E Djelë, 05.05.2024, 10:37am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
PO SHTRIHEM MBI TY BLERIM I RI I ATDHEUT TIM
Cikë poetik nga FASLLI HALITI

E Hënë, 12.16.2013, 10:02am (GMT+1)




PARADOKS

Ti me sy të kaltër,
S'pe
As diell
As dritë,
As kaltërsi,
Kurse unë i verbri një jetë të tërë
S'pashë qoftë dhe një ditë errësirë me sy!
--

VËTËDIJE

Pёr tё kaluar njerёzit e mirё mbi kurrizin tim
Unё mund tё bёhem
Edhe urё
Edhe vig,
Por në çast e shemb urën kurrizore,
Po të kalonte në të vetÑ‘m dhe një i lig.
--
BRAKTISJA
Fier-Sheganit, fshatit të konvaleshencës sime ideologjike

Qenkan mbushur kanalet që hapa dikur këtu me bel
Kanalet i paska veshur bari pothuaj të gjithë.
Parcelat qenkan rrethuar me tel
Arat qenkan thurur me drizë

Fshati Fier-Shegan,
Fshati socialist,
Mjeku
I konvaleshencës sime ideologjike,
Shëruesi i virusit tim borgjez, revizionist.

***

Të prita te ara e Sheqit, buzë Semanit Ali,
Shok i brigadës së arave!
S´më erdhe.
S´e di

Pse ?
Ç´u bëre shok i orizoreve,
Shok i kavalleve të orizit ku je?!

Si
Vdiq vërtetë
Pa u ndarë me mua,
Pa u ndarë me njeri, tjetrin nga kjo jetë !

Të prita ty Durim, shoku im i vijave kulluese
Dhe ty Zija, bir i kulakut të prita,
S´u takova dot me ju
Ju kishit ikur.
Nuk dihej
Ku...

Klarinetisti Adem ka kohë që ka ikur në Had?
Padrejtësi Zot, padrejtësi,

Padrejtësi,
Perëndi!

Të kërkova
Dhe ty Vjollca,
Sa pambuk kemi vjelë bashkë.
Të prita
Si s´më erdhe, si ?
Je martuar, më thanë !
Ka kohë që ke ikur nga fshati.
Ka kohë që je bërë edhe nënë.

Të kërkova
Dhe ty Agim Murati,
Kemi hapur kanale bashkë,
Edhe ti paske ikur nga fshati ?

Ti «traktori» i brigadës paske emigruar,
Kjo është e pabesueshme, Agim
Ti të shkoje në Kanada?
Po kjo është shembje,
Kjo është hata...

Po të pres te Arra
Buzë Vjosës
Besnik,
Te arra e Madhe,
Ku kalonim vapën të dy...
Edhe ti Besnik paske emigruar?!
Ku?
Në Angli?!,
Edhe ti Besnik
Paske ''tradhëtuar,,
Fshatin tënd socialist,
Edhe ti Besnik u tregove i ''pabesë ,,
Dhe ike me gomone, çave deteve tinëzisht?

Po ata që ishin fëmijë të vegjël fare atëherë
Kur unë shërohesha mes jush
Ideologjikisht:
Ariani për shembull,
Altini, Indrit, Arbeni, Ermali,
Ku janë?
Kanë ikur për studime
Në Londër, Paris, botës tejembanë ?!

Qenkësh shpërbërë krejtësisht fshati
I konvaleshencës sime ideologjike
Qenka boshatisur,
Fshati ynë...
Socialist.

Pleqtë paskan vdekur pothuaj të gjithë,
Të rinjtë paskan emigruar,
Të rinjtë
Ne s'i njohim,
S´na njohin as ata,
Kjo është e dhimbshme për mua,
Kjo është shkretinë shkretane, hata...

***
Esenin
Edhe mua
Po më ndodh
Siç të ndodhi dikur edhe ty...
Edhe mua sot këtu s´m'i hedh sytë askush...
Edhe unë s'njohkam këtu më asnjeri...

Po ju përqafoj, pra
Ju plepat buzë kanaleve
Ju shelgjishte buzë pellgjeve,
Ju kumbulla,
Ju qershi në lulëzim.
Po shtrihem mbi ty, pra, bar i blertë...
Po shtrihem mbi ty blerim i ri i atdheut tim.
--

NDJESA

Të kërkoj ndjesë
Gushëkuq i ferrës,
Gushkuq
I drizës
Të qëllova me llastiqe
Të shprisha prushin e gushës.
Më fal
Dhe ti, bilbil
Ta vrava këngën me gur!
Të kërkoj falje
Ty thëllëzë
Që të theva vezët në fole,
Të lashë nënë pa zogj.
Të theva njërin krah,
Më fal, isha çilimi,
Kalama!
--

E LË TË LIRË

Nuk e largoj të dashurën,
Ajo më largohet.
Më afrohet,
E afroj;
I jap
Dorën
E puth, e përqafoj.

