E Enjte, 05.02.2024, 09:07am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
LËVDATË PËR ZVICRËN!
Nga HALIL MATOSHI

E Premte, 09.14.2012, 02:29pm (GMT+1)



Ndaj pesëshes kosovare që luan futboll për Kombëtaren zvicerane ka shpërthyer një terror verbal në Tiranë, por në një masë më të vogël edhe në Prishtinë. Nga një spektakël sportiv, mendësia e deformuar shqiptare, ngrehalucët - siç i cilësonte Gjergj Fishta - mburravecët shqiptarë, duan të na e bëjnë Lorik Canën Ismail Qemal, kurse Xherdan Shaqirin Haxhi Qamil!

Edhe Cana edhe "Shaq" (emër përkëdhelës për Shaqirin nga tifozëria zvicerane) janë profesionistë të mirë dhe duhet t'u themi bravo ju qoftë por mbi të gjitha duhet t'ua respektojmë zgjedhjen e tyre të lirë, se ku e kur, për kë e si do të luajnë futboll, ose ku e si do t'i ndërtojnë jetët e tyre individuale. Kjo është një e drejtë e pakontestueshme. Por prapa futbollit shpesh fshihet fantomi i quajtur politikë, që prish gjithçka.Zjarrit i fryu së pari Armand Duka, shefi i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, i cili nuk e mbajti gojën duke trandur topuzin njëqind okë, për t'i cilësuar djemtë e Kosovës që mbrojnë ngjyrat helvetike hiç më pak se tradhtarë!?

Pastaj në mediat shqiptare t'ia dha era edhe shtrëngata, pse kosovarët paskëshin tradhtuar!?

Pasardhësi i Gjergj Kastriotit, Duka, së këndejmi dëshmoi se tributi tradhtar/patriot e ka turbulluar mendësinë shqiptare deri në urrejtje! Pse?

Ashiqare nga ndjenja e inferioritetit, pse Shqipëria (dhe Duka) nuk di dhe nuk mund të organizohet që denjësisht të marrë pjesë në një garë sportive, e lëre më ta fitojë atë.

Ndërsa në anën tjetër trajneri zviceran, Otmar Hitcfeld, pasardhësi helvetik i heroit folklorik i shekullit 15, William Tell, (heroi legjendar i katër gjuhëve dhe popujve: p.sh. gjermanisht Wilhelm Tell; frëngjisht Guillaume Tell; italisht Guglielmo Tell dhe romane Guglielm Tel), ia ka dalë që të ngrejë një skuadër unike dhe për çdo respekt, jo vetëm nga katër gjuhët dhe popujt helvetikë të bërë bashkë, përmes një besëlidhjeje, por nga dhjeta gjuhë e popuj, ai ka ngritur një "perandori të vogël" futbolli, duke u mbështetur edhe tek zviceranë të mirë me rrënjë shqiptare dhe pikërisht pse tributit tradhtar/patriot i ka dhënë një kuptim krejtësisht tjetër, modern: një komb i vullnetit dhe solidarësisë qytetare.

Zvicra tashti e një gjysmë shekulli strehon shqiptarët kosovarë, të ndjekur nga armiku, politikisht e ekonomikisht; u jep bukë e punë, shkollë a zanat, thjesht i bën të zotët e vetvetes.

Zvicra qindra e mijëra kosovarëve të persekutuar u dha ligj e drejtësi, u dha mirëqenien si një e drejtë qytetare, madje ky shtet zemërgjerë u dha mundësi për jetë të dinjitetshme edhe disa shqiptarëve të Kosovës që kurrë s'e merituan, që zhvatën shtetin helvetik e në atdheun e tyre shitën kapadaillëk e mbollën dhunë.

E fakte ka boll sa me u bindë dheu.

Po kjo Zvicër që ka lejuar të veprojnë të patrazuara organizata politike kosovare, të majta e të djathta, madje edhe ngritje fondesh për idenë e lirisë së Kosovës.

Zvicra jo që e ka njohur shtetin kosovar, por ish-presidentja Micheline Calmy-Rey  ishte lobuese e vendosur për pavarësinë e Kosovës edhe para 17 shkurtit 2008.

A nuk është koha që kosovarët në shenjë falënderimi të luftojnë në fushën e blertë për ngjyrat e këtij shteti gjeneroz, për krenarinë e këtij kombi bujar, të mbështetun në ligj?

Jo, është edhe detyrim. Pra patriotizëm!

A nuk duhet dhënë zemër pesëshes kosovare që të jenë patriotë konstitucionalë zviceranë dhe njëherësh shqiptarë shembullorë nga Kosova?

Por tregimi për patriotë dhe tradhtarë s'ka të ndalur dhe bash ky metarrëfim po i shter kot energjitë e shqiptarëve duke i bërë ata me u kalamenë.

Ky tribut po e çan kombin në epokën e globalizmit dhe integrimeve gjitheuropeane.

