E Hënë, 05.13.2024, 02:20am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
SHQIPTARËT, KËTA NJERËZ TË LINDUR PËR LUFTË!
Nga ANDRÉ ORDIONI

E Djelë, 11.16.2014, 10:37am (GMT+1)


Historia e këtij libri fillon që më 1998, në kuadrin e kërkesave modeste të profesor Anesti Postoli, asokohe dekan i Fakultetit të Pyjeve të Tiranës, për të ndihmuar studentët e tij tek disa autoritete frënge. Ndërtesat e universitetit të tij ishin plaçkitur gjatë vitit 1997. Biseda e tij me një koleg frëng, solli një fakt interesant. Nipi i kolonel Ordionit, i propozoi dhe përgatiti kujtimet e gjyshit të vet në lidhje me Shqipërinë dhe Perëndimin e Maqedonisë ku i gjyshi jetoi nga viti 1917 në 1925, shkrime të pabotuara dhe të ruajtura nga trashëgimtarët e tij. Për fat, Profesor Postoli gjykoi se këto shkrime mund të ishin të dobishme për Shqipërinë dhe kështu doli ky botim. Ky botim u drejtohet lexuesve që dëshirojnë ta njohin Shqipërinë e kohës së Luftës së Madhe dhe të "pasluftës". Për librin bashkëpunuan profesor Anesti Postoli, profesor Pëllumb Xhufi, Luan Rama, Pierre Cabanes etj. Ambasada ka mbështetur botimin në shqip të librit, që është botuar tepër cilësisht nga "Papirus"

E dashur Mari,
Shqipëria - Vendi më pak i njohur i Evropës, pasi ajo është shkelur më pak nga të gjithë dhe nëse turistët nuk e vizitojnë atë, kjo ndodh sepse nuk ka rrugë apo fare pak dhe në gjendje të keqe, të cilat nuk ia vlen t'i numurosh. Megjithatë, këtej kalonte rruga e romakëve "Via "Egnatia", e cila lidhte dy kryeqytetet e perandorisë: Romën dhe Bizantin. Për këtë kemi folur më parë, shiko "Itineraret nga Parisi në Selanik". Shqipëria është një shtet i vogël me një territor që përcaktohet nga kufijtë në tri anë të saj. E katërta është ende e papërcaktuar, por me pak vullnet të mirë është e mundur të përcaktohet: Adriatiku, Drini, zona e liqeneve (zonë për të cilën po diskutohet), Gramozi, Mokra, formojnë kufijtë natyrorë të këtij vendi të virgjër e primitiv të banuar nga shqiptarët, siç i quajnë në Shqipëri. Një vend kaotik dhe i shqetësuar, me pyje të gërryera, me masivet malore madhështore, pothuaj ngado ka male me një lartësi mesatare prej 1000 metrash, por dhe disa fusha në brigjet e detit, apo disa rrafshnalta me shumë ujë dhe pjellori të jashtëzakonshme. Me gjithë këto pasuri të saj si dhe burime të tjera të pashfrytëzuara, Shqipëria është një vend me një të ardhme të konsiderueshme tregëtare e industriale. Dhe këtu Franca mund të luajë një rol të rendit të parë, nëse dimë të ndjekim një linjë tepër të qartë tek banorët, të cilët duket se kanë një simpati të madhe për vendin tonë nga i cili njohin shumçka nga historia dhe idetë bujare të saj. Në Shqipëri, në këtë vend ku janë ndeshur aq shumë popuj dhe qytetërime të ndryshme e ku megjithatë raca e tyre ka mbetur gjithnjë e fuqishme dhe e pacënuar aspak, duhet bërë një punë e madhe. Popullatat që banojnë në të kanë lejuar dhe pastaj i kanë shtyrë tej si qytetërimin grek ashtu dhe ofertat e romakëve. Sigurisht, problemi shqiptar nuk është i lehtë për t'u zgjidhur, por e tërë Evropa nuk mund të pranojë që ky vend të qëndrojë jashtë rrjedhës dhe progresit të përgjithshëm dhe të jetë jashtë gjirit të qytetërimit dhe të interesave evropiane.
