VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË LIS PASQYROHET NË LOTIN E QIELLITPoezi nga MILLOSH GJERGJ NIKOLLA - MIGJENI (13 tetor 2011- 26 gusht 1938)

                                                                                      

E Premte, 05.10.2024, 10:44am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

NJË LIS PASQYROHET NË LOTIN E QIELLIT

Poezi nga MILLOSH GJERGJ NIKOLLA - MIGJENI (13 tetor 2011- 26 gusht 1938)


E Djelë, 10.02.2011, 01:47pm (GMT+1)


Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t'jeshilta
që t'shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.


E mbi ta n'ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. E mjerimi mirfilli ndien tradhti.
Mjerimi ka vulën e vet t'shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin -
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t'mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t'cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.


Mjerimi s'ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t'shkyem dhe të coptuem me t'dalun bese.


Mjerimi tërbohet n'dashuni epshore.
Nëpër skaje t'errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t'qelbta, t'ndyta, t'lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t'verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n'epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
Dhe aty zajnë fillin t'marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.


Mjerimi në dritzën e synit t'kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t'tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt' i keq
tu' ndukë gjitë e shterruna t'zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
Foshnj' e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s'e don, por vetëm mallkon.
Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!


Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t'u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.


Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t'i iki grushtit q'i kërcnohet,
atij grusht që n'gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij' e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
Nji fryt kur s'piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n'bark t'dheut mbaron.


Mjerimi punon, punon dit e natë
tu' i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n'gjujë, n'baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh
në ditë - vetëm: lekë tre-katër dhe "marsh!".


Mjerimi kaiher' i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s'ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.


Mjerimi gjithashtu len dhe n'trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n'gjoks ndoj dhimbë,
mund që t'len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz' i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin' e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan' i njeriut që vdiste nën tra.
Kështu nën kambët'randë t'zotit t'egërsuem -
thotë prifti - vdes ai që çon jetë të dhunuem.


Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got' e helmit në trashigim brezninash.
Mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n'fyt për me harrue nandhetenand' halle.
E gota e turbull, gota satanike
tu' e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
Tê gjitha hallet skami n'gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
Mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q'i ban shkrum shkreptima.


Mjerimi s'ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t'bajnë t'çmendesh,
që t'ap in litarin të shkojsh fill' e t'varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.


Mjerimi s'don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,
t'cilt n'mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu' ia lëshue lypsiti një grosh të holl' n'shplakë.


Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n'ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.

--

Nën flamujt e melankolisë

Ne vendin tone
kudo valojne
flamujt e nje melankolie
te trishtueshme...
...dhe askush s'mund te thote
se ketu rron
nje popull qe nderton
dicka te re.
Aty ketu ne hijet
e flamujve
mund te shifet
nje mund, nje perpjekje
e madhe permbi vdekje
per te pjelle diçka te madhe,
per te qite ne drite nje xhind!
Por,(o ironi)
nga ajo perpjekje lind
vetem nje mi.
Dhe keshtu kjo komedi
na plas diellin e gazit,
nsa prej marazit
pelcasim.
Ne prakun e çdo banese
ku ka ndonj shenj jetese
valon nga nje flamur
melankolie te trishtueshme.

--

DY BUZË...

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta...
Dy buzë si tëpërgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m'i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen...
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjesë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne...
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.

--

BALADË QYTETSE

Mbramë
qiella dhe hyjt e vramë
një ngjarje të trishtueme panë:
Hije... jo! - por një grue
me ftyrë të zbetë edhe me sy
të zez si jeta e saj,
me buzën të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
me hije grueje,
një kens këso bote,
një fantom uje
vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun,
me zemër të plasun.
Dy hapa djathtas, dy hapa majtas,
me flokë të thime,
me ndjesi të ngrime.
(Dikur,
kur gjit' e saj me kreni
shpërtheheshin n'aromë,
kur ish e njomë -
atëherë e dashunojshin shum zotni.
E sot?)
Jeta e saj asht kjo vall' e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
një jetën e fikun, një jetë e shterun,
shpin i molisun, zemër e therun,
një za vorri, një jehonë
që vallzon natën vonë
nëpër rrugat e qytetit tonë.

