E Djelë, 05.19.2024, 03:56am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
LETRA E PROFESORËVE - FYESE DHE E TURPSHME
Nga Prof. SEIT MANSAKU

E Enjte, 05.08.2014, 08:56am (GMT+1)


Lexova me vëmen-dje letrën që 20 pro-fesorë, akademikë, gjuhëtarë, histori-anë, shkrimtarë e përkthyes i drejtojnë Kryeministrit Edi Rama, në të cilën i bëjnë thirrje "të ndalojë shkatërrimin e shqipes", botuar në "Gazeta Shqiptare", 1 maj 2014. Nënshkruesit e kësaj letre janë specialistë të shquar ose të njohur në fushat e tyre, me ndihmesa të shënuara edhe në studimin e historisë, të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare, të letërsisë dhe të përkthimit. Nisma për të mbrojtur e zhvilluar më tej vlerat historike, kulturore e në veçanti gjuhësore në shoqërinë shqiptare është për t'u përshëndetur. Ata tërheqin me të drejtë vëmendjen në rënien e kujdesit institucional, shtetëror e shoqëror ndaj njërës prej vlerave më të mëdha kombëtare, siç është gjuha. Shqetësimi i tyre është i drejtë. Është absolutisht e domosdoshme që gjuhëtarët, lëvruesit dhe përdoruesit e gjuhës në përgjithësi e të standardit në veçanti e sidomos institucionet që e kanë për detyrë studimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, lëvrimin e saj, gjuhëtarët, shkrimtarët, përkthyesit, gazetarët, politikanët të ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka përdorimi korrekt i gjuhës letrare kombëtare të njësuar, ose i gjuhës standarde.

Sot pothuajse të gjithë bashkohen rreth mendimit se formimi i gjuhës së përbashkët përbën një arritje madhore të kombit shqiptar se Kongresi i Drejtshkrimit dhe Konsulta Gjuhësore e Prishtinës shënojnë ngjarje themelore në historinë e gjuhës dhe të kulturës kombëtare, se gjuha letrare e njësuar, gjuha standarde janë një domosdoshmëri për funksionimin dhe forcimin e një shteti modern, për forcimin e kohezionit dhe të njësimit kombëtar, për lehtësimin e komunikimit të qytetarëve midis tyre dhe me shtetin e tyre dhe për një përfaqësim të denjë ndërkombëtar. Besoj gjithashtu se duhet të pajtohemi me mendimin se gjuha e sotme e njësuar, një gjuhë në të cilën janë shkruar e përkthyer kryevepra letrare të letërsisë shqipe dhe të letërsisë botërore, janë shkruar e përkthyer traktate filozofike e vepra shkencore nga degë të ndryshme të dijes, e ka kaluar me sukses periudhën e provës dhe është e tepërt të shtrohet kjo pyetje në tribuna diskutimesh, se shqipja standarde ka mundësi të mëdha pasurimi nga brumi i saj dhe nga asimilimi i lehtë prurjeve nga kontaktet me gjuhë të tjera, kur këto prurje i duhen.