Zvicra është shtet model që nuk është krijuar nga një komb etnik ose kulturor, por përmes një besëlidhjeje (Besëlidhja Helvetike) mes njerëzish, etnish, kulturash e rajonesh të ndryshme dhe kjo lidhje ka krijuar një shtet, i cili e ka krijuar një komb të ri multietnik, në të cilin secili që ka mend, qoftë edhe një kosovar, mund të bëhet hero, yll i adhuruar ose zviceran i mirë.

Roger Cohen ka shkruar një kolumne në "The New York Times", për Mesut Őzilin gjatë Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, me titullin në dukje paradoksal, "Őzil gjermani" dhe portretizimi që i bën amerikani futbollistit me origjinë etnike turke, (tashti luan tek Real Madrid), flet më shumë dhe më mirë se çdo teori identitare.

Sidomos është shkollë se si nuk duhet folur e shkruar duke u nisur nga qasje idioteske dhe biologjistike për identitetin në Ballkan dhe ndër shumë shqiptarë..

"Őzil, 21 vjeç, ka klas. Ai është një gjerman. Kjo është pjesë e fascinimit tim. Oezil është një gjerman mysliman me prejardhje turke", shkruan Cohen.

Në kontekstin kosovar dhe shqiptar, debati shoqëror rreth kombit dhe shtetit është plot ngërçe, sepse për shumë kë, teoritë moderne identitare tingëllojnë utopike, e shpesh edhe si tendencë shkombëtarizuese.

Pra këto debate i mbyt qasja emotive dhe shpesh argumenti i forcës (ad hominem) është mbi forcën e argumentit.

Debatin e bën të vështirë etnonacionalizmi, që shpesh përmes bashkimit kombëtar si prononcim politik, mbush "zbrastësitë" patriotike në biografitë personale, ky diskurs arkaik i të folurit për patriotizmin, në mendësinë shqiptare, është në kundërthënie me veten dhe tërë botën, pengon perëndimorizimin e shqiptarëve dhe integrimin në Europë, e cila kultivon patriotizmin modern, që Jurgen Habermas e quan "˜patriotizëm ligjor'.

Natyrisht, për ta hequr konfuzionin, Shqipëria dhe Kosova kanë ngjashmëri me Gjermaninë dhe Austrinë, të dyja me rrënjë gjermanike, por që jetojnë si dy kombe të ndara dhe paramendonie sikur një gjerman të thotë se është turp për austriakun patriot që të luajë futboll kundër gjermanëve!?

Ndërkaq, që emërtimi Kosovë dhe kosovar ngërthen brenda vetes një përkatësi etnike shqiptare, njëkohësisht shpreh një identitet të dallueshëm si bashkësi shtetërore dhe politike, të ndryshme në zhvillimin historik, ngjashëm me emërtimin zviceran, që  shpreh një bashkësi shtetërore supranacionale (Besëlidhja Helvetike.)

Kosovarët e sotëm, shumica me një identitet të qartë, shqiptarë etnik, (etnia është statike) nëse arrijnë që shtetin e tyre ta anëtarësojnë në OKB, atëherë ata do të jenë një komb i veçantë, (kombi është variabël) ndonëse vazhdojnë të jenë shqiptarë etnikë, porse tashti si "njësi e rritur" (Urs Altermatt.)

Në rastin kosovar veçantitë identitare, politike dhe historike e të shtetkrijimit vështirë mund të kontestohen. Sot kosovarët identifikohen me këto veçanti dhe me shtetin e tyre si e drejtë e arrirë, prandaj nuk janë futuristë fantastë ata që mendojnë për këtë komb të ri.

Pesëshja e Kombëtares zvicerane me origjinë kosovare, Xherdan Shaqiri, Valon Berhami, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi kanë rikthyer debatin mbi identitetin, kombet, politikën dhe futbollin.

Një debat që ka degraduar në urrejtje ndaj secilit që nuk mendon kolektivisht, por që ka një zgjedhje individuale. Fjalia denigruese, si p.sh. "Ç"˜racë janë këta ore, do të na pushtojnë si kinezët" - e shkruar në rrjetet sociale me rastin e këngëtares kosovare Rona Nishliu, pikërisht e dëshmon të dallueshmen nga ne, pra tjetrin, si më të keq, më të shëmtuar, të paqytetëruar etj. Stereotipin ballkanik për tjetrin - si të keqin.

Dhe kjo është pasqyra më besnike ku projektohet fytyra e tjetrit, (sipas masës shqiptare të identitetit), që nuk përket në ne dhe kjo shpreh dallimet kulturore, identitare, qytetëruese mes dy shoqërive paralele shqiptare, që e kanë të njëjtin trung etnik, por që kanë marrë rrugë të ndryshme të zhvillimit historik dhe politik.

Në ligën superiore të Shqipërisë aktualisht luajnë edhe futbollistët serbë e malazezë, si Bojan Maliniç për Besën, te Flamurtari, Petar Vukçeviç (Mali i Zi), te Kastrioti, Petar Borovicanin, Nemanja Laziç, Nikola Ashkeriç; në Kukës, Milosh Jevdjeviç; te Laçi Branko Milenkoviç; te Luftëtari Milan Nikoliç dhe Aleksandër Miliç; te Shkumbini Dushan Popoviç; te Skënderbeu Ivan Gvozdenoviç dhe Milosh Markoviç, ndërsa te Vllaznia, Miroslav Vujadinoviç dhe  Ivan Daliç, të dytë malazezë.

