VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - VRASËSIT E SHTETIT Nga MUJË BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 03:34pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

VRASËSIT E SHTETIT

Nga MUJË BUÇPAPAJ


E Martë, 03.01.2011, 03:56pm (GMT+1)

14 vjet më parë ekzekutohen nga komitetet martirët e demokracisë Lekë Çoku dhe Besnik Hidri

Ndërsa irritohemi sot me oratorinë kriminale të liderëve të majtë për rrëzimin me forcë të qeverisë demokratike, vërejmë se kjo trashëgimi mafioze-komuniste nuk ka ndryshuar edhe pas 14 vjetësh. Grushti i dështuar i shtetit i 21 janarit 2011 ishte një version i dëshpëruar i ngjarjeve që patën çuar në rrënimin e shtetit demokratik në pranverë të vitit 1997 dhe vënë në pikëpyetje vetë pavarësinë e vendit. Në vrasjen pa gjyq të dhjetëra anëtarëve besnikë të këtij vendi dhe kombi siç ishin edhe oficerët e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe rendit si Lekë Çoku, Besnik Hidri, Bashkim Shkurti, Gjin Kolbuçaj, Gjeregj Mehmeti etj.

Pavarësisht pse Shqipëria është bërë anëtar i NATO-s, pavarësisht se vendi udhëhiqet nga një qeveri legjitime dhe me kredenciale të forta ndërkombëtare, shtabi kriminal nuk ka ndryshuar. Ruçi, Gjinushi të Partisë së Punës dhe njerëz pa integritet të konvertuar në socialistë të tipit Rama, Doshi, Sterkaj etj., janë vënë në jetësimin e të njëjtit skenar antikombëtar, siç pati ndodhur edhe 14 vjet më parë.

Edhe atëherë si dhe sot në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe selisë së Kryeministrisë, gjithçka drejtohej kundër shtetit. Komitet rebele prapa të cilave qëndronte Partia Socialiste po përgatisnin kryengritjen e armatosur. Për këtë atyre u duhej së pari shkatërrimi i çdo pranie të autoritetit të shtetit në jug të vendit, biles edhe simboleve të tij. Më 28 shkurt 1997 rreth orës 22.30 grupe kriminale, të cilat kishin marrë peng qytetin e Vlorës dhe ndërgjegjen e saj historike, duke marrë shkas nga një incident i inskenuar me thika para ndërtesës së Universitetit të Vlorës "Ismail Qemali", ku po mbahej edhe një grevë urie, u nisën drejt ndërtesës së SHIK-ut, të këtij qyteti, për t'u hakmarrë. Siç ishte paralajmëruar disa orë më parë nga BBC dhe Rojter, rreth 200 të armatosur në krye të një turme të irrituar mësynë godinën e njerëzve të SHIK-ut. Organizatorët kishin manipuluar turmat me pretekstin se njerëzit që kishin plagosur një djalë të ri ishin punonjës të SHIK-ut. Këta punonjës sipas tyre kishin ardhur në Vlorë për të nxjerrë të 55 studentët nga greva e urisë. Kjo turmë banditësh të mbledhur në të gjithë jugun me në krye ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe snajper mësynë me një egërsi të paparë rreth 12 djem të rinj që ndodheshin në atë moment në godinë.

Siç tregojnë dëshmitarët sulmi u krye pa asnjë paralajmërim, biles në kushtet e një errësire fatale për shkak të ndërprejes së dritave. Bandat sulmuan me armë automatike, kallashnikovë, mitralozë dhe eksploziv nga të gjitha drejtimet. Nga ata që mbijetuan tregohet se shumica e oficerëve të SHIK-ut në këtë orë ishin në gjumë, pasi nuk prisnin ndonjë sulm, nuk i kishin bërë kujt keq. Duhet thënë se ky grup i oficerëve të SHIK-ut, që kishte mbetur në Vlorë nuk ishin zyrtarë që ndiqnin çështjet operative të terrenit, por njerëz të sektorëve ndihmës, të papërgatitur për ballafaqime të tilla.