Akuza pa asnjë argument ndaj Akademisë së Shkencave

Nënshkruesit e letrës drejtuar Kryeministrit, me të drejtë vlerësojnë arritjet e gjuhës shqipe në periudhën 20-vjeçare pas Kongresit të Drejtshkrimit, por paraqesin me nota të zymta zhvillimet gjuhësore të dy dhjetëvjeçarëve të fundit dhe për këtë fajësojnë Akademinë e Shkencave për të dalë më pas te Këshilli Ndërakademik, si krijesë e Akademive shqiptare, që paska hyrë në një "rrugë të rrezikshme", një e pavërtetë që bërtet. Më habit vërtet një vlerësim kaq i përciptë e i pambështetur për Akademinë e Shkencave që, sipas artikullshkruesve, qenka bërë "bashkëpunuese në goditjen kundër institucionit të shenjtë të gjuhës së njësuar të kombit" dhe çudia më e madhe është se në këtë akuzë të rëndë janë bashkuar edhe ata që kanë qenë pjesëmarrës e protagonistë në veprimtaritë që ka organizuar herë pas here Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave për të mbështetur fort dhe me vepra jo me deklarata mediatike gjuhën letrare kombëtare të njësuar. Me siguri nënshkruesit e kësaj letre e mbajnë mend se Akademia e Shkencave edhe pas viteve "˜90 ka organizuar herë pas here Konferenca shkencore me pjesëmarrje të gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare për të mbështetur gjuhën standarde, për të mbajtur gjallë frymën dhe shtrirjen kombëtare të saj, për të përkujtuar në përvjetorë të caktuar Kongresin e Drejtshkrimit. Aktet e këtyre konferencave janë botuar dhe janë dëshmi e dokumentuar e asaj që është bërë për të mbrojtur e për të çuar më tej arritjet në fushën e gjuhës standarde. Do të doja të përmendja këtu vetëm Konferencën Shkencore të organizuar në Tiranë në vitin 1992 nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, një konferencë e organizuar dhe e parapërgatitur me mençuri dhe urtësi të jashtëzakonshme në një moment vendimtar për fatet e mëtejshme të gjuhës standarde në trojet e shqipes. Ishte koha kur shumë vlera të krijuara në periudhën e shtetit komunist po viheshin në diskutim. Midis tyre edhe gjuha letrare e njësuar. Ishin shfaqur hapur dhe fuqishëm kontestime kundër gjuhës standarde që konsiderohej nga mjaftkush si produkt i periudhës së komunizmit dhe prandaj, sipas tyre, duhej ndryshuar. Në këto rrethana ishte qëndrimi i vendosur i shumicës së pjesëmarrësve të kësaj Konference të ardhur nga të gjitha viset shqiptare, përfshirë këtu një delegacion të gjerë nga Prishtina, që pohuan fuqishëm rezultatet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe të Konsultës së Prishtinës, mbështetën fuqishëm gjuhën e njësuar kombëtare dhe bënë të mbeteshin pa mbështetje zërat që e kundërshtonin atë. Disa nga autorët e kësaj letre, drejtuar Kryeministrit, kanë qenë jo vetëm pjesëmarrës, por edhe kontribues në organizimin dhe zhvillimin të këtyre veprimtarive dhe sot dalin me mendimin se Akademia e Shkencave, që ka mbështetur vazhdimisht Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, "është bërë bashkëpunuese në goditjen kundër institucionit të shenjtë të gjuhës së njësuar" të kombit, një pohim i papërgjegjshëm që nuk mund ta besojë askush, as ata që ua ka dashur puna ta nënshkruajnë letrën për qëllime të paqarta. A e kanë çuar nëpër mend firmëtarët e kësaj letre se ç'pështjellim mund të sjellë në opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar po ta besonin një akuzë e tillë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë "bashkëpunon (me kë?) në goditjen e gjuhës standarde" të kombit të vet... Si përfundim për këtë çështje do të thosha se në ka institucion në Shqipëri që ka mbështetur fuqishëm e në mënyrë konsekuente e të qëndrueshme gjuhën letrare të njësuar, ky ka qenë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i mbështetur nga Akademia e Shkencave.

Çfarë i kërkojnë Kryeministrit firmëtarët e letrës dhe çfarë pritej prej tyre?

Pyetja e parë
që më erdhi në mendje kur lexova këtë letër është kjo: Pse i drejtohet Kryeministrit dhe çfarë kërkohet prej tij? Nënshkruesit e kësaj letre e dinë shumë mirë se në një shtet demokratik ka institucione të posaçme, të cilave u është ngarkuar e besuar detyra e studimeve gjuhësore, e hartimit të politikave gjuhësore dhe e projekteve të ndryshme në këtë fushë, e ndjekjes së zhvillimeve gjuhësore dhe e zbatimit të gjuhës standarde e në përgjithësi për mbrojtjen arritjeve të gjuhësisë sonë dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj. Ata e besoj se e dinë se institucionet tona shkencore, arsimore e kulturore janë ende në një fazë zhvillimi kur kanë ende nevojë të kërkojnë e të gëzojnë pavarësi e liri akademike që mezi po i arrijnë për shkak të trashëgimisë përqendruese të dikurshme dhe nuk është aspak koha të kërkojnë të përfshihen në skema drejtimi centralizuese administrative e të politizuara.

