VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kostot e papërgjegjshmërisë intelektuale të simpatizantëve sovjetikë

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 01:52am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Kostot e papërgjegjshmërisë intelektuale të simpatizantëve sovjetikë
E Djelë, 12.06.2009, 11:53am (GMT+1)

 

 

Një prej episodeve më të jashtëzakonshme në historinë intelektuale të shekullit të Njëzet - nëqoftëse diçka që zgjati një gjysëm shekulli apo më shumë mund të quhet ose jo episod - është mbështetja morale dhe nganjëherë materiale e dhënë nga një pjesë e madhe e inteligjencës perëndimore për tiraninë sovjetike, një tirani që i bëri të gjitha tiranitë e mëparshme të dukeshin jo të rrepta, liberale dhe pothuajse amatoreske në krahasim me të. Njerëz që e gjenin kufizimin më të lehtë të lirisë së tyre të patolerueshëm i ngrinin hosanara abrogimit më sistematik dhe më të koncertuar të lirisë vetjake të provuar ndonjëherë; shumë qenë ata që gjëmonin kokrrën e ullirit, duke lënë që t'u ikte barra e vajit.

 

Nuk ka dyshim se, shpjegimi për këtë fenomen është psikologjikisht dhe sociologjikisht kompleks. Një faktor i cituar rëndom që supozohet se kontribuoi në këtë, qe mosnjohja e situatës reale në Bashkimin Sovjetik: intelektualët qenë për pasojë të aftë që t'i projektonin tek Bashkimi Sovjetik fantazitë e tyre utopike të papenguara nga ndonjë vlerësim i realiteteve të këqija. Megjithatë, ky shpjegim është tërësisht fals. Nuk nënkuptoj as mungesë respekti ndaj figurave kolosale të punës si Alexander Solzhenitsyn dhe Rober Conquest, as të mohoj efektin e tyre aktual historik mbi opinionet e inteligjencës perëndimore, kur them se ata nuk i shtuan asgjë me domethënie morale të thellë materialit që ishte i vlefshëm tashmë në Perëndim në vitet Njëzet e Tridhjetë dhe kjo mund dhe duhet t'u kish mundësuar njerëzve që të formonin një gjykim moral të duhur rreth Bashkimit Sovjetik dhe "eksperimentit" të tij dhe kjo tamam në kohën kur po bënte më të keqen. Gjithçka rreth Bashkimit në atë kohë ishte e njohur, problemi ishte se asgjë nuk u besua. Le të marrim zinë e bukës ukrainase si shembull. Kopertina e librit të Robert Conquest The Harvest of Sorrow, votuar në vitin 1986, thotë se ky libër "do të regjistrojë në ndërgjegjet e Perëndimit një ndjenjë të një ane më të errët të historisë së këtij shekulli" dhe këtë padyshim e arriti. Por më shumë se një gjysëm shekulli më parë, në vitin 1934, gazetari britanik Malcolm Muggeridge, i cili vështirë se mund të dyshohej për paragjykim apo anësi antisovjetike pse shkoi në Rusi me qëllim që të emigronte, duke shpresuar se fëmija e tij i dytë do të lindte si shtetas sovjetik, botoi një libër të quajtur Moscow Winter. Është një rrëfim shumë pak i rregulluar i asaj çka Muggeridge pa në Rusi: shumë pak i rregulluar sa që kur e botoi autobiografinë e tij 38 vjet më vonë, u ndje i aftë që të hiqte pasazhe të tëra pothuajse fjalë për fjalë prej tij, përjashto emrat e karaktereve. Libri, me aq sa kam dijeni, nuk është robtuar ashtu siç u shkrua, ndoshta, sepse përmban pasazhe që janë në mënyrë jo të këndshme e antisemite në ton. Kapitulli i parë i kushtuar zisë së bukës ukrainase fillon kështu: "Lufta e klasave rëndonte si një re e rëndë mbi Kaukazin Verior dhe popullsinë e tij; duke i mbushur fushat me barishte, duke vrarë bagëti e kuaj dhe duke përhapur zi buke dhe trazira kudo. Nën drejtimin e OGPU-së, Ushtria e Kuqe e shkatërroi fshatin. Qindra mijëra fshatarë u përzunë dhe mijëra u vranë. Gjithçka e ngrënshme përveç pak meli dhe patateve u konfiskua nga qeveria. Patatet u numëruan një e nga një sikur të ishin gurë të çmuar". Muggeridge vazhdon, duke treguar historinë e një fshatareje shtëpia e së cilës u vizitua nga ushtarët konfiskues, të drejtuar nga shoku Babel. Bashkëshorti i saj tashmë ishte marrë (bashkë me 19 fshatarë të tjerë) dhe ka mundësi të qe vrarë. Shoku Babel i thotë se është prapa me taksat dhe, pavarësisht lutjes së saj se ajo dhe fëmijët po vdesin nga uria, se ai dhe ushtarët e tij do të kthehen të nesërmen, kur ajo do të pritet që të dorëzojë thasët me grurë. Sigurisht që ky është një kërcënim".

