VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DITA E VRASJES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa II)

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 02:15pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

DITA E VRASJES SË AZEMIT

ROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa II)


E Hënë, 10.19.2009, 03:45pm (GMT+1)

Pjesa e dytë

 

 

 

 

  Iliri u zgjua pak minuta para orës shtatë. Sytë iu lbyrën nga   drita e mëngjesit.

Kishte harruar pa ulur grilën e dritares, natën e kaluar. Përpëliti qepallat disa herë. Më në fund sytë iu hapën. Ndiente një dhembje prapa kokës. Edhe trupin e kishte të dërrmuar. Ijet i dhimbnin. Kishte kaluar një natë sfilitëse. Ajo përpëlitje në shtrat, që mund të quhej gjumë, e kishte lodhur më shumë se një rendje e gjatë. Mori frymë thellë për të rregulluar ritmin e qetësisë, që i mungonte qysh nga nata e djeshme.

    Vrasja e Azemit e kishte tronditur tej mase. Kush? Përse? Parandjenja e keqe e Flamurit, qysh në krye të ditës së djeshme, kishte përfunduar me një mort në pragun e natës.

    Përfytyroi Flamurin me sytë e lagur nga lotët që do t'i thoshte. Shenjat ishin të dukshme, por ne nuk i vlerësuam. Do të niste pastaj të përmendte shtyrjen e orarit të mitingut, mjegullën e papritur të mbasdites vonë, aureolën si të ëngjëjve, që rrethonte figurën e Azemit dhe vetëtimat ngjyrë blu.

    Iliri, nga ana e tij, do t'i tregonte për kryqin e vogël dhe emrin e Azemit, të shënuar në ditar me ngjyrën jeshile, për krahasimin e Azemit me një replikant , dhe fjalët e profesorit se replikantët nuk rrojnë më shumë se dyzetë vjeç.

    Megjithatë, shenjat nuk janë informacion, do të përfundonte Iliri. Ishin tepër të qarta, do të kundërshtonte Flamuri. Ne të kishim bërë minimumin. Ta njoftonim se i kanosej një rrezik. Nuk do të na besonin, do t'i përgjigjej Iliri. Megjithatë, duhej ta lajmëronim, do të këmbëngulte Flamuri. Unë ndihem në faj.

    Iliri përfytyroi se si Flamuri, pasi të thoshte fjalët e fundit, do të kthente me eks një dopjo Martini.

    Iliri u ndje në faj. U çua përgjysmë në shtrat. Ku është faji im këtu, arsyetoi. Një fjalë t'ia kishim thënë pas mitingut, qortoi veten, njësoj siç do të bënte Flamuri.

    Dëgjoi tingujt e shkurtër e të përsëritur të orës. Po binte ora shtatë. U ngrit nga krevati me përtesë, mori orën në duar dhe çaktivizoi alarmin.

    Hodhi sytë përtej dritares. Qielli ishte gri , njësoj si mëngjesi i djeshëm. Retë ishin tepër lart. Gjasat për shi ishin të pakta.

    Iu afrua tavolinës. I hodhi një sy kalendarit me fletët ditore. Nxorri nga sirtari një kolor të zi dhe u ul në karrige. Do të bënte një kryq të madh në fletën e datës 12 Shtator 1998. Përbri orës 20 °° do të shtote : " U vra Azem Hajdari".                 Instiktivisht lexoi edhe njëherë shënimet e datës së djeshme , që i dinte përmendësh. Ja , ora 10 °° në G B Bar , porosia e dollarëve për XX , ora 18 °° , një darkë me Aleancën. Pastaj i habitur, përqëndroi vështrimin mbi kalendar. Shënimi i orës 12 °° " Mitingu i PD. Azem Hajdari ? " mungonte. Zbrasësia e trembi. E shkrova dje në mëngjes , i tha vetes. Me stilolapsin jeshil. Ah , nuk ishte as kryqi i vogël jeshil në krye të faqes. Ç'po ndodh kështu, mendoi. Unë ditën e djeshme e fillova me shënimet në kalendar. U dithërua deri në palcë.

    Lapsi i kuq e stilolaosi me bojën blu ishin pranë kalendarit. Stilolapsin jeshil nuk po ia kapte syri. U alarmua. Hapi sirtarin e tavolinës. Ishte aty. E mori dhe bëri një shkarravinë mbi një letër të bardhë. E vendosi stilolapsin mbi kalendar. Ishte gjurma e një dite të zhdukur!? Rrëmbeu pultin dhe ndezi televizorin. Në ekran u shfaq stampa e televizionit AVN. E shtunë, 12 Shtator 1998. Emisionet tona rifillojnë në orën 08°°.                                                          

    Kontolloi TVSH. Përsëri 12 Shtator 1998. Po unë e jetova njëherë këtë ditë, foli me zë të lartë. Pas datës dymbëdhjetë, vjen trembëdhjeta. Mbas të shtunës, vjen e diela. Shkoi në korridor dhe pa veten në pasqyrën e madhe. Ky jam unë, tha  Nuk jam në ëndërr.

    U ul në karrike, pranë tavolinës. Donte të bërtiste e të kërkonte ndihmë. Po kujt? Në shtëpi ishte vetëm ai. E kuptoi se po e jetonte për së dyti datën dymbëdhjetë shtator.

    E çfarë nëse e jetoj këtë ditë për së dyti , arsyetoi. Sa e sa gjëra përsërisim në jetë. Kthehemi mbrapsht dhe e nisim nga e para.

    Një ide e beftë e ngriti në këmbë. Do ta fillonte ditën e jetuar një herë, nga e para. Do ta ndryshonte. Mund të shmangej atentati ndaj Azemit.

    Në kalendar, pranë datës 12 shtator, shënoi kryqin e vogël me lapsin e kuq. Asnjë shënim tjetër.

    U vesh me të shpejtë dhe doli jashtë apartamentit. Mbylli derën mbas vetes. Kurthi i kohës të ishte vetëm brenda hapësirës së shtëpisë !? Zemra i shtoi rrahjet. Zbriti nëpër shkallë. Në katin e dytë do të ndeshej me nënë Sofien. Vetëm sa do të përshëndeteshin. Disa shkallë më lartë, nënë Sofia do të rrëshkiste e do të lëndohej pak në njërin gju. Ai do ta ndihmonte të ngrihej  dhe do ta shoqëronte deri në katin e pestë, në apartamentin e saj. Kështu kishte ndodhur.

    Në katin e dytë Iliri takoi nënë Sofinë.           

    - Mirëmëngjes, nënë Sofie!

    - Mirëmëngjes, o bir!

    Në duar mbante bukën dhe një çantë plastike, mbushur me perime.

    - Të të çoj unë lart, - i tha.

    Mori bukën dhe perimet në njërën dorë. Me tjetrën kapi nënë Sofien për krahu.

    - Më rrofsh, o bir! uroi nënë Sofia.

    Disa shkallë më lart, ajo gati u pengua, por u mbajt fort mbas Ilirit .

    - Uf, e përpak rrash !

    Iliri e shoqëroi deri tek dera e apartamentit të saj.

    - Faleminderit ! - e uroi ajo për së treti.

    Funksionoka, mendoi Iliri duke ecur shkallëve tëposhtë. Mori frymë thellë.Korrigjimin e parë të ditës, sapo e bëri. Të sotmen e njihte. Ishte si një letër e shkruar. Mund të fshihte një fjalë, një ngjarje dhe ta rishkruante ndryshe. Veçanërisht mbrëmjen do ta bëj të bukur, tha, pa plumba.

    U drejtua tek hotel Lux. Rrugës u përball me Paskalin, kryetarin e PD së qytetit. Vetëm sa ishin përshëndetur në rastin e parë. Tani ndaloi para tij.

    - Mirëmëngjes! - e përshëndeti Iliri.

