VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DITA E VRAJSES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa III)

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 02:43am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

DITA E VRAJSES SË AZEMIT

ROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa III)


E Hënë, 10.19.2009, 03:35pm (GMT+1)

Pjesa e Tretë

 

 

 

    Iliri u vonua me kast, në takimin me Kristanin. Nuk donte të tregonte nga e para si po e rijetonte këtë ditë. Le ta bënte Agimi rolin e ndërmjetësit kohor. Profesori do të kërkonte më pas vetëm ndonjë hollësi.

    Në orën njëmbëdhjetë e njëzetë shkoi në hotel Lux. Kristani po e priste i vetëm, në ambientin e jashtëm të barit. Ishte ulur nën çadrën verdhë e blu, me fytyrën nga rruga. Sa pa Ilirin, ia bëri me dorë. Gjysmë minute më vonë, Iliri ishte në krahët e tij.

    - Ka një javë që s'të kam parë, - i tha Kristani. - Më mori malli, ndaj e porosita Agimin të takoheshim këtu.

    - Unë jam i përditshëm tek Luksi, - ia ktheu Iliri. - Ju keni munguar profesor.

    - Unë në shkollë, paradite dhe mbasdite. Po vë pak rregull në laborator. Po e modifikoj në laborator mësimor.

    Kristani fliste shpenguar, aq sa Iliri nuk arriti të kuptonte, në kishte biseduar me Agimin më parë.

    Sajmiri u afrua pranë tyre.

    - Mirëdita, - tha dhe mori qëndrimin drejt, me duar të ulura.

    - Urdhëroni !

    Profesori pa Ilirin.

    - Porosit për vete dhe për mua, - i tha.

    Ishte njësoj si ti thoshte, se Agimi ia kishte treguar të gjitha.

    - Dy konjakë Skënderbeu dhe një kafe turke, - porositi Iliri.

    Kristani i buzëqeshi.

    - Të kam shok dhe mik. Mik special fare. Ç'ka po përjeton tani, mund të ishte argëtuese dhe dobiprurëse për ty. Por qëlloi ditë e zezë.

    - Ditën e kemi në dorë ta ndryshojmë, profesor.

    - Do ta bëjmë, - tha Kristani. - Ndryshe, ç'vlerë kanë kapërcimet në kohë!? Do ta shohësh, mbrëmja do të jetë e bukur.

    Sajmiri solli kafenë, dy gota me konjak e u largua. Kristani e derdhi një gotë në vazon e madhe të luleve aty afër. Nxori nga xhepi i xhaketës damixhanin dhe e mbushi gotën bosh me një lëng, me ngjyrën si të konjakut. Ia dha gotën Ilirit. Mori gotën me konjak dhe e toki me atë të Ilirit.

    - Pije ! gati e urdhëroi.

    Iliri e piu gotën përgjysmë. Pija vinte e athët. Mblodhi buzët dhe u koll. Një pjesë e lëngut i doli nga flegrat e hundës.

    - Shëndet ! - ia bëri Kristani.

    Iliri shkundi për pak sekonda trupin deri sa e mori veten.

    - Ndikon kjo pije në përvojën që po kaloj ? pyeti ai Kristanin.

    Fjalët i shqiptoi të zvargura, me një ton mospërfillës, thua se kërshëria të ishte për dikë tjetër.

    - Jo, - tha Kristani. - Konsideroje si çaj. Thjesht, të bën mirë.

    -Ndikon mbase kampioni i dheut, i marrë në Fushëzot?

Kristani tundi kokën për jo. Futi dorën në xhep dhe nxori një qeskëzë me pluhur ngjyrë gri.

    -Mbaje gjithmonë me vete, - i tha.

    - E kam një në shtëpi, poshtë jastëkut.

    - Pranoje edhe këtë porcion. E harruara edhe humbet.

    Iliri e futi qeskëzën në xhepin e pantallonave.

    - Do të më lejoni tani të bëj pyetjen e plotë profesor ?

    - Unë e di përse do të më pyetësh, - i tha Kristani. - Pyetja e plotë nënkupton disa pyetje, që kanë lidhje me njëra tjetrën, apo jo? Pyetjet bëji një nga një dhe unë do të përgjigjem. Atëhere fillo.

    - Përse më ndodhi mua të jetoj për së dyti të sotmen, profesor?

    - Çdokush mund të ngecë ndonjëherë, në kurthin e kohës.

    - Po përse pikërisht unë?

    - Mendoj se ngarkesa jote emocionale ka qenë e madhe, gjatë gjithë ditës. Vrasjen e Azemit e ke përjetuar përtej të zakonshmes.

    - Sa keni ndikuar ju në eksperiencën që unë po kaloj?

    - Në ç'kuptim ?

    - Në kuptimin e drejtëpërdrejtë. Keni eksperimentuar me mua profesor ?

    - Psikologjikisht, po, - tha Kristani. Dëgjo, miku im. Çdonjëri prej nesh, minutë pas minute, ditë pas dite, i nënshtrohet një eksperimenti të pafund me vetveten. Ditë pas dite kërkon të arrijë të pamundurën, shpesh pa e kuptuar as vetë. Të jesh me mua, ndonjëherë kjo lëvizje shpejtohet. Për rastin tënd, unë kam dhënë shtysën e parë.

    - Me një fjalë . . .

    - Mjafton kaq. Kur të mbarojë e sotmja, nesër ose pasnesër, do të bisedojmë prapë.

