VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NXITONI, NXITONI, PRA... Ç'PRISNI?Nga BEDRI ÇOKU

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 12:01pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

NXITONI, NXITONI, PRA... Ç'PRISNI?

Nga BEDRI ÇOKU


E Enjte, 05.05.2011, 09:32am (GMT+1)

 


...Tri ditë me radhë shoku im i fëmijërisë E.I., kërkonte me patjetër të takohej me mua, për të thënë diçka të rëndësishme e, kur uleshim për të pirë kafe, atij i ngecte në fyt. Trembej të hapte gojën. E kuptoja që s'ishte hall familjar, ndryshe do ma kishte treguar qysh ditën e parë. Problemet familjare ia tregonim njeri-tjetrit pa ngurrim, ndaj edhe nuk e ngucja. Prisja që të ma thoshte vetë, pa e detyruar. Ama, ditën e tretë, plasa, e humba durimin.

Ngula këmbë që, si do të ishte puna, në fund të fundit, ishim shokë qysh në fëmijëri dhe e kishim provuar njeri-tjetrin.

- Ke të drejtë, më tha, por kjo që po më ndodh, jam i sigurt se ti s'do të ishe treguar më trim nga unë...As për kafe s'do të kishte shkuar mendja...

- Po, hë, të shkretën, nxirre!...Ke tri ditë që më thërret e s'thua asgjë. Bombë atomike të kishte qenë, me siguri do ta kishe plasur...

- Bombë thua !..Ç'bombë, o derëbardhë ! Unë po të them që është e tmerrshme...

E ndërpreu bisedën i trembur. Pa rreth e rrotull mos e dëgjoi njeri, ngaqë e ngriti zërin, kur tha, "e tmerrshme". Kishte të drejtë. Në atë kohë njeriu trembej nga vetvetja...nga shoku, nga miku, nga ai që ndodhej pranë...rrotull...Trembej nga ajri, nga toka...nga zogjtë, nga retë, nga ajo që prekte e shikonte me sy, dëgjonte me vesh...

Banonte në lagjen "Liri" të Fierit, në lagjen më të madhe, ku kalonin katër kryqëzimet. Ose më saktë, tek mëhalla e "Vangjel Lules", të cilën sot e thërrasin "Sharrë". Në atë kohë ishte më e populluara e më e rëndësishmja, sepse problemet sociale aty ishin më të mprehta. Kuptohet, kontrolli i Shtetit ishte i dendur, i rreptë. Fuksat e Sigurimit vinin vërdallë çdo kohë...edhe në lokalin ku po pinim kafe.... Po të vinin re që dikush ishte i shqetësuar a nervoz, afroheshin e uleshin mu afër, pa gajle fare. Prandaj e ndërpreu bisedën shoku i fëmijërisë....

Ata që s'e kanë njohur regjimin e komunizmit, sigurisht e kanë të vështirë për të imagjinuar epokën e njeriut - fantazmë, pse ai trembej për vdekje sa herë donte të bisedonte një problem a një shqetësim personal. Pale` të ishte në rrugë a kafene ... Hapte sytë katër për t'i "shpëtuar" përgjimit të kalecave. Patjetër duhej të shtirej i tjetërsuar : Gjame i gëzuar apo i trishtuar për fitoren e skuadrës së zemrës ose për ndonjë film dashurie...

Ndërsa shoku im filloi të zgërdhihej, sapo nisi të shpjegonte pse ishte i shqetësuar aq shumë.

Ja ç'më tregoi.

Prej disa ditësh, afër shtëpisë, në qoshe të rrugës i shfaqej një femër, sa herë kthehej nga puna. E dobët, me sy të mavijosur, e lodhur, e uritur... Nuk i fliste, por vetëm i buzëqeshte...

