VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - VILHELME VRANAR - HAXHIRAJ: TË SHKRUAJ NATËN QË TË NDRIÇOJ ERRËSIRËN DITËNIntervistoi RAIMONDA MOISIU

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 07:33am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

VILHELME VRANAR - HAXHIRAJ: TË SHKRUAJ NATËN QË TË NDRIÇOJ ERRËSIRËN DITËN

Intervistoi RAIMONDA MOISIU


E Martë, 01.11.2011, 02:43pm (GMT+1)

Shkrimtarja Vilhelme Vranari - Haxhiraj është shembulli i forcës dhe i këmbënguljes. Pena letrare krijuese dhe personaliteti i admirueshëm qytetar e intelektual gjetën shprehjen në galaktikën e botës hyjnore të artit dhe letërsisë së saj. Ia doli të kapërcejë shumë pengesa. Vazhdon e do të vazhdojë në të ardhmen. E lindur në Kaninë të Vlorës, pinjollja vjen nga « muzeu historik kombëtar » i familjes së Princ Gjergj Arianitit, simbole të patriotizmit dhe të atdhedashurisë. Ja si shprehet shkrimtari vlonjat Myrteza Mara në një shkrim të paradokësh për profilin e shkrimtares Vranari: »Vilhelme Vranari është sot një zë i respektuar në letërsinë shqipe, ashtu si edhe shumë të tjerë që kaluan në fusha e pyje të tilla nëpërmjet urave që solli demokracia e liria e munguar. Ajo po ashtu është edhe veprimtare në lëvizjet e nxehta të kohës, duke parë më shpejt se shumë të tjerë dritën e perspektivës, duke synuar përherë arritjen dhe zbatimin e standarteve të gruas bashkëkohore evropiane për emancipimin dhe formimin qytetar dhe, si rrjedhojë, edhe të shoqërisë. E gjithë kjo ngarkesë emocionale, shpirtërore, patriotike dhe artistike gjeti shprehje në oazën e madhe të letrave shqipe, ku shpalosen në dimensione të admirueshme pasioni, kultura dhe përgjegjësia e saj si qytetare dhe si shkrimtare». Në këtë bisedë sa të ngrohtë, aq të përzëmërt dhe mbresëlënëse, shkrimtarja Vilhelme Vranari - Haxhiraj tregon me elegancë, me profesionalizëm, me modestinë që e karakterizon, larg vetëmburrjes dhe vetëbujës, gjurmët dhe fijet e formimit të saj si shkrimtare.

Znj. Vranari, është kënaqësi e veçantë kjo bisedë mes dy kolegeve krijuese. Cilat kanë qënë përfytyrimet më të herëshme se një ditë do të bëheshe shkrimtare? Kush ka qënë tregimi apo libri tuaj i parë?

-Gjithashtu edhe për mua. Është bukur të komunikoj me një krijuese, me të cilën më lidh të qenit femër. Mjafton të flitet në një mjedis për një femër që jep vlera, jo burrat, por më tepër janë gratë, ato që thartojnë fytyrën. Jam e bindur se kur bisedojnë dy femra, qoftë edhe së largu si ne të dyja, kanë ç'mësojnë nga njëra-tjetra. Aq më tepër kur merren me art apo letërsi, të cilat janë fusha me shumë labirinte të pazbuluara. Unë e ndiej si nevojë të domosdoshme këshillën e cilitdo. I dëgjoj të dy palët, si ata që flasin me superlativa edhe cinikët që vjellin vrerë. Këto i ruaj në arkivën e memories, por nuk ndikojnë aspak tek unë. Sepse krijimtaria nuk varet nga të tjerët, por nga këndvështrimi im dhe sa brumë kam unë për ta vazhduar atë. *Sa për përfytyrimet...Një vajze të vogël, një të reje, një gruaje, një nëne, një gjysheje që ia mohojnë çdo të drejtë humane, nuk i shkon mendja të ëndërrojë, pa le të bëhet dikush, sepse edhe mendimin ia kishin ndaluar. Po përsëris një thënie të shokut tim të shkollës Pedagogjike, poetit brilant, që e vlerësoj shumë, akedemikut Xhevahir Spahiu: "Si mbiemri i shoqes sime Vilhelme Vrana, edhe qielli ishte i vranët. Ndërkohë që hartimet e saj shkonin klasë më klasë, ne u bëmë poet dhe shkrimtarë. Kurse për Vilhelmen duhej kohë, që qielli të hapej dhe ajo ta thoshte fjalën e saj..." Çuditërisht ai e kishte fjalën për një ese me titull :"Cili jam unë?", e cila la aq vragë tek moshatarët dhe mësuesët e pedagogjikes, sa Xhevoja e përmendi pas 40 vitesh në panairin e librit "Tirana 1999", ku kam promovuar në 11 edicione. * Unë nuk jam poete, megjithatë, krijimtarinë e nisa me një vëllim poetik i botuar në fundvitin 1996, i pasuar nga një roman tragjik.

