VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DESAR SULEJMANI - NJË PIANIST SHQIPTAR NË 'TETORIN GJERMAN'

                                                                                      

E Martë, 05.14.2024, 11:16am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
DESAR SULEJMANI - NJË PIANIST SHQIPTAR NË 'TETORIN GJERMAN'

E Shtunë, 09.28.2013, 09:10am (GMT+1)



    Desar Sulejmani, pianisti dhe dirigjenti me origjinë nga Shkodra rikthehet në Shqipëri për dy koncerte. Ai tregon për projektet si artist, por dhe për lidhjet e tij me vendlindjen



-Pianisti dhe dirigjenti me origjinë nga Shkodra dhe me banim në Gjermani, Desar Sulejmani, rikthehet në Shqipëri për një turne disa ditor. Misioni i tij artistik këtë herë është që të prezantojë një program muzikor shqiptar dhe gjerman. Më 24 tetor ai do të luajë muzikë pianistike shqiptare nga penat e kompozitorëve vendas në kuadër të Festivalit të Parë Ndërkombëtar të Pianos "Pianodrom 2013" nën kujdesin dhe ideimin e kompozitorit Aleksandër Peçi. Më pas, Desari do të performojë së bashku me sopranon gjermane Caroline Isabel Merz në kuadër të Tetorit Gjerman dhe me studentët e degës së Kantos dhe Pianos në Universitetin e Arteve Tiranë. Në një intervistë për gazetën "Shekulli"; Desari tregon planet e tij si pianist dhe dirigjent, për bashkëpunimet, lidhjet që ruan me Shkodrën, por edhe për jetën si artist jashtë vendit.

Desar, do të jeni pjesë e Festivalit Pianodrom dhe të Tetorit Gjerman 2013... Si ndiheni?

Shumë mirë, si gjithmonë kur fluturoj drejt trojeve shqiptare. Gjithashtu ndiej një emocion të fuqishëm, që është i lidhur padyshim me faktin që edhe kësaj here do të kem kontakte të ngushta me skenën shqiptare.

Çfarë ke programuar për të interpretuar para publikut?

 Misioni im artistik i kësaj here përkon qoftë nga pikëpamja e programacionit, por edhe angazhimit muzikor, me dy botët artistike, atë shqiptare dhe gjermane, botë të cilat janë pjesë të pandashme të vetë karakterit dhe formimit tim në radhë të parë si njeri e më pas si muzikant dhe artist. Pjesëmarrja në dy aktivitete që prezantojnë kultura të ndryshme artistike e vërteton këtë gjë. Më datë 24 tetor do të kem kënaqësinë të luaj muzikë pianistike shqiptare nga penat më të shquara të kompozitorëve të vendit tim. Ky koncert do të organizohet në kuadër të Festivalit të Parë Ndërkombëtar të Pianos Pianodrom nën kujdesin e kompozitorit, Aleksandër Peçi. Më pas do të vazhdoj me aktivitetin kryesor artistik në këtë periudhë në Shqipëri, në të cilin do të prezantohem me sopranon gjermane Caroline Isabel Merz dhe studentët e degës së Kantos dhe Pianos në Universitetin e Arteve Tiranë, në lidhje me romancën vokale gjermane, koncerte këta që zhvillohen në kuadër të Tetorit Gjerman.

Nëse rikthehemi në kohë si të lindi dëshira për të hyrë në botën e artit?


Nuk e di konkretisht kohën, sepse ndiej që kjo dëshirë dhe ky pasion kanë lindur me mua, posaçërisht atë ditë që kam përjetuar në sy për herë të parë dritën e diellit. Më shumë di të them që përveç dëshirës, pasionit të vetëkuptueshëm dhe punës së madhe, unë e shikoj artin si një mision në jetën time, i cili gjithmonë rend pas idealeve më të mira të kohës.

Të kujtohet pianoja e parë që i ke rënë?

Ka qenë e mësueses sime të parë të pianos, Fatmira Pelushi në Shkodër. Sapo i kisha mbushur 6 vjeç dhe duheshin edhe disa muaj që të filloja klasën e parë.

Po pianon e parë kur e ke pasur?


Para 13 vjetësh.

 Cili është kompozitori yt i preferuar?

