E Shtunë, 04.27.2024, 11:42pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MANJOLA TREBICKA - NJË 'TOKATË' SHQIPTARE NË PARIS
Nga LUAN RAMA

E Djelë, 04.13.2014, 02:27pm (GMT+1)


Pianisten Manjola Trebicka e kisha dëgjuar në disa koncerte në Paris. Një nga koncertet e parë ishte ajo e dhënë në kishën "Saint-Eustache" në zemër të Parisit. Aty, nën kubenë hijerëndë, gishtërinjtë e saj i jepnin një tjetër jetë e atmosferë asaj botë të gurtë shumë shekullore, kushtuar ëngjëjve dhe shenjtëve. Pianistja shqiptare nuk e dinte se dhe shpirtrat tanë që e dëgjonin mes asaj turme artëdashëse, ndjenin se diçka ngrihej brënda nesh dhe dilte jashtë trupit për tu bashkuar me magjinë e muzikës, dhe jo vetëm të krijonjësit të saj, siç ishte në ato çaste Brahms, por dhe të atij shpirti që luante e përhumbur në interpretimin e saj për të rigjetur disi të njëjtën ndjesi që Brahms kishte ndjerë gjatë krijimit. Që atëherë kanë kaluar pothuaj 13 vjet dhe një "tokatë" shqiptare e interpretuar prej saj më krijoi të njëjtën gjëndje, habije e mrekullimi, ku dhe ai shpirt që nuk i njeh notat e solfezhit arrin të shkrihet dhe të bëhet njësh me muzikën, duke humbur në realitetin e çastit. Kjo ndodhi para pak javësh në sallën "André Marchal" të Institutit "Valentin Haüy" ku Manjola Camuset-Trebicka interpretuese dhe pedagoge konservatori, interpretonte "tokatën" e Feim Ibrahimit. Sigurisht, tek luante, muzika më solli imazhet e kompoziorit të dashur që e kisha takuar disa herë në Paris në fillimet e viteve 90-të, i cili më kishte mbetur në mëndje jo vetëm për mirësinë dhe thjeshtësinë e tij, por dhe për talentin e madh që fshihte ai shpirt dhe që koha, kaq vjet pas largimit të tij, nuk e ka shlyer, madje përkundrazi ajo të ngjall gjithnjë
atë admirim prekës, jo thjesht njerëzor por së pari muzikor: atë të gjenisë së artistit.
Po, dëgjoja kështu një "tokatë" shqiptare në Paris, një "toccata" për piano që sillte aty një copëz historie, atë Shqipëri me ritmin e daulleve dhe oshëtimave, por dhe me prehjen, poetikën dhe lirikën e natyrës, çka të pështillte brënda vetes me një ngrohtësi të jashtëzakonshme. Tokata e Fehim Ibrahimit për mua dhe shumë nga ne nuk është e panjohur. Ne të kinematografisë e kishim dëgjuar shpesh në ilustrimet e filmave tanë dhe ishte nga të parapëlqyerat, ashtu siç janë tokatat e Bach, mjeshtrit më të madh të këtij lloji muzikor, cili shpesh i aletrnon me "fugat". Por ta dëgjoje tokatën e Ibrahimit në Paris, mes francezësh dhe nga një pianiste që kishte «përhumbur» në të, ishte diçka e rrallë, emblematike. Ishte një lloj "kontrapunkti" me muzikën klasike që Manjola luan shpesh, me atë muzikë që e dëgjojmë gjithnjë në sallonet muzikore, ku dehemi me një Hendel, Bach, Chopin, Listz e mbi të gjitha nga një Mozart. Por duart e pianistes Trebicka që kisha përballë atë mbrëmje, luanin me një nerv që vinte nga vetë një tokatë e tillë. Ishte muzika që të rrëmbente. Ishte ajo që të çonte diku, në peisazhe të tjerë, në një botë e histori të trazuar, ku historia fort herë ishte ngjizur me tragjedinë. Dhe kur pianistja mbaroi, duart e saj u nderën një çast dhe mbetën pezull, të palëvizshme, e menjëherë mua m'u shfaq imazhi i aktorit franko-shqiptar Rexhep Mitrovica, i cili, disa vite më parë, pasi mbaroi monologun e "Ditari i Nizhinskit" në teatrin e Bastille-s, mbeti i shtangur, i harruar, pa mundur të dilte nga ajo botë ku kishte hyrë. Kjo ishte forca e artit. E pra, atë gjëndje e rigjeta në imazhin e Trebickës atë natë, ashtu të ngurtësuar, sikur një fuqi metafizike ta kishte pushtuar dhe që nuk donte ta lëshonte. E sigurisht, ishte ajo valë duartrokitjesh që e zgjoi atë...

