VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - TË GJITHË 'MITE' DHE ASKUSH PROMETE!Nga ILIR PAJA

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 11:34am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
TË GJITHË 'MITE' DHE ASKUSH PROMETE!
Nga ILIR PAJA

E Shtunë, 04.05.2014, 09:49am (GMT+1)



Duke shfletuar qeverisjen e Rilindjes, e cila duhet thënë se në vigjilje të përvjetorit pushtet të saj ka nisur të trajtet në formën e një skulpture, por që derdhja në bronz do t'i kërkojë kohë, kemi mundësinë të shprehim disa argumente "jashtë" qeverisjes... Lexon, shfleton dhe sheh imazhe televizioni, që më së tepërmi janë "kronika të dramshme" të postelektoratit, të cilat duke mos mundësuar të plotësojnë dëshira individësh, nga militantët deri te nevoja tejet intelektuale, po kuptojmë se Rilindjes po i krijohet një opozitë brenda vetes. Ndoshta një largim prej 8 vjetësh në pakicë do të krijonte për këta pritës arallash një zbrazje institucionesh deri në frikë dhe trembje për t'u ruajtur, por falë formacionit politik të LSI-së, Partia Socialiste jo vetëm e ndjeu veten në një rotacion të paqshëm, por dhe jo pak të justifikuar brenda një ndrojtjeje, e cila buronte nga një ëndërr, ku lideri i saj e sheh doktrinën tani në kërkim të njeriut dhe njerëzve të kësaj ideje. Ky njeri, sipas mendimit tim, ka nisur të vendosë rregull. Po, po i nderuari lexues, ndoshta jo një rregull "të stuhishëm në vrull", por së paku kemi një ndryshim në disa gradë nga një rrugëtim "përurimesh" dhe pak punësh reale. Për mua realiteti i një pune matet në prekjen pranë asaj që quhet konkrete. Kështu; kemi së pari imazhe të reja administrative, jo vetëm në ndryshime vendesh drejtuese, por mbi të gjitha te një kundërmim, ku qeverisja po na ofron mbjelljen e një fidani...dhe kjo më duket se nuk është pak, kur në mbi dy dekada, atdheun tonë e kemi parë, më së shumti si plaçkë të fituar nga pushteti dhe jo të fituar nga një e drejtë qytetari! Por siç kemi nisjen e një ngritjeje të masivit identitet gjeografik, Atdhe, kemi dhe rrezikun e një "rrumbullakësimi" të tij në trajtën e një zbritjeje nga pafuqia e Sizifit edhe pse i quajtur mit... e më pas, prekja e asaj që presim si me magji, mund të na lë diku mes rrëpirës, ku zbritja mund të na duket çlodhje, por e përgjithmonë në rënie të mosngritjes...

Në këtë kontekst po krijohet kjo atmosferë nga pesha e gurit si pakënaqësi ndaj një statusi prej militantësh. Kështu duket se kemi ende një ish-pushtet, për të cilin duhet thënë, se nuk e respektoi energjinë pushtetmbajtëse të liderit të saj. Ndërsa tani, lajmet dhe kundërlajmet në media thashethemesh me risinë dhe herë-herë groteskun e të bërit konkurse, duket se Rilindjes i ka dhënë pushtet, por jo qeverisje të plotë, që duhet thënë se të qeverisurën reale e ka (ri) vënë atje ku ishte vetëm formacioni politik i LSI-së. Duke qenë më së shumti njeri i mësimdhënies dije dhe krijimtarisë letrare, më duket tejet e pamundur të mos kërkojmë përkime afërsish të politikës brenda artit, i cili sado të studiohet, mbetet për njerëzit e ligjeve, si ëndrra godoniane, e cila kurrë nuk ka për t'i mbërritur e bukur dhe estetikisht si përjetim njerëzor dhe pothuaj askujt kur është fjala për pozicione drejtuese...

Për ta ngritur absurdin shqiptar në realitet, që i mbivendoset shpërfillshëm cilido pushteti në këto 23 vjet, mjafton të bëjmë deri edhe pyetjen më groteske: a shkruan poezi gjyqësori shqiptar? Arsyeja e vetme se përse e bëjmë pyetjen te ky shkrim, ka të bëjë me kompleksin më të pa afrueshëm të çdo qeverisjeje me këtë pushtet, si fuqia që zhbën deri dhe të drejtën e vetme të çdo doktrine si ideal të lirisë; ka të bëjë me një shpërfillje të këtij pushteti me të gjitha ngjyrimet e partive politike tee ne. Kjo gjendje duket se ka vetëm një shkak; atë të një pushteti përtej lirisë. Atëherë mund të themi se demokracia jonë është përtej parasë-pushtet. Ajo është ligjshmëria e çdo padrejtësie deri edhe elektorale... Dihet se figura e groteskut nga të gjitha veprat e letërsisë i shkon për shtat kalorësit Don Kishot, sepse doktrina e Makiavelit se qëllimi justifikon mjetin, në rastin e heroit tonë, duket se është "mallkimi" i kësaj doktrine kaq utopike, por që njeriun ideal as nuk e mohon, por dhe as nuk e fton të marrë qoftë dhe heshtën e "ndryshkur" të Halonso Kihanos , e ta drejtojë, së paku një herë të vetme në një padrejtësi jo njerëzore, por ligjore!

