VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ÇËSHTJA E FRYMËZIMIT NË KRIJIMTARINË LETRARE NËPËR SHEKUJ DHE EPOKA KRIJUESEMISTERI I FRYMËZIMIT, KU MIRREN UDHËZIMET DHE POROSITË PËR TË SHKRUAR?!Nga Prof. Asc. XHAVIT ALIÇKAJ

                                                                                      

E Enjte, 05.09.2024, 05:22pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

ÇËSHTJA E FRYMËZIMIT NË KRIJIMTARINË LETRARE NËPËR SHEKUJ DHE EPOKA KRIJUESE

MISTERI I FRYMËZIMIT, KU MIRREN UDHËZIMET DHE POROSITË PËR TË SHKRUAR?!

Nga Prof. Asc. XHAVIT ALIÇKAJ


E Martë, 04.26.2011, 11:04am (GMT+1)

Çështja e frymëzimit në krijimtarinë letrare nëpër shekuj dhe epoka krijuese është konceptuar në mënyra të ndryshme që përkojnë dhe ndryshojnë vazhdimisht. Po t'i shpalojmë faqet e veprave letrare dhe mendimet teorike të dhëna nga një kohë në tjetrën, nëpër periudha letrare a filozofike, gjejmë shumë dëshmi të një të vërtete se frymëzimi ka nxitur kureshtje aq të madhe sa mund të ngritet në nivelin e një objekti për studim.

Procesi krijues letrar prej kohësh është akt i interesimeve njerëzore se gjithmonë është shtruar një pyetje që ka tërhequr mendime të shumta e të ndryshme, se ç'është ajo fshehtësi, ajo forcë e brendshme që e aktivizon dhe e nxit atë. Mendimet e hershme çojnë në gurra të ndryshme për të pranuar format e frymëzimit, që të shumtën e rasteve nuk janë të qëndrueshme. Disa e pranojnë dhe e përkrahin aktin krijues dhe fymëzimin nga një gjendje ekstaze, që mbështetën në udhëtime fantastike të largëta, jashtëtokësore, të panjohura, ku mirren porosi e udhëzime për të shkruar; ka mendime të lira, po ashtu të hershme, madje shumë të hershme, se frymëzimi e ka burimin në forcat mbinatyrore, në vetë perënditë, të cilët njerëzit më të dijshëm, mendohet për shkrimtarët, i çmojnë si përfaqësues të tyre. Nuk përjashtohen as burime të tjera të frymëzimit, që nuk po i cekim, e veçmas frymëzimi i nxitur nga dashuria, që më shumë ka shërbyer si kreativitet sesa si motiv.

Përbri këtyre mendimeve, shumë sish tashmë të vjetëruara, në krijimtarinë letrare rol të madh luajnë inspirimi dhe imagjinata, dhuntia natyrore dhe puna, e në ballë të të gjithave, siç e pranojnë dijetarët e mëdhenj e të rryer, duhet të vëhet vetëdija artistike, pa të cilën nuk ka krijimtari të madhe. Shkrimtarët e talentuar, të shoqëruar me epitetin meritor, shkrimtarë të mëdhenj, kanë aftësi të veçantë të futën në botën e brendshme të ngjarjeve e të personave dhe t'i përpunojnë me vetëdije artistike, t'ua marrin natyrshmërinë e përditshmërinë, petkun e zakonshëm e t'i zbukurojnë me vlera të tjera më të larta ideore e estetike. Pushkini me të drejtë frymëzimin poetik nuk e konsideronte si diçka mbireale, as hyjnore, por një akt krijues që me përpjekje, me intuitë të gjallë, me gjuhë të zgjedhur, stil të përkryer, e arrin nivelin e artistikes.

