VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË LULE QË UDHËTOI NGA TIRANA NË HAIFA, IZRAEL. AJO VAZHDON TË LULËZOJË ATJEPoezi nga MIMOZA EREBARA

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 01:03am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

NJË LULE QË UDHËTOI NGA TIRANA NË HAIFA, IZRAEL. AJO VAZHDON TË LULËZOJË ATJE

Poezi nga MIMOZA EREBARA


E Martë, 01.18.2011, 09:17am (GMT+1)

SHALOM, LOTI IM!

Kjo tokë, megjithëse larg

toka ime,

- s'më lëshon

Me dashurinë tënde

Të fshehur diku,

Në thellësitë e indeve të mia

Më mban në palcën e mos harrimit,

Si lot',

që kurrë nuk ra...

 

 

FARA

Haifa

Për një lule që udhëtoi nga

Tirana në Haifa, Izrael. Ajo

vazhdon të lulëzojë atje...

E vogël,

E brishtë lulja,

E vogël fara,

Toka s'e mban

Se Qielli i madh i Besimit

E thërret,

Atë,

Farën,

Të lulëzojë përjetë

Në Kopshtin e shpirtrave të etur

Ku Drejtësia Universale

Merr udhë

Njëlloj si Besimi im

Për Ty

Lule e Përjetshme

Energjie reale

Që Botën mban.

Në të brishtat petale...

 

PARA PORTAVE TË DAVIDIT

Me Portat e Tua

Mbi supe,

Lëviz nëpër botë.

Mundohem t'i montoj

Në zgavra shtetesh,

Kombesh,

Po ato nuk qëndrojnë

Dhe kthehem,

Me Portat e Tua në supe

Qëndroj para Mureve të Lashtë,

E aty,

Lehtësisht i vendos.

Moriah

Nga lashtësia

Flet me zë të paqtë

Po kur eshtrat,

Eshtrat e dashura,

Kërkëllijnë,

Lufta vjen në prag,

E çdo degëz fërgëllon në gjak,

Paqja vijëzohet në ajër

Natën kur shndërron trajtë

Nga frymët e të vrarëve

Dhe tek ti kthehet,

Tek ti, moriah!

Fletëbutë besnike

E ninullave të nënës

Që foshnjen time në gjumë e vë

Në një gjumë lashtësisht të kristaltë!

 

JAM NË TIRANË, POR NË JERUZALEM DUA TË JEM

Atje,

Ulliri i vjetër

Nuk thahet,

Kur trupin plot jetë ia përshkon

Guri plot thepa,

Hekuri i nxehtë e

Koha e Ashpër,

Atje,

Ku gurët më flasin

Me frymë,

Si në lojën e hershme

Të fëminisë,

Dhe mozaikë Jete

Formojnë

Atje,

Ku Koha ndalet

Në Ardhmërinë e saj,

Në ajrin e tij,

një grimëz tekanjoze

ekspansioniste,

e trupit tim gjethor,

dëshmitare e grykësisë së Hënës

që gllabëron çati, kopshte e lehje qensh,

ku buzët kthehen në viktima pasionesh

përgjithmonë,

Atje,

Në Jeruzalem

Dua të jem...


TEK MURI I LOTËVE

Jeruzalem

E pafuqishme për ta ndalur,

Kam lënë të më rrjedhë kaq shumë gjak

Nga rrembat,ditën, natën,

atëhere kur qyteti thyhet nga paqja

që shkon e ftohtë, kryeneçe...

e vizatohet në ajër

me frymët tona të ngrohta

Për zemrat,

Me shpresën se një ditë,

Nën hijen e Murit të Lotëve

Lutja ime,

Ndanë gurëve

Ku thika plagos, besimin,

dhe ajri përkëdhel çastin,

aty ku guri më pret

të më tregojë sekretin e Mbijetesës

Që kurrë në kujtesën time

Nuk vjetërohet

Aty pres, që lutja ime

Të marrë udhë ...