--

MELODI E KËPUTUN

Melodi e këputun - lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun...
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin e këputun.
Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi...
e ther, ther hidhnimi
për çastet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodin e këputun.
Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb' e puthun
në melodin e këputun).
Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme...
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia lë - dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodin e këputun.
Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
... e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodin e grisun.

--

VJESHTA NË PARAKALIM

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
Lëngon shpirt' i smum ndër krahnore tona,
Dridhet jet' e vyshkun ndër gemba të një plepi.
Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme -
(dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme
Nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.
Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
tundet dhe përgjaket në pasion të viganit:
"Jetë! Jetë unë due!" - e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkyn ajrin... por në fund ia nis vajit.
Dhe m'at vaj bashkohet horizont' i mbytun
në mjegull përpise. Pemët degët e laguna
me vaj i mshtjellin në lutje - por kot! e dinë, të fikun,
se nesër do vdesin... Vall! A ka shpëtim ndokund?!
Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra
n'orën e vorresës, kur heshtin damaret,
e vorri naltohet nën qiella ma t'epra
me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret.
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë në ftyra tona.
Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së varfun;
Rënkoni në zije, qani mbi kufoma,
Që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun.
--

KANGA SKANDALOZE

Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth hyjnia
- kaloi rrugës së qytetit si ejll i arratisun...
Një murgeshë e zbetë, e ftohtë si rrasa e vorrit,
me sy boj hini si hini i epsheve të djegna të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtana
pshertimet që mbysin
ma la der' vonë kujtimin, kujtimin e ftohtë të kalesës.
Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon...
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër Gishta.
Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç'fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saj ende s'i zbardhi drita.
O murgeshë e zbetë, që çon dashni me shënjt,
që n'ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten... Smirë ua kam shejtënvet:
Mos u lut për mue, se due pash më pash t'i bij ferrit.
Unë dhe ti, murgesh, dy skaje po të një litari;
të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit -
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do t'dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.
--

NDESHJA

O grue, që të ndesha në ditn e fatkobit tem,
Kur prirja njellte e syt shikojshin zi
e ndjejshe veten se dhe unë jam fli
të një ndjesi si ti.
O grue, q'u ndeshme ditën e fatkobit tone
zemër për zemër edhe ball për ball
e ndjesitë n'u shprehën me mall
më një vall: sa hall...
Dhe kështu në rrugë të madhe e shitme
zemrën tonë.
njerzve që vetëm një të përqeshun dhanë për të
e shkuen të kënaqun e tu'u gëzue - pse
panë mshefsinat intime të kësaj jetesës sonë.
E na, dhe një dhimbë të sinqertë tue ndijë,
vuejshin me zemër të ndrydhun si dy fëmijë
të humbun ndër vise të hueja natën vonë,
o grue, q'u ndeshme në ditën e fatkobit tonë!

--

LUTJE

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
me tinguj t'argjantë
e akorde t'artë.

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni -
plot dashuni
të nxehtë si tu vasha gjitë
kur vlojnë ndijesitë.

Të lutem, o perëndi
për një simfoni
të dëfrej në lumni
t'u u përkundë n'ani
të bukur t'andrrimeve
të kaitër, ku të fantazmeve
buzët më tërheqin zjarrtë
e më digjen syt e flaktë.

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni -
e kurr, e kurr ma mos të zgjohemi.

--


FRYMËZIM i PAFAT

Frymzim' i em i pafat,
që vjen e më djeg mu në gji,
për kë po më flet? për kë të shkruej?
përse po më ban që kaq të vuej?
pse vjen e më djeg mu në gji,
frymzim' i em i pafat?

Për të gjorët? për ata që nuk kanë dritë?
O frymzim' i em i ngratë,
mjaft me plagë që s'kan shërim,
leni të dergjen në mjerim,
Njerzit s'duen ma trishtim,
botës s'ia kande atë kangë të thatë,
thot se mjell një farë të idhtë.

Far' e idhtë... far' e idhë...
- 0 njerz të bimë nga far' e ambël!
Frigë të mos keni, pse një kangë
mund t'ju theri në ndjesi,
t'ju kujtojnë zemrën në gji
në ndërgjegje dhe një dangë...
porju t'ju bajë edhe ma zi.

Frymzim' i em i pafat!
Shporru ktej! Nuk të due!
S'i due hovet tueja të nalta,
as fluturimet... Nëpër balta...
të ditve tona të shklas un due
rrokë me njerzit që rrok nata.

