VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KARTOLINA NË DOSJEN E VISAR ZHITIT- në kohën kur dënoheshin dhe urimet -

                                                                                      

E Premte, 05.17.2024, 10:58am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

KARTOLINA NË DOSJEN E VISAR ZHITIT

- në kohën kur dënoheshin dhe urimet -


E Martë, 01.03.2012, 12:16pm (GMT+1)


Në ndërrim të viteve, kur urimet shtohen dëndur, diçka si shiu e bora e stinës, që përfshijnë gjithë vendin, edhe jashtë kufijve, përtej kontinentit, në të gjithë botën, miliarda urime që mbushin ajrin, më shumë se vetëtimat, e krahasueshme mbase me yjet, urime elektronike që ikin nëpër eter si mesazhe, fjalë dëshirash pafund, zëra në celularë, imazhe në ekrane kompjuterash e gjithfarë aparatesh të sofistikuara komunikimi, që sikur e kanë bërë më të afërt botën, e kanë zvogëluar atë, kështu thuhet zakonisht, por kanë rritur njeriun, shtoj unë, dhe përcjellin nëpër qiejt dimërorë muzikë të përzierë me bredha e xixëllima, drerë, me plakun mitik të Vitit të Ri, me dhuratat e tij e urime, urime, urime, sa kurrë njerëzimi nuk është më i dashur sa në vigjilje Vitesh-të-rinj dhe ti beson te lumturia, tek e ardhmja, tek vetja, tek njeriu.


Me dëshirën që ta ndiejmë më shumë këtë arritje mahnitëse të njerëzimit, këtë liri drithëruese, dashurinë dhe gjithë këtë dritë, se jo gjithmonë ka qenë kështu, dua të them për ne deri vonë, nga që nuk mund të uronim si të donim, si të na e donte shpirti, madje as këdo nuk mund të uronim. Ishin të përcaktuara dhe urimet ashtu si llojet e kartolinave e të pullave, të politizuara dhe propagandistike dhe, si të thuash, kishte një si përcaktim se kush mund të urohej dhe duhej uruar patjetër, së pari, i madhi fare, diktatori, siç i themi sot, jetë të gjatë atij sa malet dhe sistemit të tij ideokratik, urohej socrealizmi, veprat e pesëvjeçarëve, armët e partisë dhe të shtetit, etj., etj., të gjitha për inat të armikut, që na kishte në grykë të pushkës, por ne e kishim në grykë të topit. Kështu bërtiste Enver Hoxha dhe brohoritej nëpërkudo. Natyrisht, që ne e uronim dhe njëri-tjetrin, edhe hapur, dhe fshehurazi, uronim ndryshimin, përmbysjen, etj, etj.

Dua të kujtoj, s'e di pse, edhe me një lloj ngazëllimi trishtan, (...Vitet e Rinj kanë dhe një si trishtim vezullues... koha që ikën...), pra, do të desha të tregoj për një kartolinë të dikurshme të Visar Zhitit, e rrëmuar në arkiv, kur ai sapo kisha mbaruar shkollën e lartë, Institutin Pedagogjik në Shkodër dhe ishte mësues stazhier, kështu quhej atëherë, nga që nuk e kishin dhënë ende provimin e fundit të diplomimit. Visar Zhiti-student i dërgonte një kartolinë një poeti të njohur. S'e dimë a e mori dot, s'e dimë se si ajo kartolinë përfundoi në organet e Sigurimit të Shtetit. Se përgjoheshin dhe urimet, dënoheshin dhe ato. Prandaj, mes materialeve të shumta të dosjeve të dënimit të shkrimtarit Visar Zhiti, aty ku janë akuza, proceset hetimore, klithmat e pashkruara, torturat e harruara, kundërshtitë, gjyqi, dënimi, etj, mes fletëve me poezi si prova të armiqësisë, (atëherë ato vërtetonin armiqësinë e Visarit ndaj shtetit, tani provojnë armiqësinë e shtetit ndaj Visarit), copa ditarësh, ekspertizat të tyre, emra ekspertizuesish dhe dëshmitarësh, të tërheq vëmendjen dhe ajo, e pafajshmja, e vobekta, e pa besueshmja, miqësorja dhe armiqësorja, provë dhe ajo, kartolina që thashë, e Visarit, më se e zakonshme, me ngjyra të vobekta, lule, një tendë druri, det, e shkruar nga pas fare qartë, hapur, me anën e së cilës uronte mikun e tij, shkrimtarin Frederik Rreshpja, në një Vit të Ri të dikurshëm. Të largët, por jo dhe aq të largët.