Kryeministrit mund t'i kërkohet mbështetje më e fuqishme me burime njerëzore dhe financiare dhe me politika të favorshme për projekte të rëndësishme në fusha të ndryshme të shkencave albanologjike. Unë besoj se ka një tulatje e plogështi të vetë bashkësisë së studiuesve të gjuhës dhe të institucioneve përkatëse që nuk tregojnë ndjeshmërinë dhe kujdesin e duhur ndaj problemeve aktuale të kulturës së gjuhës, nuk ndërmarrin nisma e projekte konkrete studimore në fusha që kanë të bëjnë me zhvillimet gjuhësore të standardit dhe të zbatimit të tij në rrethanat e reja shoqërore e kulturore të dhjetëvjeçarëve të fundit. Pra dua të them se Kryeministrit duhet t'i drejtohemi për mbështetje kur ne të kemi bërë mirë detyrat tona, të kemi hartuar projekte të rëndësishme e me vlerë për gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare, të jemi aktivë vazhdimisht me artikuj të ndryshëm në shtypin e përditshëm për të kritikuar rastet e shumta të moszbatimit të normave të gjuhës standarde, për përdorimin e tepruar të fjalëve e të ndërtimeve të huaja dhe në përgjithësi për ndërgjegjësimin e opinionit publik për nevojën e zbatimit të gjuhës standarde. Këto nuk është nevoja t'ia kërkojmë qeverisë, por duhet t'i bëjmë vetë. Qeveria dhe Kryeministri të na mbështesë me politika të drejta kulturore kombëtare dhe me mjete financiare.

Së dyti, të lë një shije të hidhur mënyra se si i drejtohen Kryeministrit "Ndalo shkatërrimin e shqipes", një titull i vrazhdë, i huazuar nga gjuha konfliktuale e politikës së ditës, i vrazhdë për t'u vënë në gojën e këtyre intelektualëve të nderuar, i vrazhdë edhe në lidhje sintagmatike me një objekt të ëmbël e të dashur si gjuha shqipe. Madje do të thosha jo vetëm i vrazhdë, por edhe i pasaktë, joshkencor e antihistorik. I pasaktë sepse me gjithë mangësitë e shumta, përdorimet e gabuara, shmangiet nga norma, përdorimet krejt të panevojshme të fjalëve dhe të strukturave të huaja etj., nuk mund të flitet për shkatërrim të gjuhës. Gjuha ndryshon, zhvillohet pasurohet ose varfërohet, ngatërrohet, asimilohet, madje edhe vdes, por nuk shkatërrohet. Antihistorik, sepse shqipen fatmirësisht nuk kanë mundur "ta shkatërrojnë", as ta asimilojnë perandori të mëdha universale me gjuhët dhe kulturat e tyre universale si: Perandoria Romake me latinishten, Perandoria Bizantine me greqishten, Perandoria sllave me sllavishten e Perandoria osmane me osmanishten e turqishten dhe gjithfarë pushtuesish që kanë qëndruar me shekuj në trojet e saj, madje në kohëra kur shqipja nuk shkruhej e mësohej në shkolla. E si është e mundur që shqipja "të shkatërrohet" sot kur kemi 100 vjet shtet të pavarur, kur kemi shollat tona, universitetet tona, akademitë tona, institucionet tona të shumta që merren me shqipen tonë, studiues e lëvrues të shquar të saj etj. etj. Unë jam i bindur se shqipja e sotme, megjithëse vuan dhe jo pak, nga pakujdesia institucionale e shoqërore, nga moszbatimi i normave drejtshkrimore e gramatikore, nga përdorimi pa nevojë e pa përgjegjësi i fjalëve dhe i ndërtimeve të huaja etj., prapëseprapë, ajo vijon të zhvillohet pa ndërprerë, e të pasurohet pa u ndalur me fusha e elemente të reja leksikore, me terma të fushave të ndryshme, me ndërtime të reja, me sintagma të reja etj. si pasojë e zhvillimeve të reja politike, ekonomike, shkencore e kulturore dhe e kontakteve shkencore e kulturore brenda botës shqiptare dhe jashtë të saj me gjuhë e kultura të vendeve të tjera. Pa dyshim, me një përkujdesje institucionale këto zhvillime do të kishin qenë më të përpunuara dhe, nga ana tjetër shumë nga mangësitë që gëlojnë sot, mund të ishin shmangur. Përveç kësaj, do të shtoja se shumë nga dobësitë që vërehen sot në zbatimin e normave të gjuhës së njësuar dhe në përgjithësi dobësimi i prestigjit të gjuhës standarde kanë ardhur për shkak të kritikave që i janë bërë dhe i bëhen atij herë pas here nëpër tribuna jo me terma shkencorë e kulturorë, por më shumë për motive politike e krahinore. Gjuha standarde cenohet gjithashtu për shkak të botimeve të shumta pa kaluar përmes një redaktimi gjuhësor të specializuar. Po cënohet standardi, sepse edhe administrata shtetërore nuk tregon kujdesin e duhur, ose është e paaftë për t'i formuluar e botuar aktet e tyre në një gjuhë korrekte standarde. Të gjitha këto janë probleme reale që duhet të shqetësojnë sot shoqërinë tonë dhe në mënyrë të veçantë institucionet e specia-lizuara gjuhësore e kulturore, institucionet arsimore dhe bashkë-sinë e gjuhëtarëve, të pedagogëve të shkrim-tarëve të gazetarëve etj në përgjithësi.