Tek unë janë të gjithë kompozitorë të preferuar, mjafton që mesazhi i tyre artistik, forca e lëvizjes emocionale dhe hapësira interpretuese, të jenë të qarta dhe kuptimplote, në mënyrë që bota e tingujve që unë dua të sjell të jetë e pafund.

Kujt ia dedikoni arritjet e tua?

Ka shumë njerëz të cilëve unë ua dedikoj arritjet e mia të deritanishme. Duke filluar nga mësuesit e mi të parë në Shkodër e Tiranë e më pas atyre në Gjermani, Angli dhe Austri. Ndiej respekt të madh për të gjithë ata që më kanë ndihmuar e mbështetur në hapat që kam bërë. Në këtë aspekt, një vend shumë të rëndësishëm zë familja ime, e cila padyshim përbën edhe shtyllën kryesore të çdo mbështetjeje të deritanishme. Jam shumë i lumtur për këtë familje.

Kë bashkëpunim do të veçonit si më mbresëlënësin?

 Ka të paktën tre takime artistike, të cilat ngelen të pashlyera në mendjen time. Së pari puna dhe bashkëpunimi prej shumë vitesh me violinistin austriak, profesor Andreas Reiner, i cili ka qenë edhe profesori im. Tashmë jemi të dy të barabartë në skenë dhe kjo më jep një kënaqësi të veçantë Së dyti, takimi dhe puna artistike me dirigjentin anglez, Sir Roger Norrington, gjatë një festivali dirigjentësh të rinj në 2010, bashkëpunim që ka lënë shumë mbresa të forta tek unë. Së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm, ka qenë bashkëpunimi shumë intensiv dhe i ngushtë me sopranon tonë të shquar Ermonela Jaho duke filluar viti 2010, bashkëpunim i cili më ka dhënë një ndjenjë kënaqësie shumë të veçantë, të rrallë dhe sublime, në lidhje me këngëtarët e tjerë, me të cilët unë kam pasur të bëj deri tani.

Më sipër përmendet bashkëpunimin me violinistin Andreas Reiner. I mbani akoma lidhjet artistike me ketë violinist të arenës muzikore ndërkombëtare?

Po, lidhjet artistike me violinistin Andreas Reiner vazhdoj t'i kem akoma intensive. Përveç koncerteve që ne kemi pasur në Shqipëri, siç e the edhe ti në vitin 2009, ne kemi bashkëpunuar së bashku në Gjermani, Austri, Kosovë e deri në Uzbekistan. Njohja ime me Andreas Reiner është e gjatë dhe tashmë mund të them pa frikë që jemi bërë miq, me gjithë e vitet që na ndajnë. Besoj se kemi të njëjtat pikëpamje në lidhje me prodhimtarinë artistike dhe mbi të gjitha me rolin që duhet të ketë një artist në jetën publike. Këtu përfitoj nga rasti të prezantoj për herë të parë edhe kurorëzimin e këtij bashkëpunimi të frytshëm tonin, i cili është disku ynë i ri me të gjitha sonatat për violinë dhe piano të Felix Mendelssohn Bartholdy, që do të dalë në tregun muzikor ndërkombëtar duke filluar nga 15 tetori dhe është realizuar në shtëpinë diskografike gjermane Farao Classics.

Çfarë synimi ke ende pa realizuar në fushën e muzikës?

Unë jetën time si muzikant dhe artist gjithmonë i tërhequr ndaj të resë e shikoj si një mision të pandalshëm drejt të bukurës, sublimes dhe hyjnores. Në këtë pikë them që synimet e mia nuk do reshtin asnjëherë drejt lënies së një gjurme të mirë, të bukur dhe kuptimplotë.

Nëse do të duhet të zgjidhje midis pianos dhe dirigjimit kë do të preferonit?

Gjithmonë të dyja. Unë nuk mund të jem më vetëm një pianist, sikurse nuk mund të jem më vetëm një dirigjent. Pianoja dhe dirigjimi janë tashmë pjesë të pandashme të jetës sime artistike.

Lidhjet e Desarit me Shqipërinë

 Kthehesh shpesh në vendlindje?

Po. Gjithmonë kur i kam mundësitë artistike. Kjo deri tani më ka ndodhur me shpesh, përkundrejt kthimeve vetëm për arsye personale.

 Ã‡farë të mungon më shumë nga Shkodra?