NË DETIN E VDEKUR

U zhyta në Detin e Vdekur

Për të parë,

Sa i vdekur ish

Po mbeta aty,

Duke rregjur lëkurën

Në kripën e tij.

HA- SHOAH*

Në Yad Vashem, Muzeumin

E Viktimave të Holokaustit.

Si në një krematorium

Digjen brenda meje

Gruri, Kockat, Drita, Fryma,

Shuhet çdo gjë

Në HIRIN e ekzistencës

Që shpirtin e mori në ajër

Dua të ik'

Dhe mbetem aty,

E ngurtësuar,

Si pëllumb i zi

Në zgavrat bosh

Të syve të bukur- dikur

Kur jetën frymonin drejt Jetës

Qëndroj,

Për të gjetur të ngjashmen e vetvetes

Në fushën ku gruri sapo u korr,

Dhe ja ku jam

Unë,

Me kallirin e kujtesës

Që fjalë më thotë mes tymit e hirit

Të ziut tym të roztë!

Më thotë:

Sa e bukur ishte Shpresa !

Nën krahë fluturash vese!

*Ha-Shoah- hebraisht, përkujtim


PYES PLUHURIN


Përmes Neghevit

Ec shkretëtirës

Ku Dielli përvëlon

Eshtrat,

Në pluhur

I kthen

Kujtimet,

E i gëlltit thellë,

Thellë,

Rërës së nxehtë,

Për të shpërthyer

Më pas,

Si oaz,

Ku unë ndalem,

Para se të vi,

Tek ti,

Qytetërim i Shekullit tim.

NË ARAD

Digjet qielli nga malli im

Dhe për grimcash të ajërta

Fluturon, tutje, tej...

Drejt rërës dhe

Gurit të shkretëtirës

Që digjet nga fryma

Që mua më përvëlon

Teksa zhvesh dhe gacën e fundit

Për ty,

Guri im,

I natës së artë,

Ku ylli si shpirt i humbur

Vjen në ëndrrën time

Si përrallë e

E padëgjuar ende

Shkretëtirë,moj,

djepi

I frymës sime



KAM NJË TEMPULL, KAQ MJAFTON


Me fatin tim në krahë

Po nisem

Drejt Shenjave

Të gjej Enigmën,

Misterin,

Magjinë e Dheut

Që më zgjon,

Turbullon,

Në heshtje ulëritëse

Më këndon

Për

Genin tim të humbur

Shakave të Kohës.

Shkoj atje ku

Të vdekurit

Flasin më shumë se të gjallët

Në Tokën time,

Që

Udhën të më tregojnë

-Shalom!


KAM HARRUAR TË MBYLL DRITAREN


Me rrezet e tua

Ngatërrohem,

Tek kërkoj atë,

Të vetmen,

Rrezen tënde, që drejt besimit

Për ty më çon,

Përjetësisht!


VJESHTË NË TEL-AVIV


Deti me ngjyrë shiu

U vesh

Dhe veten pa

Në pasqyrën e qiellit blu

Nuk i pëlqeu

Ishte tepër blu,

Tepër i bukur,

I bukur deri në dhimbje

Kishte pamjen e jetës

Në ëndrra

Ndaj e zhbëri,

Dhe veshi me gri rigash shiu

Çatitë

Dhe qerpikun tim

Në Tel-Avivin blu.



GRATË E ASHDODIT


Të heshtura

Si petalja e parë

Si fluturimi,

Ecin,

Butësisht krenare

Sunduese,

Tunduese

Të Paqes

Që rrezja bën në agim

E tek ninzat-dritë

Të fëmijëve

Zhurmëmëdhenj.

Çdo gjë të tyren lenë.



PROFECITË


Në Galile

Lahem nën Profeci.

Po uji i dielltë

Shtohet

E më mbulon krejt.

Nuk është më

Vetëm Profecia Ime

Me mijëra më rrethojnë,

S'kanë fytyrë, as moshë

Se sytë tek Unë i kanë lënë,

Që Unë të shoh

Ato që Profecitë thonë

Dhe të hesht

Se Heshtja duhet tani.