Artikullshkruesit japin alarmin për gjendjen e përdorimit të gjuhës standarde sot, por vetë nuk japin asnjë zgjidhje konkrete dhe nuk bëjnë ndonjë propozim konkret se si mund të ndryshojë kjo gjendje e pakënaq-shme e përdorimit të shqipes standarde dhe nuk u drejtohen institu-cioneve që kanë përgje-gjësinë të ndjekin proceset që ndodhin sot në fushën e përdorimit dhe të përvetësimit të gjuhës standarde. Ata kanë zgjedhur rrugën që këto shqetësime, të artikuluara më shumë në formën e një leksioni, që përpiqen pa takt dhe pa nevojë, ndonjëherë edhe me gabime teorike konceptuale, t'i japin Kryeministrit për rëndësinë historike të njësimit të gjuhës shqipe dhe të Kongresit të Drejtshkrimit dhe në formën e ankesave që i paraqesin atij për Akademinë e Shkencave të tyre dhe për Këshillin Gjuhësor Ndërakademik "që paska hyrë në rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar shqetësim publik". Të them të drejtën, kjo praktikë, mënyra se si i drejtohen Kryeministrit nënshkruesit e letrës që të ndërhyjë për të shpëtuar shqipen nga "shkatërrimi", të lë një shije të hidhur që të çon te një mendësi e kohës së shkuar. Sipas tyre, duket sikur Kryeministri ka në dorë shkopin magjik dhe mund të rregullojë gjithçka me një lëvizje të tij. Me këtë mendësi ata u japin pa të drejtë në dorë një "argument" të artë atyre kundërshtarëve të standardit që mendojnë politikisht se gjuhën standarde e ka vendosur Enver Hoxha, një tezë e kritikuar ashpër edhe nga ata që kanë nënshkruar këtë letër.

