VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PËRKTHIMI NË ANGLISHT I KADARESËNga DAVID BELLOS, Observer

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 06:26pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

PËRKTHIMI NË ANGLISHT I KADARESË

Nga DAVID BELLOS, Observer


E Mërkurë, 01.18.2012, 01:11pm (GMT+1)

Kur dhjetë vjet më parë më ishte kërkuar nga Christopher MacLehose, drejtor letrar i The Harvill Press, të marr përsipër përkthimin nga frëngjishtja në anglishte të romanit Dosja H të Ismail Kadaresë, fillimisht pata skajshmërisht dilema. Nuk dija asnjëtrohë shqip (madje edhe sot di vetëm copëzat më të vogla të kësaj gjuhe të çuditshme e të vështirë). Kisha, po ashtu, principe! Mjaft dëm mund të shkaktohet kur bëhet përkthimi nga gjuha e parë, e lërë më nga gjuha e dytë në të tretën, gjë që duket sikur recetë, nëse jo për kiamet, atëherë së paku për një qull goxha të hollë.

Në anën tjetër, libri më magjepsi; teksa fillova të lexoj më shumë nga Kadareja në frëngjishte, po ashtu e kuptova se ajo që më ishte vendosur në pjatë ishte një shkrimtar i rëndësisë parësore, një opus i gjerë, koherent, vepër e ndërlikuar... dhe sigurisht ia vlente ta përkthesh në anglishte sa më mirë që mundesh. Por, pse të mos përkthehet drejtpërdrejt?, e pyeta MacLehose. Ai i ngriti krahët e tij të gjatë drejt qiellit. Sikur ta dije... ma ktheu ai pa m'u përgjigjur e në mënyrë misterioze. Po ashtu ndodhi që përafërsisht në atë kohë pashë një episod të "Video Diaries" të BBC-së me vendngjarje Shqipërinë. Ishte një tip dokumentari në veten e parë për një doktor fshati të quajtur Ylli Hasani, një burrë aq varfanjak saqë nuk kishte madje as stetoskop për pacientët e tij edhe më varfanjakë. Ai e kishte mësuar anglishten vetëm duke e dëgjuar (ilegalisht) radio BBC-në dhe doli të ishte më i informuar për fatin dhe prapaskenat e Liverpool United se çdo tifoz vendas.

Në fund të programit na u bë e ditur që si mënyrë për shpërblimin e doktorit për ndihmën e tij në bërjen e dokumentarit, BBC-ja e kishte sjellë atë në Angli për ta përmbushur ëndrrën e tij më të çmendur- ta ndiqte finalen e kupës mes Liverpool-it dhe Manchester-it. U telefonova producentëve në mënyrë që ta mësoj nëse Hasani ende jetonte në Mbretërinë e Bashkuar dhe po, ai ende jetonte këtu.

E kontaktova dhe e pyeta nëse do të dëshironte të më ndihmonte ta përktheja Kadarenë, duke më treguar se kur versioni im frëng largohej shumë, apo pak, nga origjinali shqip. Ai erdhi të qëndronte, vazhduam me punë për një apo dy ditë dhe pastaj u zhduk. Më vonë mësova se ai kishte arritur ta merrte një vizë të përshtatshme për t'u regjistruar në shkollën e mjekësisë në mënyrë që ta merrte një diplomë ose së paku një kualifikim të pranuar. Kush tjetër e dinte shqipen? Në Britani, veçanërisht pak njerëz: vetëm një anëtar i departamentit të linguistikës në universitetin tim, disa njerëz në Shkollën e Studimeve Afrikane e Orientale të Universitetit të Londrës... Por, asnjëri nga këta që kishte arritur t'i gjente botuesi im nuk ishte përkthyes letrar me stil dhe, po ashtu të lirë e me vullnet për ta bërë punën.

(Pastaj kam marrë vesh se janë disa anglezë të shquar që e njohin mirë shqipen- Noel Malcolm, tash në All Souls College në Oxford dhe Julian Pettifer i BBC-së, por aspak nuk jam i sigurt që ata do të dëshironin atëherë a tash të punonin me një normë pagese të një përkthyesi letrar...).

