VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - MË E RËNDËSISHMJA NUK DO TË THUHET KURRËCikël poetik nga ANTON PAPLEKA

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 11:15am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

MË E RËNDËSISHMJA NUK DO TË THUHET KURRË

Cikël poetik nga ANTON PAPLEKA


E Mërkurë, 01.11.2012, 05:11pm (GMT+1)

ATDHEU I ËNDRRAVE

 

Ai kishte vite që ishte larguar nga vendlindja dhe rronte në dhé të huaj. Nuk kishte prirje poeti dhe nuk i pëlqente të merrte poza prej patrioti të zjarrtë.

Në bisedë e sipër, më tha se e shihte veten në ëndërr në vendlindje, me të afërmit e tij, disa nga të cilët nuk rronin më...

Ai copë vend ku për herë të parë kishte parë dritën e diellit, kishte mbetur atdheu i ëndrrave të tij.

 

NËNA IME DHE DIELLI

 

Kur binin rrezet e para të diellit, nëna ime kthente fytyrën nga lindja, bënte kryq dhe e përshëndeste me formula rituale që i dilnin nga zemra.

Ato çaste, më dukej sikur dielli që lindte, një pjesë të dritës dhe të ngrohtësisë së tij e linte në fytyrën e nënës sime.

Ato çaste, më dukej sikur isha kthyer mijëra vjet prapa, në kohën e adhuruesve të Diellit, në kohën kur njerëzit besonin tek Amon-Re, te Heliosi, tek Apoloni.

Atë ditë që vdiq nëna ime, bashkë me të vdiqën edhe formulat rituale që thoshte ajo, edhe pamja e fytyrës së saj kur në të binin rrezet e para të diellit.

Atë ditë që vdiq nëna ime, bashkë me të u shua reminishenca e fundit e adhuruesve të Diellit, në kohën kur njerëzit besonin tek Amon-Re, te Heliosi, tek Apoloni.

Qëkurse ka vdekur nëna ime, më duket sikur dielli nuk ndrit e nuk ngroh më si më parë, sepse një pjesë të diellit ajo e mori me vete brenda qepallave të saj të mbyllura.

Fëmijët që lindin sot ose ata që do të lindin nesër, nuk do ta vënë re këtë gjë, sepse ata nuk e dinë si ndriste e si ngrohte dielli që lindte kur ishte gjallë nëna ime, kur ajo kthehej me fytyrë nga lindja, bënte kryq dhe e përshëndeste me formula rituale që i dilnin nga zemra.

 

 

PISHA-FLAMUR

 

Përballë detit Jon, në Malet e Vetëtimave, kishte mbirë dhe ishte rritur një pishë e lartë. Erërat që frynin nga deti, e kishin rrahur aq shumë, sa degët e saj ishin përkulur nga ana e tokës.

Me kalimin e viteve, ajo kishte marrë trajtën e një flamuri ku shtiza ishte trungu i pishës, kurse fusha e flamurit ishin degët e saj të përkulura.

Dikush që kaloi atypari, e vuri re trajtën e saj dhe quajti pisha-flamur.

Qysh nga ajo kohë, atë e identifikuan me flamurin e atdheut të rrahur nga shtrëngatat e historisë.

Pishën-flamur e pikturuan në tablo. Për të u shkruan disa poema...

Në të vërtetë pisha e përkulur nga erërat nuk ishte as patriote, as kozmopolite. Ajo ishte thjesht një pishë që kishte mbirë ndanë detit dhe ishte rrahur nga erërat që frynin së andejmi.

Trajta e saj mishëronte vetëm betejat e saj prej pishe, dyluftimin e saj të gjatë me erërat, përpjekjet e saj për t'u mbajtur në këmbë, për të gjelbëruar aq kohë sa ishte përcaktuar për të në kalendarin kozmik.

Nuk e dinte se Malet e Vetëtimave ku kishte mbirë dhe ishte rritur ajo, Homeri i kishte përmendur në Iliadën e tij.

Ajo nuk dinte gjë për Iliadën as për Homerin.

Ajo e dinte vetëm se ishte një pishë si mijëra pisha të tjera.

Ajo ishte një rapsod i gjelbër dhe anonim, të cilit i kishte rënë shorti që me degët e saj të shkruante Iliadën e një pishe, të fliste për dyluftimin e saj me erërat që e kishin

rrahur aq shumë, sa e kishin përkulur dhe i kishin dhënë trjatën e një flamuri.

Ajo nuk e dinte se ishte flamur dhe nuk e quante veten të tillë...

