VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DROGBA I DEMORALIZUAR: "E VËSHTIRË TË ARRIHET JUNAITID"

                                                                                      

E Shtunë, 05.18.2024, 06:40pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SPORT
 
DROGBA I DEMORALIZUAR: "E VËSHTIRË TË ARRIHET JUNAITID"
E Enjte, 02.10.2011, 12:10pm (GMT+1)

Sipas sulmuesit të Chelsit humbja kundër Liverpulit "i ka prerë këmbët" bluve, që janë 10 pikë prapa kryesuesve

Londër (Britani e Madhe)- Qarkullon një ajër i keq përreth Chelsit. Ai që e ka shprehur këtë është Didier Drogba, sipas të cilit humbja kundër Liverpulit "i ka prerë këmbët" bluve në garën për të arritur kryesuesit e Manchester Junaitid, me të cilët ekziston një diferencë prej 10 pikësh. "Pozicioni jonë në kampionat është i ngjashëm me atë të sezonit të shkuar, është shprehur sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, por mungesat dhe fakti që nuk jemi duke shënuar shumë gola kanë krijuar një klimë të keqe. Jam duke gjetur këtë situatë të vështirë jetese dhe kjo vlen për të gjithë pjesën tjetër të skuadrës dhe për Karlo Ançelotin, që nuk ka qenë aspak i lumtur në këto javët e fundit. Jemi duke vuajtur, sepse nuk jemi mësuar të humbasim ndeshje". Përpara batutës në lidhje me humbjen shtëpiake kundër Liverpulit të dielën e shkuar, Chelsi duket se ishte ringritur, falë edhe tre fitoreve radhazi që kishte kryer skuadra e drejtuar nga italiani Karlo Ançeloti. Por goli i shënuar nga Raul Meireles ka bërë që të rrëzohen përsëri psikologjikisht blutë në një "blue mood", për ta thënë sipas mënyrës angleze. "Kishim filluar të shikonim dritë në fund të tunelit, ka konfirmuar Drogba, por kjo humbje e fundit na ka prerë këmbët dhe ka vendosur në rrezik akoma më shumë shanset tona për të triumfuar në fund të sezonit në Premier Ligë. Mendoj se, është e vështirë në këtë pikë të arrijmë Manchester Junaitid që kryeson me meritë kampionatin".

Hipoteza Marsejë

Kështu pra, bomberi është "i zi" nga çdo këndvështrim dhe as mbërritja e Fernando Torresit për shifrën e 50 milionë stërlinave (shifër që është gjykuar si e çmendur nga drejtori sportiv i Barcelonës, Raul Sanllehi) nuk shërben për t'i sjellë disi optimizëm. "Fernando është një lojtar shumë i talentuar dhe i rëndësishëm për skuadrën tonë, por për të, të dielën ishte shumë e vështirë nga pikëpamja emocionale, sepse luante kundër ish-skuadrës së tij". Dhe përsa i përket ishëve, edhe Drogba mund të gjendet shumë shpejt përballë mundësisë për të bërë llogaritë me të shkuarën e tij. Nëse lexon atë që shkruan 'Daily Expres', Olimpik Marseja është duke kryer të pamundurën për të pasur në dispozicion një ofertë prej 5 milionë stërlinash në vit për sulmuesin e fortë afrikan, që nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën e tij për t'u rikthyer të luajë në stadiumin mitik Velodrome. Por siç shikohet problemi më i madh është pagesa e sulmuesit: Drogba, që ka ende edhe një sezon kontratë me Chelsin, përfiton 120 mijë stërlina në javë tek blutë dhe Marseja është gati t'i ofrojë një kontratë dyvjeçare, por vetëm nëse sulmuesi do të reduktojë disi pagën që përfiton në këtë moment.

Torres: "Tek Liverpuli isha i trishtuar"

