VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - GRUAJA ME NALLANETregim nga ALEKO LIKAJ

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 07:24am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

GRUAJA ME NALLANE

Tregim nga ALEKO LIKAJ


E Djelë, 05.08.2011, 10:46am (GMT+1)

Ishte shfaqur befas. Asnjë nuk e kishte parë më përpara që të dilte në rrugë. Por ajo, me sa duket kishte vendosur, që të bënte sfiduesen. Herë, me një grusht plaçka që i vendoste në trotuarin, midis segmentit të udhës nga Bashkia deri në kryqëzimin e Cërrikut, herë ashtu e vetme, qëndronte aty. E hajthme, dhe e dobët në trup. Mbante një fustan veror të çelur, ku sipër, kishte veshur një xhup kafe. Ngrinte dy duart lart duke mbajtur dy gishta drejtë, si në ritualin e një valle. I kishte kaluar te 40-tat.

Shumë pak e dinin, se ajo ishte e vetme, dhe se banonte pak më poshtë Selvijave të Namazgjasë. Se nga kishte ardhur aty, asnjë nuk dinte që të të thoshte, qoftë edhe një fjalë të vetme. Të afërm nuk kishte, dhe askush nuk kujdesej për të. Shumë mendonin, që kishte qenë një paciente e psiqiatrikut, por kishte edhe të tjerë që flisnin nën zë se, kishte qenë personazhe në një dramë të madhe, e cila i mori krejt familjen dhe njerezit e dashur të saj. Ndoshta në kohën e monizmit. Ndoshta....

Dikush, që e ndiqte nga trotuari përtej, ndofta për ta ruajtur, se mos... Tregonte në intimitet për njerëzit që ndalonin këmbët, dhe bëheshin kurioz duke parë shfaqien e beftë, mbi trotuarin e mezit të rrugës, " kjo grua, ka ardhur këtu, nga Llixha. Atje, ka banuar më parë "

Pastaj, mbushej me frymë, dhe vështrimin nuk i a ndante Lirisë. Heshtëte për një çast, dhe me një zë gati të fikur, shqiptonte ngadalë

- Duan që ti marrin shtëpinë. Jeton në një dhomë të vetme. Ja, këtu pas farmacisë. Ajo ka gjetur mënyrën për të protestuar.

Por pas tre ditëve, burri nuk u duk më, tek vendi i tij, në trotuar. Nuk dihet ku shkoi. Ndonjë syresh, që bënte ecejakën çdo ditë, aty përballë shkollës me të njëjtin emër, " Toma Kalefi ", si rruga, tha: " që ai burrë, ishte ndonjë i afërm i Lirisë së Llixhave ".

Kështu i mbeti edhe asaj.

Po e vërteta e jetës se gruas, ishte e mbeti për të gjithë, një enigmë, e cila nuk mund që të merrte zgjidhje. Ajo u shfaq aty kur qyteti u armatos i tëri, dhe njerëzit mbylleshin herët nëpër shtëpi. Kur dalja nëpër rrugë, konsiderohej tashmë si një herëzi, ose e shumta, një marrëzi e pashembullt.

Por për Lirinë e Llixhave, rituali ato ditë fillonte që në mëngjez. Aty, pranë farmacisë Nr. 4. Me një trup mesatar, e këmbët zbathur, tërhiqte një palë nallanë prej druri, e të mëdha për këmbën e vogël të saj. Ndalonte në trotuarin e lulishtes, që ndante hapsirën e rrugës, "Toma Kalefi"

- Liri , ik që këndej - i thonte ndonjë kalimtar, me një ndjenjë keqardhje, ndërsa e shihte ashtu, në të ftohtin e mezit të Marsit.

- Përse? - kërkonte që të dinte gruaja e rrugës. - Unë kam të drejtën time. Ashtu, siç ke edhe ti, të drejtën tënde.