Letra nga Orienti
6 dhjetor 1917

E dashur Mari,
Vijon nga faqja 15
Ajo që më ka bërë përshtypje më shumë është se përreth Korçës mund të shohësh fshatra të banuar krejtesisht nga vllehët, bullgarët apo dhe turqit e ortodoksët. Banorët jetojnë shpesh në të njëjtën qytezë dhe mbështesin njëri-tjetrin. Por nuk është e lehtë tu diktosh të njëjtën formë qeverisjeje në fshatrat ngjitur dhe që janë plotësisht të ndryshëm nga ana etnike. Si mund të shpjegohet ekzistenca e një fshati plotësisht shqiptar në krah të një fshati grek? Korça, e cila është në kufijtë e tri shteteve, ka një popullsi tepër të përzier dhe aktualisht ndjehet fort propaganda greke. Si mund të arrish t'i pajtosh kaq shumë interesa e aspirata të ndryshme? Si mund të arrish të afrosh me njëri-tjetrin veçanërisht myslimanët me ortodoksët, të cilët prej shekujsh kanë qënë kundërshtarë? Në pamje të parë mund të thuhet se ky vend është krijuar për të bërë luftra dhe nëse në këto çaste këto popullata jetojnë në mirëkuptim, kjo ndodh sepse ata ndjejnë rrezikun e armikut të jashtëm. Por në kohra të zakonshme, midis tyre shqiptarët qëllojnë lehtë me pushkë, siç ndodh kur bastisin një fshat për t'u marrë kafshët dhe drithërat, për të cilat kanë nevojë. Sido që të jetë, në këto kohë të vështira, çështja e Orientit është në rend të ditës më shumë se kurrë. Ballkani është në flakë dhe ndoshta një politikë e re duhet adoptuar. Shqipëria mund të luajë një rol të rëndësishëm për pozicionin e saj gjeografik, meqë ndodhet në mes të Lindjes dhe Perëndimit. Eshtë pothuaj një kryqëzim i detyruar i rrymave të mëdha. Po ashtu, është e rëndësishme të njohësh mirë, aq sa e lejojnë mjetet tona të vëzhgimit, edhe kushtet materiale e morale, në një vend ku jemi të detyruar të jetojmë, të qarkullojmë karvanet, të mjekojmë të plagosurit tanë dhe të luftojmë kundër armiqve tanë, të cilët janë të armatosur mirë, kanë guxim dhe dinë të luftojnë. Pra na duhet të studiojmë administrimin e këtyre fiseve malore që janë të krahasueshëm me kohën tonë të feudalizmit; të studiojmë gjendjen e tyre fetare, pasi vendet e tyre të kultit janë ngado.
1. Banesa e tyre ka një shumëllojshmëri të pafund tipesh, por më të përhapura janë shtëpitë me streha, shkallë, etj, të ndërtuara të gjitha pothuaj gjithnjë me gurë dhe rrallë me dru. Pasiguria që mbizotëron këtu përherë nga komitaxhinjtë ka bërë që në disa zona të ndërtohen disa lloj shtëpish të fortifikuara që quhen kulla. Dje shkova pikërisht të inspektoja detashmente
që kam në Kullën e Veriut dhe Kullën e Jugut, gjatë rrugës që shkon për në Sarandë, por që deri tani janë të vetmet fortifikime që njoh. Eshtë e vërtetë se për çastin, jam në një krahinë më të qytetëruar se pjesa tjetër e Shqipërisë, të cilën do doja shumë ta njohja, por më duhet të duroj dhe pak... 2. Vendet e kultit në Shqipëri janë të shumta dhe çdo besim ka vendet e tij: teqe (manastire myslimane), të cilat nuk janë as të bukura dhe as me rëndësi; vendet e kultit ortodoks, të cilat janë vende pelegrinazhi apo vende qëndrimi të fortifikuara, ku besimtarët vijnë të luten dhe të pushojnë. 3. Nisur nga frutat që shijova në këtë fund sezoni, duket se janë shumë të shijshme. Drithërat mund të jenë me bollëk e po kështu dhe zarzavatet. Të gjitha shtëpitë janë me kopshte, ku kanë mbledhur pemë frutore si pjeshka apo qershia; në breg të detit kam parë pemë portokallesh, limonash e qitrosh. Si kulturë jo ushqimore kam parë vetëm duhanin, siç është dhe në Maqedoni. 4. Kafshët shtëpiake janë të shumta e të ndryshme, ku zotërojnë delja dhe dhia. Gjedhët janë të rralla, raca e kuajve është shtat-vogël dhe me muskuj, por që në këtë periudhë po na ndihmon shumë për transport. Buajt zëvendësojnë lehtë kuajt për tërheqjen e karrove.