Pse ke uruar t'i një poet që do të binte në burg? Armik ai dhe pas tij edhe ti. Ç'është ky urim kështu, me nënkuptime, i dyshimtë, pesimist, armiqësor! Pse thua t'i që është mëkat t'i urosh një shkrimtari gëzuar? Pse gëzohet rrallë ai? Apo ata që janë kundër? Folë! Ç'ke dashur të thuash? Ç'do të thuash t'i me "romane mermeri"? Mermeri u takon varreve, varrezë jemi ne? Hë, folë, i pandehur! Pse nuk e fute në zarf, pse nuk ia dhe dorazi, cila është parrulla juaj, kë keni ndërlidhës? Pse, pse ia çove? Po nuk ua kam çuar juve, kush ua dha? Kush të pëllcasin sytë, ne të pyesim ty e jo ti ne, maskara, armik! Hiqjani batanijet, të dergjet mbi dërrasat e birucës, mos e lini të flerë, mos ia jepni cigaret, pavarësisht se janë të tijat, ia ka sjellë familja.

Pak a shumë ky është dialogu i hetuesit me Visar Zhitin në dosje. Kurse sipër, mbi qelitë e nëndheshme, dëgjoheshin britma dhe hare e egër. Oficerët dhe rojat festonin Vitin e Ri, të ndaluar të zbriste qelive shkruan, Visar Zhiti në një nga burgologjitë e tij.

Kartolina u konfiskua, u fut në laboratore, u ekspertizua nga specialistët e Sigurimit të Shtetit, duke u krahasuar shkrimi i saj me letra të tjera të Zhitit, u zmadhuan shkronjat me lente, me mikroskop a teleskop a ku di unë me çfarë tjetër, u bënë shenja si mbi një lëkurë të sëmurë, u torturua alfabeti, iu dha për koment një "anëtari të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë", i bëri ai komentin më së miri, siç e donte Sigurimi i Shtetit, e dorëzoi me shkrim dore, të firmosur, ia daktilografuan, i futën në dosje, edhe kartolinën e urimit, edhe pyetjet-përgjigjet e hetuesit në lidhje me të. Ja që edhe kartolinat kanë fatin e tyre si zogjtë nëpër qiej, mund të shqyhen nga grabitqarët.

Ti kujton se po bën një urim parajsor dhe ai të çon në ferr. Njerëzit e ligj, përsërit Viktorin Hygoin një shkrimtar i shkëlqyer kilian, Bolanjo, janë ata që kanë mbarësi të zezë.

Për fat, kjo u ndërpre tani, të paktën si sistem, kushtetutë e parim. Nejse, unë dua të kujtoj dhe Frederik Rreshpen, ishte poet i shkëlqyer dhe ai, por nuk është më midis nesh, prehet në amëshim, ndoshta pa e marrë kurrë atë kartolinë. Edhe hetuesi i Visar Zhitit nuk e di ku është, thonë se me një dëshmi persekutimi ka emigruar, edhe akt-ekspertizuesi i kartolinës, (sh)krimtar, siç shkruhet në burgologji, nuk jeton më, në varrezë tjetër nga ajo e poetit. S'është më as diktatura e dikurshme e burgjet e saj politikë, por kanë mbetur dosjet, aq sa kanë mbetur, që s'hapen dhe hapen, e ç'rëndësi ka. Rëndësi ka që në to janë urimet, qoftë dhe një i vetëm, mes mijërave të pashprehur, për një Vit të Ri ndryshe. Dhe kur ai vjen, sado i çuditshëm si vetë ata që kanë qenë nëpër burgje, do të thotë se diktatura është lodhur shterpueshëm. Absurdi i saj tragjik u mposht, makineria e saj vrasëse ndryshket si hekurishte e tepërt. Për mua prej saj tani ka vlerë vetëm ajo kartolinë. Nëse e para ishte fjala, në fund mbetet urimi, këtë desha të thosha. Të urojmë sa më shumë, me shpirt dhe vepra.

HEKURAT E FRENGJISË SIME

Kaq bukur këndoi bilbili
te hekurat e frengjisë sime,
sa dhe hekurat m'u bënë
degë të gjelbra qershie.

Dyshemeja u mbush plot me
cicërima

dhe unë mëgjunjazi
si therrime buke,
si therrime jete
një nga një po i mblidhja.