Dhe duke qëndruar gjithmonë në temën e ish-lojtarëve dhe rikthimeve, nga momenti kur është larguar nga 'Anfield Road' duket se Torres nuk pushon asnjëherë së foluri për të folur rreth të shkuarës së tij me dëshirën për të mos zhgënjyer asnjë njeri, përballë rrezikut të madh që mund të mërziten të gjithë, tifozët e rinj dhe ato që e kanë mbështetur tek Liverpul. "Liverpuli do të jetë gjithmonë shumë special për mua. Duke parë historinë e tyre, është klubi më i madh në Angli, por është duke kaluar një moment shumë të vështirë. Kam kaluar tre vite fantastike në atë skuadër, por në këto gjashtë muajt e fundit kisha humbur lumturinë, dëshirën për të ëndërruar dhe për të pasur objektiva të rëndësishëm, për të shënuar sa më shumë gola". Pak ditë më parë, sulmuesi spanjoll kishte shprehur ekzaktësisht të kundërtën, duke vlerësuar madhështinë e Chelsit. Do të jetë kurioze të shikohet reagimi i tifozëve të Chelsit, është mbyllja provokative e artikullit në 'The Sun'. Por, Fernando Torres ka shkuar edhe më tej dhe, pasi është shprehur i sigurtë që "nëse nuk do të kishin qenë telekamerat, tifozët e Liverpulit nuk do ta kishin djegur asnjëherë fanelën time të Liverpulit", ka sulmuar edhe drejtuesit aktual të ish-skuadrës së tij. "Kam mësuar për interesimin e Chelsit në momentin që isha duke u stërvitur dhe kam folur me Semi Lee dhe Stiv Klark, por nuk kam vendosur aspak në atë moment. Sigurisht që, fakti që e shikoja gjithçka të zezë, që sezoni po shkonte gjithmonë e më keq, që pritshmëritë e mia ishin zhgënjyer dhe që kisha akoma edhe gjashtë muaj për të luajtur në atë situatë e ka bërë gjithçka shumë më të vështirë dhe të ndërlikuar. Dhe kur shikon që Chelsi të ka hapur dyert, të mbetet vetëm një opsion dhe e merr. E kam koshiencën e pastër, kam qenë shumë i ndershëm me Liverpulin, por të gjithë lajmet që janë duke qarkulluar këto ditë janë duke më shqetësuar, sepse e gjithë kjo çështje mund të menaxhohej në një tjetër mënyrë", ka përfunduar komentin e tij sulmuesi i kombëtares spanjolle kampion bote.

Alarmi Ibrahimoviç: "Jam i lodhur, nuk arrij të jap maksimumin"

Milano (Itali) - Nga grumbullimi i kombëtares suedeze Zlatan Ibrahimoviç ka lëshuar hapur alarmin: "Jam shumë i lodhur, është shprehur sulmuesi i Milanit. Dy ndeshjet e fundit nuk kam arritur të jap maksimumin tim". Por, sulmuesi suedez nuk është i vetmi lojtar kuqezi që i kanë mbaruar energjitë: "Jemi shumë në këtë situatë. Kemi pasur shumë dëmtime në skuadër, për këtë arsye duhet të jemi në çdo ndeshje në shërbim të skuadrës. Duhet të vazhdojmë të luajmë. Duhet të fitojmë dhe jemi paguar për të shkuar në çdo ndeshje në fushën e lojës. Tani na pret një periudhë shumë intensive përpara dhe duhet të jemi të gjithë gati". Ibrahimoviç më pas është shprehur edhe për momentin e skuadrës së tij dhe për garën rreth titullit kampion në Serinë A, ku Interi në javët e fundit është afruar ndjeshëm: "Ne jemi absolutisht, është shprehur ai për "Gazzetta dello Sport". Më pas është Interi dhe Roma. Juventusi është duke luftuar, por edhe Napoli dhe Lacio. Është kjo arsyeja që kampionati italian është i bukur dhe shumë tërheqës". Suedezi në fund të komentit të tij të shkurtër ka komentuar edhe mbërritjet e 'armikut' holandez Mark Van Bomel: "I kam thënë Galianit, më mirë ta kemi në skuadrën tonë sesa të jetë një kundërshtar".

Pirlo me Ançelotin tek Roma?