5. Organizimi social nuk mund të jepet me një vështrim sipërfaqësor dhe meriton që t'i kushtojmë një kapitull të veçantë: për më tepër, brenda një muaji nuk jam aq i informuar me dokumente për të trajtuar thellësisht këtë çështje. Për çastin mendoj të flas për Korçën apo kazanë e Korçës, për sanxhakun e Novi-Pazarit dhe vilajetin e Manastirit, që më duken sikur përngjajnë me kantonin apo departamentin francez e diçka të tillë të përafërt. Do duhet të përdor kohën e lirë për të studjuar këtë shoqëri interesante e të ashpër. Më duket se deri tani ka qenë veçanërisht ligji i më të fortit që zotëronte në këto krahina, ku anarshia shkaktonte shumë viktima. Në këtë çast më bëjnë të njohur se ka shumë mundësi të shkoj në sektorin e veriut apo më mirë në zonën veriore, edhe pse ka një muaj që jam në zonën e jugut. Kur e mendoj këtë, them se ia vlen. Për një muaj shpresoj ta njoh thellësisht Shqipërinë dhe t'i shërbej sadopak asaj.
***
Një katedrale ortodokse
10 janar 1918

E dashura ime Monik,
Në prag të ikjes time nga Korça, pikërisht para një muaji, munda të vizitoj me hollësi katedralen ortodokse që gjendet në këtë qytet. Prej shumë kohësh kisha dëshirë ta vizitoja, i shtyrë nga kureshtja, mbi të gjitha legjitime, por dhe nga dëshira për të njohur thelbin e saj, veçanërisht fjalën "ortodokse", çka më bënte kureshtar. Përse vallë grekët e rusët ishin ortodoksë, pra partizanë të një doktrine reale dhe ne nuk jemi të tillë? Pra përse?
Kështu, të djelën, para largimit tim nga Korça, e cila do më mungojë shumë për shkak të Republikës së re për të cilën do të flas më vonë në "Letrat e mia të Orientit", hyra deri tek sanktuari. Së pari, aspekti i jashtëm i katedrales është i thjeshtë dhe hijerëndë, i ndërtuar plotësisht me gurë të gdhëndur në një blu të errët që më kujton gurët e katedrales së Tunisit. Navata i ngjan asaj të kishave tona të klasit të dytë, pra të punuara jo dhe aq mirë, por që kanë kambana të vogla dhe që i kthejnë tingujt në brendësi të kishës, e po kështu kupola e përshkuar nga një gjyle si dhe absida. Ndryshimi i vetëm qëndron në kryqin grek, ku të katër krahët janë të barabartë. Kjo ishte nga ana e jashtme, por brenda ka një nuancë më të dukshme. Kisha greke duket se ka marrë më shumë nga kishat primitive sesa nga kishat tona aktuale. Në të tërën, dhe me një shikim të parë, ndryshimet për të cilat dua të flas, nuk duken menjëherë. Kur hyn nga porta kryesore gjendesh në prani të një navate kryesore dhe dy "transepts"3 të ndarë nga dy kollona, frona, një katedër dhe bango për këngëtarët. Këtu ka një ndryshim të madh: altari kryesor është i ndarë nga pjesa tjetër përmes një perdeje (pikërisht aty, tek ne ndahet navata nga kori) që ngrihet lart drejt kubesë. Pas asaj perdeje, priftërinjtë bëjnë ritet e tyre sikur besimtarët s'duhet të dijnë për misteret që ndodhin aty. Duhet të them se kur hyn në katedrale ka dy të ngritura druri: në të majtë shiten ëmbëlsira dhe sheqerka, me sa duket për të bërë betimin. Sipër një vendi të ngritur janë organot. Kjo është e gjitha. Duke vëzhguar mirë mjedisin, brenda pashë Krishtin, Virgjëreshën Mari dhe gjithë gratë që shkojnë ta përqafojnë atë me adhurim, duke lëvizur tri gishtat disa herë. Pastaj pashë Shpirtin e Shenjtë në formën e një pëllumbi dhe së fundi dallova me rradhë shenjtorët, ashtu si dhe tek ne, rreth e rrotull kishës, në atë që ortodoksët e quajnë ikonostas, me një fjalë paraqitja e ikonave.
