25 Prill 1993...
Në Token e Bekueme Shqipni, Atdheun e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, n' Atë
shkamb ku Shqipja Dykrenare me kthetrat e veta ka shkrue Epopenë ma të
lavdishme të qendresës sa shekullore të Atdhetarizmit Shqiptar dhe të Fesë
Katolike, perballë Gjenocidit osman para vitit 1912 dhe atij sllavokomunist
mbas vitit 1944 e deri në vitin 1991, atëherë, kur Bota rrotullohej ndaj një
Ylli ndriçues polak me emnin Karol Vojtila, i njohun si Papë në Vatikan me
emnin e Shenjtë Gjon Pali II, edhe Atdheu i Shqipeve ndriçohej me lutjet e Tija
të vazhdueshme dhe me një perkushtim të veçantë. Janë uratët e një
bashkvuejtësi si na nën zgjedhen e pashpirtë të diktaturës komuniste. Janë
thirrjet e Atij Burri të njohun e trim, i cili do të lanë në fletët e historisë
nen emnin Papa Gjon Pali II, tri fjalë: "Mos keni frikë!"
Ai asht lé me emnin Karol Jozef Vojtila me 18 Maji 1920 në Wadovicë të
Polonisë, dhe asht shugurue meshtar në nandor të vitit 1946, kur Polonia ishte
e pushtueme nga trupat stalinjane bolshevike të sovjetikëve. Asht zgjedhë Papë
në Vatikan me 16 Tetor 1978, ora 17,15'. Asht autor i mbi 70.000 faqe t'arta
dorshkrime. Vepra e parë e Tij titullohet: "Të kapercejmë pragun e shpresës"...
Asht idea e Tij që e ka shoqnue gjithë jeten...Asht hapi i vendosun me siguri e
besim në Kalvarin e gjithë jetës! Ai hapi një epokë të re per Kishen Katolike
Botnore me tri vizitat e Tija në vitin 1979, me 2 Qershor në Krakov të
Polonisë, ku marrin pjesë në Meshen e Tij të Parë si Papë mbi 2 miljon polakë.
Nisë udhtimin me 2 Tetor në ShBA, ku mban një fjalim të randsishem në OKB,
"Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe liria e Fesë" dhe, vizita e tretë në
Turqi, me 28 Nanor, ku takohet me Patriarkun e Konstantinopolit Dimitri I, në
Al Fanar, udhtime që hapin atë Histori të papersëritëshme!
Papa Gjon Pali II ka rivendosë mardhanje diplomatike me Anglinë, ShBA, Izraelin
dhe Organizaten per Çlirimin e Palestinës.
Lidhjet e Tij me Shqipninë janë të
veçanta.
Ai ka provue diktaturen naziste, komuniste, atentatin e Mehmet Ali Agxha, me
dt. 13 Maji 1981...dhe ka vizitue mbi 180 shtete të botës...po nuk ka harrue
asnjëditë Shqipninë e Martirizueme nga Gjenocidi sllavokomunist i osmanllinjëve
E. Hoxha e R. Alia, të njohun si terroristët ma perbindësh të Shek XX në
Europë...
Shkoder, 25 Prill 1993...
Koha provoi gjithnjë se njeriu ma i kërcnuem i shekullit XX ishte Gjon Pali II,
se Ai luftoi totalitarizmin, varfëninë e Botës së tretë, kerkoi edukimin e
arsimimin e fëmijëve të kontinenteve të shtypuna nga kolonizatorët, Ai punoi në
mënyren ma të guximshme per shpartallimin e Perdes së Hekurt, dhe u angazhue
per transformimin e Europës Lindore komuniste në vende të lira dhe demokratike.
Ai kishte forcë dhe pushtet në politikë pa hy në politikë...luftoi abordin dhe
ishte i premë në qendrimet morale. Në të gjitha takimet me rininë Ai predikoi
rrezikun dhe pasojat e shemtueme të drogës, imoralitetit, korrupsionit dhe
mënyren se si rinia duhet të luftojë per të Drejtat e Njeriut, demokraci e liri
të vertetë.
Në 17 nandor të vitit 1985, Papa Gjon Pali II, i dergoi dy letra personale në
takimin e randsishem të Gjenevës, Ronald Reagan dhe Mihajl Gorbaçov...
Ai erdhi si Papë me ide, bindje,
qellime të kjarta dhe guxim për me i zbatue ata.
Ai ishte gjenialitet i rregullimit të një Bote të trazueme ku mbet simbol i një
Epoke të Re, me mjetet ma paqsore, ku "Liritë dhe të Drejtat e Njeriut"
triumfuen mbi diktaturat, sepse Papa Gjon Pali II, ishte antikomunist,
progresist, iluminist, humanist, kundershtoi me forcë kapitalizmin e eger,
varfninë perballë pasunimit të pandershem, diskriminimin e njeriut, tue fillue
nga muret mbrenda familjes, u perball me komunizmin dhe e shembi até tue këputë
telat me ferra rrethues e bashkë me ta, tue rrëzue edhe Murin e Berlinit.
Pikërisht në këte moment historik të shoqnisë njerzore të robnueme të Evropës
Lindore, Vojtila i zbërthen prangat e tiranisë komuniste me tri fjalë të vetme
e të sakta: "NON ABBIATE PAURA !", "MOS KENI FRIKË !" sëpse, njeh parimin
filozofik të historisë: "Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA
!" dhe, menjëherë mbas takimit me R.Reagan në Qershor 1987, Vojtila shpartallon
komunizmin me Kristjanizëm... pra, pa gjakderdhje dhe me paqë, por jo, me paqë
nën kamxhik dhe kallashnikov...
