E Hënë, 05.20.2024, 07:25pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MARTIRI I KOMBIT ISLAM BALI NOKSHIQI, I NDERUAR NË TRI SHTETE
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Shtunë, 05.04.2013, 07:41am (GMT+1)



1.
Në mesnatën e 4 prillit 1947 korba të gjakut shqiptar me fytyrën e zezë të tradhtisë aleancore bolshevike sllavo-shqiptare trokitën hjekësisht në kulla lavdie të Nokshiqëve të historisë në Llugaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Ata ua kishin frikën burrave nokshiqas për trimëritë epope në breza. Banesat e tyne me anekse përkatëse të rrethueme me avlli të lartë në njëqind metra gjatësi iu syngjante si kështjellë. E kishin marrë vesh serbo-malazezët në Plavë-Guci se pasardhësit e luftëtarit legjendar kundërsllav Bali Bajram Nokshiqi (Mekuli) me zemra, dije e djersë të përbashkët po e ngritnin jetën e tyne në nivele të admirueshme, prandaj me lidhjet e veta të vjetra e të reja në të "dy anët e kufinit" i kishin vnue në shenjesër të gjarpërt.

Dera e fisme kelmendase e Nokshiqëve të Limit u hap shqiptarisht dhe brenda avllisë u turrafutën njerëzit e "kalit të Trojës". Një shembëllim historik i rrallë për nokshiqasit e sotëm: paraardhësit e tyne të lashtë, "paionët e Vardarit" (degë e të cilëve janë edhe kelmendasit e sotëm alpinë) qyshse në 3 mijë vjet hershmëni, të paktën nga shek. XIII p.e.s., siç i mirëpërmend edhe Homeri i madh tek vepra epike "Iliada", kanë luftue si legjendar antik përkrah fiseve ilire si të dardanëve, të perribejve etj. në universalen "Luftë e Trojës", e cila i përnget për nga madhështia edhe "Lufta e Nokshiqit" (1879-1880) që e shpatnuan heroikisht edhe stër-gjyshërit e tyne nokshiqas dhe e homeron bukur e përjetësisht Fishta ynë. Nokshiqasit janë qëndrestarë epokal e progresistë për të mbrojt kombin në kufijtë e vjetër antik e tevona etnikë si në luftërat e Trojës e të Nokshiqit dhe kundër tradhëtive kombëtare të "kalit të Trojës" në çdo kohë e të çfarëdo ngjyre.

Toga e zezë e terrorit të kuq e të pabesisë bolshevike në atë natë vjeshte të errët të tradhtisë klasike kishte në arradhën e vet kriminelin sllav Milan Stevanoviq i ardhun nga Plava bashkë me një farë komisari vuthjan, kishte policë nga seksioni i Punëve të Brendshme të Tropojës, etj. Kjo ishte një dhimbje tragjike për këtë rast fatkeq dhe për brezat atdhetar.

Kanga e popullit e përjetoi ngjarjen: Mbrapa krahëve veproi tradhtia / Sigurimi edhe hafija /Një polic i shtetit shqiptar / Informatat po i çon në Plavë/ Milan Savi me Sigurimin / Menjëherë nisën veprimin / Me katër Prill, katërdhjet e shtatë / Në Tropojë paskan ardhë /Me arrestime dyfish tradhtia / Edhe pikë së pari tek Islam Balia / Me dymbëdhjetë të natës / Me shumë fshehtësi / E kanë zënë te shtëpia e tij/.

Aty çekeronte edhe një agjent i dyfishtë me kapelen e shtetit shqiptar dhe karrem i ndytë i shtetit jugosllav, që në dhjetor 1946 e piu kafen e turpit në Plavë me gjakatarin M. Stevanoviq duke grykësue hafijshëm edhe për Islamin, djalin e madh të martirit sfidant, Bali Bajram Nokshiqi.

Shefi i OZNA-s jugosllave (Shërbimi Sekret Jugosllav) krimineli gjakatar, Milan Stevanoviq në ushtrim detyre në krahinë të Plavë-Gucisë, rendohet ndër UDB-ashët e egër kundërshqiptar si Petar Gjokiq, Drago Vuçeliq, Gjoko Gerbiq, Mirko Drobnjak, Vojo Maziq, Radoman Serdanoviq, etj. të cilët kryen krime e masakra të pashembullta e të shumta ndaj shqiptarëve etnik në dekadën e parë të ripushtimit sllavo-komunist, të cilët kanë vrarë mbi 800 shqiptarë nga kjo trevë etno-historike nga Ultina e Epërme e Limit dhe deri tek burimet perla në Vuthaj.