Për të pranuar të vërtetën jetësore apo të vërtetën e mundshme, e quajmë të qëlluar dhe bindës mendimin e studiuesit të letërsisë, Milivoj Solar, i cili thotë : ,"Bota e veprave që nuk do të ketë kurrfarë marrëdhëniesh me botën reale nuk do të na interesonte fare". Pra arti, këndej edhe letërsia, si burim kryesor frymëzimi ka realitetin objektiv, ndonëse e tumirim mendimin se arti nuk është kopje besnike e realitetit. Padyshim, e vërteta jetësore futet e zbukuruar, e hijeshuar, e riprodhuar, duke dhenë një realitet të ri. "Ekziston e vërteta faktografike, e vërteta e lidhur për kohën e caktuar dhe vendin e caktuar - e vërteta historike në kuptimin e ngushtë: e vërteta konceptuale, e përgjithshme" - pohojnë R.Velek dhe O. Voren në Teorinë e letërsisë.

Shkrimtarët shpeshherë kanë folur për punën e tyre krijuese, kanë dhënë mendime interesante dhe të qëndrueshme e ka raste kur e hapin labirintin e fshehtësive krijuese për të treguar se çka u ka shërbyer konkretisht si burim frymëzimi dhe në çka e kanë mbështetur aktin krijues; me fjalë të tjera si e kanë konceptuar procesin krijues letrar dhe si e kanë bartur realitetin objektiv në atë artistik. Për këtë çështje mund të shkruhen faqe të tëra dhe mund të ngritej si temë e veçantë : procesi krijues në vizionin e shkrimtarëve të mëdhenj. Gëte i madh thotë se syri parasegjithash ka qenë organ me ndihmën e të cilit ka kuptuar botën, ndonëse i merr parasysh edhe shqisat e tjera. Kush nuk flet qartë për shqisa-shkruan ai - nuk flet pastër as për shpirt. Balzaku, si realist i madh që ishte, jetën reale e kishte taban të përhershëm frymëzimi dhe shkruante se është veshja jonë.

Shkrimtarët i shikojnë gjërat përreth si veprojnë, si reagojnë, sa krijojnë kënaqësi dhe pakënaqësi, pra e shikojnë jetën reale e pastaj e bartin në krijimtari.

Megjithëkëtë, heronjtë e veprave letrare nuk shëmbëllejnë në mënyrë të prerë e të përpikët me karaktere të caktuara, se atëherë do të dilnin të zbehtë, të mangët, pa porosi të caktuara për jetën dhe nuk do t'i plotësonin kërkesat e duhura ideoartistike, prandaj përpunohen më tutje, begatohen me virtyte të shumta dhe bëhen më të pasur me botën e tyre shpirtërore. Dalëngadalë zhveshen prej karakterit individual dhe marrin tipare karakterologjike të rrethit apo edhe më gjerë.

Shkrimtarët duhet të jenë njohës të mirë të rrethit dhe të psikologjisë së popullit, njohës të mirë të psikologjisë së letërsisë, në mënyrë që të krijojnë heronj tipikë, të kenë aftësi të ndërtimit të tërësisë së re nga elementet e veçanta të përjetuara ( siç shkruajnë Velek- Voren) .

Në disa vepra letrare e vërteta artistike i afrohet të vërtetës jetësore sa që e bën lexuesin të dyshojë se a mos vallë ashtu ka ndodhur. Kur lexohen veprat e Shekspirit vërehet një mishërim i bukur i karaktereve njerëzore sa ndonjëherë i ka shtyrë njerëzit të mendojnë në mos ka qenë vetë avokat, mësues, ushtar, bujk, apo burrë shteti. Kurse për Balzakun është thënë me veprat e tij mund të mëkembej një Francë e tërë, kështu ndodh me shkrimtarët e mëdhenj, veprave të të cilave nuk u humb freskia as bukuria e shprehjes poetike, as fuqia e fjalës, se në to rrjedh art i përhershëm, ato i kënaqin dhe i mbijetojnë shijet e brezave.