Bashkë me Manjolën atë mbrëmje, hypi në skenë dhe Juliana Laska, violinçelistja e njohur tashme në rrethet pariziane për forcën e talentit të saj. Sigurisht, një «duo» emocionante, por dhe Juliana, ashtu si Trebicka, do të sillte atë mbrëmje dhe diçka nga bota e popullit të vet: një ninullë në violonçelë që rrallë e kemi dëgjuar me një finesë të tillë, duke e bërë atë personale, diçka të shpirtit, ku virtuoziteti bashkohej me prezantimin e një bote shpirtërore që vinte nga larg, një një tokë ballkanike, dhe ku ninullat gjejnë një lloj moderniteti në sallat e muzikës së metropoleve.

Interesant është fakti që instrumentistët shqiptarë që jetojnë në Perëndim, në Francë, Gjermani, Itali, Spanjë apo vendet skandinave, kërkojnë të shprehin dhe diçka që vjen nga historia e tyre personale, diçka nga rrënjët e tyre, duke dëshmuar njëkohësisht njëlloj krenarie dhe për pasurinë artistike të një kombi, duke luajtur dhe Ibrahimin, Zadenë, Gaqi, Peçi, Simoni e shumë të tjerë, apo kompozimet më të reja të gjeneratës së re të kompozitorëve.

Pas këtij koncerti, unë kisha dëshirë ta takoja Manjolën sërrish, jo thjesht si një mike të vjetër, por sepse ajo përhumbje e saj pas fundit të asaj «tokate» më kishte mbetur në mëndje, duke imagjinuar përjetimin dhe shkrirjen e interpretuesit me krijuesin e vetë muzikës, me ikjen nga një botë reale dhe rishfaqjen përsëri e që jo rrallë ndodh me një aktor. Vallë a nuk kishte ndodhur kështu me një Lorenc Oliver kur luante Halmetin, me një Aleksandër Moisi tek luante Fedjan, e kështu me rradhë, duke u shndërruar në sozi të personazheve të tyre? Manjolën doja ta takoja njëkohësisht, sepse pas tronditjes së saj të madhe, kur i duhej të përcillte në një udhë pa kthim atin e saj dhe mikun tonë aktorin Roland Trebicka, ajo tashmë i rikthehej skenës, ashtu siç ndodh me të ashurit kur takohen pas një mungese të gjatë dhe që bien në krahët e njëri tjetrit pa thënë asnjë fjalë. Manjola Trebicka ka pothuaj 20 vjet në Francë. Ajo vinte atëherë nga një Shqipëri kaotike dhe që zgjohej nga totalitarizmi, duke shëmbur statujat e një kohe të errët. Një nga koncertet e fundit ishte ajo e marsit 1991, dy javë pas "götterdämmerung" - perëndimit të Perëndive", me një sonatë integrale të Listz prej 40 minutash në sallën e Institutit të Lartë të Arteve, koncert që padyshim i ka mbetur i pashlyer në kujtesë, pasi tëi nterpretohej e luaje piano në një kohë të tillë me tanket pranë shkollës ishte si të luaje piano në një anije midis dallgësh. Kështu ndoshta zgjohej një komb, nën tinguj balladash e sonata me dëshirën për t'i përkitur një qytetërimi të ri.