-A ka qënë dikush në mënyrë të veçantë që ju ka frymëzuar apo ju ka inkurajuar për tu bërë shkrimtare?*

-Jam thjesht një krijuese. "Shkrimtar" më duket fjalë e madhe, ngjet si epitet i paarritshëm. I pari që më nxiti dhe që vazhdon të më përkrahë, apo që menaxhon krijimtarinë time, më shoqëron kudo dhe si fotograf personal është bashkëshorti im, Fitim Haxhiraj. Ai nuk përton të publikojë një kritikë apo diçka në media për krijimtarinë time, duke e shumëfishuar edhe në 100 kopje. Me këtë realizon ëndrrën e tij, ndoshta edhe veten, që për shkak të martesës me të bijën e një armiku të popullit, e zbritën nga skena. Sot do të ishte një artist me emër, si balerinë dhe koreograf. Mirënjohja për të, është më e pakta që mund të bëj unë si bashkëshorte. Pastaj tek unë ndikon e djeshmja e hidhur, e sotmja tronditëse që shërben si urë lidhëse mes asaj që shkoi dhe të nesërmes dilemë, të cilat janë shkaqe të problemeve sociale. Jeta shqiptare e mbushur plot me drama dhe tragjedi. Vendi im i vuajtur, i leqendisuri i shekujve, a nuk janë të mjaftueshme?

-Çfarë iu ka pëlqyer të lexonit në adoleshencën tuaj?

-Unë isha fëmija pa fëmijëri. Kur nisa të kuptoja, m'i rrëmbyen të gjitha. Madje edhe "engjëllin tim", njërin mes katër engjëjve që vallëzonin te koka e shtratit të prindërve, Për atë u helmova dhe qava me lotë të hidhur.Isha e reja pa rini, jetimja me baba gjallë. Veçse familja jonë trashëgonte një nga 3 (tri) bibliotekat më të mëdha që kishte Vlora. Stërgjyshi im Brahim Ali Vrana Kanina, (pinjoll i familjes më të lashtë që themeloi Kaninën, derë nga e cila doli Princi Gjergj Arianiti) kishte kryer Zosimean.Gjyshi im kreu Universitetin amerikan të Stambollit. I vëllai i gjyshit, Rektoratin e Stambollit, ku punoi 30 vjet. Kur u kthye në fillim të shek XX solli 24 sëndukë me libra. Xhaxhai im pas Politeknikumit "Harry Fulltz", kreu Universitetin e Sienës(Firence). Kjo trashëgimi kulturore ndikoi tek unë. Megjithë pengesat dhe mohimet, më pëlqenin librat. Isha vetëm 6 vjeçe kur na sekuestruan për së dyti pasurinë, pas burgosjes së babait dhe xhaxhait, vrasjes makabre të xhaxhait tjetër student i Tregtares nga Sigurimi i shtetit,dhe vrasjes së dy kushërinjëve të parë vëllezërve Abdyl dhe Shyqyri Sharra, kishte ngelur biblioteka pa na e rrëmbyer. Më kujtohet si tani edhe pse kanë kaluar plot 60 vjet. Më drithërohej shpirti kur shihja se librat i vërvisnin në kamion si plehra, jo si mjet kulture. Një libër kishte rënë në tokë.Unë e mora dhe e fsheha. Në moshën 9 vjeçe e lexova. Titullohej "Dy të vdekur në një qivur"i Edgar Vallace. Mësova se ishte roman i "verdhë".Më pas nisa t'i lexoj me ëndje libra të tillë. Më ka pëlqyer letërsia ruse, letërsia evropiane e shek.XIX dhe gjysmës së parë të shek XX. Brezi i të humburve. Kam adhuruar Balzak, Remark, Heminguei, Cvajg, Gollsuorth, Dyma ati e biri, Mopasan, Stendal, Flobert, Voltdr, Rusoi, Gëte, Hajne, Esenin, Tolstoi, Pushkin, Turgeniev, Çehov, Lermontov, Majakovski, Pasternak, Dikens, Draizer, Andersen... si dhe letërsinë antike greke, italiane e persiane. E përpia romanin për 24 orë. Nga autorët shqiptarë adhuroj, Fishtën, Migjenin, Kutelin, P. Marko, Xh. Spahiun, A. Asllani, F. Arapi. Si shkrimtarë nga të mohuarit janë Trebeshina, Camaj, Xhaferri dhe nga të gjithë veçoj Prof. Dr. Isuf. Luzaj. Nuk jam lokaliste se jemi të dy nga Kanina, por deri tani për mua ai është i paarritshëm. Ndaj tek tomba i thashë: "Më fal, profesor, më fal!/ Më fal që s'e njoha dot / vargun tënd margaritar,/ sarkazëm, dhembje dhe lotë!"

-Cila është sfida për të shkruar një tregim apo roman?

-Të shkruash një roman apo tregim, nuk e quaj sfidë, por arritje e kënaqësi. Për një grua, me shumë obligime, shëndetligë dhe në një moshë të madhe, sepse nisa të shkruaj në moshën 52 vjeçe, është paksa e vështirë, të besohet nga të tjerët, se një roman është krijimatria e një femre që deri dje ishte punëtore.Me prozën time, duke dashur të vë në dukje gjithë problemet sociale, realisht, pa zbukurime dhe pa hiperbolizime, e quaj sfidë ndaj asaj që është lënë pas dore, sfidë ndaj politikave të mbrapshta. Ndaj jam e bindur se ne femrat duhet ta pranojmë denjësisht sfidën me çdo lloj letëresie.