Se sa afër qëndrojnë, ndonjëherë, realiteti jetësor me realitetin artistik na dëshmon mendimi i shkrimtarit tonë bashkëkohor, Dhimitër Xhuvani, i cili thotë se çdo vepër ka historinë e saj, parahistorinë e afërt a të largët, diku duhet të ketë mbështetje tejet reale. Duke gjurmuar historikun e veprave letrare shumëherë ngjarjet dhe personat i ndeshim në kohë dhe hapësirë të caktuar, i gjejmë në rrethana të caktuara historike dhe shoqërore, por të përgjithësuar. Kjo na tregon rrugën që ka ndjekur shkrimtari prej burimit deri te përpunimi. Në shqyrtim do t'i marrim disa shembuj tipikë dhe karakteristikë nga letërsia botërore dhe nga letërsia shqipe nëpër kohë të ndryshme për t'i parë burimet reale frymëzuese. Fjala vjen, dashuria e Laurës me Petrarkën ka mundur të jetë edhe e vërtetë, dhe ka të tillë që i bëjnë krah këtij mendimi, mirëpo në krijimet e bukura të Petrarkës janë shkrirë njëra-tjetrën e vërteta jetësore me atë artistike duke dhënë diçka më të bukur, më të fuqishme, më të qëndrueshme që zgjati më shumë se dashuria e tyre. Madje Laura u pikturua aq bukur poetikisht sa që kanë mundur të dashurohen në të edhe shumë të tjerë, se ishte bërë ideale, e përkryer, me shije për të gjithë, ndërsa për poetin ishte bërë edhe hyjneshë, siç ndodh me të gjithë të tjerët që personin që e duan e shohin me sy më të bukur. A qe Laura krijesë reale apo poetike bën të mos pyetet, por se u bë më e bukur, më e freskët, më e njomë dhe më e dashur, nuk ka dyshim.

Shkrimtari tjetër në zë, Aleksandër Dumas (biri), po ashtu për të shkruar librin aq të lexuar "Zonja me kameliet" u nis nga një ngjarje e vërtetë dhe e njohur nga një rreth i gjerë njerëzish, për çka është shkruar ndonjëherë. Shkrimet historiko-letrare çojnë në të dhënën se zonja me kamiliet ka ekzistuar dhe se ajo quhej Alfonsinë Plesis dhe se i dihen të gjitha shënimet biografike. Nga provinca kalon në Paris ku e ndërron edhe emrin në Marie Duplessis, e që me bukurinë dhe sharmin e saj kishte mahnitur tërë Parisin.

Kësaj bukurie të rrallë fizike e shpirtërore nuk mund t'i heshtë as shkrimtari, i cili një kohë e vazhdon idilën e dashurisë me të dhe e do me gjithë zemër. I nxitur nga dashuria e njëmendtë dhe shumë e fuqishme i lind edhe frymëzimi, këndej e përpunon në një portret të bukur poetik, në një heroinë të pavdekshme me emrin joshës Margëritë Gotje. Aleksandër Dumas nuk e la veprën në suazat e një biografizmi, as të një dashurie çfarëdo qoftë ajo, por i dha shtrirje më të gjerë shoqërore e nivel të lartë artistik. Pikësëpari ai zbuloi plagët e shoqërisë së lartë, shëmtinë e saj dhe rolin shkatërrues që njerëzve ua impononte rregullat prej të cilave nuk mund të dilnin. Kjo ishte njëra nga ato, siç do të shprehej Migjeni, që duhet t'i qeshej botës së mykyr, t'ua plotësojë qejfet e shfrenuara për të rrojtur vetë. Autori merr guxim të shkruajë e ta vërë humanitetin e dinjitetin njerëzor në ballë të vlerave shoqërore me akcentin të veçantë se femrat e tilla janë të denja për respekt e jo të përdoren si vegla për qejfe të ulëta njerëzore; janë për dashuri e jo për shfryerje epshesh.

I dashuruar thellë në këtë femër, Dumas lehtë ka mundur të mbetet në guackën e dashurisë dhe ta përmbyllë veprën me motivin e vetëm të një dashurie të shfrenuar. Mirëpo, me mjeshtëri iu shmang duke i dhënë vlera shumë më të larta artistike e njerëzore, duke nxjerrë një pyetje që do përgjiegje nëpër kohë: ç'shërbime të hidhura mund të bëjë një dashuri e tillë?!

