VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - VISARET E KOMBIT. VËLLIMI II. KÂNGË KRESHNIKËSH DHE LEGENDA. TIRANË. 1937.Parathânje prej AT BERNARDIN PALAJ O.F.M., AT DONAT KURTI O.F.M.

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 04:29pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

VISARET E KOMBIT. VËLLIMI II. KÂNGË KRESHNIKËSH DHE LEGENDA. TIRANË. 1937.

Parathânje prej AT BERNARDIN PALAJ O.F.M., AT DONAT KURTI O.F.M.


E Enjte, 08.05.2010, 05:45pm (GMT+1)

...prrallat, legendat, rapsodijat kanë nji rândsí të madhe në zhvillimin e historís e të kulturës s' popujve, e se prandej ato duhen mbledhë e ruejtë me kujdes të madh, si njani ndër mâ të çmueshmet visare kombtare...

I njoftuni shkrimtár kroat, Stanko Vraz, per "kryefjalë" të veprës së vet letrare, e cila ishte e ndertueme mbi folklorë, pat marrë fjalën: Iz naroda za narod prej kombit për kómb. E me shum arsye; pse folklora, posë se âsht pasqyra në të cilën sqyrtohet mâ s' miri psiha kombtare e âsht lulishta prej së cilës mund të zgjidhen lulet mâ të bukura të gjuhës e të literatyrës, âsht edhè monumenti në të cilin dallohet historija e njij kombi, si e pohon edhe Max Mueller, i cili thotë: "prrallat e legendat popullore sod me sod zanë vendin e parë në studijim të kohve të kalueme të racës së njeriut." Si âsht e nevojshme, pra, historija e literatyra për zhvillimin të jetës së njij kombi kshu âsht nevojë e domosdoshme, me u mbledhë e me u ruejtë folklora e çdo populli.

***

Levizja dijtunore mbi rapsodí, legenda, prralla popullore filloi mâ s'pari në vjetin 1816, kúr vllazent Grimm botuen Kinder und Hausmaerchen, me të cilen veper kta mâ të parët zbuluen randsín e natyren e ktyne kangve e të prrallave, qi déri m' at kohë kjén mbajtë per "dokra hînit" 1, edhe u çilën shtiqe të reja kerkesave të dijetarvet. Prej vjetit 1841 e tejktej, me qinda e qinda u mblodhën e u botuen Maerchen në Germaní. Folk-Tales n'Angli, Folventyr në Norvegí, Skazkas në Rusí, Paramythja në Greqí, Fiabe n'Italí, Contes në Francë, Cuentos e Contes në gadishullin hiberik, e për ket qëllim u bân kërkesa të gjata e të vshtira jo vetëm ndër të gjitha viset Europës,po thue, por edhè n'Azi, n'Afrikë e ndër mâ të kthelltat e të rryeshmet krahina t'Amerikës. E kshu na sod mund të njofim folklorën e popujve latin, german, slav, arabë, hindjan, japonez, kinez, etj. etj.

Prej vepre së palodhshme e kujdesi të padám, qime mbledhë kângët, prrallat e gojdhanën popullore, dijetarët e pán nevojën, me u marrë vesht ndërmjet vedit, edhe për ket qellim u themeluen shum shoqní. Në vjetin 1878 në London kje themelue nji "Folk-Lore Society", për me studjue prrallat, kângët, legendat, fjalët e lashta, lojët e doket popullore; në Lund të Svecjes nji "Shoqní folklorike smoelandeze", në Spanjë "Societad de Folk-Lore Espanol" (1882), n'Italí "Societa per lo studio delle tradizioni popolari" (1884). Mâ tepër u themeluen shum e shum të përkohshme e fletore për studijim të ktyne gojdhanave popullore. N'Anglí, Folk-Lore Record, The Folk-Lore Journal, Publications of the Malalgasy Folk-Tales Society, The Punjab Notes and Queires; në Svecje, Nyare Bitrag till Kaenedon om de Svenska Landsmalen ock Svenskt Folklif, në Spanjë, El Folk-Lore andaluz, El Folk-Lore betico-extremone, Boletin folk-lorico espanol, në Napoli, G.B. Basile, në Palermo, Archivio per lo studio delle tradizioni popolari; në Paris e përkohshmja Mélusine. E numri i ktyne fletoreve ditë për ditë shkon tue u shtue, e dijetarët fort e mâ fort marrin e apin me shoqishojin, për zhdrivillim të ksaj dijtunije së re, e cila prej të gjithve quhet me fjalë inglize Folk-Lore 2.