E izoluar, izoluese, tiranike dhe e tërbuar, Shqipëria e Enver Hoxhës kurrë nuk kishte nënshkruar ndonjë konventë të të drejtave autoriale. (Republika paskomuniste e Shqipërisë më në fund e nënshkroi Konventën e Bernës më 6 mars 1994). Për korpusin e veprave të Kadaresë të botuara në shqipe, nuk kishte asnjë mbrojtje ndërkombëtare të të drejtave autoriale dhe kështu, për pasojë, ishin të lira (thjesht, çdokush e kudo do të mund të botonte një përkthim) dhe ishin të padisponueshme (asnjë botues me vetë-respekt nuk do të mund t'i blinte të drejtat, pasi nuk kishte të drejta për t'u blerë). Ja pse ishte më e thjeshtë të tregtoheshin versionet frënge, të cilat, natyrisht, ishin me: © Librairie Arthème Fayard (apo © Editions Albin Michel, për veprat e para).

Kadareja për një kohë të gjatë ishte përkthyer në gjermanishte nga shqipja, mirëpo për këtë ekziston një arsye e mirë: një dijetar gjerman praktikisht e kishte themeluar disiplinën e Albanologjisë dhe është një traditë e gjatë e mësimit të shqipes në universitetet gjermane. Në Holandë, gjithashtu, Kadareja është përkthyer drejtpërdrejt- po, atëbotë, autoritetet holandeze paguan dy përkthyes me përvojë me një shumë të mirë për dy vjet me radhë që thjesht të shkojnë e ta mësojnë gjuhën, në mënyrë që ta bëjnë punën. As Britania e as Amerika nuk ka këso traditash, e as mbështetje për përkthimet.

Për më tepër, tekstet frënge të Kadaresë janë më shumë se përkthime profesionale. I madhi Jusuf Vrioni i ndjerë, që ka rrëfyer jetën vet në memoaret e mrekullueshme të titulluara Mondes effaces. Souvenirs d'un Européen (Paris: Jean-Claude Lattès, 2001), kishte mësuar frëngjisht në Francë para Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1945, si shumë të tjerë që jetonin në ekzil, ai vendosi të kthehej për të ndihmuar në ndërtimin e një Shqipërie të re të shkatërruar nga pushtimet e shumta dhe lufta civile. Ai menjëherë ishte burgosur pasi i përkiste klasës së gabuar. Gjatë burgimit të tij të gjatë, ai filloi të përkthente në frëngjisht thjesht për ta mbajtur gjallë kujtesën për civilizimin dhe që të mos çmendej. Ishte përkthimi i tij i Gjeneralit të ushtrisë së vdekur që ishte nxjerrë jashtë vendit dhe ishte fituar për botim nga Albin Michel, dhe ai përkthim çoi te edicioni italian, gjë që solli filmin (me Mastroianni-in)... dhe ndikoi që Kadare ta gëzonte një lloj statusi të shenjtë në vendin e tij, si i vetmi shqiptar i dëgjuar jashtë shtetit, përveç Enver e Nexhmije Hoxhës. Vrioni përktheu gjithçka që Kadare shkroi; frëngjishtja e Kadaresë ishte mjaft e mirë për të qenë në gjendje ta lexonte a ta vlerësonte punën e Vrionit; kishte po ashtu gjëra që Vrioni mund t'i mbante në frëngjishte të cilat duhej të hiqeshin apo ndryshoheshin në shqipe; dhe kishte, natyrisht, vepra të tëra që dolën në frëngjishte që kurrë nuk kishin dalë si libra në parajsën popullore të Shqipërisë socialiste. Kurrë nuk e kam takuar Vrionin: ai shkoi prapë në Francë vetëm në fund të jetës së tij, për t'u përshëndetur si një hero në Assises de la traduction littéraire në Arles (asociacion kulturor francez për promovimin e letërsisë së përkthyer dhe mbrojtjen e të drejtave të përkthyesit letrar).

Që nga vitet e hershme 1990, Harvill (fillimisht Collins Harvill, pastaj The Harvill Press) mori përsipër Kadarenë, duke i ribotuar titujt nga lista e Saqi-it e duke bërë përkthime nga viti në vit. Harvill-i është pothuajse e vetmja shtëpi britanike e specializuar në letërsinë e huaj dhe ajo e gjeti një partner të përshtatshëm për këtë veprimtari në Arcade, Neë York. Kjo e shpjegon volumin e madh të veprës së Kadaresë të botuar nga këto dy shtëpi botuese, e përkthyer nga njerëzit që kanë përkthyer edhe shumë tituj të tjerë për ta (Barbara Bray dhe unë vetë). Profili i ulët i Kadaresë në botën anglishtfolëse është pjesërisht shkak i faktit se ai nuk flet anglisht dhe kështu nuk është i disponueshëm për turnet letrare, ligjëratat, intervistat radio-televizive- tip promovimi i autorit që duket përbërës thelbësor për një karrierë të spikatur të shkrimtarit të ditëve të sotme.

