehsimet e tij për periudhën e Rilindjes. Atëherë, në qoftë se Buzuku, Budi e Bogdani shkruan letërsi fetare, Bardhi hartoi të parin fjalor të shqipes, kurse Da Leçe përpiloi të parën gramatikë të shqipes, asnjëra prej tyre vepër me karakter fetar. Me zgjedhjen e periudhës së Rilindjes si suazë reference historike, na duket se Shuteriqi e ka kthyer nacionalizmin në kriter kryesor të zgjedhjes së tij. Mos vallë i përjashtoi shkrimtarët më të hershëm me arsyetimin se katolicizmi ishte diçka mbikombëtare? Por Budi, Bardhi e Bogdani ishin nacionalistë, madje, në njëfarë kuptimi ata mund të thirren si etër të nacionalizmit shqiptar. Në fund të fundit, diskriminimit që u bën Shuteriqi shkrimtarëve katolikë të hershëm, mund t'ia kërkojmë shkakun tek diçka që ata të gjithë kanë të përbashkët, dmth, qenia e tyre, përveçse gegë e katolikë, edhe priftërinj.

Një arsye tjetër e sjellë prej Shuteriqit në favor të toskërishtes, është se ky dialekt ka një gjuhë letrare, kurse gegërishtja ka dy. Për rrjedhojë "idiomat gegë patën zhvillim letrar. Por si gjuhë "˜e shkruar' ato nuk luajtën rolin kryesor në zhvillimin e kulturës së re". Në qoftë se Shuteriqi me "kulturë të re" kupton kulturën socialiste, thënia e tij ka brenda një kundërthënie për faktin se Migjeni, i konsideruar prej vetë "kulturës së re", si i pari poet socialist shqiptar, shkruante gegërisht. Por Shuteriqi kishte natyrisht të drejtë kur thotë se toskërishtja letrare është më e unifikuar se gegërishtja letrare, e cila ekziston në dy variante: shkodranishte dhe elbasançe.

Po, gjithsesi, sa i rëndësishëm është ky dualitet? Diferencat mes dy varianteve janë minimale dhe, çfarë është edhe më e rëndësishme, ka ekzistuar prirja për t'i eliminuar ato. Mandej, as toskërishtja letrare nuk ishte krejtësisht e unifikuar (siç e provon vetë procesi i formimit të ShNjL-së), edhe pse ishte diçka më e unifikuar se gjegjësja e saj gegë. Por kjo nuk mund të ishte arsyeja vendimtare që të parapëlqehej e para ndaj së dytës. Shuteriqi vetë e pranon se "shkalla e zhvillimit të dy dialekteve është pothuajse e njëjta". Dhe pastaj shton: "A mund të themi sot se njëri dialekt i shqipes është më i përparuar se tjetri, dmth, më i pasur në leksik dhe më i përkryer në sistemin gramatikor? Për sa kemi njohuri ne sot mbi gjuhën tonë, mendoj se një gjë e tillë nuk mund të thuhet". Raporti i njëanshëm dhe plot kundërshti i Shuteriqit hasi në rezistencë të fortë. Në fjalën e tij Xhuvani theksoi se "të dy dialektet kanë ndikuar të njeri-tjetri, duke ecur së bashku si dy qe në një zgjedhë". Ai e gjente gramatikën toske më konservative, kurse leksikun gegë më të gjerë. Ai theksoi se disa gjuhë ballkanike, si psh, rumanishtja e serbokroatishtja, e kryen unifikimin e tyre pas një procesi evolucionar, përkatësisht, dy e tre shekujsh, kurse greqishtja vazhdon të jetë e paunifikuar. Që një dialekt të bëhet gjuhë kombëtare letrare, ky dialekt duhet të arrijë e të depërtojë të gjitha shtresat e popullatës, gjë që kërkon një proces shumë brezash. Ai e quajti përdorimin e një abetarje toske nga shkollarët gegë si "antipedagogjike" dhe, madje, "antifiziologjike", për sa kohë që kjo gjë e dhunon aparatin e tyre të të folurit për t'iu përshtatur një fonetike për të cilën nuk është gatuar. Më në fund, ai e quajti projektin e Shuteriqit për një ndryshim revolucionar në zhvillimin e gjuhës si në kundërshtim me tezën e Stalinit, se gjuhët nuk pranojnë përmbysje të papritura.

