VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Lionel Messi - futbolli si art (Një histori shqiptare...)Nga Besnik Dizdari, Anëtar i Jurisë së "Francë Futboll"

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 02:42pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SPORT
 

Lionel Messi - futbolli si art (Një histori shqiptare...)

Nga Besnik Dizdari, Anëtar i Jurisë së "Francë Futboll"


E Martë, 12.08.2009, 06:14pm (GMT+1)

 

 

 

Ka qenë plot 22 vjet më parë, më 1987, kur bëja debutimin si anëtar i Jurisë së "France Football"-it. Ashtu si po shkonin punët në Shqipëri të dukej disi e vështirë se mund të lindte ndonjë problem me administratën nëse do t'i thoja një "po" të dërguarit të "L'Equipe"-t e të "France Football"-it, kolegut të shquar Victor Sinet, tri vjet para rënies së Murit të "Berlinit Shqiptar". Ishte vërtet fantastike se si kishte ndodhur që deri asokohe vetëm Shqipëria nuk votonte për "France Football", prej shteteve anëtare të UEFA-s, çka "FF" për çudi këte mungesë e kishte fort merak. Deri atë vit, qysh nga 1956 kur nisi "Topi i Artë", ata kishin qenë të gjithë. Kishin qenë RDGJ-ja, RFGJ, Anglia, Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Skocia, Iranda, Spanja, Finlanda, Franca, Greqia, Hungaria, Italia, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Suedia, Zvicra, Çekosllovakia, Turqia, BRSS, Jugosllavia, plot 26 shtete anëtarë të UEFA-s të asokohe. Kishte munguar vetëm Shqipëria. Ajo e cila tashmâ të dukej se do të çahej paksa në mbylljen e rreptë të saj. Në Tiranë kishte mbërritur kryeministri i Bavarisë së RF Gjermanisë, Franz Joseph Strauss, i pritur nga autoritetet më të larta të vendit, çka përbënte një sensacion të gjeopolitikës, ndonëse më mbas propozimeve të tij, Shqipëria komuniste pa pikë mëshire, do t'i thoshte një "jo" të fortë, që ajo kërkonte ta quante "diplomatike".

 

E gjithë çudia qëndronte megjithate, edhe te sporti. 1987-ta ishte vërtet, dhe është ende, viti më i rrallë i futbollit shqiptar të klubeve. Ishin ndeshjet e paharrueshme të Flamurtarit të Vlorës për Kupën UEFA: Flamurtari Partizani i Beogradit 2-0 në Vlorë dhe humbje 1-2 në Beograd me golin e Kushtës që skualifikon jugosllavët, por dhe me një protagonist të madh shqiptar: Fadil Vokrrin e Kosovës, asokohe kundërshtar i ynë, sot President i Federatës së Futbollit të Kosovës! Edhe kjo e paparashikueshme në atë vit 1987. Mandej Aue e RDGJ-së Flamurtari 1-0 dhe 0-2 dhe kalim në turin e tretë për t'u ndeshur me Barcelonën, humbje 1-4, por fitore e bujshme, historike 1-0 për Flamurtarin në Vlorë. Për ne është legjendare, mbetet gjithnjë e vetme, deri sot në vitin e 22-të larg saj, jo thjesht se për fat, Barcelona në këte 2009 është Kampione e Europës në fuqi, dhe se ka patur në histori edhe një Flamurtari Barcelona 1-0, por edhe ngaqë kushedi edhe për sa dekada kjo fitore, për kështu si ecën futbolli ynë, do të mbesë po kaq e vetmueme. Por edhe sepse papritmas gjithçka më përputhet me këte vit 2009 ku Barcelona e Spanjës sundon në një mënyrë thuajse të papërmbajtshme edhe me "Topin e Artë", me fitues një prej simboleve më tipike të vitit futbollistik 2009 me emrin Lionel Messi.