--

KOHA

Koha

Sesi me kalon neper gishta
pa ma vene unazen e saj
dhe une mbetem veç i dashuruar
--

NJË BORË E ÇUDITSHME QË BIE SË PRAPTHI

Ka rene bore,
ka rene bore,
cuditerisht eshte e bardhe sikur ne
te ishim te lire,
ka mbuluar pemet qe s'kane bere asnje krim
dhe supet e te burgosurve
qe mbajne krimet e te tjereve.
Ç'bore e bukur! Dhe telat me gjemba befas i zbuti,
i shkelqeu, sikur te ishin ornamente.
Jashte qytetet qeshin.
Qytetet lozin
dhe statujat do kene zbritur nga piedestalet
dhe qellojne me topa bore. Statujat,
ne qofte se s'kane vrare te tjeret
per t'u ngritur lart.
Ç'mrekulli! Çdo gje eshte bere me e bute, me njerezore,
vetem njerezit kane ashpersine e shtetit
qe bora s'ka c't'i beje. Po dhe shteti
s'e ndalon dot kete frymezim bardhesie, fluid
qe vjen nga qiejt
e keshtu do te jete gjithmone.
Pavaresisht se tek une ka rene bore e zeze
se prapthi, ka dale nga toka
si muzg i derrmuar,
funebër...

--

FUNDI SI FILLIM

E kuptove
ç'është...? Ti e dite truall,
por më shumë qënka shpirt.
U përsërit Beteja e Madhe, e dikurshmja,
qëllimet ishin ndryshe aq sa dhe armët,
veç betejat e përditshme janë njëlloj
dhe fryma, fryma, e jotja dhe e gjithçkaje të gjallë,
por dhe e sendeve. Vdekje s'ka.

S'është simboli këtu,
por vetë thelbi me qytetet
si shfletim i historisë,
e cila ka mallkimin të jetë përherë e tashme.
Është emblemë, do të thuash ti, jo, ideal,
akt. Provë e botës. Jo dhe jo! Janë rrugët
më shumë, janë njerëzit shumë më shumë,
ku urrejtja shkrin e bardhë
si bora dhe bari i dashurisë mugëllon kudo
livadheve dhe parqeve
deri dhe te flokët.
Mos e krahasoni hënën me kosën e vdekjes.
Nuk kam frikë nga vdekja,
nga jeta kam më frikë. E ardhmja vjen
prapa shpine. E kuptove?

Është njeriu përgjysmë
në kërkim të gjysmës tjetër, përtej miteve,
qofshin dhe modernë. Po na shikon,
e njohe? Je ti, unë. Është çdo vetvete
krejt e veçantë
në njerëzimin e njëjtë. Që
meriton gjithë qiejt, Perënditë
e së Mirës, (brenda nesh janë, zgjohini!),
ujrat e jetës, shkumba e valëve gjithmone krijon
çudira dashurish,
duam parajsën në tokë, që është gjendja jonë normale,
praruar me diej
dhe drejtësinë duam, të thjeshtë si natyra apo si epitafi
dhe bukuritë që gjithmonë janë hyjnore

deri në Fundin pa Fund.

--

 

FËMIJË TË LINDUR NGA PËRDHUNIMET

Fëmijë
të lindur nga përdhunimet,
si iu shkëlqejnë sytë!?
Ta krahasoj me të këlyshëve të ujqërve,
më vjen keq, shumë keq,
jeni fëmijë...
Po as te ujqërit nuk ndodh kështu?

Etërit tuaj - tërbimi i krimit
e nënat - pafajwsia e kapur robinjë.

Qe çmendur Perëndia e Luftës, Aresi!

E si mund ta besonim
se s'do të ishit më fruta të shenjtë
të dashurisë?
Që edhe shtrigat mund të lindnin,
por urrejtja e madhe të bënte fëmijë? E pamu...
...ndur, o Zeus i zi!... pranë kufomave e shtëpive
që digjen,
ai zjarr ju lindi, i betejave
dhe ftohtësia e vdekjes bashkë.
Në ç'shtëpi fëmije do të rriteni,
ëngjëj të së keqes?
Vërtet, kur të rriteni,
adritë të padëshërueshëm,
kë do të kërkoni të vrisni,
etërit apo nënat?
Foshnja të paligjshme,
dhe lufta përligjet. As në tragjeditë e lashta
nuk ndodh kështu,
orestër të vegjël, klitemnestra, edipër,
prapë është pakë dhe më keq.
Ç'do të bëjë Medea me ju, medet!?
Po unë si t'ja u tregoj përrallën
e Kësulkuqes? Mos u trembni, s'janë hapa
ushtarësh, po vjen kali
që sjell Konstandinin me Doruntinën!
Po ju ç'vëlla e motër kini?
Thikat, armët?
Me fishekë do të luani?