Më ikën,
S'e ndjek,
Më vjen,
E pres krahëhapur,
Krahëhapur më gjen...
--

MBRAPSHT
.poemë.

Zoti
U mërzit,
Vendosi ta rikrijojë botën sërish
Qiellin e bëri det
Detin qiell
Zogjtë notojnë në det
Peshqit
Fluturojnë në qiell
Yjet i bëri lule
Lulet yje
Lulet rrezatojnë dritë
Yjet përhapin aromë
Diellin
E bëri sy Polifemi
Syrin e Polifemit diell
Diellin e verboi Odiseja me urën e zjarrit
Syri i Polifemit ndriçon edhe djeg
Shpendët
I bëri avionë
Avionët shpendë
Shpendët hedhin bomba
Avionët lëshojnë glasa
Kafshët
I bëri njerëz
Njerëzit kafshë.
Kafshët ecin me dy këmbë
Njerëzit vrapojnë me katër
Kafshët bisedojnë
Njerëzit
Ulërijnë, blegërijnë, pëllasin.
Politikanët i bëri qenër
Qentë politikanë.
Qentë bisedojnë
Politikanët lehin
Poetët
I bëri bilbila
Bilbilat poetë
Poetët këndojnë majave të lisave
Bilbilat recitojnë skenave, tribunave, në radio dhe ekrane
Pemët
I bëri peshq me luspa
Peshqit pemë me gjethe
Rrënjët i bëri degë
Degët rrënjë
Rrënjët
Pa lule, pa gjethe
Degët pa rrënjë
Rrënjë
Luajnë me flladin.
Lulet kalben nën tokë
Zoti
Përzjeu shqisat
Zhvendosi tiparet
Sytë
I vuri
Te veshët
Veshët te sytë
Sytë dëgjojnë
Veshët
Shohin
Gojën
E vuri te bytha
Bythën te goja
Goja pjerdh
Bytha
Flet.
Dhëmbët
I vuri te gishtat
Gishtat tek dhëmbët
Gishtat kafshojnë kasaforta thesare
Dhëmbët
Rrëmbejnë valutë dogana
Zoti
Zemrën
E vuri në stomak
Stomakun në zemër
Stomaku
Përtyp dashuri
Zemra rreh e uritur.
Zoti
Edhe ditët i bëri rrëmujë
Të dielën
E bëri ditë pune
Të hënën, të martën, të mërkurën,
Të enjten, të premten, të shtunën
Të gjashta i bëri ditë pushimi
Vdekjen
E bëri lindje
Lindjen vdekje
Të vdekurit rilindin
Të lindurit
Rivdesin
Ditën
E bëri natë me diell
Natën ditë me hënë
Ditën flemë
Natën punojmë bixhoz
Të keqen
E bëri të mirë
Të mirën të keqe
Djallin
E bëri Krisht
Krishtin
Djall...
U përmbysën dhe sharjet
Njerëzit shajnë së prapthi
Ik
Or
Krisht me brirë
Ky është djall
Shpirt njeriu
Kishat
U bënë stalla
Stallat kisha
Djalli
Falet në kishë
Krishti

Stallë
Krishti rivdiq
Djalli u ringjall...

Nëntor 1995 AKS
--

PËRSOSJE

Përsosu
Dritë
Përsosu ajër
Përsosu ujë
Përsosu blerim
Përsosuni yje
Përsosu
Diell
Përsosu lule
Përsosu kaltërsi
Përsosu
Tokë
Përsosu njeri.
Përsosu Perëmdi, Zot

Ndryshe s'ka përsosje në qiell, në tokë...
--

SILL

Sill thana të kuqe nga fshati,
Mos sill luleshtrydhe.
Sill djathë,
Jo çokollata,
Sill pjepra, jo banane,
Sill qumësht, jo "Coca Cola",
Sill raki rrushi,
Jo Martini,
Apo Xhin dhe Xhon.
Sill dëborë nga maja e malit,
Jo akull frigoriferi,
Sill qershi,
Jo bonbone Monalizë!

S'ka si shija e thanës dardhës, pjeprit, rakisë.

--
BEATRIÇJA

Në vitet pesëdhjetë
Në fshatin tim
Erdhe
Ti
Beatriçe
Si një pjeshkë në lulëzim.