Pra zonja me kamiliet ka ekzistuar, por Alfansinë Plessis me jetën e saj private, me të bëmat e të thënat nuk mund të krahasohet me Margëritë Gotjen. Si e tillë ajo do të përmendej aq kohë sa ka jetuar, ndoshta edhe ndonjë ditë në kujtimet e bashkëkohësve, por të futet e gjallë dhe të mbetet përherë e freskët, e pavdekshme, ka mundur ta bëjë vetëm forca e fjalës poetike, e atij që e deshi aq shumë. Dhe nëse është harruar Alfonsinë Plessis nuk do të lëhet në harresë Margëritë Gotje.

Edhe shkrimtari i madh rus, Maksim Gorki, për ta shkruar romanin e tij "Nëna" aq të lexuar e aq të fuqishëm për rrethana e qëllime të caktuara, është mbështetur po ashtu në një ngjarje të vërtetë e një njerëz konkretë. Në studimet që janë bërë për këtë vepër nxjerrim të dhënën se "lëndë e parë" i kanë shërbyer demonstratat e Një Majit në Nizhni Novgorod (sot Gorki) dhe në Sormovë, në vitet 1901 - 1902, në të cilat janë dalluar mbi të tjerët Petro Zollomovi me nënën e vet Ana Krillovna. Këtë ngjarje Gorki e lartësoi artistikisht, i zgjeroi mundësitë e tyre më parë të kufizuara dhe e krijoi një vepër të çmuar për kohën, madje u bë si model i të të shkruarit të veprave revolucionare. Jehonën e guximit, të trimërisë e të qëllimeve do t'i kapërdinte koha dhe këta si revolucionarë do të mbeteshin të panjohur për rrethe më të gjera. Vendin e tyre në mënyrë të denjë e zënë Pavël Vllasovi dhe Pellageja Nillovna, heronj të veprës së njohur "Nëna". Kështu u krijua një vepër me vlerë për proletariatin botëror që ngërthen në vete idealet liridashëse e të frytshme për një jetë të lirë, të lumtur e të bukur për të gjithë njerëzit. Shkrimtari ka arritur ta portretizojë e ta tipizojë një nënë të proletariatit, një figurë të madhe të sakrificës, të heroizmit, të urtësisë, që nuk krahasohet me një nënë të zakonshme.

Diçka e ngjashme i ka ndodhur edhe shkrimtarit tjetër të njohur Ernest Heminguejt. Prototipi i peshkatarit plak, Santiago, përndryshe hero i romanit "Plaku e deti", ishte peshkatari po ashtu plak, Gregorio, nga fshati Kohimar, afër Havanës ( në Kubë), i cili na paskësh pasur miqësi të thellë e të sinqertë me shkrimtarin. Ky na i kishte rrëfyer ngjarjen interesante dhe luftën e gjatë me peshkaqenët për ta shpëtuar peshkun më të madh që është zënë ndonjëherë në atë rrethinë. Më në fund pas gjithë asaj përpjekjeje për ta shpëtuar peshkun, i mbetet vetëm skeleti. Këtë tregim të ndodhur të Gregorios, Heminguej e përpunoi mjeshtërisht në veprën e njohur e shumë të kërkuar, " Plaku e deti", e cila i befasoi për të mirë të gjithë lexuesit e sinqertë dhe i dha krah tërë krijimtarisë që pos shpërblimeve të tjera, t'i jepet më i çmuari, çmimi nobel për letërsi. Po të mos shkruhej kjo vepër, ngjarja dhe rrëfimet e Gregorios do të endeshin nëpër gojë dhe një ditë do të harroheshin si shumë ngjarje të tjera, ndërsa Heminguej e bëri të përjetshme në një vepër të shkëlqyer.

