E Hënë, 04.29.2024, 05:52am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

PRESIDENTI TOPI NDEROI NJAZI DHE MEFAIL BIÇAKUN (PAS VDEKJES) DHE BESIM NDREGJONIN

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së viktimave të Holokaustit


E Shtunë, 01.28.2012, 12:38pm (GMT+1)

 


Voal-online TIRANË, 28 janar 2012 - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së viktimave të Holokaustit, çmoi lart dhe shprehu respektin e thellë për Njazi dhe Mefail Biçakun (pas vdekjes), për humanizmin dhe trimërinë e rrallë të treguar prej tyre në mbrojtje të jetës së 26 hebrenjve në Shqipëri, duke i shpëtuar nga përndjekja dhe terrori nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me këtë rast, Presidenti Topi dekoroi edhe aktivistin e shquar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri, zotin Besim Ndregjoni.

Në një ceremoni solemne të organizuar me këtë rast në Presidencë, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve presidenciale, Kryetari i Shtetit Shqiptar i dorëzoi medaljet "Për Merita të Veçanta Civile" përfaqësuesve të familjes Biçaku dhe Presidentit të Shoqatës së Miqësisë Elbasan-Izrael. Për të theksuar më tej vlerësimin për ndihmën dhe përkrahjen që familja Biçaku, por dhe shqiptarët në përgjithësi, u kanë dhënë hebrenjve gjatë periudhës tepër të vështirë të Luftës së Dytë Botërore, Presidenti Topi u shpreh: "Ceremonia e sotme ka një simbolikë të veçantë. Shqipëria i bashkangjitet sot të gjitha vendeve demokratike në botë që përkujtojnë 27 janarin, Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për viktimat e Holokaustit. Kudo sot nderohen ata miliona qytetarë të pafajshëm, viktima të një prej regjimeve më brutale që ka njohur njerëzimi. Shqipëria i përkujton në mënyrë të veçantë: duke nderuar me medalje nderi një prej atyre dhjetra familjeve qytetare shqiptare që në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore, me humanizëm dhe ndjenjë të lartë fisnike ia dolën të strehojnë dhe shpëtojnë jetët e 26 qytetarëve hebrenj.

Gjithashtu sot, ne i bashkohemi Ditës së Kujtesës për të kujtuar e nderuar akte të guximshme të disidencës dhe qëndresës antikomuniste në Shqipëri. Si një vend ku diktatura pati një bilanc tragjik përndjekjesh politike, ku regjimi i shpalli luftë mendimit të lirë, qytetarëve të lirë deri dhe besimit në Zot, Shqipëria mbetet shembull unikal persekutimi. Më shumë se dy breza qytetarësh u provuan në jetën e tyre, me mijëra të pafajshëm përfunduan në gjyqe speciale, mijëra të tjerë u vranë, dhe shumëfishi i tyre u izolua në kampet e punës dhe të internimit. Për një vend të vogël dhe me një jetë të dominuar nga sakrificat për mbijetesë, krimi komunist solli humbje shumëfishe në jetë njerëzore, në vlera, në kulturë dhe në mentalitet.

Sot mesazhi ynë është nderimi për vuajtjet dhe sakrificat, nderimi për ato familje shqiptare që me aktet e tyre humane i dhanë nder vetes dhe Shqipërisë, nderimi për ato familje të tjera shqiptare që me kurajo e fisnikëri iu kundërvunë regjimit komunist, por edhe nderimi për të gjithë ata qytetarë shqiptarë, të cilët direkt ose indirekt, ishin viktima të pafajshme të diktaturës. Duke nderuar ne kujtojmë, sjellim ndërmend tragjedinë e këtij vendi, ndihmojmë të vendosim drejtësi morale dhe t'u dëshmojmë brezave të rinj vlerën e madhe të njohjes së të kaluarës, për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e saj.

Në Ditën e Kujtesës kemi rastin të nxjerrim në pah modele pozitive tek të cilat qëndron fuqia e një shoqërie, e cila edhe në ditët më të vështira të saj nuk e humbi humanizmin dhe vlerat e saj qytetare. Familja Biçaku është simbol i kësaj vlere humane. Ata nuk mund ta dinin sesi do të ishte Shqipëria 60 apo 70 vite më vonë, por ata e dinin se mbrojtja e jetës së 26 qytetarëve hebrenj ishte një detyrim dhe përgjegjësi morale, të cilën e përmbushën me dinjitet. Akti i tyre dëshmoi lidhjet e forta të miqësisë dhe solidaritetit të shqiptarëve me hebrenjtë, dy popuj me një kalvar sakrificash për lirinë e tyre.