Atdhetarin Islam Bali Nokshiqi, sipas dy dokumentave që disponojmë, OZNA jugosllave e Rankoviçit dhe e Stevaniviqit e kërkonte gjithkund në kulla e në male të Plavë-Gucisë, të Rrafshit të Dukagjinit, të rrethinave bjeshktare të Tropojës, etj., E lypën në rregjistrat e emigracionit, etj. Askund nuk e gjenin. Në asnjë vend nuk e kapnin. Po korbat e tradhëtisë me fijelidhje të hapuna e të fshehta në Tiranë, Beograd, Kotorr, etj. e arrestuan Islamin tek shtëpia e vet fisnike në trevën e mrekullueshme të Llugajt, teksa flinte gjumin e jetës dhe e morën për ta çue drejt vdekjes.

2.

Derën e avllisë e hapi burri i moçëm Brahim Bajram Nokshiqi, mixha i Islamit, një nga luftëtarët e shquar në Rrafshin e Dukagjinit, të cilit i ujëvaron kanga në oda malësore:"Shkambi i Vujkut ç'a ka si po dridhet / Brahim Nokshiqi i gjallë nuk lidhet.../".

Tek dera e kullës ia befi Islam Bali Nokshiqi i sapo çuem prej gjumit në qylerin e tij. Ua ndjeu thirrjen njerëzve të "kalit të Trojës" për me shkue në postën komunare të Bujanit. Tue besue në dinjitetin e tij e të familjes së vet të fisme, tue mendue se është në tokën e shtetin e vet shqiptar të lirë e sovran, iu tha pa i luejt asnji grimë qerpiku dhe pa e ndal aspak hapin:

- Ju jeni vllaznit e mi shqiptar e nuk pritoj me ardhë me ju në postë...

Nga dera e hapun e avllisë kështjellare, në dritën e pishave unake, e pa se korbat e zinj të sllavizmit bolshevik në dy anët e kufinit, të etun kanibalisht për gjak të patriotëve shqiptarë e kishin bamun pusinë e tradhtisë së vet. E kishin duarlidhë edhe kushërinin e tij: Ukë Dem Mekulin (Nokshiqi) dhe Mustafë Demë Mekuli (Nokshiqi). Aty, në atë pusi pabesie, kishte edhe policë, një këshilltar i fshatit, etj.

Krrakati një nga korbat me uniformë të shtetit shqiptar: -Islam, a kie fëmijë? Ai ia ktheu njerëzisht: -E kam gati për lindje. Korbi krrati prapë: -Ishalla e kie djalë! Islami e kuptoi në vetëdijen e tij se këta njerëz-korba kërkonin edhe gjakun e tij atdhetar, po dera e tyre fisnike në breza kurrë nuk ua ka kthye shpatën e as pushkën shqiptarëve etnikë të lidhun me kombin e vet.

Polici-korb po krra-krravitet prapë: A kie konop (litar)? I mençur deri në thinja, Brahim Bajram Nokshiqi, e kapi në ajër fjalën e tij, prandaj ia ktheu shpejt me arsyen: "E ka marrë Halili (vllai i tij) në mulli". Në atë bisedë ndërhyn edhe Islami e iu thotë: "Merreni shokën teme". Polici ia lidhi duart Islamit tue ia pështjellë shokën trupatim dhe një pjesë të gjatësisë së saj e mbajti të nyjun në dorën e vet.

Kur Islam Bali Nokshiqi shkoi në postën komunare të Krasniqes, në një kullë në Fang të Bujanit, u ndie tepër ligsht kur pa se aty ishin tufalakue duarlidhun me njani-tjetrin 25 burra nga krahina martire e Plavë-Gucisë, nga Rugova luftarake, etj. prandaj i dha vetes forcë, ndoshta si rrallë herë në jetën e tij, për qëndresë deri në vetflijim.

Nga Plavë-Gucia ishin: Islam Bali Mekuli - Nokshiqi; Uk Demë Mekuli Nokshiqi; Malush Bajrami Arzhanicë; Adem Arifi Llukofc të Metehit; Haxhi Syla Arzhanicë; Emri Lluka Meteh; Hazir Alia Plavë; Sadik Bajrami Plavë, etj.

3.

Asaj mbasditje të 4 prillit1947 rrugëtuan nga posta në Fang të Bujanit për në qendrën e komunës së Tropojës, tek burgu i atyshëm, ndërsa ditën tjetër të lidhun dy nga dy i nistuan në drejtim të Kosovës.