 

Vetvetiu kërkon të gjesh ndërkaq, një histori shqiptare, tejet të largët të 22 viteve më parë kur kemi fituar mû me Barcelonën! Pa harruar se edhe vetëm një vit para këtij, atë 1986, kishte qenë po Flamurtari Barcelona 1-1 e 0-0, eliminimi ynë sensacional vetëm falë golit të fushës kundërshtare! Të gjitha këto, jo në ndeshje miqësore ekzibicioni, por në ndeshje të Kupës së Europës. Protagonisti është Flamurtari i Vlorës, një skuadër shqiptare që arrinte deri në turin e tretë të një Kupe të Evropës. Mû ajo të cilën viti 2009 e gjen si skuadrën e fundit të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë! Të duket si fundi i futbollit shqiptar!....

 

Më 9 dhjetor 1987 me fitoren 1-0 të Flamurtarit ndaj Barcelonës së Lineker-it, Schuster-it, Zubizareta-s, Victori-it, Caldere-së, Carasco-s, të cilit ishin yje botërorë, mbyllej cikli i madh i Vlorës. Dhe është e pamundur të përshkruash se çka qe qyteti i Vlorës i atij 9 dhjetori "˜87 apo të kuptosh se çfarë situate mund të krijojë një ndeshje e madhe kësisoji futbolli të një vendi të vogël përballë të mëdhenjve të Evropës. Kur kujton se më parë kishte qenë Partizani i Beogradit (Klincarsi, Katanec, Vokrri, Djurovski apo Djoerdevic) të cilët ishin gjithashtu rangu i lartë i Evropës. Por edhe nënkampionia e RDGJ-së, Vismut Aue. Për ne ishin Arapi, P.Ruci, K.Çipi, Taho, Iljadhi, Ferko, Zijaj, Memushi, Gjondeda, V.Ruci,Kushta, Daullja, Bubeqi, Ziu, Shabani. Pa harruar trajnerin historic, i cili quhej Leonidha Çuri.

 

Kështu "qetë-qetë" do të mbërrinim te 29 dhjetori i vitit 1987, ditë kur do të publikohej numri i "France Football"-it që do të shpallte përfundimet e Referendumit. Mbas 31 vjetëve kishte mbërritur krejt "papritmas" edhe Shqipëria. Votova këte pesëshe: FUTRE, GULLIT, AMOROS, BUTRAGUENJO, KUSHTA i Flamurtarit tonë. Me argumentin e botuar në "FF" se: "Falë edhe një sentimenti, unë vë në vendin e pestë shënuesin e Flamurtarit të Vlorës, aktualisht simboli i vetëm afirmues i futbollit shqiptar në progres, si një nga futbollistët e rrallë të vendit tonë të vogël që pati një shpërthim ndërkombëtar".

 

Ky mbetet kujtimi më i çmuar që kam si anëtar i Jurisë: lashë emrin e Sokol Kushtës, një shqiptar i famshëm i futbollit, në këte "panteon" që sa vjen e rritet qysh nga 1956. Por që sot thuajse e bën të pamundur që të ndodhë që për herë të dytë një shqiptar të përzgjidhet prej dikuj. Sot çdo anëtar i Jurisë duhet ta përzgjedhë pesëshen e tij vetëm nga 30 emrat e paravotuar nga redaksia e "FF". Në "France Fotball" të 29 dhjetorit 1987, në faqen 12-13 të tij revista botoi emrat e të gjithë futbollistëve, të cilët ishin votuar qoftë edhe një herë të vetme gjatë 32 vjetëve, qysh nga 1956 kur kishte fituar Sër Stanley Mattheës. Këte e kishin arritur 405 futbollistë. I 404-ti ishte Sokol Kushta i Flamurtarit të Shqipërisë, duke patur mbi vete Hodle të Tottenham dhe poshtë tij grekun Saravakos, si për të të paramenduar në një lloj "fataliteti" të shpejtë se vetëm mbas tre vjetëve ky Kushtë do të bëhej mû lojtar i Kampionatit të Greqisë.