Nëse 15 serbë e malazezë luajnë lirshëm në skuadrat shqiptare, dhe madje duartrokiten e adhurohen, por as në shtetet e tyre të origjinës askush nuk i ndjek dhe persekuton pse luajnë në "vendin e shqipeve", pse kontestohen ata pesë shqiptarë kosovarë, të rinj e të zotët, që arritën majat profesionale duke lartësuar flamurin helvetik në piedestal?

Ose çfarë do të shkruanin shqiptarët zemërfyt e trutharë po të luanin Shaqiri, Behrami, Xhaka, Xhemajli e Mehmedi për Kombëtaren e Serbisë?

Jo vetëm që do të shpërthente një "kryengritje" kundër tyre dhe familjeve të tyre, por do të bëhej hataja, do të kërkoheshin kokat e tyre "tradhtare", do të linçoheshin...

Xherdan Shaqiri, Valon Berhami, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi janë ambasadorët më të mirë të Kosovës në botë zviceranët tanë më të mirë.

Ata e ngrenë imazhin e shqiptarit kosovar lart tek yjet, me sjelljet e tyre prej profesionistësh të zotët dhe me lojën e tyre brilante, sikur edhe me përkushtimin e tyre ndaj ngjyrave të shtetit helvetik, që i rriti dhe ngriti me aq pasion, duke i shndërruar jo vetëm në zviceranë të mirë, por në zviceranë të mëdhenj.

E kjo nuk i bë ata hiç më pak shqiptarë të mëdhenj.

Këta djem që lojës së futbollit i japin sharmë, madje edhe karakteristika të artit, pak balet, pak dramacitet e ndoshta edhe pak epikë heroike, janë prodhim i gjenit shqiptar dhe i shtetit të organizuar zviceran.

Paramendonie sikur këta djem të rinj të jetonin në Kosovë, ata ose do t'ia nxirrnin sytë njëri-tjetrit kinse duke luajtur futboll në livadhet kosovare, në ato kinse stadiume ku gjatë lojës hyjnë lopët për të kullotur. Në një shtet jofunksional e në një shoqëri të paorganizuar si shoqëritë shqiptare, probabiliteti do të ishte i madh që ata të shisnin kartela telefonie në tregun e zi kosovar, ose në variantin më ekstrem, ata mund të përfundonin nga ana tjetër e ligjit.

Derisa viteve të fundit edhe ashtu është pështirosur imazhi i shqiptarit si gangster, dhunues, grabitës e narkodiler, ndërsa po ky shqiptar dikur trajtohej si punëtor i mirë dhe njeri i ndershëm, shtetas luajal.

Prandaj pse kemi nevojë ta nxirosim edhe më shumë këtë imazh?

Në këtë spektakël, (që shfaqet sonte, pasi ky shkrim të marrë udhën e botimit) ndonëse është traditë sportive të thuhet se "duhet të fitojë më i miri", ai që i jep më shumë zemër e shpirt lojës, aq që investon më shumë art, përkushtim, strategji, megjithatë, lutem që të fitojë Zvicra, jo pse jam tifoz i saj, madje as për faktin se aty luajnë pesë aktorë kosovarë, por për inat të vet shqiptarëve, atyre ngrehalucëve fishtianë. Në çdo kohë duhet marrë ana e modelit më të mirë, që në këtë rast është Zvicra e pesë yjeve nga Kosova.

Fati i mirë qoftë me djemtë nga Kosova në këtë spektakël futbolli që kryetari Rugova i cilësonte si "brezi i Republikës" dhe u priftë e mbara!

Bravo u qoftë atyre!

Laudatio për Zvicrën!
HALIL MATOSHI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PROJEKTI 'STOP LARGIMIT TË TRURIT' NË MAQEDONI (09.14.2012)
AZILKËRKUESIT E TREMBIN BE-në (09.14.2012)
EMIGRACIONI E PËRGJYSMON NUMRIN E NXËNËSVE SHQIPTARË NË DIBËR (09.12.2012)
LUFTA KUNDËR KANCERIT Në çdo 8 gra një diagnostikohet me kancer Nga MIMOZA DAJÇI (09.07.2012)
ÇFARË IU SJELL KARTA BLU STUDENTËVE TË HUAJ? (09.04.2012)
SHQIPTARËT NË GREQI PA CERTIFIKATA, SHTETI YNË HESHT (09.04.2012)
REFUGJATËT MËSOJNË GJERMANISHT NGA GËTJA (09.04.2012)
GREQIA VENDOS TË NXJERRË NË SHITJE 30 ISHUJT E PARË (09.03.2012)
SKUADRA E UDHËHEQUR NGA NJË SHQIPTAR DOMINON SPORTIN E PANJOHUR NË SHBA (09.03.2012)
RAIMON BAKER - GREQIA, VENDI IDEAL PËR 'PASTRIMIN' E PARAVE TË PALIGJSHME (09.03.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]