--

LAGJA E VARFUN

Krahët e zez të një nate pa fund
e varrosën lagjen pranë,
dritë, jetë, gjallsi - askund,
vetëm errsinë e skam.

U harrue jeta e ditës
ndër shtresat e natës, e pagja
u derdh nga parzm' e errsinës...
n'andrra përkundet lagja.

Njerzit ndër shtëpia flejnë
me gjoksa të lakurtë e të thatë
e gratë... fëmi po u lejnë
pa ushqim në gji, pa fat,

Pushojnë gjymtyrt e shkallmueme
në punën e ditës së kalueme,
shërohen trutë e helmueme
në gjumin e natës s'adhrueme.

Veç zemrat e njerzve të lanun
me të rektunt prralla rrfejnë:
mbi barrat e jetës së namun
që shpirt dhe korriz thejnë.
Prralla mbi fëmij rrugaça
barkjashtë e me hundë të ndyta,
që dorë shtrijnë me vjedhë, me lypë
e ngihen me fjalë të ndyta.

Prralla mbi varza të fyeme
me faqe e me buzë të thithna.
Prralla mbi djelm, me të thyeme
shprese, në burg me duer të lidhna,

të cilt nesër para gjyqit
për delikt do të përgjegjin, -
vetëm dreqit e hyllit
të gjith fajet tash ua mbshtesin.

Kështu lagj' e varfun pëshpritë
dhe errsinës hallet tregon.
Një gjel i undshëm, me dritë
të hanës i rrejtun, këndon.

Hesht! or gjel kryengritës,
i lagjës së varfun. - Këtu
nuk zbardh për ty drita e dritës.
i gjikuem je me ngordhë n'u.

--

RECITAL I MALËSORIT

 

O, si nuk kam një grusht të fortë
t'i bij mu në zemër malit që s'bëzanë,

ta dij dhe ai se ç'domethanë i dobët -

n'agoni të përdihet si vigan i vramë.

Unë lugat si hij' e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t'instinktit.


Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë...
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.


Mali hesht, dhe në heshtje qesh.
E unë vuej, dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t'u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?


O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht' i paligjshëm...
E unë të kënaqem, të kënaqem tu' u qesh.

--

TË LINDET NJERIU

Të lindet një njeri
nga gjin' i dheut tonë të rim me lot të vakët,
nga thalb' i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët
për një gen të ri,
Të lindet një njeri!
Pa hyll në ball por që me fjalë të pushton,
që të rrëmben qetsin e ban gjakun të të vlojë rrkajë,
e ban synin ligshtin ta zhgjetojë,
që nëpër shekuj ndërgjegjen na tradhton.
Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Të krijojë një Epope!
Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re...
Të gjithë kombet po dehen n'epopea të veta,
flakë e zjarrmit të tyne na i përzhiti ftyrat
dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat,
e nën kambë e mbi krye tinzë po na ik jeta.
(Liri! - Po, liri dhe gaforrja gëzon,
por gaforre asht...
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
jo, liri nuk asht!),
Të lindet një njeri
i madh si madhni
dhe ndërgjegjet tona t'i ndezi në dashni
për një ide të re, ideal bujar,
për një agim të lum e të drejtë kombtar.

--

ZGJIMI

O vullnete të ndrydhuna ndër grushta të çelikta të shekujve
të kaluem!
O vullnete të shtypuna me themra të ngurta të titajve
të tërbuem!
Të cilët n'udhë për në theqafje këtejpari i ranë
dhe vatrat tona në mjerim i përlanë...
O vullnete të ndrydhura!
O vullnete të shtypuna!
Shkundni prangat të mbrapshta! E me britmë ngadhnyese,
me hove viganash, dëshirash flatruese,
turniu në të gjitha anët dhe poshtë në dhè zbritni
ndosht' aty keni për të gjetë fillin e një hymni,
që Illyri e vjetër ndër kremtime këndonte,
ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte.
O vullnete të ndrydhuna!
O vullnete të shtypuna!
Tash shëgjetat e flakta të shprehjes suej zharitse
drejtoni kah qiella në ball të hyut a të dreqit,
i cili fatin tonë mbytte në mnijë të vet përpise
a dijë se të Birt' e Shqipes folen ia ngrehën vetvetit.