Puna qi habiti botën dijetare mbarë, kjo, se nepër botim të vllazënve Grimm u pá, qi katundarja e Niederzwehrn kallxon po njato prralla qi kallxon lasja petkash në Palermo; se malsori i Shqipnís këndon njato kângë kreshnike si edhe bariu i Irlandës a bujku u Germanís; e se në nji largsí mija e mija kilometrash ndeshet njeriu në nji typ të vetun legendash e rapsodijash. Në Shqipní, po e zâmë, edhè sod, nën êmnin Katallâ, kallxohet prralla e Cyklopit krej njashtu si e kallxonte Homeri tri mijë vjet mâ para. Nji bubrrecë e vogël, kupace e e kuqe, me do cirka të zeza shpinës, të cilën na Shqiptarët e quejmë Mollë-kuqe, në sanskrit quhet Indragopa. Fjala gopa do me thânë barí lopësh (go lopë, pa me mprojtë), prandej Indragopa do me thânë bubrreca, qi ka Indren mâ të madhin zot të kohës vedike për mprojtës. Tash edhe ndër do popuj t' Evropës Mollë-kuqja âsht e kushtueshme ndonjij shejti a ndonjij tjetre fuqi qiellore. Në Germani quhet shpendi i Tënzot, mazi i Tënzot, kanxhi i Zojës Mrí, shpendi i qiellit. Në Sicilí e quejnë Santu Nicola; në Toskanë, lucia; në Piemonte, pulë e Shën Mhillit. N'Anglí ku quhet shpendi i Zojës, lopa e Zojës, fmija, tue këndue, i thonë me hikë, pse shpija e saj âsht tue u djegë:

Cow-lady, Cow-lady, fly away home,

Yor house is all burnt, and your children are gone.

Francezët e quejnë bête au bon Dieu, edhè fmija i kndojnë:

Petitange, vol, vole,

Si le bon Dieu m'aime, t'envolve;

S'il ne m'aime pas,

Ne t' envolve pas.

Në Germaní e në Skandinaví mbahet se mollë-kuqja âsht lajmtarja e martesës, e prandej populli i kndon:

Lajmtarja e Virgjines Mrí

Flutro kah lén dielli,

Flutro kah prendon dielli,

Flutro atjè ku rri dashnija e ême.

Por edhè ne Shqipní ajo merret si lajmtare martese, pse fmija i kndojnë kshtu:

Molla-kuqe, pipiruqe,

Kah shkosh, u fejosh;

Kah ardhsh, u martofsh.

Prej ktyne fjalve, pra shifet kjartas, se gojdhana ndaj Mollë-kuqen âsht gjithkund identike. Pse ndrrojnë fjalët, nuk do me thânë gjâ; motivi âsht nji ndër gjith popujt qi e kan ruejtë ket gojdhanë.

***

Kjo bashkní themesh e typesh, ky identitet prrallash ndër popuj aq larg njani prej tjetrit ka bâ dijetarët me mendue serjozisht përmbi burim e t'ardhun të ktyne popujve. Ku kanë lé? Kah kanë ardhë? Si janë shpërndá? Dyshime të rânda, qi kanë shkaktue studijime të kthella e theorí fort të mundshme e të ngatrueshme.

Ndër të gjitha theorít për rreth ktij fakti, na ktu duem me çekë vetëm dy mâ të përmendunat.

Mbas theorís së parë kto prralla e legenda janë të hershme fort e rrjedhin prej fiseve t' Arive, para se të dilshin prej maloreve t' Azis ndërmjet Oxus e Amon-Daria e Jaxartit. Tue kalue prej njij vendi në të tjetrin, kto fise nuk harruen legendat e prrallat e veta, edhe kshu e trashiguen brez mbas brezi në grup iranik e hindjan t' Azis, e në grup shqiptár, kelltik, etrusk, germanik, slav, grek e latin t' Europës,

Auktorët e parë të ksaj theorije janë vllazent Grimm, e Max Mueller kje njaj qi mâ s' forti i duel zot me shkrime të veta. E kanë përkrahë edhe dijetarë tjerë t' Europës e të Amerikës, si Cox, Dasseut, Fiske, Ralston, Fr. Baundry, Louis Bruyére, Andr. Levèfre, Z. Consiglieri-Pedroso, Braga, De-Gubernatis e shum tjerë.