Ky ikte, ikte me nxitim, pa e kthyer kokën prapa. Hynte në shtëpi i nemitur, pa guxuar t'u thoshte gjysmë fjale gruas e djalit njëzet vjeçar, të cilët e prisnin me padurim. Madje u shmangej atyre. Hynte shpejt e shpejt në banjë sa për të lagur fytyrën e për të marrë veten. Edhe bukën e hante me pahir, aq shumë i brengosur ishte. Mbllaçitej, por mendjen e kishte tek ajo.....

S'i kalonte të njëzetepestat. Këtë përshtypje të linte trupi dhe gjoksi i saj i hepuar, i ngjashëm me atë të një vajze ende në grahmat e fundit të adoleshencës....

Ditën e parë s'i patë dhënë rëndësi: "Një femër e zakonshme që rrinte në punë a zanat të vet"!...

Në ditën e dytë e kishte marrë si një provokim i rëndomtë femëror. (Edhe atëherë kishte femra që përdoreshin nga fukarallëku për një shumë fare të vogël).

Ndërsa, ditën e tretë...Aaa!...Atë ditë kishte filluar të dyshonte. Mos vallë ajo dilte aty dhe e priste qëllimisht ?!... Në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë, sa herë kthehej për në shtëpi !...

Mirëpo, s'dukej as e çmendur, as e përdalë !...Me fustan të thjeshtë, e palyer, e pakrehur, ose e krehur me ngut... ajo sikur dilte shpejt e shpejt nga shtëpia e ia ngulte sytë me një domethënie sa intriguese, aq edhe të frikshme. Gjithsesi, këmbëngulëse për t'i tërhequr vëmendjen. Ky ikte i hutuar, i tronditur..... si një frikacak. Ç'kërkonte vallë prej tij ? Në mes të ditës, në sy të të gjithëve !!?... E çmendur?...Apo kishte ardhur koha që, edhe ky, si shumë të tjerë, të sërës së vet, të qe shpallur "i survejuar" nga sigurimi i shtetit dhe ajo, një lodër e përdorur nga dora e fshehtë e tij ?

- Po të jetë kështu, siç thua, o byrazer, i thashë, ke të drejtë të jesh kaq i tronditur...

Dhe ia shtrëngova dorën për t'i dhënë zemër, ndërkohë që e pashë në sy me një ndjenjë solidare.

- Ç'farë do të bësh, tani ? - e pyeta - Si mendon që ta shmangësh këtë rreng?

Ai ngriti supet krejt i pambrojtur dhe profan në kësi rastesh. Gati duke qarë, ia bëri :

- Ja, po ti, si do të kishe vepruar në vendin tim?

Të them të drejtën u gjenda i papërgatitur nga kundërpyetja e tij. Por, ngaqë më takonte të tregohesha kurajos, i thashë :

- Sot do të shkojmë bashkë në shtëpinë tënde... Nëse ndodh gjë, le të na ndodh të dyve...

- Do të shkojmë të dy?

Pyeti i habitur, ngaqë, siç duket, s'u besoi veshëve.

- Po, po !..Pse çuditesh ?..A s'kemi lerë njëherë për të vdekur ?

E mbërtheva fort nga krahu për ta shkulur nga vendi. Nuk kundërshtoi.

Dorëzuam lekët e kafes dhe u nisëm.

Rrugës për në shtëpi më tregoi edhe diçka tjetër. Se, para disa vitesh, e kishte njohur atë femër, kur shoqërohej me një djalë të ri e të pashëm. Me të birin e një të burgosuri politik, i cili vuante në një nga burgjet e tmerrshëm të diktaturës. Kjo ngjarje bëri bujë, atëherë. Por, për çudinë e të gjithëve, çift i bukur, me "biografi të keqe", u zhduk në mënyrë misterioze. Vajza, në atë kohë, mbahej perri në tërë qytetin.

- Po a je i bindur vërtet se është pikërisht ajo? - i thashë. Njeriu nganjëherë gabon edhe padashur, vetëm nga dëshira për të larguar një të keqe. Sepse, edhe kur i panjohuri afrohet, qoftë edhe për qëllime të mira, prapë bëhet i frikshëm...