Sapo dolën në Qafën e Morinës, në vendin e shenjtë pagan pellazgo-ilir, në vendin e betejave legjendare kundër romakëve, sllavëve, otomanëve, në vija-premjen e kufinit shqiptaro-shqiptar të damkuem padrejtësisht më 1913, ua dorëzuan padenjësisht OZNA-s Jugosllave të 25 shqiptarët luftëtarë nga treva etnike shqiptare jashtë Shqipërisë Londineze.

Dëshmohet se shefi lokal jugosllav i OZNA iu doli përballë e në fjalathaniet e para po ia ka qejfi apo posti me pyet publikisht:

- Kush është Islam Balia i Nokshiqit?
- Unë jam.
- Ma trim je ti apo baba yt, Bali Bajrami?! ia paraprini bisedën.
- Më trim jam unë se sa Bali Bajrami. Baba jem i vrajke trimnisht shkijet e mbasandej
detyrohej me iu ik përndjekjeve të shkijeve dhe shkonte në Shqipëri, sepse asnjëherë shqiptari nuk e ka tradhëtue shqiptarin, ndërsa mue nuk më shkonte kurrë nëpër mend se do të më tradhtojnë vllaznit e mi shqiptarë... !
- Letrat po thonë se kie vra shumë serbë e malazezë? e dveti prapë Udbashi serb.
- Unë kam vra shkije sa kam muejt...
Kaq u desht dhe shefi i OZNA-s i revoltuar ua ktheu shpinën e mori turravrap në ecje kah
makina e vet.
Forcat policore e ato të sigurimit sekret jugosllav e nisën autokolonën e vogël shqiptare me 25 martirë të lirisë kombëtare shqiptare prej nga Qafa e Morinës për në Mulliq të Gjakovës dhe në Pejë, mbasandejna drejt e në burgun famëkeq të Goli Otokut.

4.
Policë dhe udbashë sllavë përgjatë rrugëtimit drejt fshatit Molliq silleshin egërsisht ndaj shqiptarëve duarlidhun sikur të ishin inkuizatorë mesjetarë, silleshin ma zi se me kanë "robër lufte" të kapun në frontin luftarak, silleshin ma keq se me kriminelët gjakatarë. Ndërkohë, këta 25 shqiptarë atdhetarë kishin luftue për tokën e vet, për lirinë e pavarësinë e kombit të vet, ishin shqiptarë në troje etnike të aneksueme përgjakshëm e padrejtësisht në Jugosllavinë mbretnore apo republikane. Shqiptarët gjatë rrugëtimit i goditnin me qytat e armëve, me shkelma, me grushta në çdo pjesë të trupit.

Këtij burri trim kelmendas, shtatlartë e të pashëm, Islam Bali Nokshiqit, i rrjedhë gjak nga goja, sepse disa udbashë e veçmas një farë komisareje tepër e egër ushtronin tortura çnjerëzore ndaj tij gjatë rrugëtimit në kolonë. Pështyn përtokë. Lenë gjurma gjaku. Bashkëvuajtësit e këtij bashkudhëtimi tragjik ndjenin dhimbje të madhe nga plagët e veta po edhe për sjelljet shtazarake ndaj Islamit dinjitar.

Kusherini i tij, Ukë Demë Mekuli (Nokshiqi) i thotë Islamit për me pështy edhe një herë tjetër. Islami e nxorri gjakun plloçë. "Nuk është gjak, po pështymë, o vlla" po don me e qetësue Uka. Atëherë Islam Bali Nokshiqi po i jep forcë trupit të lodhun nga torturat fizike dhe lëshon zanin për me ndie edhe të tjerët:
- "Shkijet këtë zakon kanë. Na do qëndrojmë. Këta kofshin mallkue..."(!)
Luftëtari epik Islam Bali Nokshiqi kur mbrrini në Vrella të Molliqit kishte natën e tretë dualidhun. Thonë se yjet nuk iu fshehën majemaleve. Yje në qiell dhe vet 25 shqiptarët ishin yje të kombit të vet në historinë qëndrestare ndaj sllavëve, në sakrifikimin e tyne për kombin.

