VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - AVNI MUSTAFAJ: NE JEMI ATY KU MERREN VENDIMET

                                                                                      

E Hënë, 05.20.2024, 03:28am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
AVNI MUSTAFAJ: NE JEMI ATY KU MERREN VENDIMET
E Shtunë, 10.30.2010, 11:45am (GMT+1)

 

Uashington, 30 tetor 2010 -Në zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptaro - Amerikan, me seli në Uashington ende mungon flamuri i Kosovës, ndonëse ka gati tre vjet që është dizajnuar. Flamuri me gjashtë yje është vendosur në hyrje të korridorit, por jo edhe në zyrën qendrore të selisë apo përkrah flamurit kombëtar dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku edhe do ta ketë shumë shpejt vendin.
Ky "lëshim" i paqëllimshëm, megjithatë nuk është shenjë se Këshilli Kombëtar Shqiptaro - Amerikan nuk punon për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të Kosovës në institucionet më të larta të shtetit amerikan. Është e kundërta, thotë në një intervistë për Kosovapress drejtori ekzekutiv Avni Mustafaj, sipas të cilit Kosova ka qenë dhe mbetet prioritet i organizatës që ai udhëheq, sidomos në fushën e lobingut dhe avokimit, çështjeve të ekonomisë dhe atyre në fushën e arsimit, si dhe trajnimit të femrave kosovare për lidership.


"Ne si shqiptarë në Uashington, edhe pse nuk e kemi një zyrë të madhe, jemi shumë më aktivë se të tjerët, të cilët i kanë 4-5 zyra, dhjetë herë më të mëdha se ne dhe me buxhet të pafund. Ne nuk mund ta vlerësojmë punën tonë, por megjithatë konsiderojmë se kemi arritur t'i përfaqësojmë dhe t'i mbrojmë interesat e Kosovës në Kongres dhe në Departamentin Amerikan të Shtetit", ka thënë Mustafaj.
Në fakt, KKSHA ishte themeluar me qëllim që të avokonte, përfaqësonte dhe lobonte për çështjen shqiptare, në veçanti për çështjen e Kosovës në SHBA, respektivisht tek institucionet më të larta amerikane Departamentin e Shtetit dhe Kongresin Amerikan. Këshilli doli si krah nga Liga Shqiptaro- Amerikane e Xhozef Diogardit, për shkak të përçarjeve që ndodhën brenda për brenda kësaj shoqate më të madhe, deri atëherë për mbrojtjen e çështjes shqiptare.


Këshilli Shqiptaro - Amerikan ka 25 përfaqësues në Kongresin Amerikan, që përbëjnë Komitetin për çështjen shqiptare. Momentalisht, ky komitet udhëhiqet nga kongresistët Eliot Engel dhe Mark Kërk. Këta 25 kongresistë lobohen nga udhëheqësit e Këshillit Shqiptaro-Amerikan dhe më pas ata ndikojnë në Kongres, qoftë me miratimin e ndonjë rezolute për Kosovën apo bllokimin e iniciativave serbe kundër Kosovës.
"Nëpërmjet 25 anëtarëve që udhëhiqen nga Engel dhe Kërk mbikëqyren të gjitha rezolutat që vijnë në Kongres, që prekin Ballkanin ose më konkretisht çështjen shqiptare. Këta kongresistë mund të propozojnë rezolutë, e cila i bën thirrje Amerikës të bëjë diçka ose të mos bëjë diçka. Punën e dytë, që e bëjnë këta është që nëse dikush mundohet të fusë një rezolutë në Kongres, e që është kundër interesave tona, ata mund pastaj ta bllokojnë. Kjo është mënyra se si veprojmë ne si Këshill, nëpërmjet anëtarëve të Kongresit", ka thënë Mustafaj.


KKSHA, nëpërmjet këtij komiteti ka arritur të bllokojë disa iniciativa serbe, siç ishte ajo për mosnjohjen e Kosovës nga SHBA, dhe së dyti, Komiteti për çështje shqiptare, në bashkëpunim me Këshillin Shqiptaro-Amerikan ka ndihmuar dhe kontribuuar shumë në anëtarësimin e Kosovës në dy organizatat më të mëdha financiare ndërkombëtare, FMN dhe Bankën Botërore, ani pse ky kontribut nuk është përmendur nga qeveritarët kosovarë.
Vetë Engel, sipas Mustafajt ka ndihmuar në këtë drejtim, duke dërguar letra te shtetet që përbëjnë Hemisferën Perëndimore, në mënyrë që të merren edhe dy vota që kërkoheshin për anëtarësimin e Kosovës në këto dy organizata.
"Ne kemi lobuar nëpërmjet Eliot Engel dhe nga ky bashkëpunim arritëm që t'i ndihmojmë Kosovës të bëhet anëtare e Bankës Botërore dhe FMN-së. Këta dy njerëz për neve, janë mjeti dhe karta më e fortë që e kemi në Uashington", tregon Mustafaj.