    - Ditën që do të marr në dorëzim arkivin tuaj, profesor ?

    - Ah , ta paskam thënë edhe këtë !?

    Kristani hoqi thellë në zemër.

    - E di që do ta ruash në një vend të sigurt. Përkohësisht, por ndoshta dhe përgjithmonë.

    - Po e sistemoj në dhomën time, në shtëpinë e prindërve.   

    - Vend më të sigurtë nuk ka, - tha Kristani. - Shtëpia ndodhet ngjitur me Gjykatën dhe është nën vëzhgim njëzetë e katër orë. Të falemindert, miku im!

Piu konjak dhe shtoi :

    - Një merak e kam për ty. Të kam patur nxënësin më të mirë të gjimnazit. Të kishe mbaruar universitetin, do të ishe bërë një fizikan i shkëlqyer. Do të ma kaloje dhe mua.

    - Sivjet u rregjistrova në Fakultetin e Shkencave në Tiranë, professor. Me part time. Vitin tjetër mendoj të jem student i rregullt.

    Kristanit i gëzoi zemra.

    - Vërtet? Më lumturove, miku im.-

     U ngrit në këmbë dhe e puthi Ilirin në ballë.

    - Ndërsa unë kam një merak tjetër , profesor .

    - Pa ta dëgjojmë.

    - Kam lexuar në një revistë shkencore amerikane, për kapërcimet në kohë. Atje mësova se këto kapërcime, në të shkuarën apo në të tashmen, mund të zgjatin disa minuta, disa orë, disa ditë apo më shumë.

    - Teori e saktë fare. Kush është shqetësimi yt?

    - Sikur koha që unë po e rijetoj, të zgjasë vetëm për pak orë e të ndërpritet në këtë moment? Atëhere... ne nuk do të kontaktojmë dot me Azemin. E sotmja merr fund. Unë ndodhem në të nesërmen. Azemin ndërkohë e kanë vrarë, që dje në mbrëmje.

    Kristani vuri buzën në gaz.

    - Nuk ndodh ekzaktësisht kështu. Koha lëviz vetëm në një drejtim, përpara. E sotmja do të mbarojë, që të vijë e nesërmja. Ti e jetove njëherë të sotmen, por megjithatë, do ta konsumosh përsëri si gjithë të tjerët. E rifillove të sotmen nga mëngjesi, por mund ta filloje në drekë apo në darkë. Në çdo rast, e sotmja do të përfundonte në mesnatë. Para se ti të vije këtu, unë i telefonova Azemit në shtëpi dhe në zyrë. Nuk u përgjigj kush. Sa më shpejt ta takojmë, aq më mirë është, për të gjithë ne.

    - Po nëqoftëse e sotmja, më përsëritet disa herë, profesor? Unë çdo mëngjes do të zgjohem me idenë se duhet të shpëtoj jetën e një njeru!? Ky do të jetë një makth i vërtetë.

    - Nuk ndodh kështu. Ajo pjesë e ditës, e ndryshuar njëherë, do të ngelet, apo do të stampohet si e tillë.

    Iliri u qetësua nga shpjegimet e profesorit.

    - Faleminderit profesor ! i tha.

    - Dua të më jepje ndonjë hollësi, nga ato që ke parë dhe dëgjuar në televizor, - tha Kristani. - Mbas sa orësh, mbas atentatit, Azemi . . . mbaroi.

    - Ah, kjo s'më kujtohet. Një moment. Dale të përqëndrohem pak. Jo, vërtet s'e kam parasysh. Fjalët u qëllua, u vra, vdiq, ishin të njëkuptimshme. Është qëlluar me breshëri automatiku, këtë e them me siguri. Ka rëndësi kjo, profesor?

    - Unë do të marr masat për rastin më ekstrem. Një informacion i tillë, do të më shërbente shumë .

    - Di që nuk mbaroi menjëherë. Di që u dërgua direkt e në sallën e operacionit në spitalin ushtarak. Kaq.

    - Edhe kaq, mjafton, - tha Kristani. Më kujtohet, kur Azemin e qëlluan në parlament. Unë në atë kohë, nuk ndodhesha në Shqipëri, që Azemit t'i vija menjëherë në ndihmë. Por falë zotit, ai shpëtoi. Kur e takova e ngelëm për pak minuta vetëm, nxorri nga poshtë jastëkut një plumb dhe ma la në dorë. Ishte plumb revolveri, një nga ata që e kishte goditur pranë zemrës. Plumbi ishte i shtypur në majë. Si ka mundësi të ndodhë kjo, profesor, më pyeti. Unë jam prej mishi, nuk jam prej hekuri. Ishte vërtet e çuditshme. Disa milimetra më shumë të kishte depërtuar plumbi në mish, do t'i kishte prekur zemrën dhe ai s'do të ishte më, në mes të të gjallëve. Unë nuk i ktheva përgjigje atë çast. Edhe sot e kësaj dite, nuk kam gjetur një shpjegim shkencor për atë rast. Përtej shkencës, në kufijtë e të pamundurës, çdo fenomen e ka një përgjigje. Azemi, për hir të ideve dhe personalitetit të tij, që janë sipërore në një realitet shqiptar konservator e të prapambetur, është gjithmonë i kërcënuar me jetën, nga njerëz apo grupe të ndryshëm njerëzish, që synojnë majat e larta të pushtetit. Ai e njeh këtë fakt dhe ka marrë masa mbrojtëse. Përpos kësaj, qenia e tij, apo trupi i tij, ka aktivizuar sistemin imun të mbrojtjes së jetës. Shpesh herë populli thotë, për filan hero epik, se atë nuk e kap as plumbi dhe as shpata, se ai ka një cipë që e mbron nga ambienti i jashtëm. Pikërisht kjo cipë mbrojtëse, ishte aktivizuar në rastin kur atë e qëlluan në parlament. Aq e fuqishme ka qenë ajo, sa nuk lejoi që plumbat të preknin organet jetësore të Azemit. Nuk e di se si ka funksionuar sistemi i tij imun, në atentatin e mbrëmjes ... së sotme. Ndaj doja  të dija ndonjë hollësi më tepër. Duhet parashikuar më e keqja. Gjithsesi unë besoj për një hepiend betovenian  sot në mbrëmje. Sipas Biblës, Zoti i përfundoi ditën e shtunë të gjitha punët e krijimit të botës. E shtuna mbrëma është triumfi i rregullit mbi kaosin.