AUTOKTONE


Mbi lëndinë të blertë

Ngre shtëpinë e Ëndrrës time

Me Dashuri

Rrugën e shtroj

Dhe për çati, Zemrën e ve

Trishtimin le për gardh

Ku vuajtja të mos hyjë

E shpirt të japë kacavjerrë në të

Dhe Vatrën e ngroh me Shpirt

Dhe Llambën e Besimit

Për udhëtarin ndez

Mazal Tov!

Dhe Jetën ushqej me jetë

Vetëm atëhere jam në shtëpinë time,

në ëndrrën time



BAROUH HABA!


Mirëseerdhët!

Në fund të kokërrizave të rërës

Më thonë :-Jeto!

Më thonë:

Se ajri është i yti

Dhe dielli i gjithi për ty

Macja të përshëndet me mjaullimë

Veç ty,

dhe Ulliri

atje në fund,

freskinë për ty e ruan

më thonë me ngulm :-Jeto!

Po rruga nuk është krejt e imja

Majtas, dritare të gjelbërta,

djathtas, dritare të kaltërta,

lart, tela të mbushur plot rroba

ngjyra-ngjyra,

pa identitet,

që presin të thahen nën diellin

në rrugicën e ngushtë

ku duhet të them

deri tek ulliri, atje në fund

-Erev Tov! Erev Tov!

Dhe të gjej në gurin e kalldrëmit

Kokërrizat e mia të rërës së shpirtit

T'i gjej sa nuk është vonë,

duhet t'i gjej edhe kështu si jam,

trup-trung e kaltër si qiell

sy-shpirt e gjelbër si bar

EREV TOV (hebr.)-Mirëmengjes

Perëndim në Izrael

Perëndoi dielli mbi TelAviv

U tret në muzg hija e peshkatarit

Të vjeter, ndanë detit blu

Në muzg u tretën ndërtesat

Falafeli tek qoshku edhe për sot mbaroi

Lulet e mbuluan veten me kujdes

Vajzat ushtare i lanë të lira flokët,

si ëndërrat,t'u derdhen supeve

Gamilet si Sfinkse, u ulën të heshtura

Shkretëtira e vetmuar foli me to

Me gjuhë misterioze nën një rit

Mijëravjeçar,të padeshifrueshëm

Dhe beduini humbi nën sytë e malltë

Dhe foshnjet ranë në gjumin e paqtë

Arka e Noaha-s

Nuk u nis, as në këtë perëndim

Guri lëshoi në ajër gjithë nxehtësinë

U mbyllën Bibliotekat, Muzeumet,

po Qeshja e veshur gjysëmdiell e gjysëmnatë

doli në rrugë.e lirë,e shpenguar,farfuritëse

Qeshja,

Mbi Ashdod,

dhe mbi Arad,

Masada me kohë i kishte fshehur plagët

dhe qeshi me qeshjen

Muri i Lotëve thirri pranë Shpresën

Perëndoi dielli

Në Tokën Time të ashpër

-Dhe Loti im i butë

perëndoi....



RIGJETJE


Kërkoj lotin

-rrëmoj në kockat e mia

Dhe aty e gjej thellë të tulatur



IDENTITETI


Ne lindnim nën pemë

Rriteshim rreth pemës

Vdisnim të varur në pemë

-ne ishim pemë

Pa rrënjë,

veç trung,

pa gjethe,

veç fruta

-shkopinj të thatë

Që lindnim nën rrënjë

E vdisnim në degë

Ku gishtat si krimbat

Kokëfortë,

hanë gjethet e fundit të vjeshtës.



PËRSE NUK MË DËGJON AMOS OZ?


(Një mendjeshkrepje e imja)

Poemth

Vërtitem rreth vetes

Si macja rreth bishtit të saj

Si Hëna rreth Tokës

Rrezet i ngatërroj, ashtu kot,

Dhe ty të kërkoj Amos Oz

Kontinente, toka të panjohura

Krekosen në mendjen time

Më joshin me çdo gjë joshëse

Me stinë rrezëllitëse gjelbërimesh

Mbi male të mrekullueshëm,

Lumenj farfuritës, kaleidoskop drite

Dete kaltërsisht të kaltër

Dhe presin që unë të ngrij

Por e kotë...