Në krye të kësaj qëndrese vetëmbrojtëse u vu Lekë Çoku, 29 vjeçar nga Tropoja, Besnik Hidri nga Durrësi dhe të 10 kolegët e tyre të gjithë ish-studentë të Lëvizjes së Dhjetorit 1990, të cilët kryesisht merreshin me ndërlidhjen dhe çështje të tjera teknike.

Djemtë e SHIK-ut në krye të detyrës, bënë një mbrojtje për rreth një orë e gjysmë derisa u mbaroi municioni. Gjatë këtij luftimi oficerët e shtetit kishin lënë tre të vdekur në vend dhe disa të plagosur. Një snjaper, i cili ishte pozicionuar në një shtëpi private përballë ndërtesës së SHIK-ut, nuk lejonte të dilte kush nga rrethimi. Megjithatë disa prej tyre duke shfrytëzuar errësirën ikën nga rrethimi siç thuhet me zvarritje. Tre të plagosur rëndë përfshirë Lekë Çokun dhe Besnik Hidrin iu dorëzuan turmës me mendimin se po dorëzoheshin tek bashkëkombasit e tyre. Pas dorëzimit të tre oficerëve do të ndodhte një nga aktet më të pabesa në të gjitha luftërat e botës. Oficerët e dorëzuar u morën nga turma kriminale. Në mënyrën më barbare ata u tërhoqën zvarrë deri tek sheshi i ndërtesës ku po kryhej greva e studentëve vlonjatë. Pas një gjyqi simbolik para turmës u bë edhe ekzekutimi i tyre. Skenat derisa Lekë Çoku ka dhënë shpirt kanë qenë nga më të paparat në botë, nga më të egrat.

Lekës, një djalë i ri nga Tropoja dhe student i shkëlqyer i inxhinerisë, ish-i persekutuar i regjimit komunist, ashtu i plagosur iu kërkua nga përfaqësuesit e komiteteve në rolin e prokurorëve-kasapë me thika dhe sëpata në dorë që të shante Presindetin e Republikës, Sali Berisha. Sa herë që Çoku refuzonte të bënte një gjë të tillë, drejt tij zgjateshin dhjetëra thika kriminale. Kjo skenë kështu vazhdoi deri sa Lekë Çoku ky njeri paqësor dhe idealist, ashtu gjysmë i vdekur do të merrte goditjen vendimtare. Një grua me sëpatë në dorë do t'i merrte atij jetën në lule të rinisë pa i bërë askujt keq. Ai i kishte shërbyer atdheut dhe shtetit të vet deri në minutën e fundit të jetës së tij, deri në pikën e fundit të gjakut të tij, duke lënë pas një atdhe po ashtu të tradhtuar dhe të përgjakur, të pashpresë dhe në duart e banditëve. Kulmin urrejtja primitive ndaj Lekë Çokut do të arrihej kur një grua, e cila më vonë do të bëhej deputete, u ul në gjunj dhe i piu gjakun dëshmorit të lirisë, në shenjë hakmarrje ndaj Çokut, Besnik Hidrit dhe njerëzve të shtetit demokratik, por edhe për të ndezur frymëzimin kundër njerëzve që do të dilnin në mbrojtje të institucioneve të shtetit deri edhe flamurit kombëtar. Fotografitë me gruan që pinte gjakun e Lekës dhe sëpatën që binte mbi kokën e të riut martir qarkulluan në faqet e revistave italiane, në kanalet televizive dhe kudo në faqet e internetit.

Egërsia barabare ndaj Lekë Çokut dhe Besnik Hidrit vazhdoi. Komitetet e bandave nuk lejonin të merreshin as kufomat e të ndjerëve nga familjarët e tyre. Vetëm pas disa ditësh me ndërhyrjen e një misioni bamirës të thirrur "Nëna Tereza", trupi i Lekës u nxor nga varri i komitetit të Vlorës dhe u nis në vendlindje, i gjymtuar, vetëm pse kishte dashur atdheun e tij, të ardhmen e tij. Kronikat e kohës tregojnë se po atë natë komitetet do të sulmonin vilat qeveritare dhe disa reparte ushtarake. Në Vlorë, e cila ishte shndërruar në "kryeqytet" të rebelimit bollshevik-mafiozo-komunist, po përgatitej mësymja e tyre e madhe kundër shtetit demokratik. Më 29 shkurt "ZP", fliste për mënxyra të mercenarëve të Berishës në Vlorë.