Në atë pushim të shkurtër, Islami kishte marrë një vendim të prerë. Piu ujë të ftohtë nga vrella e tokës shqiptare dhe e përfyti teposhtë megjithë gjakun e vet që i rridhte llokoçitshëm nga goja. Iu thotë shoqërisë së vet: "Nana më ka shti me veti mish të thatë e mjaltë. Hajeni ju edhe racionin tem". Të tjerët hanin bukë dhe i ndjenin dhimbjet e torturave të rrugës, ndërsa Islami priti rastin ma të mundshëm për sakrificën e tij sublime, për lirinë e tij.
Komisarja ishte në një pozicion të përshtatshëm për planin strategjik të Islamit. Ai me duar të lidhuna e shtërngon shkopin që e mbante me veti e i mblodhi forcat për të fundit herë në jetën e tij. E goditi aq fort komisaren saqë e la vdekun në tokë, pranë burimit vrelltar. Ia merr me shpejtësi të pamatë automatikun. Don me qëllue kundër policëve e udbashëve të atyshëm po fatkeqësisht i bie përtokë karrikatorri. Për pak sa nuk ua dha lirinë shqiptarëve bashkudhtarë në udhën e vdekjes...Sllavët e qëllojnë me breshëri të armëve të veta luftëtarin vetmohues. I tha do fjalë të zemres si piskamë e jehonshme bjeshke.
Luftëtari Islam Bali Nokshiqi po rrëzohej si lis lidhanik i Alpeve. Kanë kallxue të tjerët se ai e ka kthye fytyrën e vet të përgjakun andej nga Nokshiqi në Ultinën e Epërme të Limit. Po askush nuk e mirëdinë saktësisht nëse e ka lanë gjaku mbi sy për me e pa vendin e lindjes së tij.
Ai hyri në histori si luftëtar i kombit. Mbeti edhe në kangë epike: Bashkë me vuajtjet, plagët e jetës / S'u gjunjëzue deri në sahat të vdekjes /".

5.
Asaj mesnate tragjike të 5 prillit1947 me yje e fllad bjeshke shkijet e lanë trupin e Islam Bali Nokshiqit tek Vrella e Mulliqit. Komisaren sllave e morën shkijet sigurimsa me veti për me ia krye të gjitha nderimet e kohës titiste. Jeta e shqiptarëve nuk iu interesonte as serbëve e as malazezëve, të cilët i vrisnin sikur të mos ishin qënie njerëzore. Shqiptarët etnikë i llogaritnin veçse si "numra" dhe jo si shtetas jugosllav të "bashkim-vëllazërimit"(!) etj. Në ditë vrasje e varrimit të shqiptarëve sllavët thonin vikashëm në zyra të sigurimit jugosllav e gjithandej: "edhe një shqiptar ma pak në Plavë-Guci, në Nokshiq, në...". Sllavët kërkonin dhe luftonin prej shekujsh për zhdukjen masive e të shpejtë të shqiptarëve, sepse i donin tokat etnike shqiptare pa shqiptarë.
Lajmi i këtij akti tragjik të vrasjes së Islam Bali Nokshiqit kishte zgjuar edhe malet. Thonë se ra do shi i pakët në syçelje të dritës. Dikush e cilësoi si lotë të natyrës nga dhimbja për këtë trim të maleve alpine shqiptare, që albanologu Milan Shuflaj i krahasimon Alpet si "zinxhir i botës". Dikush tjetër pati thanë se ky shi është njerëzor, pasi ia ka la trimit nokshiqas gjakun e torturave nga sytë e fytyra e tij jetëpastër.
Kur doli dielli pingul mbi tokë shkon edhe i sojshmi Ramë Brahimi i Molliqit me të vetët tek vendngjarja tragjike. E njofti fill të vrarin. Ishte Islam Balia i Nokshiqit, mik i mirë i familjes së tyne atdhetare. Iu soll disa herë përreth trupit të tij si për adet dhe për siguri të plotë njohjeje, pasi plumbat e kishin damtue bukur fort.
Një oficer i UDB-së, i ardhun aty për detyrën e vet, po i vëzhgonte lëvizjet e njerëzve që po vinin tue i shtue rradhët. Vendi tek Vrella, ku trupon rruga ndërmjet fshatnave Molliq e Botushë, po kthehej në një tubim të heshtur të molliqasve e rrethinave të saj dhe të kalimtarëve të rastit. Kjo nuk iu mundësonte udbashëve me ia hup trupin e pajetë ndokund tjetër. As vetë nuk ia kryenin ritin e varrimit sepse ishte shqiptar kombëtar, prandaj iu drejtuan të pranishmëve:
- A ka shqiptar që e shtien këtë njeri të vdekun në dhe?!
- Me ma dhanë lejen shteti unë e varrosi trupin e tij bash tek ky vend,ia ktheu
shpejtas përgjigjen njeriu i vlerave e virtyteve njerëzore, Ram Brahimi. Dhe foli aq shpejt sikur po donte ndokush me ia marrë rradhën e nderimit të martirit nokshiqas. Për ma tepër, kjo gadishmëri e madhe e shyboj oficerin e UDB-së jugosllave, që ia kyçnoj pyetjen e rradhës, si në proçes hetimor udbash:
- A e njef këtë të vdekur?
- Unë nuk e njof hiç. Nuk është as prej Molliqit iu gjegj Rama që e kishte kaplue një
dhimbtë e madhe për mikun e tij nokshiqas saqë mezi po e mbante veten para të tjerëve.
Burri i sojshëm Ram Brahimi i Molliqit i qëndroi fjalës në kambë dhe e mori familiarisht e fisnisht rrezikun në sy. Shkoi në zyrat e shtetit jugosllav dhe e mori lejen me e varros trupin me plumba të luftëtarit të istikameve historike, Islam Bali Nokshiqit, që shkijeve ua paraqiten si "të panjohun" prej tyne, sepse po ta dinin realisht sllavët se kush ishte e kishin nxjerrë trupin e tij prej varrit dhe e kishin lanë me e hangër korbat.
Bashkë me katër vllaznit e tij të virtytshëm i marin dërrasat e gështenjës që i kishin ruajt për nanën e tyne të sëmurë dhe e varrosin trupin e tij afër varrezave të tyne, buzë rrugës që del për në Mulliq. Ia bajnë një varrim të mirë, sipas të Drejtës Zakonore Shqiptare. Ky ishte një nderim i mikut për mikun, i luftëtarit për luftëtarin, i malësorit për malësorin.

