VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PSE S'MERITOJMË TË HYJMË NË EUROPËNga REXHEP SHAHU

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 12:08pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

PSE S'MERITOJMË TË HYJMË NË EUROPË

Nga REXHEP SHAHU


E Premte, 11.12.2010, 09:50pm (GMT+1)

Me dhimbje, me dhimbje të thellë, mundem të them se jo, ne ende nuk meritojmë të hyjmë në Bashkimin Europian, ne nuk jemi ende të denjë të bëhemi qytetarë europianë sepse jemi shumë komunistë në thelbin tonë, komunistë jo si komunistë europianë por të egër e të papranueshëm në asnjë rrethanë. Ky është ndëshkim për shumicën e shqiptarëve të gjallë, për vitalitetin njerëzor, për virtytet e demonstruara si të rralla për Europën që ka nevojë për ato virtyte shqiptare, por është edhe ngushëllim, se vjen si hipotekë e të kaluarës tonë, më shumë se sa përgjegjësi e të sotmes, të cilën e kaluara komuniste na e ka marrë dhe na e mban ende peng.
Lajmi i trishtë, i ftohtë, i akullt, i ditur e pritur prej kohësh se Shqipëria nuk do të hyjë në BE, (përjashto ndonjë rastësi fatlume që mund të na e çelnin vetë derën e BE-së për mëshirë apo për ndonjë bamirësi bëkeqe), ka derdhë dëshpërim e zemërim te shumëkush ndër ne. Është e vështirë dhe e rëndë ta shohësh vetën të lënë jashtë derës së ëndërruar, në të cilën troket me droje, pafat e pa siguri të ta çelin, kur je në oborrin e një shtëpie të bukur, të ngrohtë e të sigurtë, që e lakmon prej vitesh të hysh e të rehatohesh brenda në të.

Por jo, nuk çelet dera e saj për ne. Ka tre breza njerëzorë që ia kemi mbyllur vetës atë derë me duart tona. Dhe jemi të dënuar të rrimë ende jashtë në shi, diell a të ftohtë. Se ne vetë e kemi mbyllë atë derë prej kohësh prej tre brezash. Kemi hedhë gurë e baltë në çatinë dhe oborrin e asaj shtëpie që quhet Europë, në derën e të cilës sot, jo me shumë krenari trokasim të na e çelin e të hyjmë. Zemërimi jonë derdhet pa skaj sot, sepse të gjithë me pak mend mund të kujtojmë thirrjet tona kolektive E duam Shqipërinë si Europa, kur kujtuam se u shemb komunizmi tek ne. U mjaftuam se vetëm duke i thirrë qiellit ashtu, zoti, të cilin e kishim sharë me libër shtëpie, do të na dëgjonte, do të na falte marrëzitë e mëkatet dhe ai do të bënte punët tona. Por zoti dëgjon, ai nuk bën.

U mjaftuam duke e thirrë Europën, atë "kurvë plakë" për të cilën nuk kemi lënë gjë pa sharë, kemi përzgjedhur fjalët më të rënda, të pista, të ndyra, për ta sharë, në tre breza njerëzorë në qindra këngë të folklorit tonë komunist, për ta bindur këtë popull se ne jemi pa faj, fajin për çdo gjë e ka Europa, ne jemi viktima dhe të bëhemi të lumtur ne fatin tonë të zi.

Kujtuam se vetëm duke shkatërruar tempuj, përmendore, buste, individë, ne e përmbysëm dhe zhdukëm komunizmin e diktaturën. Harruam me dashje e dëshirë të madhe të besonim qoftë edhe për një çast të vetëm se diktaturën, komunizmin dhe gjithë prapësitë e zeza të gjysmë shekullit që synoi të zhbënte qenien tonë, identitetin tonë njerzor e kombëtar, nuk po i shembnim e shkulnim dot nga zemrat tona, nga mendjet tona, nga mënyra jonë e jetesës, nga mënyra e të sjellurit e të bërit politikë, art, letërsi, kulturë, nga mënyra e të bërit e të jetuarit jetën tonë të përditshme.

Iku gjysmë shekulli i komunizmit. Lanet, thamë me gojë, por jo me sjellje, jo me mënyrë jetesë e mënyrë të sjelli. Sepse sot e gjithë ditën e lume, vazhdojmë të jemi komunistë në sjellje, mendësi, mënyrë jetese, duke harruar fatalisht se Europa vetëm komunistët e komunizmin nuk e duron, nuk e lejon, nuk e pranon.