3 Pjesa arkitektonike horizontale që krijon formën e kryqit në kompozicionin e një kishe
Por aty pikasa dhe Shën Mëhillin, Shën Pjetrin, Shën Andrean, etj. Në fund të ceremonisë, të veshur me rroba ngjyrë të kuqe të ndezur, priftërinjtë u afruan deri tek tri portat e ndarëses së korrit dhe bënë bekimin me diçka që mu duk se ishte një lloj ëmbëlsire. Me sa më kujtohet, më duket se ortodoksët, apo ata që e quajnë veten të tillë, nuk e njohin autoritetin e Papës. Ky është ndryshimi i vetëm që ekziston midis nesh. Ti duhet të kesh fotografinë e Korçës që të kam dërguar para disa kohësh.
***
André
Letra nga Orienti
30 janar 1918

E dashur Mari,
Dritë dhe errësirë - Natën e kaluar ne pësuam katër sulme të njëkohësishme në gjithë frontin e brigatës dhe të taborit tim: francezë, shqiptarë dhe senegalezë që morrën pjesë gjithashtu ishin të admirueshëm. Shpresoj se këto ngjarje lufte që ndodhin në sektorin tim do t'i tregoj më vonë në "Tregime lufte të Ushtrisë së Lindjes". Për çastin po mjaftohem me disa refleksione personale që më kanë lindur nga studimi mbi këtë gadishull ballkanik, i cili padyshim ruan ende shumë surpriza. Nata ishte e shkëlqyer dhe me një qartësi drite të jashtëzakonshme, e ndriçuar nga një hënë që po ulej. Sulmi u zhvillua në mesnatë, nga ora 3 e mëngjesit dhe u bë në dy faza, në mënyrë normale dhe të rregullt, i parashikuar dhe i drejtuar në mënyrë metodike nga komandantët e trupave të çdo nën-sektori. Gjithë këtë ansambël trupash unë e drejtoja duke përdorur edhe rezervat, në mënyrë që të vendosja një lloj ekuilibri të forcave, pasi armiku sulmonte në mënyrë të ashpër.
Gjithçka kaloi mirë dhe përsëri mendoj të të tregoj ende, por më mirë më vonë... Pas betejës, refleksionet e natës janë të një rendi të përgjithshëm, edhe pse lidhen më në veçanti me Ballkanin, ku unë do doja të njihja shpirtin e kësaj zone, të këtyre maleve, të së kaluarës së mrekullueshme dhe të përbërjes së vetë njerëzve dhe gjërave. Qetësia u rivendos kur dritat e para të mëngjesit u shfaqën në horizont dhe ndërluftuesit u fshehën në pozicionet e tyre. Atëherë shkova në shtabin tim. Duke ecur, mbi një kreshtë tepër të lartë ndaloja ballë yllit polar dhe në atë çast pata përshtypjen e saktë se Perëndimin e kisha në krahun e majtë dhe se Orienti, Lindja, fillonte nga e djathta ime. Në fakt unë isha në vijën ndarëse të ujrave të kësaj zone rrethuar me liqene dhe se Gadishulli Ballkanik nuk ishte as Orient dhe as Perëndim, por se ai përbënte një pikëlidhje, një kryqëzim, ku popujt e Lindjes e të Perëndimit, qytetërimet greke dhe latine, shkriheshin mes tyre. Edhe pse nuk janë plotësisht orientale, netët ballkanike janë të bukura, por unë parapëlqej më shumë ditën, kthjelltësinë, spektaklin shumëngjyrësh të njerëzve dhe të objekteve, veçanërisht të luftëtarëve. Ka diçka prej ankthi në betejat e natës: errësirat.