 

Topin e Artë 1987 e fitoi Gullit, të cilin unë e kisha renditur të dytin në pesëshen time.

 

Europianë, gjithnjë europianë. Zyrtarisht ai u bë botëror për herë të parë më 25 shtator 2007 kur "France Football" Nr. 3207 bëri njoftimin e tij historik, që thoshte se duke filluar nga ky dhjetor 2007, "Topi i Artë" do t'i jipet futbollistit më të mirë të Botës! Dhe se ate nuk do të mund ta përcaktonin më vetëm 52 anëtarët e Jurisë nga Evropa, por 96 anëtarë nga të pesë kontinentet. Çka do të thotë edhe 43 anëtarë të tjerë, natyrisht gazetarë, vetëm një për çdo shtet. Gazetarëve të 53 shteteve evropiane (shtohet Mali i Zi) anëtare të UEFA-s, i bashkoheshin edhe 43 gazetarët prej çdo vendi të rruzullit, i cili ka marrë pjesë të paktën një herë të vetme në një turne fundor (final) të Kampionatit Botëror të Futbollit.

 

Kështu nisi epoka e re e Topit të Artë, epoka e botërorizmit të tij.

 

Një histori argjentinase...

 

Të hënën e 1 dhjetorit 2009, në orën 2 të mbas mesnatës, "France Football" duke e mbajtur në sekret si asnjëherë tjetër (çdo anëtar i Jurisë kishte të drejtë të kontaktonte vetëm me drejtorin e "France Football" Denis Chaumier) njoftoi se Lionel Messi i Barcelonës ishte fitues i "Topit të Artë" 2009.

 

Kishte fituar djaloshi me emrin Lionel Messi, i lindur më 24 qershor 1987 në Rosario të Argjentinës, vetëm 1.69 metra shtatlartë dhe 67 kg peshë trupore.

Ky "vogëlush" kishte fituar Superkupën e Spanjës 2006, Kampionatet e Spanjës 2005, 2006, 2009, Kampionatin Botëror të 20-vjeçarëve, Kupën e Spanjës 2009, Ligën e Kampionëve 2009, Superkupën e Europës 2009. Dhe ishte Kampion Olimpik 2008. Ai kishte luajtur me Barcelonën qysh më 2004 kur ishte vetëm 17 vjeç dhe në 6 kampionate kishte zhvilluar 120 ndeshje dhe kishte shënuar 61 gola, kishte zhvilluar 37 ndeshje të Ligës së Kampioneve dhe kishte shënuar 18 gola, kishte zhvilluar 41 ndeshje me Argjentinën dhe kishte nënshkruar 13 gola me te, fanelën e së cilës e kishte veshur për herë të parë kur ishte vetëm 18 vjeç.

 

Për fitoren e Lionel Messt kishte votuar kësisoji edhe përfaqësuesi i Shqipërisë, autori i këtushëm përmes këtij argumenti

"Shqipëria

1. Messi

2. Eto'o

3. Rooney

4. Henry

5. Dzeko

 

"E pakta tre artistë të vërtetë kanë fituar vitet e fundit "Topin e Artë": Ronaldinho, Kaka dhe Cristiano Ronaldo. Tani e ka rradhën i katërti: një 22 vjeçar me emrin Lionel Messi, sulmues argjentinas i shkollës së Maradonës. Dhe jo vetëm për shkak të meritës së madhe të sukseseve të tij të jashtëzakonshme të një viti. Por mbi të gjitha për futbollin e tij t pambrritshëm dëfryes, të një loje virtuoze dhe të magjisë së tij krijuese. Mandej janë katër lojtarë të tjerë të cilët vijnë prej përfaqësueseve të katër shteteve të ndryshme, por që secili simbolizon spektaklin dhe lojën sulmese që aq fort e kërkon publiku t'i shpaloset para syve të tij".