Përditë e përnatë, për më shumë se pesëmbëdhjetë vjetësh, që unë shoh mirë, në faqe të trishta e të lyrta gazetash, në ekrane që nuk guxojnë të jenë të hapura për mendjet e hapura por kanë vënë gardhin brenda të cilit lejohet të hyjnë maksimumi 20 mentarë të shterrur nga trutë, shumica komunistë, ose të përndjekur komunistë e spiunë, që flasin për 20 çështje, secili për 20 si ekspert i të njëzetave, si ekspert seksi, politike, komunikimi, demokracie, komunizmi, si ekspertë dhish, delesh, aeroplanësh e ku ta di çfarë tjetër, vazhdohet të demonstrohet komunizmi që është këmbëkryq në shoqërinë tonë, në këtë elitën tonë të vetëshpallur, në politikën tonë, në gjithë jetën tonë.

Gishti akuzues drejtohet nga qeveria, vetëm nga qeveria, sepse mendohet sot si në kohën e partisë së punës, kur individi nuk kishte asnjë të drejtë dhe duhej t'i merrte leje partisë edhe të çiftëzohej dhe për çdo gjë përgjigjej shteti dhe qytetari ishte thjeshtë numër në pushkën e drurit. Ka shkuar marrëzia jonë komuniste, që miqtë e mi e quajnë postkomuniste, deri aty sa që edhe për paaftësinë e burrave nën çarçafë, të thonë se fajin e ka qeveria, edhe për tradhtinë bashkëshortore të thonë se fajin e ka qeveria.

Burra kurva langaraqë që shëtisin nëpër partira, që krijojnë partiza, që dinë vetëm të shajnë, që nuk dinë kurrë të pohojnë qoftë edhe një meritë të kundërshtarit, që shpallen disidentë të hershëm se i përzuri Enveri nga blloku e i futi në burg, por që ishin pjesë e nomenklaturës së lartë, që i shkruan letra ndjese Enverit, të cilët kurrë nuk patën guximin e burrërinë të publikojnë vetë dosjet e tyre, rrinë e llomotisin si më antikomunistët e dheut, ndërkohë që janë komunistë të pakënaqur vetëm ngaqë u përjashtuan nga blloku dhe nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë. Të tillë lango Europa i njeh mirë dhe ndjen dhimbje për shqiptarët që detyrohen ti durojnë mbi kurriz, ti dëgjojnë edhe kur bëjnë thirrje në ditët tona për revolucione për të rrëzuar qeverinë.

Europa sheh përditë se cfarë bëjmë, si bëjmë, cfarë hamë, si hamë, si vjedhim, si ia hedhim vetës sonë përditë, si durojmë mashtrimiet, sa sërvilë jemi ndaj pushtetit, sa përulësisht paguajmë bakshishin ndaj zyrtarit, sa tiranë jemi ndaj vartësit, si e blejmë diplomën e shkollimit, si kemi guxim që të diturit ti themi trus e ta shpërfillim e ta shpallim debil. Sa guximtarë jemi që të fyejmë pa pikën e përgjegjësisë, të shpifim, të jemi krejt krejt të paedukatë ndaj të zgjedhurit, si dimë të mos besojmë verdiktin e shumicës. Europës i dhemb kur na sheh se kurrë nuk dimë të shohim trarin në sytë tonë por dimë të shohim thërrmijën në sytë e tjetrit.

Europa sheh se si politikanët tanë pëllasin dhe pëllitjet e burrave politikanë nuk i harron dot kollaj pasi politika nuk është pëllitje. Europa pranon konkurrim me ide, me vota, jo me pëllitje. Nuk durohet e pranohet mashtrimi në Europë. Sepse për mashtrim nuk ka më nevojë as vetë Europa. Ajo e din mirë se nuk ka asnjë faj qeveria pse rrëzohet autobusi dhe vdesin viktimat e pafajshme, por nuk e toleron dot një mendje europiane të dëgjojë të deklarohet nga ndokush se fajin e ka qeveria pse ndodhin aksidente automobilistike në rrugë nga dikush që është i pirë apo që i jep makinës mbi shpejtësinë e lejuar në rrugë. Europa e din se nuk mund të vendoset nga një polic roje për çdo makinë, pasi një mendje njerëzore thotë se secili ruan bythën e vet së pari, ruan familjen e vet, ruan fëmijët e tij.