I impenjuar, siç po bëjnë edhe lojtarët e trajnerit të Milanit, për të mbajtur larg Interin që është afruar rrezikshëm, Adriano Galiani, nuk ka ndryshuar ide ndaj vendimit të lajmëruar për të diskutuar vetëm në muajt e pranverës rinovimet e kontratave të lojtarëve që janë në prag skadence. Një kategori ku hyjnë jo pak, por plot 9 lojtarë kuqezi: veteranë plot krenari si Andrea Pirlo, Ambrosini, Inzagi, Nesta dhe Sedorf, por edhe lojtarë të tjerë me emër jo kaq të rëndësishëm siç janë Roma, Jankulovski, Van Bomel dhe Legrotalje. Nga lista e senatorëve, situatën më të komplikuar sigurisht që e ka Andrea Pirlo, për faktin e thjeshtë që mesfushori fiton plot 5 milionë euro në sezon (dhe dy milionë të tjera bonuse për arritje dhe ndeshje) dhe duke parë moshën e tij, plot 31-vjeçar tashmë, mund të mbërrijë menjëherë një reduktim i pagës që përfiton, me Milanin që dëshiron të vazhdojë politikën e vendosur nga shoqëria për një shkurtim të madh të rrogave të lojtarëve të rëndësishëm në mënyrë që të përmbahen kostot e klubit kuqezi. Pirlo ka merkato pothuajse në çdo kampionat të madh europian, me skuadrat e mëdha të Spanjës dhe Anglisë (Manchester Siti në pole position) që janë të gatshme për t'i plotësuar kërkesat e lojtarit. Por, sipas asaj që shkruan 'Gazzetta dello Sport' ekziston edhe një pistë e re për të ardhmen e mesfushorit breshian. Në momentin kur pronarët e rinj të mundshëm të Romës, amerikanë, do të sillnin në krye të skuadrës Karlo Ançelotin, trajneri i ri verdhekuq do të kishte një kërkesë të parë të bukur dhe gati, të merrej menjëherë mesfushori kuqezi, me të cilin ka marrëdhënie të shkëlqyera, por nuk është as shumë i kushtueshëm, duke parë që mund të transferohet me parametër zero...

--

Talenti i madh argjentinas thotë se, pa trajnerin Guardiola dhe kontributin e shokëve nuk do të isha këtu

Mesi: "Unë si Di Stefano? Të mos e ekzagjerojmë"

Gjenevë (Zvicër)- Nuk ka ditë në të cilën nuk flitet për të. Edhe në ditët kur ai nuk është duke luajtur një ndeshje, e gjithë vëmendja është tek Lionel Mesi, futbollisti më i mirë në botë në këtë moment. Argjentinasi ka folur për mediat spanjolle pak orë përpara ndeshjes miqësore Portugali-Argjentinë që është luajtur të mërkurën në mbrëmje në Gjenevë. Sulmuesi argjentinas ndodhet i dyti në renditjen e golashënuesve në Primera Divizion me 24 gola një më pak se portugezi Kristiano Ronaldo i Real Madrid, por pavarësisht këtyre të dhënave 'Pleshti' nuk është aspak i shqetësuar: "Jam shumë i kënaqur që vazhdoj të shënoj shumë gola, por nuk jam i fiksuar për titullin e golashënuesit më të mirë. Gjithmonë jam shprehur se, suksesi i skuadrës është më i rëndësishëm se arritjet personale". Në këtë intervistë të dhënë për gazetën spanjolle 'El Mundo Deportivo', argjentinasi dy herë radhazi fitues i Topit të Artë, ka folur edhe për rekordin me 16 fitore radhazi që ka arritur Barcelona në kampionatin spanjoll: "Është një nder i madh për ne që kemi arritur të kalojmë Realin e Di Stefanos. Pavarësisht kësaj, unë them që duhet të ecim në këtë rrugë. Reali Madridit është një skuadër e fortë dhe duhet të vazhdojmë të luajmë fort për të arritur titullin. Nuk duhet të flemë me rekordet që kemi arritur dhe të shpërqendrohemi".

Elozhe për Guardiolën

Pas tripletës së argjentinasit kundër Atletiko Madridit në fundjavë, trajneri i Barcelonës Pep Guardiola është shprehur se, "pa Lionel Mesin nuk do të kishim arritur deri këtu". Me të njëjtën elegancë argjentinasi i ka kthyer komplimentin trajnerit të tij: "Është një kënaqësi shumë e madhe kur dëgjon të tilla fjalë vlerësuese. Por e vërteta është se edhe unë nuk do të arrija deri këtu pa Pep Guardiolën dhe shokët e mi të skuadrës. Kike Flores Sanches mendon se jam Di Stefano shekullit të XXI? Nuk më çudisin fjalët e tij, por mendoj se është ekzagjerim. Unë kam shumë për të bërë, duhet të rritem akoma më shumë si lojtar dhe të fitoj akoma më shumë siç ka bërë Di Stefano me Real Madridin. Unë nuk e kam parë kurrë të luajë, por di që është një prej lojtarëve më të mëdhenj i të gjithë kohërave".