 

Siç shihet, vetëm dy të pesëshes "shqiptare" fituan në përfundim: Lionel Messi dhe Etoo'o. Pak. E rëndësishme është se edhe Shqipëria nuk kishte "gabuar". Edhe ajo i kishte dhënë vendin e parë Lionel Messi-t. Eshtë një garë plot trille edhe kjo midis gazetarëve - anëtarë të Jurisë, e përvitshme doemos, që gjithmonë ngjall diskutime. Në 23 vitet e pjesëmarrjes sime, 14 herë kam arritur "të gjej" të parin, shumë herë të dytin dhe tri herë pesëshen e plotë dhe disa herë katër ndër pesë. Natyrisht, "FF" ta lehtëson tejet votimin me portretizimin skedues që bën për secilin kandidat.

 

Ndërkaq, duke iu kthyer këtij votimi 2009, ndodhesh përpara një mendimi ûnji, të rrallë: nga 96 anëtarë të Jurisë, për Lionel Messi-n në vendin e parë votuan plot 90! Kjo ishte një e papritur e madhe, një epërsi e papame për një vit ku nuk kishte as Kampionat të Europës, as Kampionat të Amerikës së Jugut dhe as Kampionat të Botës, gara që i japin një peshë të fuqishme spikatjes të një fituesi të mundshëm të Topit të Artë.

Nuk kishte ndodhur asnjëherë që një lojtar të votohej në vendin e parë të Topit të Artë plot 90 herë nga 96 të mundshme: Messi. (Votën e të parit nuk ia dha Kameruni, Koreja e Veriut, Kroacia, Egjipti, Lihtenshtejni, Senegali).

Nuk kishte ndodhur asnjëherë që në pesëshen e parë të fitojnë 4 lojtarë të një klubi të vetëm: Barcelona (Messi, Xavi, Iniesta dhe Eto'o).

Nuk kishte ndodhur asnjëherë që fituesi të ketë 243 pikë më shumë se i dyti (Messi 473 C.Ronaldo 233).

Nuk kishte ndodhur asnjëherë që një klub i vetëm të fitojë për herë të 7-të Topin e Artë: Barcelona (Suarez 1960, Cruyff 1973, Cruyff 1974, Stoichkov 1994, Rivaldo 1999, Ronaldinho 2005, Messi 2009).

Ajo është e tana një histori argjentinase.

E bartun prej njeriut të quajtur Lionel Messi, i mbithiruri "La pulga" ("Pleshti") për shkak të fizikut të vogël, një djalë i cili ka nisur të luajë futboll qysh 5 vjeç dhe i rrëmbyer qysh 7 vjeç prej klubit Nedwell'Boys. Ky është çasti fatlum kur e zbulon Barcelona dhe këtu është rrëmbimi i dytë i tij, tash përtej Atlantikut, përmes rrugës së gjatë të Europës...

Më 16 tetor 2004 ai fikson debutimin e tij në moshën 17 vjeçare në një ndeshje kundër Espanyol duke u bërë njeri prej tre lojtarëve më të rinj të cilët kanë veshur fanelën e Barcelonës deri atë çast. Sot ai është mbreti i saj. Një mbret 22-vjeçar.

 

Një histori krahasuese...

 

Ai hyn në histori si një nga tre fituesit më të rinj që njeh Topi i Artë mbas Ronaldos dhe Owen, të cilët gjithashtu e interpretonin futbollin si art. Vetëm 1.69 metra shtatlartë, krejt "i vogël" kësisoji, çka në "antropologjinë" historike të futbollit të Topit të Artë asesi nuk është një mangësi. Mjafton të kujtojmë këto fitues paaradhës të Messi-t: Di Stefano vetëm 1.72 metra shtatlartë, Kopa 1.69, Sivori 1.70, Best 1.70, Simonsen 1.65, Keegan 1.70, Matthaus 1.73, Oëen 1.73 metra! Pa shkuar te disa 1.74-sha si Matthews, Masopust, B.Charlton, G.Muller, P.Rossi, Belanov, Baggio! Mos ndoshta "shtatshkurtët" janë furtbollistët më të mëdhej, teksa kujton se Pele ishte gjithashtu vetëm 1.69 metra shtatlartë, Garincha po 1.69, e Maradona vetëm 1.65 metra?...