Këshilli duket se ia del, ndonëse përballet me lobin e serbëve në Amerikë, por të cilët sipas Mustafajt, momentalisht nuk janë shumë të fortë dhe nuk kanë ndikim krahasuar me vitet '80 dhe në fillim të viteve '90, kur fuqia e tyre politike ishte shumë e madhe. Puna e fillimisht Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe më pas edhe Këshillit Shqiptaro- Amerikan, ka bërë që çështja e Kosovës të ngrihet, të avancohet dhe të marrë përmasat që mori në fund të viteve '90, kur ndodhi intervenimi i NATO-s dhe çlirimi përfundimtar i Kosovës nga Serbia.
Edhe argumenti që shtrohet nga serbët tani se Amerika ka bërë gabim në njohjen e Kosovës, sipas Mustafajt nuk çon më peshë tek amerikanët, meqë çështja e njohjes tashmë është punë e kryer. Prandaj, lobi shqiptar nuk e sheh të nevojshme të "kacafytet" me atë serb, se pse siç konsideron Mustafaj, ata vetëm sa do t'ia ngrinin vlerën serbëve.


"Qeveria e Serbisë ka investuar shumë para këtu, ka marrë disa kompani lobingu për të penguar çështjen e Kosovës, por prapë është e dështuar sepse argumenti i tyre është që Amerika të mos e njoh Kosovën dhe kjo është një çështje e kryer. Tanimë, ne jemi pajtuar që të mos i kundërvihemi lobit serb, në mënyrë që të mos humbim kohë dhe kështu të harrojmë çështjen shqiptare", thotë Mustafaj.
Ndonëse në Kosovë ka kritika që Këshilli Shqiptaro- Amerikan nuk ka punuar sa duhet për mbrojtjen dhe afirmimin e çështjes së Kosovës, se ka qenë i përçarë, i njëanshëm politikisht apo partiak, dhe nuk është aktiv sidomos në lobimin për njohjen e Kosovës, Mustafaj nuk dëshiron t'i komentojë këto kritika.
Këshilli fillimisht kishte ngritur çështjen e çlirimit të Kosovës, më pas të pavarësimit të saj dhe tani është përqendruar në procesin e njohjes së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.
Mustafaj thekson se Këshilli ka kontribuuar shumë që të pengojë debatin e hapur së fundi rreth çështjes së Mitrovicës, ku edhe në SHBA kishin filluar të qarkullonin zëra që flisnin për "statuse speciale", ndarje të Mitrovicës apo zgjidhje jashtë pakos së Ahtisarit.


"Në muajt e fundit, serbët e kanë bërë një shtytje shumë të fortë që të diskutohet mundësia për ndarjen e Kosovës, kanë punuar këtu për ta shitur idenë e Tadiqit për ndarjen e Kosovës, respektivisht të veriut. Ne ua kemi shpjeguar zyrtarëve amerikanë se nëse vjen deri te ndarja e Ballkanit, atëherë do të bisedohet edhe për Luginën e Preshevës, edhe për Malin e Zi, në mënyrë që ata atë jenë të vetëdijshëm se ndarja e Mitrovicës rrezikon stabilitetin në Ballkan. Por, kur është hedhur kjo ide më ashpër kanë reaguar Mali i Zi dhe Maqedonia, për shkak se e kuptojnë rrezikun që bart ideja", ka thënë Mustafaj.
Kritikat, Mustafaj ndërkaq i quan thashetheme që nuk ndikojnë shumë në punë dhe angazhim. Këshilli ka punuar aq shumë, saqë siç thotë Mustafaj, më shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë që të takojnë zyrtarë anësorë të shtetit amerikanë apo të takohen margjinave, por ata e kanë rrugën e hapur dhe drejtpërdrejt mund të takohen me këdo në Kongres apo me Sekretaren e Shtetit.
Këto "keqkuptime" ndoshta lindën për shkak se Liga Shqiptaro Amerikane, me seli në Nju Jork u nda dhe nga ajo doli Këshilli Shqiptaro-Amerikan, dhe kjo sikur përçau pastaj shqiptarët në Amerikë. Mustafaj e vlerëson lart punën e Ligës, por thotë se ajo që e dallon nga Këshillin nga shoqatat tjera është se ai e ka zyrën aty ku merren vendimet - në Uashington.