Drita dhe errësira, dita e nata, e dukshmja dhe e padukshmja... ato e pushtojnë shpirtin tim në çastin kur dielli ngrihet për të fundosur natën, për të shpërndarë errësirat dhe fantazmat, për të na sjellë dritën e saj të madhe, për të na shfaqur ditën e për ta bërë botën të dukshme, reale, ashtu siç është realisht. Megjithëse ka një dritë të zbehtë, edhe vetë nata nuk mund të ndriçojë gjithçka, t'i japë shpirt diçkaje; ajo lë shumë gjëra në hije, krijon fantazma që dalin nga errësirat dhe që s'mund t'i dallosh në mënyrë të qartë. Këto fantazma të krijuara shpesh nga një imagjinatë pjellore, në mes të luftimeve dhe në një vend ku ujqit dhe arrinjtë janë ende me shumicë, zhduken sapo shfaqet dielli dhe kur dita lind.
Pas betejës, këtu mbizotëron heshtja, është boshllëku i fushës së betejës që rifillon; por tutje dalloj minaretë e gjata mbi të cilat muezini do të këndojë ngazëllimin e përgjithshëm, do thërrasë besimtarët të luten, të kremtojë fitoren e kthjelltësisë mbi errësirat, të së vërtetës mbi gabimin, të përshëndesë Zotin (Allah!), fitonjësin e madh, Zotin e gjithçkaje, që ka bërë përsëri diellin të ndriçojë e të ngrihet lart me dritën fisnike të agut. "Hazamah" është dita, dita e madhe që ka ardhur. Asnjëherë nuk e vlerësojmë atë me vlerën që ka pas një nate të errësuar nga goditjet vrasëse të "shrapnels-it", dhe ku ke nderin të drejtosh betejën e një fronti që i kalon 20 kilometra. Gjithë zogjtë këndojnë në këtë çast himnin e lumturisë së diellit dhe të natyrës që është zgjuar. Por komandanti kthehet disi i shqetësuar nga humbjet që ka pësuar. Ç'boshllëk i madh në rradhët e ushtarëve, që të gjithë të rinj, stoikë dhe që ai i donte shumë. Kanë rënë për Francën, për idenë fisnike, por ata do të pushojnë në tokë të huaj, në këtë tokë vullkanike të Ballkanit. E megjithatë, te unë, ka një dallim midis Francës dhe Ballkanit. Edhe Franca ka qenë feudale dhe mesjetare, edhe Franca ka shumë krahina të banuara nga popullata me origjina të ndryshme: latinë, keltë, galë... e që formonin në territorin tonë një mozaik plot konkurenca të ndryshme. Por ky konglomerat u bë rezistues në sajë të gjakut të derdhur në aq e aq beteja dhe në veçanti në saj të dritës që projektohet nga qytetërimi i këtij vendi. Ballkani më duket se është i mbuluar ende me një shtresë të trashë errësirash që nuk shpërndahen, veç në mos në qartësinë e ngjarjeve aktuale, në diellin rezatues të qytetërimit. Në saj të tij, popujt ballkanikë do kuptojnë se janë ndoshta të të njëjtit lloj dhe rrënjë dhe se luftrat që ndodhin në një mënyrë të përhershme janë luftra vllavrasëse dhe të pabesa. Urojmë që drita e qytetërimit dhe e progresit shoqëror të shpërbëjë përgjithmonë errësirat ballkanike dhe të zhvillojë instinktin e të njëjtës racë që mbetet e errët në mendjet primitive. Sa më i fuqishëm të jetë ky instinkt, aq më mirë do të bëhet asimilimi, d.m.th. nacionalizimi. Dhe në rastin më të mirë (le të përmendim Francën si një shëmbull të mrekullueshëm e model, pasi në të nuk ka ide separatiste), kur një vend është homogjen dhe bashkimet e provincave të bëra në një lidhje të fortë, ky instinkt nuk do të mjaftonte, organizimi i vendit do të ishte i dobët pa mbështetjen e një vullneti superior.
