E Djelë, 05.05.2024, 10:52am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
MJEKRA  DHE  SHKREPTIMA, MUSHKONJA, SHKURRISHTA  E  NJERËZVE, VETMI dhe EUREKA
Pesë proza nga SAZAN GOLIKU

E Mërkurë, 12.18.2013, 10:41am (GMT+1)



MJEKRA  DHE  SHKREPTIMA
 

Një, dy, tri ditë, një javë, një muaj... gjashtë muaj... zëri i saj ndihej që poshtë, duke gurgulluar meloditë e ditës. Dhe kur ajo shfaqej në krye të shkallëve të katit të shtatë, ora ishte me siguri tre e pasdites dhe Prifti ndodhej para derës së apartamentit të vet. Vajza e përshëndeste: "Mirëdita, uratë!" - dhe ecte deri në fund të korridorit të gjatë, ku kishte apartamentin. Ajo nuk hipte asnjëherë në ashensor dhe shkallët i ngjiste pothuaj duke vallëzuar. Në njërën dorë mbante çantën me libra, në tjetrën torbën prej plasmasi përplot me ushqime të tregtores "Rrathët". Torba ishte përherë po ajo, ndërsa Vajza edhe ishte, edhe s'ishte ajo. Në sytë e Priftit, ajo pasqyrohej çdoherë ndryshe. Lëkura e saj ngjyrë mjalti rrezëllinte me nuanca, sipas motit e gjendjes shpirtërore. Trupi i saj ishte një koktejl racash dhe etnish, që mund ta përqasësh ndoshta me Evën e Adamit ose me femrën e botës në vitin 3000. Mund të thoje e mund të mos thoje: "Sa e bukur!", po ajo ishte dehëse me natyrshmërinë e thjeshtësinë e saj të qashtër.

- Uf, sa u lodha sot, - tha vajza si nën zë para Priftit. - Thonë se pranvera të lodhë dhe ... qenka e vërtetë.

Prifti me një libër mbi gjoks e me sytë përdhe nuk foli, por me vete tha: "Prill, maj... mos..." dhe u skuq i tëri, por Vajza sikur nuk e vuri re. Asaj i shkëlqyen sytë me një djallëzi gazmore.

- Uratë, - iu drejtua Priftit, - kemi kaq kohë që njihemi. Si nuk më keni ftuar për një vizitë?

- Është dhe dëshira ime, e uruar, - mezi mërmëriti Prifti dhe i hapi derën.

Sa hyri në odën e ndenjies, Vajza për një çast shtangu. Më tepër se shtëpia e një prifti, ajo dukej si shtëpia e një dijetari. Veç katër faqeve të murit me rafte librash, në çdo qoshe, mbi kolltukët, mbi divan, mbi tryezë kudo libra. Një makinë e vogël shkrimi mbante në gojë një fletë përgjysmë të shkruar... Edhe pse në bibliotekën e Universitetit, ku studionte një nga shkencat e natyrës, vajza kishte parë rafte të pafund librash, kjo odë e rëndomtë sikur e magjepsi dhe i la për një çast një përshtypje trallisëse.

Prifti nuk arriti të bënte ritet e mikpritësit, se Vajza i nguli sytë një kryqi të drunjtë mbi derë dhe tha sikur të kërkonte një gotë uji: - Uratë, dua të shoh Zotin!

- Qofsh e bekuar, - ngriti zërin Prifti, - po Zoti Perëndi mund të shihet vetëm kur je lakuriq.

Megjithëse në kishë nuk e kishte dëgjuar asnjëherë një gjë të tillë, Vajza nuk shprehu kurrfarë habie. Me dy-tre lëvizje të lehta e të hijshme u gjend e zhveshur përpara priftit dhe njeriut, që u gëlltit nja dy herë sa mposhti drithmat.

Sikur ta kishte parë këtë pamje piktori mesjetar shqiptar me emrin Onufri, me siguri do të kishte pikturuar një tablo e do të kishte thënë: "Korbi dhe pëllumbi" ose "Djalli dhe engjëlli".

Me një hapje ceremoniale të krahut, Prifti kapi përdore Vajzën dhe e çoi në odën e gjumit, përpara një pasqyre të lartë.