    Iliri kujtoi krahasimin e Azemit me një replikant, në janarin e largët të vitit nëntëdhjetë e një. Krahasimi i dikurshëm, tanimë i dukej fare i përsosur. Thua se një vullnet i shenjtë kishte modeluar Azemin. Ai gati i tregoi profesorit për Azemin dhe replikantin, por u përmbajt. Profesori do t'i thoshte se replikantët nuk jetojnë më shumë se dyzetë vjeç dhe kjo do ta trishtonte përsëri. Fjalët e profesorit kishin ndikim magjik mbi të. Atë çka profesori hamendësonte me fjalë, atij i dukej se bëhej realitet.

    Në atë kohë, nga brenda hotelit, u shfaqën Agimi, V.Z. dhe A.M.

    Agimi dhe V.Z. zunë vend pranë Kristanit dhe Ilirit. A.M. u ul një tavolinë më tej, me fytyrën nga rruga. Ky është roja, mendoi Iliri.

    V.Z. në praninë e Kristanit, nuk ishte më njeriu i akullt. Pa profesorin në sy, por jo ftohtë. Përpëliti dy tre herë qepallat dhe u përkul në drejtim nga ai.

    - Ç'do të bëjmë, profesor ?

    Ai nuk iu drejtua Kristanit me emër, as me simbolin "zotëri", por e thirri profesor. Kjo nuk ishte për thjeshtësi. Ishte hera e dytë që takohej me Kristanin  dhe dijet e tij, bënin ndryshimin me shumicën e njerëzve që njihte.

    - Janë dy zgjedhje, - tha Kristani. - Nëqoftëse do të kundërshtoni, do të thoni psetë. Zgjedhja e parë është të lajmërojmë policinë e shtetit. Ata e kanë me ligj sigurimin e jetës së deputetëve dhe politikanëve.

    Sa mbaroi fjalën Kristani, Agimi u hodh dhe tha:

    - Kundërshtoj. Nuk kam besim te policia. Krerët e saj janë të lidhur me politikën dhe krimin.

    - Edhe unë s'jam dakord, - tha V.Z. - Do të futemi të gjithë në një qerfull, nga e cila nuk do të dalim dot.

    Kristani pa Ilirin.

    - Policia nuk mbron dot as veten e vet, - tha Iliri. Ata nuk pranojnë asnjë denoncim pa fakte.

    - Edhe unë jam kundra, - tha Kristani. - Burokracia e tyre është vrasëse. Megjithatë, ishte një zgjedhje.

    Në atë kohë në bar erdhi Riksi. Dukej i shqetësuar që përtej. Çalonte shumë nga këmba e majtë, ndërsa afrohej me nxitim tek tavolina.

    Përshëndeti e u përqafua me Kristanin.

    - Të lutem, profesor, të bëjmë më të mirën, - tha Riksi. - Ti je miku numër një i Azemit. Ndihem ose jo në faj, jam përfshirë pa dashjen time në atentatin kundër tij. Kam deformuar kohën.

    Kristani, që dinte gjithçka rreth bisedave, nga Agimi dhe V.Z., tha :

    - Riksi, miku im. Në atentatin ndaj Azemit janë përfshirë vetëm vrasësit dhe urdhëruesit e tyre. Askush prej nesh, qoftë edhe pa dashje, nuk ka gisht në këtë ngjarje. Këtë mund ta vërtetoj edhe shkencërisht, por nuk është çasti tani.

    Ai hodhi një vështrim nga V.Z. dhe Agimi, të butë, por edhe qortues.

    - Koha nuk deformohet miqtë e mi. Ajo rrjedh nga e kaluara në të ardhmen. Hapësira, vendet e takimit ndryshojnë. Njerëzit gjenden në të njëjtën kohë, në vende të caktuara.

    Ai nxori nga xhepi një letër e një stilolaps. Vijëzoi dy drejtëza pingule me njëra tjetrën.

    - Kjo është koha, - tha për njërën drejtëz, - kjo tjetra është hapësira apo vendet e takimit.

    Ai bëri një pikë në letër.

    - Ky është vendi pranë selisë së PD në Tiranë, ku atentatorët presin Azemin. Ne do të përpiqemi, që në atë kohë, pra në atë orë, Azemi të mos jetë në këtë vend, por diku tjetër. Ja, kjo pika këtu.

    Ai bëri një pikë tjetër në letër.