I hidhte një vështrim gati përbuzes, e pastaj lëvizte kokën prapa, për ti hedhur me sa duket flokët mbi supet e holla e të varura. Pastaj, në indiference ja niste:

Tarnana e tarnaneeeee

Kemi nis një jetë të re...

-He-e-e.- Qëndronte për një çast, e i drejtohej ndonjë kalimtari, që e ndiqte me kureshtje.- Nuk të pëlqej?

Pastaj kthehej përseri tek kënga.

-E-e-e-e. Hej.

Rrofsh, e qofsh, moj demokraci

Që na fale, kaq shumë, liri

Unë Liria, të përshëndes,

Dal në rrugë, çdo mëngjezzzzz.

Tarnana e tarnaneeee

Kemi nis një jetë të re

Liria pastaj, nxirte edhe një shami, e kërcente duke u rrotulluar me dy gishtat lart, në të njëjtin vend. Hidhte këmbën duke e përkulur mbi gjurin tjetër.

Dukej e vonuar në kohë.

Me sa dukej, këtë lloj teksti, duhej që ta kishte kënduar, shume vite më përpara. Mbase, e kishte mësuar edhe pak dite më parë, aty, e mbyllur në të katër muret e dhomës, ku e kishin sistemuar...

Por ajo, e përsëriste, sikur ta këndonte, në një ditë të shënuar, me një lloj solemniteti. Madje, duke u kujdesur deri në detajet më të vogla, si interpretimi, apo mënyra, se si i hidhte këmbët, në vallen që fillonte dhe mbaronte brenda një metër katrorit. Nallanet e drunjta, kërcisnin nën ritëm, "trak e trak e truk e truk". Po ato e pengonin. At'her Liria, zgjaste duart duke u përkulur pak, dhe hiqte nga këmbët e holla, si të një fëmije, të vetmin mjet që e ndante nga toka.

Sidoqoftë,... gruaja e braktisur, përshëndeste demokracinë...Kjo ishte, edhe filozofia e jetës së saj, këndej e tutje...Kishte zgjedhur kësisoj një mënyre. Mbase, ishte edhe proteste për ditët që po kalonim, e ku mungonte shteti demokratik, të cilin e kishim ëndëruar. Njerëzit vrisnin kaltërsinë e qiellit. Këtë e thoshte Lam Fishnjari, ai çunaku pesëmbëdhjetvjeçar, që banonte pranë ish ambulancës së vjetër. Mbase...

- A do buke?

Liria vazhdonte të këndonte

- A do cigare, ujë? Ç'farë do?

Gruaja jetonte në tjetër botë. Këndonte dhe kërcente, gjithmonë, me dy duart lart.

Lami kthehej, me një tjetër çehrje në fytyrë, e duarbosh. Pa e ndihmuar komshinë e tij, që e kishte mëndjen, në tjetër vend.

Kur dëgjohej kërkëllitja e ndonjë kallashi aty afër, ajo qëndronte për një çast, dhe ulte kokën e trembur. Pastaj, hidhte vështrimin e ndrojtur përreth, e pështynte në trotuar. Kthehej pas e ulej mbi bordurë. Lulet gati të fyshkura. I përkëdhelte me dorë, si një nënë e dhëmbshur, e pastaj ngrihej.

-Mos mi vrisni. Ato janë foshnja, që duhen rrit.

Lirine nuk kishte kush ta ngacmonte. Fëmijet ishin mbyllur që të gjithë nëpër shtëpi. Të rrallë ishin edhe kalimtaret e rastit. Njerëzia përreth, e ndiqte nga dritaret e tyre të mbyllura, duke spostuar paksa perden. Ata mungonin edhe në ballkone. Këto të fundit, nuk ishin hapur, që nga dita kur të gjithë u vërsulen tek depot.

Krasta përtej villte përsëri tym. Tregojnë, se zjarri ende nuk është shuajtur. Gruaja, e rrugës qëndronte aty pa lëvizur. Nuk dihet se kush e merrte, dhe e kthente, atje, në kthinën e saj.