Kryeministri me shembullin që jep në përdorimin korrekt që i bën vetë standardit dhe me udhëzimin që ka dhënë për të vendosur redaktorë gjuhësorë në institucionet e administratës shtetërore dhe në shtëpitë botuese e ka dhënë sinjalin e duhur për mbështetjen që dëshiron t'i japë gjuhës standarde, rritjes së prestigjit të tij dhe të administratës shtetërore dhe rritjes së kulturës gjuhësore në përgjithësi. Nuk do të presim prej Kryeministrit që të na mësojë dhe të vendosë se si duhet të bëjë shumësi i fjalës ullij, ullinj apo ullij; të themi unë përgatis apo unë përgatit. Kjo është detyrë e specialistëve dhe e institucioneve të specializuara që ka trashëguar e krijuar shteti sot. Puna e Kryeministrit është të krijojë hapësirat e duhura ligjore e kulturore që problemet e gjuhës të diskutohen dhe të zgjidhen në mënyrë shkencore dhe me rrugë demokratike dhe jo t'i ngushtojë këto hapësira, siç është fryma e letrës. Detyra e qeverisë është gjithashtu të mbështesë me burime njerëzore dhe financiare projekte të rëndësishme shkencore e kombëtare për zhvillimin e mëtejshëm të shkencave albanologjike.
Unë do të prisja nga nënshkruesit e kësaj letre që të bënin fjalë të paktën për disa projekte të rëndësishme që kanë mbetur në mes të rrugës si "Fjalori i madh i gjuhës shqipe", "Enciklopedia shqiptare", fjalorë terminologjikë të fushave të ndryshme të shkencës, një gramatikë thesaurus e gjuhës shqipe etj. dhe për këto pastaj t'i bënin thirrje Qeverisë dhe Kryeministrit për t'i mbështetur me burime njerëzore dhe financiare dhe të ushtrojë pastaj gjithë autoritetin e tij për të mbikëqyrur realizimin e projekteve dhe përdorimin e fondeve të akorduara. Në letrën e tyre nuk zihen në gojë fare institucione të tilla si Qendra e Studimeve Albanologjike, ose Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë që e kanë detyrë të dorës së parë zhvillimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e gjuhësore.

Gjithashtu do të prisja me kënaqësi që këta profesorë t'i drejtoheshin Kryeministrit që të ndihmonte në ripërtëritjen e Institucioneve të shkencave albanologjike me kuadro të rinj e të aftë, ndoshta edhe duke u bërë thirrje disa dhjetëra studiuesve të talentuar e me kualifikim të lartë shkencor që janë larguar nga Shqipëria dhe punojnë sot në Europë ose në Amerikë, si Bardhyl Demiraj, Xhelal Ylli, Ardian Vehbiu, Ina Arapi, Dhori Qiriazi, Aleksandër Murzaku, Genc Lafe, Dalina Kallulli etj. që, nëse janë të gatshëm, të kthehen e të punojnë në institucionet tona të shkencave albanologjike, të sjellin këtu përvojën e tyre shkencore dhe organiza-tive dhe të kontribuojnë për të shënuar një hap cilësorë në ripërtëritjen e këtyre institucioneve dhe për të rivendosur prestigjin e humbur. Këto e nisma të këtij lloji do të doja unë të ndërmerrte grupi profe-sorëve. Ndërsa fryma e letrës, kërkesa e firmëtarëve për të ndaluar veprimtarinë e Këshillit Ndërakademik dhe të grupeve që e shoqërojnë atë, që të mos mblidhen e të diskutojnë lirshëm për çështje të gjuhës standarde dhe të funksionimit të saj, të bëjnë edhe propozime për përmirësime të nevojshme të kodeve gjuhësore në frymën e arritjeve më të shëndosha të deritanishme në këtë fushë, mua më duket e padenjë dhe turpëruese për atë grup profesorësh të nderuar.

Si është formuar dhe si ka funksionuar Këshilli Ndërakademik dhe përse akuzohet?