-Çfarë është një "muzë"? A është kjo aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?-Muza për mua është tërësia e ndijimeve që ngacmojnë ndërgjegjen e krijuesit dhe nxisin vullnetin në një çast, papritur dhe pakujtuar. Pikërisht këtu ndryshon letërsia e krijuesve pas viteve 90-të, me atë të realizmit socialist. Ajo ishte një letërsi e diktuar, e kushtëzuar, ku shkrimtari nuk duhej të dilte jashtë kornizave të idealit komunist, apo rregullave strikte të realizmit socialist. Ndijimi apo muza tek unë lind nga një thënie e dëgjuar befas, nga një ngjarje tronditëse dhe aty për aty skicoj boshtin letrar. Nuk mund ta mohoj genin kulturor të familjes. Mendoj se geni është i rendësishëm dhe i trashëgueshëm. Themi ne nga Vlora:" Ku ka rrjedhur do të pikojë...do të shkojë soji në soj...!" Por jo gjithmonë fëmijët e artistëve bëhen po aq të mëdhenjë sa prindërit. Përsëri do përdor mençurinë e popullit: " Nga njëherë,nga ferra mbinë trëndafili dhe nga trëndafili mbinë ferra...!" Gjithsesi diçka trashëgohet në gene, pastaj me vullnet dhe punë arrin të jesh dikush.

-Cilat janë shprehitë tuaja të të shkruarit? P.sh. Shkruani përditë, përdorni kompjuterin apo shkruani me dorë? Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi ndërsa shkruani?

-Shkruaj për ditë, veçse kur më ngelet kohë e lirë. Në plan të parë është familja ime. Pasi kryej detyrat si zonjë shtëpie ulem në kompjuter. Nga njëherë paralelisht gatuaj, vendos rrobat në makinë larëse dhe punoj. Fillimisht shkruaja me dorë, pastaj dorëshkrimet i punoja në makinë të shkrimit. Kjo ka qenë mënyra e shkrimit të 14 librave të parë dhe tre përkthimeve. Tani punoj drejt në kompjuter. Veçse i përpunoj 5-6 herë. Madje edhe pas redaktimit i rishikoj. Puna në kompjuter është shumë produktive. Nëse në 10 vite botova 14 libra, kurse tani në 4 vite kam botuar 10 libra dhe kam gati për botim 4 të tjerë, pa llogaritur 4 romane, një ese -publicistikë dhe një me prozë të zgjedhur, që janë ndërtuar si bosht. Në rininë time, vetmia, larg dëshirave dhe ëndrrave, më bënte të vuaja. Ndaj e urrej vetminë dhe shkruaj në prani të familjes, ndjek TV, madje edhe debatoj me ta. Kur jam vetëm, më pëlqen të dëgjoj muzikë dhome, një kuartet: piano, violinë, violonçel dhe violë. Dëshiroj të dëgjoj muzikë nga Shtraus, të ndjek balet në akull, të dëgjoj "Stinët" e Vivaldit, apo këngët e mrekullueshme shkodrane. Në çaste trishtimi do të dëgjoja arie operistike "Nabuko" e Verdit, "Kasta Diva" e Normës së Belinit, ose "Vdekja e mjelmës" e Çajkovskit. Në çaste të tilla dua serenatat korçare, pse jo polifinën magjike të Himarës, dhe grupin Ergjëreia të Gjirokastrës. Zëri i jashtëzakonshëm i Arian Shehut më bën të derdh lot. Theksoj se familja ime është e ndërtuar nga artist. Në Pedagogjike unë i kam rënë mandolinës. Për bashkëshortin e thashë më sipër. Vajza, Ermelinda Haxhiraj (Spathari) është violonçeliste, i bije edhe baterisë. Djali,Vladi, ka mbaruar të mesmen për Oboe, por me profesion jurist. Dhëndrri,Lek Spathari është trompist, kompozitor, dirigjent i orkestrës së tij, e muzikës së lehtë. Nipi, Ivo Spathari u bie 4 veglave muzikore, por trainohet për tenis. Mbesa, Bianka Spathari po merr mësime violine dhe kitarrë. Ende nuk e ka zgjedhur rrugën, se është 8 vjeçe.-Kush ka qënë frymëzimi për trilogjinë " Vështroni Meduzën"? *Im shoq thotë:"Vilhelmja nuk shkruan më Meduzë. Mendoj se ka të drejtë. Ishte një punë e gjatë në kohë dhe si volum, 3 romane me mbi 1100 faqe. Më 1975 kur mbrojta diplomën e U.Sh.T, historinë e mbrojta me temën "Krahina Autoktone e Shqipërisë së Jugut", por nuk më lanë të ipja histori se s'isha në gjendje të bëja luftën e klasave. Kjo ishte arsyeja e parë, që nuk i dhashë vlerat në kohë. Ishte si një peng i së shkuarës. Më vonë, në sesionin shkencor, mbajtur në Vlorë, më 1992, në 80 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, u paraqita me temën "Pjesëmarrja e gruas shqiptare në luftën për Pavarësi." Kjo më krijoi mundësinë të gërmoja, të hulumtoja, sidomos për Kaninën dhe Vlorën. Mblodha materialet me mendimin për të bërë një libër kronikal me episode nga jeta e Kaninës. Por i ndjeri Prof.Odhise Grillo, redaktor i 11 librave të mi, më sugjeroi që ta trajtoja si temë letrare, në kahje të historisë së vërtetë. Lufta e klasave, më e egra që ka njohur njerëzimi, i ndau shqiptarët për së gjalli. Ky komb vital përjetoi kalvarë vuajtjesh pa mbarim që kishin nevojë për t'i rrëfyer. Dhembjen e një populli e ngrita në art tek trilogia "Vështroni Meduzën", me mesazhin për rininë e shek. XXI që të mos i lejojë më tragjeditë të përsëriten.