 

Muggeridge përshkruan se çfarë ndodh, pasi shoku Babel largohet: "Fëmijët kishin rënë të flinin. Nuk kishte asgjë për t'ju dhënë kur të zgjoheshin. Asnjë ushqim dhe asnjë shpresë për të patur. Thesi i miellit që ajo e kish mbledhur me aq kujdes dhe që e kish përdorur me aq nikoqirllëk ishte marrë. Ajo shkoi në kasolle dhe kapi një sopatë, një çikë e ndryshkur nga mospërdorimi, por akoma në gjendje goxha të mirë. Gishtërinjtë e saj prekën tehun e sopatës, si për ta provuar atë. Më pas, me goditje të sakta, ajo i theri të tri fëmijët njëri pas tjetrit, duke e bërë këtë punë me kaq mjeshtëri sa që asnjëri prej tyre nuk u zgjua apo të lëshonte ndonjë britmë. E futi çdo fëmijë në thes, e ngjiti thesin dhe sopatën lart dhe i fshehu ato midis hatullave. Të nesërmen, ajo shkoi tek shoku Babel dhe i tha se kish vendosur të bashkëpunonte. Ajo e bindi atë që të vijë bashkë me ushtarët e tij në shtëpinë e saj. Sapo ai po bëhej gati të kontrollonte thasët, ajo ia veshi me sopatën që kish fshehur kinse. Ajo u arrestua dhe u ekzekutua menjëherë". Muggeridge përmend editorialin e gazetës "Pravda" në këtë episod të titulluar "Ne duhet ta rrisim vigjilencën klasore në frontin bujqësor": "Pa i shkulur pa mëshirë të gjithë elementët armiqësorë në fshatra, ekonomia jonë socialiste është në rrezik që të shkatërrohet. Tradhtarët duhet të flaken nga Partia; goditjet tona duhet të bien me ashpërsi në rritje ndaj oportunistëve; armiqtë e klasës duhet të bëhen që ta ndjejnë forcën e plotë të ligjeve tona revolucionare; vigjilenca klasore e gjykatave dhe e prokurorëve duhet të intensifikohet". Një detaj mjaft domethënës dhe realist është se, ushtarët që shoqërojnë shokun Babel janë vetë bashkëpunëtorë të supozuar në krim të fshatares dhe ekzekutohen. Në një kapitull të mëtejshëm lidhur me zinë e bukës, Muggeridge përshkruan se si një korrespondent anglez, Wilfred Pye, i rritur në ortodoksinë e majtë, vendos që të shkojë në Ukrainë për t'i parë gjërat me sytë e vet. Thjesht me fat dhe nga mosvëmendja e autoriteteve, ai arrin që të blejë një biletë të klasit të tretë për Ukrainë. Ndërsa, një i ri në kompartimentin e tij i thotë se nuk ka asnjë zi buke, Pye ha një portokall dhe i flak tej lëkurën. Pasagjerët e tjerë papritmas sulen mbi të dhe e hanë me një frymë. Pasazhi i mëtejshëm është natyrshëm, ai i një njeriu që lufton të përshkruajë diçka aq të tmerrshme që është pothuajse përtej çdo përshkrimi: "Zija e bukës është... krejtësisht speciale. Në njëfarë mënyre, mungesa e ushqimit shkon përtej urisë dhe vendos në secilën fytyrë një lloj paturpësie; një lloj dëshire të ndyrë të hirtë. Mishrat e dhëmbëve të bardhë dhe trupat e rudhur të njerëzve sugjerojnë më shumë një sëmundje konsumuese si puna e leprozës sesa oreks. Ata duken të sëmurë, bile të këqinj, më shumë sesa patetikë. Sytë e tyre janë lakmitarë e të fiksuar dhe nganjëherë duket se shikojnë në mënyrë lakmitare edhe në trupat e njëri-tjetrit. Lëkura e tyre është në mënyrë të panatyrshme e tharë dhe fryma e tyre qelbet dhe është e rëndë si ajri në bodrum". Në mënyrë të rastësishme, kanibalizmi është i mirëkonfirmuar gjatë zisë së bukës dhe duhma e rëndë të cilës i referohet Muggeridge natyrisht që është aroma e ketoneve që emetojnë njerëzit e uritur. Ndoshta për shkak të mospërvojës letrare, por ndoshta më shumë prej fuqisë së pastër të emocionit të evokuar nga përvoja e tij, Muggeridge nuk arrin që t'i përmbahet fiksionit se ai po shkruan prozë. Ai fut pasazhin e mëposhtëm në rrëfim: "Zija e bukës që po lulëzon tani në Rusi është e ndryshme nga çdo tjetër që ka ndodhur deri më tani, pasi është e organizuar nga brenda. Asnjë shkak i jashtëm si moti i keq apo bllokada mund të akuzohet për të. Njerëzit e ndjejnë atë se është një pasojë e korrupsionit nga brenda. Ajo u duket atyre se është e natyrshme tek bolshevizmi dhe një fryt i diktaturës së proletariatit. Ata shikojnë se, diktatura e proletariatit po shtrihet mbi vend si një tufë karkalecash, duke marrë apo shkatërruar gjithçka të ngrënshme dhe duke lënë prapa një tokë të shkretë. Ata dëgjojnë se diktatura e proletariatit, me narcizizëm statistikor idiotesk, e përshëndet lëvizjen e karkalecave si një arritje të madhe, një fitore sublime. Ata... shikojnë në të ardhmen vetëm një intensifikim të mjerimit të tyre aktual". Ai përfundon duke thënë: "Lenini e quante atë një luftë për bukë. Në fakt, është më shumë se një luftë për bukë. Diktatura e proletariatit dërgoi një ushtri për të fituar bukë dhe ajo e shkatërroi atë. Përhapi vdekje, uri dhe shkatërrim kudo".