Ai erdhi në Selinë botnore dymijvjeçare të Katoliçizmit tue sjellë me vete
sekretin e madhështisë së Tij, sekret të cilin, askush nuk mujti me e kuptue
para Tij: "Komunizmit totalitar Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut".
Suksesi i madh i Tij qendron në zberthim dypalësh, atë të ndergjegjes së ndrydhun
dhe shpartallim të prangave të tiranisë komuniste.
M. Gorbaçov ka pohue: "Pa Papen Karol Vojtila, komunizmi nuk do të kishte ra!"
Asnjë nga takimet historike nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret,
nëndetëset apo zonat e fluturimeve kozmike por në dhomën e pritjes së Papës
Gjon Pali II, në një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të
ndritëshme siç ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer... që posa
lidheshin Burrnisht njena me tjetrën tue u shikue drejtë në sy: "Nënshkruenin
marrveshje paqe e dashunije të pakufi për mbarë Njerzimin!"
Ja, pra, Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila, që ndryshoi Historinë e mbarë
Botës!
Ra Muri i Berlinit! Ra sistemi komunist terrorist nderkombtar! Ra perjetë
tirania!
U rrëzuen pergjithmonë diktatorët e bashkë me ta edhe "përmendoret" e tyne!
"Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni..."
Atë ditë me 25 Prill 1993, kur Papa Gjon Pali II, po hynte fitimtar në
Katedralen e rindertueme të Shkodres, ditë në të cilen Ai puthi Token Shqiptare,
Token e rijtun me shekuj me gjakun e Shenjtë të mija Martirëve Shqiptarë, e së
fundit të ramë nën shpaten anadollake komuniste e barbare, na dukej e
pabesueshme se jemi tue pa me sy Burrin ma të madh të Shekullit që me doren e
Tij, po na bekonte e po na ringjallte Fenë në zemrat Tona!
Ishte po Ai Papë që në qershorin e vitit 1991, Burrnisht kishte refuzue
kerkesen e tradhëtarit dhe zbatuesit të "Revolucionit Kultural" Ramiz Alia, në
vitin 1967 në Shkoder, per me vizitue Vatikanin, me shpresë mashtrimi per me
ruejtë postin e presidentit.
Ai Papë ishte që porsa mërrijti i dhuroi Qytetit të Shkodres Fuguren e Zojës së
Këshillit të Mirë dhe e vendosi me doren e Tij, tue e bekue Gurin e rindertimit
të Kishës së Zojës brijë Kalasë Rozafat, për të treten herë e shkatrrueme mbas
1967 nga anadollakët. Mesazhi i Tij ishte: "T'i kthehet vendit dhe Popullit
Tuej paqa, një jetë ma e mirë dhe zhvillimi social simbas traditave njerzore e
fetare të kësaj tokë" (26 Prill, Vatikan).
Ky ishte Polaku Vojtila, që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë për
lëvizjet demokratike atje deklaroi: "Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin
kufinin polak, unë do të çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue atje për
Lirinë e Atdheut tim!"
Papa Gjon Pali II asht njohësi ma i saktë i Shqipnisë robnueme komuniste dhe
per këte t'i referohemi Atij: "Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim
Vllazënor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashkjetojnë këtu prej
shekujsh: Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve, u
sjellë një përshëndetje të përzemërt...
Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë
delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore
e shpirtnore.
Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me
forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e
kujton u shque Figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit Skenderbeut,
i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit
Shqiptar...
Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë.
Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen
komuniste. Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerzore nën rregjimet
totalitare si ai që ju keni njohtë, ku njeriut i mohohej një nga të drejtat ma
thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e
ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A
ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me
vdekje priftërijtë, vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u
përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht
e thjeshtë me gjetë gjurmët e katakombëve të lashta kristjane dhe t'arenave ku,
dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një
luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor
dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste...
Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue "Parajsën në
tokë" kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo,
rreptësisht e dënueme si një "dobësi e pandershme për njeriun".
Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese
për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë
që vjen nga Feja, nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv...
Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në
historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba
përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për shtet i
cili në emën të një feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e
Krishtit. Kurse këtu, shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën
të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe
përgjithësues. E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur askush nuk mund të
ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue
i çveshë deri nga ma "njerzoria", liria e tyne...
Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit
Evropian dhe asht e domosdoshme që Evropa mos t' Ju harrojë!
Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos
harrue atë që ka ekzistue për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një
prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me
mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky
asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të
përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë. Por,
kjo liri besimi fetar të cilën Ju, ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një
dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e Fesë, por asht një dhuratë
për të gjithë, sëpse ajo, asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të
lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të
padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe
fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet.
Nga një liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka përshka ti trembemi
asnjë shrregullimi njerzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por
përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja,
nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja,
asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar
për një vllaznim human.
Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit,
dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv...
Shqipni, qendro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Endè ka plagë të pambylluna. E
kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje
mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës. E madhe
asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të
lavdrueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të
gjithëve t' u garantohët puna e, ajo që asht ma esenciale për me jetue me
dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për t' a konsolidue demokracinë tuej të
ré.
Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga
dinjiteti i jetës njerëzore. "Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n'
Encilklikën Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një
totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia... " (25
Prill 1993, Në sheshin Skenderbeu, Tiranë).
Dhe unë, po persëris: "Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në
Shqipni... Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e
mbarë Kontinentit Evropjan!.. "
Melbourne, Prill 2013.