--

KANGA E TË BURGOSUNIT

 

Nëpër hekura të kryqzuem të dritores seme

shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë

edhe shof diellin sa një pare serme

aq larg asht qielli nga e emja gropë.

E kjo gropë e eme e ka emrin burg.
E dini se burgu nuk asht për dëfrim.
Prandaj burg' i em asht shum i ultë
dhe më bani palmuç dhe më mbyti në trishtim.

Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj' e eme,
dy anmiq të betuem, luftojnë dit' e natë;
por hekr' i fortë e mund ndërgjegjen teme
dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë.

E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt
gëzohem fort, se hekrat nuk m'i kryqzojnë syt',
por t'u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë
edhe hijën teme tu' u zgjatë në murt

si një kërcnim ligji, posi një dajak.
Dhe atëher tërbohem dhe urrej pa masë
dritën, hijën, vetën, muret edhe hekrat
edhe e ndjej vetën lua të ndryem në kafas.

Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
dhe zemra e eme ndien po aq të breme
në mes të katër murve si në një gropë.

--

VJESHTA NË PARAKALIM

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona,
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
lëngon shpirt' i smum ndër krahnore tona,
dridhet jet' e vyshkun ndër gemba të një plepi.

Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme
(dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme
nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.

Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
tundet dhe përgjaket në pasion të viganit:
"Jetë! Jetë unë due!" - e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkyn ajrin... por në fund ia nis vajit.

Dhe m'at vaj bashkohet horizont' i mbytun
në mjegull përpise. Pemët degët e lagun
me vaj i mshtjellin në lutje por kot! e dinë, të fikun,
se nesër do vdesin... Vall! A ka shpëtim ndokund?!

Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra
n'orën e vorresës, kur heshtin damaret,
e vorri inaltohet nën qiella ma t'epra
me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret.

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.
Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së vafun;
rënkoni në zije, qani mbi kufoma,
që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun.

--

REZIGNATA

Na shprehun të ngushlluem gjetme në vaj...
Mjerimet i mormë në pajë
Me jetë... se kjo botë mbarë
ndër gji t'Univerzumit asht një varrë,
ku qenia e dënueme shkrrahet rrshanë
me vullnet të ndrydhun në grusht të një vigani.
Një sy i stolisun me lot të kulluet së dhimbes së thellë
ndrit nga skaji i mjerimit,
e kaiherë një refleks i një mendimit të hjedhtë
veton rreth rruzullimit
shfrimin me gjetë mnis së vet të mnerëtë...
Por kreu varet, syn' i trishtuem, mbyllet
e nga qerpiku një lot i kjart' shtyhet
rrokulliset nga ftyra, bie në tokë e thrrimet,
e ndër thrrimet e vogla të lotit ka një njeri lindet
Secili prej tyne n'udhë të fatit të vet niset
me shpresë në ngadhnim ma të vogël, përshkon të gjitha viset
kah rrugët janë të shtrueme me ferra e rreth të cilave shifen
vorret të shpëlamë me lotë e të marrët që zgërdhihen.

--

SHPIRTËNT SHTEGTARË

Mbramë një erë e ftohtë acar fryni nga ana e maleve,
i shkundi shpirtënt tonë bashkë me gjethe të kësaj vjeshte
i mori andej kah dielli hijen si të pergjakët ua lëshon zalleve
në Përndim, ku shtret e shkimet dita në pamundsinë e vet
Enden shpirtënt tonë nëpër vise të Përdimit të mrekullueshëm,
bajnë të fala dhe me thanë vendeve të shuguruem
e të përitnme ndër fluide të hekunt të zjarrmit adhurueshëm
e me një kredo gëzojnë qiellën me çagje e të tymuem
në cilën, diku në skaj merimanga fatin tregon
vetes dhe njerzis poshtë, që damarët i rrahin
(si të rrahunt trompete në vorrëzë) ndërsa tue qa, kumbon
e thrret kumbon' e fabnikës, i njëmijti fishkëllim si një fsham
shkyn ajrin
Shpirtënt tonë me një dashni tragjike ato vise i duejnë.
n'eter të kulluet u bajnë fli ndjenjat e veta ma të holla
E të nesërmen fatale kundrojmë një horizont me njolla
shtegtare të mërguem. shpirtënt tonë n'origjinë po kthejnë

--

EKSTAZA PRANVERORE

...dhe pranvera erdhi...