I ftuar në një studio, njeriu ndoshta real në realizimin e doktrinës pushtet gjyqësor, që duhet të mbrojë të dobëtin; njeriun e thjeshtë, z. avokat Ngjela, i pyetur se çfarë është gjithçka e së sotmes, nuk nguroi të japë përgjigjen më të thjeshtë, por dhe më ekzistenciale: "Gjithçka është siç ka qenë në raport me pushtetin dhe ligjin, që nga antikiteti!". Ky konkluzion, i nxjerrë nga një njeri me mendje përtej politikanit dhe të një "analisti" tejet të brendshëm në raportet shtet-ligj, na dhuroi në vazhdimësi atë të vërtetë, e cila ka mbërritur deri në kreun më institucional, atë të Presidencës. Kështu, nëse një president është simboli i unitetit të një kombi, përpara pafuqisë së gjyqësorit, vetë ky simbol deformohet në "shpërbërjen" e një shteti, që kombin e ka në "axhendë" ende të 100 vjetorit të dytë si shtet! Për t'i qëndruar stoik brendisë dhe përmbajtjes së temës dhe titullit të saj, mjafton të shohim se çfarë arrin të shkumëzojë nga pakënaqësia dhe dhurata e fitores një drejtues, nga ai në shëndetësi, arsim, kulturë etj. Të tjerët nuk po i përmend, sepse pozicioni i tyre nuk është kaq i thashethemnuar deri në një mediokritet kaq i "zhagornshëm" për nga idetë, zgjedhjet dhe uni i një paprekshmërie, sikur shteti i nëpunësisë shqiptare duhet të arrijë trashëgiminë aristokratike prej një mijëvjeçari! Në shfletimin e një rilindjeje, duke e krahasuar të shkuarën e saj prej një uniteti panshqiptar, nga Prizreni te frashëllinjtë, kjo rilindje e së sotmes, duket se e ka të vështirë të kapërcejë njeriun shqiptar të postdiktaturës, për të mbërritur te pyetja më e drejtë, ndoshta jo tani, por pak më vonë, atëherë kur do të kërkojë qeverisjen lokale, atë më të plogështën për nga vrulli qeverisës; pra: a do të ketë ose lindë kjo rilindje artistin e saj, poetin modern të një kombi, që Rilindja ia ringjalli eshtrat duke lënë ende pa shfletuar të plotë veprën e tyre, e për t'i patur këta të sotmit modelin e një përjetësie?!

 Kur dëgjon shfrime mllefesh, paskrupulozitetin e ish-drejtuesve të djeshëm, kur veshi të kap pakte deri dhe miqësi, ku mediokriteti fsheh fëlliqësinë e një njollosjeje të idealit rilindës, sheh se përtej kujtimit të tyre, atij të rilindësve, dhe në ndonjë rast të kërkesës mediatike dhe reklamës elektorale, për sjelljen e kujtimit të tyre përmes veprës së "eshtrave", pakkush mendon, se ngritja e një epoke të tillë nuk ka dëshirën e të bërit trashëgimi intelektuale. Jo se njeriu i tillë ka munguar, por i gjendur pa parti, e kupton më mire se kushdo, duke përjashtuar pak vendosje drejtuesish. realisht në platformën e kësaj qeverisjeje, pjesa e mbetur, por më e madhja, ka lëkurën e këpucës dhe jo të "Shagrenit", të cilën e ka fytyrësinë e pakaraktertë të mbathë me të njëjtat çorape firmato deri dhe një breg deti të gjithin. Mjafton të rivendoset aty ku priste rënien, ngrehinën ku si në padukje injektonte një sistem ku demokracia po mbërrinte në kauzën e një militantizmi dogmatik. Të gjithë mburren. Të gjithë mburrin të pushtetshmit përtej fuqisë njerëzore të vetes. Të gjithë e duan të gjithën ç`kishin dhe duket se, dhe sikur të zhvendosen nga vende dhe pozita drejtuesish, më së shumti do të nisin të qeshin me të sotmen, por më tragjikshëm do përçmojnë Rilindjen reale historike, atë të cilës po i kërkojmë eshtrat, sepse veprën, nga harresa kemi vendosur në heshtje ta migrojmë brenda teksteve shkollorë, ku si të paintelektualë që jemi, jo nga mungesa e arsimit, por nga masa e gurit të Sizifit, na pëlqen të ngrihemi prej padobisë dhe të biem si një shaka më shumë poshtë. Në këtë rënie të lirë kemi bërë një Promete të urrejë veprën e tij për njerëzit duke ndëshkuar veten në padobi prej Sizifit. Këtë e kemi bërë ne, të cilët e fryjmë qelën tonë prej një dhome si tek Gregor Zamza në sallon pritjesh dhe përcjelljesh duke servirur ambiciet tona, për pak "pushtet" në drejtime, sikur të drejtuarit të jetë vepra jonë e fundit e mundshme për t'i shërbyer këtij vendi...

