E Djelë, 04.28.2024, 02:26pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
SHQIPËRIA DHE SERBIA NË GARË PËR TË FITUAR GJERMANINË
Nga PETRIT HALITI

E Hënë, 08.25.2014, 10:37am (GMT+1)


Nuk është shumë e qartë përse diplomacia gjermane thirri në 22 gusht në Berlin për një takim me ministrin e saj të Jashtëm, Frank-Valter Steinmeier, ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, kur gjashtë ditë më vonë, ministri i Jashtëm serb do të jetë në Berlin, pjesëmarrës në konferencën e nivelit të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si anëtarë të delegacioneve të vendeve të tyre të kryesuar nga kryeministrat, do të zhvillojnë një takim të posaçëm të shefave të diplomacive ballkanike, nën kryesinë e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë.

Shpjegimi i parë, që mund të jepet për këtë vizitë të Daçiçit në Berlin, është nevoja e ushtrimit të një presioni të fortë mbi Serbinë, politika e jashtme e së cilës, në vend që t'i bashkëngjitet kohezionit europian, po i largohet njëjtësisë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, duke iu shmangur detyrimit të çdo shteti kandidat, dhe që për më tepër Serbia ka hapur bisedimet e pranimit me Bashkimin Europian. Aktualisht kriza ukrainase po evidenton çdo ditë e më tepër distancimin e politikës së jashtme të Serbisë nga qëndrimet dhe interesat e Bashkimit Europian. Serbia vazhdon kursin e saj të kundërshtimit të politikës europiane të sanksioneve ndaj Rusisë, të vendosura për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe aneksimit të dhunshëm të Krimesë nga Rusia. Dy herë në ditë, kryeministri i Serbisë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë deklarojnë se Serbia nuk do të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë, sepse Rusia është partner i rëndësishëm strategjik i Serbisë.

Se në klasën politike të Serbisë është më e madhe prirja drejt Rusisë, sesa prirja drejt BE, e konfirmoi edhe një herë synimi i autoriteteve serbe për të përfituar nga kundërsanksionet, që Moska u vuri produkteve ushqimore nga vendet e Bashkimit Europian, dhe për të rritur menjëherë sasinë e produkteve ushqimore të destinuara për Rusinë, qoftë nëpërmjet shtimit të eksportit serb, qoftë nëpërmjet importit nga vendet e BE dhe rieksportimin e tyre në Rusi. Kjo politikë kishte dy qëllime: edhe të përfitonte financiarisht në kurriz të vendeve të BE, që tradicionalisht eksportojnë produktet ushqimore në Rusi, por edhe t'i vinte në ndihmë Rusisë, sepse sanksionet ruse pakësonin burimet e furnizimit me produkte blegtorale për popullsinë ruse. Ministrja serbe e Bujqësisë, Snezhana Bogosavljeviç - Boshkoviç, deklaroi që ministria përkatëse do të bëjë çdo gjë që të respektojë procedurat dhe rregullat e tregut rus me qëllim që prodhuesit serbë të mos zhgënjejnë besimin e dhënë. Ajo ka theksuar që eksporti i zmadhuar i produkteve serbe në shtetet e Unionit Doganor (Rusi, Bjellorusi, Kazakistan), nuk prek interesat e ndonjë pale tjetër.

Një shkallëzim i tillë i politikës antieuropiane të Beogradit kapërcente çdo kufi të lejueshëm për një shtet kandidat, i cili zyrtarisht po zhvillon bisedime të bëhet anëtar i BE. Brukseli i dërgoi Beogradit një mesazh të ashpër diplomatik, ku i theksonte se "BE do ta shohë subvencionimin e eksporteve, kreditë qeveritare dhe garancitë për eksportet në Rusi si një sjellje jokorrekte dhe armiqësore". Brukseli ushtroi presione të jashtëzakonshme mbi qeverinë serbe dhe kryeministri i Serbisë u detyrua të deklarojë në datën 22 gusht se qeveria nuk do të subvencionojë kompanitë e prodhimit dhe eksportit të produkteve ushqimore serbe për në Rusi. Po ta analizosh me vëmendje, konstaton se ai nuk foli për bllokim të kuotës së eksporteve serbe në Rusi, por vetëm për subvencionet. Madje ai u ankua pse BE nuk e kishte pyetur Serbinë, kur i vuri sanksionet Rusisë. Mirëpo subvencionimin firmat serbe mund ta sigurojnë nga bankat ruse apo qeveria ruse dhe kështu të sfidojnë politikën dhe interesat e Bashkimit Europian, duke e bashkuar Serbinë me interesat e Rusisë.