1 fishek + 1 vdekje + një kukull e therur.
2 fishekë = 2 vdekje x dy çerdhe të helmuara.
3 fishekë + 3 vdekje = tre shkolla të vrara,
pastaj një popull i masakruar
dhe mbetet një bajonetë
në barkun e një gruaje shtatzënë.

Lindja ka dhëmbje,
po jo kështu!
Lindja ka gjak dhe ulërima,
po jo kështu!
Si mundën dhe i shndërruan
në makina të dhunës dhe shkatërrimit?
Bomba hodhën mbi mitrën e Afërditës?
Kufoma e dashurisë
shkelet me çizmet e luftës.

Që pastaj të urrejmë dhe fëmijët...
Oh, e pamundur!

Kur do të lindim
edhe njëherë mirë? Kur(rë)?

--

KUAJT E MTROVICËS

Kuajt në Mitrovicë,
më të hijshëm se ideja e Kuajve të Triumfit,
të shëndetshëm dhe të urtë,
me xhufkat e verdhëllemta mbi ballë
si një tufë rrezesh hyjnore.

Kuajt në Mitrovicë,
më të edukuar se ushtarët e huaj tek ura
që s'lënë shqiptarët
të venë në shtëpitë e tyre
në lagjen me sërbë. Urat

Gjithmonë i kam krahasuar me kuajt shekullorë.
Kali të çon në bregun tjetër të një legjende,
të fut nëpër qytet, sado modern qoftë.
Dua të rend pas kuajve të Mitrovicës,
të tërheq bashkë me ta ngjarjet
drejt ngjarjeve të tjera më të mira.

Kuaj fisnikë të Mitrovicës,
adhurimi ndaj jush
do të më bëjë sonte kentaur:
gjysma zell shtegtimesh me patkonj floriri,
gjysma tjetër dhëmbje
e madhe njerëzore.

Mitrovicë, 20. 11. 1999

--

PEMËT VAJTOSA


Pemët
më të trishtuara në botë
janë në Prishtinë.

Vajtojnë rrugëve,
janë vetë vajtimet.

Në trup u dhembin
si fasho plagësh
lajmërimet e bardha të vdekjeve.
O Zot! Do të varrosin
përsëri ata që i vranë
dhe i hodhën në gropat e përbashkëta
të luftës!

Nga vdekja
të heqësh vdekjen.

Varroset shpesh këtu e njëjta pafajsi,
ma thonë pemët, Hekubat e vajtimeve.

Dhe unë ngrij si ato rrugëve të Prishtinës.

--

 

* * *


Më njohu
qeni i gërmadhave,
edhe pse s'më kishte parë kurrë.
M'u hodh te këmbët,
lëpiu me gjuhë
mallëngjimin tim dhe lehu i ngazëllyer.

Qetësohu, qetësohu,
ngushëllim i errët imi,
lozonjar i tëri.

Sa kohë u bënë
që ledhatoj hijen time,
përpara prin
dhe më pret si qen shtëpie
në qoshe tragjedish?

Unë i hedh
maska të lumtura.
Luaj me to,
rrokullisi me putrat e pista
sarkazmave të truallit.
--

* * *

Me kalë,
me tren?
Si shkohet atje?
A janë të lartë muret rrethues? Në postblloqe
sa cerberë na presin?


Trenat,
kur futen në tunele, nuk dalin më.
Shinat humbin si rrëke të zeza dhe bien në ferr.
Kuajt nuk kthehen
me kalorësin e vrarë, por na i vjedhin bashkë me legjendat
në kufi.


Po si të shkoj?
Është amanet
i gjithë të vdekurve të mi. Dhe ata janë
më shumë se të gjallët. Avionët atje s'ulen.
Si në kohë të keqe gjithmonë. Semaforët janë të verbër
si syri i përgjakur i qikllopit.


Të hipi mbi kurrize zhgabash,
mes flatrave të tyre të mbahem? Të bëhemi bashkë
me dy kokë si në flamur.
Por në malet e mia s'kam parë më zhgaba
dhe mua s'më lënë të largohem nga puna... si i lidhur
në direkun e një anijeje. Veshët i kam të zënë si me dyllë
me dy kufje të zeza. Dëgjoj lajme dhe muzikë.