- Kjo është Perëndia - dhe i tregoi me dorë pasqyrimin e saj.

Një shkrepëtimë e një dritë e rrufeshme mbushi odën atë çast. Prifti dhe Vajza panë njëri-tjetrin në sy, po asnjë qerpik nuk u lëvizi. "Jo, - mendoi vajza, - nuk është hakmarrje e Zotit. Në mëngjes stacioni meteorologjik njoftoi se pasdite do të ketë vranësira dhe shtrëngata shiu."

Vajza u kthye përballë pasqyrës dhe duke parë trupin e vet, tha me një dozë të lehtë ironie e keqardhje: - Do të ishte një perëndi e mangët. Sipas Bulit 1+1=1.

Dhe me duar fluture i hoqi Priftit kamillafin, rason e zezë dhe gjithë të bardhat e brendshme. Befas nga burimi mashkullor i Priftit shpërtheu shatërvani që spërkati si ajazmë gjinjtë e hedhur e barkun e rrafshtë të Vajzës.

- Tash do të të çoj në parajsë, - i tha ai si duke kënduar.

Po Prifti si prifti. E shtriu me butësi Vajzën në shtrat, mori një libër të trashë me kapakë të blertë, e hapi në faqen 123 dhe nisi të lexojë te kryet e saj sonetin nr. L XXXI, sipas Shën Shekspirit, duke ulur zërin që u dëgjua në dy vargjet e fundit gati si fëshfërimë gjethesh:

Ti vdekje s'ke: i tillë është arti im

Që në frymën e njerëzve çdo çast të përtërin.

-Tash, jam gati të fluturoj për në parajsë, - pëshpëriti e mekur Vajza, ndërsa gjoksi nisi t'i ngrihej e ulej si valë deti e përqafuar me shtrëngatën.

 --
MUSHKONJA
 

Dasma kishte arritur kulmin aty pas mesnate në lulishten ku ishte shtruar banketi. Birra dhe vera kishin nisur me kohë punën e tyre. Po çiftet ende e mbanin gjallë vallëzimin. Nofullat nëpër tryezat me mbulesat tashmë të njollosura vazhdonin përtypjen edhe pse çjerrjet e stonaturat e orkestrës nuk ua kapte më veshi dasmorëve.

Dhëndri e nusja po vallëzonin të përhumbur faqe më faqe. Lodhja e bezdia nga përgatitjet, urimet, pakënaqësitë për vendin në tryezë (pa të cilat një dasmë nuk mund të quhet dasmë) së fundi ishin barazuar me lumturinë e festës dhe mezi po prisnin sa të shkonin në shtrat.

Një mushkonjë qëndroi në faqen e djathtë të dhëndrit dhe natyrshëm i nguli thumbin. Në të vërtetë ai ishte Djalli që kishte marrë trajtën e mushkonjës dhe i hodhi me atë pickim helmin e xhelozisë. Kaluan disa çaste dhe dhëndri, duke kruar faqen e djathtë, i pëshpëriti nuses në vesh:

- Ty të pëlqen me sa duket ai kamerieri flokëkaçurrel...

Nusja ngriti vetullat e habitur.

- Cili?

- Ai që po vjen pas teje.

Nusja u kthye për ta parë e tha:

- Vërtet, qenka djalë i pashëm.

Gjaku iu kthye dhëndrit në vrer. U ulën në vendin e tyre në krye të tryezave. Ai zuri të rrëkëllejë gotat njëra pas tjetrën edhe pse të afërmit dhe nusja bënë çmos të mos pinte më. Por e kishin kot. Vera në stomakun e tij kthehej në vrer.

Ndërkohë Djalli, në trajtën e mushkonjës, e pickoi në faqen e majtë kamarierin bukurosh dhe i hodhi mjaltin e dashurisë...

Çifti - i shtrirë mbi krevatin martesor. Ai me fytyrë të verdhë prej njeriu të helmuar; ajo me sytë tejet të hapur nga një zhgënjim i paskajshëm.

Ende nuk ishte tretur në qiell yllëzimi kur kamarieri, me krahët e erosit qëndroi si engjëlli i dashurisë në derën e ballkonit të odës së çiftit të porsamartuar.