Unë u dashurova si Dantja
Me ty
Dhe gjithë jetën mbeta i dashuruar
Edhe pse Danten atëherë unë s'e njihja
Edhe pse «Komedinë hyjnore» s'e kisha lexuar.

Me të ardhur ti Beatriçe Portinari, Tufina,
Në qytezën time fushore,
Qershitë,
Dhe pjeshkat,
Mollët e fshatit tim
U bënë me një motër zanë, mis,
Me një motër flokëverdhë, kanarinë.

Colpo di fulmine.
Dhe unë
Dhe ti
U dashuruam në çast.
Ti u dashurove me mua
Jo sepse isha
Dantja,
Por
Sepse
Isha i vetmi djalë në fshat
Që emrin Beatriçe ta shqiptoja më saktë.

Kur ty
Dikush
Të thërriste Bedrie
Dhe Bidriçe një tjetër,
Ti u dashurove me mua,
Si Beatriçe Portinari me Danten e epërm.

Ah
Buza jote
Si u plasarit ashtu atë ditë,
Si më puthe me aq afsh ti, atë natë,
Si më mbulove ashtu me atë muzg flokësh,
Me flokët e tu si tufa mimoze, ti, vjeshta ime e artë.

Beatriçe.
Ti vërtet ishe Beatriçja Portinari,
Beatriçe Aligieri,
Por unë
S'isha Dantja,
Unë isha vetëm një adoleshent borgu,
Një djalosh fillorist, gjysmë analfabet
Që dinte të dashuronte si adoleshent,
Që dinte të bënte disi dashuri,
Por s'dinte si Dntja
Të bënte sonete
Poezi ...

Mamaja jote italiane,
Pas babait
Tënd
Agronom
Në fermën tonë,
Vuri kujën e alarmuar,
Që vajza e saj me gjak blu,
Me një djalë Ferri fshatar, ishte dashuruar...

Ah
Buza jote
Si u plasarit ashtu atë ditë,
Si më puthe me aq afsh, atë natë,
Si më mbulove ashtu me atë muzg violë
Me flokët e tu si tufë mimoze, ti vjeshta ime e artë?!.

Por dhe sot, me atë buzë të çarë si një shegë në degë,
Ti më puth në ëndrra si në adoleshencë,
Si atëherë nëpë frutore
Më puth,
Ti përsëri,
Si në muzgun ngjyrë manushaqe,
Shtrirë me mua nën një shelg, nën një qershi.

Dhe me puth
Me të njëjtin afsh
Krejt, krejt si atëherë

Moj veshta ime flori që nuk m'u bëre kurrë pranverë.

--
EDHE PSE

Edhe pse ti
Nuk flet me mua,
Kalo nga rruga ime,
S'rri rruga ime pa trillet e takave të tua...!
--

ZGJATA DORËN

Zgjata dorën te gonxhja e trëndafilit,
Trëndafili
Më tregoi dhëmbët e gjembae...
Gishtat m'u mbushën me gonxhe të kuqe gjaku !

Zgjata dorën te hoja e mjaltit,
Bleta
Më tregoi dhëmbin e thumbit me egërsi

Dhe kulloti në gonxhet e gishtave të mi !

--
BIJA E DIELLIT

Ra nata,
Po ku ra e zeza?

Humnerë,
Në pafundësi?
Po ç'indi dielli prej qiellit?

Dita, bija më e bukur e diellit...
--

VIZITË TE DRITARJA E PUTHJES SË PARË

Liceut Artistik.
Muri
Me myshk.
Kanatat e dritares
Së klasës së pikturës të kalbura.
S'është më e re si atëherë dritarja.
Dhe ne s'jemi më të rinj si atëherë,
Kur bisedonim
Këtu
Të dy.
Këtu unë të preka vetëm dorën
Dorën time që dridhej shtrëngove në gji.

Këtu u puthëm për herë të parë.
Puthje që s'e provova më
Kurrë
Një jetë,
Po ne s'jemi bashkë sot
Te dritarja jonë e shkretë.

Erdha vetëm te dritarja jonë
E dashuria ime Liceiste,
Vetëm fill,
Pranvera ime, liceiste,
Blerimi im i blertë i muajit prill.

Pranvera
S'm'i shrtroi
Si dikur uleshqerrat
Si pjata të bardha mbi bar,
Qershia
S'më spërkati
Me petale të bardha si dikur.
Manushaqja pa avujt e tokës
S'e nxjerr kokën nga dheu, kurrë.