- Jam i sigurt që ajo është...Sepse, kur ata u zhdukën nga qyteti, u fol atëherë, aty-këtu nëpër dhëmbë, sikur ishin arratisur nga Shqipëria. U fol pak, aq pak, saqë historia e tyre u harrua brenda dy-tri ditëve. Por unë e kam të fiksuar edhe për një arsye tjetër. Gruaja e ka gjetur fotografinë e saj disa herë midis librave të djalit. Edhe ai, si të gjithë çunat e qytetit, ëndërronte për një vajzë si ajo...

- Përse s'thua, atëherë, që problemi qenka i thjeshtë... Se ajo dashuruaka djalin tënd...kërkuaka ndihmën tënde...

- Mos u nxito..Nuk është ashtu...Ku ta gjeja të ishte, siç thua ti ! Por ajo s'e ka atë pamjen...Ç'ne ! Ajo ngjan sikur u ka shpëtuar vorraxhinjëve nga duart... Të shikon ngultas..në mënyrë të çuditshme...sikur kërkon të të thotë diçka...Por më qetëson fakti se nuk është e egër, as e ligë...Përkundrazi, duket e ëmbël e fisnike...Por, përse më ka gjetur mua, xhanëm? Ç' kërkon nga unë ? Pak halle me rëndojnë në kurriz, të mbarkam edhe këto të të tjerëve? Apo s'jetojmë kohë të pështira...Një fjalë goje dhe kalbesh në burg... të vithiset familja....fisi i tërë....

Ai mbylli gojën përnjëherë. Sytë ia nguli harkut të rrugës, ku dhjetë hapa më tutje ndodhej shtëpia e tij. E pashë, i iku fytyra, ndërsa gojën e hapi për të thithur ajër më shumë.

- Ja ku është ! - më tha me zë të mekur - E sheh?...Po pret, si gjithmonë... Në atë vend. Me siguri, na ka parë nga dritarja. Sepse s'është as koha kur kthehem...E shikon sa këmbëngulëse është ? Sa e çmendur...sa e frikshme...

- Mos u shqetëso ! - i thashë qetë-qetë - Këtë herë jemi bashkë...Jemi të dy...Do ta zgjidhim njëherë e mirë këtë punë....

Ndërkohë vura re siluetën e saj, që u shfaq plotësisht, sapo dolëm në krye të harkut të rrugës. U befasova. Ishte siluetë e brishtë, me një fustan të gjatë, deri te kyçet e këmbëve (veshje e rrallë për kohën dhe vendin ), i ngushtë, në bel, që ia tregonte linjat e trupit të imta, por shumë elegante, të tretura, por shumë feminile. Pata një tërheqje të jashtëzakonshme, ndonëse ajo veshje nuk ishte në modë, e kohës. Jo tërheqje mashkullore, sinqerisht, më tepër kureshtja drejt një të panjohure. Jam i sigurt, ashtu vetëm dora e Perëndisë të tërheq me dëshirën për t'u sakrifikuar ose për të sakrifikuar. Mund të them se iu afrova me trimërinë e një çunaku, pa çarë kokën për shokun tim që vinte prapa si një çilimi i trembur...

Së fundi, u gjenda përballë saj dhe ishte siç ma patë përshkruar shoku. Por, ama, vetëm një gjë s'ma kishte thënë...a s'kishte dashur : krenarinë dhe vështrimin e saj përçmues! Kjo më detyroi një çast të ulja kokën me sytë përtokë. Ndryshe flisnin linjat e përsosura, ndryshe shprehja e fytyrës. Megjithatë, arrita të mposhtë gjithçka e të flasë i pari.

- Më falni ! - më gjëmoi zëri im në vesh, duke u përpjekur që të përmbaja emocionet. Ky shoku im... më thotë se... e prisni këtu, sa herë kthehet nga puna. Është i shqetësuar. Nëse është kështu...ju lutem...a mund të thoni...Ç'kërkoni konkretisht ? Gjynah, është familjar .....Deri më sot nuk thotë njeri gjysmë fjale të keqe.... Për më tepër... biografinë e ka shumë të mirë..