Kjo ditë, simbolika e saj, figurat që nderohen dhe prania juaj këtu, janë edhe dëshmi e një klime dominuese respekti për viktimat e sistemit totalitar në Shqipëri, si dhe e plagëve ende të hapura që mban shoqëria shqiptare në raport me të kaluarën. Shteti e shoqëria shqiptare u ka përjetë borxh atyre që sakrifikuan jetët e tyre për demokracinë dhe aspiratat tona evropiane e perëndimore. Gjatë mandatit tim presidencial kam pasur fatin që të nderoj shumë emra ish-të përndjekurish duke ndihmuar sa të jetë e mundur në pasurimin e kujtesës historike për një ndarje të drejtë dhe të denjë me trashëgimitë e së kaluarës. Së fundi, edhe njëherë dëshiroj të shpreh mirënjohjen time publike për të gjitha ato familje shqiptare që ndihmuan në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe për të gjithë plejadën fisnike të ish-përndjekurve politikë. Ju faleminderit!"

Gjithashtu, gjatë kësaj ceremonie zyrtare në Ditën e Kujtesës, e cila shërben edhe për të rritur ndërgjegjësimin për parandalimin e krimeve ndaj njerëzimit, nga Presidenti i Republikës u vlerësua me Urdhrin "Mjeshtër i Madh", zoti Besim Ndregjoni, me motivacionin: "Për kontribut të rëndësishëm si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për integrimin dhe mbështetjen e shtresës së të përndjekurve politikë; për veprimtari të çmuar në evidentimin dhe demaskimin e krimeve të regjimit komunist."

Duke falenderuar Kreun e Shtetit shqiptar, zoti Ndregjoni theksoi: "Shkëlqesi, President i Republikës! Të nderuar bashkëfamiljarë që kemi mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore si familja Biçaku dhe familja Ndregjoni e Dibrës, pinjoll i së cilës jam edhe unë! Të nderuar bashkëvuajtës, që kaluam kalvarin më të egër dhe më dramatik të jetëve njerëzore në një regjim diktatorial, pasojat e të cilit po i vuajmë edhe sot! Ndihem krenar për vlerësimin që më keni bërë, por më shumë ndihet krenare familja ime që unë si pinjoll i familjes Ndregjoni, ndoqa rrugën e humanizmit të familjes sime. Përballova regjimin më diktatorial dhe ka njëzet e një vite që punoj për dokumentimin e krimeve të komunizmit. Sigurisht që dekorata është vlerësim, por ju siguroj zoti President, i siguroj pjesëmarrësit dhe nëpërmjet mediave, të gjithë shoqërinë shqiptare, se sa të kem frymë do të punoj për liritë dhe të drejtat e njeriut. Sa të kem frymë do të punoj për mbrojtjen e jetëve njerëzore, ku ne shqiptarët kemi virtytin më të lartë që nderohet në botë. Na nderon bota demokratike, na nderon e gjithë shoqëria botërore. Prandaj edhe njëherë ju falemnderit! Unë do të jem ushtar i popullit tim në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Rroftë Shqipëria dhe krenari që kemi një President të tillë që vlerëson vlerat e një kombi!"

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JOHANNA NEUMANN KUJTON HUMANIZMIN SHQIPTAR GJATË NAZIZMITNeumann: Nuk gjenden fjalë lavdërimi për ata që shpëtuan hebrejtë me çdo çmim, përfshirë Mustafa Kruja, i cili ishte në dijeni të kësaj situate (01.27.2012)
SHËNOHET DITA E PËRKUJTIMIT TË HOLOKAUSTIT (01.27.2012)
SHBA: OBAMA THOTË SE E KA URDHËRUAR SULMIN NË SOMALI (01.26.2012)
BERISHA: "BISEDA IME ME NDREA PRENDIN NË ZYRËN TIME MË 21 JANAR"Intervistoi ÇIM PEKA (01.26.2012)
ZEMËR GJIGANTE PREJ DYLLI PËR NDER TË VACLAV HAVELIT (01.26.2012)
MBRËMJE ME RASTIN E 20 VJETORIT TË THEMELIMIT TË EUROBIBUSit (01.26.2012)
Fjala e Dr. Ali Berisha, Kryetar i Komunës së Pejës, në Akademinë Përkujtimore kushtuar Nazmi Lukajt"NAZMI LUKAJ, PRIJËS I MADH I FJALËS SË LIRI DHE GUXIMIT TË GAZETARIT" (01.25.2012)
SHBA: U PUBLIKUAN XHIRIMET SEKRETE TË XHON KENEDIT (01.25.2012)
ANGELINA JOLIE MEDIAVE SERBE: JENI BËRLLOK (01.25.2012)
"ARTIST", "HUGO" PRIJNË ÇMIMET E SIVJETME OSKAR (01.24.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]