VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - MASKA E DOBËT E KORRUPSIONIT DHE RASTI I BUTRINTITNga ARBEN KALLAMATA

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 03:19pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
MASKA E DOBËT E KORRUPSIONIT DHE RASTI I BUTRINTIT
Nga ARBEN KALLAMATA

E Shtunë, 04.05.2014, 09:45am (GMT+1)



Është dëshpëruese kur sheh sa thellë depërton korrupsioni, babëzia dhe mungesa e skrupullit në të gjitha strukturat arben kallamata okshtetërore. Por është edhe më dëshpëruese kur sheh se metastazat nuk ndalen te shteti, por shtrihen edhe në ato anë të shoqërisë qytetare që mendohen si shpresa e fundit për t'u mbrojtur nga e keqja.

Rreth një muaj më parë, Deklarata për Shtyp e një grupimi intelektualësh, i quajtur Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, tërhoqi vëmendjen jo vetëm të mediave në Shqipëri dhe jashtë saj, por edhe të UNESCO-s me shqetësimin se qeveria shqiptare ia kishte dhënë Parkun Kombëtar të Butrintit një personi privat. Akti i dhënies ishte kryer në ditët e fundit të qeverisë Berisha. Autorët i drejtoheshin të shqetësuar qeverisë së re me lutjen që të merrte masa për ta anuluar këtë vendim. UNESCO nga ana e saj, iu përgjigj shqetësimit të intelektualëve shqiptarë me një letër drejtuar qeverisë shqiptare, ku kërkonte hetimin e gjendjes dhe informacion të mëtejshëm.

Natyrisht, një lexues i paanshëm i një deklarate të tillë nuk ka sesi të mos shqetësohet dhe të mos e shohë si serioze një qeveri që ka humbur zgjedhjet dhe që para se të dorëzojë pushtetin shpërndan pa përgjegjësi si pronë private një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë së vendit; një grup intelektualësh të pavarur, të ndershëm që ngrenë zërin për një padrejtësi të madhe ndaj diçkaje kaq sublime sa trashëgimia kulturore; UNESCO e shqetësuar për çka ndodh në Shqipëri.

E keqja është se lexuesi nuk ka nge dhe mundësi ta ndjekë e ta gjurmojë gjithmonë të vërtetën. Këtë punë mund dhe duhet ta kryejë shtypi, por gazetarët merren me gjëra të tjera, tepër të thella. Ndërkohë që edhe pak po ta gërvishtësh këtë histori, do të çuditesh se sa erë të keqe vjen.

Së pari, nuk duhet shumë mund për të parë se intelektualët e pavarur që përbëjnë Forumin e pavarur për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk janë edhe aq të pavarur.

Në faqen e tij në Facebook, Forumi e përshkruan veten si: "...një grupim vullnetar intelektualësh dhe aktivistësh publikë, pa bindje politike, por me dëshirën për të mbrojtur trashëgiminë kulturore...". Nuk është vështirë të mësosh se ata janë pikërisht e kundërta një grupim aktivistësh me bindje dhe lidhje të forta politike. Auron Tare është ish-deputet i Parlamentit Shqiptar, përfaqësues i Partisë Socialiste; Artan Shkreli është Këshilltar aktual i Kryeministrit Rama; Artan Lame ka qenë zëvendësministër dhe nënkryetar i Bashkisë së Tiranës nën Edi Ramën, ndërsa tani është Drejtor i ALUIZNI-t.

Natyrisht, paraqitja e intelektualëve të varur si intelektualë të pavarur mund të mos jetë mashtrim i patolerueshëm. Mund të pretendohet se në Shqipëri ka një shkallë të tillë ndërgjegjeje qytetare saqë nëpunësit e qeverisë Rama, për shembull, janë nga ata intelektualë që punojnë 8 orë në zyrat e qeverisë ose në parlament duke e parë veten si pjesë të karrocës së kryeministrit, por ama, me të dalë nga zyra, e shkëpusin veten nga partia, lënë mënjanë lidhjet partiake dhe u përkushtohen ëndrrave të tyre të pavarura intelektuale. Prandaj ia vlen të lihen mënjanë pretendimet e rreme për pavarësi intelektuale dhe t'i hidhet një sy vërtetësisë së atyre që thonë.