Ç't'i them erës, psherëtimave të mia,
reve të dëshirave humbur qiejve,
ylberit delikat të guximit?


Një letër si ta nis për atje, të vogël fare sa puthja.
(Pëllumbat korrierë
ngrohin vezët në foletë e plagëve...)


Ç'më këshillon udhërrëfyes i përrallave shqiptare?
Ah,
muza
do të më çonte dot
në vendet e munguara...?


Në ëndrra
mos shkohet vallë veç me ëndrra?


25. 07. 2000

--

NË NJË TAKIM NDËRKOMBËTAR POEZIE


Të bukura janë poezitë e botës,
gjithë mister si sy dashurie.
Por kur lexon poeti i Kosovës
loti rrjedh e përndriten hijet.

Të çuditshme janë poezitë e botës,
si ashensorë të çojnë nëpër yje.
Por kur lexon poeti i Kosovës
ferri tronditet, portat Skee thyhen.

Paradokse janë poezitë e botës,
kollona ajri tempujsh t'vërtetë.
Por kur lexon poeti i Kosovës,
ujvara Agimesh derdhen mbi jetë

--

SI SHKOHET NË KOSOVË


-baladë-


- Ti, kalë i bardhë, Pegasi im,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
Malli më ka marrë pa qënë kurrë.


- Përtej varrit të atit tënd
varret e tjerë u rritën dhe u bënë male.
Pas maleve ka varre prapë si retë
nëpër luginë.
Shtegtojnë varret në qiejt e ulët
dhe ta ngatërrojnë udhën.
Avionët kthehen pas të hutuar
nëpër mjegull nate.
Karvanët e veturave janë kthyer në shkëmbenj
si kuajt e krushqëve në mallkimin e lashtë.
O Zot! Dardhat dimërore dhe mëllenjat
janë bërë fushë me ofshama
të gjuhës time!


- Ti, yll blu i fatit mbi ballë të Atdheut,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
- Kur të kesh një plagë tjetër të re në trup,
ndiq udhën e rrëkesë së gjakut,


që gjithmonë arrin para meje
dhe më pret atje - gurgullimë jete.


Marr dy pishtarë të shuar dardanë,
i ngjyej në gjakun tim
dhe ndriçoj udhën. Ndizen krahët,
flakët bëhen flatra,
unë bëhem shqiponjë prej dheu
dhe ndiej ciklonet e stepave
si duan të ma brejnë emrin prej guri.

--

ATJE NË KOSOVË

Atje, çudi,
je dhe pa qene. S'eshte larg
fare.Dhe s'te duhet te udhetosh
gjithe jeten. S'eshte ishull.
Vazhdimi yt eshte, neper gjak
dhe s'di te arrish atje
si ne enderren e nje planeti
tjeter. Bota

ndjek me ankth beteja qe perseriten
pa meshire.Si te ishin hije gladiatoresh
dhe tigrash te padukshem. Çahet mishi i
popullit, Shqyhen gojet e pushtimit
breda teje
dhe mbi peisazhin e hershem,
te permbysur.

Meridianet te gurte-
shkallet te amfiteatrit.
Zeri im ze syte me duar
per te mos pare vrasjet.
Une bie mbi veten,
Te tjera vetvete bien mbi mua.
Kufomat e mija te pafundme
behen muri rrethues i vdekur
i nates se asgjese.

--

CIGARE BURGU

Grise nje cope gazete
vure pak duhan
Te mbledhur nga bishtat e flakur
dhe drodhe nje cigare

Lajmet
T'u futen ne mushkeri
Si tym i hidhur

dhe atdheu kollitet i semure.

--

DITËLINDJA IME NË QELI

Eshte dita e dyte e dimrit
Dhe une kam ditelindjen.
Jam fare i vetem, aq me teper i arrestuar.
Tani sa m'u zhduken fantazma e nje tavoline
Dhe fantazmat e kitarave
Me shishe vere nder duar.

Kurse urimet
"U befsh 100 vjec", "me nje nuse",
"lumturi" e te tjera
para syve me lekunden
si nje tufe me kordele te zeza.

Mbusha 27 vjec,
Ne kete moshe vdiq dhe Migjeni.
(Poezia eshte prostituta qe me denoncoi tek policet!)
Qelia, si nje vagon absurd treni
Rrokulliset,
Rrokulliset.