Edhe letërsia shqipe na jep shembuj interesante të bartjes të realitetit jetësor në atë artistik, pra të transponimit. Dhimitër Xhuvani, të cilin e përmendem më parë, na e zbulon historikun e romanit dikur shumë të lexuar, " Përsëri në këmbë", në të cilin është mishëruar një ngjarje reale, se heroi i veprës së tij, Din Hyka, vërtet ka ekzistuar me emrin Nuredin Hoxha. Ky që herët kishte mbetur pa këmbë, por nuk i nënshtrohej fatit, as i dorëzohej jetës. Kishte vullnet për punë dhe vetëbesim të madh për jetë. Për banorët e lagjes së tij njihej si mjeshtër i gjithanshëm, sidomos rregullonte mullinjtë e kafesë, çelësa, orë të prishura e të tjera, me çka jo vetëm siguronte një pjesë të të ardhurave, por e përfitoi dashurinë dhe simpatinë e rrethit, deri te titulli, atëbotë, hero i punës. Kjo i mjaftoi shkrimtarit që prej një reportazhi gazetaresk, të krijojë një vepër të bukur me titullin provokues "Përsëri në këmbë" , duke e plotësuar e gdhendur me mjeshtëri çdo gjë që i ka munguar prototipit. Dhe me siguri Din Hyka mban në vete aspekte më të gjera morale, punuese, njerëzore e jetësore se i pari. Në mendjen dhe me penën e shkrimtarit është bërë më tërheqës, më i qëndrueshëm, më i dobishëm dhe më i vlefshëm.

Duke e pranuar vërtetësinë e romanit " Kronikë në gur", shkrimtari i madh, Ismail Kadare, vë gisht në vështirësitë e krijimit të veprës letrare që i ka përjetuar edhe vetë. Në mes të tjerash thotë : "Në të vërtetë, gjithmonë kam patur përshtypjen se ky roman ka qenë kurdoherë diku pranë ose larg meje, anash ose përbri, dhe mua nuk më duhej gjë tjetër veçse " të mblidhja" atë, siç mblidhet diçka e shpërndarë prej kohësh rreth teje. Mirëpo, "të mbledhësh", kjo është vërtet një fjalë goje. Nuk ka kurth më të rrezikshëm për një shkrimtar se sa iluzioni se veprat, ngjarjet e të cilave i ke jetuar, mund të shkruhen lehtë".

Historikun e krijimit të romanit " Lumi i vdekur", përndryshe më i njohuri roman me tematikë shoqërore, na flet autori i tij, Jakov Xoxa. Ai pranon se në roman ka ngjarje të vërteta, se ka gjurmuar shumë kohë për t'u takuar me familjen e Micallarëve, që në roman emërtohen si Shpiragajt. Në fletoren e shënimeve që ka mbajtur për historikun e krijimit të "Lumit të vdekur" shkruan : " Kam frikë se mos në fund të kësaj leje krijuese do t'i dorëzoj Lidhjes së shkrimtarëve në vend të kapitujve të romanit, një ditar gjahu ". Mirëpo, Jakov Xoxa e tejkaloi këtë pengesë dhe iu largua përditshmërisë së ngjarjeve, e veprës i dha një strukturë të gjerë e më të ndërlikuar sa që në roman nuk figurojnë vetëm Micallarët (Shpiragajt), por familje të tëra shqiptare, shtresa të ndryshme njerëzish, fytyra të reja e tërheqëse, që e kanë bërë më kompleks, më të bukur, e kanë bërë si një epope të jetës së shqiptarëve, që do të jetojë gjatë, përndryshe po të mos ishte kështu do të shterrej si Lumi i Vdekur.

Një rast interesant të përputhjes së realitetit objektiv me atë artistik na e dëshmon dhe na bën kureshtarë ta dëgjojmë, Kolë Jakova. Duke rrëfyer për historikun e dramës "Toka jonë" tregon sesi është takuar me heroinën e veprës, të cilën nuk e kishte njohur më parë. Në vazhdim të përcjellim një bisedë midis shkrimtarit dhe prototipit të Lokes :

" - E di e kujt është kjo shtëpi? - më pyeti gruaja .

Mjerisht nuk e di. - u përgjigja .

- Kjo është shtëpia e Lokes në "Toka jonë" u përgjegj ajo me bindje .

- Unë ngela si i habitur nga kjo përgjegje.