 

 

SANTANA KSANA DHARMAS

 

Ata pandehin se vrâjnë e kthjellin,/ shohin në ëndërr statujat e tyre,/ para të cilave do të bien në gjunjë brezat që vijnë./ Ata pandehin se janë Demosteni e Katilina./

Pandehin se nga fjalimet e tyre të gjata sa një korridor burgu/ varet drejtimi i erërave dhe i reve,/ hershmëria apo vonesa e stinëve./ Ata bien në ekstazë nga brohorimat e turmave,/ të cilat i adhurojnë si perëndi tribush parahistorike./ Por sapo mbyllen në zyrat e tyre luksoze/ apo shtrihen në shtrat,/ në veshë u buçasin fjalët e llahtarshme:/ Santana ksana dharmas!

Ata kanë depozituar në bankat e huaja dollarë dhe euro,/ i shtojnë përditë pasuritë e patundshme,/ duke blerë fusha, pyje, ullishta, plazhe, miniera, hidrocentrale dhe fabrika.../ Ata pandehin se janë të pasur si Krezusi,/ të plotfuqishëm e fatlumë si Priami para rrethimit të Trojës./ Ata dehen nga ditirambet e mercenarëve dhe nga lajkat puthadorëve.../ Por sapo mbyllen në zyrat luksoze apo shtrihen në shtrat,/ në veshë u buçasin fjalët e llahtarshme:/ Santana ksana dharmas!

Ata e mbushin kraharorin me diej dekoratash./ Shohin në ëndrra ceremoni ku marrin Çmimin Nobel./ Populli u duket si një mori mizash përdhese/ që ka ardhur në jetë vetëm për t'u shërbyer atyre, të zgjedhurve./ Ata e kanë privatizuar të sotmen dhe të nesërmen./ Ata e kalojnë Rubikonin e historisë si të qe një vijë mulliri.../ Por sapo mbyllen në zyrat e tyre luksoze apo shtrihen në shtrat,/ në veshë u buçasin fjalët e llahtarshme:/ Santana ksana dharmas!

___________

Shprehja budiste "Santana ksana dharmas" do të thotë = Gjithçka zgjat sa një rrahje qepalle.

 

 

PËRLESHJA E KARIBUVE

 

Nëpër një rrafshinë të paanë e të bardhë turret përpara një kopé e murrme karibush, e përndjekur nga cingërima dhe nga uria. Befas nga ajo rrungajë që udhëhiqet nga instinktet, veçohen dy karibu meshkuj, të cilët zënë të përleshen egërsisht.Askush nuk mund ta marrë me mend shkakun e armiqësisë së tyre. Vallë, a mos është ndonjë femër që e lakmojnë të dy?! Vallë, a mos është dëshira për të sunduar kopenë?! Ç'mund të jetë tjetër në atë shkretëtirë prej bore dhe akulli ku nuk duket gjëkundi as bar, as ndonjë rrëké?..

Gjatë kacafytjes, brirët e degëzuar të karibuve kapërthuren keqas me njëri-tjetrin. Pas njëfarë kohe, karbuja më i dobët shembet përdhé nën peshën e kundërshtarit dhe jep shpirt. Mirëpo karibuja ngadhënjimtar nuk i gëzohet dot fitores së tij: ai nuk mund t'i shkëputë brirët e vet nga brirët e kundërshtrarit të sapovrarë. E tërheq zvarrë kufomën e tij, por me një ngarkesë të tillë nuk mund të shkojë larg. Nuk mund të gjejë ushqim. Nuk mund t'i shmanget stuhisë së borës. Atëherë edhe ai shembet përdhé pranë karibusë së vrarë prej tij dhe jep shpirt.

Edhe pasi t'i shqyejnë egërsirat, karibuja ngadhënjimtar dhe karibuja i mundur do të dergjen pranë njëri-tjetrit, në atë shkretëtirë prej bore dhe akulli. Brirët e tyre të degëzuar, të kapërthurur keqas, nuk do t'i shkëputë as vdekja. Dy skeletet e tyre do të mbeten aty, ashtu siç kanë qenë për së gjalli, sikur vazhdojnë të përleshen edhe përtej kufirit të jetës!

 

 

FIJE BARI

 

Uollt Uitmani i Pranverës sapo e ka nxjerrë nga shtypi përmbledhejn e tij Fije bari.Erërat nxitojnë ta shfletojnë me gishtat e tyre flurorë. Të dashuruarit shtrihen në të duke lënë aty trajtat e trupit të tyre.

O, vit për vit, ribotohet përmbledhja Fije bari e Uollt Uitmanit të Pranverës! Vit për vit, nuk reshtin së shfletuari lexuesit e palodhshëm të erërave dhe të shirave që vijnë nga të gjitha horizontet.

Pa përmbledhjen e saj të gjelbër Fije bari, toka nuk do të ishte vetëm e varfër dhe e pangjyrë, por edhe pa jetë. Pa Fijet e barit, toka do të ishte si një botë pa vargje dhe e kundërta është po aq e vërtetë.

