E Shtunë, 11.16.2019, 02:24am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
ENIGMA 'SHTEGU I PASHKELUR I NOLIT'
Nga PETRO LUARASI

E Enjte, 03.26.2015, 10:08am (GMT+1)



Në përkujtimin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të kolosit të kombit shqiptar, Imzot Fan S. Noli, media Digitalb i ofroi publikut filmin dokumentar "Shtegu i pashkelur i Nolit". Shfaqja u dha në sallën Unesco të Muzeut Historik Kombëtar ditën e martë, 24 mars, ora 18.30.

Edhe unë, ithtar fanolist me rrënjë e degë, i etur për dije dhe informacion, kurnac për kohën dhe mëdyshës për aktivitetet e mirëfillta, munda të mësoj se dokumentari me autore të mirënjohurën Beti Njuma ‘’trajton figurën shumë komplekse të Fan Nolit, njeriut, politikanit, artistit, publicistit dhe klerikut që në historinë e Shqipërisë mbeti i skalitur si kryepersonazh i Revolucionit të Qershorit dhe pjesë e debatit nëse ai ishte revolucion apo grusht shteti.’’

Titulli: "Shtegu i pashkelur i Nolit" dhe shënimi: ‘’kryepersonazh i Revolucionit të Qershorit dhe pjesë e debatit nëse ai ishte revolucion apo grusht shteti.’’ më kujtoi veprën që pata lexuar vite më parë, ‘’Shtegu i pashkelur i Fan Nolit: demokracia Shqiptare në vitet 1920 –1924’’, me autor Robert C. Austin (e përkthyer nga Lindita Bubësi, me redaktor historianin Nasho Jorgaqi). Por nuk besoja as-sesi të ishte përsëritje e veprës së Austinit në një përvjetor e përkujtim ku duhej të evidentoheshin kontributet dhe vlerat madhore Noliane ( personaliteti vigan i kombit, themeluesi dhe udhëheqësi i kishës ortodokse autoqefale shqiptare dhe Vatrës, veprimtari popullor e misionari politik, studjuesi, poeti, përkthyesi, kompozitori, oratori, dijetari,etj ) dhe jo të metat terciale të tij (p.sh. si politikan).

Me nderim për Imzot Fan Nolin, për përkushtimin e medias Digitalb dhe autores Beti Njuma (spikere, gazetare, përkthyese, studjuese dhe dashamirëse e artit, kulturës e historisë) mezi prita orën të rend me një frymë që të zë vendin e lakmuar për të ndjekur shfaqjen. Nga nxitimi iu shmanga edhe protokollit, të përshëndetesha me mikpritësit e MHKSH apo përfaqësuesin e KOASH-it. Por… nxitova më kot pasi salla kishte vende plot. Ndër të paktit si unë, në rradhët e para, pashë deputetin Namik Dokle, kritikun Erion Kristo , më pas edhe deputetin Fatmir Toçi me të shoqen, dhe mbi të gjitha, para meje u ul vetë autorja plot sharm Beti Njuma, që nuk pata kurajo e fat ta uroja paraprakisht sit ë tjerët.

Në orën 18.30 njerëzia e kulturuar e mbushi paksa mjedisin dhe shfaqja filloi. Përfytyrimet dhe njohuritë e mia fanoliane, të rrënjohura me opinione dhe dëshmi të paraardhësve të mi, miq e bashkëpunëtorë me Nolin e Madh, po ballafaqoheshin me sekuencat filmike dhe opinionet e një gazetari dhe disa studjuesve. Që në krye e kuptova përse gjindja mezi ishte çapitur në shfaqje, por durova të shihja fundin.
Ndryshe e përfytyroja një dokumentar cilësor ku të përmblidheshin dokumenta, dëshmi e komente mbi jetën, veprën dhe vlerat tërësore të Fan Stilian Mavlomatit-Nolit, gjenezën shqiptare dhe vetëdijën shqiptare për mbijetesë, arsimimin dhe edukatën e tij, talentin e sakrificat, përballjen me vështirësitë dhe jetesën e thjeshtë, madje të skamur, vetëm për të mbetur deri në fund i Njeri i ndershëm, i pakorruptuar, besnik deri në vdekje i idealit të tij atdhetar dhe social-demokrat. Por dokumentari, u bazua çuditërisht kryekëput tek tematika e libri të Austinit ‘’Shtegu i pashkelur i Fan Nolit: demokracia Shqiptare në vitet 1920 – 1924’’ me disa komente historianësh e gazetarësh dhe aspak, sikurse pretendohej nga reklama, në vlerat e gjithanshme madhore të Fan Nolit ‘’njeriut, politikanit, artistit, publicistit dhe klerikut’’!