    I zgjati dorën

    Paskali ia shtrëngoi përgjysmë.

    - Më fal Ilir, nxitoj. Duhet të shkoj diku.

    Kishte tepri në ngutjen e tij.

    - Doja të të pyesja për orën e mitingut, - i tha Iliri. - Përse është ndryshuar?

    - S'e di, - tha Paskali shpejt e shpejt.

    Hodhi hapin e parë djathtas, që të shkëputej nga Iliri. Pastaj ndali.

    - Ti nga e ke marrë vesh, që orari ka ndryshuar ? - pyeti ai dyshues.

    - Thjesht e di, - tha Iliri. - Do të bëhet në katër mbasdite.

    Paskali e pa ngultas.

    - Orarin e zhvendosi policia, - tha ai. - Mua sapo më njoftuan. Për atje jam nisur. Por ti si e ditke këtë lajm? Informacionet e policisë janë të rezervuara.

    Në vend që të përgjigjej drejtpërdrejt, Iliri i tha:

    - Mos prano të ndërrohet ora. Këmbëngul për këtë. Është me rëndësi.

    Paskali u ndje i nënvlerësuar nga mënyra se si po zhvillohej biseda me Ilirin. Një tjetër të dinte më shumë se ai për partinë që ai drejtonte!? Për më tepër, ta këshillonte se ç'duhej të bënte!? Në njëfarë mënyre edhe ta urdhëronte. Dhe cili?  Një tjetër, që nuk ishte as anëtar i partisë së tij.

    - Policia s'është në dorën tonë, more zotëri, është e qeverisë. Dhe çfarë duhet të bëjmë  e si do t'i bëjmë punët e partisë, nuk kemi nevojë për këshillat e rrugës.

    Hodhi hapin e parë djathtas, u shkëput nga Iliri dhe nxitoi për në Drejtorinë e Policisë.

 

 

 

 

***

  

 Ishte ora tetë, kur Iliri mbërriti në hotel Lux. U fut në bar e u drejtua tek tavolina ku ulej çdo mëngjes. Sajmiri i buzëqeshi që nga banaku. Do t'i sillte kafen ekspres në filxhan çaji, apo do t'i thoshte se Agimi e priste sipër !?

    Agimi e priste në barin privat.

    Iliri ngjiti shkallët. Trokiti në derë dhe e hapi. Agimi e tërhoqi butësisht brenda.

    - Mirëmëngjes! - tha Iliri për të tre.

    - Mirë se erdhe!

    Agimi e drejtoi tek tavolina.

    V.Z dhe AM u çuan në këmbë dhe përshëndetën njëzëri nga ana tjetër e tavolinës:

    - Mirëmëngjesi !

    - Njihu me miqtë e mi, - i tha Agimi dhe e la Ilirin në këmbë, përballë dy djemve.

    Iliri nuk priste që ata të zgjasnin dorën e të prezantoheshin. Lëvizi karrigen e u ul në tavolinën e madhe rrethore, karshi V.Z.

    - Të lutem, një ekspres dopjo, - iu drejtua Agimit.

    Agimit iu duk e pazakontë sjellja e Ilirit. Mendjemadhësia ishte më e pakta që mendonte. Iliri nuk denjoi t'u jepte as dorën. Ah, jo kështu. Ai, Agimi kishte organizuar këtë takim pune, ku më i fituari dilte Iliri. Ndërsa Iliri tregohej kaq mospërfillës.

    Agimi përgatiti ekspresin në filxhan çaji dhe e la para Ilirit. Bëri një përpjekje për të buzëqeshur. Kaloi nga ana tjetër e tavolinës. Diçka i pëshpëriti në vesh VZ. Ky tundi lehtë kokën. Agimi zuri vend në tavolinë midis Ilirit dhe V.Z. Si i zoti i shtëpisë, filloi bisedën i pari.

    - Këtu jemi midis shokësh e miqsh. E ku ka më mirë se sa të bësh një biznes,  me njerëz që njeh e janë të besuar.

    Pastaj iu drejtua Ilirit.

    - Miqtë e mi janë nga Tirana. Do të të thonë vetë kërkesën që kanë.

    - Po i dëgjoj, - tha Iliri.

    V.Z. pa nga A.M. Ky u ngrit në këmbë dhe paraqiti kërkesën që Iliri tashmë e dinte. Të siguronte gjysmë milioni dollarë, për dhjetë ditë. Të gjitha kartmonedhat do të kontrolloheshin me aparat.

    Pasi përfundoi pa nga shokui tij më i madh. V.Z. aprovoi duke tundur kokën.

    - Pranoj , - tha Iliri. Por afati do të jetë më shumë se dhjetë ditë.

    AM vështroi V.Z. Ky i bëri një shenjë.

    - Sa ditë më shumë ? pyeti AM.

    - S'e di, - tha Iliri.

    VZ , që deri në atë moment , tundte kokën dhe bënte shenja me shokun , tha:

    - Nëqoftëse kjo punë nuk ka cak, atëherë është e kotë të bisedojmë me tej.

    Fjalët i shqiptoi ngadalë, me zë të thellë basi, të ngjashëm me atë të Ahmet Golemit.

    Ndërhyri Agimi :

    - Një minutë zotërinj. Nuk mund të themi kaq lehtë "jo".

     U kthye pastaj nga Iliri:

     - Se si më dukesh sot, - i tha, - i mërzitur, i paqetë. Ndonjë problem nga shtëpia?

     Iliri nuk iu përgjigj menjëherë. Të ishte vetëm me Agimin, do të fliste më shpenguar. Në prani të dy të rinjve nga Tirana, fjalët e tij mund të mos besoheshin fare. Mund të lindnin dhe keqkuptime. Sa do të donte, të bisedonte me profesorin më parë. Disa gjëra do të ndryshonin që në krye të ditës.

    Agimi priste përgjigjen e tij. E kishte humbur durimin. Mori një kubik akulli,  e hodhi në gojë dhe filloi ta përtypte me zhurmë.

     - Mund të ketë trazira këto ditë në qytet, - foli Iliri, duke iu drejtuar më tepër Agimit. - Gjithë vendi mund të jetë në kaos. Prandaj nuk vendos dot një afat përfundimtar për grumbullimin e valutës.

    Agimi u ngrit nga vendi dhe shkoi nga ana tjetër e tavolinës. Donte ta kishte Ilirin ballëpërballë. Të ishin vetëm ata të dy në bar, do t'i thoshte "Ç'po na përrallis kështu". Por sërish do ta dëgjonte deri në fund. Iliri nuk fliste asnjëherë me hamendje. Për më tepër, ishte i kursyer në fjalë.

     Agimi vuri dorën mbi supin e V.Z. dhe foli për të tre:

     - Po na thua që do të ketë trazira këto ditë! Gjithë Shqipëria rrokopujë është. Përditë ka krisma armësh. Dëgjojmë për vrasje. Dëgjojmë për vjedhje. Jemi të rrezikuar në çdo orë të ditës dhe të natës. Megjithatë, punën kurrë nuk e kemi lënë. Përpiqemi të jetojmë normalisht. Qyteti ynë është më i qetë se shumë qytete të tjerë, sepse ne punojmë.

    - Do të qëllojnë Azem Hajdarin, - tha Iliri. - Sot në mbrëmje. Pranë selisë së PD, në Tiranë.

    VZ  lëvizi i shqetësuar. Pa nga AM. Ky u ngrit në këmbë. Me njërën dorë largoi fundin e xhuboksit dhe preku revolen e ngjeshur në brezin e pantallonave blu xhins.

     - Nga e di ti? - pyeti Agimi

     - E di , - tha Iliri.

     - Ke ndonjë informacion ? - pyeti Agimi.