Thjesht duke lexuar deklaratën për shtyp nuk mund të mos të të bien në sy disa kundërthënie të cilat mund të jenë thjesht gabime njerëzish jo fort të mprehtë intelektualisht, ose përpjekje për të çoroditur lexuesin. Në fund të paragrafit të parë të Deklaratës për Mediat (të cilën mund ta gjeni në "http://www.shekulli.com.al/website/images/images19/1911812_10152305442778394_1275117971_n.jpg") shkruhet se Parku i Butrintit Ju është kthyer si pronë disa pronarëve privatë muajt e fundit të Qeverisjes Berisha." Në fund të paragrafit të dytë shkruhet se "...edhe Qyteti Antik 3000 vjeçar i Butrintit tashmë ju është kthyer Pronarëve fiktivë." Në fund të paragrafit të tretë i bëhet thirrje Qeverisë Rama që ta anulojë këtë vendim dhe Prokurorisë së Përgjithshme "të hapë hetime për këtë çështje, duke nxjerrë përpara drejtësisë ata që kanë falsifikuar dokumentet apo kanë thyer ligjet shqiptare për zonën e mbrojtur të Butrintit". Pra, në fillim shkruhet për pronarë privatë, pastaj kalohet te pronarë fiktivë, dhe në fund në falsifikues dokumentesh që kanë shkelur ligjin tri kategori të ndryshme, ku e treta përbën një akuzë serioze ligjore, e cila ose duhet vërtetuar me dokumente, ose duhet t'i vërë para përgjegjësisë ligjore akuzuesit.

Deklarata në fakt tingëllon më shumë si një lojë fjalësh për të prekur telat e lexuesit në lidhje me një çështje shumë të ndjeshme korrupsionin në kthimin e pronave. Me qindra ish-pronarë shqiptarë, pasi janë shpronësuar në mënyrën më çnjerëzore nga komunizmi, pasi janë syrgjynosur burgjeve e internimeve, pasi kanë vuajtur për pesëdhjetë vjet luftën e klasave, kanë mbi njëzet vjet (që nga 1992 e deri sot) që sorollaten dyerve të administratave shtetërore (demokrate apo socialiste) në kërkim të pronave të dikurshme, në kërkim të asaj që iu takon me ligj. Një ushtri falsifikatorësh e kriminelësh ordinerë, një aradhe administratorësh e gjykatësish të korruptuar deri në palcë, një koalicion demokrato-socialist ministrash, zëvendësministrash, drejtorësh drejtorish, prokurorësh e juristësh, kanë bërë ç'është e mundur për të përfituar nga pronat e ish-pronarëve të dikurshëm, për të thithur ryshfete e shitur privilegje dhe për të mos iu dhënë asnjë centimetër nga pronat e tyre pronarëve të ligjshëm.

Shumë ish-pronarë tokash e pasurish, si edhe trashëgimtarë të tyre kanë vdekur me pengun se edhe njëzet vjet pas rrëzimit të komunizmit nuk kanë mundur të marrin atë që iu takon. Kjo është ndoshta një nga tragjeditë më të mëdha të shoqërisë shqiptare post-komuniste. Paaftësia e një shoqërie në kushtet e lirisë për t'i dhënë individit atë që i takon.

Pjesë e këtij kalvari janë edhe 13 pronarë (bashkë me shtetin shqiptar si bashkëpronar bëhen 14) që kërkojnë tokat e të parëve të tyre në zonën e Ksamilit. E gjithë zona ka pasur pronarë pronarë të ligjshëm, me dokumente, tapi, shkrime historike, gjithçka të nevojshme për të vërtetuar pronësinë. Janë njerëz realë ata që i kanë pasur prona ato toka, siç janë edhe njerëz realë pasardhësit e tyre që jetojnë sot. Akuzat që ngrenë intelektualët e varur (tashmë s'i quajmë dot të pavarur), nëpunësit shtetërorë që kanë formuar mbi bazën e gënjeshtrave për identitetin e tyre Forumin për Trashëgiminë Kulturore, sipas të cilave pronarët e tokave në Parkun e Butrintit janë fiktivë, ose kanë falsifikuar dokumentet, ose kanë shkelur ligjin, janë akuza të pavërteta. Pronarët nuk janë fiktivë, por realë. Ata nuk kanë falsifikuar dokumente, por i kanë këto dokumente. Tokat rreth Butrintit, hapësira e Ksamilit nuk ka qenë Wild Wide West Perëndimi i Egër i Pamatë i Amerikës, me toka që s'i përkisnin kërkujt, pavarësisht se Auron Tare hiqet sikur s'e ka ditur kurrë këtë fakt.

Kur një grup falsifikatorësh (dhe tani e kam fjalën për anëtarët e Forumit) mblidhen të ngrenë një akuzë të tillë serioze, kushdo do të presë që ata të jenë tepër të sofistikuar, finokë, të mençur njerëz që i njohin ligjet mirë dhe që dinë sesi t'i spërdredhin ato. Por për çudi, as kjo nuk është e vërtetë. Në faqen e Top Channel mund të ndjekësh një video nga emisioni radiofonik Wake Up (Pjesa 3), në të cilën njëri prej pronarëve legjitimë të zonës në fjalë, Agim Toro debaton me intelektualin e varur, ish-deputetin Auron Tare në lidhje me akuzat e Forumit të këtij të fundit (http://www.top-channel.tv/video.php?id=38635).