Çfarë po thoshte kjo grua!

- Mos u çudit. - vazhdoi gruaja. - Mua nuk më quajnë Loke, as burrin tim nuk e quajnë Gjokë. Ata emra i ke vënë ti në letër, por ama ti, patjetër, duhet të kesh dëgjuar historinë e shtëpisë sime që e kë shkruar në atë libër".

Konkretisht Kolë Jakova u takua me heroinën e veprës pasi që e kishte shkruar atë, e kjo ngjarje u zgjerua në pikëpamje artistike në një dramë sociale e psikologjike të shtresave të ndryshme shoqërore për emrin aq të lakmuar e të çmuar të quajtur - Tokë.

Në vazhdën e këtyre shembujve të përmendur bën dallim romani " Këneta " i Fatmir Gjatës, i cili në kuadër të letërsisë së realizmit socialist është çmuar, lexuar dhe shpërblyer si një ndër veprat më të realizuara në pikëpamje ideore dhe artistike.

Kur është fjala te bartja, pra transponimi i realitetit objektiv në atë artistik, shkrimtari Fatmir Gjata atë e bart ashtu siç ka ndodhur duke e ngritur ngjarjen dhe duke e përsosur në aspektin artistik dhe pa dyshim duke i dhënë ngjyrim politik, sipas qëllimeve dhe shijes estetike të regjimit komunist.

Këndej siç ka ndodhur me të vërtetë, personazhet e veprës Abdi Sharra, Kujtim Shaqiri, Vasil Minga, Zyraka, Enxhenio Skutarini, Fulci, në roman paraqiten si sabotarë, armiq të popullit e të Partisë dhe agjentë të ndryshëm e sidomos të imperializmit amerikan. Prandaj si të tillë duhej të dënohen dhe vërtet janë dënuar. Përballë tyre del ndonjë personazh letrar me ideale të reja socialiste, me një zgjuarësi të veçantë për "zbulimin e armiqve të popullit" , dhe me besnikëri të plotë ndaj idealeve të Partisë .

Tema e romanit është tharja e kënetës së Maliqit në vitin 1946, sapo ka zënë rrënjë regjimi komunist. Të gjithë ne që e kemi lexuar kemi krijuar një pështypje të veçantë nga vepra, kemi ndier kënaqësi dhe i kemi urrejtur " armiqtë e popullit"!

Mirëpo në kalim kohe, me ndryshim të rrethanave politike, me të dhëna të bazuara në të vërtetën e kësaj ngjarjeje, na del një realitet tjetër, të cilin shkrimtari Fatmir Gjata nuk kishte guxuar ta paraqesë si të tillë.

Tharja e kënetës së Maliqit na paskësh shërbyer si preteks për mbylljen e veprimtarisë së shkollës teknike amerikane " të Fullzit" për t'i këputur të gjitha lidhjet me "imperializmin amerikan"!

Sipas shkrimeve të botuara kohëve të fundit me këtë ngjarje mësojmë, atë që nuk e kemi ditur, se nga 156 nxënës të kësaj shkolle, 18 janë pushkatuar, dy janë varur, 80 janë burgosur dhe dënuar me 800 vjet burg!

T'i japim disa të dhëna në përballje me " Kënetën" : - Avdi Sharra, si personazh letrar, është Avdyl Sharra i vërtetë, 35 vjeç, inxhinier i ndërtimtarisë i diplomuar në Romë, i caktuar si kryeinxhinier në tharjen e kënetës së Maliqit. Më vonë i dënuar me varje!

- Kujtim Shaqiri, personazh letrar, është Kujtim Beqiri i vërtetë, 30 vjeçar, inxhinier, fitues i medaljes së artë në Universitetin e Vjenës. I caktuar si drejtor i punimeve në kënetë. I dënuar me varje !

- Vasil Mano, personazh letrar , me emër të vërtetë Vasil Minga dhe bashkëshortja e tij Zyraka Mano ( kroate) që del me po atë emër letrar, dënohen me pushkatim për sabotim dhe "tradhti" ndaj popullit dhe atdheut !