Tripletat

Një ndër gjërat që ka surprizuar më shumë në fundjavën e shkuar në kampionatin spanjoll ka qenë edhe ai duel që Lionel Mesi kishte me mikun e tij Kun Aguerro që luan për Atletiko Madrid, ku në një moment të ndeshjes Topi i Artë 2010 ka kryer një sprint prej 50 metrash deri në mbrojtjen e Barcelonës për të rikuperuar topin. "Çdo lojtar ka një pozicion dhe funksion në fushën e lojës, por si skuadër që jemi, mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë bashkë", është shprehur Lionel Mesi, i cili mendon se, Barcelona i ka të gjitha mundësitë për të fituar të gjitha trofetë ku është ende në lojë në këtë sezon: "Është një objektiv që është ende larg për t'u arritur, por ne kemi shumë shanse për të realizuar në këtë sezon. Duhet të punojmë çdo ditë maksimalisht për të arritur atje ku duam. Është e vështirë të përsërisim suksesin e vitit 2009, por e vërteta është se kjo skuadër është në rrugën e duhur për të arritur këto suksese".

Guardiola zgjat kontratën deri në 2012

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka rinovuar kontratën e tij edhe me një vit tjetër, deri në 30 qershor 2012. Kjo është bërë e ditur nga klubi kampion i Spanjës në futboll, që saktësonte se firma me presidentin Sandro Rosell do të nënshkruhet në ditët e ardhshme. Zgjatja e kontratës së Guardiolës erdhi siç e kishte parashikuar shtypi sportiv katalanas, para ndeshjes për të 8-at e finaleve të Ligës së Kampioneve ndaj Arsenalit, programuar për t'u luajtur në Londër më 16 shkurt.

Karrager: "Dagllish ka meritën kryesore në fitoren ndaj Chelsit"

Liverpul (Angli)- Mbrojtësi dhe zëvendës kapiteni i Liverpulit, Xhimi Karrager, ka vlerësuar maksimalisht punën e shkëlqyer që ka kryer deri më tani trajneri Keni Dagllish me skuadrën e tij. Fitorja e të dielës së shkuar kundër Chelsit në Stemford Brixh ishte e katërta radhazi për Liverpulin, të cilët kanë plot pesë ndeshje pa pësuar asnjë humbje dhe tashmë Liverpuli ka arritur vendin e gjashtë në klasifikimin e Premier Ligës, duke lënë pas krahëve zonat e ulta të renditjes. "Keni Dagllish ka arritur të bashkojë klubin përsëri, është shprehur Karrager. Ne nuk kemi qenë në këtë formë në fillim të sezonit dhe ky ishte një fat i keq për ish-trajnerin Roi Hodgson. Por, Keni tani ka mbështetjen e tifozëve dhe ka ndryshuar shumë gjëra tani. Rekordi i tij si trajner është i mrekullueshëm. Deri më tani, me të në drejtim kemi kryer një punë shumë të mirë dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë edhe në të ardhmen. Jemi duke e shijuar shumë këtë moment, por ajo që ka më shumë rëndësi është që të vazhdojmë të fitojmë përsëri. Kjo është rruga e duhur për këtë skuadër dhe do të bëjmë gjithçka që të ecim përsëri këtu". Pas shitjes së spanjollit Fernando Torres për 50 milionë stërlina, Liverpuli ka hyrë menjëherë në merkato, duke marrë shërbimet e Luis Suarez dhe anglezit Andi Kerrol. Sulmuesi i kombëtares së Uruguajit nuk ka luajtur kundër Chelsit dhe qëndroi gjithë ndeshjen në stol, ndërkohë që anglezi Kerrol është i dëmtuar dhe nuk ishte grumbulluar. Xhimi Karrager shprehet se, këto dy sulmues kanë përforcuar akoma më shumë skuadrën pavarësisht largimit në merkaton e janarit të Fernando Torresit, që ishte pika e referimit në sulm. "Koha do ta tregojë, nëse kjo ka qenë një merkato e mirë për Liverpulin. Unë jam shumë i fokusuar për të parë se çfarë do të arrij të bëj Kerrol dhe Suarez me skuadrën tonë, ndërkohë që Torresit i uroj shumë suksese në aventurën e tij të re tek Chelsi. Dy blerjet e reja janë shumë cilësore dhe besoj se do ta ndihmojnë shumë skuadrën tonë, ne mund të fitojmë shumë ndeshje sëbashku. Ky është një moment shumë pozitiv për skuadrën tonë, kështu që duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht. Kjo skuadër ka të gjithë potencialin për të marrë rezultate të mëdha në ndryshim nga faza e parë. Të gjithë ne lojtarët e kësaj skuadre kemi një dëshirë të madhe për të fituar sa më shumë ndeshje dhe i kemi të gjitha mundësitë për ta realizuar një gjë të tillë. Ardhja e Kenit ka ndryshuar gjithçka në skuadrën tonë dhe të gjithë jemi të lumtur për këtë", ka përfunduar komentin e tij ish-lojtari i kombëtares angleze, Xhimi Karrager.