     - Po e jetoj për së dyti, ditën e sotme, shoku. E di ç'do të ndodhë nga mëngjesi e deri në mesnatë. Vrasjen e Azemit e mora vesh nga televizioni. E dhanë të gjitha mediat, edhe të huajat.

     Agimi e pa shokun me vëmendje. Nuk dalloi asnjë dridhje të dritës në sytë e tij. Iu duk i lodhur. Një natë pa gjumë, mendoi. Mëngjesi të ishte pjesa e fundit e ditës për atë !?

     - Mbase ke nevojë për pushim, - i tha. - Bisedojmë më vonë për punën tonë.

     - Do të bisedojmë nesër në mëngjes, - tha Iliri. - Do të pres profesorin, në orën njëmbëdhjetë  në barin poshtë. Ai ka marrë xhipin tënd dhe ka ikur në Roskovec. Ai mund të të shpjegojë se ç'po ndodh me mua. Do të bisedojmë dhe për ngjarjen e mbrëmjes në Tiranë e si mund ta shmangim atë.

     - Ashtu!?

     Agimi kujtoi porosinë e profesorit  për Ilirin.

     - Ti nga e dije se profesori kërkon të të takojë në orën njëmbëdhjetë?

     - Do të ma thoshje ti, kur të dilja prej këtu. Por unë, tashmë, e di. Për mua, e sotmja është si një film, që e kam parë njëherë.

     V.Z. i pëshpëriti diçka në vesh Agimit. U ngritën të dy nga tavolina dhe shkuan deri tek banaku.

     - Është e pabesueshme, çka po dëgjoj nga shoku yt, - tha V.Z.

     - Është e rrallë, por jo e pangjarë , - ia ktheu Agimi.

     - Kjo do të thotë që ti u beson fjalëve të tij, apo jo?

     - Po. Ne jemi një grup shokësh, që e njohim mirë njëri tjetrin. Jemi më shumë se miq. Iliri është më i riu prej nesh. Profesori thotë se për këtë arsye ai është i përkëdheluri i grupit. Për Ilirin  ky status nënkupton më shumë cilësi. Unë e besoj atë.

     - Mund të ketë gisht profesori, në këtë rast? pyeti V.Z.

     Agimi nënqeshi. V.Z. e mori gjestin e tij si aprovim.

     V.Z. e kishte takuar Kristanin vetëm një herë, para gjashtë muajsh. Po drekonte me XX dhe Agimin në një lokal në Poro. Me ta ishte edhe Kristani. Agimi e prezantoi V.Z. me profesorin. Gjatë bisedës, V.Z. dëgjoi nga profesori ,gjëra të padëgjuara më parë. Duke iu referuar Biblës, profesori tha se njeriu është modeluar të rrojë jo më pak se pesëqind vjet. Diçka është prishur në orën tonë biollogjike, shpjegoi profesori. Përderisa është prishur, edhe mund të ndreqet. Kur V.Z. e pyeti, se si mund të bëhet kjo gjë, profesori i tha thjeshtë se duhet vajisur ingranazhi i orës së jetës. Folën pastaj për kohën dhe hapësirën, si dy elementë brenda të cilave ka kuptim jeta e çdo njeriu. Profesori tregoi se perënditë, në të cilët besonin stërgjyshërit tanë, s'ishin tjetër veçse njerëz inteligjentë, të cilët njihnin mekanizmin e kalimit në kohën e shkuar dhe të ardhme. Ata flisnin për të ardhmen me saktësi, sepse e njihnin mirë atë. Ndaj udhëzonin popujt e tyre si të silleshin ditë pas dite e vit mbas viti. Të tillë njerëz,  mund të ketë edhe sot, përtej shkencës dhe magjisë. Po ju profesor, pyeti V.Z. Unë jam më afër shkencës. Unë eksperimentoj, kishte përfunduar Kristani.  

    Të ishte eksperiment i profesorit rasti i Ilirit, dyshoi V.Z.

    V.Z. u ul në vendin e tij, në tavolinën e madhe. Priti që Agimi t'i ulej pranë.

    - Po mirë, - iu drejtua Ilirit. Pranoj, që takimin tonë të punës ta shtyjmë për nesër.

    Iliri e vështroi me mëdyshje. Kishte ardhur koha për t'u larguar. Nuk kishte ç'të bisedonte më me tiranasit.

    - Ju uluni, zoti Ilir, - tha V.Z. - Unë besoj në ato që thoni. Më duket interesante përvoja që ju po kaloni, por jam po kaq i shqetësuar për fatin e Azemit. Na thuaj diçka më tepër.

    Iliri u ul.

    - Azemi u qëllua pranë selisë së PD-së, rreth orës tetë të mbrëmjes. Për fat të mirë, unë e di tashmë këtë. Është detyra jonë, veçanërisht e imja, ta shmangim atentatin.

    Iliri piu pak ujë

    - Do të bëja të njëjtën gjë, për të shpëtuar një jetë tjetër, të një njeriu fare të panjohur në një kënd të botës. Por për Azemin, do të bëja më tepër se për këdo tjetër. Është njeriu që vrau frikën time. Është njeriu, nga fjalët e të cilit kuptova thelbin e të jetuarit, lirinë.

    V.Z. tundi kokën si të pohonte fjalët e Ilirit. Por sytë e tij të bardhë, ishin të ftohtë.

    - Azemin e njoh mirë, - tha ai. Ja, i hipi bencit e për dy orë jam në Tiranë. I them Azemit fjalët e tua. Por a do të më besojë ai ?! Këshillat, kujdes këtu, mos ik atje, mos dil i vetëm, janë të përditshme për të. Ti duhet të më japësh më shumë informacion, për këtë rast. Besoj se më kupton ?

      - Shefi e ka shok të ngushtë Azemin, - u hodh dhe tha A.M. Kanë qenë bashkë në grevën e urisë së studentëve.

      V.Z. mbylli pak sytë.

    - Isha nga të parët në grevën e urisë tregoi V.Z. Në fillim, thjesht për një bast, një darkë tek pesëmbëdhjetë katëshi. Kisha shëndetin e një kali gare, dhe u thashë shokëve se do të dorëzohesha i fundit. Më pas e ndjeva se s'ishte thjesht bast e as solidaritet shokësh. Thellë, në secilin prej nesh, flakëronte dëshira për liri dhe Shqipëri europiane.

    Azemin e kishim të parin tonë. Ishte një idealist i madh. Ishte më i bukuri prej nesh. Nga paraqitja, po se po, por më shumë nga fisnikëria dhe fjala e bardhë, domethënë fjala e paqes. I tillë ka mbetur edhe tani, idealist dhe i paqtë. Pamvarësisht se ne nuk u bëmë dot qytetarë të Europës. Ne nuk jemi ende as qytetarë të vendit tonë. Jemi ca civilë të mjerë, pa damkë dhe identitet, sepse nuk kemi shtetarë të zotë.

    V.Z., ndërsa fliste, dukej se ëndërronte. Sytë e akullt i ishin zbutur e ujëzuar. Ngjyra e tyre e bardhë, ishte shndërruar në blu. Fytyra i ishte ngjyrosur rozë. Pikat e djersës i vesuan deri në mjekër. Mori një kartëpecetë dhe e shkoi lehtë në fytyrë. Disa sekonda më vonë, u bë përsëri i ftohtë.

     AM u ngrit menjëherë në këmbë dhe i afroi shokut një gotë me ujë. VZ e piu menjëherë

    Iu drejtua Ilirit.

     - Shefi kërkon më shumë informacion për atentatin që do t'i bëhet Azemit. Pastaj futemi në aksion ne.

     - Televizioni dha vetëm njoftimin. Më shumë me titra e fjalë, se sa me pamje. Ky është i gjithë informacioni  që unë kam.

    - Ndonjë hollësi e veçantë ? këmbënguli AM.