Do të doja të ndalesha pak edhe në veprimtarinë e Këshillit Ndërakademik, i cili në letrën e nënshkruar nga 20 profesorët, akuzohet se ka hyrë në një rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar shqetësim të thellë publik. Ai ka dëmtuar rëndë edhe emrin e prestigjin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave që e ka lejuar të shkojë në atë drejtim!). Këshilli Ndërakademik është krijuar me nismën dhe miratimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me qëllimin e mirë për të ndjekur proceset e zhvillimeve gjuhësore në periudhën e ndryshimeve të reja politike, ekonomike, shkencore e kulturore në këta dhjetëvjeçarët e fundit, për të ndjekur funksionimin dhe zbatimin e gjuhës standarde në hapësirat shqiptare, për të diskutuar dhe për të bërë sugjerime e rekomandime për përmirësimin dhe pasurimin e tij dhe të kodeve që sanksionojnë atë. Ka qenë një zgjedhje e menduar mirë e emërtimit dhe e përbërjes së këtij forumi që të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe jashtë strukturave shtetërore administrative. Kjo mënyrë organizimi i përgjigjej më mirë faktit të mirënjohur se gjuha standarde shqipe është krijuar e funksionon jo vetëm si gjuhë e shtetit shqiptar, por si gjuhë standarde kombëtare në të gjitha trojet e shqipes dhe është shumë e rëndësishme që kështu të vazhdojë të funksionojë. Prandaj edhe përbërja e Këshillit është mbarëkombëtare. Anëtarët e këtij Këshilli nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga arbëreshët e Italisë janë akademikë dhe profesorë të shkencave gjuhësore të fushave të ndryshme. Disa prej tyre janë pjesëmarrës të Kongresit të Drejtshkrimit, të tjerë kanë botuar libra e studime për gjuhën letrare të njësuar e kulturën e gjuhës. Jashtë këtij Këshilli kanë mbetur akademikë e profesorë, të cilët kanë po aq kontribute të vyera në këtë fushë. Pjesëmarrja e tyre në diskutimet që zhvillohen në Këshill dhe jo jashtë tij, është, pa dyshim, shumë e dobishme. Por çdo organizëm që krijohet ka një kufizim. Mendimet e tyre duhen tërhequr e përfillur. Për të thithur mendimin e sa më shumë specialistëve, pranë Këshillit funksionojnë grupe pune për fusha të ndryshme që hartojnë e paraqesin për diskutim në Këshill parashtresa përkatëse.

Është krejt e natyrshme të bëhen vërejtje e sugjerime për funksionimin e Këshillit, për ritmet dhe rezultatet e punës së tij, për paraqitjen më të mirë mediatike të problemeve që diskutohen, sigurisht pa shkaktuar pështjellim mediatik. Nuk e di nëse autorët e letrës për të arritur në përfundimet e tyre për punën e Këshillit kanë kërkuar informacion nga Akademia apo u kanë mjaftuar dijet e tyre, informacionet nga shtypi, bisedat me individë të caktuar, apo paragjykimet, pse jo edhe interesat e tyre të veçanta. E bëj këtë pyetje sepse më duket një guxim i madh dhe një fyerje e rëndë për Këshillin dhe anëtarët e tij të pohosh se "puna e Këshillit ka hyrë në një rrugë të rrezikshme". Nëse kanë dijeni për një veprimtari të tillë konspirative e të rrezikshme kundër një vlere të tillë siç është gjuha, unë do t'u thosha letërshkruesve që bëjnë mirë t'i drejtohen Prokurorit të Përgjithshëm jo Kryeministrit. Të vjen vërtet keq që një pohim si ky nënshkruhet nga akade-mikë e profesorë shumica e të cilëve kanë pak, ose aspak informacion mbi punën e Këshillit dhe për mënyrën si funksionon ai dhe si i arrin përfundimet.