    - Kjo pikë, pra ky vend, mund të jetë qyteti ynë, hoteli im, apo jo profesor. Ne jemi mbrojtja më e mirë për të, - tha Agimi.

    - Unë do ta takoj dhe do t'i propozoj të kalojë natën me ne. Vërtet, që ne jemi mbrojtja më e sigurt për të. Por zgjedhja do të jetë e tij.

    Riksi u mallëngjye dhe fshiu një pikë lot.

    - Eh, sa do të dëshiroja të pija një kafe me të!

    - Tani, - vazhdoi Kristani - në orën katër, është e sigurtë që do ta takojmë Azemin. Po kontaktuam me të më shpejt, do të jetë më mirë akoma. Ti Agim, herë pas here do të telefonosh në dy numrat që të kam dhënë unë, të paktën deri në orën dy. Nëse e hap telefonin, në emrin tim do t'i lësh një takim para mitingut.

    Në atë kohë A.M. u ngrit nga tavolina dhe bëri një ecejake në trotuar. Kryqëzoi duart dhe u mbështet në parmakun e ambientit të jashtëm të barit. Ktheu njëherë kokën për V.Z. Ky iu afrua dhe folën diçka me zë të ulët.

    - Ç'është ? pyeti Agimi.

    - A.M. dyshoi për dy persona, që herë pas here hidhnin vështrimin këtej. Mbase jo për ne. Ndoshta janë thjesht kalimtarë, sepse tani janë larguar.

    - Edhe diçka tjetër, - tha Kristani. - ta zemë se për një arsye madhore, unë nuk do ta takoj dot Azemin. Ti, V.Z. do të kontaktosh me të.

    - Ç'është kjo arsye madhore, profesor ? - pyeti Riksi. - Kërkon të na dhembë zemra akoma !?

    Të gjithë vështrimet u përqëndruan mbi Kristanin. XX kishte folur për të tërë.

    - Gjithmonë ka një "nëqoftëse", miqtë e mi, - tha Kristani.

    - Nga do ta marr vesh unë që ju s'keni kontaktuar me Azemin? iu drejtua V.Z. Kristanit.

    - Po qe se takohem me Azemin para orës katër, do t'ju vë në dijeni. Ndryshe, do të jem me të, gjatë mitingut. Do të jem në tribunë, përkrah tij. Nëqoftëse s'më shihni as në tribunë, është detyra jote V.Z. t'i flasësh Azemit për rrezikun që i kanoset.

    - T'i themi edhe Dritanit, djalit të Flamurit, - propozoi Riksi.

    - Jo! Askush përtej nesh, s'duhet të dijë më shumë, - përfundoi Kristani.

    Ai u çua nga tavolina.

    - Unë me Ilirin do të largohemi tani. Shpresoj ta pimë kafen së bashku, para mitingut.

    Kristani dhe Iliri u dhanë dorën të tjerëve dhe morën rrugën drejt qendrës.

    - Do të vemë deri tek shkolla, - i sugjeroi Kristani Ilirit. - Do të marr diçka në laborator. Pastaj do të më shoqërosh deri në shtëpi.

    - Mirë, - tha Iliri.

    Ata lanë pas sheshin qëndror dhe u futën në një rrugicë, që të nxirrte shkurt për te shkolla. Në fund të rrugicës, u dolën përpara dy djelmosha kokërruar, veshur me kostume të zinj, këpucë të zeza, e syze të zeza.

    - Do të vini me ne, - tha njëri prej tyre.

    - Cilët jeni ju zotërinj ? Ne nuk ju njohim, - tha Kristani.

    Ai që foli, nxori nga xhepi një si pasaportë.

    - Jemi të shikut, - tha. - Ju jeni profesor Kristan D dhe ju tjetri Ilir Ukidi.

    Ai nuk dha shpjegime të tjera. I bëri shenjë shokut. Vunë në mes Kristanin dhe Ilirin, e i kapën fort për krahu. Sa dolën nga rrugica, hipën në një Audi, tip i vjetër. Personi që foli dhe Kristani u ulën në sediljet e pasme. Iliri dhe ai tjetri, zunë vendet e para. Ai tjetri ndezi makinën, vuri direkt marshin e tretë dhe Audi mori hov e kërceu në mes të rrugës. Futi marshin e katërt. Po i drejtoheshin periferisë së qytetit.

     Para mbikalimit të hekurudhës, do të ktheheshin djathtas Pesëqind metra prej aty, ndodhej ndërtesa e Shikut, një vilë dykatëshe, rrethuar me mur të lartë,  fshehur nga pemët e shumta. Por Audi nuk u kthye djathtas. Përshkoi me shpejtësi mbikalimin dhe iu turr rrugës së bregdetit.

    - Zotërinj, ky është rrëmbim, - tha Kristani.

    Shoferi, nëpërmjet pasqyrës së brendëshme, përtheu një buzëqeshje ironike për Kristanin.

    - Ne jemi punonjës të shtetit, profesor, jo banditë, - tha shikasi përkrah Kristanit.

    - Ku po shkojmë atëhere ? pyeti Kristani.

    Shikasit nuk folën. Mbas një kilometër rrugë, ata parkuan në një vilë. Ishte identike me ndërtesën e Shikut brenda qytetit.

    Shoferi zbriti nga makina i pari. Udhëhoqi Kristanin e Ilirin për në katin e dytë. Shoku i tij vinte në fund.

