VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - JEHONA QË PO I BËN QEVERIA JONË ENVER HOXHËS, TË NGJALL KRUPËNNga NDRIÇIM MEHMETI

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 10:38pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
JEHONA QË PO I BËN QEVERIA JONË ENVER HOXHËS, TË NGJALL KRUPËN
Nga NDRIÇIM MEHMETI

E Enjte, 09.25.2014, 07:27am (GMT+1)


Debati diku i shpeshtë e diku i harruar i rishkrimit të historisë, ka fi lluar e vijuar në Shqipëri, sa herë që një shkëndijë e vetme ndizte gjakrat mes palëve, në mënyrë të veçantë për Luftën e Dytë Botërore dhe periudhën e Zogut. Në 70- vjetorin e Çlirimit, fokusi i debatit filloi të rimarrin edhe njëherë në shqyrtim; Zogun dhe Hoxhën, luftën dhe periudhën pas 1945. Një tjetër shtysë për debatin ishte lajmi i marrë vesh andej-këtej për ngritjen e një komisioni që do të rishqyrtonte të gjitha tekstet e historisë në arsimin parauniversitar. Profesoreshë Ana Lalaj, e më pas zëra të tjerë, një pjesë më të hapët e disa më të ndrojtur, filluan të japin mendimet e tyre për historinë, si dhe në ç'mënyrë rishkruhet etj. I gjithë debati, argumentet e kundërargumentet do të rridhnin në shtratin e tyre, edhe pse mund të qëndronin ngushtë e të rrezikonin ta nxirrnin nga binarët, për sa kohë politika dhe qeveria në veçanti, nuk do të shfaqej me arrogancë e prepotencë të panjohur në këtë çështje.

Zjarrit që sapo fillon të ndizet, diku edhe pa qenë nevoja, në Shqipëri si zakonisht i hidhet benzinë e jo ujë. Në fillimet e debatit për rishikimin e historisë, festimet në muajin maj të këtij viti, në qytetin e Beratit, përkujtimi i Kongresit të Përmetit, me fotot e Enver Hoxhës dhe duartrokitjet që të kujtonin një kohë të errët shkelën tërësisht mbi të gjitha parimet shkencore të të bërit, rishikuarit, rishkruarit apo gjykimit të ftohët të historisë.

Duke filluar nga kryetari i Parlamentit shqiptar e deri te ministra të rëndësishëm të qeverisë e madje, edhe te "ushtarët e vegjël" të perandorisë, kryetarët e bashkive, mburreshin se kishin përkujtuar dëshmorët. Nderimet për figurën e Enverit u quajtën spontane. Përdorimi i fëmijëve ishte një foto e bërë rastësisht e gabimisht. Kishte edhe ministra "naivë", që duke luajtur rolin e "shejtan-budallait", u shprehën se "ata bënë nderime te lapidari, por nuk e panë foton e Enverit". Meqenëse pas majit ngjarjet politike, provimet e maturës, mbyllja e universiteteve private nuk la shumë kohë për këtë debat. Në një shkrim të mëparshëm kisha paralajmëruar se shtatori do të na risillte "në kohën e nëntorit të festave dhe të partisë". Skena e marshimeve me foton e Enver Hoxhës u shfaq më e plotë dhe shumë më e sinqertë në Gjirokastër. Pa u fshehur fare, qytetarë, politikanë, drejtues të pushtetit vendor, ish-president dhe ushtarakë e bij ushtarakësh që Enveri u kishte rënë në kokë para dhe pas lufte, krekoseshin në tribuna dhe tavolina me fotot e Enverit përballë. Deputetët e ulur në karrige të rehatshme, në krye të popullit, të cilët bënin sikur s'dëgjonin e s'shikonin se çfarë ndodhte, një Perëndi e di, si i mbante vendi. Po s'kishin ç'të bënin. Edhe pse dëshironin t'i bashkoheshin turmës së ekzaltuar pa masë, shefi i tyre u kishte dhënë porosi të qartë: Rrini, shikoni, hani, pini e dëgjoni, për të tjerat flas unë. Dhe i madhi foli. Foli dhe na la me gojë hapur të gjithëve. Me një qetësi të habitshme, njeriu që i binte me grushte tavolinës, duke i sharë kë i dilte përpara, të tij dhe kundërshtarë, apo që tallej me zë të lartë me perëndimorët që ishin të lodhur, i preu drutë shkurt: "E ç'ë pastaj se ishin deputetët? Duartrokitën? Thanë gjë? E pse duhet të keni frikë Enverin?".