Këshilli ka diskutuar me përgjegjësi e me durim të gjitha problemet që janë paraqitur dhe është përpjekur të mbajë qëndrime që nuk bien ndesh me parimet dhe frymën mbi të cilat është ndërtuar gjuha standarde. Nuk është vënë në diskutim baza dialektore e saj, por në raste të caktuara janë përfshirë elemente dialektore që integrohen pa probleme në standard. Nuk është diskutuar ndonjëherë se cila është më e pasur gegërishtja apo toskërishtja, se cila është shkruar e lëvruar më shumë, gegërishtja apo toskërishtja, se cila është shkruar më parë gegërishtja apo toskërishtja por është thënë që çdo fjalë e ndërtim që pasuron standardin dhe integrohet mirë e pa sforcim në standard, mund të përfshihet në të ngado që të vij. Këshilli është udhëhequr gjithmonë nga parimi një komb një gjuhë të përbashkët dhe në çdo rast ka qëndruar larg ndaj ndonjë ideje rrënuese për standardin sipas së cilës tani ka dy shtete shqiptare në Ballkan dhe prandaj mund të ketë edhe dy standarde. Është edhe kjo arsyeja që Këshilli ka ecur me maturi, me durim dhe me ngulmim që përfundimet për çështjet që janë diskutuar të arriheshin me konsensus sa më të gjerë për të mos krijuar asnjë çarje krahinore në funksionimin e standardit.

Këshilli ka diskutuar hapur për të gjitha çështjet që ai ka gjykuar se kanë nevojë të sqarohen më mirë dhe janë mbajtur qëndrime shkencore të drejtpeshuara në pajtim me zgjidhjet teorike që janë dhënë tashmë për bazën dialektore të standardit. Atëherë cila është rruga e rrezikshme në cilën paska hyrë Këshilli, cili është mëkati i këtij Këshilli? Që ka pranuar se Evropë mund të shkruhet Europë, që shumësi i disa emrave të tillë si ullinj, mullinj mund të bëhen ullij, mullij, jo me mbaresën -nj, po me mbaresën j, duke mbajtur të njëjtin qëndrim me atë që është mbajtur prej kohësh në sistemin foljor për foljet e tipit punoj, këndoj, jo punonj, këndonj, siç shkruheshin dikur, një mendim që ka qenë shprehur prej prof. Eqrem Çabejt që në Kongresin e Drejtshkrimit dhe është mbështetur më vonë edhe nga gjuhëtarë të tjerë. Që foljet e tipit përgatis të shkruhen me -s dhe jo me t. Që shumësi i emrit këmishë mund të bëhet këmisha, jo këmishë, që emri i qytetit Lushnjë mund të shkruhet Lushnje etj. Që ka diskutuar për mundësinë e heqjes së ë-së së patheksuar në disa raste të veçanta. Nuk dua ta lodh lexuesin me shembuj të tillë, por doja të tregoja se të kësaj natyre janë ndryshimet e propozuara për të cilat ende nuk është marrë ndonjë vendim. Këshilli nuk është marrë me çështje teorike të përgjithshme që lidhen me bazën dialektore të standardit, sepse këto i ka konsideruar të kapërcyera, por sigurisht nuk është një gjë e papritur dhe për t'u alarmuar që në një forum shkencor për gjuhën standarde të shtrohet problemi i paskajores së gegërishtes me punue dhe të diskutohet rreth saj. E rëndësishme është që ky problem të diskutohet në rrafsh shkencor, siç është diskutuar, pa ngarkesa emocionale e krahinore.

Pas kësaj paraqitjeje të përmbajtjes dhe të stilit të letrës dhe të punës së Këshillit, mund të shtrohet me të drejtë pyetja: Cila është rrezikshmëria e këtij Këshilli? Cili është qëllimi i akuzës? Më vjen vërtet keq të pohoj për kolegët e nderuar, por mënyra se si i kanë shtruar e paraqitur gjërat duket se ka një dëshirë për protagonizëm të panevojshëm, për t'u vetëshpallur flamurtarë të shpëtimit të gjuhës standarde të shpëtuar. Dhe për këtë kërkojnë ndihmën e Kryeministrit, një qëndrim i padenjë për ta dhe një fyerje për autoritetin dhe inteligjencën e Kryeministrit.