"Duhet të citohet se ne jemi të vetmit shqiptarë që punojmë në Uashington nga dita në ditë dhe kjo na dallon nga gjithë të tjerët. Unë e di që nuk i ka kush lidhjet që ne i kemi me të gjitha këto struktura, i kemi pastaj lidhjet edhe me vendet tjera të Ballkanit, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ne për shembull, patëm ndikuar të presidenti i Maqedonisë rreth shkëmbimit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë dhe që të zgjidhet çështja e kufirit dhe për dy javë kjo punë u krye", ka thënë Mustafaj.
Ndër aktivitetet tjera të Këshillit Kombëtar Shqiptaro - Amerikan është edhe mbajtja e një takimi vjetor në Nju Jork, gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme, respektivisht në "Javën Presidenciale", e cila mbahet në javën e tretë të shtatorit, ku në Nju Jork vinë presidentët dhe kryeministrat e të gjitha vendeve të botës, përfshirë ata të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në këtë tubim është bërë tashmë traditë që të ndahet çmimi vjetor "Duart e Shpresës". Vitin e kaluar, këtë çmim e mori ish-ndërmjetësi i pavarësisë së Kosovës, Marti Ahtisari, këtë vit u nderua Nikolas Bërns, ndërsa vitin tjetër do ta nderohet po me këtë çmim edhe ish-kryeministri britanik, Toni Bler.


Një punë që është duke e bërë Këshilli vitet e fundit, ndërkaq është trajnimi i femrave kosovare për lidership, nëpërmjet programit "Hope Fellowship Program". Momentalisht, në Uashington janë 12 femra kosovare të sektorit të arsimit që trajnohen, kanë takime me Departamentin e Shtetit, Kongresin, USAID-in, si dhe shoqata e organizata të ndryshme amerikane, ku prezantojnë idetë rreth zgjidhjes së problemeve të arsimit në Kosovë. Ideja e programit është identifikimi i femrave lidere në Kosovë, në të gjitha sektorët, trajnimi dhe fitimi i përvojave. "Vazhdimisht pyetja e parë është çfarë jeni kah bëni për t'iu ndihmuar serbëve dhe këto gra treguan situata kur në polici ose në Ministri të Arsimit, kanë bërë gjithçka për t'iu ndihmuar serbëve, por ata kanë refuzuar, dhe kjo është e rëndësishme se këtu në Uashington duhet ta kuptojnë konkretisht se ku janë problemet aktuale", thekson Mustafaj.


Këshilli Shqiptaro-Amerikan ka raporte të mira me institucionet e Kosovës, komunikon në nivel të rregullt me udhëheqësit e shtetit dhe mundohet t'u aranzhojë sa më shumë takime të rëndësishme në Uashington, vetë Mustafaj ndërkaq thotë se nuk ka preferenca politike, meqë Këshilli punon siç thotë për interesa të shqiptarëve. "S' kemi preferenca politike. Këtu jetojmë, paguajmë taksat dhe nuk na konvenon të merremi me çështje partiake, pasi kjo nuk i shërben terrenit. Me rëndësi është që kur ka zgjedhje të respektohet vullneti dhe vota e qytetarit. Ky është interesi jonë dhe pastaj kush fiton, ne bashkëpunojmë me ta. Kjo gjithmonë ka qenë dhe do të jetë pikëpamja jonë, ndonëse shpesh kur fiton njëra palë, ata na thonë se jo jeni me ata të tjerët, por neve nuk na intereson, ne u themi që ne duhet të bashkëpunojmë pavarësisht kush fiton", thotë Mustafaj.
Krejt në fund, Mustafaj premton se shumë shpejt edhe flamuri i Kosovës do ta ketë vendin në mes të dy flamujve të tjerë atij shqiptar dhe amerikan, pasi që ai tashmë e ka porositur një të tillë.

(http://www.rtv21.tv)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ALBANOLOGJIA NË MYNIH - NJË TRANZICION I VËSHTIRË (10.28.2010)
NUK DO TË KETË NDËSHKIME MË TË ASHPRA KUNDËR TË HUAJVE QË REFUZOJNË INTEGRIMIN (10.27.2010)
MË KANË MBETUR NË KUJTESË BROHORIMAT, SHPËTIMI, DHE ERA E KEQE (10.27.2010)
Shoqata Atdhetare Kulturore KOMBI në SHBA - nismetare e krijimit te Worcester Community Culture and Education Center (10.26.2010)
DOLI NË QARKULLIM LIBRI "VJEHËRR AMERIKANE" I AUTORES ALBANA M. LIFSCHIN (10.25.2010)
EMIGRANTËT NË GREQI: TË SHTYHET VLEFSHMËRIA E PASAPORTAVE TË VJETRA (10.25.2010)
PANO: KISHA TË BËHET SHQIPTARE (10.25.2010)
NJË DIELL HIJEVE TË OQEANIT...REFLEKSE PËR POETIN, SHKRIMTARIN, PUBLICISTIN ADNAN MEHMETINga MËHILL VELAJ (10.25.2010)
RRUGA E MUNDIMSHME DHE E SUKSESSHME E PIKTORIT ALFRED DADE (10.24.2010)
KUJTIMET E SHPIRTITNga BAKI YMERI (10.23.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]