- Më falni, zotëri, por jeni keqkuptuar..Unë s'kam punë me njeri...Jam duke parë punët e mia, hallet e mia...

- Natyrisht, natyrisht....

- Atëherë, pse më pret gjithmonë këtu, sa herë kthehem nga puna ? - iu hakërrua ai i revoltuar, duke ma ndërprerë bisedën - Pse më shikon sikur do të më hash të gjallë? As më njeh... As të njoh...Përse më provokon ?

Ajo buzëqeshi aq ëmbël e miqësisht, në mënyrë tepër të përmbajtur, sa ne u çarmatosëm në çast.

- Jo, zotërinj - na tha dashamirësisht, duke na parë të dyve me vëmendje. - Nuk ndodhem këtu për të provokuar të tjerët... Jam e sigurt që zotëria më ka keqkuptuar...Por, nëse keni dëshirë të mësoni diçka për mua, urdhëroni në banesën time !...Do të ishte në nderin tuaj e timin, natyrisht që, duke pirë një kafe, do të njiheshim më mirë...Atëherë, ma do mendja, kemi edhe ç' themi për njeri-tjetrin...Urdhëroni !

Mbetëm të shokuar. Fjala "zotërinj" u duk e çuditshme dhe e huaj për veshët tanë, sa edhe tendencioze. Gati e tmerrshme. Sepse, sipas propagandës e ideologjisë së kohës, na thuhej se ishte fjalë MIKROBORGJEZE. Megjithatë, më pëlqeu, më përkëdheli në shpirt. M'u duk sikur me "zotërinj" na vlerësoi me tepër ç'na takonte....Sa mirë të vinte kur të thërrisni, ZOTËRI ! Të dukej vetja me origjinë perëndie ! Ndërsa fjala "shok", sikur të merrte dikush nga turma e s'ishe, as më shumë e as më pak, nga të tjerët.

Ajo e kuptoi pavendosmërinë tonë për t'iu përgjigjur ftesës dhe ndërhyri po me aq lezet e edukatë :

- Më vjen keq, zotërinj....kur mendoj se do të tregoheni të pasjellshëm, duke refuzuar ftesën e një zonjushe, e cila, siç e shikoni, ka dalë në rrugë e pret me orë e ditë të tëra, vetëm e vetëm, për të shkëmbyer dy fjalë me një shqiptar të vërtetë. Po, po ! Duhet të kuptoni se, për disa arsyet e mia, kam nevojë të bisedoj me burra të vërtetë, nëse mendohet që ende ka të këtillë në Shqipërinë tonë të mjerë...

Ndoshta donte të fliste më gjatë, por nuk mundi, sepse iu firua zëri, siç duket, iu mpak fuqia e brendshme e mushkërive. Aq e lodhur dhe e sfilitur duhet të ishte. Megjithatë, arriti sa të buzëqeshte, me sytë gati në të perënduar, duke tundur kokën si në faj. Kërkoi të falur që ndodhej në atë gjendje të rënduar shpirtërore e fizike. Por, të them të drejtën, ende s'kisha vendosur për t'iu përgjigjur pozitivisht ftesës së saj. Se pari, ngaqë u ndjeva i cingërisur në sedrën e burrit, kur tha "burra të vërtetë", së dyti, kur shtoi "..në Shqipërinë tonë të mjerë",...a s'ishin këto fjalë, që fyenin e na ngatërronin politikisht ? Ç'ishte kjo vajzë kurajoze, që s'ia bënte syri terr, edhe pse ne mund të mos ishim "burra", siç dëshironte ajo ? Mund ta denonconim e, me këtë rast, largonim belanë nga vetja, por merrnim edhe ndonjë shpërblim të mirë nga qeveria? Për mua, fjalët dhe veprimet e saj, ishin thikë me dy presje, serioze e të rrezikshme.