Pa avujt pranveror të buzëve të tua, buza ime nuk çel,
Zemrës sime veç teje, Liceiste,
Nuk i vibron kush
As një tel...

Vrapo te dritarja e puthjes sonë të parë,
Kur u puthëm mbështetur mbi mur,
Eja që dritarja të mos kalbet më
Eja të puthemi prapë si dikur.

Eja,bëhu erë
Eja
Eja
Eja, pra,
Ti marsi im,
Ti prilli, ti maji im me shira dhe erë
Dhe shih po s'u mbushe me sytha. me gjethe
Dhe shih po s'u bëre ti motër e stinës pranverë...
--

NËNË

T'u bënë njëzet e katër vjet, nënë,
Atje në Hades.
Me babanë
Ç'bëni
Si shkoni të dy
Pi babai
Zihet
Grindet me ty?
Jeni në Parajsë,
Në Parajsë s'ka grindje zënka, mëri ?

Më gëzove moj nënë që paskeni harmoni!
--

PYETJE

Na la babai
Pse?
Iku
Me vdekjen?!
(Po vdekja s'ka zemër)
Ku shkoi me të?
Në Had?
Po ne ku na la,
Në ferr apo parajsë ?

--
NË DJALL

Po më bën për vete djalli çdo ditë.
Shpëtomë, të lutem, zoti Zot !
S'dua të jem shok i djallit,
Satanait...
Si ?!
S'më shpëtuake dot?

Në djall, atëherë, edhe ti, zoti Zot !
--

TONET

Tone
Të larta,
Njerëz të ulët, të dobët.
Tone
Të ulëta,
Njerëz të lartë, të fortë.
Tone të ashpra,
Njerëz të brishtë, butë.
Tone
Të buta,
Njerëz të ashpër.
Tone
Cicëruese,
Vezë të bardha pa zogj.
Ngjyra
Pa pigment,
lule të venitura, pa erë
Njerëz pa mendime,
njerëz si pemë dekorative...
--

S'MË DHE

S'ma dhe zjarrin e zemrës.
Më jep së paku
Hirin.

Të ushqej lulet e shpirtit!

--
TRANSFORMIMI

Kulla Eifel.
Natë parisiane.
Në majë të kullës
Hëna
Tri netshe.
E ktheu Eifelin në xhami.

Katedralja e Shemërisë shpërtheu në xhelozi.

--
SË BASHKU ME HËNËN

Një mbrëmje
Ulur
Në kafe
Pranë sheshit Shanz Elize
I vetmuar po prisja
Të pija
Një kafè.
Befas
Doli hëna e plotë
Si vajzë myzeqare me napë të bardhë.
E ftova në çast të ulej me mua në tavolinë.
Ajo la qiellin, zbriti me vrap.
Erdhi tek unë
Pa e hequr fare shaminë.

Në kafen luksoze pranë sheshit Shanz Elize
Bashkë me hënën shamibardhë
Piva një kafè...
FASLLI HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TË DALIM TA PRESIM MIGJENIN...Esé nga MITRUSH KUTELI, 15 mars 1944 (12.15.2013)
E PASHË ATDHEUN LAKURIQCikël poetik nga TRIFON XHAGJIKA (1932-1963) (12.15.2013)
POEZI ME NDJENJA TË VËRTETA KOMBËTARE(Drita Nikoliqi-Binaj: Përuron vëllimin “Si ta pagëzoj heshtjen”)Nga Prof. Murat Gecaj publicist e studiues-Tiranë (12.14.2013)
SI AJRI TI JE, SI BIMA QË AJËR KËRKONCikël poetik nga QAZIM SHEHU (12.14.2013)
23 VJET MË PARË NA DHANË BARPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.13.2013)
KURRË MË NË TROJË(Lekë Paridi)Poezi nga SKËNDER BUÇPAPAJ (12.12.2013)
VILHELME VRANARI HAXHIRAJ PËRFSHIHET NË ANTOLOGJINË ITALIANE TË FITUESVE (12.12.2013)
PËRPIN VALA LOTT E MIPoezi nga AGIM GASHI (12.11.2013)
NUK MUND TË JESH TI, SHPIRTI YT I PATHYER dhe MBI KËTO PASTELE GJETHESHTri tregime poetike nga ADEM ZAPLLUZHA , nga libri “Fjetëm njëqind shekuj” (12.11.2013)
KURTHET E ENDRRES…Në vënd të pasthënies për librin e Hasan Selimit “ ANTOLOGJIA E ENDRRES”Nga LULZIM LOGU (12.10.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]