-Deri tani ju keni shkruar shumë novela dhe romane. Si një lexuese e rregullt e disa prej tyre te Fjala e Lirë, mendoj se ato nuk janë fantazi, por në to është bota e brendëshme njerëzore. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave të njerëzve, vendeve, në ndërtimin e një "bote të re", me tipikë burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?

-Nëse diktatura do të ishte rrëzuar më herët, ose do të rritesha me demokracinë e tipit perëndimor qysh kur linda, (pak pas çlirimit të vendit nga pushtuesi), do të kisha dhënë aq sa duhet të japë një krijues.Gjithsesi nuk ankohem. Mohimi i vlerave për 45 vite, më shërbeu si një akumulim përvoje. Jam munduar të botoj sipas mundësive financiare dhe shëndetësore. Nuk mund ta mohoj që krijimtaria ime bazohet mbi realitetin shqiptar. Por pa fantazi krijimtaria nuk do të ishte e karakterit artistik-letrar, por do të ishte kronikë historike. Unë fantazoj mbi realitetin real. Nëse do t'i merrja si tituj, ku secili do të quhej një vepër, atëherë, skicat letrare, tregimet, novelat dhe romanet shkojnë te numri 47(dyzetë e shtatë).Në një numër të tillë krijimesh nuk është aspak e lehtë gjetja e emrave, e vendngjarjeve. Nuk them se nuk kam të vështirë. Por deri tani nuk kam vendosur si personazh dy herë të njëjtin emër. I vetmi libër ku kam përdorur emrat dhe vendet autentike është trilogjia. Mundohem të vendos emra shqiptar. Veçse u shmangem emrave që tingëllojnë keq. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Shqipëri, në qytetet dhe fshatrat tona, ku ngjarjet çvendosen në të tjera shtete si Italia, Greqia, Anglia... Për të qenë sa më objektive, studioj shumë për vendin e ngjarjes dhe kulturën. Duke venë përballë kulturën tonë me të vendeve të tjera, mbaj qëndrim kritik ndaj shkatërrimit të vlerave tona, të kulturës materiale të trashëguar nga e shkuara.

-Tregimi apo romani tuaj i parë është botuar në vitin (vendos vitin ....). Mendoni se krijimet tuaja të mëpasshme kanë ndryshuar dhe cfarë mendoni se ka mbetur konstante?*

-Në prozë kam nisur me roman. I pari doli nga botimi në vigjiljen e Vitit të Ri 1999, me titull "Dhembje nëne", që bën fjalë për një histori tragjike e një dashurie të pamundur për shkak të luftës së klasave. Them se sa më shumë të shkruash, aq më shumë përvojë fiton, në shprehitë frazologjike dhe filozofike, në përzgjedhjen e fjalorit, në analizat psikosociale të ndodhive, në karakteret e personazheve, hynë më shumë në skutat e errëta të jetës dhe të shpirtërave njerëzor. Gjithsesi romani i parë u prit shumë mirë. Tre muaj pas botimit, më ngelën vetëm 4-5 kopje. Kjo më bëri të besoja se proza do të ishte e ardhmja e krijimtarisë sime. E pandryshuar ka ngelur mënyra e të shkruarit, narracion i drejtë dhe në retrospektivë, si dhe i qëndroj besnike analizave psiko-sociale të kohës. Nuk harroj që libri të ketë një a më shumë mesazhe për lexuesin.

-Zhanri i tregimit apo i romanit "e bëtë ju të vinte te ju", apo është preferenca tuaj?

- Kurrë nuk e kam kërkuar atë që do të krijoj. Ajo është e pranishme, e prekshme nga të gjitha shqisat, por janë ndërgjegja dhe shpirti artistik, ato që të diktojnë e të udhëheqin drejt asaj që të lëndon më shumë dhe zgjedhin. Në një farë mënyre krijuesi nuk duhet të mendojë se do t'i zhdukë problemet sociale shqetësuese, sepse nuk është i plotfuqishëm. Nuk pretendoj se krijuesi do të ndryshojë botën. Por duke qenë në oponencë dhe i paanshëm me politikat e keqmenaxhuara, kërkon t'i zbusë në një farë mase ato dukuri që po e grryejnë botën dhe njerëzimin. Fillimisht çdo krijues provon se ku ëdhtë më i sukseshëm, pastaj vendos se cilën gjini do të lëvrojë. Unë ndihem më mirë në prozë, sidomos në roman, se aty e zhbiroj jetën me të mirat dhe të këqijat e saj..

-Si mendoni ju cilat janë elementët thelbësorë të një tregimi apo romani? Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju paraqesni personazhet tuaj nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?