Shpjegimi i dytë, që mund t'i jepet thirrjes së ministrit të Jashtëm serb në Berlin gjashtë ditë para vajtjes së tij prapë në Berlin në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të jetë një lëvizje taktike dhe ekuilibruese e diplomacisë gjermane për t'i dhënë një farë sadisfaksioni Serbisë, e cila ka mbetur e pakënaqur nga pozicioni privilegjues, që Berlini i ka përcaktuar në protokollin e samitit Kryeministrit të Shqipërisë. Sikurse është njoftuar nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë, programi i samitit së Ballkanit Perëndimor përmban daljen së bashku të kancelares gjermane Angela Merkel vetëm me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë shtypi në mbyllje të samitit dhe ku Kryeministri i Shqipërisë do të shfaqet si zëri apo përfaqësues i rajonit. Në kuptimin diplomatik kjo do të thotë se për Gjermaninë Shqipëria merr dhe mund të marrë një rol më të rëndësishëm në rajon, nga ç'ka pasur deri tani.

Një impostim i tillë i politikës ballkanike të diplomacisë gjermane nuk mund t'i pëlqente qeverisë dhe diplomacisë serbe, e cila madje protestoi zyrtarisht pranë autoriteteve gjermane për këtë prioritarizim diplomatik të Shqipërisë. Serbia nuk e ka hallin vetëm pse Kryeministri i Shqipërisë do të dalë përkrah kancelares së Gjermanisë dhe do të flasë në emër të rajonit në mbyllje të samitit. Serbia e ka hallin se kjo shenjë paralajmëron fillimin e fundit të epokës, ku Serbia konsiderohej nga diplomacia europiane si shteti më i rëndësishëm i rajonit. Fakti që shenja vjen nga shteti më i fuqishëm i Bashkimit Europian dhe i Europës, është një sinjal dëshpërues për Serbinë. Ndaj ajo po përpiqet me intensitet që të shpejtojë ritmet, të ndërrojë taktikat dhe të vihet në garë për të fituar Gjermaninë dhe që Berlini të zgjedhë Serbinë si partnerin e tij kryesor ballkanik. Ministri i Jashtëm i Serbisë deklaroi në Berlin se "marrëdhëniet me Gjermaninë kanë rëndësi jetike për Serbinë dhe Gjermania mund të llogarisë Serbinë si partner në rajon dhe si faktor në kërkim të zgjidhjes së problemeve". Është hera e parë, që Serbia i jep Gjermanisë një klasifikim të tillë në orientimin e saj të politikës së jashtme. Është një klasifikim, që shefi i diplomacisë serbe, i cili është akuzuar nga opozita serbe se është zgjedhur në atë post me insistimin e Rusisë, duhet ta ketë bërë me dhimbje të madhe, si një lëvizje taktike e detyrueshme. Sepse për Serbinë dhe udhëheqjen aktuale nacionaliste të Serbisë, interesat vitale janë të lidhura me Rusinë, kurse anëtarësimi në BE është një 'modus operandi' për përfitime ekonomike nga BE dhe për të kryer misionin e kalit të Trojës të Rusisë në Bashkimin Europian, siç e ka pohuar ambasadori rus në BE.