 

A qe Muggeridge një zë i vetmuar në pyll, një njeri raportimet e të cilit qenë aq kontradiktore me gjithçka tjetër të raportuar nga parajsa e madhe e proletariatit se qe vetëm e natyrshme, që intelektualët e tjerë nuk duhet ta kishin dëgjuar apo marrë seriozisht atë? Nuk jam i sigurtë, nëse përgjigja duhet të ishte "Ahime, jo" ose "Falë Zotit, jo": nga njëra anë, "Ahime, jo", sepse pjesa e madhe e inteligjencës që ishte e vendosur në mënyrë të favorshme ndaj Bashkimit Sovjetik nuk kishte absolutisht asnjë arsye për të mos e besuar Muggeridge dhe, nga ana tjetër, "Falë Zotit, jo", sepse jo çdo njeri që dinte, mendonte, udhëtonte apo botonte libra rreth Bashkimit Sovjetik, u soll sikur të ishte një budalla i fiksuar, më i preokupuar me figurën që do të krijonte midis inteligjencës në vend sesa me realitetin që prekte milionat e panumërta të njerëzve.

Në vitin 1936, Dr. Ewald Ammende botoi një libër, të titulluar Human Life in Russia. Ai nuk u botua nga ndonjë botues i panjohur, dega propagandistike e një grupthi politik ekstremist, por nga Allen and Unwin, një botues librash seriozë. Ammende qe një agronom estonez që kish studiuar problemet agrare ruse përpara revolucionit. Ai kish qenë aktiv në përpjekje për të zbutur zinë e bukës ruse të periudhës 1920 - 1921. Parathënia e librit, e shkruar në vitin 1935, lexon, "Unë jam përpjekur që të zgjidh problemin e sjelljes në vëmendjen e botës të pozicionit të miliona njerëzve të pafajshëm, që janë duke vdekur në numra të mëdha qysh kur filloi kolektivizimi i bujqësisë". Ai vazhdon më tej në parathënie, që të përshkruajë sesi në vitin 1929 kish parashikuar shkallën e katastrofës dhe i kish sugjeruar organizatave evropiane që të përgatiteshin për zbutjen e zisë së bukës në Rusi. Megjithatë, në dritën e vlerësimeve të fryra të eksperimenteve dhe të situatës së përgjithshme në Bashkimin Sovjetik të botuar nga shtypi i shteteve jokomuniste, ky sugjerim u neglizhua. Pak kohë më pas, Ammende vazhdon: "Aktualisht, kur kolektivizimi i Stalinit ka shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve të pafajshëm, kam të drejtë të pyes nëse këto humbje të tmerrshme në jetë njerëzore... mund të qenë shmangur nëqoftëse do të qenë bërë kqyrje në gjendjen aktuale të ushqimit në Rusi". Me fjalë të tjera, shkalla e katastrofës qe e njohur qysh nga fillimi, pothuajse teksa ndodhte, në kohë reale.

 