Zidane: Shumë para për të mbështetur Katarin

Ish-futbollisti Zinedine Zidane pranoi se, ka "fituar shumë para" për të mbështetur kandidaturën e Katarit për botërorin e vitit 2022. Francezi deklaroi në një intervistë për 'L'Equipe' se këto para do të shkojnë për projekte bamirësie. "Në media është folur për 10, 11, 12 apo 13 milionë euro. Do të jem i sinqertë: kjo është një çmenduri! Shifra që kam marrë unë nuk është as sa çereku i asaj që flitet", tha ish-mesfushori i Real Madrid. Zidane nuk deklaroi shifrën e saktë për shkak të një "klauzole konfidencialiteti" që ka nënshkruar në kontratën me Katarin, por tha që bëhet fjalë për "shumë para". "Nuk e bëra për para. Shuma do të shkojë për qëllime bamirësie. Gjithashtu, kisha një borxh ndaj Katarit, sepse kisha refuzuar një çek të bardhë për të mbyllur karrierën atje dhe e refuzova. Doja t'i ndihmoja për të zhvilluar sportin", deklaroi Zidane.

Pastore: "Një nder që Juventusi mendon për mua"

Mund të jetë Pastore e ardhmja e Juventusit. Prej shumë kohësh klubi bardhezi ka hedhur sytë tek talenti i madh i Palermos dhe ai ka falenderuar bardhezinjtë për interesimin: "Është një nder që flitet për mua, por nuk ka mbërritur momentin" shpjegon argjentinasi nga grumbullimi i skuadrës kombëtare, ku luajti ndeshjen miqësore kundër Portugalisë. Më pas, Flaco i përgjigjet pyetjes direkte mbi një transferim të mundshëm dhe përgjigjet me një "përse jo? Ndër të tjera duhet të them, që familja ime është me origjinë nga Volvera, shumë pranë Torinos". Javier Pastore, gjithmonë në qendër të zërave të merkatos jo vetëm në Itali, saktëson që nuk dëshiron të kryejë kalimin e madh: "Tek Real Madridi dhe tek Barcelona nuk do të gjeja hapësira, ashtu si edhe tek Interi dhe Milani. Për këtë arsye do të më pëlqente një skuadër, në të cilën të kishte hapësirë për mua". Drejtuesit bardhezi, për merkaton verore, janë hedhur në kërkim për një sulmues tek i cili të bazohet skuadra dhe argjentinasi, sëbashku me Aleksis Sanches që luan për Udinezen, janë pikërisht lojtarët e duhur. Por është e qartë, që duhet të bëhen llogaritë edhe me Zamparinin që, siç ndodh shpesh, do ta ngrejë shumë çmimin e lojtarit. Mbeten gjithsesi të gjalla pistat që të dërgojnë tek Xhilardino, tek Benzema dhe Neymar.

Ronaldo "sakatohet" më shumë se Mesi

Ylli i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo, është subjekt i më shumë ndërhyrjeve të parregullta se sa fituesi i Topit të Artë, Lionel Mesi, raportoi sot e përditshmja "AS". Studimi u shty të bëhej nga fjalët e trajnerit Mourinho, pas fitores në kampionat me Sociedad-in (4-1). Duke bërë diferencën midis portugezit dhe argjentinasit, Jose deklaroi: "Cristiano nuk ka luksin e të tjerëve, ndaj të cilëve kanë frikë të ndërhyjnë. Ai është 1,85 metra i gjatë, është një bishë përsa i përket forcës fizike dhe kështu është edhe mënyra se si mendojnë kundërshtarët. Ata i ndërhyjnë shumë më tepër, pasi mendojnë se ai është në gjendje të përballojë më shumë se të tjerë". Për të parë nëse trajneri portugez kishte të drejtë, "AS" bëri një studim mbi faullat e pësuar prej të dy yjeve. Në 35 ndeshje të luajtura në këtë sezon, Cristiano ka pësuar 84 faulla, ndërsa Mesi vetëm 48 ose më pak se gjysmën e ndërhyrjeve të parregullta në dëm të portugezit. Përsa i përket ndërhyrjeve të parregullta në kampionatin spanjoll, portugezi ka vuajtur nga 58 të tilla, ndëra vetëm 32 janë shkaktuar ndaj fituesit të Topit të Artë.