Po ashtu dënohen me pushkatim drejtori i shkollës, Fulci, dhe inxhinieri italian, Enxhenio Skaturra, në roman Skutarini.

Dhe gjithnjë duke u thirrur në shkrimet rreth kësaj ngjarjeje mësojmë se në tharjen e kënetës së Maliqit nuk ka marrë pjesë populli, as punëtorë vullnetarë të Partisë, por të burgosurit e burgut të Tiranës nën masa të rrepta sigurie e në kushte e masa ndëshkuese mesjetare. Këneta e Maliqit ishte shëndërruar në një kamp të tmerrshëm ku bëhej shfarosja e "armiqve të popullit e të Partisë"!

Prandaj është e qartë se ngjarjet rreth kënetës së Maliqit janë shtrembëruar dhe janë hartuar ashtu siç i ka pëlqyer regjimit të kohës, pavarësisht nga vlerat letrare të veprës. Sigurisht shkrimtari Fatmir Gjata do ta shkruante ndryshe po të ishte gjallë!

Të gjitha këto vepra që i përmendëm, e që ka edhe shumë sish, i kanë tejkaluar caqet e zakonshme të realitetit jetësor e janë zgjeruar e janë begatuar me vlera të larta estetike e ideore dhe kurdoherë na zgjojnë kërshërine e leximit dhe na mundësojnë përjetimin estetik të tyre.

Të gjitha ato komponente që i mungojnë realitetit jetësor, që e kushtëzojnë kërshërinë e leximit, që i duhen realitetit artistik, i plotëson krijuesi me intuitën e vet, me aftësinë dhe përkujdesjen përmbajtësore, stilistike e gjuhësore. Është e vërtetë se realiteti prej nga janë nisur shkrimtarët përmban ndonjë a më shumë vlera ideore, porse ato fuqizohen e zbukurohen në veprën artistike, duke e krijuar të bukurën dhe të madhërishmen estetike, që pëlqehen më tepër, dhe të cilat, sipas njohësve të estetikës, qëndrojnë mbi të bukurën natyrore.

Me gjithë këto krahasime që bëmë midis veprave të shkruara dhe burimeve që u kanë paraprirë, në përmbyllje shërbehemi edhe një herë me teorikët e njohur Velek-Voren: " Mund të tregohet në mënyrë të qartë pikëpamje e gabueshme që arti paraqet vetërrëfim të pastër dhe të thjeshtë, përshkrimin e ndjenjave personale dhe të përvojave. Edhe atëherë kur ekziston lidhja e ngushtë midis veprës dhe jetës së autorit, vepra artistike nuk guxon të interpretohet si kopje e thjeshtë e jetës ". (Teoria e letërsisë f. 117).

Prof. Asc. XHAVIT ALIÇKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHPIRT I BURGOSURTregim nga ISTREF HAXHILLARI (04.26.2011)
NJË PROGRAM I MUZIKËS RROK I BËN PËR VETE ADOLESHENTËT (04.25.2011)
FILM I RI PËR VRASJEN E PRESIDENTIT AMERIKAN ABRAHAM LINKOLN (04.25.2011)
ROBOTI Pi4, NJË KOLEG I RI NË VENDET E PUNËS (04.24.2011)
PIRATERIA LULËZON - SI MUND TË MBROHET NË SHQIPËRI E DREJTA E AUTORIT (04.24.2011)
MREKULLIA E AGJËRIMIT - KOHË PREHJEJE PËR TRUPIN E SHPIRTIN (04.23.2011)
JAVA E MADHE E PASHKËVE DHE KUPTIMI I SAJ! (04.22.2011)
COTILLARD E GORDON-LEVIT NË "BATMAN" (04.21.2011)
PËRSËRIPoezi nga ILIR DEMALIA (04.20.2011)
SKËNDER BUÇPAPAJ, POET JO VETËM I ATDHEUT"Frika nga Atdheu", një lartësim i poezisë shqipe Nga ÇERÇIZ LOLOÇI (04.18.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]