 

Messi-n, të cilin Maradona e ka përcaktuar "mbasardhësi im", e bashkon me të gjithë këta të pazëvendsueshëm të futbollit botëror synimi i përhershëm për ta bërë gjithçka permes elegancës, bukurisë, teknikës virtuoze, shpirtit artistik dhe mendimit më të bukur që futbolli mund të shfaqë. Stili i Maradonës, disi më pak ritmik dhe shpërthyes, stili i Amnerikës së Jugut, stili i Barcelonës. Eshtë ndikimi artistik i futbollit që lind po në Amerikën e Jugut, që kërkon prej vitesh të ndikojë në Europë, prej së cilër merr forcën atletike. Në të vërtetë, është dueli i sotëm i futbollit që nuk është më ai i viteve '80 i stilit të futbollit brazilian "ala Sokrates e Falkao" që mbasi shpërthente në mënyrën më artistike të mundshme, papritmas i dorëzohej Europës, mbrojtjeve të saj të hekurta fjalëpaka dhe të ashpra deri në një "kundërart". Lionel Messi, në thelb, me gjithë ndryshimet në personalitet, i afrohet atij të Maradonës: baraspeshë gati e përkryer midis artit, teknikës, futbollit krijues, por të shpejtë dhe të papërmbajtshëm në mendim dhe ekzekutim. Nganjëherë të duket edhe si një reminishencë europiane (Messi u rrit tashmâ në Europë) disi klasike, e lidhur me dy paraardhës të tij gjithashtu argjentinas.

 

Them kështu sepse "gabimisht" u shkrua se për herë të parë fitoi një argjentinas. Madje ky "gabim" u bë edhe prej shtypit më autoritar sportiv të Europës. Ndoshta për hir të kahut të ndryshuar të shtetësisë për dy paraardhës argjentinas të tij. Para Messit, Topin e Artë e kanë fituar edhe dy argjentinas të tjerë. Tjetër punë që ata ndërruan shtetësinë dhe fanelën e Kombëtares. I pari është Alfredo Di Stefano "Fleche blonde" ("Shigjeta bionde") i lindur në Barracas pranë Buenos Airesit, lojtar i River Plates deri 22 vjeç, mandej i Bogota deri më 1953, kur 27 vjeç blihet për 70.000 dollarë nga Reali i Madridit për t'u shndërruar në legjendë. Katër vjet më vonë, më 1961 fitues i Topit të Artë është një tjetër argjentinas, Omar Sivori i mbiquajtur "engjëll dhe demon" i lindur mû në Rosarion e Messit të sotëm, me origjinë napolitane, i rrëmbyer prej Italisë dhe Juventusit. Dhe qoftë Di Stefano, qoftë Sivori, para se me Spanjën dhe Italinë kanë luajtur me Kombëtaren e Argjentinës. Nëse jemi në një histori krahasuese, edhe futbolli i tyre është në stilin e këtij të Messi-t, ashtu siç i kemi pa në filmime, e, ashtu siç i përshkruajnë kronistët e kohës. Të duket se stili është po ai: argjentinas i Rosarios apo i Buenos Ajresit që futbollin e sheh si art. I ka vënë vulën Diego Armando Maradona. Europa kërkon ndërkaq, të rrëmbejë historitë e të tjerëve ose t'ua përvetësojë këto histori. Shembull është edhe Mesi i Topit të Artë 2009, ndonëse nuk duhet harruar se fituesi i parë i Topit të Artë është një anglez me emrin Stanley Matthews, i cili gjithashtu ishte një artist i futbollit. U quajt "magjistari i driblimit". A mund të thuhet se Messi është një rikthim klasik i historisë që e ruan futbollin si art?...