Enigma e dokumentarit nisi e bitisi me paradokset e ‘’vulosura’’ prej ithtarit zogist antikomunist Blendi Fevziu, i cili me logjikën e emisioneve ‘’Opinion’’ ia nisi kronikës duke i mballosur veprimtarisë dhe vlerave fanoliane atentatin ndaj Zogut në vitin 1924! Dhe rrjedha logjike të çonte menjëherë tek ‘’puçi’’, revolucioni ‘’komunist’’ dhe gabimet e Nolit. Për pasojë argumentohet kthimi triumfal i Zog- ‘’shpëtimtarit’’ dhe shtegu pa kthim në kurbet i Fan Nol-‘’mëkatarit’’. Për ‘’kompromis historik’’ serviret edhe ‘’mirëkuptimi atdhetar’’ mes Zogut e Nolit , ku i pari ‘’e fal’’ të dytin, madje i ofron ofiqe dhe bamirësinë financiare. Përballë Ahmet Zogut, veprimtarisë dhe vlerave të tij , sipas formatit botëkuptimor , optikës dhe dekorit të opinionistit Fevziu, vërtiteshin edhe argumentet e historianëve P.Milo, N.Jorgaqi, J.Bejko madje edhe të studjuesit amerikan B.Fisher, që analizonin dhe rrekeshin të justifikonin gabimet e Fan Nolit dhe qeverisë së tij ?!

Pra Blendi Fevziu bombardonte me predhat zogiste ndërsa historianët përpiqeshin të shfajësonin Fan Nolin për pasojat që ato shkaktuan?! Troç: burri i shtetit, realisti Ahmet Zogu me sejmenë, vriste e grabiste dhe shiste interesat kombëtare ‘’në mënyrë të ligjshme’’ , ndërsa ‘’aventurieri’’ romantik Fan Noli me shokë kritikohen përse e përmbysën me revolucion ‘’ të paligjshëm’’. (Ky standart i dyfishtë vlerësimi ‘’shkencor’’ serviret edhe në ditët e sotme, mjafton të kujtojmë revolucionet portokalli apo Pranverën Arabe , që sipas shijes etiketohen përparimtare apo reaksionare, të ligjshme apo të paligjshme! Apo veprimi me arkën e shtetit: Kur po mërgohej Noli thirri ne Vlorë R.Ficon dhe i tha: “Pranoni ju lutem Arkën e Shtetit dhe dorëzojani qeverisë që do të na zëvendësojë”, ndërsa Naltmadhnia e Tij Zogu I veproi ndryshe…)

Subjekti ‘’historikisht kuptimplotë ‘’ i dokumentarit nuk e justifikon përkujtimin e Fan Nolit kur naltësohet madhështia e Zogut si ‘’viktima e pafajshme’’ e Revolucionit të Qershorit! Mikpritësit, organizatorët e shfaqjes dhe investitori e bënë si duhet detyrën e tyre, e përhapën kudo lajmin, ofruan mikpritjen e duhur, shpenzuan mund e para por...nuk ia vlejti barra qeranë, as për vendin e kohën dhe as për mesazhin e vlerave që duheshin vlerësuar e nderuar.

Për mendimin tim do të qe më mirë të ishin përdorur paratë më me efektivitet, t’i besohej autorësia e dokumentarit një historiani, edhe për vlera, edhe për imazh më të paqmë.

Meqë u bë, u bë… por të paktën ta kishin shfaqur dokumentarin një herë tjetër, jo në këtë përvjetor të Nolit të Madh, por kur të kujtohej Ahmet Zogu dhe pasuesit e tij të kishin material të kritikonin Revolucionin ‘’famëkeq’’ të Qershorit! Në këtë përvjetor të Fan Nolit, Kolosit me vlera të gjithanshme të Kombit Shqiptar, meritonin të permendeshin shumë e më shumë merita, por jo duke u përqëndruar vetëm tek dobësitë e tij si politikan! Po përse nuk u bë një dokumentar për të qenë? Përse edhe në këtë përvjetor Fan Noli nuk meritoi një përmendore, veprimtari madhore akademike dhe nderim shtetëror ku pasardhësve të tij t’u jepej ‘’Urdhëri Nderi i Kombit’’? Përse edhe KOASH-i nuk i bëri nderimet që meritonte si themelues, me një meshë të kryesuar nga vetë kreu, Fortlumturia Janullatos, në Katedralen e Tiranës-kryeqytet ?

Një nga këto ‘’përse?” enigmatike qe edhe dokumentari ''Shtegu i pashkelur i Nolit''.

PETRO LUARASI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MOS TË LUTEM MOS THUAJCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (03.24.2015)
PA MËDYSHJECikël me poezi nga QAZIM SHEHU (03.23.2015)
LUTE E DËSHPRUESHMEPoemë kundër 'revolucionit kulturor' të komunizmitNga ERNEST KOLIQI (03.23.2015)
LISI I VJETËRCikël me poezi nga SOKOL DEMAKU (03.21.2015)
NJË JURISTE QË RELAKSOHET DUKE SHKRUAR POEZILibri " Pak më shumë..." i Albina Shehetila- SinajEsé nga PËRPARIM HYSI (03.21.2015)
TRIPTIK POETIK PËR SHKODRËNSonete nga ERNEST KOLIQI (03.20.2015)
LUFTA PËR TË MBETUR NJERIKujtime burgu nga PJETËR ARBNORI (03.19.2015)
CIKËL ME POEZI PËR 'DITËN E POEZISË'Nga PËRPARIM HYSI (03.19.2015)
MARSHI I BARABBAJTPoezi nga FAN NOLI (03.19.2015)
ARTI POETIKPoezi nga JORGE LUIS BORGESShqipëruar nga ELIDA BUÇPAPAJ (03.18.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2019  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 

 
VOAL
[Shko lart]