E Premte, 04.26.2024, 08:09am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

GJAKMARRJA KA PERËNDUAR ME KOHË E ME VAKT

Nga ÇAPAJEV GJOKUTAJ


E Hënë, 07.02.2012, 07:26am (GMT+1)

Dy-tri javët e fundit mediat lakuan gjatë e gjerë emrat gjakmarrje, kanun, ngujim etj. Si shkak shërbeu vrasja e një 17-vjeçareje, që rrënqethi publikun sa me historinë tragjiko-absurde të vdekjes, aq edhe me fotografinë e vetme që u publikua: një adoleshente me fytyrë engjëllore e vështrim ëndërrues. Siç është e natyrshme, orteku mediatik për engjëlloren Marie po resht dhe, me gjasë do të pasojë një stinë e mërzitshme informative. Vrasje të tjera të kësaj natyre do të zënë një kënd në faqet e kronikës, në pritje të spektakolares dhe rrënqethëses, asaj që sërish do të zgjojë emocione publike dhe do të na shtyjë të lakojmë prapë emrat gjakmarrje, kanun, ngujim etj..

Në fakt, gjakmarrja ka perënduar me kohë e me vakt. Ajo që përmendet në media s'është veçse fantazma e saj. Kur thotë fantazmë, materialisti nënkupton një sendërgji, d.m.th. diçka të trilluar që i takon fantazisë dhe nuk gjendet në realitet. Gjakmarrja nuk është fantazmë e këtij lloji. Ajo i ngjan lugatit, i cili merr trajtën e jashtme që ka patur i vdekuri kur ishte gjallë dhe bredh netëve nëpër fshat për të bërë zullume. Që të jesh më i saktë, mund të thuash se gjakmarrja është një formë ligjërimore që, e zhveshur nga përmbajtja e mëparshme, endet poshtë e lart ligjërimit publik, duke çmeritur njerëzit me përzierjen zombike: edhe e vdekur, edhe e gjallë. Gjallon vetëm përbërja tingëllore e fjalës gj+a+k+m+etj., por brendia ka vdekur me vakt e me kohë.

Kuptimi klasik i fjalës gjakmarrje është zhbërë. Ajo ka reshtur së qeni një instrument shoqëror që disiplinonte vrasjet, kufizonte keqbërësin dhe lehtësonte bashkësinë. Kjo, që për forcë zakoni mediat e quajnë gjakmarrje, s'është veçse një vrasje barbare dhe primitive që bëhet jo sipas rregullit kanunor, por si ia do qejfi individit; një krim që lehtëson keqbërësin dhe penalizon bashkësinë.

Që lexuesi ta perceptojë më lehtë se si gjasme gjakmarrja e sotme penalizon bashkësinë, mjafton të kujtojë ngujimin që, në aspekt shoqëror, është plaga më e rëndë e kësaj dukurie surrogato. Mbyllen në shtëpi për vite të tëra, gra e burra, pleq e fëmijë, se gjaksi ia lehtëson detyrën vetes: mund të vrasë këdo nga fisi i hasmit, paçka se kanuni, në emër të të cilit vepron, s'e lejon të vërë dorë mbi gratë dhe fëmijët. Vështirësohet jeta e bashkësisë, për t'i krijuar liri pa cak keqbërësit. Instrumentat shoqërorë, siç ka qenë dikur edhe gjakmarrja, kanë funksion të kundërt: lehtësojnë jetën, lehtësojnë bashkësinë dhe kufizojnë e ndëshkojnë keqbërësin.

Ndryshime që kanë ndodhur në jetën e malësive si: liria e lëvizjes, mundësia e çdokujt që të krijojë jetën, të bëjë shtëpi e prokopi ku të mundë, madje edhe jashtë vendit; zhdukja e institucioneve gjykuese e shtrënguese si pleqësia, kapidani, bajraktari etj e kanë zhveshur nocionin gjakmarrje nga çdo funksion shoqëror dhe e kanë katandisur një fjalë boshe, një zhguall tingëllor ku strehohet instinkti i vjetër e primitiv i hakmarrjes.