"E zbulova komplotin!" i shkreptiu dhëndrit në gjuhë sa pa siluetën në dritare. Dhe nxori revolen nga nënkresa. Plumbi i parë e përshkoi kamarierin tejpërtej. Plumbi i dytë goditi nusen në tëmthin e majtë.

Pastaj dhëndri u ngrit flur nga shtrati, u shndërrua në mushkonjë, pluskoi sa pluskoi dhe mori drejt një agu të mundimshëm, të verdhë...

 --
SHKURRISHTA  E  NJERËZVE
 

Në anë të trotuarit, ku po prisnin të kalonte rrjedha e dendur e njerëzve që protestonin, një plak tullac po i thoshte plakës së tij trashaluqe që mezi merrte frymë:

- A s'të kam thënë, vogëlushe? Një fije e hollë e ndan popullin nga turma. Kur bëhet i vetëdijshëm për të vërtetën e të drejtën, ai është popull, siç po e sheh dhe sot; kur e tërheqin për hunde me kapistall, kur bën atë që s'duhet bërë, ai është kthyer në turmë, në kope të verbër që e mashtrojnë dhe e drejtojnë për ditë, me fjalë të bukura e tingëlluese, sepse ka kujtesë peshku.

Fjalët e plakut u mbytën nga thirrjet gazmore: "Poshtë diktatura!", "Rroftë Partia...!", "Vdekje kusarëve!", "Duam liri seksuale!", "Rroftë mbreti!", "Socializmin e ndërtojnë masat...", "Liri-drejtësi-demokraci!"... Zërat dukeshin sikur dilnin nga parullat që njerëzit mbanin në duar, mbi koka, në gjokse e mbi shpina.

Flaka e entuziazmit të protestuesve u fut si alkool edhe në gjakun e vakët të dy pleqve, që pa e kuptuar as vetë, zbritën nga trotuari dhe u përpinë prej vorbullës këlthitëse të njerëzve. Në çast trysnia e pamëshirshme i ndau nga njëri-tjetri dhe nisi t'i rrotulloi si fluger. Rrokjet e shkumëzuara të parullave nisën të përplasen si shpata mbi kokat që kishin arritur pikën e vlimit, kur gjëmuan dy shpërthime nga të dy skajet e bulevardit të madh. Rryma elektrike e panikut përshkoi luzmën e njerëzve që u turrën drejt qendrës pa pritur i pari të dytin, duke ulëritur me tërë hapësirën e grykëve mashkullore e femërore.

Pas pak minutash rrëmuja e rrokopuja u zhduk si me magji, duke lënë pas një heshtje të ankthshme.

Mbi pllakat e bulevardit të madh dergjeshin vetëm pankarta të grisura e ristela të thyera dhe... dy pleqtë e trazuar e të qetësuar përgjithnjë nga turma.

 --
VETMI
 

Para ndërtesës hijerëndë të Muzeut Historik, te një bordurë pranë shkallëve të gjera, u ul nën një shkurre dekorative të degjeneruar prostituta e plakur. Kishte veshur një bluzë të verdhë e një fustan të kaltër që rrezatonin freski nën atë zheg vere. I dha ujë me qese plasmasi një qeni rrugësh lëkurërrjepur. Qeni piu i etur ujin dhe u shtri nën hijen e shkurres pranë saj. Ajo e vuri në prehër trastën dhe rregulloi brenda saj ca plaçka e ushqime. Pastaj nxori shtizat e nisi të thurë një çorape fëmijësh. Aq e përqendruar ishte, aq të largëta ishin për të zhurmat përreth, sa dukej si të ishte pranë vatrës në odën e zjarrit të një shtëpie fshati.

I përfundoi çorapet, i puthi dhe i vari në një degëz. U ngrit, mori trastën dhe humbi mes kalimtarëve. Qeni që po dremiste symbyllur e ndjeu, u ngrit dhe i shkoi pas nën diellin - saç shterpërues...