Çabej e quajti të gabuar vetë konceptimin e GjNjL-së. Sipas tij, zgjidhja shkencore e çështjes së gjuhës kërkon realizimin e dy detyrave paraprake: mbledhjen e materialit gjuhësor dhe studime të avancuara gjuhësore. Ai vuri në dukje se nuk ekzistonte ende një fjalor përfshirës i shqipes, që të përmbante fjalët që përdoren në të gjitha krahinat e vendit plus diasporën. Mungonte gjithashtu një fjalor etimologjik i shqipes, atlasi linguistik, një regjistër sistematik për toponimet; mungonin monografi për gjuhën e autorëve të vjetër, përshkrime monografike për të paktën dialektet më kryesore, një histori e gjuhës shqipe, një gramatike historike e po asaj monografie që evidentojnë shkallën e ndikimit të gjuhëve të huaja mbi shqipen. Kur erdhi te çështja nëse gegërishtja letrare duhej t'i nënshtrohej toskërishtes letrare, ai tha: "...Nga pikëpamja letrare, nuk shoh ndonjë hata te fakti se jo të gjithë shqiptarët e shkruajnë gjuhën e tyre me të njëjtën mënyrë. Lulëzimi i letërsisë antike greke ka ndodhur në kohën e dialekteve". Formula e Çabejt ishte "diversitet në unitet"; rekomandimi i tij: "afrim i vijueshëm i të dy dialekteve në të shkruar" . Ai përfundoi duke thënë se problemi i gjuhës kombëtare letrare "është i pazgjidhshëm, për sa kohë që dialektet e shqipes, nuk janë studiuar mirë ". Kritika e Çabejt ishte një rrëzim i pakompromis i projektit të ShNjL-së, ku strumbullari i argumentimit të tij ishte se agjencia e GjNjL-së, e ngutur për realizimin e projektit të saj, po mprehte karrocën para kalit.

17 studiues dhe shkrimtarë (11 gegë e 6 toskë) morën pjesë në debat. Gjuhëtari Domi shprehu rezervë rreth projektit të bashkëqytetarit të vet. Dy gjuhëtarë të tjerë gegë, Dodbiba dhe Myderrizi, e hodhën poshtë komplet. Shkodra ishte e përfaqësuar prej tre historianësh të gjuhës: Zamputi foli kundër projektit; Ashta dhe Kastrati iu shmangën çështjes. Poeti më i mirë i Shqipërisë së asaj kohe, Siliqi, ishte mohues; dhe po i tillë qe edhe i vetmi dramaturg i kohës, K.Jakova (të dy shkodranë). Prej atyre që e mbrojtën projektin, Spasse dhe Varfi, ishin shkrimtarë, Z.Sako folklorist. Një tjetër shkrimtar toskë, J.Xoxa, qëndroi neutral. Përfundimi: 9 diskutantë, të gjithë gegë me përjashtim të Çabejt, u shprehën kundër projektit; të pestët, që ishin pro qenë toskë, përveç S.Kodrës.

Kur erdhi puna për t'u hedhur në votë, konferenca miratoi rezolutën, sipas së cilës, të gjitha botimet ishin bërë në toskërisht. Pas një viti, një tjetër Konferencë Kombëtare për Drejtshkrimin, rekomandonte "thellimin e mëtejshëm të procesit të unifikimit drejtshkrimor", i cili nënkuptonte që shqipja letrare duhet të bazohej në variantin drejtshkrimor toskë. Fati i letrarishtes gegë po zgjidhjes me dy variante. Fjalori i Cipos (1954), pasqyron konkretisht rezultatet e debatit lidhur me çështjen: fjalori është shkruar toskërisht, por përmban, siç e kemi parë, një numër të madh fjalësh në dy variantet dhe, madje, frazeologji gegë. Megjithatë, ai sanksionon hegjemoninë e toskërishtes, e cila vazhdoi për gjithë dekadën që vinte pas.

Por udhëheqja nuk ishte e kënaqur me hegjemoninë e toskërishtes letrare. Ajo çfarë kërkonte ajo ishte asgjë më pak se shkallmimin e gegërishtes letrare, madje, shuarjen krejt të gegërishtes si dialekt.

Më 1956, doli në dritë edhe një tjetër Drejtshkrim i Gjuhës Shqipe, këtë herë i hartuar prej një grupi katër vetash: Xhuvani, Çabej, Domi e Kostallari. Cipoja kishte vdekur ndërkaq. Një tjetër militant, Domi, edhe ky nga Elbasani, i kishte zënë vendin. Grupit iu bashkua edhe një leksikograf i ri, Kostallari. Ai ishte komunist, njeri i Partisë brenda një grupi pa parti. Roli i tij ishte të transmetonte atje diktatin e Partisë. S'ka asgjë për t'u çuditur që anëtarët e tjerë, shto këtu edhe Xhuvanin, edhe Çabejn, u topitën. Nëse atyre nuk u kishte rënë në vesh se çfarë e kishte gjetur Polivanovin, ata mund ta merrnin me mend. Kostallari e përshkruan veprën drejtshkrimore me një shënim në të: "zgjidhjet për dy variantet u reduktuan në mënyrë të ndjeshme".