Natyrisht, krijimi i raporteve të reja strategjike dhe i veçorive të reja të lidhjeve apo bashkëpunimit mes qeverive dhe shteteve është një fenomen i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këtë moment të tensionuar të marrëdhënieve ndërkombëtare europiane dhe me efekte të reja rajonale, ku po shfaqet dukuria e re e një interesimi të veçantë të Gjermanisë për rajonin e Ballkanit dhe të përgjegjësive të reja, që Gjermania po merr në gadishullin e Ballkanit, është e qartë se natyrshëm lind një garë mes shteteve në terren për të fituar misionin apo rolin e të preferuarit të politikës së shtetit më të fuqishëm europian në rajon. Është një garë, ku po konkurrojnë Shqipëria dhe Serbia, dhe do të ishte naive të besohej se për Shqipërinë, mjafton fakti që ajo ka lidhje të vjetra disa qindravjeçare me kulturën, shkencën dhe popullin gjerman, i cili 100 vjet më parë i dha Shqipërisë kryetarin e parë të shtetit të njohur ndërkombëtarisht.
Kohët e reja kërkojnë prova të reja miqësie dhe interesash. Kur ministri i Jashtëm serb, përfaqësues i një shteti, që historikisht njihet për armiqësinë e tij tradicionale ndaj Gjermanisë dhe popullit gjerman, arrin të deklarojë se Gjermania përbën një interes jetik për Serbinë, është e kuptueshme se për Shqipërinë avancimet strategjike janë më të lehta për t'u ndërmarrë. Nëse 30 vjet më parë Shqipëria ndiqte diplomacinë keqdashëse të shanseve të humbura të Ramiz Alisë dhe të Sofo Lazrit, sot është koha që topi të kapet në ajër dhe të përshtatet Shqipëria me rolin e saj rajonal, të cilin e ka merituar prej kohësh. Dhe nëse shteti më i fuqishëm europian i ofron Shqipërisë një rol rajonal, ajo nuk duhet të mendohet dy herë. Nuk e dimë se çfarë informacioni të bazuar mund të ketë marrë një politikan i lartë shqiptar, i cili, pas bisedimeve me nënkryetarin e Bundestagut gjerman në Tiranë, deklaroi se Shqipëria e vlerëson Gjermaninë si partner të rëndësishëm strategjik për të ardhmen e vendit. Nuk duhet harruar se e ardhmja e vendit është në sfondin e një gare me shtete të tjera të rajonit dhe, kur themi këtë, kemi parasysh se gara kryesore është mes Shqipërisë dhe Serbisë. Dhe Shqipëria i ka të gjitha shanset që ta fitojë këtë garë. Unë e kam shkruar edhe në librat e mi, se aleatët strategjikë nuk janë të palëvizshëm, as ata që zgjedhim ne e as ata që zgjedhin të tjerët.
PETRIT HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Kthim në vendin e krimitSEMINARI I ALBANOLOGJISË TENTON TË MBULOJË NJË PLAGJATURË TË SABRI HAMITITNga SALI BYTYÇI (08.25.2014)
BOTOHEN SHËNIMET E OSMAN KOKËS RRETH GOLI OTOKUT - KOMUNIZMI ISHTE FATKEQËSIA E MADHE E SHQIPTARËVE NË SHEKULLIN E NJËZETË (08.25.2014)
EKSTREMIZMI FETAR NË KOSOVË - Ç'ËSHTË KY?Vështrim nga SKËNDER MULLIQI (08.25.2014)
AKUAREL NGA PIKTORI I TALENTUAR HELIDON HALITI - NGA CIKLI 'KODRAT E HIMARËS' (08.24.2014)
BASHKËPUNIMI I SIGURIMIT TË SHTETIT ME OZNA-n KUNDËR NACIONALISTËVE SHQIPTARËNga VELI HAKLAJ (08.24.2014)
JA SI U DËMSHPËRBLYEN BYROISTËT NGA QEVERITË SOCIALISTENga MIRA KAURI, anëtare e kryesisë së Gruaja Demokratike, Durrës, PDSH (08.24.2014)
PELLAZGO-SPARTANËT, SHQIPTARËT E SOTËMStudim nga RASIM BEBO (08.24.2014)
SARANDË - DEPUTETJA BOSHNJAKE BËN 'SHQIPONJËN' (08.24.2014)
ERINA RRAHMANI - FËMIJËT NË KOSOVË NUK LEXOJNË MJAFTUESHËM (Intervistë) (08.24.2014)
XHEVAT KORÇA, I BURGOSUR POLITIK, I DHA FUND JETËS ME GREVË URIE NË BURGUN E BURRELIT (08.23.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]