Nëpër ftyra tona rrëshqiti nji gëzim

dhe ndër zemra tona ngrehi një fole,

e një jetë e bukur, e një jetë e re,

me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.

...dhe dallndysha erdhi...

si shpirti n'ekstazë, në hovin e shejt shtri;

me qiellën rroket, me diellin puthet,

dridhen krahët në hare mandej poshtë vërsulet

t'u dhurue në cicrim përshndetje një mijë.

...triumfon bylbyli...

kangëtar plot magji në gemb të trandafiles,

në një tempo të marrë përkdheljet po shfre

e kanga kumbuese, kang' e tij pa fre,

asht si kangë Orfeji ndër telat e lyrës.

...dhe vesa shkëlqen...

në një pikë t'argjant pasqyrohet jeta

tërheqse si andrra dhe si vijzatimi

ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi

e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.

... dhe pranvera erdhi...

Nëpër ftyra tona rrëshqiti një gëzim

dhe ndër zemra tona ngrehi një fole

e një jetë e bukur, e një jetë e re

me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.

--

SONET PRANVERUER

Me kangë në buzë e me hove të reja
u zgjue agimi pranveruer,
largësinat e hjedhta ka zatetë hareja,
n'argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.

Me kangë në buzë u zgjue agimi
dhe ia këndoi kangën diellit t' art
rrezash purpure dhe jetëdhurimi
me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.

Me manushaqe në buzë e me andje në zemra
vajzat si biluri ndër kopshtie të gjelbra
dihasin aromat, që lulzimi derdhi,

me gji të paprekun, ku dashnia sosë
me fletza trandafilesh që flladi sjelli
dhe adhrojnë pranverën me një apoteozë.

--

NJË NATË

Grue a hyjneshë, e mbështjellun n'errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të ma përpijë,
vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës
Grue a hyjneshë m'erdhi nga gjin' i errsinës...
Që! frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me hamnoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshtjes).
Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesit e jona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë...

--

MBAS TRYEZËS

Kështu ne të rinjve na kalon nata:
Pranë tryezës meremer-falso, me gotë të plotë a boshe,
me kujdes të madh ndejun (si e lyp dans-edukata),
të ngrehun, të ngrimë, të stolisun
e ftyrash të qindisun
me pudër, karmin... jo? por me përshtypje të mirë
që na e sjell zojusha e bukur dhe me hir
tu' na buzqeshë ambël, buzësh të kuqe si gjaku,
nsa gjit' i majen, dridhen ftyra kuqet, zbehet...
e në secilin prej nesh në fund ka një shpresë këndedhet
dhe na shtrëngon laku...
Qashtu ndejë, tu' e vrejtun, çojmë biseda të ndryshme
serioze, t'urta, por ma shpesh të dyshueshme,
me gjuhë të bukur, të zgjedhun, mbi ngjarje të ra flasim
e prej një dëshirës pa mshirë të gjithë pëlsasim.
Ngushllim! se zonjusha na i din mirë hallet,
prandej aq me andje, bukur, kërcen vallet.
Tonet muzikore derdhen, rrkaj derdhen,
lëmojnë ata që në valle sjellen, në hare sjellen,
lëmojnë tryezën, gotat, veshjet tona, ndjenjat
e fantazis sonë, i hapen ylber velat...
Por befas, të njëjones së panjoftun tingllimi,
së cilës asht te hyu i bukuris trillimi,
krahnorët n'i përkdheli dhe n'i piskoi zemrat,
gjatë korrizit të thenët zbresin fill te themr;
Qashtu vuejmë, dëfrejmë...
Jetën adhurojmë,
nsa drita shkëlqejnë
zojushën shikojmë
dhe n'andrrim vallzojmë...
Rishtas, me plot dashje, vallet ndiqen, ndiqen
Vash e djalë përputhen
mbrend dy zemra digjen,
por me u puthë nuk puthen!

--

FRYMËZIM I PAFAT

Frymzim' i em i pafat,
që vjen e më djeg mu në gji,
për kë po më flet? për kë të shkruej?
përse po më ban që kaq të vuej?
pse vjen e më djeg mu në gji,
frymzim' i em i pafat?