6.
Atë mbasdite të vonë, në të ikun të diellit, kur po varrosej luftëtari kombëtar Islam Bali Nokshiqi, kolona e vogël me 24 shqiptarë të qëndresës heroike e të besës të pakthyeshme po staciononte në qytetin e lashtë të Pejës në Rrafshin e Dukagjinit, në një nga kryeqendrat e qëndresës shqiptare. Dita nuk i priste orët për me i udhanis në burgun famëkeq të Goli Otokut, tek kjo kulçedër serbe që i rrëmbeu në kthetrat e vdekjes me qindra jetë shqiptare në vitet e ripushtimit jugosllav të Kosovës dardane.
Nga 25 shqiptarët e kolonës martire në itinerarin Bujan-Tropojë-Qafë Morinë-Molliq-Pejë-Goli Otok, pas vrasjes së Islam Bali Nokshiqit në Molliq, i ekzekutuan edhe 21 shqiptarët e tjerë në burgun e Goli Otokut. Shpëtuan përkohësisht vetëm 3 prej tyne: Ukë Demë Mekuli (Nokshiqi), Adem Arifi (MetehPlavë) e Mustafë Demë Mekuli (Nokshiqi).
Aq të pashembullta ishin torturat çnjerëzore të serbo-malazezëve saqë të mbijetuarit e Goli Otokut nuk munden të jetojnë gjatë. Pas lirimit nga burgu famëkeq i dorëzuan në Pejën e dijes e biznesit, të pushkës e kuvendeve, dhe tre shqiptarët ikën me u çmallë në shtëpiat e veta apo të afërmëve të tyne. Të parët vdiqën dy mekulasit: Uka e Mustafa. Të njëjtin fat të keq e pësoi mbas 30 ditëve edhe Adem Arifi i Metehut të Ultinës së Epërme të Limit, pranë liqenit të Plavës. Ai vdiq në Shoshan të Malësisë së Gjakovës, të cilin e përcollën me nderime të mëdha, saqë edhe sot, pas 66 vjetëve, ma i vjetri nokshiqas, 87 vjeçari shtatlartë si shtiza e flamurit e me kujtesë brilante, Shaban Bali Nokshiqi, vllai i vogël i Islamit, jep falenderime prej zemrës së tij bujare për këtë akt të lartë ndaj bashkëvendasit të vet.