Një herë farmacist Besimi së bashku me dy farmaciste, që e kyçën lokalin e tyre pikërisht në mesdite, shkoi pranë, dhe e mori

E tërhoqi prej krahu, dhe tentoi që ta shoqëroj deri tek trotuari, përballë disa dyqaneve të mbyllur

Liria tundte kokën majtas e djathtas, e lodhur, dhe e heshtur

-Mos doktor...Nuk e jap unë, po nuk mora dashuri. A e di, ç'do me thënë? Pse, ku jemi këtu?

Mëngjezi tjetër ishte më i ftohtë. Liria këtë herë, kishte hedhur kraheve xhupin kafe. Me vete kishte marrë edhe një valixhe të madhe, të dalë boje, prej kartoni, e të grisur në një cep. E hapi me kujdes. Nxori disa ndresa të mbrendëshme gruaje. Kishte dhe fustane, e ndonjë bluzë të hollë. I vendosi në shesh. Ja aty, në pllakat e trotuarit.

Pastaj, sikur të ishte zgjuar befas, i a nisi:

Demokrate, qofsha

Demokrate, dhe jam

Ty kurban, tu bofsha

Më e mira, në Elbasan

Tarnane e tarnana

Lum ky popull, që mezi të ka

Tre kalimtarë që nxitonin, pranë kangjellave të shkollës, ndalen hapin për një moment.

- E ka në terezi ajo - bëri me kokë nga gruaja që këndonte e hidhte vallë, mu aty, në mes të rrugës - Elbasani po digjet, dhe torollakja... - tha me i riu

- Lene të shkretën. Mos e cyt. Kur nuk e ndihmon dot... Ajo, e ka një hall, si gjithë robt' e gjallë të kësaj dynjaje. Lene e mos e mallko. Hyn në gjynah. Të kam rixha.- foli me i moshuari i burrave.

I treti, futi duart në xhepa dhe lëvizi këmbët, duke i përplasur në trotuar. Ndjeu të ftohtin. " Bërrr ", lëshoi nga buzët e mbyllura, dhe nxitoi të ecë përpara.

- Ec mo-o. Se s'ka lezet. Mos i jepni tjek kësaj pune

Të tjerët e ndoqën pas.

Liria u kollit atje në rrugë. Hoqi xhupin, dhe e palosi në dysh. Pastaj, me solemnitet, e vendosi mbi bordurën e lulishtes, duke u kujdesur që të mos prishte lulet..

Rregulloi flokët, duke i shoqëruar edhe me një lëvizje të trupit. Kishte hapur gishtrinjtë e hollë, të zverdhur, në vend të një krehëri. I ndau flokët ngadalë në mes, e vuri menjëherë buzën në gaz. Sikur të ishte përpara një pasqyre të madhe, dhe krejt të padukshme.

Thonë, se ra murtaja

Mu në akç, të vendit

Thonë, se u prish dynjaja

E lojtën, prej mentit...

Valles, do t'ia marr

Valles, do t'ia them

Ku ka tym, dhe zjarr

Nuk ka, as kuvend

Ndërkohë, dy shitës paisjesh elektroshtepiake që u ishin rrikthyer lokaleve, këtë herë për ti hapur, e morën dhe e futën në një prej tyre. I vunë përpara një reflektor

Gruaja e rrugës dridhej. Kishte ethe. Sytë ishin skuqur. I prunë edhe diçka të ngrohtë. Liria e Llixhës kaloi në konvulsione. Pështyu gjak

Nuk dihet se, si, u gjet aty afër një makinë që ecte e vetme përpjetë rrugës. Ndoshta vinte nga Cërriku. Kishte kohë që nuk lëviznin makinat në këtë zonë. Që nga hapja e depove. E ndalën. Liria në fillim nuk pranoi që të hypte në veturë. Protestoi duke i mbajtur këmbët, jashtë derës. Dikush, u kujtua për valixhen e hapur, dhe rrobat e vendosura në shesh.