E dyta theorí do me thânë, se prrallat e legendat u përhapen jo ndër kohë tepër të hershme e prehistorike, por ndër kohë të Hindís historike. Mbas mendimit të Beufey, qi pat përkthye germanisht Pantschatantren, e dijetarit Koehier të përhapunt e prrallavet kah Prendimi filloi sidomos, mbasi muhamedanët nisen me njoftë mâ për s'afermi Hindín. Duen me thânë pra mprojtsit e ksaj theorije, se identiteti i themës së prrallave e të legendave ndër popuj të largët njani prej tjetrit nuk rrjedhë prej identitetit të fisit të tyne, por prej njij typi të përbashkët të kulturës hindjane, përhapë n' Azí e n' Europë sidomos nëpër të përpjekuna, qi muhamedanët paten me vende të ktyne krahinave botnore.

Ksaj theorije i kanë dalë zot dijetarë të përmendun, si Liebrecht, Vahrmagen, Gustav Meyer, Cosquin, Puymaigre, Coelho, D' Ancona, Comparetti etj. etj.

Sa për vedi na sod për sod nuk duem me i vû dorë as njanës as tjetrës theorí; vetëm na duket se kjo e dyta mbahet mjaft në spilca3. E njimend, kush mund të besojë ashtu lehtas, se popujt e Europës, mos tjetër, tue u gjetë gjithmonë në luftë me muhamendanët t' Azís, të kén marrë prrallat e legendat e ktyne e jo veç marrë, por mâ tepër bâ të vetat në mënyrë, qi nëpër to me u argtue në qetsí të votrës s' vet. Ndër të cilat shtëpija a shkolla franceze kallxohet sod prralla a legenda germana?...

Sido qi të jét puna, e vërteta âsht, qi, si thám në fillim, prrallat, legendat, rapsodijat kanë nji rândsí të madhe në zhvillimin e historís e të kulturës s' popujve, e se prandej ato duhen mbledhë e ruejtë me kujdes të madh, si njani ndër mâ të çmueshmet visare kombtare.

Hymje

Kângët e vjetra, qi njifen prej macorvet nën êmnin "kângë kreshnikësh, kângë të moçme, kângë lahute" janë visari mâ i çmueshmi i gjuhës, shprehja mâ e gjalla e shum ndiesive bujare e përfytyrimi typik i fizjonomís së kombi t'onë.

Populli këndon. Në nji mumër të panjehun kângësh, përcjellë gojë në gojë gjatë shekujve, populli ká ruejtë gjymtyrët e njij eposi të vërtetë, qi ka për protagonist Gjeto Basho Mujin, nji kreshnik të fuqishëm, të pathyeshëm e të pavdekshëm.

Kângët, qi sillen rreth ktij kreshniku e rreth shokve të tij, nuk kendohen gjithkund; por kemi me i ndie posaçe në Malcí të Madhe, në Dukagjin, në Kosovë, në Pukë, në Dibër, në Larje e në Shestan.

Mbas njij shqyrtimi të kujdesëshëm vêhet ré, se ndër kto kângë mshehet ndiesija për pamvarsí, pse gjithkund del në shesh lufta e fisevet shqiptare të blokut Mal i zí Shqipní kundra Slavit, qi tue kapërcyem Danubin, msyn qëndrën e ktyne fiseve: Jutbinën.

Kúr sigurisht nuk këndohet myslimanizmi si në luftë me kristjanizëm; por këndohet fuqija e njij rrace rreth njeriu, qi ká punë me zàna shqiptare, kundra fiseve slave, qi duen me i dërmue trojet e tija; kështu qi mbas shpirtit t'edave shqiptarë âsht përsonifikimi i luftës ndërmjet rracash.

Shka veç se këto kângë këndohen edhe në Bosnje e në Hercegovinë për rreth të njajtës qëndër, për rreth Jutbinës.

Fakti se "kângët e kreshnikvet" këndohen vetëm ndër boshnjakë e hercegovinas, ndër malazez, qi janë Shqiptarët e djeshëm e ndër Shqiptarë të veriut, âsht mjaft symptomatik; por nuk do ngutë në përfundim. Mbas mendimit t'onë kësaj çashtjeje ká me mujtë me i u përgjegjë si të studjohet mirë ethnografija e këtyrne fiseve, sigurisht mâ të mbrâmet m'u slavizue4.