-Ajo që më shqetëson mua është përzgjedhja e tematikës, në vartësi të së cilës zgjedh titullin. Mendoj se titulli dhe kopertina duhet të jenë intriguese. Për këtë kam pasur fatin të bashkëpunoj me Piktorin e Popullit Nestor Jonuzi. Në veprat e një autori temat nuk duhet të ngjasojnë me njëra- tjetrën, personazhet s'duhet të kenë të njëjtat fate. Ngjarjet duhet të zhvillohen në vende të ndryshme. Personazhet duhet të jenë në përputhje me kohën e zhvillimit të ngjarjes, me kulturën e vendit ku zhvillohet ngjarja, me nivelin kulturor të mjedisit. Kur ke parasysh këto, atëhere sfida do të jetë për lexuesin. Kupton se a është bërë i besueshëm romani? Nëse lexuesi gjen veten diku të strukur në rreshtat apo faqet e librit, them se romani është i arrirë, i sukseshëm.-Ju ka rastisur gjatë jetës tuaj të jeni takuar apo pirë kafe, me ndonjë nga personazhet e tregimit, novelës apo romanit?*Për romanin "Jetë në udhëkryq" si temë ma ka besuar vetë personazhi kryesor, jetën e saj, një vajzë e re 17 vjeçe e përdhunuar më 1997. Dhe unë dita ta ruaj sekretin. Ajo ngeli anonim. Askush nuk e di se cila është. Për lexuesin ajo është Era fatkeqe. Ajo nuk i përket më vetes, por është bërë pronarja e kësaj shtëpie edukuese, me emrin roman që u rrëfen udhën lexuesëve. Zanafilla e romanit "Unaza e Prangosur" ishte një bisedë buzë detit, duke pirë kafe me një çift të moshuar. Donin të më përgëzonin për trilogjinë që sapo ishte botuar. Papritur më thanë se ishin fejuar në burg. I dënuar me burgim të përjetshëm, e këshilloi të dashurën që të vazhdonte jetën e të mos e priste. Ajo ishte vetëm 16 vjeçe dhe iu përgjigj: " Edhe 100 vjet të të burgosin, unë do të të pres". Mbi këtë thënie ndërtova një roman. Librin e parë të çdo botimi ua dhuroj atyre. Me ta pimë kafe shpesh herë dhe diskutojmë për letërsinë.-Ju i përshkruani mrekullisht e mjeshtërisht personazhet komplekse që lexuesit vërtet lidhen me ta. Ç'mund të na thoni si e arrini ju këtë? Kush ka qënë personazhi juaj më i dashur e i preferuar?* Siç janë të ndryshme racat njerëzore, pamja fizike, ndërtimi psikologjik i njeriut dhe individualiteti, ashtu janë edhe personazhet. Jeta i ngjan një skene teatri, ku aktorët kanë rolin e tyre. Edhe peresonazhet kanë jetën e tyre negative apo pozitive. Sipas asaj çka kryen secili në jetë, unë i vesh edhe karakterin, duke u nisur nga tiparet, veshja, sjellja apo personaliteti i tij. Për mua librat janë si fëmijët. Kurse personazhet si mbesat dhe nipërit, të cilët janë mjalti i mjaltit. Cilin mund të veçoj mes tyre? Kam shumë personazhe që lexuesit i mbajnë mend pas kaq vitesh. Për mua më i skalituri është personazhi kryesor i trilogjisë "Vështroni Meduzën", Xhevit Aliu. Aq i vërtetë dhe i gjallë është, sa që Prof. Dr. Adriatik Kallulli ( redaktor dhe kritik i disa librave) dhe im shoq, këmbëngulin që ta shkruaj dramë. Nuk di nëse do të më lejoj koha.

-Keni shkruar poezi?Jeni tregimtare apo poete, apo të dyja bashkë? Ku qëndron ndryshimi mes tyre?*

-Kam botuar 3 vëllime poetike dhe një e kam gati për botim. Njëri nga librat e botuar është dy gjuhësh rumanisht-shqip. Nuk jam poete. Poezitë i shkruaj si shfrehje e rastit ndaj padrejtësive apo kënaqësisë për diçka ngazëllyese. Të gjithë romanet e mi i shoqëroj me një poezi në ballinën e fundit, që është sentenca e librit. Unë jam prozatore. Jam e pozicionuar te romani, pa lënë pas dore as skicën, as tregimin dhe as novelën. Them se ecin paralel. Përdor narracionin shpesh herë në retrospektivë. Ndryshimi mes tyre ; Romani do kllëqe, do kohë dhe vullnet sepse ka shtrirje si në hapësirë, ashtu edhe në kohë. Veçse ai më mbush, më bënë që ta jetojë ngjarjen, të vuaj bashkë me personazhin. Poezia është nektari i filozofisë së mendimit, është pjalmi dhe aroma e luleve, gëzimi apo helmi i jetës, është gjuha e engjëjve... Kurse romani është jetë, simfonia e zërave të saj, është piktura dhe skulptura e gjithësisë. Ndaj romani s'ka nevojë as për tellajo, as për ngjyra, as për penel dhe as për daltë...I ka të gjitha brenda faqeve të tij. Si poetët dhe shkrimtarët kanë një të përbashkët se janë "Hyjnitë që shenjtërojnë jetën." -

Kush apo çfarë ka qënë ndikimi juaj më i madh si shkrimtare? Cilat janë sfidat më të mëdha për ju në lëvizjen feministe si një autore?