E ja mbeti gjalle, por c'fat eshte per mua
Kur dhe krahet paqesore te zogjve
Do me duken si teh thike.
Me kapen se paskam patur mendime te ndaluara,
Se paskam shkruar gjera hermetike.

Por me hermetikisht me mbyllen keta
Qe na qenkerkan per menimin e lire, patjeter.
Koka poshte me ra
Si nje abazhur i lodhur
Me llamben te djegur.
Ç'te bej? I lutem te me shpetoje vjershes:
Ti qofsh Shen Meria
E une qofsha prej teje i bekuar!

Ja, une pranove te mbush 100 vjec,
Por me ke kam per tu martuar?
Me Ana Frankun natyrisht,
Ajo eshte e dashura ime,
Qe do me prese me mall.
Me ato pak reze qe rane ne qeli rastesisht
Do thurr
Kuroren e do t'ia ve mbi balle.

Ana Franku
Mbi gjoksin tim ka per t'u shplodhur
E lumtur do qaje, e brengosur do qeshe.
Po, po, keshtu ka per te ndodhur
Se jo me kot u bera
(pas vdekjes) 27 vjec.

--

VAZHDIMISHT TRADHTOHET NJERIU

Vazhdimisht tradhëtohet njeriu,
nuk e kam fjalën për ditën e tij që befas
bëhet mbremje,
as për mbrëmjen e flokëve të tij
që zbardhet e bëhet ditë e heshtur pleqërie.

Tradhtohet njeriu
S'e kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet në barë të kalbur harrese.

Por njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu.

Dhe kur gjysma ha gjysmën
S'bëhet më e tëra,
Më tha një plak që u plak burgjeve.

--

JETOJ NË SYRIN TËND


Siç duket
Unë jetoj brenda në syrin tënd.
Bashkohen qerpikët,
Vjen nata për mua,
E ngrohtë.

Gjumi im rrëzon rrobet si gjethet e mëdha.
Kur të treten, të mos të di gjë
Që jam ajo pemë në largësi.
Zogjtë ndërtuann një fole. Është zemra
Ime.
Pastaj dhe një zemër tjetër
Me fijedritë
Dhe me kokrriza dheu si dhimbjen
Te krahët e mi e ndërtuan zogjtë.
E dija
Është zemra jote.
E pashë
Kur hape sytë dhe solle agimin tim.

Kam kaq kohë që jetoj në syrin tënd,
Dhe që të shplodh,
Dal herë pas herë shetitje
Në formën e kulluar të lotëve.

--

ZBATHUR SHETITET NËPËR BUZËT E MIA

Zbathur,
Vetëm zbathur
Shëtitet nëpër buzët tua.

Këmbët m'u mbushën
Me petale të kuqe puthjesh
Që më bien gjatë ecjes.

Dhe kështu u krijuan yjet
Në qiellin tonë prej toke.

--

RRETHIMI


Zbardhin

kudo bajoneta

si thinja përbindëshi.

Peizazh i tërë i plakur.

Kur do të vijë vdekja

e Vdekjes?

VISAR ZHITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KALTËRSIA E QIELLIT DËSHIRON GJELBËRIMIN E PYLLIT58 poezi të nobelistit RABINDRANATH TAGORE përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.25.2011)
EDUKIMI PËRMES GURITPoezi nga Brazili përkthyer nga ANTON PAPLEKA  (12.23.2011)
SHEFQET DIBRANI SI "HOMO SACER"Rreth librit «11 minuta para orës ’00 – ose mirazhi i suksesit të LDK-së» të Shefqet Dibranit, Prishtinë 2011Nga XHEMAL AHMETI (12.20.2011)
VACLAV HAVEL: LETRA OLLGËS DËRGUAR NGA BURGU (12.18.2011)
JETON KELMENDI, KANDIDAT I ÇMIMIT NOBEL PËR LETËRSINga BAKI YMERI, Bukuresht (12.14.2011)
Pse shkrimtari Zija Çela refuzoi të promovonte romanin e tij në Panairin e fundit A ËSHTË TURP ME QENË SHKRIMTAR...!?Nga GRANIT ZELA (12.11.2011)
RRËFIME KOSOVARE 1Nga DANIEL GÀZULLI (12.07.2011)
RRËFIMI PËR BABAJIN E VOGËLTregim nga HELEN BANNERMAN (12.07.2011)
CIGANIA ME SY JESHILTregim nga ALEKO LIKAJ (12.05.2011)
NJË VIZITOR I PANJOHURTregim nga JAHO MARGJEKA (11.23.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]