Prandaj vit për vit, Pranvera merr atributet e Uollt Uitmanit dhe riboton përmbledhjen e saj universale Fije bari...

 

 

AJO QË NUK ËSHTË THËNË

1

Kurrë nuk mund të thuhen të gjitha.Ndoshta ajo që nuk është thënë, ajo që nuk do të thuhet kurrë, është më e rëndësishmja. Ndoshta kurrë nuk do të thuhen të gjitha, nuk duhet të thuhen të gjitha.

2

Po të thuheshin të gjitha, nuk do të kishte më asgjë për të thënë.Mirëpo shprehja "nuk ka më asgjë për të thënë" mund të thuhet vetëm për të vdekurit.

3

Pa atë që është thënë, nuk do të merrej dot me mend ajo që ende nuk është thënë. Dhe brenda asaj që do të thuhet, fshihet ajo që është thënë. Ajo që do të thuhet, nuk është pleqëria, por është rinia e asaj që është thënë.

4

Kurrë nuk mund të përcaktohet me saktësi kufiri midis asaj që është thënë dhe asaj që mbetet për t'u thënë ose do të thuhet. Ai është një kufi i pakapshëm nga syri apo nga shqisat e tjera.

5

Ajo që është thënë kërkon pareshtur atë që ende nuk është thënë, kurse ajo që ende nuk është thënë rend për t'u takuar sa më parë me atë që është thënë.

6

Kur takohen ajo që është thënë dhe ajo që sapo është thënë, ekzistojnë disa mundësi: ato mund të kacafyten me njëra-tjetrën, mund të përqafohen me njëra-tjetrën,

mund të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës pa shfaqur ndonjë shenjë miqësie apo armiqësie.

7

Ende mbetet shumë për t'u thënë. Në molet e gjuhëve të botës, po bëjnë gati karavelat e tyre Kristof Kolombët, Vasko de Gamat dhe Xhejms Kukët e asaj që ende nuk është thënë, që pret të thuhet, që mund të thuhet...

 

 

UDHËTIMI I PAFUND

 

Jeta dhe Vdekja janë dy stacione të një udhëtimi që nuk ka fund: përse të qahem se një ditë unë do të vdes?!

Vesa lind gjatë natës, mbështillet me shpërgenj gjethesh e petalesh dhe vdes sapodeldielli: përse të qahem se një ditë unë do të vdes?!

Ka flutura që rrojnë vetëm njëzet e katër orë, pastaj ato duhet të ndahen përgjithmonë nga puhitë dhe nga lulet: përse të qahem se një ditë unë do të vdes?!

Ka pemë tropikale si sekuoja që rrojnë disa shekuj, megjithatë vjen një ditë kur ato rroposen përdhé: përse të qahem se një ditë unë duhet të vdes?!

Ka yje që vezullojnë me miliona vjet, megjithatë edhe ata përpihen nga vrimat e zeza: përse të qahem se një ditë edhe unë do të vdes?!

Gjithçka sos në një stacion për të vazhduar rrugën drejt një stacioni tjetër: përse të qahem se një ditë edhe unë do të vdes?!

 

ANTON PAPLEKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NË 70 VJETORIN E LINDJES FLET SHKRIMTARI I MIRËNJOHUR SAZAN GOLIKU"JU TREGOJ UDHËTIMIN TIM ME LETËRSINË"Intervistoi DRILONA NOKSHIQI (01.08.2012)
KARTOLINA NË DOSJEN E VISAR ZHITIT- në kohën kur dënoheshin dhe urimet - (01.03.2012)
KALTËRSIA E QIELLIT DËSHIRON GJELBËRIMIN E PYLLIT58 poezi të nobelistit RABINDRANATH TAGORE përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.25.2011)
EDUKIMI PËRMES GURITPoezi nga Brazili përkthyer nga ANTON PAPLEKA  (12.23.2011)
SHEFQET DIBRANI SI "HOMO SACER"Rreth librit «11 minuta para orës ’00 – ose mirazhi i suksesit të LDK-së» të Shefqet Dibranit, Prishtinë 2011Nga XHEMAL AHMETI (12.20.2011)
VACLAV HAVEL: LETRA OLLGËS DËRGUAR NGA BURGU (12.18.2011)
JETON KELMENDI, KANDIDAT I ÇMIMIT NOBEL PËR LETËRSINga BAKI YMERI, Bukuresht (12.14.2011)
Pse shkrimtari Zija Çela refuzoi të promovonte romanin e tij në Panairin e fundit A ËSHTË TURP ME QENË SHKRIMTAR...!?Nga GRANIT ZELA (12.11.2011)
RRËFIME KOSOVARE 1Nga DANIEL GÀZULLI (12.07.2011)
RRËFIMI PËR BABAJIN E VOGËLTregim nga HELEN BANNERMAN (12.07.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]