7.
Ram Brahimi i Molliqit me vllaznit e tij janë nga ato dyer të traditës kombëtare që i rrinë në kryet burrënisë shqiptare.
Në pranverën e vitit 1944 pasardhësit e legjendarit Bajram Hysen Nokshiqi (i cili në vitin 1913 u kryqëzue nga sllavët porsi Krishti) u detyruan me e lanë Nokshiqin e bjeshkën e tyne Vraçevë të ndjekun nga pushkët e flakët e pushtimit të përgjakshëm të malazezëve dhe me u ba muhaxhir në truallin e kombit të vet shqiptar. Tre brezat pasardhës të tij: djemtë e tij si Muja, Brahimi e Halili, tre djemtë e Balisë (Islami, Selimi e Shabani), bashkë me gra e me fëmijë në djep e përdore, me do tesha e sene shtëpie sa merr kali e shpina e njerit, u nisën në imigrimin e vet me dhimbjen e dashurinë e përjetshme për vendlindjen, Nokshiqin. Si rrallëkush brezat e sotëm të Bali Bajram Nokshiqit ende ia kanë tapitë tokës së tyne dhe në astenjikohë apo rast me leverdi ose imponim nuk e shitën as një metër të truallit të vet. Kapërcyen lugje të vogla përskej maleve të nelta, ecën nëpër rrugë shpatina dhe i ranë logit, prej nga Nokshiqi nëpër Pejë e në Junik derisa ndalën prej territ në rrafshinë të Molliqit për me e kalue atë natë.
Çohet Ram Brahimi e iu dritnon aty me fisnikërinë e mikpritjes së tij shqiptare.
- Kah ini ka shkoni, o mixha Brahim...?
- Ka ikim prej shkijeve...
- Hajde mbas meje me rob e me gja iu tha Rama e nuk e zgati fjalën ma andej veç
iu prini për tek shtëpia e tij. Ua çeli derën e avllisë dhe hynë te tanë brenda me gjithçka kishin me veti.
Dera e fisme e breznive të Bajram Hysen Nokshiqit ishte gjallnike. Kishte pasuni të mirë, aqsa në atë shtegtim ikjeje kishin marrë me veti 150 dhenë, 50 dhi, 30 lopë dhe 7 kuaj. Thonë se çdo pëllambë toke e tyne ua njihte hapin e duart, pasi nga ma plaku deri tek ma i riu mekulas përkujdeseshin atnisht ndaj saj në çdo stinë me borë apo me lule dhe në çdo ditë pa çel mirë drita e deri në të errun të mbramjes.
As të nesërmen nuk i la me ikë për në Llugaj të Malësisë së Gjakovës, tek trualli i dytë i tyne. Zoti i shtëpisë Ram Brahimi me zotnillekun e tij ua ktheu mendjen mysafirëve nokshiqas dhe nuk i la me ba hapin përtej avllisë e fshatit të tij. Dita e re në mes dy familjeve, asaj nokshiqase dhe asaj molliqase, pati një ngjarje tradite e fisnike: u lidh një kumari e mirë nderveti. Kumar u ba i riu energjik Shaban Bali Nokshiqi tue ia pre flokët Musas' së vogël. Të dy palët nuk u panë sy më sy gjatë kohës së komunizmit, pas ramjes së Perdes të Hekurt, po dashuria e respekti vllaznor mbeti në zemrat e njani-tjetrit.