Më i qartë dhe i saktë nuk bëhet. Ne morëm vesh një gjë të saktë, që ndoshta e kishim harruar: Enveri nuk është më gjallë dhe nuk duhet ta ketë frikë kush? Kjo është për të thënë shyqyr. Tani ndihemi më të lehtësuar. Kështu që o burra kush ka mall për Enver, të dalë, të çirret sa të dojë, të kërcejë pogonishten dhe napolonin, por Enverin s'e ngjallin dot. Atëherë përse shqetësohemi kot?! Ja, doni ju që edhe palës tjetër t'ia bëjmë qejfin? Ja bëjmë. Vendosim fotot e 40 shenjtorëve në bulevard dhe e kemi mirë me të dy palët: Revoltës së atyre që kanë hequr picirin me komunizmin i përgjigjemi me shprehjen e kryeparlamentarit Meta "Hë mo se shkaka bëmë"; ndërsa veteranëve u themi, "shenjtorët i kemi sa të gënjejmë Papën". Ikën Papa, kemi prapë festën e çlirimit të Delvinës, Sarandës e shumë qyteteve të tjera, kështu që fotot mbajini pastër, shamitë e kuqe mos i nxirrni në diell se humbasin ngjyrën dhe o burra gati si dikur, "Nga lufta po vijmë në luftë po shkojmë", ose më mirë akoma, "të kalojmë nga fitorja në fitore".

Papën e presim e i bëjmë qejfin si mik, ama ju që ju kemi çdo ditë do t'ju nanurisim sa herë të keni nevojë. Edhe sheshin e kthejmë në identitet e i themi Papës se ne jo vetëm të presim, por edhe sheshin ta bëjmë të të duket vetja si në Vatikan. Paçka se ndërtesa në të majtë të vendit ku do të mbahet mesha, nga restaurimi ka nxjerrë një pllakë, që nuk le vend për shumë koment. Në këtë pllakë shkruhet "Më 11 janar 1946 Asambleja Kushtetuese e mbledhur në këtë ndërtesë, duke zbatuar mësimet e Partisë dhe duke vënë në jetë vullnetin e popullit, shpalli Republikën Popullore të Shqipërisë". Mësimet e Partisë Komuniste dhe vullneti i popullit i bashkohen simbolikisht Papës dhe fjalimit të tij për një Shqipëri të begatë. A ka ndonjëri idenë që të dyja nuk shkojnë? E pse nuk shkojnë? Kush ka thënë ndonjë fjalë ndjese për ata që u martirizuan? Përkundrazi, disa nga persekutorët mburren me të madhe për atë që i kanë bërë klerit katolik. T'ia mbajë ndonjërit të fajësojë Enverin. Jo thonë, komunistët. Kjo ngjan me shprehjen e njohur, "që nuk e ka fajin individi, sistemi". Ama për priftin e vrarë në Shkodër në 1927, mediat tërësisht të "pavarura" deklarojnë se këtë e vrau Zogu. Pra 1, 2 apo tri vrasje janë të barabarta me 37 apo edhe më shumë. Kështu që në pikëpamje historike ne vëmë shenjën e barazimit, sado e vogël apo e madhe të ketë qenë përmasa e krimit, pasojat që lë në shoqëri etj. A e akuzojmë ne Zogun për vrasjen e B. Currit, L. Gurakuqit, H. Prishtinës? Edhe Enveri, të njëjtën gjë ka bërë. Për shembull janë vrarë 37 intelektualë në ditën e çlirimit të Tiranës. Më pas grupi i deputetëve, së bashku me kunatin e tij. E pastaj, grupi i ambasadës sovjetike. Pra, përsëri barazim del.

Edhe po të llogarisim Mustafa Gjinishin, Qemal Stafën, Nako Spirun, Dali Ndreun, Liri Gegën, prapë njëlloj del llogaria. Lënia mënjanë e Spiro Moisiut, internimi i Malëshovës, denigrimi i Belishovës, prapë nuk ka problem.

Po mirë xhanëm, le të bëjmë një pyetje të thjeshtë: Meqenëse disa ankohen se po kujtohet lufta dhe nuk kujtohet sipas tyre komandanti i luftës, Hoxha (që në fakt është i vetmi i vetëquajtur komandant, që s'ka marrë pjesë në asnjë betejë), po gjeneralët, madje edhe ushtarët më të thjeshtë që luftuan në terren nuk meritojnë të kujtohen? Kush do të vendosë një tufë me lule në varrin e tjetërsuar disa herë të Gjinishit? Kush do të kujtohet të gjejë eshtrat e Dali Ndreut, Liri Gegës e fëmijës së tyre që nuk e pa dritën e diellit? Përse lufta identifikohet vetëm me partizanët dhe harrohen për kontributin e tyre qoftë edhe modest Bajraktari, Kupi, Kryeziu e të tjerë? Ku ishte gjeneral Parllaku dhe të tjerë që i mbijetuan luftës kundër nazi-fashizmit dhe luftës brenda llojit në sistemin komunist? Ata që mburren se lufta i bashkoi shqiptarët, po i përçajnë në merr të këtij bashkimi. Po përse e gjithë kjo hipokrizi?