-Duke punuar për gati 9 vite me gruan, njoha fate të ndryshme fenmrash të shfrytëzuara trefish: nga shteti, shoqëri- opinion dhe nga vetëshfrytëzimi. Femra vetmohohet.Personazhi kryesor tek librat e mi është femra në mosha, profesione dhe kushte jete të larmishme. Pavarësisht se kush i merr trofetë, pak rëndësi ka. E vërteta nuk humbet. Një ditë ajo vjen e të fletë vetë. Unë qysh nga 1990 jam ngritur për emancipimin e femrës, pa të cilën nuk ecën shoqëria dhe vendi nuk integrohet. Si kryetare e LDG.Vlorë, i kam drejtuar një peticion për barazinë gjinore, Parlamentit Shqiptar, të cilin e lexoi i ndjeri Pjetër Arbnori, më 21 prill 1992.Aty përfshihej barazia gjinore, që gruaja të startojë në të gjitha nivelet politike, shtetërore dhe juridike me aftësi intelekti dhe profesionalizmi, jo me shifër fiktive 25 apo 30%. Java e punës 5 ditë, dyfish i pagës për turnin e tretë dhe ditët e pushimit, leja e lindjes 3 vjet, legalizimi i emigrantëve dhe bashkimi me familjet, të drejtohet vëmendja e politikës te Himara autoktone, kthimi i pronës te pronari legjitim,integrimi i të burgosurve dhe familjeve të përndjekura politike. Si në krijimet edhe në publicistikën time, lexuesi gjen një luftë pa kompromis kundër pabarazisë gjinore, kundër trafikut të drogës, qenieve njerëzore dhe armëve. Në romanin "Rrëfim në të perënduar",përmes jetës së Irena Prizrenit, një gruaje të virtytshme, ngrihem kundër dhunës ndaj gruas. Dhuna për mua ka kuptim shumë më të gjerë, se dhuna fizike. Më e rëndë është dhuna psiko- morale, ajo lloj dhune që çdo çast të këlthetë:"Mjaftë më, largohu, ti nuk i përket kësaj bote...", Kjo është një vdekje e ngadaltë. Shitja e fëmijës nga prindi, trafikimi i tyre, pedofilia, AIDS, krimi dhe prostitucioni janë tema të trajtuara nga unë.

- Ju keni qënë shumë e suksesëshme vitet e fundit si shkrimtare, biles ju kanë krahasuar me Herta Muler, por e vlerësuar me çmime mirënjohje e nderi, por edhe marrëveshjen e mrekullueshme të admirimit nga lexuesit e shumtë. Si ndjeheni për këtë?

-Analistët dhe kritika kanë përcaktuar: "Vilhelmja ka ardhur në letërsi me bisturi në dorë dhe si një kirurg i mirë po operon plagët e vjetra e të reja të shoqërisë."(O.Grillo), "...ka ardhur si Antigona për të pajtuar shprtërat e lënduar të shqiptarëve."(Xh. Spahiu), "Po i bën radiogarfinë dhe autopsinë shoqërisë sonë tejet të politizuar.(Sh.Xhyheri lexues) "Sot mes nesh kemi Petro Markon me fustan.(V.Zhiti); "Femra e munguar në letërsinë shqipe me krijimtari tri dimensionale...unikale në prozën dhe stilin e vet, e cila ka vendosur flamurin në kuatën e arritur."(F.Terziu), "Letërsi Ndryshe (F.Sina)", "Realizëm Real" (M. Prençi) etje. Kurse"Herta Muler" më ka quajtur (M.Buçpapa), ndoshta nga që vij nga e njëjta shtresë shoqërore si Herta dhe kam kurajon t'i tregoj me vërtetësi krimet, vuajtjen dhe tragjedinë e një kombi të lashtë. Ja si shprehem diku: "Demoni duke duartrokitur Hamletin në lozhat luksoze, me penën e ngjyer në gjak të pastër shqiptari, nënshkruante burgosjen, vdekjen e ajkës së kombit, internimin e familjeve fisnike dhe intelektualëve të arsimuar në Perëndim, gjë që do të zilepste komedianët dhe tragjedianët, të cilët do të ngriheshin nga varri për të shkruar tragjedinë më rrëqethëse, atë të vendit të shqiponjave që e çmon lirinë sa jetën.". I falenderoj dhe jam mirënjohëse për gjithë vlerësuesit e panumërt. Por më pëlqen të jem dhe jam vetvetja me letërsinë time origjinale. Kur marr një çmim natyrsht ndihem e vlerësuar moralisht, se letërsia ime paska sadopak vlerë. Për mua, lexuesi është vlerësuesi dhe kritiku më i madh.

-A do ta keni të vështirë për të shkruar një romancë dashurie rreth jetës intime të një gruaje?

-Unë jam shkrimtare që i përmbahem realitetit. Si e tillë duhet të them të vërtetën, e cila gjendet vetëm tek ata që kanë fituar lirinë e shpirtit. Nga çka humbur familja ime, e cila pësoi një tragjedi, nuk kam fituar gjë. Kam fituar vetëm lirinë e mendimit dhe të fjalës. Këto më kanë dhënë pavarësinë e mendimit dhe qetësinë e shpirtit.Unë nuk shkruaj vetëm për luftën e klasave. Siç u shpreha më sipër për deri sa shkruaj për përdhunimin, për prostitucionin, për dashurinë, këto akte njerëzore apo çnjerëzore që të bëhen të admirueshme, apo rrëqethëse dhe të dhimbshme, duhet të tregohen me detaje. Romani im i fundit "Dritëhijet e medaljes enigmë..."është një roman që flet për korrupsionin, drejtësinë, por aty ka skena të tilla intime, që shumë lexues u shprehën të habitur:"ke shkruar si mashkull". Nuk shkoj në ekstrem,nuk përdor fjalor vulgar, ose disa imtësira që të vjen të ndoht. Por për intimitet joshës e të dëshiruar për këdo kam shkruar dhe do të shkruaj. Në librat e mi flitet për jetë njerëzore, e cila ndërtohet nga mishi, gjaku dhe ndjenjat. Kur flitet për burrë dhe grua, femër dhe mashkull, dashuri apo seks, i trajtoj në mënyrë të tillë që lexuesi të dijë se me cilin nga këta tipa ka të bëj...Nëse më kuptoni, këto gjashtë koncepte ndryshojnë si dita me natën. Këtë duhet të arrijë të veçojë lexuesi.