8.
Njeriu i vërtetë i prin burrnisë dhe burrnia i del përpara e ia zdrit fytyrën. Një nga këta është edhe Ram Brahimi, i cili me vllaznit e vet e çuen pa vonue fjalën e vrasjes e të varrimit të Islam Bali Nokshiqit deri në shtëpinë e tij në Llugaj.
Amanetqar ishte Hysen Bajrami i Nezajve të Shipshanit. I pruni shenjat: shokën, shallin, rrypin e mesit të Islamit, si edhe shkopin me të cilin i dha goditje vdektare asaj komisares sllave, që bashkë me udbashët e tjerë i banin tortura fizike çnjerëzore gjatë rrugës të qëndresës e vdekjes martire.
Aty, brenda asaj avllie, tek ato kulla burrnie të mekulasve u prit nga mixhët e Islamit, nga dy burra dinjitar, Brahim Bajram Nokshiqi dhe Halil Bajram Nokshiqi, u prit nga dy vllaznit e Islamit, nga Selimi e Shabani, dy trashëgimtarë të denjë të legjendës trimnore, Bali Bajram Nokshiqit. Aty ishin edhe nipat e Mujë Bajram Nokshiqit, fëmijët e Hysen Mujës që vdiq i paralizuar në Llugaj nga plagët e luftës partizane dhe i braktisun nga interesimi i shtetit komunist. Aty ishin të gjithë nokshiqasit e Llugajve, të derës së martirit Bajram Hyseni (Hysi) që në çdo kohë lufte apo paqeje e në çdo rast dhimbje e gëzimi, në çdo nismë pune me djersë apo sakrificë me jetë rrinin te tanë në bashkari uniteti vital, si një kala që nuk ia mbrrini ndokush me ia rrëzue gurët e mbijetesës dhe të progresit.
Gjyl Ibishja nga Qosajt e Vuthajve, e cila i qëndroi përkrah burrit të saj luftëtar misionar, Bali Bajram Nokshiqit, si në ato shembëllimet në Eposin e Kreshnikëve, u detyrua me i hjek rrobat e zisë që kishte vesh për me e kajt djalin e saj të vrarë nga sllavët në Molliq të Gjakovës.
Ç'ka kishte ndodh në gjamën e Nokshiqëve?! Ajo që asnjë kriminel profesionist apo ordiner, sado i lig të jetë, nuk e kryen një veprim të tillë çnjerëzor ndaj familjes të viktimës së tij. Vetëm bolshevizmit sllav me zemër e fytyrë antinjeriu ndaj shqiptarëve etnik, sherbëtor e shërbestare e të cilit ishte edhe enveriada e kuqe, mund ta ndërmerrte një akt kaq të pashembullt: korbat e zinj të sigurimit të shtetit shqiptar trokitën për të dytën herë brenda prillit 1947 në derën e Nokshiqëve në Llugaj. Herën e parë e rrëmbyen pabesisht, e torturuan barbarisht dhe e vranë tragjikisht Islam Bali Nokshiqin. Tashti, pas lajmit të vrasjes së tij, sapo nisën t'ia kryejnë nderimet e fundit sipas traditës shqiptare mijëravjeçare, korbat e zinj të bolshevizmit të kuq iu kërkuan pafytyrësisht ta ndërpresin vajtimin për birin e tyre (!) Islam Bali Nokshiqin nuk e shihnin si martir të kombit që kishte luftue kundër sllavëve dhe ishte vra prej sllavëve, por si armik të Shqipërisë Londineze për të cilin "nuk duhet derdh astenji pikë loti"(!) Islami duhej ndëshkue edhe pas vdekjes, sepse iu kishte vrarë "vllaznit sllavë" të idealeve të tyne bolshevike dhe të veprimtarisë së përbashkët kundërshqiptare, duke shkelur tradhtisht mbi interesat kombëtare. Askush nuk e ndali nderimin për Islam Bali Nokshiqin, po korbat e zinj dinë edhe ndryshe. Ua lëshuan ultimatumin kërcenues: "Ju do të darkoni në darkë në Mal të Zi...". Nokshiqasit e dinin se çka i priste atje: fati tragjik i Bajram Hysit (Hysenit), fati i Bali Bajramit, fati i Islam Bali Bajram Nokshiqit, fati i këtyne tre brezave nokshiqas të vrarë me sllavët, armiqtë tanë mijëvjeçarë. Mashkujt nokshiqas e kishin të vështirë me i thanë nanës mos kaj për djalin, me i thanë nuses mos kaj për burrin, me i thanë fëmijës në barkun e nanës mos kaj për babën (!)
Gjyl Ibishja nga Qosajt e Vuthajve, e cila i qëndroi përkrah burrit të saj luftëtar misionar, Bali Bajram Nokshiqit, si në ato shembëllimet në Eposin e Kreshnikëve, në këtë situatë presionesh e tensionesh, u vetëdetyrua me i hjek rrobat e zisë që i kishte vesh për me e kajt djalin e saj të vrarë nga sllavët në Molliq të Gjakovës. Kur e panë atë nanëmadhe, kreshnike malësore, tuj dalë tek dera e avllisë, korbat e zinj, ikën...si hije të natës bolshevike në atë mesditë alpine duke marrë me veti edhe mallkimin e një nane malësore... Brenda asaj avllie, në ato kulla nokshiqase, larg "kamerave" të korbave të zinj, deri të nesërmen ..., ashtu në "gjysmë heshtjeje" e rrethangushtë vazhdojë vajtimin. Nuk u mbyllën nderimet e gjakut e të pragut të tij. Nuk munguan as farefisni e shoqëni me trokitjet e derës e ngushëllimet e zemrës.
Ditët ecnin me këtë dhimbje të randë për me sjell më 8 maj 1947 lajmin e madhnueshëm luginës së Drinit e të Limit: O Islam Bali Nokshiqi u shtue me djalë...! Ia ngjiten emnin Din, i cili kurrë nuk e pa me sy babën e tij, po gjithë jetën u ndie krenar për veprën e tij. Vërtetë u rrit jetim pa babë, por vëllezërit e Islamit, dy njerëz shpirtmirë - Selimi dhe Shabani u përkujdesën për Dinin si për djalin e tyre, derisa u martua. Emnat e fëmijëve të Dinit kanë për simbolikë "dritën e kthjelltë" si tek dy djemtë Dritani e Sabahi dhe vajzat Agime e Afërdita, apo"mirësinë e artë" si djali Admiri, vajza Arjana, etj.