Për të gjorët? për ata që nuk kanë dritë?
O frymzim' i em i ngratë,
mjaft me plagë që s'kan shërim,
leni të dergjen në mjerim,
Njerzit s'duen ma trishtim,
botës s'ia kande atë kangë të thatë,
thot se mjell një farë të idhtë.

Far' e idhtë... far' e idhë...
O njerz të bimë nga far' e ambël!
Frigë të mos keni, pse një kangë
mund t'ju theri në ndjesi,
t'ju kujtojnë zemrën në gji
në ndërgjegje dhe një dangë...
por ju t'ju bajë edhe ma zi.

Frymzim' i em i pafat!
Shporru ktej! Nuk të due!
S'i due hovet tueja të nalta,
as fluturimet... Nëpër balta...
të ditve tona të shklas un tue
rrokë me njerzit që rrok nata.

--

KANGA QË S'KUPTOHET

U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit,
qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.

Kangë a vaj? Çë je? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen...
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t'i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t'i gozhduen?

Oh, jo! Kanga jote asht shprehje e dhimbsun
e njëjetese që dergjet e dergjet
dhe tu' e dergjë ndoshta do hesht e molisun...

--

HIDHET E PËRHIDHET

Hidhet e përhidhet në shtregullën e fatit
djalosh' i Arbënis.
Hidhet e përhidhet në prëndim mbrapa malit
me hovin e rinis
zogu i liris!
Në shtregullën e fatit, ndër këto fluturime
ma shpejt i rreh zemra edhe merr drithtime
se qiellat e hueja premtojnë gëzime t'ambla
nepër shkalla të hueja, nën të ngjyrta llamba
premtojnë hyjnizimin në vallen e dëfrimit;
femën-mashkull rrokun si dy vetë që mbyten
kin për të mbramen herë qindenjë herë puthen
e mbrenda krahnorit gati të pëlsasë zemra,
nsa majet e këpucve shkarravisin germa
të tanë natën e lume deri në të lem t'agimit.
Për njenin ky gëzim, për tjetrin gëzim tjetër...
ndoshta vllime librash, atom ose kompas
fund' i fundit shkundet ai djalosh i vjetër
nga melankolia fillon të vuejë pa masë.
Dh' atëherë nalmadhnia e tij mbret Dyshimi
futet në zemër, në tru, në jetën e të riut
mfshehtas fillon lojën tinzake, si krymbi
në thalbin e mollës... e syni i të riut
merr hijen e vendit, hijen e një murit
mbrapa të cilit rrahin zemrat e makinat
m'i krijue jetë të tjetër, njeriun e gurit...
... po, një ringjallje mbi të vjetra kalbsinat.
Syn' i të riut muer hijen e atij murit.
Hidhet e përhidhet
zogu i liris,
por dhe bjen ku lidhet djalosh' i Arbënis.

MIGJENI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SE TË VAJTI JETA BRENGË E LOTLirika nga JORGO BLLACI (1938-2001) (09.30.2011)
VARGJE PËR PËRBINDSHAT E TRAZICIONITPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (09.29.2011)
DUKE PRITUR KRYQËZIMIN TIMCikël poetik nga FERIDE PAPLEKA (09.22.2011)
ORANZHPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (09.17.2011)
ÇDO FJALË DI DIÇKA TË RRETHIT VICIOZ Fjala e mbajtur me rastin e marrjes së çmimit Nobel nga HERTA MÃœLLER (09.13.2011)
SY TË FTOHTË KRENARË KUGUARËSH OSE UJQËRISH ME SHIKOJNË TEK ULEM DHE NGJITEMPoezi nga GARY SNYDER (09.12.2011)
KASËM TREBESHINA: DUHET HEQUR DORË NGA RRUGA E LUIGJIT TË KATËRMBËDHJETËPromemorie për Enver Hoxhën, Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë (09.05.2011)
NJË FAMILJEProzë nga GUY DE MAUPASSANT (Gi dë Mopasan, 1850-1893) (08.29.2011)
FUSHA E SHTRIRË E GJOKSIT TËND ZGJATET SI LËKURË DAULLEJEPoezi nga ALICIA SUSKIN OSTRIKER (08.28.2011)
DO VIJË, DO VIJË NJË DITË ORA E SHQIPTARITPoezi nga ARSHI PIPA (1920-1997) (08.25.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]