Fjalët e parë të Human Life in Russia, duke u bërë jehonë saktësisht asaj që kish shkruar Muggeridge, janë si vijon: "Të gjithë vëzhguesit seriozë të kushteve në Rusinë sovjetike janë të një mendimi për sa u përket shkaqeve të zisë së bukës sovjetike. Sipas mendimit të tyre, shkaku i vërtetë nuk duhet të jetë në ndonjë ngjarje natyrore, por në fiaskon e sistemit kolektiv". "Të gjithë vëzhguesit seriozë": më pas në libër ai demonstron se kishte shumë të tillë, jo vetëm ai dhe Muggeridge. Natyra e qëllimshme e zisë së bukës ishte kështu plotësisht e vlerësuar. Për të dhënë vetëm një provë të kësaj (ka shumë), Ammende përmend fjalimin e liderit sovjetik në Ukrainë, Pavel Postyschev: "A duhet të harxhoj fjalë në nënvizimin e faktit sesa gabim është udhëzimi [që fshatarët duhet të lejohen të mbajnë grurë për konsumin e tyre], që i cakton një pozicion dytësor dorëzimit të grurit shtetit, ndërsa të ushqyerit e komunitetit caktohet si i pari? A nuk është prova më e mirë e mundshme, që disa prej komiteteve tona krahinore qenë të influencuara nga interesat e konsumatorëve, duke promovuar kështu interesat klasorë të armiqve tanë në dëm të shtetit proletar? Mundet një indulgjencë e tillë ta fuqizojë sistemin tonë të kolektivizimit? Jo, lufta bolshevike nuk ka vend për një indulgjencë të tillë". Ammende nënvizon se, eksportet e grurit nga Rusia vazhduan gjatë të gjithë periudhës së zisë së bukës. Jo vetëm shkalla, por detajet e tmerrshme të zisë së bukës qenë të njohura për Ammende. Duke e hapur librin në mënyrë të rastësishme - në faqen 101, siç më qëlloi - lexoj sa më poshtë: "Një nënë e vrau djalin e saj të sëmurë pothuajse përpara syve të fshatarëve të tjerë me qëllim që ta hanin". Dhe, me që ra fjala, dëshmia verbale nuk është e mjaftueshme, ka edhe fotografi. Sërish, saktësisht siç e kish përshkruar Muggeridge, fshatarët që ishin larguar drejt qyteteve janë fotografuar se kanë vdekur nëpër rrugë, një pamje aq familjare sa që kalimtarët afër nuk bezdisen për kufomat nëpër qilima. Gjithashtu, ka fotografi trupash lakuriq të gjymtuar që po ngarkohen nëpër karroca për t'u varrosur; të një viktime skeletore të zisë së bukës "në një fushë, i zhveshur nga rrobat prej kalimtarëve të afërt"; të varreve masive; "të viktimave të zisë së bukës, në numra të tillë sa që do të dukeshin si duna" dhe të - ndoshta më e tmerrshmja e të gjithave - një grumbulli të madh kufomash të pavarrosura, të llojit që do të shikohej pësëri vetëm pas çlirimit të kampit të përqendrimit të Belsen (fotografia është riprodhuar në librin e Conquest lidhur me subjektin). Të njëjtat mekanizma me të cilët sovjetikët kërkuan që të mashtrojnë botën dhe mënyrën me të cilën intelektualët perëndimorë dhe, mbi të gjitha, korrespondentët e huaj bashkëvepronin me ta zbulohen me imtësi në librat e Muggeridge dhe Ammende. I dyti, përmend ish-Kryeministrin francez Edouard Herriot, i cili, duke qenë mashtruar në një vizitë të bërë në Bashkimin Sovjetik në një mënyrë aq të trashë dhe transparente sa që do të kish qenë sikur të kish qenë ndaj diçkaje të parëndësishme, lëshoi një tiradë (e përshtatshme sa duhet, duke pasur parasysh atë që do të vinte, në Casino në Vichy): "Zija e bukës ruse, që është përdorur si dordolec frikësues, nuk është gjë tjetër veçse produkti i dyshuar i propagandës hitleriane". Në parathënien e tij, Muggeridge shkruan: "Lajmet nga Rusia janë qesharake, ose janë të siguruara nga