--

Në ligën spanjolle janë duke u përgatitur goditjet e mëdha që do të kryhen në qershor të këtij viti

Aguerro-Fabregas-Alvesh-Pepe, fillojnë lëvizjet e mëdha

Madrid (Spanjë)- Pasi është mbyllur merkatoja dimërore pa goditje të mëdha, Spanja po fillon të shikojë me kujdes verën e ardhshme. Dhe e gjithë vëmendja është e fokusuar tashmë tek lëvizjet e mundshme e dy skuadrave të mëdha: Real Madridi, 350 milionë euro që janë shpenzuar në dy verat e fundit nga Florentino Perez dhe Barcelona, që kohë më parë ka marrë në fillim Ibrahimoviç dhe më pas spanjollin David Vila. Këtë verë priten përsëri goditje të mëdha. Diçka po lëviz që tani.

Gjithçka për Kun Aguerron

Javën e shkuar është dalluar shumë qartë afrimi i Real Madridit tek Kun Aguerro, qendërsulmuesi argjentinas i Atletiko Madridit. Për atë që do të ishte edhe 'vjedhja' e madhe në kryeqytetin spanjoll janë përgatitur edhe shifra konkrete: 28 milionë euro kesh plus kartonin e Negredos, që për momentin luan tek Sevilja. Real Madridi do të merrte ish-sulmuesin e akademisë për 17 milionë euro siç është fiksuar në kontratën e lojtarit, duke parë që ky opsion është vendosur kur është shitur, dhe menjëherë do ta transferonte tek kushërinjtë madrilenë. Shpenzimi total do të ishte në nivelin e 45 milionë eurove, aq sa është shuma e parashikuar në kontratën e Kun Aguerros, që kohët e fundit ka rinovuar me Atletikon, por ka ulur shumë klauzolën e largimit, duke i dhënë jetë zhurmave të tilla për një largim të mundshëm.

Reagimet

Zbulimi i këtyre të dhënave për operacionin javën e shkuar ka sjellë menjëherë dy reagime të forta. E para, nga ana e Atletikos, që ka nxitur menjëherë për të hedhur poshtë çdo lloj zëri mbi një marrëveshje të mundshme, duke shkuar akoma më tej: "Aguerro në sezonin e ardhshëm do të luajë me ne", është shprehur drejtori sportiv i Atletikos, Marin. I njëjti drejtues ka zbuluar se ka refuzuar tashmë një ofertë nga Florentino Perez për qëndër sulmuesin e skuadrës së tij, gjithmonë për 45 milionë euro. Reagimi i dytë ka mbërritur të dielën nga Santiago Bernabeu, ku gjatë ndeshjes me Real Sociedat është nxjerrë në stadium një banderolë ku shkruante: "Kun Aguerro? Nuk e duam as të dhuruar". Tifozët kanë folur shumë qartë, ndërkohë që në Madrid duket se kanë vendosur t'i bëjnë gati dhëndrrit të Maradonës fanelën me numër 10 që në këtë moment mbahet në krah nga Lasana Diarra. Teorikisht, nëse gjithçka do të eci në këtë ritëm, Real Madridi mund të paguajë klauzolën e parashikuar në kontratën e argjentinasit: do të paguhen 45 milionë euro dhe transferimi do të kryhet.

Fabregas

Një tjetër emër që qarkullon në merkaton spanjolle prej disa kohësh është ai i Cesk Fabregas. Gjithçka lë të kuptohet që herët a vonë mesfushori i Arsenalit do të kthehet në shtëpinë e tij, tek Barcelona nga është larguar kur ka qenë gjashtëmbëdhjetë vjeç për t'u transferuar tek skuadra e Arsen Venger. Real Madridi është përpjekur gjithmonë të përfshihet në këtë tratativë, por, ndërkohë tani ka dalë në skenë një konkurrent i tretë shumë i fortë, sidomos në aspektin ekonomik. Bëhet fjalë për Chelsin e Roman Abramoviç, që dëshiron të mbajë Fabregas në Londër, duke e transferuar disi më në jug, më afër lumit Tamigi. Chelsi ka pagesat më të mira në botë, dhe tashmë me prezencën e Fernando Torresit në skuadër kanë një mundësi më shumë për të bindur Cesk të kryejë këtë tradhëti.