-Kur ju shikoni prapa në karrierën tuaj të sukseshme, produktive e të larmishme,. A ka ndonjë dicka që ju do të dëshironit ta bënit ndryshe? Nëse po, çfarë e pse? Nëse jo, ndjeni keqardhje për këtë?

-Nuk kam shumë vite që shkruaj. Sapo hyra në vitin e XV-të. Qysh kur u binda se mund të jap edhe unë vlera në këtë fushë, përse të mos e shpreh mendimin tim për jetën, për një botë pa krime, pa prostitucion, pa vuajtje, pa dhembje por një botë në paqe dhe harmoni? Jo gjithçka e kam bërë të përkryer, por me thejshtësi jam munduar të realizoj ato çka m'i mohuan, dëshirat e ndaluara, ëndrrat e vrara, të shtrira në shumë dimensione si në hapësirë dhe në kohë.Nuk kam dashur më shumë se kaq. Kam dëshirë ta rishoh edhe njëherë krijimtarinë time, por pa ndryshuar të qenësishmen, thelbësoren. Dëshiroj që jetën e personazhit kryesor të "Vështroni Meduzën, ta kthej në një dramë. Nuk di nëse do të mundem..."Ndoshta"për këtë mosrealizim do të më vij keq. Më vjen keq që ana financiare nuk më premton të përkthehem në gjuhë të huaja, sidomos në atë angleze.që lexuesi i huaj ta njohë realitetin shqiptar. Më vjen keq që nuk m'u dha mundësia të shkruaja qysh në rini. Koha erdhi vonë për mua dhe gjithë shtresën time që harroi se cila ishte. E megjithatë, unë shprehem pa urrejtje pa mllefe, por me tolerancë" Nëna nuk i do fëmijët të ndarë,/prej drobitjes zemra pikon gjak,/ndaj të lutem buzqeshëm pak, zgjatma dorën të ecim bashkë!" Do të doja që këto fjalë të dilnin nga shpirti dhe goja e një persekutori. Por mjerisht ata nuke njohin ndjesën, ndaj edhe s'dinë të falin.

-Si e keni parë krijimtarinë tuaj gjatë viteve? Cilat janë drejtimet e reja interesante për ju?

-Mendoj se ka qenë në rritje. Por unë, si autore, pa përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Lidhjes së Botuesve, e kam të vështirë të njihem në botë individualisht. Tek ne mungojnë politikat e menaxhimit të librit dhe nuk trajtohen të gjitha krijimet. Vlerësimet bëhen vetëm nga emri i autorit mbi ballinë. Jo gjithmonë fiton vlera, sepse e mbyt antivlera. Gjithsesi, kjo nuk më pengon të krijoj. Besoj se brenda janarit del nga botimi libri i parë "Ese- publicistikë",që është gjini e re për mua. Kam tri libra studimor në dorë që 2 prej tyre dua t'i përuroj me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Dëshiroj të shkruaj dramën për të cilën fola. Por janë vetëm dëshira, të cilat janë subjektive.

- Kur ju kanë vlerësuar me çmime. A ishit e habitur? Si ju bën kjo të ndjeheni si një autore femër ?

-Ndodhesha në Itali kur, në Vlorë romani me titull "Dilema e së nesërmes" ishte vlerësuar me çmimin "Petro Marko". Ngela pa gojë. Një vit më vonë... Sapo kishim mbërritur në Itali. Ishim duke pirë kafe në shtëpinë e vajzës, e cila jeton në Pavia, kur përmes një telefonate mësova nga sekretari i jurisë se isha fituese e çmimit të parë në Torino. Ishte një e papritur e këndshme. E njëjta befasi më ndodhi edhe në Kosovë, ku isha e ftuar në 131 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Marrja e një çmimi ka jehonë pak ditë dhe harrohet. Kurse ajo që mbahet mend është vlerësimi moral që ndjen autori. Të paharrueshëm për mua do të ngelen vlerësimet që më ka bërë vendlindja ime Kanina, dhe qyteti im Vlora. Edhe pse më dhuruan shumë dhembje dhe vuajtje, ato më dhanë krahë. Nuk thonë kot : "Guri rëndon në vendin tënd, ku fjala peshon rëndë dhe vetëm aty të zë vend!". Përsa i përket vlerësimit femër apo mashkull, tek unë nuk ekziston një diferencim i tillë. Në kongresin e parë të Lidhjes Demokratike të Gruas, isha një nga 3 drejtueset e Kuvendit. Në fjalën time jam shprehur:"Zotërinj, në intelekt jemi të barabartë, edhe në arsimim, po ashtu edhe në profesion. Atëherë ç'keni më shumë nga ne?! Ju korruptoheni me një gotë raki në klub, kurse ne çdo punë e kryejmë më mirë se ju dhe e çojmë deri në fund. Familjen e ndërtojmë së bashku, fëmijët i rrisim bashkë, atëherë përse të mos e drejtojmë edhe shtetin së bashku?! " Pra na ndan vetëm gjinia. Ata janë fatlumët, kurse fati femrës është i paracaktuar. Ndaj pyes: Edhe për sa kohë femra shqiptare do të jetë e paragjykuar?!".