    U futën në një apartament me dhomë, paradhomë, ballkon e banjo, gjysmë zyrë e gjysmë ambient banimi.

    - Pse na sollët këtu ? bëri pyetjen e radhës Kristani.

    Të rinjtë heshtën. Dolën nga apartamenti duke tërhequr derën pas vetes, por derën nuk e kyçën.

    Mbi tavolinën e madhe, ishte një telefon i kuq. Iliri ngriti receptorin dhe formoi një numër.

    - Telefoni nuk punon, - tha.

    - E kanë me kod, - hamendësoi Kristani

    Hapi derën me shina të ballkonit. U ul në një karrike plastike, me ndenjësen një tip shilteje. U ndje rehat.

    - Merr një karrike dhe eja ulu këtu, - i tha Ilirit.

    Iliri u afrua tek Kristani.

    - Si mendon ti Ilir, përse na sollën këtu ?

    Iliri nuk iu përgjigj menjëherë. Kujtoi pjesë nga biseda e parë me profesorin.

    - Ata kanë dëgjuar për eksperimentet tuaja, profesor. Duan të përfitojnë prej teje.

    - Aha ! ia bëri Kristani, si të sillte ndërmend një kohë të shkuar.

    - Më keni treguar në barin e Luksit, në takimin më parë, për disa shikas të ardhur nga Tirana, ofertën e tyre për eliksirin e jetëgjatësisë, refuzimin tuaj dhe kërcënimin e tyre se do të vinin përsëri.

    - T'i paskam thënë të gjitha këto!? Natyrisht, që të kam folur gjerë e gjatë. Do t'i dëgjoje përsëri sot, nëqoftëse s'do të ishte çështja e Azemit. Marrëzia e shikasve, do të ishte një arsye për të qenë unë këtu. Po ti Ilir, pse je këtu !?

    - Sepse isha bashkë me ju, jashtë në rrugë.

    - Jo, - tundi kokën dyshues Kristani. Ti nuk ndodhesh këtu aksidentalisht. Ashtu si dhe unë. Sot zhvillohet mitingu i PD. Sot vjen Azem Hajdari.

    - Ju mendoni se unë s'qenkam i rastësishmi!? Pa dale ta mendoj ndryshe këtë situatë. Ju jeni këtu profesor, si miku i ngushtë i Azemit. Unë s'kam asnjë lidhje, as me PD e as me Azemin. Atëhere, supozohet të jem këtu, sepse di diçka për atentatin ndaj Azemit.

    - Pikërisht . Ti je shënjestra.

    - Jo, kjo është e pamundur. Është e pamenduar të ketë folur ndonjëri prej nesh.

    Ilirit i dolën para syve, fytyrat e Riksit, Agimit, Flamurit, V.Z., A.M. Të gjithë të shqetësuar për jetën e Azemit. Riksi dhe V.Z. mbartnin njolla faji në ndërgjegjen e tyre. Flamuri qortonte veten, se nuk kishte ditur të lexonte shenjat. Cili të ishte kallauzi ?

    - Ky është njëri nga variantet, më analitiku, sipas meje, - tha Kristani. - Por mund të jetë diçka tjetër. Do të presim.

    Iliri pa orën. Po afrohej një e mbasdites. Kishin gjysmë ore që kishin ardhur dhe askush s'ishte bërë i gjallë e t'u spjegonte përse mbaheshin të veçuar në këtë ndërtesë.

    - Të dal njëherë në korridor, se mos takoj njeri, - tha Iliri. - Duket sikur na kanë harruar.

    - Presin ndonjë shefin e tyre, - tha Kristani. - Por ti dil e hidhi një sy vilës.

    Iliri hapi derën e apartamentit. Në korridor nuk pipëtinte njeri. Në katin e dytë ishin dhe tre dyer të tjera. Iliri lëvizi dorezat. Ishin të kyçura. Zbriti nëpër shkallët, në katin e parë. Iu afrua derës së jashtme. Ajo ishte e mbyllur. Trokiti nëpër dyert e tjera. Askush nuk u përgjigj. Iliri u ngjit lart në dhomë.

    Profesori kishte marrë një bidon me ujë nga frigoriferi dhe pinte herë pas here.

    - Duket si një ishull i pabanuar. Jemi vetëm ne të dy. Të gjitha dyert janë të mbyllura. Edhe dera e jashtme.

    - Do të presim, - tha Kristani.

    Kaloi pothuajse një orë. Në orën  dy, u dëgjua zhurma e një makine që parkoi në oborrin e vilës. Pas pak u hap dera dhe në paradhomë hyri njëri nga shefat. Kristani e njohu. Ishte personi që kishte organizuar takimin e Kristanit me dy shikasit nga Tirana dhe një të tretë, që fliste rusisht.

    - Mirëdita, - tha ai dhe u ul në një kolltuk rrotullues, në tavolinën që dukej si e shefit.

    - Përse na sollët këtu ? pyeti Kristani.

    - Kemi urdhër t'ju mbajmë deri nesër në mëngjes, - iu përgjigj shefi.

    - Urdhër nga kush ?

    Tjetri nuk u përgjigj.

    - Përse ?

    - Më vjen keq profesor, por nuk mund t'ju jap shpjegime.

    - Ju na keni rrëmbyer, na izoloni një ditë e një natë, dhe nuk na thoni arsyen? Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Kjo përbën krim.

    - Ky është sekret shtetëror.