Nëse do të duhej të përmblidhja me pak fjalë përmbajtjen e letrës dhe vlerësimin për të, do të shprehesha si më poshtë:

"¢ Një shqetësim i drejtë për një përkujdesje më të madhe për të mbështetur zbatimin dhe funksionimin e gjuhës standarde.

"¢ Një leksion i dobët për një çështje të madhe, siç është gjuha standarde dhe Kongresi i Drejtshkrimit.

"¢ Një paraqitje e zymtë e gjendjes së funksionimit të gjuhës standarde sot, pa dhënë asnjë rrugëzgjidhje për të dalë nga kjo gjendje.

"¢ Një akuzë pa asnjë argument kundër Akademisë së Shkencave se nuk po mbron gjuhën standarde, por "është bërë bashkëpunuese në goditjen kundër institucionit të shenjtë të gjuhës së kombit".

"¢ Një akuzë e rëndë e paragjykuar kundër Këshillit Ndërakademik dhe pa njohje të punës së tij dhe të mënyrës së funksionimit të tij.

"¢ Një letër, përmbajtja dhe fryma e së cilës përshkohet nga mendësia tashmë e kapërcyer se çështjet e gjuhës mund të zgjidhen nga Njëshi dhe me rrugë administrative, jo nga institute të specializuara, jo me debate e diskutime shkencore, por me ndërhyrje nga lart.

"¢ Më në fund, një letër e shkruar me gjuhë dhe stil të politikës së ditës që ndjell dhe mund të sjellë një debat a reagim në një drejtim të padobishëm dhe të padëshiruar.

"¢ Historia ka dëshmuar se problemet e mëdha të gjuhës dhe të kulturës kombëtare, siç është problemi i alfabetit të përbashkët, problemi i gjuhës së njësuar kombëtare janë zgjidhur dhe zgjidhen me urtësi dhe mençuri, me mirëkuptim dhe marrëveshje. Kështu kanë arritur njerëzit tanë të mëdhenj, të bëjnë Kongresin e Manastirit, Komisinë Letrare në Shkodër, Kongresin e Drejtshkrimit dhe Konsultën Gjuhësore të Prishtinës. Jo me përplasje të stisura. Kjo është rruga e njerëzve të dijes. Është mirë që në këtë rrugë të ecim.
Prof. SEIT MANSAKU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RRUGËTIM I GJUHËS GJERMANE NËPËR SHQIPËRINga: Prof. Dr. BRIKENA KADZADEJ-ZAVALANI, drejtuese e Departamentit të Gjermanishtes, në Universitetin e Tiranës (05.08.2014)
FEHMI AGANI - THEMELUES I STUDIMEVE SOCIOLOGJIKE NË PRISHTINËNga Prof. Dr. AGIM HYSENI (05.06.2014)
Radio Evropa e Lirë, VALDET AVDIU - TEATRI KOMBËTAR I KOSOVËS, SI STACION TRENI I BRAKTISUR (Intervistë) (05.06.2014)
Ç’PO PRODHOJNË SHKOLLAT TONANga ERION KRISTO (05.05.2014)
E shkruar para 36 vjeteshME SINQERITETPoezi nga ZEQIR LUSHAJ (05.04.2014)
DJALI DHE TIGRINga GENTIANA ZAGORIDHA (05.03.2014)
BRUKSELI NDERON ISH KOMANDANTIN MUHARREM BAJRAKTARICeremoni zyrtare në komunën Skarbek të Brukselit për ish-funksionarin e lartë të Mbretërisë, në 25-vjetorin e vdekjes. Kreu i PLL Sulejman Gjana dhe kryekomunari belg zbulojnë pllakën (05.01.2014)
“ITAKA” E ALI AHMETITNga RAMIZ LUSHAJ (05.01.2014)
NJOFTIM - KËRKESËPër pasurimin e Bibliotekës “San Nilo”, Grottaferrata-Romë (04.30.2014)
INFORMACION PËRKITAZI ME WEB-FAQEN E SHSHASHS-së (04.30.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]