Hmmm... Shumë gjëra më mungojnë nga Shkodra. Rrugët dhe shoqëria e fëmijërisë, hapat e parë në muzikë kur ngjisja shkallët e shkollës kombëtare artistike "Prenkë Jakova", atmosfera tejet e veçantë dhe magjike e këtij qyteti, njerëzit me biçikleta, por dhe shiu që fillon e nuk di të pushojë. Sa e lehtë apo e vështirë është jeta e një artisti larg vendlindjes? Të jetosh jashtë vendlindjes, pak rëndësi ka nëse je artist apo ke një profesion tjetër, pasi unë mendoj se rrallëherë është e lehtë. Kjo nuk ka të bëjë me infrastrukturën ekonomiko-financiare, të cilën çdokush me kalimin e kohës dhe me mbarëvajtjen e punëve që bën, mund ta arrijë mjaft mirë. Mendoj se të jetuarin jashtë vendlindjes e bën të vështirë mungesa e atmosferës, njerëzve, bisedave me të njohurit e vjetër, rrugët e fëmijërisë dhe rinisë, koha plot diell e ngrohtësi etj..

Të kujtohet largimi nga Shqipëria? Po kthimin përfundimtar e ke menduar ndonjëherë?

E mbaj mend si sot ditën kur unë u nisa drejt Gjermanisë për studime. Së bashku me mamanë dhe motrën time, drejt avionit më shoqëronte edhe nxënësja ime Danja me babanë e saj. Ndarja në ato momente nuk ka qenë aspak e lehtë. Ndërkohë që kjo ndarje me vendlindjen dhe njerëzit e dashur, ka qenë në gjithë këto vite vetëm në aspektin fizik, sepse unë gjithmonë me mendje, shpirt dhe dhembshuri të vetëkuptueshme njerëzore, e kam ndjekur hap pas hapi jetën social-kulturore të të gjitha trevave shqiptare në Evropën Juglindore. Nga ana tjetër mendoj që edhe nëse një ditë, kur ndoshta do të kem mundësi të lë një gjurmë të mirë nga pas me punën time artistike administrative në vendlindje, kthimi përfundimtar në trojet shqiptare do të jetë vetëm atëherë kur të prehem i qetë pranë prindërve të mi.

Dhe se fundmi çfarë merr me vete kur largohesh nga Shqipëria?


Me vete marr gjithmonë dashurinë që kam për vendin dhe tokën ku u rrita. Ndërkohë që në Shqipëri lë përherë zemrën time, sepse ajo atje ndihet më mirë se kudo tjetër.

VALERIA DEDAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Deutsche Welle, UNIVERSITETI I JENËS - VJOSA DHE ALBANI, DY STUDENTË TË SUKSESSHËM SHQIPTARË NGA KOSOVA (09.26.2013)
VASIL MAKOÇI, VËLLAI I AKTORES MATILDA MAKOÇI - JETA IME MES SHQIPËRISË DHE AMERIKËS (Intervistë) (09.25.2013)
NË MONTREAL FILLOI VITI SHKOLLOR I MËSIMIT SHQIPNga AJET NURO, Montreal, Kanada (09.23.2013)
ESMIANA JANI - BALERINA SHQIPTARE NË TRUPËN E UASHINGTONIT (09.22.2013)
GJITHË FRYMËZIMIN TIM E KAM PËR VENDLINDJEN, TOKËN SHQIPTARE…-Bisedë me piktoren e talentuar Lule Bajraktari, emigrante në Suedi-Nga Prof. Dr. MURAT GECAJ (09.21.2013)
ADRIANA BANI - SHQIPTARËT KANË AFTËSI TË INTEGROHEN NË KULTURËN E VENDEVE KU KANË MIGRUAR POR AMA PA MOHUAR KULTURËN DHE ORIGJINËN E TYREIntervistoi: SOKOL DEMAKU (09.20.2013)
FORTESA HOTI NË ROLIN KRYSOR TË FILMIT TRILLER SUEDEZ 'ORION' (09.20.2013)
SHKB 'Sali Çekaj" përkujtoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë të KosovësZYRTARIZIMI I DEKLARATËS TË PAVARËSISË - OBLIGIM HISTORIKNga IDRIZ ZEQIRAJ (09.18.2013)
NGA DURRËSI DHURATA PËR FËMIJËT SHQIPTAR NË SUEDIFotoreportazh nga SOKOL DEMAKU (09.15.2013)
EKSPOZITË E SKULPTORIT KRESHNIK XHIKU (09.14.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]