Kjo është krejt e natyrshme, mund të thuash, dukuritë evoluojnë, nuk mund të jenë denbabaden e njëjta gjë. Por këtu nuk kemi kurrfarë evoluimi. Kur përdor fjalën evoluim, ke parasysh diçka që ndryshon duke shënuar progres. Evoluimi i vertebrorëve p.sh., shënon ngjitje nga njëra klasë te tjetra, nga amfibët, te rrëshqanorët, te peshqit, zogjtë e pastaj gjitarët. Në rastin e asaj që sot, për forcë zakoni e quajmë gjakmarrje, kemi vërtet ndryshim, por jo evoluim, në të kundërt kemi degradim.

Aman se na lodhe me këto filozofime, mund të thoshte komshiu im, e keqja s'është te fjala, po tek ajo që po ndodh rreth nesh. Natyrisht e keqja është shumëdimensionale, ajo që vazhdojmë ta quajmë gjakmarrje ekziston në realitet, hap plagë, derdh gjak e shkatërron jetë njerëzish. Parandalimi i saj kërkon kundërveprime konkrete e reale, kërkon politika të menduara e projekte të fuqishme. Reformimi i ligjërimit publik për gjakmarrjen është vetëm një prej këtyre politikave, natyrisht jo më e rëndësishmja, por gjithsesi me ndikim.

E ç'e keqe vjen nga fjala, do të nënqeshte komshiu im, e ka thënë edhe Shekspiri: trëndafilit mund t'i vësh çfarë emri të duash, po aromën s'ia ndryshon dot. Në fakt gjuha nuk është një veshje e thjeshtë e asaj që ekziston në realitet. Strukturat e saj, përcaktojnë ndjeshëm strukturat e përfytyrimit tonë për realitetin. Rrjedhimisht, përcaktojnë sjelljen tonë, veprimet që ndërmarrim për ta përballuar realitetin. Nëse quan gjakmarrje një krim ordiner, një vrasje primitive prej burracaku, ndikon sadokudo kundërveprimet ndaj saj. Çdo krahasim çalon, por kjo ka pasoja të ngjashme me ato që ndodhin kur mjeku ngatërron diagnozën. Vetëkuptohet se ç'ndodh me pacientin që mjeku e kuron për grip, ndërkohë që ai ka tifo.

Problemi i gjakmarrjes në ligjërimin tonë publik, nuk është një problem thjesht gjuhësor. Keqkuptimi nis me gjuhën, por bitis me robin, me kategori të tëra njerëzish të cilët, jo thjesht për inerci janë të prirur që vrasje primitive e ordinere t'i sublimojnë duke u vënë etiketën gjakmarrje. Ai që vret, kapso gjaksi qetëson veten dhe justifikohet para familjes e fisit. Polici, gjykatësi etj. justifikojnë inkompetencën profesionale duke thënë se s'është një vrasje ordinere, por një zakon i stërlashtë, tejet i ndërlikuar etj. etj.. Gazetari perëndimor e përdor gjakmarrjen si burim ekzotizmi e aromë orienti për të grishur lexuesin duke i servirur çudinë: këtu, në oborrin e pasëm të Europës gjendet një popull primitiv. Qindra emigrantë e përdorin si mjet për të fituar azil: zakon i egër, rrezikoj jetën po qe se më riatdhesoni. Disa shoqata dhe ca OJQ-istë e përdorin si burim fitimesh, qoftë nga donatorë të huaj, qoftë nga hallexhinj që u duhet një vërtetim për t'u lehtësuar udhët e kurbetit.

Komshiu im prapë do të buzëqeshë me ironi e do thotë: Ç'na hyjnë në punë stërhollimet intelektuale të tipit s'është gjakmarrje por sendërgji, s'është realitet, por formë boshe që endet në ligjërim si fantazmë. Po vrasjen e Maries, si ta quajmë? Sendërgji?...

Ndjesë për përsëritjen, dalim shumë më të fituar po qe se rastin e Maries dhe dhjetëra raste të tjera nuk i shohim si gjakmarrje, po u vëmë emrin e vërtetë dhe fare të thjeshtë: vrasje ose krim i vrasjes. Në rrafsh juridik fjala krim gërsheton dy kuptime bazë dhunim ligji dhe ndëshkim. Ekziston një parim juridik universal i shprehur në formulën nullum crimen sine lege, që shqip thuhet s'ka krim pa ligj. Për rastin që po diskutojmë mund të thoshim, që të përcaktosh dhe dënosh krimin duhet t'i referohesh një ligji; ose kodit penal ose kanunit. Po iu referove të dyve, rezultati formalisht strukturohet në gjedhin ose...ose..., d.m.th. ose me ligj ose me kanun. Realisht rezultati mund të zbresë në as ...as..., d.m.th. as me ligj as me kanun.