Eshtë ky vullnet që një njeri i elitës që i përket këtij vend (si p.sh. një Venizellos tjetër i ardhshëm) mund të sillte në të njëjtën kohë veçse një kulturë të gjerë e të fuqishme, por jo Kultur.6 A mund të themi pra se kjo kulturë dhe disiplinë e sjellë në këtë festë të vazhdueshme, në këtë regjim ku një popull duket se po zhduket ashtu si dhe ballkanikët e tjerë do të imponohet, të shpërndajë errësirat përmes dritës, - arësimi vret injorancën?
Ordioni
***
d) Shqiptarët.
Shqiptarët u takojnë racave të ndryshme, por elementi më i mirë i tyre është, pa dyshim, sidomos nga pikëpamja ushtarake, elementi mysliman, vetëm në Shqipërinë e Jugut, sigurisht.
Xhandarët shqiptarë janë rekrutuar në shumicën e tyre ndër çetat e formuara kundër grekëve dhe kundër turqve; skuadrat kanë për oficer shqiptar komandantin e dikurshëm të çetës. Ata i binden verbërisht atij pasi e kanë zgjedhur si komandant për shkak të kurajës dhe trimërisë së tij. Domethënë sa vlen komandanti, aq vlen skuadra.
Kur shqiptarët angazhohen në la XhLSh ata kërkojnë të shërbejnë në filan skuadër dhe duan të angazhohen vetëm për të qenë nën urdhrat e një komandanti tek i cili kanë besim. Xhandarët e lëvizshëm shqiptarë janë njerëz shumë të zhdërvjellët; malësorë të fuqishëm, që e njohin në mënyrë të admirueshme luftën në male, ata janë krejtësisht të aftë për shërbimin e zbuluesit, patrulluesit, para-rojës... në këtë vend të vështirë si Shqipëria.
Ata kanë furnizuar gjatë verës dhe vazhdojnë të furnizojnë, përpara radhëve tona të rezistencës, një rrjet para-rojash, që i japin informacione komandës, që e njoftojnë për çdo lëvizje të armikut dhe që formojnë një zonë të parë rezistence që nuk u thye kurrë.
Për periudhën e dimrit, po studiohet një mënyrë e re për ta mbajtur këtë zonë dhe për të ushtuar një shërbim vigjilence edhe më të rreptë. Deri ku mund të shkojë dhe deri ku shkon vërtet besnikëria e xhandarëve shqiptarë? Aktualisht, Shqipëria është e ndarë në 3 zona: zona franceze, zona italiane, zona austriake.
Xhandarët kanë të afërm dhe miq në të tria këto zona: është e vështirë t'ua ndalosh të komunikojnë me këta të afërm apo miq, aq më tepër që ne i kemi shfrytëzuar këto marrëdhënie për të mbledhur informata mbi armikun. Nga ana tjetër, shumë xhandarë janë rreshtuar në sillogun shqiptar, një lloj frankmasonerie që ka në programin e saj unitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Nga kjo pikëpamje, është e sigurt se shumica e shqiptarëve kanë një preferencë të theksuar për mbrojtjen franceze për shkak të formës sonë të qeverisjes, prirjeve tona demokratike dhe ideve tona të drejtësisë të cilat i kanë joshur deri më sot. Banorët e Korçës ndahen në shumë grupe:
1) Grekë ose shqiptarë me prirje grekofile, që flasin greqisht dhe janë
ortodoksë.
2) Shqiptarë myslimanë që flasin shqip,
3) Rumunë (Kuco-Vllehët) që kanë shkolla të veçanta.
Në këtë kohë, në Korçë ka shumë refugjatë nga Voskopoja (ortodoksë grekofilë)
Të gjitha këto elemente e spiunojnë njëri-tjetrin, kanë pikëpamje dhe aspirata të ndryshme dhe kërkojnë të kenë një ndikim dominues mbi këshillin e administrimit të Korçës.