Sepse për fat të keq, instikti, e kaluara dhe dëshira për pushtet zëvendësojnë arsyen e fortë. Sinjalet e dhëna në Berat, e Tiranë për rikthimin dhe rehabilitimin e Hoxhës kulmuan në Gjirokastër, me bekimin e plotë të qeverisë. Kjo e vërtetë nuk fshihet dot, as pas fjalëve të kryeministrit e as nga heshtja e mungesa e duartrokitjeve të deputetëve.
Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe në tërësi e majta në Shqipëri përpiqet ta quajë domen të vetin të gjithë grupimin e veteranëve të atyre që luftuan për çlirimin e vendit. Kjo është vetëm një fasadë, ose e thënë më troç një gënjeshtër, që i pëlqen ta quajnë të vërtetë kësaj aleance politike. Është fare e thjeshtë. Ata dëshirojnë që të hedhin rrënjë e të mos shkulen te ky grupim dhe pasardhësit e tyre. Elektorati i qëndrueshëm janë pikërisht këta. Prandaj të "majtës progresiste" nuk është se i bëhet shumë vonë për ndjenjat e veteranëve, por për votat që ata kanë. Ndryshe nuk shpjegohet fakti që e matja kaq e ndjeshme ndaj luftës i la dhe vazhdon t'i lërë në pikë të hallit varrezat e dëshmorëve në rrethe dhe ato në Tiranë. Lapidarët ku përkulen me aq mallëngjim e nderim ministrat me shall të kuq janë rrjepur "sikur i ka ngrënë qeni" dhe ashtu do të rrinë për një kohë të gjatë. Nëse këta do të ishin mirënjohës të mëdhenj të Luftës Çlirimtare, nuk do t'i jepnin me Vendim të Këshillit të Ministrave më shumë fond Kryeministrisë sesa Varrezave të "Dëshmorëve të Kombit".

E pra, respekti nuk është një gjë që blihet, matet e peshohet. Ai fitohet në respekt të asaj që bën, pa i ndarë njerëzit në të tutë e në të mitë. Në fund të fundit lufta e popullit tonë për çlirim kombëtar i kishte rrënjët e veta te bashkimi në Pezë, nën moton "Luftë kundër okupatorit pa dallim feje, krahine ideje dhe bindje politike".

Për aq kohë sa kjo luftë i qëndroi këtij parimi, padyshim respektohet. Për aq sa ajo ndoqi parimin eliminimit dhe përjashtimit të kundërshtarit politik, ajo gjykohet si e dëmshme për kauzën e përbashkët dhe dënohet, si në çdo vend. Për aq kohë sa elementë apo grupime të ndryshme politike ose ushtarake vërtetohen me fakte historike se bashkëpunuan me armikun, dënohen sipas praktikave ndërkombëtare. Të gjitha këto nuk bëhen as me VKM, as me brohoritje e histerizëm, por me gjakftohtësi dhe studime që orientohen prej standardeve të njohura botërore.

Për sa kohë politikanëve, që u është mbushur mendja se do të shkëlqejnë edhe në histori, krekosen si gjeladuc, me pupla të rëna, se ata i vënë vulën çdo gjëje, nga Berati në Gjirokastër e nga Konispoli në Skrapar, jehona e Enver Hoxhës do të ngjallë krupën e të vjetërve dhe të rinjve. Ndërsa sa për frikën, atë e hoqën ata që vërshuan nga 'Qyteti Studenti', në rrugët e Tiranës, në dhjetor të 1990.

NDRIÇIM MEHMETI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHQIPËRIA HUMB NË NJË DITË TË MËDHENJTË: Dr. YMER DISHNICËN DHE Dr. LAZËR RADIN (09.24.2014)
AGIM RADA - AUTOR I VEPRAVE MË TË NJOHURA SHQIPTARENga KLUADIA MALAJ (09.23.2014)
VIZITA E PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI - MESAZH PËR INTEGRIMIN E KOMBIT SHQIPTAR DREJT PERËNDIMIT!Nga ASLLAN DIBRANI (09.22.2014)
JA KOMISIONI I CILI DO TË RISHKRUAJË HISTORINË E SHQIPËRISË (09.22.2014)
SHQIPTARËT - 39 KRYEMINISTRA NË STAMBOLL DHE SHTATË PAPË NË VATIKANDossier nga HARALLAMB KOTA, studiues (09.20.2014)
ENVERI VDIQ, KUJDES METASTAZAT E TIJ!Nga MARJANA BULKU, New York (09.19.2014)
WAITING FOR THE POPE - EMOCIONE NË KATEDRALEN SHËN PALI NË TIRANË (09.19.2014)
PAS 50 VITESH, ME PEDAGOGJIKASIT E SHKODRËSNga FRROK VUKAJ, Pedagog, studiues - Tiranë (09.17.2014)
ANGAZHIM PËR DIALOG NDËRFETAR - NË PRAG TË VIZITËS SË PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI (09.16.2014)
IKJA DHE KTHIMI PAS 100 VITESH I MBRETIT WILHELM WIEDINga PËRPARIM KABO (09.15.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]