Fillimisht, në Paris ajo erdhi në vitin 1992 për konkursin ndërkombëtar të pianos "Marguerite Long". Por tërheqja manjetike e kryeqytetit evropian të artit ishte e madhe dhe ajo u rishfaq me "trakun" e rigjetjes në një tjetër konkurs e menjëherë filloi studime të tjera superiore duke vazhduar më pas në Shkollën Normale të muzikës në Paris apo Konservatorin Evropian të Muzikës, po në Paris, duke hyrë tashmë në një rrjedhë tjetër arti me shumë të panjohura. Por shpejt ajo do të ngjiste shkallët e recitaleve dhe koncertet vijuan njëri pas tjetrit: në Arles, Saint-Denis, Vaucresson, në kishën e Louvigny api kishën tjetër Saint-Vigor të Normandisë, koncertet në Bercheres-sur-Vesgre, në "Festivalet muzikore të Verës" të Baugival, duke interpretuar në sallat «André Marchal», «Erik Satie» «Trianon Palace», apo në katedralen thuajse njëmijëvjeçare të Soissons, etj, me pjesë Bethoven, Bach, Schumann, Franck, Debussy, Ravel apo nga Mozart me «Kr. 474» dhe «Kr. 457», e shumë autorë të tjerë, duke regjistruar gjithashtu në vitin 2004 një disk me balladat e Chopin. Por ajo që kishte rëndësi për të ishte ballafaqimi me nivelet e larta artistike dhe një publik meloman, duke u frymëzuar nga pianistë të mëdhenj botëror si nga një Daniel Borenboim apo Maria Joao-Pires e interpretuesit e shumë të mbretëreshës së instrumenteve muzikore.
Krahas studimit të përditshëm dhe një vullneti të jashtëzakonshëm, por dhe e mirësisë që mbizotëron në tërë qënien e saj, me guxim e talent, ajo ngjiti shkallët e vështira të këtij arti në një vend si Parisi, ku mblidhen nga intrumenstitët më të talentuar të botës. Ishin vite të ballafaqimit me përvojat perëndimore, veçanërisht të një interpretimi të ri, modern. Nga profesoresha e saj Nadine Wright, pianiste dhe gruaja e pianistit të famshëm hebre Vlado Perlemuter, ajo do të mësonte se si të gjente ritmin e duhur gjatë interpretimit, se si muzika të kishte frymëmarrje, ashtu siç e gjen në impostimin e një këngëtari lirik, p.sh., por ku «zëri del nga gishtërinjtë», thotë Manjola. «Më pëlqen ta konsideroj pianon si një orkestër që i ka zërat të ndara... dhe ti je një lloj shef orkestre». Kështu, në repertorin e saj hynin Debussy, Ravel, Franck...

Duke biseduar me Manjolën, shoh gishtërinjtë e saj dhe mendoj se ato duhet të jenë gjithçka për një pianist. Eshtë si trupi i një balerini, këmbët e duart, ku trupi ka gjuhën e tij, e kështu, si rrjedhojë dhe gishtërinjtë kanë alfabetin e tyre, duke rishkruar ata tinguj çka kanë shkruar në partitura gjenitë e muzikës që na mbajnë gjithnjë zgjuar. Dhe kështu, duke i vështruar gishtërinjtë, ata gishtërinj të dy duarve të zakontë, unë e pyes: «Vallë prej tyre, ke ndonjë të preferuar?" Kërkoj të bëj një shaka, por ajo, duke qeshur dhe vështruar gishtërinjtë e di se nuk janë gishtërinjtë magjia e interpretimit, por është vetë shpirti, ai që komandon ata si të lëvizin, si të bijen ngadalë apo thjesht të fshikin tastierën, si të bijen mbi to dhe rrahin nganjëherë fort mbi tastiera. «Gishtërinjtë i dua të gjithë njëlloj! - më thotë më një fund ajo. - Kur studioja në Tiranë nuk e njihja siç duhej teorinë e «gishtëzimit».