Ditët që paraprinë shkatërrimin

Pas dështimit të firmave kryesore piramidale qeveria dhe Parlamenti reaguan me seriozitet. Më 23 janar Parlamenti shqiptar nxori një ligj, i cili ndalonte fajdet. Ligji dënonte deri më 20 vjet burg ata që do të merreshin me këtë veprimtari. Po më 23 janar qeveria ndalon fondacionet mashtruese "Xhaferi" dhe "Populli" si dhe një numër të drejtuesve të saj. Gjatë një edicioni special lajmesh në TVSH "Gjenerali" dhe Driza u panë të deklaronin se ishin vërtet firma piramidale. Ata më parë mbaheshin si fondacione bamirësie.

Rreth një vit më parë shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar Gazidede i kishte kërkuar Gjykatës së Tiranës në mënyrë zyrtare që të ndalohej ky fondacion për të cilin siç thoshte Gazidede, ekzistonin prova se ishte piramidë. Siç doli më vonë gjykata e kishte arkivuar këtë kërkesë. Menjëherë qeveria urdhëroi bllokimin e mbi 200 milionë dollarëve të këtyre dy fondacioneve. Këtë veprim të drejtë të qeverisë mediat e majta dhe zyrtarët e lartë të PS-së e kundërshtuan.

Këta zëdhënës të përgjakshëm të "revolucionit të vonuar demokratik" i thanë popullit se qeveria e kishte dhënë këtë urdhër vetëm që populli të mos i merrte paratë e tyre. Ata pretendonin se qeveria do t'i përdorte këto para për mbulimin e deficitit buxhetor e të tjera spekulime, të cilat do të nxisnin gjakderdhjen. Më 24 janar në Lushnjë pati revolta. Përkrahësit e këtyre dy fondacioneve me qendër në këtë qytet dogjën dhe shkatërruan objektet publike të qytetit. Po këtë ditë morën peng për disa orë edhe zëvendëskryeministrin e qeverisë demokratike T. Shehu. Disa grupe kriminalësh dhe të burgosurish ordinerë, kuptohet të paguar, arritën të kryenin këtë akt kriminal, i cili i kushtoi shtrenjtë imazhit të qeverisë dhe shtetit demokratik. Më 30 janar socialistët shpallën krijimin e koalicionit të tyre i quajtur "Forumi për Demokraci". Ata shpallën largimin e qeverisë Meksi si objektiv kryesor, ose siç kërcënonin ata, "vendi do të përmbysej, deri edhe pemët dhe drurët e trotuareve".

Më 19 shkurt studentët e universitetit "Ismail Qemali" Vlorë kishin shpallur një grevë urie. Më 20 shkurt ata takohen me Presidentin Berisha. Ndërsa Presidenti po bisedonte me përfaqësinë e studentëve për të gjetur zgjidhje politike dhe ekonomike për kapërcimin e gjendjes, PS urdhëron fillimin e grevës nga frika e arritjes së ndonjë marrëveshjeje me Berishën. Nuk do pyetej greva e urisë, do të përdorej thjesht për të nxehur gjakrat.

Natyrisht greva e urisë krijoi atë që i duhej një revolucioni urrejtje ndaj regjimit, frikën nga hakmarrja e tij dhe egërsinë për të ecur përpara. Më 26 shkurt studentët shpallin se nuk pranonin më as mjekë. Sipas propagandës së majtë "ata po flijoheshin për faj të qeverisë së Berishës". Pra, është i njëjti slogan që përdoret edhe sot pas 14 vjetësh nga PS-ja, pavarësisht pse në krye të saj gjenden aktorë të rinj. Sipas tyre "Fajin e ka Berisha" që po i pengon ata të vijnë në pushtet me luftë dhe metoda terroriste. Pra, një version tjetër i vitit 1977.