A mos kemi punë me nj qërthull (cikël) kângësh për rreth ndoi Trojës së rrênueme gjatë inondatave slave, qi edhe mbas metamorfozës së fiseve ilirjane në slavizëm kanë ruejtë, sikurse ndër sá e sá doke, kujtimet e asaj kohe kreshnike?

Sigurisht êmnat myslymanë, qi ndeshim ndër kângë nuk kan aspak rândsí, pse kemi rapsodí italo-shqiptare, bilé të thuesh indogermane, si b.f. balatën e famshme të Buerger-it "Lenoralie", qi këndohet jo mâ nën êmnin e Konstantinit të vogël si ndër Italo-shqiptarë,por nën êmnin e Halil Garriut.

Këso tregimesh kishin me muejtë me paraqitë me shumicë5.

Ndër motërzime të shumta, qi kemi për doresh, e shofim kjartë, se ç'rândsi do t'u epet êmnave e të shprehunave myslimane: ato ndrrojnë si mbas vendit ku këndohen, si mbas personës, qi i këndon e si mbas kohës. Sá mâ afër nesh, aq mâ êmna të rij pashallarësh e agësh, e prá argumenti âsht i njijshëm me kângët mâ të hershmet6.

Drejtime mâ të sigurta mund të marrim prej êmnave të herojvet dhe të vendevet, qi njihen aty-këtu ndër këto kângë, Gjeto Basho Muji, Zuku, Basho Jona, Balozi, Behuri, Hasapi, Budi i Talit, Ajkuna, Rushja, Tanusha, Paji, Frashi i Marjanit, Gavrrí, Kreshti, Ager Isvanò-i, Kotuzi, Galâni, Patusha etj. Kotorri, Lugjet e Verdha, Kunora e Bjeshkës, Tuna, Jutbina, Krahina, Budina, Zahara, Bjeshka e Thát etj. Këta po na bâjnë me mendue për nji kohë ilirjane në luftë me inondata slave.

Shpirti i rapsodive âsht fjesht shqiptár, pse paraqet kjartë të gjitha karakteristikat e Shqiptarit e vetëm të Shqiptarit: besa e zânavet, e orvet dhe e kreshnikvet; burrnija e trimnija e tyne edhe me anmiq: me slavë; bestytnít e popullit t'onë, doket, miku, dashtnija e ndera e familjes, trminija e ndera e gravet etj: shprehen ndër kângë në mënyrë të gjallë, e janë ngjyrat e ndryshme, me të cillat rapsodët e maleve t'ona paraqesin fytyrat e herojve në ket duel.

1Punë kote.

2Luigi Morandi, Antologia della nostra critica letteraria moderna, f. 53.

3Âsht mjaft e dyshimtë.

4Vre mbí ket çâshtje "Hylli i Dritës" Vj. V. 1924 fq. 477.

5Ibidem fq. 474 e "Skanderbegu mbas gojdhanash" Shkodër 1926 fq. 226 e v.

6Vre nji ndër sá tjera "Siran Aga".

AT BERNARDIN PALAJ O.F.M., AT DONAT KURTI O.F.M.


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FAMILJA E NËNË TEREZËS KA JETUAR EDHE NË SHKODËR (08.05.2010)
VERIU NË FOKUS (08.04.2010)
NJË VËSHTRIM MBI VEPRËN LETRARE TË SHKRIMTARIT TË SHQUAR GJATË REGJIMIT KOMUNISTNga FATMIR TERZIU (08.04.2010)
MASAKRA E TIVARIT NË KUJTESËN E DISA OPOJARËVENga NUREDIN AHMETI, Instituti Albanologjik i Prishtinës (08.04.2010)
FESTA E 2 GUSHTIT, ANASHKALOHEN SHQIPTARËT (08.02.2010)
FESTIVALI I FILMIT NË PRIZREN NDERON BEKIM FEHMIUN (07.31.2010)
FUNDI I MASHTRIMEVE PËR VRASJEN DHE RIVRASJEN E RAMIZE GJEBRESËNga FAHRI BALLIU (07.31.2010)
FAMILJA DHE JETANjë evokim nga ENO KOÇO (07.30.2010)
NJË SHTATORE PËR TEF PALUSHINNga LUAN LAZE (07.29.2010)
RETROSPEKTIVË: IBRAHIM RUGOVA, NJË NJERI QË DO T'I MUNGOJË KOSOVËSNga BERNARD KOUCHNER (07.28.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]