Për t'i zbutur vështirësitë që mund të lindin për këtë arsye, këshilli i administrimit i Korçës është i përbërë në pjesë të barabarta nga myslimanë e katolikë, pasi çështja e fesë është ende e mprehtë në këtë vend. Kazaja e Korçës, ose këshilli i administrimit është nën regjimin e të dhjetës: paguhet një taksë edhe për kafshët.
- Organizimi i xhandarmërisë së lëvizshme shqiptare:
Kjo forcë lokale është e përbërë aktualisht nga dy kompani:
1°) kompania e parë prej 250 burrash për llogari të Kazasë së Korçës (neni 5 i protokollit të 10 dhjetorit 1916)
2°) kompania e dytë, me një efektiv prej 500 burrash, për llogari të qeverisë
franceze; kjo njësi u formua sipas mënyrës në vijim:
a) Rekrutimi i një fraksioni prej 250 burrash në shkurt (autorizimi nr. 7064 i 25 shkurtit 1917)
b) Rekrutimi i një fraksioni të dytë prej 250 burrash në mars (autorizimi i CAA nr. 7229 i 3 marsit 1917)
Këto dy kompani administrative ndahen në: Kompania e Irë (e Kazasë) në 2 kompani me nga 125 vetë Kompania e 2të, për llogari të qeverisë franceze, në 4 kompani me nga 125 vetë. Këto kompani me nga 125 xhandarë ndahen si më poshtë: 1 toger, 1 nëntoger, 1 rreshter-major, 1 rreshter intendent, 4 rreshterë, 1 kaporal intendent, 8 kaporalë, 2 xhandarë me kalë, 6 qiraxhinj, 100 xhandarë. Kuadri francez i ngarkuar në XhLSh: 1 kapiten komandant i XhLSh, 5 nën-togerë, 1 doktor, 1 rreshter-major, 3 rreshterë, 2 sekretarë (të ngarkuar me sigurinë) 1 infermier.
- Pagesa dhe shpërblime të ndryshme
Sipas vendimeve të Zotit gjeneral kryekomandant të Ushtrive aleate nr. 2661/2 datë 3 shkurt dhe nr. 7656/1 të datës 13 mars 1917,

1) Forcat e XhLSh marrin në mënyrë uniforme një pagesë ditore prej 2F dhe 1kg bukë në natyrë.
2) Ushtarakëve dhe oficerëve u jepet një pagesë funksioni mujor prej 80F për togerët, 60F për nën-togerët, 20F për nën-oficerët, 10F për kaporalët.
3) Oficerët marrin një shtesë ditore prej 500g bukë. Xhandarët me kuaj dhe qiraxhinjtë, pronarë të kuajve të tyre, marrin një pagesë mujore prej 80F. Me një notë shërbimi nr. 1383/1 të 1 korrikut të CAA, sasia e bukës e marrë nga XhSh e territorit të Korçës është vendosur në masën 650g bukë e zakonshme dhe 50g bukë lufte.
Me notën e CAA29 nr. 1568/1 të datës 10 korrik, zvogëlimi i racionit të bukës u kompensua me dhënien e një racioni oriz prej 100g në ditë për njeri dhe me një racion yndyrë prej 30g.
- Armatimi
Aktualisht, xhandarët shqiptarë janë të pajisur me pushkë bullgare. XhLSh ka në inventar 500 pushkë bullgare dhe 240 bajoneta që kanë shërbyer për armatosjen e xhandarëve që i përkasin kompanisë franceze. Xhandarët që bëjnë pjesë në kompaninë që varet nga Kazaja janë armatosur me pushkë bullgare të cilat u janë marrë banorëve vendas.