    - S'më kujtohet asgjë e tillë. Isha i tronditur.

    Iliri pa Agimin. Ky  nuk po fliste prej minutash të tëra. Kishte mbështetur mjekrën pak anash, mbi njërën dorë dhe dëgjonte, ndërsa të tjerët flisnin. Vendosi duart në tavolinë e shpiu këmbët e u bë më i vëmendshëm, kur dëgjoi AM, t'i thoshte Ilirit se do të hynin në aksion. I la bashkëbiseduesit të mbaronin fjalët e nisura dhe tha :

     - Do të presim profesorin. Do të bisedojmë e pastaj do të vendosim se ç'duhet të bëjmë.

    - Unë mendova të niseshim për Tiranë, të takonim Azemin, - tha V.Z. Të vinte edhe Iliri me ne.

    - Jo! tha prerë Agimi. Do të presim profesorin.

    - Azemi do të jetë këtu, në miting, - tha Iliri.

    - E sigurtë kjo? pyeti V.Z.

    Dhe pa pritur që Iliri të fliste , shtoi :

    - Është e sigurtë, përderisa e thua ti.

     Agimi i ra lehtë shpatullave:

     - Kështu po, - tha.

     Pastaj iu drejtua Ilirit:

     - Në takimin tonë, që ti e ke jetuar njëherë, çfarë vendosëm për grumbullimin e valutës ?

    Ishte një mënyrë për të ndryshuar disi fillin e bisedës, një lloj pushimi pa ankth.

    Iliri i tha V.Z.

    - Ofertën tuaj unë e pranova që në krye të herës. Dhe afatin prej dhjetë ditësh. Mbas kësaj, ju më afruat njëmijë dollarë si dhuratë. Një pliko me kartmonedha dhjetë dollarëshe. Plikon e keni në xhepin e djathtë të xhaketës.

    V.Z. futi dorën në xhep. Nxori plikon me dollarë dhe e la në tavolinë, para Ilirit.

    - E taksura nuk kthehet, - tha, - sido që të jetë marrëveshja jonë.

    Iliri preku me gishtin e madh, të njërës dorë, kartëmonedhën e parë. E veçoi nga grumbulli dhe e mbajti në dorë. Plikon e shtyu në drejtim të V.Z.

    - Vetëm kjo kartëmonedhë është origjinale, - tha Iliri. Nëntëdhjetë e nëntë të tjerat janë fallco. U mungojnë disa elementë sigurie.

    V.Z. mbeti vërtet i habitur.

    - Qenke i zoti , - tha.

    - Ky është profesioni im zotëri, - ia ktheu Iliri. Aparati edhe mund të gabojë. Gishtërinjtë e mi kurrë.

    - Unë i besoj plotësisht këtij zotërie, - iu drejtua V.Z. dy të tjerëve, ende i suprizuar nga fjalët e Ilirit.

    Pastaj i tha Ilirit:

    - Kjo ditë do të jetë e gjatë për ne. Do të takohemi përsëri e do të flasim përsëri. Ne e dimë emrin tuaj, nga Agimi. Ndërsa ju, nuk e kërkuat prezantimin tonë. Apo jemi njohur në takimin e mëparshëm, pra në të sotmen, që ti e ke jetuar njëherë?!

    Iliri u mendua disa sekonda. Donte të shmangte ngatërresën me inicialet V.Z. I zgjodhi fjalët me kujdes.

    - Kur hyra këtu, u ula drejt e në tavolinë, sepse e dija që ju nuk do të përmendnit emrat tuaj. Nuk e bëtë në takimin e parë. S'do ta bënit as sot. As Agimi nuk do ta bënte. Agimi ju ka treguar, se të gjithë klientëve, me të cilët unë punoj, i njoh ose jo, u drejtohem me iniciale. Është pjesë e sekretit tim profesional. Edhe ju s'bëni përjashtim. Për mua, ju jeni zotëria V, pikë, Z , pikë. Rastësisht, këto iniciale koinçidojnë me gërmat e para të emrit dhe mbiemrit tuaj, që unë nuk e di se cili është.

     - Ah, - i shpëtoi VZ-së. -V dhe Z janë me të vërtetë shkronjat e para të emrit dhe mbiemrit tim.

     - Kjo qenka me të vërtetë shumë e çuditshme! tha AM.

     Pastaj iu drejtua Ilirit:

     - Ju e njihni shefin?

     Ngriti fundin e xhuboksit, por e uli përsëri. Kryqëzoi duart mbi kraharor.

     - Jo, emrin e shefit tuaj nuk e di. As tëndin.

    - Jo, nuk jemi njohur më parë, - tha V.Z. - Për këtë jam i sigurt. Atëhere cili është kuptimi i këtyre inicialeve?

    - V dhe Z janë gërmat e para të një dukurie astronomike. Tregojnë një shumicë yjesh, mbase miliona, që përthithen nga një vorbull e përfundojnë mbase në një univers tjetër.

    - Aha, e kuptova, - tha V.Z. Ky fenomen quhet Vrima e Zezë.

    Mblodhi buzët.

    - Janë miliona yje që tërheqin njëri-tjetrin, - tha Iliri shpejt e shpejt.

    V.Z. u mendua një çast, në duhej ta pranonte këtë krahasim, gërmat e para të të cilit përputheshin me ato të emrit të tij.

    - Më pëlqen ky term, - tha më në fund. - V pikë Z pikë. Nuk është rastësi që emri im ngjason me një fenomen astronomik. Si thua ti shoku?

    - Shumë i bukur shef! tha AM. Një grumbull yjesh që shkëlqejnë.

    - Pse zgjodhe pikërisht këtë term, për identitetin tim? - iu drejtua V.Z. Ilirit.

    - Bëra një përngjasim të kësaj dukurie me mbledhjen e valutës në treg, për llogarinë tuaj. Gjysmë milioni dollarë, për pak ditë, është me të vërtetë një përthithje yjore.

    - Qenke i zoti ! tha V.Z. - Po shokun tim si do ta thërrisje?

    - E kam quajtur A. pikë, M. pikë.

    - Që do të thotë?

    - Antimeridian, në anglisht, ose paradite në shqip. Njohja jonë është në mëngjes, ndaj këto iniciale m'u dukën të përshtatëshme.

    V.Z. iu drejtua shokut :

    - A.M. Paradite. Bukur, apo jo? Kështu do të të thërrasë edhe unë ndonjëherë.

    - Si urdhëron, shef ! - iu përgjigj AM

    - Do të takohemi prapë. Mirupafshim ! tha V.Z.

    Agimi e përcolli Ilirin deri jashtë hotelit.

    - Më duken si në ëndërr, ato që biseduam në bar.

    - Unë jam në erë fare, - tha Iliri. Më bëhet sikur një njeri tjetër, që jam unë, përsërit veprimet dhe fjalët e mia, të një dite më parë. Edhe emri im është ndarë më dysh, il dhe ir. A ka kuptim kjo ?

     - Il dhe ir. Nuk e di.

     - Mua më ka zënë frika. Sa të vijë profesori  e të sqarojë eksperiencën që po kaloj. Të shmangim edhe ngjarjen e mbrëmjes në Tiranë. Atëhere po, do të jem më i qetë.

     - Gjithçka do të vejë mbarë! - tha Agimi. Megjthatë,  bëj kujdes!

     - Kujdes për çfarë?

     - Për ndonjë fjalë më tepër. Thashethemet përhapen shpejt.

     - Do ta kem parasysh, miku im. Mirupafshim!

     Agimi e mbajti një copë herë në krah.

    - Mirëardhsh! i tha.