njerëz rezidenca e gjatë në Moskë, e të cilëve i ka bërë krejtësisht të nënshtrueshëm, [sepse "gazetarët në Moskë punojnë nën rrezikun e vazhdueshëm të humbjes së vizave të tyre"], ose marrëdhënia e veçantë e të cilëve me diktaturën e proletariatit i vendos fjalët e saj në gojët e tyre". Gjithashtu, Muggeridge na thotë këtë: "Unë e ruaj si kujtim të çmuar spektaklin [e bashkëudhëtarëve nga Perëndimi] që ecnin me optimizëm rrezatues nëpërmjet një zone rurale jashtëzakonisht të uritur; duke u vërdallosur në grupe të gëzuara nëpër qytete të pistë dhe të mbipopulluar; duke dëgjuar me besim të patundur flukset idioteske të guidave mashtruese, turistike shtetërore; duke përsëritur, tamam si nxënës të fillores një tabelë shumëzimi, statistikat e sajuara dhe sloganet e frikshme". Unë për vete e kapa një shikim shumë të vonshëm, rokoko ndaj barokut të Muggeridge, të këtij fenomeni në Shqipëri dhe në Korenë e Veriut. Por Muggeridge qe larg nga të qenit i pari, që të ketë vëzhguar dhe shkruar rreth kësaj. Për shembull, Joseph Douillet në librin e tij Moscou sans Voiles: Neuf ans de travail au pays des Soviets, të botuar në Paris në vitin 1928, vërente një gjë shumë të ngjashme. Ai kish qenë konsulli belg në Rusi dhe kish kaluar aq shumë kohë në atë vend, sa që ishte pothuajse më shumë rus sesa belg. Ai thotë: "Qeveria sovjetike, gjatë viteve të fundit, ka ndjekur në mënyrë metodike një fushatë në rrethet e punëtorëve në Perëndim për t'i ftuar ata që të vizitojnë në grupe Rusinë sovjetike, duke ju ofruar atyre viza të lehta, transport të lirë dhe privilegje të tjera tërheqëse. Sovjetikët deklarojnë se, vetëm një vizitë personale nga punëtori i mundëson atij që të kuptojë sesa false dhe të pamerituara janë sulmet në shtypin kapitalist, që flasin për pakënaqësi të popullit rus, për kolaps dhe varfëri të vendit nën regjimin sovjetik. Qëllimi i kësaj fushate është si vijon: delegacioneve të huaja u tregohen një seri fabrikash, spitalesh, qendrash shëndetësore, azile pleqsh, të zgjedhura me kujdes dhe të organizuara në mënyrë skrupoloze më parë, me synimin e demonstrimit të përsosmërisë së institucioneve të tilla në Bashkimin Sovjetik". Ai vazhdon që të na japë shembuj të naivitetit idiotesk të vizitorëve të huaj. Ajo çka është e vërtetë e falsitetit të regjimit sovjetik dhe zisë së bukës ukrainase - që ato qenë të njohura mirë dhe të vlerësuara qysh nga fillimi - është gjithashtu e vërtetë për të gjitha aspektet e tjera të fshehta të regjimit. Për të dhënë vetëm një shembull të mëtejshëm, atë të instinktit vrastar që bolshevikët e shfaqën nga fillimi i sundimit të tyre, ai u regjistrua nga historiani i respektuar, Sergey Petrovich Melgounov, libri i të cilit, The Red Terror, u botua në gjermanisht në vitin 1924 dhe në anglisht në vitin 1925. Nuk pretendoj se, qe e para e një ekspozeje të tillë; nuk qe. Ama demonstroi përtej çdo dyshimi të mundshëm, se brutaliteti i bolshevikëve qe në magnitudë disa herë më i lartë se ai i regjimit carist - për të cilin, me që ra fjala, Melgounov nuk kish asnjë simpati. Edhe sikur vetëm një e dhjeta e asaj çka Melgounov deklaronte të ishte e vërtetë (dhe rezultoi se ai e nën më shumë sesa e mbivlerësoi instinktin vrastar), kjo do ta kishte vënë regjimin sovjetik në një plan moral goxha më të ulët se ai i regjimit që i kish paraprirë atij dhe që kish ngjallur përbuzjen e përqendruar të inteligjencës evropiane për shumë vjet.