Shoku im kishte pasur të drejtë në parandjenjën e tij se: "...Ajo mund të ishte një bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit ! ". Prandaj, kurrë nuk do ta merrja guximin për të pirë kafe në shtëpinë e saj, nëse s'do të kishte ndodhur pikërisht ajo, që s'e prisja kurrë nga shoku im. I sëmurë nga sedra a nga budallallëku, ai ia priti labçe :

- Posi, hajde ta njohim njeri-tjetrin më mirë !..Bile, ku të duash ti e pimë kafen...

U kthye nga unë gjithë kapadaillëk.

- Ec, more ! - më tha, ngaqë po ngurroja - Nga anët tona llafit i thonë :

"Burri nuk mbytet në një filxhan kafe !"

Vetëm tunda kokën dhe shkova pas tyre rëndë-rëndë.

* * *

Ajo banonte në katin e dytë, në një pallat dykatësh, ndërtuar në vitet `60, sipas stilit rus, ngrehinë me apartamente të ngushtë, dhoma e banja të vogla. Kuptohet, që të jetonin sa më shumë proletarë....

Banesa e saj ishte me mobilie që përdornin zakonisht njerëzit e shtresës në kufirin e varfërisë. Na tërhoqën vëmendjen dy portretet e varur në mur në dhomën e pritjes : ai i Skënderbeut në njërën anë dhe i Willsonit, Presidentit të Sh.B.A.-se, në vitet `20, në anën tjetër. Na bëri përshtypje, ngaqë ishim mësuar të shikonim në shtëpitë e shqiptarëve vetëm portretet e diktatorit e të udhëheqësve të partisë komuniste, ndryshe, po të zëvendësoheshin ato me njerëzit e dashur të familjes, ky veprim konsiderohej me tendenca armiqësore dhe njerëzit e shtëpisë, kontingjent i mundshëm për t'u regjistruar në anën tjetër të barrikadës, me armiqtë. Kjo ishte me zarar. Por, nejse. Nuk e dhamë veten. Pame njeri-tjetrin në sy dhe aq.

M'u duk sikur bashkëbisedova me shokun tim , kur i thashë :

- Vetëm banoni këtu, apo...

- Jo, jo !..Nuk banoj vetëm - u përgjigj nga dhoma tjetër, ku ndodhej - Banoj me mamanë...e kam këtu...Por është e sëmurë..nuk lëviz dot.. E ruaj natë e dite...

Dhe doli prej andej.

- Po babai ?

Ajo na ftoi të uleshim duke buzëqeshur, si për t'iu shmangur pyetjes së paduruar të shokut tim.

Na shtrëngoi duart përzemërsisht me të vetat, të vogla e të bukura. Dhe s'e largoi buzëqeshjen nga buzët, deri sa u ulëm nëpër poltronat e vegjël.

Kundërshtoi të uleshim në divanin e madh, pasi, siç tha, nuk e përdornin qyshkur. Poltronat ishin nga ata që prodhonte me shumicë zdrukthëtaria e qytetit, për familjet e punëtorëve të thjeshtë. Na pyeti si e pinim kafen, por e refuzuam : sapo e kishim pirë ! Ajo iku, u zhduk përsëri në dhomën tjetër dhe u kthye, sa hap e mbyll sytë. Solli dy albume të mëdhenj me fotografi.

- Ju lutem, shikoni këta sa t'iu përgatisë diçka për të pirë!

Iku fluturimthi për në dhomën, ku mendohej se ishte mamaja e sëmurë.

Ne filluam të shfletonim albumet. Kaloi goxha kohë. Mbaroi secili të vetin, por ajo s'erdhi. Dyshuam. Pamë njeri-tjetrin....Gjithsesi, ishim të detyruar të prisnim. Shkëmbyem albumet. Në çdo faqe atë gjenim, së bashku me një djalë shumë simpatik, herë përdore, herë përqafuar, herë në këmbë, shtrirë... Një çift i bukur, i dashuruar marrëzisht...