Njerëzit ecnin me kokat të mbushura me hallet e hirta të përditshmërisë. Shpejt a vonë ata do të kthehen  secili në shtëpi të vet... Aty pari kaloi një vajzë me minifund e taka të larta që ecte si mbi susta. Pas syzeve të mëdha e të errëta dukej sikur shihte vetëm veten. Por, ajo i mbajti këmbët para shkurres e çorapeve të varura në të. "Ç'mama budallaçkë, - tha me vete. - Ia ka nderur fëmijës çorapkat këtu dhe i paska harruar!"

 --
EUREKA
 

Profesori B.B. e ndjeu, ndoshta i pari, si mik i librit që ishte qysh para se të niste të lexonte, se libri po zhdukej nga vitrinat dhe krizën e librit po e përjetonte si krizë zemre. Shkaku i kësaj krize ishte se njerëzit përherë e më pak kishin dëshirë të lexonin, ta merrnin në duar librin, çfarëdoqoftë ai. Shkaqet nuk qenë ato që parashihte Bredbëri te "420 faranaj". Shkaqet ai i dinte mirë, po duke mos u pajtuar me to, rrahu mendjen, i bëri thirrje të dëshpëruara fantazisë, për të gjetur mjetet e mënyrat që libri të bëhej i dashur, i nevojshëm, i domosdoshëm për të gjithë. Si shkencëtar që ishte (titujt e gradat e vërtetonin saktësisht) nuk rreshti së shtrydhuri trutë dhe... "Eureka" thirri në orën 3 e 30 minuta pas mesnate.

-Të mblidhen të gjithë librat, - nisi të recitonte i ngashëryer e i lumturuar, - nga janë e nga s'janë, të çdo lloji qofshin, të hershëm e të rinj, në çdo cep të globit, në çdo gjuhë të jenë, në letër a pergamen dhe ... t'u vihet flaka... Asnjë fletë të mos mbetet! Atëherë do të ndodhë një dukuri e habitshme. Njerëzit së pari do të hedhin valle rreth zjarreve të librave si kanibalët rreth viktimave të tyre të futura në hell, pastaj, pasi hiri të shpërndahet, do të ngjitet lart në re; me shirat e vjeshtës do të derdhet në tokë së bashku me lotët që njerëzit do të nisin t'i derdhin për mungesën e librave. Si një shakullimë e zjarrtë do të përshkojë zemrat dhe mendjet e ish-lexuesve dashuria e gjakimi për librin. Atëherë... do të kujtohen për mua dhe do të më ngrenë përmendoren më të lartë nga çdo përmendore tjetër: atë prej zjarri.
SAZAN GOLIKU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Vlen të veçohet si statistikë dhe kuriozitetKATËR SHKRIMTARË SHOKË TË NJË KLASE - KATËR SHKRIMTARË, KATËR SHOKË KLASE, KATËR MIQ TË ZSH-së… NË KATËR LIBRANga KUJTIM RUDINA (12.17.2013)
PO SHTRIHEM MBI TY BLERIM I RI I ATDHEUT TIMCikë poetik nga FASLLI HALITI (12.16.2013)
TË DALIM TA PRESIM MIGJENIN...Esé nga MITRUSH KUTELI, 15 mars 1944 (12.15.2013)
E PASHË ATDHEUN LAKURIQCikël poetik nga TRIFON XHAGJIKA (1932-1963) (12.15.2013)
POEZI ME NDJENJA TË VËRTETA KOMBËTARE(Drita Nikoliqi-Binaj: Përuron vëllimin “Si ta pagëzoj heshtjen”)Nga Prof. Murat Gecaj publicist e studiues-Tiranë (12.14.2013)
SI AJRI TI JE, SI BIMA QË AJËR KËRKONCikël poetik nga QAZIM SHEHU (12.14.2013)
23 VJET MË PARË NA DHANË BARPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.13.2013)
KURRË MË NË TROJË(Lekë Paridi)Poezi nga SKËNDER BUÇPAPAJ (12.12.2013)
VILHELME VRANARI HAXHIRAJ PËRFSHIHET NË ANTOLOGJINË ITALIANE TË FITUESVE (12.12.2013)
PËRPIN VALA LOTT E MIPoezi nga AGIM GASHI (12.11.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]