Grevistët po përdoreshin fatalisht. Ata dhe komitete e PS-së, ishin kundër shtetit, kundër SHIK-ut, si simbol i pranisë së këtij shteti. SHIK-u, qëndroi, ai i dha dëshmorët e parë për demokraci. Po më 27 shkurt Këshilli Kombëtar i PD-së kandidon Berishën për President. Pas një debati në Kuvend bihet dakord që të niset për në Vlorë një komision parlamentar. Qeveria Meksi kishte hedhur në gjyq grevën e urisë. Vetë Kryeministri kishte kërkuar vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Vlorë, kërkesë e cila qe kundërshtuar nga Berisha, i cili ishte për zgjidhje politike të krizës. Meksi deklaronte se, "i njihte shumë mirë hajdutët e Vlorës", duke shprehur besim se do të rivendoste gjendjen, brenda pak ditëve do ta normalizonte atë.

Pavendosmërinë e Tiranës po e shfrytëzonte maksimalisht PS dhe rrjetet e saj mbështetëse: Trafikantë, kriminelë të sponsorizuar nga Athina dhe Beogradi. Pak a shumë e njëjta përzierje antikombëtare si edhe sot pas 14 vjetësh. Prej datës 26 shkurt deri më 28 të këtij muaji socialistët dhe "Forumi për Demokraci" këshilluan mbështetësit e tyre që të grumbulloheshin në Vlorë. Ata kishin përgatitur çdo gjë sipas një skenari paraprak.

Pas revoltave të armatosura qëndronte PS

Rënia e firmave të dështuara piramidiale nxiti pakënaqësinë popullore, deri tek revolta e armatosur. PS po përdorte fajdet si pretekst të mirë për të rrëzuar qeverinë dhe më pas gjithë piramidën shtetërore. Mosnjohja e zgjedhjeve të vitit 1996 nga socialistët e kishte dëmtuar imazhin ndërkombëtar të qeverisë demokratike. Socialistët bojkotuan procesin e votimit dy orë para përfundimit, duke shpallur se nuk njihnin rezultatet e tyre. Ata vendosen bojkotimin e Kuvendit, duke lënë jashtë dhjetë deputetë të tyre të cilët kishin fituar më 26 maj.

Zgjedhjet e 20 tetorit 1996 përmirësuan pozitën e qeverisë dhe të Presidentit, edhe pse PD fitoi rreth 90% të bashkive të vendit. Zgjedhjet u njohën nga SHBA-të. Vendi po bëhej gati të nënshkruante Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE. Por nga ana tjetër revolucioni i nëndheshëm po përgatitej me kujdes. Në prag të zgjedhjeve të 26 majit dhe sidomos në vjeshtën e këtij viti veprimtaria e fajdeve u shtua. Gazetat e majta njoftonin interesa të larta fitimi që shkonin nga 50% deri në 200%.

Në këto rrethana të reja në nëntor të vitit 1996 FMN i kërkoi për herë të parë qeverisë që të vinte nën kontroll skemat piramidale. Nga FMN, por edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare qeveria e PD-së ishte shpallur më e suksesshmja, ndërsa Shqipëria nxënësja më e mirë e ish-vendeve komuniste. Një muaj më parë ish-ministri i Financave Ridvan Bode, pas një kthimi nga Uashingtoni paralajmëroi qytetarët shqiptarë që të mos fusnin kursimet e tyre në skemat piramidale. Thirrja e tij u kundërshtua ashpër nga shtypi i majtë, i cili si për inat vendosi që të rriste njoftimet e piramidave. Kriza ishte afruar.

Në dhjetor 1996 falimenton firma rentjere e njohur si "Sudja". Ajo arrestohet në fillim të janarit të vitit 1997. Në fillim të janarit të këtij viti qeveria bllokon fondet e "Xhaferit" dhe të "Popullit", të cilët po bëheshin gati siç thuhej, që këto para t'i nxirrnin jashtë shtetit bashkë me depozitat. Në fillim të shkurtit 1997 falimenton "Gjallica", e cila kishte mbi një muaj që nuk jepte para. Tani në Vlorë do të fillonin protestat e nxitura edhe nga Ruçi i sapokthyer nga Greqia, Brokaj etj.