    U ndanë. Agimi e ndoqi me sy derisa Iliri humbi në trotuarin shëtitore, që të nxirrte në qendër të qytetit. U kthye në hotel. Diku, prapa kokës, e gërrici një cimbisje e mprehtë. Aventura e marrosur e kthimit në kohë, iu duk se po e kaplonte dhe atë. Iu shfaqën vizione figurash e fjalësh, të përsëritura. Dreqin, shau me vehte. Instiktivisht, lëvizi dorën para syve, si të përzinte pamje të jetuara më parë. U ndje më mirë.

 

 

 

 

 

                                                    *          *          *

 

    Riksi doli nga floktorja e burrave "Apollon" i lumturuar. Ajo hapësirë, rreth dyzetë metra katrotë, ishte parajsa në dyzetë minuta. Përbëhej nga dy pjesë, salloni dhe dhoma, të ndara me një perde luksi të errët. Magjia krijohej në dhomë. Një kolltuk me mbështetëse të lëvizshme, përballë një pasqyre sa faqja e murit. Pranë shërbenin dy të reja, një vajzë dhe një nuse. Vajza ishte pronarja e lokalit. Mbasi i qethën pak flokë dhe i lanë kokën e fytyrën me ujë të vakët, e fshinë me dy peshqirë të butë. Paskëtaj, vajza u largua nga dhoma. Nusja uli mbështetësen e kolltukut pothuajse horizontalisht dhe u përkul mbi të duke buzëqeshur. Me mollëzat e gishtave, të buta si copëza simite, ajo filloi t'i bënte masazh lëkurës së kokës, ballit, mollëzave të fytyrës, gushës dhe qafës. I hoqi përgjysmë këmishën dhe duart e saj i lëvizën nëpër shpatulla e deri në gjoks. Me delikatesë, ngriti kanotierën, vendosi pëllëmbët mbi shpinë dhe për disa minuta duart e saj u bënë pjesë e trupit të tij. E fshiu përsëri me peshqir të lagur, pastaj me peshqir të thatë dhe e ndihmoi të mbërthente këmishën. U zgjat pak mbi majat e këmbëve dhe i rrethoi kollaren në qafë. Për të qindtat e sekondës, buzët e saj cikën buzët e tij. Ai u drithërua.

    - Me shëndet! ia bëri ajo.

    Kaq ishte. Magjia u përmbush.

    Riksi nxori nga xhepi i pantallonave dhjetë dollarë dhe ia la në dorë.

    - Faleminderit! tha nusja.

    Dolën të dy në sallon. Vajza mori xhaketën nga kremastari dhe ia veshi. Preu faturën, shtatëqindtë lekë. Riksi la mbi tavolinë dy kartëmonedha njëmijëlekëshe.

    - Faleminderit! i tha vajza dhe e puthi lehtë në faqe.

    Nusja u ngrit mbi majat e këmbëve dhe e puthi në faqen tjetër, diku pranë veshit.

    Riksit i sëmboi zemra nga përkëdhelitë e tyre.

    I meritoj këto përkujdesje, i tha vetes dhe numëroi: Një, jam klient i rregullt. Dy, pagesën e bëj disa herë më të lartë se detyrimi. Tre . . .

    U pa në pasqyrë. I pëlqeu shëmbëllimi i vet. Kostumi me ngjyrë kafe të çelur, me vija të zeza vertikale, e tregonte më të gjatë e të hollë se ç'ishte në të vërtetë. Iu duk vetja dhjetë vjeç më i ri. Përshëndeti dhe doli nga floktorja. Vajza e përcolli deri jashtë derës.

    - Mirëardhsh zotëri! uroi ajo.

    Riksi, realisht, ndjehej më i ri. E çfarë nëse i kam kaluar të pesëdhjetat, mendoi. E çfarë nëse lëndon pak këmba e majtë!? Unë jam përsëri aktiv. Kam më tepër ngasje, se shumë moshatarë të mi.

    Mori rrugën në këmbë për në hotel Lux. Një benc, ngjyrë blu ecte ngadalë në rrugë dhe lajmëronte me altoparlant ndryshimin e orës së mitingut të PD.

     Riksi nënqeshi me ironi, me një turmë imagjinare militantësh partie. Të ulur në baret e shumta të qytetit, me nga një filxhan kafe përparë, ata supozonin dhjetëra arsye përse liderat e partisë kishin shtyrë kohën e mitingut. Të tjerë militantë, kundërshtonin supozimet e para dhe ngrinin hipoteza të rej, të cilat, mbas disa minutash, hidheshin poshtë. Kundërshtitë e tyre do të vazhdonin edhe gjatë kohës së mitingut, por edhe mbas tij, sepse ata nuk dota mësonin kurrë të vërtetën. Riksit sepse i erdhi keq për ta. Përfytyroi t'u tregonte të vërtetën. Orën e mitingut e shtyta unë, deklaroi para tyre. E bëra këtë ndryshim, që policët të merreshin gjithë ditën me mitingun dhe ne të bënim me nge kontrabandën e cigareve. Por pa keqdashje, më besoni. Nuk ka asnjë prapavijë politike.

    Militantët do ta shihnin me dyshim. Pastaj do të talleshin me të. Do ta quanin të çmendur e do ta përzinin me gurë.

    Po të ndodhte kështu, vërtet s'do të më besonin, pranoi Riksi. Por edhe unë, asnjëherë nuk do t'u tregoja të vërtetën.

    Riksi e vendoste figurën e tij një shkallë sipër tyre, pikërisht sepse nuk ishte anëtar i asnjë partie. Kjo s'do të thoshte se ishte fare apolitik. Ai ishte me të gjitha partitë. Prej kohësh kishte mësuar se me para mund të lëvizte fijet e politikës dhe shtetit. Që të bënte më shumë para, shpesh herë duhet të luante me ata që ishin në pushtet dhe me ata që do të vinin në pushtet. Provat me para, ashtu si reaksionet kimike me katalizatorë, realizoheshin lehtësisht.

    Riksi hyri në barin e hotelit gati triumfator. Agimi, V.Z. dhe AM, kishin zënë vend në një tavolinë, pranë faqes së qelqtë, larg banakut. Një rreze dielli përthyhej në xham dhe shpërndahej në tavolinë, me disa katrorë, me ngjyra të ndryshme. Një fillim ylberi, e cilësoi Riksi. Magjia e ditës, e krijuar në floktore, po e shoqëronte kudo, ku hidhte hapin.

    Riksi u shtrëngoi fort duart shokëve dhe u rehatua në karrigen me shilte. Shkëlqente i tëri.

    Agimi i bëri një shenjë kamarierit. Sajmiri u afrua në çast.

    - Një xhon të zi, një ekspres dhe akull, - porositi Riksi.

    - Sill dhe dy ujë pa gaz, - shtoi Agimi.

    Kur kamarieri u largua, Riksi i tha V.Z.

    - Punët po ecin, siç i planifikuam dje mbrëma. Mitingu u shty për në orën katër. Punëtorët i zgjodha një për një, me dorën time. Edhe koha s'duket e keqe.

    - Do ta anullojmë, -  tha V.Z. 

    - Çfarë?

    Të ishin shaka ato fjalë!? Riksi numëroi me mend deri në pesë. Ja, shokët do të shpërthenin në kukurizma. Riksi do të bënte të hutuarin, pastaj do të qeshte edhe ai. Por asgjë e këtillë nuk ndodhi. Asnjë grimcadë buzëqeshjeje nuk u shfaq në futyrat e tre të tjerëve. Riksi pa shokët në sy. Agimi dhe AM ulën kokat. VZ hodhi vështrimin tej, në sallë. Riksi u ndje i vetëm. E kishin braktisur. Magjia e ditës u thye në dhjetëra copëza. Mijëra dollarë të shkuara dëm.

    - Do të flasë ndonjëri nga ju e të më thotë çfarë ka ndodhur? Kam një muaj që e kam planifikuar punën e sotme e kur gjithçka është gati, ju thoni t'i vëmë shkelmin. A i merrni me mend cilat do të jenë pasojat?