Europa e din mirë, sic e dinë por s'duan ta pranojnë shqiptarët se qeveria të ofron mundësi por nuk të ruan fëmijët qeveria, nuk ta ushqen familjen qeveria edhe pse komunistët e rinj e të vjetër shqiptarë shajnë përditë qeverinë se nuk ruan fëmijët e njerëzve. Europa e din mirë se si vidhet ndihma ekonomike, Europa e din mirë se sharjet ndaj qeverisë për varfërinë janë parulla për të mbjellë trishtim dhe mohim i hapave të shoqërisë në dy dekada. Europa do dinjitet, jo kulturë varfërie materiale e shpirtërore. Europa e din se nuk është e lejueshme që të dalë e të vajtojë duke sharë qeverinë pensionisti apo pensionistja se nuk i dalin lekët të ushqeje familjen kur dihet se ato që nuk u dalin lekët nuk dinë të shajnë, kur dihet se janë të rrallë ato pensionistë që jetojnë me pensione pasi ende në Shqipëri nuk ka mbërritur koha e braktisjes së prindërve prej fëmijëve. Por nga lakmia, prinderit mohojnë fëmijët e mundin e tyre. Europa nuk e duron dot që pleqtë tanë të vazhdojnë të gënjejnë e mbjellin kulturën e varfërisë, me s'kam, s'kam, s'kemi, kur këto pensionistë harxhojnë dy e tre karta telefoni celularë. Këtë vlerë, pra mosbraktisjen e prindërve prej fëmijëve e do dhe lakmon Europa, por komunistët tanë e thonë se nuk është kjo vlerë prezente në shoqërinë tonë. Europa e din mirë se nuk i mbyti qeveria fatkeqët në liqenin e Farkës dhe nuk e toleron dot të protestohet kundër qeverisë si shkaktare të kësaj fatkeqësie. Europa nuk i toleron dot grevat e urisë me mercenarë që merrnin 50 apo 100 euro në ditë dhe zhdëpeshin duke ngrënë ushqime të zgjedhura. Se kësaj i thonë të shkordhësh institucionin e shenjtë të grevës së urisë. Europa e din mirë se nuk i mori qeveria për dore fëmijët në Gërdec që të shkonin e të mbushnin kovat me barot por i morën prindërit e tyre ata njomëzakë me duart e tyre dhe i çuan tek pirgu i barotit. Por komunistët e vjetër e të rinj akuzojnë pandërprerje qeverinë, e cila natyrisht ka fajet e veta, por nuk i vrau ajo viktimat. Europa e din mirë se shqiptarët komunistë janë ende jo të duhur për të qenë pjesë e Europës sepse shqiptarët komunistë e kanë filozofi e mënyrë të jetuari e vepruari thënien "për inat të sime re, shkoj e fle me mullixhinë". Europa nuk e toleron dot që për inat të Sali Berishës opozita të bllokojë jetën parlamentare të shtetit, thjeshtë se ashtu i teket liderit të opozitës që reciton nolisht për demokracinë dhe shpërfill vendimet e drejtësisë.

Europa dhe përfaqësuesit e saj nuk e tolerojnë dot sajmirizimin apo G-99-izimin e politikës shqiptare dhe i thotë troç pionierit të komunizmit se jemi parlamentarë europianë, jemi inteligjentë o bebe që je rritë jo me qumësht por me lëng të kuq nga shpëlarjet e leckave të pështira. Europa e sheh përditë se komunizmi mbin e ngjallet shpesh e shpejt ndër ne dhe nuk i toleron dot betejat e thashethemeve të pështira që marrin edhe përmasa të luftës së grave pa u mërzitur fare, ose të bërë enkas me shpërla trutë e shqiptarëve që patundshmërisht i kanë besuar dhe i besojnë Europës, si qytetërim, si mënyrë jetese të ëndërruar. Europa e sheh përditë se këtu në këtë vend froni i drejtësisë është zëvendësuar nga foltoret e konferencave kineze të shtypit nga ku derdhën akuza e kundërakuza bastarde që kurrë nuk kanë synim ndonjë të vërtetë por vetëm ngjalljen e neverisë së njerëzve të thjeshtë ndaj politikës dhe qeverisë, pengimin e qeverisë në plotësimin e programit që ka për mandatin e radhës.