Që në fillim Tare tërhiqet nga termat pronarë fiktivë, falsifikatorë, dhe shkelës të ligjit që përbëjnë thelbin e deklaratës për shtyp, të cilën ai ka dalë ta mbrojë në këtë debat. Intelektuali i varur Tare s'e ka për gjë ta mohojë atë që ka shkruar në deklaratën e grupit të tij që sensibilizoi UNESCO-n dhe opinionin publik, dhe me paturpësinë më të madhe deklaron: "Unë nuk do t'iu hyj dokumenteve. Nuk jam gjykatës i dokumenteve."

Megjithatë, Tare ngul këmbë që "Parku nuk mund të jetë pronë private" pavarësisht se ai është. Si argument për këtë, ai sjell hamendësimin që Ugolini (arkeologu italian që bëri kërkime në vitet "˜20-"˜30 në Butrint) duhet të ketë bërë marrëveshje me gjyshin e Agim Toros (një nga pronarët e atëhershëm të tokave) dhe jo me mbretin Zog. Dhe kur merr përgjigjen që po, e ka bërë, atëherë mbetet i habitur.

Vërtetimi i pronësisë dhe i të drejtës ligjore të pronarëve të zonës nuk është pjesa më interesante e kësaj videoje. Pjesa më interesante është kapsllëku intelektual dhe padituria për ligjet e ligjvënësit Auron Tare. Ndërkohë, kur ti pret që ish-deputeti, ish-drejtori i Parkut të Butrintit, drejtori i gjithë Bregdetit shqiptar, anëtari dhe zëdhënësi i Forumit për Mbrojtjen e Pasurisë Kombëtare, përfaqësuesi i familjes Rothçaild në Shqipëri të të japë ujë në bisht të lugës me njohuri të thella dhe argumente ligjore, veçanërisht kur flitet për një zonë në të cilën ai ka punuar disa vjet, përballë të del një njeri i hutuar, që s'di ç'flet, që vihet me shpatulla për muri që pesë minutat e para. Aq keq zihet Tare në argumente, saqë detyrohet të deklarojë: "Ne s'kemi të bëjmë me pronarët, ish-pronarët. Ne e kemi problemin me institucionet shtetërore. Nuk mundet shteti shqiptar t'i njohe këto lloj pronash". Se ku shkojnë akuzat për falsifikatorët, për shkelësit e ligjit, për marrjen e pronave në minutat e fundit, këtë vetëm Tare di ta thotë.

Përfundimi i gjithë kësaj meseleje qesharake është paksa i frikshëm njerëzit e korruptuar dhe të babëzitur kërkojnë me çdo mënyrë, qoftë me anë të forcës së pushtetit, qoftë me grupime "jo-qeveritare", qoftë me forume intelektualësh të pavarur, për të arritur synimet e tyre. Shpresa e vetme në këtë rast është që njerëzit e thjeshtë ta dinë se këta nuk janë medoemos njerëz të mençur e finokë, intelektualë të sofistikuar që s'i kap dot me fjalë. Jo, në shumicën e rasteve janë po aq kokëtrashë sa janë edhe të korruptuar, prandaj edhe me pak durim e me fakte edhe mund t'iu ndalet dora.
ARBEN KALLAMATA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHEFQET HOXHA FESTON MES LIBRAVE 80-VJETORIN E DITËLINDJES…Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues-Tiranë (04.04.2014)
DITËT E FUNDIT TË BAJRAM CURRIT SIPAS DOKUMENTEVE ARKIVORE TË SHTETIT SHQIPTARNga VELI HAKLAJ, studiues (04.03.2014)
Deutsche Welle, MERKEL - SHQIPËRIA NË RRUGË TË MBARË DREJT EVROPËS (04.02.2014)
Me gjuhën e popullit:"BALLI KRYEMINISTËR" NGA BROJA, "BOLLANI" NGA MITROVICA DHE "TAVARISHI" (KUMBARA) I TYRE NGA MARECI...Opinion nga AGRON SHABANI (03.31.2014)
BALADË PËR BACË BAJRAMIN- Dragobi, fundmarsi, 1976 -Poezi nga ZEQIR LUSHAJ (03.29.2014)
ÇFARË NDODHI NË NËNTOR 1982 NË BURGUN E SPAÇIT ME REXHEP GOÇIN (03.29.2014)
Fosilet e Rankovicit dhe UDB-se apo, KU PO TË DHEMB ORE 'AKADEMIK' AGRON GASHI!Nga AGRON SHABANI (03.29.2014)
PSE U VRA TRIMI I DRAGOBISË?!Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (03.28.2014)
GËRVENI, SHTETI I SË DREJTËS DHE MARRËVESHJA E DETITNga BESNIK BAKU, PhD në të Drejtën Ndërkombëtare (03.28.2014)
Nga mërgimi apo:TË FALA NGA 'KOSOVA SOT'!Nga AGRON SHABANI (03.27.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]