    Riksi u bë gati t'i numëronte një për një pasojat. Humbjet në para, prishja e marrdhënieve me të tjerët, humbja e besueshmërisë . . . Por do të priste dhe pak. Shpresonte ende që të ishte një lojë. Do të dëgjonte të qeshurat e tyre. Ishte në kufijtë ekstremë të pritjes.

     V.Z. vendosi dorën mbi supin e Riksit.

     - Do të qëllojnë mbi Azem Hajdarin, sot . Ndaj vendosa të aullojmë gjithçka. Të fitosh para, në një kohë që një miku yt do të vritet, është, s'di si të them, jo njerëzore. Për më tepër që ndihma jonë atij i shpëton jetën.

    Riksi pa shokët me rradhë.

    -Nuk po ju kuptoj. - tha. 

    Më ndihmoni, dukej se fliste pamja e tij.

    - Ishte Iliri këtu para teje, - tha Agimi. Ai po e jeton ditën e sotme për së dyti. Si dhe pse nuk ta shpjegoj dot. Ai na tregoi për atentatin ndaj Azemit. Për atë, dita e sotme është njësoj si një film, që ai e ka parë njëherë. Është kthyer në kohë njëzetë e katër orë pas. Më kupton tani?

    Riksi ndenji pak sekonda në heshtje.

    - Më thoni që nuk po fliste seriozisht. Më thoni që është thjesht shaka. Po më bëni me zemër, dëgjuat?

    - Jo, unë po flas shumë seriozisht, - tha Agimi.

    Riksi ktheu kokën nga V.Z.

    - Është e vërtetë, - tha V.Z. Unë i besova atij shokut tuaj, Ilirit. Përfytyro një çast, sikur ai të na tregonte një ëndërr, ose të na fliste për një parandjenjë të keqe. Unë prapë do t'i merrja në konsideratë fjalët e tij. Ndërkohë po gjykoj për ato që ai tregoi. Dhe po bindem se pa dashjen tonë, jemi dhe ne shkaktarë të atentatit ndaj Azemit. Ndjehem në faj.

    Nuk kishte fjalë më të pakuptimtë se ajo që shqiptoi V.Z.

    - Për çfarë e ke fjalën? pyeti Riksi.

    - Azemi do të jetë sot në miting, - tha V.Z. - Këtë e kemi të konfirmuar nga Iliri. Mirëpo ne e deformuam ditën e sotme, miqtë e mi. Ndryshuam rrjedhën e ngjarjeve të qytetit. Paguam, për interesin tonë, që mitingu i PD të zhvillohej disa orë më vonë. Azemi erdhi në mitingun që u zhvillua në orën katër. Paskëtaj  iku në Tiranë. U kthye në selinë e PD. Ndërkohë po binte nata. Pak kohë më vonë, Azemi doli nga selia e do të largohej, mbase për në shtëpi. Vrasësit, të fshehur nga errësira, i kishin zënë pritë dhe e qëlluan. Kështu ngjau. Tani, imagjinoni se si do të rridhnin ngjarjet, sikur të mos kishim ndërhyrë në të sotmen. Mitingu do të ishte zhvilluar në orën dymbëdhjetë. Paskëtaj, do të kthehej në Tiranë, do të qëndronte pak në selinë e PD e do të shkonte në shtëpi. Në këtë rast vrasësit nuk do t'i zinin pritë pranë selisë, sepse do të binin në sy.  

    - Por mund t'i zinin pritë, diku tjetër, - kundërshtoi Riksi.

    - Vend tjetër, orë tjetër, apo ditë tjetër, do të ishte një ngjarje tjetër, - tha V.Z.

    - Një flutur rreh krahët në qytetin tonë dhe në Tiranë shkaktohet një furtunë e madhe, - tha Agimi.

    - Tamam kështu ka ndodhur, siç e shpjegoi shefi, tha AM.

    Riksi përfundimisht u shlumturua. Fytyra i ishte bërë e zbehtë. Bebja e syrit ishte zmadhuar dyfish. Trupi i ishte lëshuar në karrige i paformë dhe kishte rritur përmasat. Zbërtheu kopsën e fundit të këmishës, e liroi nyjen e kollares. Mezi u mbush me frymë. Piu një gllënjkë uiski

    - Ju po thoni që ne qenkemi pjesëmarrës në këtë atentat?

    Agimi i ra lehtë, me gishta, në dorë.

    - Askush s'e tha këtë fjalë shoku.

    V.Z. u tregua i pamëshirshëm me veten :

    - Pa dëshirën tonë, ne kemi ndihmuar vrasësit. Kjo është ndërgjegjia ime tani.

    - Unë nuk ndjehem aspak në faj. Unë po merresha me punën time, me biznesin tim, - tha Riksi. - Megjithëse, po ta mendosh hollë-hollë, ngjarjet mund të kishin rrjedhur ndryshe. Tanimë, që dimë se çfarë do të ndodhë, diçka mund të korrigjojmë.

    - Po, diçka mund të rregullojmë , - pranoi V.Z.

    - Ora e mitingut nuk ndryshon më, - tha Riksi. - Do të zhvillohet në orën katër mbasdite. Kur erdha për këtu, po e përhapnin lajmin me qëndër zëri. Po zëvendësonin afishet.

    - Këtë e dimë nga AVN, - tha V.Z.

    - Ç'do të bëjmë atëhere?

    - Do të takojmë Azemin kur të vijë në qytet, - tha V.Z. - Do të pijmë një kafe me të e do të bisedojmë gjatë e gjerë.

    - Kur të vijë profesori, e vendosim këtë punë. - tha Agimi - Azemin ai e ka më shumë se mik. Mbase i mbush mendjen të rrijë në qytetin tonë sot.

    - Këtu në hotel ? - pyeti Riksi.

    - Po. Këtu është super i mbrojtur.

    - Ende jam i turbullt, nga çfarë po dëgjoj e çfarë po them. Do të flas dhe vetë me Ilirin. Tani më duhet të shkoj se kam shumë punë. Duhet të anulloj gjithçka.

    - Shtyje për një afat të pacaktuar këtë punë, - thaV.Z.

     - Ç' të shtyj, - shfryu Riksi. - Lipsur qoftë! Po të ndodh ajo gjëja e tmerrshme në Tiranë.. .Pse të përfshihesha unë në këtë rast? Dhe pse pikërisht me Azemin? Ai flet për ideale, ndërsa ne mendojmë si të grumbullojmë pasuri. Ai na fton për qytetari, ne bëjmë kontrabandë. Jo, kjo nuk është e drejtë.

    Riksi u trishtua. Një mjegull loti i veshi syrin e majtë. E fshiu me gisht.

    - Ej shoku, mos bëj kështu, - i tha Agimi. - Kontrabandë gjithandej bëhet. Paratë, që do të zhvasnin doganierët, ti do t'ua jepje fukarenjve. Sevap do të bëje.

    - E ke të lehtë të flasësh kështu, se isha unë iniciatori i kontrabandës. Edhe ideja e korruptimit, për shtyrjen e orës së mitingut, e imja ishte. Unë jam fillimi i kësaj gjëme, ndërsa  ti më thua të jem i qetë. Jo, nuk do të jem aspak i qetë, derisa kjo ditë të përfundojë mirë.