Ata që kanë marrë peng ose që kanë në dorë ta lënë drejtësinë të bëjë drejtësi, ose së paku, t'ia lënë në derë topin këtij pushteti, nuk guxojnë ta lënë drejtësinë të bëjë drejtësi, por na tregojnë përralla me mbret si pijanecë nëpër ekrane e mbledhje e fryhen si kokoshët në majë të grumbullit të plehut të katundit. Europa e sheh se përditë e përnatë në këtë vendin tonë të vogël ende vazhdon të quhet burrë i zoti ai që ndihmon rrogën dhe i vobektë ai që nuk ndihmon rrogën. Europa e pa dhe e verifikoi gjatë, hollësisht, deri në qeverinë franceze, deri në prekjen me dorë të makinerive që prodhojnë pasaportat tona biometrike dhe kartat e identitetit, se sa e pështirë, vrastare, absurde, qëllimkeqe ishte akuza e përdalë e opozitës se po prodhoheshin këto dokumente fallco. Për inat të qeverisë e të Sali Berishës kjo opozitë, ose lideri i saj që ka shuar shtamin dhe ashtin e PS-së dhe merret me pionerë, e përbalti rëndë Shqipërinë dhe ua rrezikoi lirinë e lëvizjes qytetarëve shqiptarë. Për inat të qeverisë, u artikulua se janë një milionë të papunë me nëntekstin se sapo të liberalizohen vizat ata do të ikin në Europë dhe kjo nuk pranohet. Po ku janë një milionë të papunët si nuk na e tha kush. Normal që as qeveria e ministritë përkatëse nuk e sqaruan se nuk mund ti gjesh në këtë vend një milionë të papunë vetëm nëse bëhemi mbi 10 milionë banorë.


Shkurt, pa hyrë në trajtesë më të gjerë, ne duhet të bindemi, ta marrim veten me të mirë se nuk jemi gati ende të hyjmë në Europë. Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave, është shumë vonë, por më mirë vonë se kurrë. Po të ishin liberalizuar vizat me kohë, do të ishin gjallë shumë shqiptarë, do të kishin mbetur peshqit e detit pa mish shqiptari, korbat në kufirin grek pa mish shqiptari. Edhe kjo mbase do të ndodhte sikur ne si popull e shoqëri komuniste, nuk do ta kishim vrarë vetën tonë me gishtin e madh në vitin 1977. Me dhimbje, me dhimbje të thellë, mundem të them se jo, ne ende nuk meritojmë të hyjmë në Bashkimin Europian, ne nuk jemi ende të denjë të bëhemi qytetarë europianë sepse jemi shumë komunistë në thelbin tonë, komunistë jo si komunistë europianë por të egër e të papranueshëm në asnjë rrethanë. Kjo është ndëshkim për shumicën e shqiptarëve të gjallë, për vitalitetin njerëzor, për virtytet e demonstruara si të rralla për Europën që ka nevojë për ato virtyte shqiptare, por është edhe ngushëllim, se vjen si hipotekë e të kaluarës tonë, më shumë se sa përgjegjësi e të sotmes, të cilën e kaluara komuniste na e ka marrë dhe na e mban ende peng.

REXHEP SHAHU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ÇFARË DUHET TË BËJË SHQIPËRIA PËRBALLË "LODHJES NGA ZGJERIMI"? (11.12.2010)
Uk Lushi: Nuk duhet të shantazhohet shtetiIntervistoi Beqir Sina (11.11.2010)
LEKA ZOGU/FËMIJËRIA BURRËRORENga AGRON SEJAMINI (11.11.2010)
QYTETARËT E SHQIPËRISË (ME PASAPORTA BIOMETRIKE) MUND TË UDHËTOJNË PA VIZA (11.09.2010)
KOMUNISTAT SHQIPTARO-JUGOREMe rastin e 69 vjetorit të themelimit të PKSH më 8 nëntor 1941Nga PAUL TEDESCHINI (11.08.2010)
AGIM VATOVCI TAKOHET ME ZONJËN PAK (11.06.2010)
RRUGA ME TUNEL ELBASAN-TIRANË DO TË KETË NDIKIM NË ZHVILLIMIN E ZONËS (11.05.2010)
SABRI GODO/URTËSIA DHE MENÇURIANga AGRON SEJAMINI (11.05.2010)
PËRMENDORET E SHQIPTARËVE ME KONKURS (11.04.2010)
ARDIAN MARASHI: PSE STUDUESIT NGA KOSOVA NUK SHKOJNË NË TIRANË PËR KONFERENCËN E GJUHËS SË SOTME SHQIPENga FATMIRA NIKOLLI (11.04.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]