Edhe sot pas 14 vjetësh është përsëri ish-ministri i Brendshëm i diktaturës, G. Ruçi që në rolin e kryetarit të Grupit parlamentar të PS-së dhe kryetarit të Asamblesë së kësaj partie po frymëzon "grushtin e shtetit" dhe sulmet kundër institucioneve.

Gazetat e majta bënin thirrje për armë. "ZP" e datës 14 shkurt 1997 shkruante se, "Berisha kishte pajtuar mercenarë nga veriu dhe shqiptarë nga ish-Jugosllavia për të shtypur protesta e jugut". Ish-drejtues të PPSH nxitën thashetheme të tmerrshme kundër njerëzve të SHIK-ut, sikur ata do të shkonin në jug të vendit për të kryer akte të rënda kundër jetës, pronës dhe nderit të familjeve të tyre. Kjo irritoi jo pak njerëz të painformuar. Gjatë këtyre revoltave ranë heroikisht martirët e demokraicë Lekë Çoku dhe Besnik Hidri, si dhe qindra demokratë nacionalistë nga Vlora deri në Tropojë. Ata mbrojtën nderin e atdheut nga barbarizmi, i cili i kushtoi shtrenjtë jo vetëm jugut, por të gjithë vendit, gjithë kombit, i kushtoi një tjetër vonesë drejt integrimeve euroatlantike.

Sot pas katërmbëdhjetë vjetësh askush nga oratorët socialistë që nxitën hakmarrjen e egër kundër shtetit nuk qenë të zotët jo vetëm të kthenin paratë e lëna në skemat piramidale, por as edhe të thonin emrin e një njeriu që kishte shkuar të shtypte këtë pjesë patriotike të atdheut tonë. Kësaj treve që as diktaturat, as pushtimet dhe kryengritjet makabre si ajo e vitit 1997 nuk ia zbehën kurrë dashurinë për lirinë, demokracinë dhe kombin e bashkuar. Partia Demokratike do të rikthehej fuqishëm në këto zona, duke filluar prej vitit 2000 dhe pas vitit 2005 në mazhorancë të dukshme. E keqja është se në platformën politike të PS-së, edhe sot pas 14-vjetësh nuk ka ndryshuar skenari i rrëzimit të qeverisë demokratike me forcë, i sulmeve primitive kundër institucioneve demokratike dhe vetë shtetit demokratik. Dallimin e bën fakti që Shqipëria sot është anëtar i NATO-s, me një shtet të fortë dhe të gatshëm për të mbrojtur me çdo çmim autoritetin e rendit dhe të ligjit, me një përkrahje të qartë nga qeveritë perëndimore dhe institucionet perëndimore, të cilët janë tërësisht kundër planeve të socialistëve për t'u rikthyer në fuqi përmes rrugëve jo demokratike.

MUJË BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ASHAK SUGJERON SHTYRJEN E REGJISTRIMIT TË POPULLSISË (03.01.2011)
REZOLUTË PËR BISEDIMET ME SERBINË (02.28.2011)
NGËRÇI I IDENTIFIKIMIT (02.28.2011)
OPTIKA LETRARE ZBARDHËLLON MBI OLIGARKINË E SHËRBIMEVE SEKRETENga SHEFQET DIBRANI (02.28.2011)
KONVULSIONET NACIONALISTE TË SERBISË - DËSHTIMI I NJË IDEOLOGJIE ANTIHISTORIKENga XHELAL ZEJNELI (02.27.2011)
RIAKTUALIZOHET ÇËSHTJA E TË PAGJETURVE (02.26.2011)
DEMOKRACIA NUK NDËRTOHET MBI HARRESËNNga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (02.26.2011)
PROVOKIMET GREKE, ME GERMAT E EPITAFEVEDhunimi i gurëve të varreveNga ARBEN LLALLA (02.26.2011)
PDIU - PARTI ATDHETARE SHQIPTARENga SALI BOLLATI (02.26.2011)
MESNATA E FTOHTË E NJË PUSHKATIMI BARBAR, 60 VJET MË PARËNga AGIM XH. DISHNICA (02.25.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]