Përse nuk përgjigjesh Amos Oz?

Gjuha jote është dhe e imja

Unë të kuptoj dhe kur nuk flet

Por sytë mbi shkretëtirë i tret

Unë të kuptoj edhe kur dhimbja

E Profecive të heshtura

Ty të sëmbon thellë,

Aq shumë, sa mua më vret

Përse nuk më dëgjon Amos Oz?

Ushtojnë në kokën time klithmat

Mijëra vjet sillen klithmat

Si korbat

Në kërkim të presë

Ti, i dëgjon, apo jo, Amos Oz?

Shkretëtirës së zbehtë

Lehonë e pafëmijë

Lotngrirë

Por unë nuk dua të jem preja e saj më e re

Në lumenj gjaku

Nuk dua të dashuroj

Dhe në shtratin gërrnjar të historisë

Nuk dua të harroj kush jam

Tek ngjiz fëmijën tim frymëdrite

Aroma ime në atë çast dua

Të jetë, thjesht, e mrekullueshme,

Epshndjellëse, këndellase

-aroma ime,

-rëra e nxehtë e dëshpërimit tënd

Fluturon,

Kufomë,

Në tokën e lagët, në tokën e njelmët,

Ku trishtilat këndojnë

Nën gonxhet e fundit në pyll

Që shtrat i bëjnë gjumit të birit

Dal. Ec.

Përkëdhel kalldrëmin

E rrugës sime të lirë

Dhe qesh me vete, se e lirë jam!

Këtu,

Ku bota nuk ka kufij

Dhe ku unë eci kokëlartë

Dhe vetes i them E marrë!

Amos Oz nuk të njeh

Të përgjigjet si pret?

Në të tjerë kalldrëmë ecën

Në tjetër jetë

Dhimbje të tjera le pas

Në të gjaktin kalldrëm

E di,

Që ti ecën në një kalldrëm drite

Të gurtë, të sertë,

Ngadalë, ngadalë,

Përdore me Profecinë e Shenjtë

Dhe Yllin në krah

Kur notat e trishtuara të muzgut

Bëhen aroma ime

Qeshja nis nënbuzë

Arratisjen nga gjumi, nata

Në kërkimin tënd Amos Oz

Ti, i panjohur, me trajtë, me emër

Shëmbëlltyrë dashurie e besimi

Të përbotshëm

Ti, më dëgjon Amos Oz? ...

2010, Durrës, dhjetor.

MIMOZA EREBARA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
"¨LUFTA NË KOHËN E DASHURISË" NË ANTOLOGJINË GJERMANE TË DRAMËS (01.16.2011)
KINEASTI KOÇI ME FILMA ME TEMA SOCIALE NË BERLIN (01.15.2011)
GJËMIMI I MOSHAVETregim nga RAIMONDA MOISIU (01.14.2011)
SË SHPEJTI KËNGA E RE E BRITNEY SPEARS (01.12.2011)
VILHELME VRANAR - HAXHIRAJ: TË SHKRUAJ NATËN QË TË NDRIÇOJ ERRËSIRËN DITËNIntervistoi RAIMONDA MOISIU (01.11.2011)
E SUKSESSHME, POR E VARFËR (01.10.2011)
ALI BABA ME 40 HAJDUTËProzë humoristike satirike nga ARBEN KALLAMATA (01.09.2011)
PATËR GJERGJ FISHTA NË 70 VJETORIN E VDEKJES SË TIJNga MËRGIM KORÇA (01.06.2011)
HELENA KADARE: KOHË E PAMJAFTUESHME, JETA ME ISMAILINNga ADMIRINA PEÇI (01.05.2011)
VARIACIONE LIRIKENga DANIEL GÀZULLI (01.04.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]