    Shefi tha këto fjalë, picërroi sytë dhe mori një pamje hijerëndë. Ai ishte esmer dhe hija e zyrtarit e bëri gati të zi.

    - Dëgjo këtu, zotëri, i tha Kristani. - Merr ata shefat e tu, që punojnë për qeverinë lart në Tiranë dhe u thuaj që unë pranoj të bëj kompromis me ta, nëqoftëse do të dal prej këtej para orës katër.

    Shikasit iu mbush balli me djersë.

    - Ose më mirë, u flas vetë në telefon, - shtoi Kristani.

    - Kjo nuk bëhet, - tha shefi. - S'ka lidhje me ta. Është çështje e drejtorisë sonë.

    - Atëhere, s'është çështje shtetërore, por lokale, - ironizoi Kristani. - Por mund të kthehet në çështje shtetërore, nëse ti nuk na lë të largohemi tani.

    Shefi mori një bidon ujë nga frigoriferi dhe e piu përgjysmë.

    - Dëgjo profesor, - tha ai. - meqë këmbëngulni, po flas haptazi me ju. Kemi një informacion, që ju të dy, së bashku me disa shokë të tjerë, po përgatitni një atentat kundër deputetit, zotit Azem Hajdari.

    - Kjo është qesharake, - tha Iliri.

    - Kjo është absurde, - tha Kristani.

    - Edhe unë nuk është se i besoj plotësisht, - tha shefi. - Informacionin e kam klasifikuar jo të plotë. E di që ti professor je mik i Azemit. E di që dhe ti Ilir je me bindje të djathta. Por jam i detyruar të veproj në bazë të rregullores. Ju premtoj, se do t'ju mbajmë këtu deri në përfundim të mitingut të PD dhe deri sa zoti Hajdari të jetë larguar nga territori që mbulon drejtoria jonë. Kjo do të jetë një alibi edhe për ju. Në njëfarë mënyre, unë po ju mbroj.

    Ai u ngrit nga kolltuku dhe me zhdërvjellësi doli nga apartamenti. Dera u mbyll pas tij. U dëgjua një kërcitje e lehtë metalike. Iliri lëvizi dorezën e derës, por ajo nuk u hap.

    - Paska mbyllur derën me pult, - tha ai. - E humbëm Azemin, professor.

    - Ende shpresoj se diçka do të bëhet. Ai do t'i lajmërojë shefat e tij në Tiranë.

 

 

                                     *   *   *

 

    Flamuri e priti më kot Ilirin pranë birrarisë Partizani. Do të jetë me profesorin, Agimin dhe Riksin, mendoi. Derisa ka një plan për të shpëtuar Azemin,  ka dhe detyra për ta. Nuk është kollaj t'i thuash tjetrit se në filan orë, në aksh vend do të qëllojnë mbi ty. Po ti, nga i di këto gjëra, të thotë ai. Po ja, ky djali, që e quajnë Ilir, i ka jetuar njëherë ato orë të zeza. Jo, nuk ishte pranë vendit ku të vranë, i dëgjoi nga televizori. Azemi, sigurisht, do të qeshte me të madhe e do të thoshte se përrallë më të bukur nuk kishte dëgjuar ndonjëherë. Në atë çast do të ndërhynte profesori. E di ti ç'është koha dhe hapësira, do t'i thoshte Azemit. E di ti që unë luaj me to siç luan ti me politikën. Ndaj që nga ky çast, jam unë ai që jap urdhërat. Ti vetëm do të bindesh.

    Mjegulla po mbulonte ngadalë turmën në sheshin qëndror të qytetit. Ca vetëtima blu çanë qiellin. Ishin të shurdhëta, pa bubullima. S'kam parë ndonjëherë vetëtima blu, tha Flamuri. Kjo është shenjë se Azemit nuk i kanoset më rreziku. Hodhi sytë tutje nga tribuna. Një aureolë e ndritshme rrethonte bustin e Azemit. Flamuri fërkoi sytë për të parë më mirë. Azemi po fliste. Si lëvizte ai, lëviznin edhe rrathët e ngjyrosura me dritë të aureolës. Sa e bukur kjo shfaqje, tha Flamuri. Vetë Zoti, në qiell, qenka dorëzanë për jetën e Azemit.

    Mitingu mbaroi. Njerëzit humbën pjesë pjesë nëpër mjegull. Flamuri mori drejtimin për nga Lux-i. U ul në sallën e barit, pranë banakut. Porositi një kafe. Mbaroi kafen, la lekët në tavolinë dhe shkoi tek banaku.

    - Të bëj një telefonatë, - i tha baristit.

    Ky ia bëri me kokë. Flamuri telefonoi në lokal. Dëgjoi zërin e të shoqes.

    - Alo, jam Flamuri. Ka ardhur Dritani? Jo!? Po të vij, thuaji që jam te Luksi . E pres këtu.

    Pastaj iu drejtua baristit:

    - Di gjë kur vjen Agimi?

    Baristi iu afrua Flamurit që nga ana tjetër e banakut dhe i foli me zë të ulët.

    - Agimi, Riksi dhe dy shokë të tyre, janë larguar që në orën një dhe ende nuk janë kthyer.

    - Po i pres përjashta atëherë, - tha Flamuri.

    Baristi e uli më tepër zërin:

    - Z. Flamur, ata i kanë marrë.

    - Ç'thua more! Policia?