Në rrafsh juridik, të paktën formalisht ky problem është i zgjidhur. Kodi Penal e klasifikon gjakmarrjen krahas krimeve të tjera dhe shënon në mënyrë eksplicite se vrasja e kryer për interes, hakmarrje apo gjakmarrje, dënohet me burgim jo më pak se 25 vjet ose me burgim të përjetshëm. Tjetër punë se në realitet, kur hyn në labirinthet e praktikave gjyqësore, rastis që krimi i vrasjes merr dënime qesharake, siç e thonë titujt e disa lajmeve botuar vetëm muajt e fundit: Skandali i radhës në drejtësi, dënohet vetëm me 1.5 vite burg për vrasjen e një 24-vjeçari që i gërvishti pa dashje makinën; Vrau mikun për pëllumbat, dënohet vetëm me 10 vjet izolim; Shtatë thika në syrin e gruas, dënohet vetëm me dy vjet burg. Në raste të tilla, vetëgjyqësia s'i ka rrënjët te zakoni primitiv, por te institucionet tona moderne.

Gustave Le Bon duke u marrë me funksionet e fjalëve që megjithëse ndryshojnë kuptim, ruajnë të njëjtën përbërje tingëllore, flet edhe për një grup syresh, të cilat bashkë me kuptimin e mëparshëm humbasin fuqinë shprehëse dhe s'arrijnë më të ngjallin ndonjë reaksion në mendjet e njerëzve, shndërrohen në tinguj bosh, funksioni themelor i të cilëve bëhet të çlirojë përdoruesin nga obligimi i të menduarit. Me gjasë i tillë është funksioni që po merr fjala gjakmarrje në ligjërimin e sotëm publik, të na adresojë nga zakoni, nga e shkuara dhe të na çlirojë nga detyrimi për të analizuar e vepruar.

Nëse do të flasim për krimin e vrasjes duke lënë mënjanë retorikën me gjakmarrje, zakon e kanun, do ta kemi më lehtë të hyjmë në rrënjët e dukurisë dhe të nxjerrim në pah jo detajet dhe ngarkesat emocionale, por shkaqet e vërteta. Kështu bëhet më e lehtë që ligjërimin ta fokusojmë në çështje thelbësore si prapambetja dhe varfëria e zonave malore; mungesa e projekteve të zhvillimit; roli i munguar e thuajse inekzistent i shtetit; kohezioni social tej mase i dobësuar; ndikimi fare i zbehtë dhe, hera-herës, karikaturial i shkollës, OJQ-ve dhe institucioneve fetare etj. etj. Mungesa të tilla konvergojnë në një pikë: ulin cilësinë e jetës, e bëjnë atë mall skarco që mund të shkatërrohet e ndërpritet pa shumë mëdyshje. Gjithsesi, mos pyet se për kë bie këmbana...

ÇAPAJEV GJOKUTAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JO GJITHË TË VDEKURIT PREHEN NË PAQËNga PËLLUMB KULLA (07.01.2012)
DY FJALË NGA AUTORJANga ELIDA BUÇPAPAJ (06.30.2012)
POEZI E FRYMËZIMEVE NEOIMAZHISTE, E TUNDIMEVE SIMBOLISTE DHE E REBELIMEVE TRONDITËSE SUREALEPër librin poetik "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT" të ELIDA BUÇPAPAJTNga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.30.2012)
BAMIR TOPI: KOSOVA ËSHTË NJË DHE E PANDASHME (06.29.2012)
MBROJTJE DHE PENGESË-Gjeografi… nga vendlindja-Nga ZEQIR LUSHAJ (06.29.2012)
"New York Times": TREGU I ZI I ORGANEVE NJË FENOMEN I RI NË SERBI (06.29.2012)
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT" (06.29.2012)
DEPUTETËT E KOSOVËS JANË RRAHUR ME NJËRI TJETRIN NË MJEDISET E KUVENDIT - KDI REAGON (06.28.2012)
VIDOVDANI DHE POLITIKA MITOMANE E SERBISË (06.28.2012)
VIDOVDANI I INCIDENTEVE ME 32 POLICË TË PLAGOSUR (06.28.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]