 

Në një mënyrë të rastësishme, kam koleksionuar gjatë viteve shumë libra rreth Bashkimit Sovjetik të botuara në Britani, Francë dhe Amerikë, gjatë viteve Njëzet dhe Tridhjetë. Ata nuk janë në asnjë mënyrë fuqimisht prosovjetikë, me tituj të tillë si Soviet Russia Fights Crime, The Protection of Women and Children in the Soviet Union dhe Soviet Russia Fights Neurosis (në të cilin, i botuar në kulmin e zisë së bukës, gjenden fjalët e pavdekshme: "Vlerat më të larta dhe më të gjera të diktaturës psikologjike janë psikologjike dhe shpirtërore"); në të kundërt, shumë prej këtyre librave japin dëshmitë më bindëse të të gjitha tmerreve të Bashkimit Sovjetik, të gjitha tani të provuara dhe të pranuara se janë të vërteta. Koleksioni im i vogël më ka çuar në konkluzionin se Bashkimi Sovjetik çmohej nga intelektualët bashkëkohorë jo për omletin, por për vezët e thyera. Ata mendonin se, nëqoftëse asgjë e madhe nuk mund të ndërtohej pa sakrificë, atëhere aq më e madhe duhet të ishte për të ndërtuar diçka të madhe. Sovjetikët patën kurajën e abstraksioneve të tyre, të cilat shpesh janë aq shumë më të rëndësishme për intelektualët sesa qeniet njerëzore të gjalla që marrin frymë.

Libri më i fundit i Anthony Daniels është "In Praise of Prejudice" (Encounter Books). Ai u lind në vitin 1949, pasi u diplomua si doktor, ai punoi në atë që ishte dikur Rodezia, pasuar nga Afrika e Jugut, përpara se të kthehej për një trajnim 3-vjeçar si psikiatër në East End e Londrës. 3 vjet e gjysëm në Gilbert Islands u përzien me disa ecejake jugafrikane dhe më pas, midis viteve 1984 dhe 1986, ai punoi në Tanzani. Libri i tij i parë, Coups and Cocaine, u pasua nga Fool or Physician, i nënquajtur "kujtimet e një doktori skeptik". Zanzibar to Timbuktu, udhëtimi i tij nëpër frikë me transport publik, u botua me bujë të madhe në vitin 1988 dhe qe një kandidat në Thomas Cook Travel Book Award.

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Armin Tirana


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Londra qyteti i simboleveNga DAVID HAMBLING (12.04.2009)
Një alarm i mirë nga NASA për vitin 2012 (12.01.2009)
Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit/Dy gabimet e mrekullueshme të Nënë TerezësNga David Van Biema, TIME MAGAZINE (11.28.2009)
Medvedevi para pasqyrës, sheh në të Putinin (III)Nga Teodo LAÇO (11.27.2009)
Si i përballoi Putini prapaskenat e oligarkëve të padëshirueshëm (II)Nga Teodor LAÇO (11.26.2009)
Si erdhi Putini në krye të RusisëNga Teodor Laço (11.24.2009)
Ismail Kadare: Letërsia dhe jeta, dy botë në luftë (11.23.2009)
POPULLI I ËNDËRRAVE (11.20.2009)
Revolucioni i mëndafshtë në Çekosllovaki - Figura kyçe Vaslav Havel (11.18.2009)
Numra & simbole (Triptik) (11.14.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]