Këtë ma mësoi profesoresha ime franceze, zonja Wright. Ajo më mësoi si të «shkruaj» e të bëj kaligrafi me gishtërinjtë, një kaligrafi muzikore...» Dhe për ta ilustruar këtë, ajo më kujtoi skenën finale të operas Traviata, me Violetën e Inva Mulës, ku zëri i saj kthehej më së fundi në një mërmërimë drithëronjëse për të shprehur trishtin e madh të njeriut që ka pikëtakuatr sërrish dashurinë e humbur. Po, këngëtari, e po kështu dhe pianisti, s'ka nevojë të këndojë apo të luajë fort, kur një shpirt po shuhet... Ishte i këndshëm ai takim me Manjolën. Ne u ndamë pranë katedrales së famshme të Saint-Denis, kur ajo do të shkonte të punonte me nxënësit e saj e më pas në shtëpi, ku veç familjes, me dy djemtë e mrekullueshëm të saj, e pret si gjithnjë pianoja e saj "Yamaha", ku ka gjetur shpirtin e saj, një piano e mrekullueshme me të cilën dikur punonte pianistja e famshme Varvarovna. Ndërsa unë, ndërkohë, në ritmin e metrosë, risjell në mëndje atë tokatë magjike të dhuruar nga Feim Ibrahimi, si dhe fjalët që më thoshte Manjola se "kur interpretoj, unë gjej në të jetën time, historinë time, vitet e fëmijërisë dhe të adoleshencës, vëndin time, malet e veriut dhe brigjet e jugut, gjithçka timen, e cila më shfaqet brënda syve të mbyllur si në një film, ku gati harroj se po luaj... Muzika që interpretoj është si një lloj teatri, është një aksion paralel me atë që ndodh në shpirtin tim. Lëvizin imazhe, vënde, ngjarje, histori. Ja pse unë humbas dhe më duhet kohë të
shkëputem më në fund".

Në koncertet e fundit, madje dhe të para pak ditëve ajo ka interpretuar Mozart, Hayden, Bartok; këto ditë interpretoi po në Paris një "trio" të Mendelson, rapsodi të Brahms, një "fantazi" nga Chopin apo një "Polka brilante"... E megjithatë, herë pas here, ajo ka dëshirë t'i tregojë publikut francez edhe diçka nga perlat e muzikës bashkëkohore shqiptare, siç ishte ajo "tokatë" e Feim Ibrahimit atë natë në Paris. Largohem nga ai takim i këndshëm me dëshirën për të dëgjuar "De Profundis" të këtij kompozitori të kompozuar në Salzburg, pak vite para se kometa të shuhej, dhe keqardhjen që ky artist iku shumë shpejt, nën jë kohë që talenti, bujaria dhe pikëtakimi i tij europian i sapo nisur mund të na dhuronte shumçka.




LUAN RAMA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHENIDA BILALLI - TE PËRMENDORJA E NËNË TEREZËS NË SHKUP NUK PASHË MBISHKRIM NË GJUHËN SHQIPE (04.13.2014)
MAJLINDA KETA - RAMA TË NDRYSHOJË URGJENTISHT QEVERINË, TË THËRRASË 'SENATORËT' NË KABINET (Intervistë)Keta - Bledi Çuçi ministri më i suksesshëm (04.13.2014)
ÇIFTI OBAMA FITOI GJYSMË MILIONI DOLLARË MË 2013 - POR MË PAK SE MË 2012 (04.13.2014)
NEXHMIJE PAGARUSHA MERR SHTETËSINË SHQIPTARE DHE MENJËHERË NISET DREJT ZVICRËS (04.12.2014)
MOHIMI I FARK-ut NËNKUPTON MOHIMIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS PARA LUFTËSNga ADIL PIREVA* (04.12.2014)
GRYKA E VALBONËS, KJO HISTORI MADHËSHTIE E KOMBIT, OSE “GJETHET E HIRTA TË ZEMËRIMIT”...!Reportazh nga SEJDI BERISHA (04.12.2014)
FESTIVALI I QERSHIVE NË UASHINGTON (04.11.2014)
GJERGJ META - BEN BLUSHI E SHEH KISHËN ME VIZION MARKSISTIntervistoi: FATMIRA NIKOLLI (04.11.2014)
DE JURE ENVER HOXHA VAZHDON TË JETË "HERO I POPULLIT" (04.11.2014)
SOT TË GJITHË NË PRISHTINË TË DËGJONI NË DIAMOND HOTEL MUZIKË NGA BELLINI, RUSHITI E CHOPEN INTEPRETUAR MREKULLISHT NGA ÇIFTI LAZO-BEJLERI (04.11.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]