Rinovimet

Në pritje të goditjeve verore, Barcelona dhe Real Madridi kanë dy probleme të mëdha për të zgjidhur: rinovimet komplekse të dy mbrojtësve brazilian, Dani Alvesh dhe Pepe, që ka dhe nënshtetësi portugeze. I pari, është në tratativa prej kohësh edhe duke përdorur një ofertë që ka mbërritur nga Manchester Siti për të arritur në pikën që të përfitojë shumat që përfitojnë aktualisht Iniesta, Xavi, Vila dhe jo në nivelin e Pujol, Pike dhe Buskuets siç kërkon Barcelona. I dyti, ndërkohë është sponsorizuar edhe nga Murinjo dhe Kristiano Ronaldo, por pavarësisht kësaj mbështetjeje tratativa e tij ka mbetur në vend. Aguerro, Fabregas, Alvesh dhe Pepe: katër copa të mëdha që kanë një të ardhme të paqartë.

Benitez kundër mjekëve të Interit: "E shihni? Dëmtimet vazhdojnë"

Milano (Itali)- Dëmtimi i përsëritur i Diego Militos, i pesti në këtë sezon, ka risjellë në qendër të vëmendjes çështjen e problemeve fizike. Në shtëpinë e Interit po rifillohet të flitet për infermerinë, për rikuperimet nga dëmtimet dhe për stafin mjekësor. Këtë ka bërë edhe Rafa Benitez, në një intervistë të gjatë të dhënë për gazetën spanjolle "Marca", në të cilën ka prekur disa tema të ndryshme, ndërmjet Interit, Real Madridit, të ardhmes dhe Liverpulit. Por, ato që kanë shkaktuar më shumë zhurmë, janë deklaratat e lidhura me aventurën e tij gjashtë mujore tek Interi i Moratit.

Dëmtimet dhe stafi mjekësor

Rafa Benitez ka vuajtur gjithmonë nga kritikat që thonin se, përgatitja që ai kryen me skuadrën është një ndër shkaqet e dëmtimeve dhe përsëritjes së tyre. Tashmë ai saktëson gjithçka: "Mbi temën e dëmtimeve dhe të ridëmtimeve të lojtarëve të Interit, do të doja të nënvizoja disa të dhëna për t'u kuptuar më mirë nga të gjithë dhe që të mos lindin keqkuptime: 80% e lojtarëve me dëmtime kishin pësuar dëmtime të tilla të ngjashme edhe në vitet e shkuara. Unë dhe stafi im teknik nuk kontrollonim rikuperimet dhe terapitë që stafi mjekësor kryente me këto lojtarë. Kurat dhe rikuperimi ishin një punë e tyre, ku ne nuk ndërhynim asnjëherë. Pasi jemi larguar nga Interi, kanë ndodhur edhe 8 dëmtime pothuajse të gjitha në një muaj, duke lënë mënjanë pushimet. Jam shumë i sigurtë që Roberto Mançini e shikon të gjithën këtë si një situatë familjare dhe të zakonshme".

Shkarkimi

Rafa Benitez më pas ka analizuar edhe shkarkimin e tij, por nuk ka sulmuar asnjë moment skuadrën dhe lojtarë të veçantë: "Disa lojtarë janë impenjuar më shumë, të tjerë pak më pak, por ndodh pas një sezoni si ai i shkuari ku ishin arritur fitore të mëdha. Përse jam shkarkuar vetëm në fund të dhjetorit, ndërkohë që flitej prej një muaji e gjysëm mbi një shkarkim të mundshëm? Sepse Morati e dinte shumë mirë sesi punonim dhe vështirësitë që kemi pasur ditë pas dite. Shpresonte që gjërat të shkonin më mirë, por nuk kishte më kushte për të shkuar përpara, kështu që kemi arritur një marrëveshje dhe është zgjidhur kontrata. Aventura ime kishte filluar shumë mirë dhe skuadra luante mirë, por dëmtimet kanë ndryshuar më pas shumë gjëra, duke përfshirë këtu edhe dinamikën e brendshme. Dhe javë pas jave ndryshohej opinioni për ne sipas rezultatit të çdo ndeshjeje...".