 

"France Fotball", ka përcaktuar 11-shin më të mirë të Topit të Artë 2009. Eshtë ky:

 

Casillas Maicon, Terry, Vidic Xavi, Gerrard, Iniesta Kàka Messi, Eto'o, C.Ronaldo.

 

Vija ndarëse është përimtimi i rreshtimit taktik, që nuk përdoret më në gazetarinë sportive shqiptare, shpesh e sipërfaqshme, e nxituar, ndonjëherë për të mos i thënë inkompetente.

 

Taktikisht ky rreshtim i "FF" të duket si një 1 - 3 -3 -1- 3. Një taktikë "e panjohur", e re, sulmuese e gjitha, elastike? Vështirë për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Dhe aq më vështirë për të gjetur përgjigje, duke u përpjekur për të përimtuar rolin e simbolit aktual që quhet Lionel Messi. Kjo 1-3 -3 -1-3 në thelb në çast shndërrohet në 1-4-2-4, ose në 1-3-5 -2, ose në 1 -3 -5 -1 -1. Futbolli i Barcelonës me Messi-n në krye, i përmban të gjitha këto, duke e menduar, më tepër se për një çast të vetëm, futbollin si art. Kur me art do të na pëlqente që për këte rast të marrim nënkuptimin e kësaj thënieie të Franz Kafka-s:

 

"Arti fluturon për te e vërteta, dhe me një vullnet të pagabueshëm për të mos shkuar dëm. Talenti që blaton arti qëndron në shfaqjen e fuqishme të rrezeve të ndritshme, qoftë dhe në terrin e boshsisë".

E vërteta është se sot futbollin askush nuk e konsideron mirëfilli një art. Sidomos futbollin e kohës sonë. I fuqishëm, i hekurt, mbrojtës deri në sakrificë, sulmues vetëm përmes një mendimi racional, ky futboll i shekullit XXI, i shndërruar jo pak në tregti, nuk mendon më për artin si dikur në futbollin e Matthews, Pele apo Garincha. Eshtë diçka tjetër. Kësisoji, "ndërhyrje" të papritura si kjo e artit të Lionel Messi-t në gjithë këte futboll "shkencor", televiziv dhe tregëtar së bashku, për një çast të duket shpëtimtar për ate që është sporti më popullor për njerëzimin. I sulmuar deri në absurd prej loterive sportive, i kështjelluar në tri shifra që po bëhen "tragjikë "1", "X", "2", argjetinasi ynë "i vogël", Lionel Messi, të duket se vjen si një shpëtimtar prej një bote tjetër. Ndonëse nuk është një "Mesia", qoftë dhe i futbollit. Nuk mund të jetë i tillë. Aq më tepër se ai ka "fatin e keq" që ta shohë futbollin si art!... (http://www.gazetatema.net)

Besnik Dizdari


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Igli Tare largohet nga skuadra e Lacios (12.07.2009)
Boks: Amir Khan ruan titullin e WBA (12.06.2009)
Tenis: Spanja fiton përsëri Kupën Deivis (12.05.2009)
Afrika e Jugut 2010: Italia, Spanja, Anglia të kënaqura nga shorti (12.04.2009)
Serena Uilliamsit gjobë rekord dhe rrezik skualifikimi (12.01.2009)
Kandidatët për Topin e Artë (11.29.2009)
Los Angeles Lakers ortek mbi Warriors (11.29.2009)
Taiger Uds është plagosur rëndë në një incident automobilistik (11.27.2009)
Skandali: Tirana dhe Vllaznia në listën e ekipeve që kanë trukuar ndeshjet (11.26.2009)
Boksieri vdiq pas ndeshjes (11.24.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]