-Çfarë iu ka inkurajuar në rrugën tuaj të krijimtarisë? Sa libra keni botuar deri tani dhe në cilat gjini?

-Kam pasur fatin e madh të kem bashkëpunëtorë të afirmuar si brenda dhe jashtë vendit. Si redaktor, këshillues dhe kritikë kanë qenë: Prof.Odhise Grillo, Uran Butka, vëllezërit Dionis dhe Loredan Bubani, Prof. Dr. Adriatik Kallulli, Mujo Buçpapa dhe Dr. Fatmir Terziu. Analiza perofesionale e Prof. Dr. Eshref Ymeri, Baki Ymeri, Ajet Nuro, mediat etje. Analiza, kritika e besimi i tyre si dhe lexuesi më kanë inkurajuar. Shkruaj në disa gjini:poezi, prozë(skicë , tregim, novelë, roman), fabula, përralla, gjëegjëza dhe skenarë për fëmijë, ese e publicistikë. Merrem edhe me studime historike. Janë botuar 23 libra dhe një në botim( Ese- Publicistikë). Nga këto 3 me poezi, 3 përmbledhje me (novela, tregime dhe skica), 11 romane dhe 7 libra për fëmijë(fabulë, gjëegjëza, përralla dhe roman fantastiko-historik).

- Ju keni dhënë aq admirueshëm në karrierën tuaj. Cilat janë qëllimet për të ardhmen? A jeni duke "gatuar në tënxheren tuaj" dicka interesante në të ardhmen?

-Kam përfunduar një roman që pret dritën e botimit, me temë aktuale. Aty ngrihem kundër babait që shet djalin, i cili dhunohet nga një pedofil dhe si pasojë vdes nga sëmundja e shekullit. Kam gati për botim librin e dytë "Përrallat e vendit blu", një vëllim poetik dhe libri 2 Ese Publicistikë. Dëshiroj të botoj dy studimet ,"Gruaja shqiptare...paradoks", "Krahina Autoktone e Shqipërisë Jugore"( materiale të studiuara që nga 1992) Përkohësisht mendoj të shkëputem nga krijimtaaria letrare artistike. Çfarë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve që janë duke e lexuar këtë intervistë?*Ju uroj të gjithë hyjnive të shpirtërave njerëzorë, jetë ,shëndet, krijimtari të bollshme dhe suksese! Uroj të arrijnë majat. Për të mirët ka mjaftë maja të pa shkelura. Lexuesve iu kërkoj me përgjërim: "Ktheni sytë nga letërsia shqipe, se na ndihmoni që edhe ne të arrijmë nivelet botërore. Kritika e parë e një botimi të ri, duhet të jetë lexuesi.-Këshilla juaj për shkrimtarët fillestarë?* Të nxjerrësh një libër nga botimi duhet kulturë, talent, pasion, vullnet dhe shumë punë. Shkrimtarët e rinj duhet të lexojnë shumë, por kurrë letërsi të keqe. Duke punuar do të krijojnë portretin e vet si krijues. Të jenë vetvetja, do të thotë të ndjekin shembullin e më të mirëve por jo të jenë shembëlltyra e tyre. Secili duhet të krijojë portretin e vet letrar, i cili ngjason me shembëlltyrën në pasqyrë.

-Nëse dëshironi të shtoni diçka...

- Znj. Monda të faleminderit! Ishte kënaqësi, por ishte ngarkesë e madhe sidomos tani që ishte Viti i Ri dhe ndërkohë ndërrova shtëpi. Ju uroj një vit plot mbarësi! Me respekt dhe dashuri VilhelmeJu faleminderit

Intervistoi RAIMONDA MOISIU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
E SUKSESSHME, POR E VARFËR (01.10.2011)
ALI BABA ME 40 HAJDUTËProzë humoristike satirike nga ARBEN KALLAMATA (01.09.2011)
PATËR GJERGJ FISHTA NË 70 VJETORIN E VDEKJES SË TIJNga MËRGIM KORÇA (01.06.2011)
HELENA KADARE: KOHË E PAMJAFTUESHME, JETA ME ISMAILINNga ADMIRINA PEÇI (01.05.2011)
VARIACIONE LIRIKENga DANIEL GÀZULLI (01.04.2011)
KAM URI PËR GOJËN TËNDENGA PABLO NERUDA (01.04.2011)
KALENDARI I VEPRIMTARIVE KULTURORE TË JANARIT (12.31.2010)
BALADË PËR VAJZËN E VOGËL ME EMRIN LULE QË MBETI 5 VJEÇ (12.29.2010)
PEMA BESNIKEPoezi nga KËZE KOZETA ZYLO (12.28.2010)
NË KRISHTLINDJE Tregim nga ROLAND GJOZA (12.28.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]