Sirenat i prenë flokët e gjata,
heshtën shtojzovallet , orët e maleve,
Tutje Lugjeve të Verdha mbi Bjeshkët e Namuna,
U meh qumështi në gjinjtë e bardhë të zanave,
Osman Taka gremisi sytë në legjendat e valleve,
Yjet qiejve ngrinë,
E përmortshme me ding-dangun e këmbanave tringëllin,
Muza e poetit me emrin Ofeli.
Thur kurora me trendelina në malin Leni,
Lida ,vajzë dëshiri, vajzë e vetme,
Si Shehrezadja e njëmijë e një netëve,
U bë qyqe e qyqon,
E me ligje pellazgjike ligjëron:
-Ku ku, babë!Ku ku baba!
Baba shakryt tat! Baba shakryet tat!
Ike i zhgënjyer,
S`pe një ditë të bardhë, s`të gjeti shpirti rehat,
Baba shakryet tat! Baba shakryet tat!
Qielli mbi Kosovë e Çamëri
Në gjysmështizën e pikëllimit
veshun me kuq e zi.
Edhe unë Vehbi,
Derdha lotë, derdha vargje për ty,
Se ti i përket racës së poetëve,
Po raca e poetëve nuk është standarte,
Ka poetë me fantazi si flaka e vetëtimave
Por me shpirt të zi si të demonëve,
E me ndjenja të mbyllura
Në sarkofagë prej akulli,,
Ka poetë me ndjenja të buta si lulet,
Me shpirt të dhimbshëm,
Deri në dhimbje.
Por shpirti i tyre është i bindur , i nënshtruar,
Rri i mbyllur tërë jetën
Në kafaz e kraharuar,
Tek dera e ruajnë:arsyeja, frika,
Si gardian qelishë,
Si murgj manastiresh,.
Por ka edhe poetë,
Me shpirt të pabindur dhe rebel
Që nuk e përfillin arsyen, frikën,
Si gardianë qelishë, Murgj manastiresh,
Kësaj race i përket edhe ti ,Vehbi.
Shpirti yt fluturon i lirë hapësirave,
Nuk i bindet arsye- frikës
Si gardian qelishë,
Murgj manastiresh,
S`i ke përfillur eprorët,
I ke injoruar këshillat e profetëve,
Filozofëve,
Mbi edukatën , moralin,
Mbi nënshtrimin ndaj së panjohurës,
Nuk u je bindur ligjeve,
Pjellë e shpirtrave të ngrirë,
Mbuluar me sarkofagë akulli,
I neverisje karrieristët,
Që zvarriteshin, lëpiheshin, intrigonin,
Mashtronin, shisnin dhe nderin,
Vrisnin dashurinë e tyre,
Deri sa shfrynin epshet për pushtet,
I urreje deri në hakmarrje,
Vrasësit, sadistët.
Ligji suprem për njerëzit,
Është njenjtë për të gjitha krijesat,
e planetit,
Si për të gjithë elementët e universit.
Yjet me jetë miliarda vitesh,
këputen një ditë,
Veniten thithen nga vorbulla e rrymave,
të zeza, qiellore,
Enigmën,
Edhe krijesat supreme të planetit,
Me emrin njeri,
Shuhen , veniten një ditë,
Shpirtrat e poetëve të bindur, të nënshtruar,
Shkojnë në amshim
E treten në kaosin e hiçit,
Kurse shpirti yt , rebel, Vehbi,
As yll nuk pranon të bëhet,
Që të shkëlqejë netëve,
I ftohtë ,i ngrirë , kallkan.
Ti poet me shpirt rebel,
Do rilindësh përsëri,
Jo me frymën e shenjtë,
Si Jezusi,
Por nga mëkati i mollës së ndaluar,
Nga një baba e nënë tjetër,
Ndoshta do rilindësh në Australi,
Afrikë, Amerikë, Europë,
Po gjithësesi do rilindësh në planetin tonë,
Me emrin e bukur Tokë,
E përsëri shpirti yt do ti përkasë racës së poetëve,
Do të jetë rebel, i pabindur,
Me urrejtje të përjetshme,
Kundër tiranëve,
Diktatorëve,
Kriminelëve...