    Riksi i dha fund gotës me uiski. I hodhi një sy orës së madhe në murin përballë. Ora po shkonte nëntë e gjysmë. Pastaj do të bëhej dhjetë, njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë. Të më ndodhte mua rasti i Ilirit, mendoi Riksi. Që në mëngjes do të përballej me personat që kishte paguar, për të ndryshuar orën e mitingut. Do t'ju paguaj dyfish, do t'u thoshte, që mitingu të mbahet në orën e paracaktuar, në dymbëdhjetë. Paskëtaj, e sotmja nuk do të deformohej më dhe atentati ndaj Azemit nuk do të ndodhte. Ai, i ndihmuar me valutë nga V.Z., do të priste natën të bënte kontrabandën e cigareve. Punëtorët do t'i paguante me dyfishin e shpërblimit të premtuar. Magjia, që kishte filluar në sallonin "Apollon", do të zgjaste gjithë ditën dhe natën  e do të bëhej e plotë mëngjesin e nesërm, kur ai të llogariste fitimin në miliona lekë. Eh, s'më ndodhi mua rasti i Ilirit, pranoi me dëshpërim.

    Riksi  u nda me shokët, me një mirupafshim të thjeshtë. Do të takohej përsëri me ta. U nis në drejtim të UK bar. Edhe ky Flamuri! S'i gjeti një emër shqip lokalit, mendoi. Më pati premtuar. Të paktën ta shqipëronte emrin. Mbretëria e Bashkuar, MB bar, do të ishte më i pranueshëm.

 

 

 

 

*  *  *

 

    Kur Iliri mbërriti në UK bar, ora shënonte dhjetë e pesë. U drejtua te kthina ku rrinte zakonisht.

    Riksi kishte ardhur përpara tij. Ishte ulur në tavolinë, përballë Flamurit. Në dorë mbante gotën, të mbushur përgjysmë me Bllejk Xhonin e tij të preferuar.        Disa kube të vegjël akulli reflektonin dritë të kuqe, si të ishin rubinë të vërtetë.   Riksi ndonjëherë thoshte : "Uiski , në vetvete është pije e zakonshme. Copëzat e akullit e bëjnë aristokrate".

    Iliri i përshëndeti e u ul në kolltukun pranë Flamurit, përkundrejt Riksit. U përpoq të ishte i qetë. Ende nuk kishte vendosur, në duhej t'u fliste shokëve për eksperiencën që po kalonte. Riksit do t'i tregonte diçka, kur të dilnin nga bari, ndërsa Flamurit, kurrsesi jo. Parandjenjat e këqia, që në krye të ditës dhe shqetësimi për të birin, ishin shumë tashmë për të.

    - U vonova pak, - iu drejtua Iliri  Riksit.

    Priste një "je tamam në kohë" ose "s'ka problem shoku", por Riksi s'tha asnjërën prej tyre. Papritur u ngrit në këmbë dhe e mori Ilirin për qafe. E mbajti një copë herë të shtrënguar mbas vetes. Pas tij, edhe Flamuri e përqafoi gati me ngashërim.

    - Ç'është ky përqafim prej vuvi? vërejti Iliri.

    Në vend të përgjigjes Flamuri e pyeti:

    - Të të sjell një Martini?

    Gota e tij e pijes ishte bosh.

    - Jo, vetëm një ekspres të zakonshëm.

    - Do të sjellësh një xhon të zi për Ilirin e një për mua! Për vete, merr një Martini! urdhëroi Riksi.

    Iliri pranoi në heshtje.

    Flamuri iu drejtua banakut për të kryer porosinë.

    - Ç'farë ka ngjarë, që jeni kaq të përdëlluar me mua? - pyeti Iliri.

    - Do të flasim kur të jetë këtu Flamuri, - tha Riksi.

    Iliri mori pakon e dollarëve dhe ia dha Riksit.

    - Porosia jote, njëqindmijë dollarë, - i tha.- Janë tetë pliko me kartëmonedha njëqind dollarëshe. Katër pliko janë me kartëmonedha pesëdhjetë dollarëshe.

    Riksi e kapi pakon e mbështjellë me gazetë e plasmas dhe e vendosi me indiferencë në njërën anë të kolltukut.

    - S'po i numëron plikot? tha Iliri.

    - Në rregull janë, përderisa i mora nga dora jote.

     Flamuri nuk u vonua. Vendosi gotat me pije mbi tavolinë dhe u ul. Toki gotën e tij me dy të tjerët. Piu përgjysmë. Me një ehee të zgjatur, shprehu pikëllimin e thellë. Pa Riksin e i tundi kokën, si t'i thoshte "fillo".

    - Isha tek Luksi, para se të vija këtu, - tha Riksi. - Ashtu kisha planifikuar një punë sot mbasdite, me dy miqtë e mi nga Tirana, që janë dhe miqtë e Agimit dhe që ti i takove. Ata më treguan për bisedën tuaj. Ishin të detyruar ta bënin, sepse anulluam punën e mbasdites, që të jemi së bashku e të shmangim atentatin ndaj Azemit. Erdha këtu e fola me Flamurin. Të dy jemi të çuditur, se si disa raste fare pa lidhje me njëri-tjetrin, përputhen në një ngjarje të vetme. Por duam të dëgjojmë atentatin nga goja jote shoku. 

    Iliri u bë mavi. Ja, filluan dyshimet e para, mendoi. Por ishte normale. Kështu do të ndjente edhe ai për një rast të tillë, për një person tjetër.

    - Po e jetoj për së dyti ditën e sotme , miqtë e mi, - filloi të tregonte Iliri. - E sotmja, që për ju sapo ka nisur, unë i shkova njëherë deri në fund. Për mua filloi me një befasi magjike. Më afruan një ofertë, për të siguruar një shumë të madhe në valutë. Isha i gëzuar. Për më tepër që mbrëmjen do ta kaloja me Aleancën. Do të caktonim edhe ditën e martesës. Para dhe dashuri. Një ditë për t'u mbajtur mend, apo jo!?

    Në orën dhjetë u takova me ju, si tani. Më pas takova profesorin në hotel Luks. Mbas dreke, bashkë me Flamurin, shkuam në mitingun e PD. Në tribunë ishte edhe Azemi. Foli shkurt. Ai e mbylli mitingun. Në mbrëmje darkova me Aleancën, në një nga tavernat anës lumit. Ndjehesha i lumtur. Pikërisht atje, mësova për atentatin ndaj Azemit. Në fillim e pashë nga AVN, pastaj nga TVSH. Në qytet u dëgjuan të shtëna me armë. E përcolla Aleancën deri në shtëpinë e saj e u ktheva në apartamentin tim. Gjithë stacionet televizive, edhe ato të huajat, jepnin lajmin e vrasjes së Azemit. Nuk e di si më ka zënë gjumi e sa kohë kam fjetur. Sot në mëngjes u zgjova përsëri më dymbëdhjetë shtator. Mezi munda ta pranoj këtë realitet, që e jetova një herë. Fillimisht u frikësova. Por tani e kam mbledhur veten. Kemi në dorë të shmangim një atentat, të shpëtojmë jetën e një njeriu. Dhe kur bëhet fjala për Azem Hajdarin, motivimi dhe kënaqësia është më e madhe.

    Iliri heshti pak. Pa shokët në sy.

    - Ti Flamur, gjatë gjithë ditës, parashihje një zezomë. Që në mëngjes, ishe i shqetësuar për ndryshimin e orës së mitingut, dallove shenja jo të mira përreth figurës së Azemit. Mbasi mbaroi mitingu, unë dhe ti u përpoqëm të kontaktonim Azemin, por ishte shumë e vështirë. Nuk ia dolëm dot. Ti, Riksi që e admiron veçanërisht Azemin, kishe dëshirë ta ftoje për një kafe. Por mbasdite kishe planifikuar një punë, që do të të sillte para të paparë. Dhe e shtyve këtë mundësi,  për një kohë tjetër. Vetëm profesori dhe Dritani ishin me Azemin, gjatë kohës që ai qëndroi në qytet. Ata do të jenë përsëri me të. Profesorit do t'i tregojmë çfarë ka ndodhur. Besoj se mbrëmja s'do të jetë e zezë.