- Veshja
Aktualisht, çdo xhandar ka një veshje cohe kaki, xhaketë, pantallona, këmbale, çizme; në kokë kapën e policisë të qepur me cohë kaki. Të brendshmet: një këmishë, një palë mbathje. Nuk kanë pajime, as çantë shpine, as batanije të vogla. Kemi bërë një kërkesë për çadra. Qeveria franceze siguron aktualisht veshjen e 750 xhandarëve dhe paguan me rrogë dhe shpërblime të ndryshme në natyrë 500 xhandarë. Kazaja paguan 250 xhandarë dhe i rimburson shërbimit të intendencës të gjitha zahiretë, duke përfshirë dhe bukën, të marra për repartin që ka në ngarkim. Në vijim të shpërndarjes së re të sektorëve, një zmadhim bëhet i domosdoshëm dhe forcat shqiptare duhet të shkojnë në 1000 vetë, të ndarë në 10 kompani me nga 100 vetë; çdo kompani është e ndarë në 2 skuadra. Edhe 8 skuadra të reja do të krijoheshin më pas. Natyrisht, këto njësi do të krijoheshin dora-dorës në Korçë, do të instruktoheshin, do të disiplinoheshin dhe do të dërgoheshin në front vetëm kur do të kishin arritur kompaktësinë dhe instruktimin ushtarak të mjaftueshëm, gjë që do të bënte të mundur:
1) Të krijojmë një zëvendësuese të njësive të përparme që janë në front prej një kohe të gjatë pa qenë e mundur të zëvendësohen.
2) Të kemi një bërthamë prej qindra njerëzish që përbëjnë një rezervë të gatshme për të marshuar në rast operacionesh, pa na u dashur të heqim ndonjë skuadër nga mbulimi.
3) Nga pikëpamja politike, të kemi nën vëzhgimin tonë dhe t'i bëjmë të punojnë me ne të gjithë elementet luftues të krahinës. Si komandant skuadre, do të përdornim ushtarakët më të mirë të skuadrave që ekzistojnë tashmë, ata që janë të njohur për ndershmërinë e tyre dhe që kanë interesa në krahinën e pushtuar prej shumë kohësh. Aktualisht, burimet buxhetore të Kazasë do t'i lejonin asaj të mbante në ngarkim edhe 250 xhandarët e rinj.
XhLSh do të përbëhej nga dy kompani administrative me nga 500 vetë secila: njëra për llogari të qeverisë franceze, tjetra për llogari të Kazasë. Në rast se ky propozim do të pranohej, kuadri francez i atashuar pranë XhLSh duhet të kishte 7 oficerë francezë: 1 komandant i XhLSh, 1 oficer prapavije, 5 oficerë (1 për 2 kompani), 1 doktor. Do të ishte me vend të ngarkoheshin për mbështetjen e XhLSh dy oficerë të rinj që të kishin shërbyer sa më shumë në trupat indigjene ose në formacionet ndihmëse në Marok.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ARKIVAT AMERIKANE NXJERRIN FILMIME TË AHMET ZOGUT DHE SHQIPËRISË SË VITIT 1930 (11.16.2014)
LUFTA E FTOHTË NËPËRMJET 30 FOTOGRAFIVE (11.15.2014)
GEORGE WASHINGTON - LEGJENDA E PACËNUESHME (11.15.2014)
FOTO E DITËS - RAMA SHËTIT SI QYTETAR I THJESHTË NË STOKHOLMNdryshe nga Beogradi ku delegacioni shqiptar u desh të shoqërohej nga mijëra policë (11.15.2014)
NË TURQI JETOJNË 700 MIJË ÇAMË (11.14.2014)
HUMBJA E DYTË E DIPLOMACISË SERBE NË BEOGRADVështrim nga SKËNDER MULLIQI (11.14.2014)
KOSOVA - BETEJA PËR NJOHJE* Botuar për herë të parë në Conflict Studies (Londër), nr. 137/138 (1982), f. 23-43.Marrë nga libri 'Shqipëria dhe shqiptarët në rrugën e rimëkëmbjes' i ELEZ BIBERAJT (11.14.2014)
MUÇI FEZGA - GJITHÇKA QË MUND TË BËJMË, TË JETË PËR TË MIRËN E BREZAVE QË NA PASOJNËIntervistoi: KUJTIM MATELI (11.13.2014)
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...PKSH E DREJTUEME NGA TERRORISTI ENVER HOXHA ISHTE NË SHERBIM TË KASAPËVE SHOVENISTË SERBË...Nga FRITZ RADOVANI (11.13.2014)
TAKIMI RAMA-VUÇIÇ, ZOR SE MUND TË JESH ENTUZIASTNga FATOS LUBONJA (11.13.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]