Ajo u shfaq pa pritur me një tabaka para duarve, krejt ndryshe nga ç'ishte e veshur pak më parë. E stolisur si një nuse. Fustani i bardhë, i gjatë, i zvarritej nga prapa, pa vello, me buzë të kuqe dhe qerpikë e nxirë...I shndriste fytyra. Vërtet një mrekulli. U shushatëm. Unë gati klitha nga habia, por s'e bëra, sepse më nduku shoku poshtë këmbëve. Pastaj, ajo s'na la kohë të shprehnim çudinë e të pyesnim përse vallë ishte veshur në atë mënyrë.

Na ofroi përnjëherë gotat nga tabakaja...

- Urdhëroni! - na tha - Mos u çudisni që më shikoni veshur kështu....Sepse...sot...martohem ! Ju të dy do të jeni dëshmitarët e mi të nderuar. Ju kam zgjedhur me dëshirë të madhe. Ju lutem, merrni gotat e më uroni !...Mamaja është e pafuqishme, s'mund të vijë e të uroj... së bashkë me ju....Urdhëroni!

Sapo mora gotën, desha të flisja, të pyesja...por ajo, vendosi përnjëherë tabakanë në tavolinë, ngriti gotën drejt nesh dhe vazhdoi:

- Do ta pimë një shëndet për të dashurin tim, që kalbet në një gropë, kushedi ku, në malin e Gramozit...

Uli kokën e fshiu lotët.

- Ndërsa këtë tjetrën, për të ardhmen tuaj që do ta gëzoni së shpejti !

Tringëllijti gotën me tonat dhe e kaloi lëngun e verdhë të gjithë me eks nëpër gurmaz.

- Faleminderit që pranuat të ndodheshit në këtë çast të paharruar të jetës time !-tha... E gëzofshi lirinë , që po afrohet ! Por, ama, ta dini, atë s'do tua dhurojë njeri ... do ta fitoni vetë. Nxitoni...nxitoni, pra, ç'prisni !...Rroftë Liria !... Unë po largohem...Me falni...Po iki...Nuk jam e zonja të vazhdoj ...Ai me pret...E dua shumë...Në burg mësova të vërtetën...Hapni sytë!...Midis jush po rritet Antinjeriu...Njeriu i shpërfytyruar...Njerëzimi s'e ka njohur ende deri më sot... Hapni sytë, o njerëz !...La..m..tu..mirë... ëëë...ë...

Vaisi kokën djathtas dhe ra në dysheme, si një lule e këputur nga rrënjët. Vdiq e helmuar.

Në dhomën tjetër, unë e shoku im, u tmerruam kur gjetëm edhe nënën e saj të vdekur.

F U N D

18/8/1982

BEDRI ÇOKU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KËRKOVA XHEVATIN, TI MË PRURE GJITHË FSHATINTregim humoristik nga VELEDIN DURMISHI (05.03.2011)
VAJZA E LULEVETregim nga SPIRO THOMARI (05.03.2011)
PANAIRI ME 1000 TITUJ TË RINJ (05.03.2011)
DY LOT PA RIMË M'I BLLOKOJNË FJALËTPoezi nga AZEM BALIAJ (05.02.2011)
I MARRITregim nga DANIEL GÀZULLI (04.30.2011)
Eseja Ariel, një nga esetë më të rëndësishme filozofike të modernizmitESEJA "ARIEL" NGA JOSE ENRIQUE RODONga GJEKË MARINAJ (04.27.2011)
NEIL YOUNG, I FUNDMI HIPPIE I VËRTETË (04.26.2011)
ÇËSHTJA E FRYMËZIMIT NË KRIJIMTARINË LETRARE NËPËR SHEKUJ DHE EPOKA KRIJUESEMISTERI I FRYMËZIMIT, KU MIRREN UDHËZIMET DHE POROSITË PËR TË SHKRUAR?!Nga Prof. Asc. XHAVIT ALIÇKAJ (04.26.2011)
SHPIRT I BURGOSURTregim nga ISTREF HAXHILLARI (04.26.2011)
NJË PROGRAM I MUZIKËS RROK I BËN PËR VETE ADOLESHENTËT (04.25.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]