    Iliri u mbështet në kolltuk. Piu pak uiski me akull.

    Flamuri ndezi një cigare. I zgjati një Ilirit, por ai s'e pranoi. Ia dha cigaren Riksit dhe ia ndezi me çakmak. Riksi e thithi dy-tre herë fort. Tymin e nxori ngadalë, me një fërshëllimë të lehtë.

    - Pse pikërisht ti ? iu drejtua Ilirit.

    Iliri u ep në drejtim të Riksit.

    - Pse pikërisht unë!?

    Mendja iu turbullua nga një mjegull e ndritëshme. Kësaj pyetjeje, në dukje të thjeshtë, e kishte të vështirë t'i jepte një përgjigje.

    - S'e di ! - tha. - As më ka vajtur mendja për një pyetje të tillë, ndaj nuk kam asnjë përgjigje. Mbase profesori ka një shpjegim për rastin tim.

    - Mbase profesori ka eksperimentuar me ty, - ia priti Riksi.

    - Kjo është absurde, - kundërshtoi Iliri.

    - Nuk është fare e pakuptimtë, - tha Riksi. - Ai vazhdimisht bën eksperimente, krijon përvoja të reja.

    - Mua do të më kishte vënë në dijeni.

    - Nuk është kusht, - tha prerë Riksi.

    Iliri kujtoi çastin e takimit me Kristanin në hotel Lux, pas kthimit të tij nga Fushëmbrete. Profesori kishte pirë konjak, ndërsa Ilirit i kishte afruar një pije të bërë, me siguri, në laboratorin e tij. Thua të ishte ajo pija magjike, që e kishte kthyer njëzetë e katër orë pas!? Apo ishte hajmalia me dheun e Fushëmbrete, që ai i kishte falur !? Iliri nuk thoshte dot jo.

    - Mund të kesh të drejtë, - i tha Riksit.

    - Ti je xheloz për zgjedhjen e profesorit, - i tha Flamuri Riksit.

    - Jo, - tha Riksi. - Jeta ime është tepër e koklavitur edhe pa situata të tilla. Unë punoj nga mëngjezi e deri në mesnatë dhe ndeshem me probleme, që ndonjëherë nuk u jap dot zgjidhje. Por në biznesin tim, do të më ndihmonte të kaloja herë-herë ndonjë përvojë, si kjo e Ilirit. Ja, të marrim rastin e sotëm, të isha unë në këmbë të Ilirit. Tani do të ishim më të qetë. Mitingu do të zhvillohej në ora dymbëdhjetë dhe në mbrëmje, Azemit nuk i kërcënohej asnjë rrezik. Ndërsa unë do të vazhdoja punën time të planifikuar një ditë më parë. Ti Ilir je dakord me mua,  apo jo?!

    Iliri tundi kokën.

    - Ndërsa unë nuk të kuptova fare, -  tha Flamuri. - Si do të zhvillohej mitingu në orën dymbëdhjetë?

    Riksi ngurroi dhe pa nga Iliri.

    - Po s'e the ti, do ta them unë, - tha Iliri. -Vetë doje të ishe në këmbën time.

    - Dëgjo shoku, - iu drejtua Riksi Flamurit. - Orën e mitingut e shtyta unë. Pagova ca para dhe aq. Po ta jetoja për së dyti ditën e sotme, si Iliri, që në mëngjes do të paguaja ca para të tjera dhe mitingu do të ishte në orën dymbëdhjetë. Kështu do të ndodhte.

    Flamuri e pa Riksin me dyshim :

    - Ti paske shtytur orën e mitingut!? S'më besohet! E përse duhet ta bëje këtë gjë?

    - Për një biznesin tim. Policët do të merreshin gjithë ditën me mitingun e PD dhe ne do të punonim rehat.

    - Ndonjë tip kontrabande kjo?

    - Diçka e tillë.          

    - Dhe ke bërë gjithë qytetin rrëmujë, për interesat e tua!? Dhe mua, shokun tënd, më ke bërë me dhimbje koke që në mëngjes!?        

    - Më keq akoma shoku! Kam deformuar kohën. Pa dashjen time, kam ndikuar në.. atentatin ndaj Azem Hajdarit.

    Riksi u ndje i trishtuar. E boshatisi gotën me uiski, me një të kthyer. Ilirit i erdhi keq për të.

    - Gjithçka do të vejë për së mbari Riksi. Ja, do e shohësh vetë. Pastaj, ti s'ke pse mban mbi shpinë një barrë, që s'është e jotja.

    Eh, eh , - tundi kokën Riksi.

    - S'doja të lëndoja Riksi. - i tha edhe Flamuri - Më fal!

    - Eh, eh, - ia bëri Riksi - Nuk më rënden fjalët e miqve mua. Ndërgjegjia më rëndon si gur në zemër.

    U çua në këmbë. La në tavolinë një kartëmonedhë njëmijë lekëshe dhe doli nga lokali duke çaluar.

    - E qortova më ashpër sa duhet, -  tha Flamuri i brengosur. 

    - S'i trembet të vërtetës ai, -  tha Iliri. - Sot u shfaq më shumë qytetar, se sa biznesmen. Kjo është e gjitha. Tani dua të them diçka tjetër. Në takimin, më parë, më ke folur në konfidencë, për Dritanin. Doje ta nisje për në Amerikë. Kërkove nga unë të huaja dhjetë mijë dollarë. I ke gati kur të duash, në mes të ditës a në mes të natës.

    Flamuri u prek nga kujdesi i Ilirit  

    - Faleminderit miku im, - i tha.- E vërteta është se kisha një plan të tillë. Por mbasi erdhi këtu Riksi e më tregoi për ty dhe Azemin, kam ndërruar mëndje.Të mbarojë njëherë dita e sotme. Unë shpresoj për mirë. Thellë në shpirt, dua që Dritani të rrijë këtu. Do ai, së bashku me shokët, të ringjallin idealet e lëvizjes studentore, të vitit nëntëdhjetë!? Le ta bëjnë. Atë që s'e realizuam dot ne, baballarët e tyre, le ta bëjnë fëmijët tanë. Nuk kam pse trembem për të. Do jem krah tij.

    Iliri u befasua me shndërrimin e papritur të Flamurit, nga baba i dhëmbshur në një qytetar të klasit të parë, në më pak se një orë. Donte ta lavdëronte, por s'po gjente dot fjalët e duhura.

    - Do të jetë më mirë për të gjithë që Dritani të qëndrojë këtu, - tha më në fund.

Pa orën. Ishte shenja se duhej të largohej. Flamuri e përcolli deri tek dera.

    - Në orën katër do takohemi tek birrari Partizani, - tha Flamuri.

    - Varet se si do të zhvillohet situata, - tha Iliri.

    - Si do rrjedhë koha, e di, - tha Flamuri
Ilirjan Sadikaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DITA E VRAJSES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa III) (10.19.2009)
SHBA: Revista "People" mbush 35 vite në treg (10.19.2009)
Kathrin Schimdt fitoi çmimin gjerman për librin 2009 (10.18.2009)
Gjiganti Niçe, filozofi që i sundoi dy shekuj (10.15.2009)
Pit Doherti ka vështirësi në rrugët e frymëmarrjes (10.14.2009)
"Princesha e Bukur" është e Leonardos, mund të kushtojë më shumë se 100 milionë euro (10.13.2009)
"This is it", kënga e panjohur e Majkëll Xheksonit, e cila ngjall shumë dyshime (10.13.2009)
Artistja e madhe shqiptare Ermonela Jaho debuton me Madame Butterfly në Teatrin e Operas në FiladelfiaNga Mal Berisha (10.12.2009)
Vietnami arreston shkrimtaren (10.11.2009)
Zbulohen letërkëmbimet e piktorit të madh Vinsen van Gog (10.11.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]