    - Jo, ishin ca civilë. Bile u bë dhe një përleshje e vogël, në barin jashtë. Njëri nga shokët e Agimit e shtriu përdhe njërin prej civilëve, por të tjerët iu hodhën përsipër e i vunë prangat. I futën nëpër makina dhe u larguan me shpejtësi.

    - Po profesori dhe Iliri ishin me ta ?

    - Jo, nuk i pashë.

    Flamuri doli jashtë barit. Bëri një ecejake në trotuarin përballë hotelit. Ç'të ishin këta civilët? Policë të krimit ekonomik? Apo punonjës të shikut, dingot, siç i quanin të rinjtë. Flamuri u trua se ishin dingot. Të kenë kapur edhe Ilirin me profesorin!? Po Azemi, ç'do të ndodhë me të !?

    Shpejtoi hapat për nga qendra e qytetit. Sheshi ishte boshatisur nga turmat. Sapo kishte filluar qarkullimi normal i automjeteve. Në rrugën pranë, një grup të rinjsh, po vinin drejt tij.

    - Ej, babai i Dritanit, - e thirri njëri prej tyre. - Dritani sa u nda nga ne. Po shkon në shtëpi.

    - Iku Azemi, djema ?

    - Ikën të gjithë.

    - Kanë mbi gjysmë ore.

    - Natën e mirë, babai i Dritanit !

    - Natën e mirë, djema !

    Flamuri u kthye te Lux-i. Baristi, që nga banaku ia bëri me dorë të afrohej.

    - Erdhën ata? pyeti Flamuri.

    - Jo ! Por ty të kërkoi gruaja në telefon.

    Flamuri formoi numrin e telefonit të lokalit.

    E shoqja i tha se Dritani po shkonte në shtëpi. Ndjehej i lodhur. Epo mirë, i tha Flamuri. Ai donte ta pyeste të birin, nëse profesori dhe Iliri ishin takuar me Azemin. Por hoqi dorë. Profesori mund të ishte takuar me Azemin edhe para mitingut. Kanë pirë kafe dhe kanë biseduar, pa praninë e të tjerëve, mendoi Flamuri. Ka qenë një ditë e tërë për të bërë një gjë kaq të thjeshtë.

    Kishte filluar shiu. I imët e i përzier me mjegull, dukej sikur qëndronte pezull në ajër, si në një napë të hollë, të tejdukshme. Nata po mbulonte qytetin. Trotuaret po boshatiseshin. Ishte koha, kur nëpër bare kishte më shumë klientë,  se kalimtarë në rrugë.

    Flamuri pa orën. Shtatë e mbrëmjes. Ndezi një cigare dhe u mbështet në fasadën e hotelit, nën strehën e gjerë prej betoni. Aty do të priste derisa të vinte ndonjëri prej shokëve.

    Kur po pinte cigaren e tretë radhazi, dalloi Ilirin që po afrohej. I doli përpara.

    - Po ku jeni, shoku? U bëra merak për ju, - tha Flamuri.

    I hodhi dorën në sup Ilirit dhe u futën brenda. Kaluan pranë banakut.

    - Katër ekspresë në një filxhan çaji, - i tha Iliri kamarierit. - E dua të fortë.

    U ulën në tavolinën në fund të lokalit.

    - Hë, ç'bëtë ? - pyeti Flamuri.

    - Më duket se e humbëm Azemin, shoku.

    - Si, asnjëri nuk e takoi Azemin? As profesori?

    - As profesori dhe asnjëri prej nesh. Na morrën ata të shikut, që në orën një dhe na izoluan në godinat e tyre. Mua me profesorin bashkë, të tjerët nuk e di se ku. Dyshonin se po organizonim një atentat kundër Azemit. Na liruan prapë, sepse nuk kishin prova të mjaftueshme. Dhe të tjerët, sikur kanë ardhur tashti. 

    Në atë kohë në bar hynë Riksi, Agimi, V.Z. dhe A.M. A.M një dorë e kishte të fashuar dhe syrin e majtë të nxirë. Erdhën te tavolina e fundit.

    - Ky është Flamuri, shoku ynë i ngushtë, - prezantoi Agimi. - Këta janë V.Z. dhe A.M, Flamur. Ortakët tanë nga Tirana.

    - Të paskan goditur keq, - vërejti Flamuri për AM.

    - U përlesha me dingot, - tha AM. - Nja dy prej tyre i shtriva përdhe.

    Erdhi kamarieri.  Riksi porositi një Xhon të zi. Të tjerët kafe dhe ujë.

    - Profesori ku është ? pyeti Riksi.

    - U nis për në Tiranë. Me një nga ata, - tha Iliri. - Juve, kur ju morrën?

    - Sa ikët ju. Na çuan në një vilë dhe na mbajtën brenda deri tani. Nuk na dhanë asnjë shpjegim. Po juve ? pyeti Riksi.

    - Ne na kapën tek rrugica pranë shkollës. Na veçuan në një vilë jashtë qytetit. Thanë se e bënin për të mirën tonë. Atje morrëm vesh se edhe juve ju kishin marrë. U kishin dhënë informacion, se ne po përgatisnim një atentat kundër Azemit. Informacioni s'ishte i sigurt, por për të shmangur ndonjë të papritur, neve do të na mbanin të izoluar gjatë kohës së mitingut.

    - Ky është kulmi, - tha V.Z. Atentatorët janë të lirë, ndërsa ata dyshojnë tek ne, që jemi shokët dhe miqtë e Azemit.