Jusuf Vrioni vdiq në vitin 2002 dhe një konkurs u hap për t'ia gjetur pasardhësin. Katër finalistë u lexuan "qorrazi" nga lexuesit e caktuar nga botuesi (Kadare as që i ka shikuar paraqitjet) dhe vendimi anonim shkoi-jo te ndonjë francez, por te një tjetër dhe mbase shqiptar special, Tedi Papavrami, një violinist koncertesh tash me qëndrim në Gjenevë. Frëngjishtja e Papavramit është shumë më e ndërlikuar se ajo e Vrionit. Mund të them që është pothuajse barok, dhe mendoj se ndryshimi i tonit do të vërehet te Pasardhësi, romani i radhës që do të dalë në anglisht (sigurisht këtë vjeshtë). Mbresa ime personale është se Kadare qëmoti i ka kuptuar shtrëngesat e të shkruarit "dyfish"- për lexuesit e tij shqiptarë, në njërën anë, dhe për publikun botëror, në anën tjetër.Ai zor të jetë më shumë i ndryshëm në qëndrimin e tij ndaj hollësive gjuhësore sesa (për shembull) Milan Kundera, i cili këmbëngul që madje edhe pikësimi origjinal në gjuhën çeke të riprodhohet pa ndryshim në përkthimin anglez.

Çfarë përpiqem të bëj në përkthimet e mia dy herë të larguara të Kadaresë nga frëngjishtja, është respekti për thjeshtësinë e gjuhës, dhe në të njëjtën kohë ta dekoroj me ato asociacione klasike e shekspiriane që më duket se rrinë pezull përmbi krejt çfarë shkruan ai. Kadareja nuk është, në kuptimin e rëndomtë, një shkrimtar bashkëkohor, të themi i angazhuar me trendët dhe modën e fundit. Ai është tregimtar- një bard- një rapsod, vërtetë, tjerrës fijesh që janë gjithmonë paksa të çuditshme, por prapë familjare. Një ditë, shpresoj, një përkthyes letrar me shqipe të rrjedhshme do t'ia kushtojë, edhe njëherë, jetën përkthimit të opusit të plotë të tij. Ndërkohë, jam i nderuar që jam në gjendje të bëj pakëz punë që këtë shkrimtar të mrekullueshëm ta bëj të pranueshëm për botën anglishtfolëse gjithandej botës. (bw)

DAVID BELLOS


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RONITJA E PEMËVE TË THATA FILLON NGA MAJAEse nga THANI NAQO (01.14.2012)
MË E RËNDËSISHMJA NUK DO TË THUHET KURRËCikël poetik nga ANTON PAPLEKA (01.11.2012)
NË 70 VJETORIN E LINDJES FLET SHKRIMTARI I MIRËNJOHUR SAZAN GOLIKU"JU TREGOJ UDHËTIMIN TIM ME LETËRSINË"Intervistoi DRILONA NOKSHIQI (01.08.2012)
KARTOLINA NË DOSJEN E VISAR ZHITIT- në kohën kur dënoheshin dhe urimet - (01.03.2012)
KALTËRSIA E QIELLIT DËSHIRON GJELBËRIMIN E PYLLIT58 poezi të nobelistit RABINDRANATH TAGORE përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.25.2011)
EDUKIMI PËRMES GURITPoezi nga Brazili përkthyer nga ANTON PAPLEKA  (12.23.2011)
SHEFQET DIBRANI SI "HOMO SACER"Rreth librit «11 minuta para orës ’00 – ose mirazhi i suksesit të LDK-së» të Shefqet Dibranit, Prishtinë 2011Nga XHEMAL AHMETI (12.20.2011)
VACLAV HAVEL: LETRA OLLGËS DËRGUAR NGA BURGU (12.18.2011)
JETON KELMENDI, KANDIDAT I ÇMIMIT NOBEL PËR LETËRSINga BAKI YMERI, Bukuresht (12.14.2011)
Pse shkrimtari Zija Çela refuzoi të promovonte romanin e tij në Panairin e fundit A ËSHTË TURP ME QENË SHKRIMTAR...!?Nga GRANIT ZELA (12.11.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]