Kishte filluar që të vesonte lehtë. Një shi i imët ngriti pluhurin e tokës , e atmosfera aty përreth mbante një erë dheu. Rrëkezat e holla lëpinë vitrinat e pluhurosura, duke lënë gjurmë në të gjithë hapsirën e tyre, të xhamtë..

Liria, së fundi pranoi kur pa që rrobat, të cilat ishin tashmë të lagura, u futën brenda, në valixhe. U mbyllën përsëri. I premtuan se, do ti ruanin aty në dyqan.

Makina iku duke lëshuar nga pas një fjollë të lehtë tymi, dhe, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, u gjend tek kthesa e Bashkisë.

Mbi Malin e Vashës filluan shkrepëtimat. Nga larg, në malesitë e Krrabës, vinin jehonat e bubullimave që ndiqnin njëra tjetrën. " Gropa e Tezes " ishte pus.. Pikat e shiut u dendësuan. Selvitë e Namasgjsë, si rrufepritëse legjendare lëviznin majat të cilat kishin mbetur, rrobina rrymash të errërave që vinin, herë nga lindja, e herë nga veriu. Disa laraska të trembura duke krokatur, dolën që andej, dhe zunë vend në strehët e çative të dy rrugicave, aty pranë.

Të nesërmen kur koha u duk se hapi, e një reze dielli përshkoi gjithë sheshin, që në mëngjez, Liria e Llixhës, nuk u pa më në rrugë. Aty, ku qëndronte zakonisht. Një grua që nxitonte për në pallatin pranë, dalloi afër lulishtes në mes të rrugës, dy nallane. U kujtua që ishin të Lirisë së Llixhës. U përkul, dhe i mori në duar. Pastaj, shkoi tek njeri prej dyqaneve që ishte hapur, dhe ja zgjati pronarit të saj.

As të nesërmen Liria nuk u duk më tek vendi i saj...

Një muaj më vonë, kalimtarë të rastit kishin gjetur një kufomë gruaje, pranë Krastës. Dikush u kujtua, dhe tha, se mund që të ishte i Lirisë, por kjo, nuk u konfirmua asnjëherë.

Mjekët thanë, që Liria kishte marrë një të ftohtë të rëndë. Në ambjentet e ftohta të spitalit, ku mungonin bataniet, gjithëçkah ishte tepër e vështirë, që të përballonte,e ta kalonte pa probleme. Ishte e pangrënë dhe anemike. Kronike nga keq ushqyerja. Ushqimi i mungonte vazhdimisht...

Nuk dihet se si u shfaq, dhe si iku ajo grua e dobët dhe e trishtë me nallane, në një kohë që ishte tjetërsuar. Mbase, për të sfiduar ato ditë. Ndofta, për këtë të fundit. Ku i dihet..."trak e truk, trak e truk"...

Qyteti kishte plot halle të tjera...

http://aleko-likaj.blogspot.com/

ALEKO LIKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ADEL HEDH NË TREG ALBUMIN E SAJ TË RI ME TITULL "21" (05.07.2011)
JA VIDEOJA "JUDAS" E LADY GAGA (05.07.2011)
KANDIDIME ME TONY AWARDS PËR "SISTER ACT" (05.05.2011)
NXITONI, NXITONI, PRA... Ç'PRISNI?Nga BEDRI ÇOKU (05.05.2011)
KËRKOVA XHEVATIN, TI MË PRURE GJITHË FSHATINTregim humoristik nga VELEDIN DURMISHI (05.03.2011)
VAJZA E LULEVETregim nga SPIRO THOMARI (05.03.2011)
PANAIRI ME 1000 TITUJ TË RINJ (05.03.2011)
DY LOT PA RIMË M'I BLLOKOJNË FJALËTPoezi nga AZEM BALIAJ (05.02.2011)
I MARRITregim nga DANIEL GÀZULLI (04.30.2011)
Eseja Ariel, një nga esetë më të rëndësishme filozofike të modernizmitESEJA "ARIEL" NGA JOSE ENRIQUE RODONga GJEKË MARINAJ (04.27.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]