    -  Dikush ka folur, - tha AM.

    Ra një heshtje e rëndë.

    - Dikush ka përgjuar, - tha Riksi. - Ka marrë një fjalë këtu dhe një fjalë atje dhe ka raportuar një thashethem. Kjo përputhet me ato që tregoi Iliri. 

    - Thashethemin mund ta ketë sajuar vetë shiku, për të na pengar ne të takonim Azemin. Dhe ia arritën qëllimit. 

    - Ti thua që shiku... -nuk e përfundoi mendimin Riksi.

    - Është një mundësi, - tha A.M.

    - Unë jam dakord me llogjikën e Riksit, - tha Agimi - Por s'është  momenti të rrekemi tani me këto dyshime. Të dëgjojmë Ilirin, përse iku profesori në Tiranë. 

    - Me insistimin e profesorit, shikasi që ishte caktuar për mbikqyrjen tonë, u bind se ishim ne që do ta mbronim Azemin nga ndonjë atentat i mundshëm. Profesori nuk ia tregoi plotësisht të vërtetën. Më në fund e kandisi që të niseshin në Tiranë. Është vonë, i thashë unë. Nuk do ta takosh dot Azemin. Ai m'u përgjigj se të qëllosh një njeri me armë, nuk do të thotë se ai vdes në çast. Ka ende shpresa për jetën. Por mund t'i bënte edhe ndonjë telefonatë.

    - Unë kam besim te profesori, - tha Flamuri.

    - Edhe unë , - tha Riksi.

    - Profesori është tepër i saktë, - tha Iliri dhe uli kokën.

    Fjalët e Ilirit ishin një "po" apo një "jo"!? Askush nuk guxoi të pyeste për këtë.

    Iliri pa orën.

    - Unë do të bëj një telefonatë, për Aleancën - tha ai. - E kishim lënë të darkonim bashkë sonte. Ajo do të zgjidhte tavernën tre. Do t'i kërkoj falje që nuk isha me të sonte.

    Iliri përmendi tavernën dhe të tjerët e kuptuan që kishte ardhur koha të rrinin para ekranit të televizorit. Boshatisën gotat, filxhanët dhe rregulluan karriget si në një sallë kinemaje. Stacioni lokal AVN jepte një film Uestern. Agimi mori në dorë pultin dhe shtypi butonin një. Ishte TVSH. Po jepte këngë popullore të jugut.

    - Tirana i jep . . . lajmet më shpejt.

    - Do Zoti dhe profesori e ka marrë në telefon Azemin.

    - Mbase nuk do të ketë fare lajm të tillë. Dita sot ka ndryshuar. S'është ajo që ka jetuar Iliri.

    - E nga e di ti që s'është e njëjtë

    - Nga Iliri, nga ta di tjetër. Iliri,  në këtë orë, duhej të ishte me Aleancën në tavernën tre. Por ai ndodhet këtu.

    - Kjo s'do të thotë asgjë.

    - Edhe mund të thotë. Ja, të pyesim Ilirin.

    Ata kthyen kokën nga Iliri.

    Iliri kishte mbyllur telefonin dhe rrinte mbështetur tek banaku. Ishte me fytyrë nga ata, por nuk shihte ata. Kishte ndezur një cigare dhe tymoste kot.

    - Ai s'pi kurrë duhan, - tha Flamuri me zë të dridhur.

    Në atë çast, këngët u ndërprenë. Në ekran u duk fytyra e spikeres kryesore të TVSH. Në buzët e saj dukej akoma hija e buzëkuqit të fshirë me ngut. Me zë të qartë e të përzishëm, ajo lajmëroi se Azem Hajdarin e kishin qëlluar me armë, në një pritë, pranë selisë së PD.

    Në bar u bë zhurmë. Kanë vrarë Azemin, u dëgjuan dy-tre zëra. Pastaj disa lëvizje karrigesh. Përsëri heshtje.

    AM u ngrit në këmbë. Një pikë loti iu shkëput e ra mbi dorën e shokut të vet. V.Z. ngriti kokën lart.

    - Ti po qan AM? - pyeti ai paksa i çuditur.

    - Pse, është turp të qash, shef !?

    - Jo . Edhe unë dua të derdh lot, por paskam harruar. Ti qaj AM, qaj !

 

 

Përfunduar 7 Korrik 2009

Ilirjan Sadikaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHBA: Revista "People" mbush 35 vite në treg (10.19.2009)
Kathrin Schimdt fitoi çmimin gjerman për librin 2009 (10.18.2009)
Gjiganti Niçe, filozofi që i sundoi dy shekuj (10.15.2009)
Pit Doherti ka vështirësi në rrugët e frymëmarrjes (10.14.2009)
"Princesha e Bukur" është e Leonardos, mund të kushtojë më shumë se 100 milionë euro (10.13.2009)
"This is it", kënga e panjohur e Majkëll Xheksonit, e cila ngjall shumë dyshime (10.13.2009)
Artistja e madhe shqiptare Ermonela Jaho debuton me Madame Butterfly në Teatrin e Operas në FiladelfiaNga Mal Berisha (10.12.2009)
Vietnami arreston shkrimtaren (10.11.2009)
Zbulohen letërkëmbimet e piktorit të madh Vinsen van Gog (10.11.2009)
Ismail Kadare: Herta Myler e ka mbrojtur çështjen e Kosovës (10.11.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]