9.
Pas ramjes së Murit të Berlinit e shpërbërjes së Jugosllavisë, në kohën e Demokracisë Shqiptare e të Pavarësisë së Kosovës, në ditët e "lëvizjes së lirë"të shqiptarëve në trevat e veta etnike në Ballkan, Islam Bali Nokshiqi nderohet lartësisht nga Shqiptaria në tri shtete: në Shqipëri, në Kosovë dhe në Mal të Zi.
Këtë dëshmon edhe një veprimtari nderimi në Molliq të Gjakovës më 5 shtator 2011 për luftëtarin martir Islam Bali Nokshiqi morën pjesë apo folën personalitete të ardhun nga Tirana dy këshilltarët e Presidentit të Republikës, prof. dr. Maksim Cikuli dhe dr. Afrim Krasniqi, etj., deputeti i Tropojës, Besnik Dushaj, kryetari i bashkisë të qytetit alpin të Malësisë së Gjakovës, Agron Demushi, etj.; nga Plavë-Gucia veprimtari dimensional Naim Ujkan Prelvukaj etj.; nga FSK e të Policisë së Koosvës, nga Gjakova, Deçani, Juniku, Peja, etj.
Varri i Islam Bali Nokshiqit në Molliq e ka tek kryet si shenjim një gurë të bardhë alpin ku përthyhen rrezet e diellit dhe në mes të tij ka lindue një lis që lëshon hije për trimin nokshiqas, për ata që sjellin lule të freskta mali, për kalimtarët që e ndalin hapin përskej rrugës së madhe... Aty ka me i prit e përcjell përjetësisht kombëtarët dhe ka me i tmerrue tradhtarët e sllavët si në gjallje të vet kur ua kthente pushkën në mbrojtje të kombit të vet.
Martiri i luftënave kundër sllavëve, Islam Bali Nokshiqi, i takon lavdisë dhe përjetësisë shqiptare në tri shtete ballkanike: është nderue me titullin "Dëshmor i Atdheut"; vendlindja e tij në Llugaj dhe në qytetin B.Curri e kanë shpall "Qytetar Nderi"; Presidenti i Republikës së Shqipërisë e ka dekorue më 17 prill 2012 me "Medaljen e Mirënjohjes" (pas vdekjes) me motivacionin: ""Atdhetarit dhe luftëtarit të paepur për mbrojtjen e trojeve kombëtare që qëndroi i papajtueshëm me shtetin diktatorial, deri në dënimin kapital". Prej hejcekurit jehon kanga në odat malësore dhe në Alpet Shqiptare, në rrjedhat e Limit e të Drinit: Në historinë e Shqiptarisë / Të mymlyqetit të Plavës e të Gucisë / Me shumë trima prej Malësisë / Shkëlqen vepra e Islam Balisë".
--
 
Islam Bali Nokshiqi

 
PAMJE NGA NOKSHIQI, VENDLINDJA E ISLAM BALI NOKSHIQIT

RAMIZ LUSHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SEKRETARI KERRY - SOLIDARITET ME MEDIAT E PAVARURA NË GJITHË BOTËN (05.03.2013)
FRAGMENT I MAJËS SË KULLËS SË RE TË QENDRËS BOTËRORE TË TREGITISË (05.03.2013)
PËRGËNJESHTROHET ADEM DEMAÇI - FOTOGRAFITË E TIJ ME TAHIR ZEMAJN JANË ORIGJINALE (05.03.2013)
AUSTRO – HUNGARIA DHE 'MOSMIRNJOHJA' SHQIPTARE!KLERIKËT E LARTË KATOLIKË TË SHKOLLUAR NË AUSTRI DHE TË SHFAROSUR NGA GJENOCIDI KOMUNISTNga FRITZ RADOVANI (05.03.2013)
DEKLARATË E GRUPIT TË TRANSMETUESVE KRYESORË NDËRKOMBËTARË - MEDIAT NDODHEN PËRBALLË SFIDAVE MË TË MËDHA QË NGA LUFTA E FTOHTË (05.03.2013)
KEN BIBERAJ NË DASMË ME BILL CLINTONIN (05.03.2013)
LAMA - ZËVENDËSMINISTRI I FSK ËSHTË SPIUN I BEOGRADIT (05.03.2013)
ZBULOHET KARIKATURA KUNDËR COPËTIMIT TË SHQIPËRISË MË 1913 (05.02.2013)
ÇFARË PËRMBAN ALBUMI 'TERRORI KOMUNIST NË SHQIPËRI' (05.02.2013)
TOPI: PD I PËRZURI DHJETORISTËT PËR HIR TË ISH ZYRTARËVE KOMUNISTË - BERISHA DUHEJ RRËZUAR PAS GËRDECIT (05.02.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]