 Në këto mendime më kujtohet një pafuqi e Napoleonit përpara Gëtes. Ky i fundit nuk reagonte aspak nga e gjitha ajo kortezhi sevilizmi pothuaj e gjithë Europës përpara tij. Sepse për Gëten "Mehr licht"ishte dija dhe jo autoriteti dhe pse Gëtja ishte shprehur, se Napoleoni kërkoi virtytin dhe duke mos e gjetur zgjodhi forcën. Kurse në rastin tonë, njeriu që pret të "bukësohet" sa një furrë në kurriz të një prirje qytetare sesa intelektuale, kupton se të ngrënit në vazhdimësi do t'i japë një lozhë në godinën ku Rilindja reale do ketë dy "heronj", një Vladimir dhe Estragon, kur të vetmit që dinë të presin duke jetuar janë Laki dhe Pocoja, këta dy ish-të lindur nga asnjë "rilindje", por që ende dinë të tërheqin edhe pse pak donkishotekshëm dy statuset e çdo shoqërie, atë të plebeut dhe patricit... Po të citojmë shprehjen se: " nëse popujt janë mendjendritur, nuk ka më shumë rëndësi për të krijuar vepra të mëdha".Në rastin tonë, përderisa veprat e mëdha mungojnë, ne ende na nevojiten mendjendriturit. Dhe nëse këta të fundit shohin tek kreu i ekzekutivit njeriun energjik, në pamundësi për ta ndjekur pas, do të fshihen si shpirtra nën ndjesë, por që kurrë s'do tregojnë gjymtyrën me të cilën ripërsëritën fajin e tyre.

Kur Diogjeni i kërkoi Aleksandrit të largohej më tutje se e pengonte të shihte dritën dhe Prometeu, pasi u dha zjarrin mendoi se për vete nuk i kishte mbetur asgjë, njeriu shqiptar ngrefoset deri në mburrjen e një miti, por që s'pranon nga trupi i tij të largojë qoftë dhe hijen, që njeriu intelektual të vazhdojë të sfidojë aleksandrin- pushtet! Dhe kjo hije ka ende "magji" të mbajë peng një Promete, jo të kapur si hero, por të dekurajuar nga mosnderimi që i takonte ,së paku për atë plagë të hapur sa madhësia e një mali. Dhe kur gjaku i tij mpikset sepse të duruarit është pritje dhe vetëvrasja e çdo ideali vetëm sa i kursen një sekondë hungërimave plot uri mishi dhe jo zotash buzëfshirëseve, që u kullojnë nga hundët energjia e plogështisë, Prometeu tani gjendet në qiell, ku sheh sesi shemben retë e froneve të zotave, e këtyre njerëzve të vetëquajtur mite u jep të fshinë djersën e tyre të qurrtë me shiun e këtyre froneve...Nëse të krijuarit kërkon energji, çdo (ri) post është rahati ku vetëm shpejton mplakjen e kësaj energjie!
ILIR PAJA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MASKA E DOBËT E KORRUPSIONIT DHE RASTI I BUTRINTITNga ARBEN KALLAMATA (04.05.2014)
SHEFQET HOXHA FESTON MES LIBRAVE 80-VJETORIN E DITËLINDJES…Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues-Tiranë (04.04.2014)
DITËT E FUNDIT TË BAJRAM CURRIT SIPAS DOKUMENTEVE ARKIVORE TË SHTETIT SHQIPTARNga VELI HAKLAJ, studiues (04.03.2014)
Deutsche Welle, MERKEL - SHQIPËRIA NË RRUGË TË MBARË DREJT EVROPËS (04.02.2014)
Me gjuhën e popullit:"BALLI KRYEMINISTËR" NGA BROJA, "BOLLANI" NGA MITROVICA DHE "TAVARISHI" (KUMBARA) I TYRE NGA MARECI...Opinion nga AGRON SHABANI (03.31.2014)
BALADË PËR BACË BAJRAMIN- Dragobi, fundmarsi, 1976 -Poezi nga ZEQIR LUSHAJ (03.29.2014)
ÇFARË NDODHI NË NËNTOR 1982 NË BURGUN E SPAÇIT ME REXHEP GOÇIN (03.29.2014)
Fosilet e Rankovicit dhe UDB-se apo, KU PO TË DHEMB ORE 'AKADEMIK' AGRON GASHI!Nga AGRON SHABANI (03.29.2014)
PSE U VRA TRIMI I DRAGOBISË?!Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (03.28.2014)
GËRVENI, SHTETI I SË DREJTËS DHE MARRËVESHJA E DETITNga BESNIK BAKU, PhD në të Drejtën Ndërkombëtare (03.28.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]