Merkatoja për Leonardon

Një tjetër plagë e hapur është ajo e merkatos. Pas fitores në Botërorin për klube, spanjolli kishte kërkuar katër blerje, duke zbuluar që mungesa e blerjeve në merkaton e verës kishte qenë një surprizë për të. Tashmë përsërit konceptin, sidomos pas blerjeve që Interi ka kryer në merkaton e dimrit: "Përse nuk më janë plotësuar kërkesat e merkatos në verë? Nuk e di dhe kam qenë i pari që jam surprizuar. Nuk mund ta besoja: në qershor më kishin kërkuar një projekt për të përmirësuar skuadrën, unë kam shkruar diçka dhe drejtuesit e klubit e kanë pëlqyer, por nuk është aplikuar". Më pas, blerjet kanë mbërritur për trajnerin e ri Leonardo: "Pesë elementë të blerë dhe gjashtë të shitur: tashmë skuadra është praktikisht e re. Kur shikoj pjesë të projektit tim aktual, tashmë më bën të reflektoj. Është një mirënjohje evidente në faktin se ne kishim të drejtë, që skuadra kishte nevojë për blerje të reja për të rinovuar disi grupin".

Kielini dhe Bonuci: "Të mundim Interin për Champions Ligën"

Torino (Itali)- Mbrojtja e kombëtares italiane ka baza shumë të forta bardhezi: Bonuci dhe Kielini, siç ishte shprehur edhe Prandeli një ditë më parë, kanë luajtur të dy titullarë në miqësoren kundër Gjermanisë të luajtur dje në mbrëmje në Dortmund. Një ndeshje shumë prestigjioze, pavarësisht se një ndeshje miqësore, që nuk ka shpërqendruar gjithsesi dy mbrojtësit nga impenjimet me Juventusin, deri në pikën që të dy lojtarët, nga faqet e tyre respektive, flasin për fitoren kundër Kaljarit dhe për ndeshjen e ardhshme kundër Interit. "Fitorja të shtunën e kaluar kundër Kaljarit, shkruan Kielini, ka qenë me të vërtetë fondamentale për t'i dhënë fund serisë negative që kemi pasur në këtë muaj". Bonuci shkon më tej. "Ndeshja e të shtunës ka qenë një sukses i madh. Jo vetëm, sepse ka mbërritur pas një periudhe të gjatë të vështirë, por edhe sepse na ka ridhënë entuziazëm dhe optimizëm për vazhdimësinë e sezonit. Për më tepër, tre pikët e fituara na kanë afruar përsëri me zonat e larta të klasifikimit, duke lënë përsëri të hapur mundësitë për t'u kualifikuar sezonin e ardhshëm për në Europa Ligë, rezultat për të cilin aspirojmë me të gjithë forcën tonë. Dhe reagimi që kemi treguar pas barazimit të kundërshtarëve, që mund të na rikthente problemet e muajit të fundit, tregon që skuadra është e gjallë dhe ka dëshirë të luftojë në çdo ndeshje për objektiva të rëndësishëm". Përsa i përket ndeshjes kundër Interit, Xhiorxhio Kielini shprehet që, "është një ndeshje shumë e rëndësishme si për klasifikimin ashtu edhe për tifozët tanë. Të shpresojmë që muaji shkurt të jetë pozitiv dhe të kompesojmë vështirësitë dhe fatin e keq që kemi pasur në fillim të këtij viti". Edhe Leonardo Bonuci ka hedhur sytë tek ndeshja e madhe e fundjavës në Olimpiko të Torinos kundër zikaltërve të Interit. "Kundër një Interi në një gjendje të shkëlqyer, duhet të konfirmojmë progresin që keni parë në Kaljari, duke treguar një paraqitje në nivelin e Juventusit, përfundon Leonardo. Të fitonim do të na jepte më shumë karikim dhe do të fitonim pikë të rëndësishme kundër një konkurrenteje direkte."

Përgatiti ANDI VERÇANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RUD GULIT DREJTON EKIPIN ÇEÇEN (02.09.2011)
XHIXHI BUFON: "NË DORTMUND ËSHTË NDESHJA E JETËS" (02.09.2011)
MORATI, ENTUSIAST PËR TË ARDHMEN E INTERIT (02.08.2011)
PACKERS FITOJNË TITULLIN KAMPIONË TË SUPERBOLLIT (02.07.2011)
AKSIDENTOHET GARUESI I FORMULËS 1 (02.06.2011)
SUPER BOWL, SPOT SHUMË MILIONËSH NGA CHRYSLER (02.06.2011)
ALEGRI LARGON FANTAZMAT: "PATO NUK ËSHTË NJË ÇËSHTJE" (02.06.2011)
ETHET E FUTBOLLIT SUPER BOWL NË SHBA (02.05.2011)
MASIMO MORATI: "DERBI? ËSHTË ENDE SHUMË HERËT PËR TITULLIN" (02.05.2011)
KALDERON: MURINJO DUHET TË MËSOJË NGA GUARDIOLA (02.04.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]