Kështu, pra, Partia e fitoi betejën madhore ideologjike. Kishte zgjatur rreth pesë vjet, periudhë kohe e papërfillshme kjo për të, po të kemi parasysh se të dy dialektet kanë qenë zhvilluar krah për krah, edhe pse jo krejt në përputhje, për më shumë se dhjetë shekuj, kurse tradita letrare me dy variante ka një histori të paktën pesëshekullore. Kostallari ka të drejtë kur thotë se Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe është përmbyllësi i fazës së parë të politikës së ShNjL-së. Faza e dytë do të ishte ajo e konsolidimit dhe e rregullimit, e rritjes dhe e "spastrimit". Zgjati 12 vjet për të ardhur botimi i Rregullave të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1967), gjë që shënoi edhe fundin e fazës së dytë. Njëmbëdhjetë vjet për të hartuar rregullat drejtshkrimore të një gjuhe, kriteret kryesore të të cilave ishin përcaktuar në manifestin drejtshkrimor të 1956-ës, mund t'i duken dikujt një periudhë e gjatë. Kostallari shpjegon se ideja për një drejtshkrim mbi një variant nuk kishte qenë punë e lehtë për t'u realizuar. Ai veçon dy faktorë: "Së pari, vetë gjuha letrare me ritmin e saj të pashoq, i përcaktoi më qartë prirjet e saj themelore të zhvillimit". Kësaj i thonë se unifikimi i drejtshkrimit ishte thjesht hapi i parë për unifikimin e gjuhës, diçka e cila nuk mund të kryhej brenda një apo dy vitesh. "Së dyti, duke përvetësuar gjerësisht metodologjinë marksiste, gjuhësia jonë depërtoi më thellë në njohjen e strukturës dhe historisë së shqipes bashkëkohore: disa nga problemet kyçe të saj u trajtuan në analiza të hollësishme monografike me gjuhën letrare e normat e saj si bosht qendror". E kemi paksa të vështirë për ta kuptuar sesi "përvetësimi gjerësisht i metodologjisë marksiste" mundet "të depërtoje më thellë në njohjen e gjuhësisë". Ajo që të lë pa mend në këtë frazë është "gjuha letrare e normat e saj" një lapsus calami tipike që na zbulon, se ndërmarrja e ShNjL-së, nuk priti botimin e rregullave drejtshkrimore që të pohohej si e tillë. Fjalori i 1954 si dhe manuali drejtshkrimor i dhanë tashmë gegërishtes letrare një goditje vdekjeprurëse dhe funerali i saj pa ceremoni do të ishte një çështje kohe. Gjuhëtarët e rinj komunistë, që e kishin mësuar metodologjinë marksiste-leniniste në Bashkimin Sovjetik, ndër ta edhe Kostallari, mund të punonin tani e prapa me nge e t'i përkushtoheshin me përshkrime monografike nëndialekteve gegë e toskë, punë e padëmshme kjo, po qe se do të ishin të kujdesshëm e me të njëjtën frymë, Kostallari shton se gjatë fazës së dytë, shumë kujdes iu kushtua mbledhjes sistematike të leksikut dhe frazeologjisë, si dhe mjeteve për "pasurimin e tij". Ky i fundit ishte specialitet i Kostallarit.

Pjesën tjetër ne tashmë e dimë, dmth, se çfarë ngjau pas botimit të rregullave drejtshkrimore. Mund ta quajmë këtë fazë të tretë, si faza kostallariane, ku ai po ngrihej shkallë-shkallë në statusin, të cilin dikur e gëzonte Marr-i në Bashkimin Sovjetik. Te një artikull që kam shkruar në shqip, Kostallarin e kam quajtur marrist dhe, madje, e përshkrova si Marr të Shqipërisë. Por Kostallari ka shkruar një artikull të gjatë, në të cilin përshëndet dënimin e Marrit prej Stalinit. Mos vallë i kisha rënë në qafë kot kolegut tim të nderuar?

ARSHI PIPA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Televizioni i Preshevës -TVP:"PRESHEVA SOT" - Agjencia e parë informative në Luginën e Preshevës (11.30.2010)
STAVILECI: SHQIPTARËT PO RRITEN SI POPULL, POR PO TKURREN SI KOMB (11.29.2010)
DOM NIKOLLË KAÇORRI, PRIFTI KATOLIK QË FESTONTE PASHKË E BAJRAMNga GJIN KAÇORRI (11.28.2010)
BASHKËPUNIMI KOSOVË-SHQIPËRI NË FUSHËN E TELEKOMUNIKACIONIT (11.27.2010)
SHQIPËRIA DHE FUQITË E MËDHA - ROLI I GJERMANISË NË KRIJIMIN E SHTETIT SHQIPTAR (11.27.2010)
SHKODËR, AUTORITETET PARALAJMËROJNË PËR MUNDËSINË E EVAKUIMIT NGA PËRMBYTJET (11.26.2010)
SHQIPËRIA U SHKËPUT PËRFUNDIMISHT NGA METASTAZAT E REGJIMIT KOMUNISTNga JAAK GABRIELS, Ministër i Shtetit i Mbretësisë së Belgjikës (11.25.2010)
IMZOT NIKOLLË KAÇORRI - FIGURË E NDRITUR E KOMBIT SHQIPTARNga NUE OROSHI (11.24.2010)
NJË LUTJE PËR PRISHTINËN (Paranteza e hapjes dhe Paranteza e mbylljes)Nga XHEMAIL MUSTAFA (11.23.2010)
DHJETË VJET NGA VRASJA E XHEMAJL MUSTAFËSNga SABEDIN HALITI (11.23.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]