VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 30 POEZI TË RRUSTEM GECIT - TË ZGJEDHURA NGA LIBRAT 'KANUNI POETIK' DHE 'HEROIKA'

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 05:08am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
30 POEZI TË RRUSTEM GECIT - TË ZGJEDHURA NGA LIBRAT 'KANUNI POETIK' DHE 'HEROIKA'

E Enjte, 09.25.2014, 08:29am (GMT+1)


Rrustem Geci u lind në Roganë të Dardanës më 6. 01. 1950. Mësimet e para i bëri në vendlindjen , kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua mëtej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik, por, që kurrë s´e mbaroi.

Mirëpo, Rrusta gjithë jetën do të bëjë Universitet, në studion e tij, pranë librave dhe muzës së tij, poezisë. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron.

Rrustem Geci kryesisht merret me poezi dhe ese. Poeti, Rrustem Geci, deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. "Demonstratat e luleve", 2. "Antolologjia 3. "Jeta në Letër", 4."Mielli dhe uji", 5. "Lirikë", 6. "Dridhjet e barit", 7. "Atdheu", 8."Erdhëna", 9. "Arbëreshët", 10. "Shqipëria", 11. "Iliresha" , 12. "Rogana", 13. "Heroika", 14. "Gacat e prushit", 15. "Atdhetarët", 16. Monografia "Pasha këtë tokë", si dhe 17. "Kanunin poetik", libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, me 23 mijë vargje. Vepra e Rustem Geci është e vlerësuar nga njohësit e poezisë.

Poeti Llemadeo në leximin e tij të parë shkruan; libri i Rrustem Gecit, "Kanuni poetik", është libër kolos në letërsinë tonë. Për këtë libër do të flasë koha dhe njerëzit, ata që do të dinë ta çmojnë dhe vlerësojnë. Ndërsa, Rrustem Geci në këtë shpalosje shprehet; "Unë interpretojë epokën time. Udhën e vështirë të qytetërimit shqiptar". Ngrehina e poezisë së Gecit, shkruan Rexhep Kasumaj, që jeton e krijon në Berlin, është kullë tempullore.

Hijerëndë dhe e trishtë, e madhërishme dhe e bukur. Si vetë jeta që autori e ka transponuar e lëmuar në laboratorin e tij të fshehtë letrar. Sepse i tillë ngjan të jetë ai: një marrëveshje e koduar me hyjnitë e frymëzimit krijues, e paqasshme për vdektarët!.. Rruga e formimit krijues thotë Rrusta, mbetet proces i gjatë, proces që kurrë s´mbaron. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qënit poet.

Zonja Derada, dashuria është e gjithëjetshme. Ajo është ngadhnjitarja dhe tragjika e së përditshmes. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Jam përpjekur t´ia heq mbulesën ca gjërave, por kjo i mbetet lexuesit ta vlerësojë. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari. Krijimtaria 50 vjeçare e Rrustem Gecit, është një kremte e të shkruarit.

Këtë jetëshkrim për poetin Rrustem Geci ( tani pak të plotësuar ) po e mbyllim me një poezi të tij ; Gjak u bënë vargjet / derisa erdhën tek ju / për të dhënë mesazhin / e një mesdite të bukur /. Për këtë festë të krijimtarisë së tij, Rrustem Geci ka përgatit 30 poezi nga libri, "Kanuni poetik" , dhe libri "Heroika" për lexuesit e Rajonipressit. Sukses, dhe gjithë të mirat autorit!..

Derada Gashi - Frankfurt


Rrustem Geci, 30 poezi nga libri, "Kanuni poetik", dhe "Heroika"

A N T O L O G J I

Këtë farë të artit të trishtë
mbledhur e kam nëpër stinë
me vuajtje i bëra këto poezi
për mua dhe popullin tim

Në jetën njerëzore të tokës
ku dielli i ka të tëra pallatet
e kërkoja atë që quhet botë
e kërkoja gjakmjaltën time

Jam rritur në shtratin e tokës
jo për të bërë famë dhe lavdi
ah,"Antolologji personale"
gjithë dashurinë ta dhashë ty

Në ( ajrin ) ku fryma banon
në terrin ku fjala bën dritë
midis prushit dhe flakëve
poezi, ti je gjaku im i shpirtit



ILIRI NË GJUHË


Shqipëri në çdo shtëpi
është betim i shqiptarit
është arbërim i të folmes
e bukura fjalës në këngë

Kjo iliri e gjuhës në art
që ka zënë në çdo shtëpi
krahët i ka nga sintaksa
dhe zemrën nga flamuri

Shqipëri në çdo shtëpi
është himn i trojeve tona
është gjuha që e flasim
dhe gjuha që shkruajmë

Shqipëri në çdo shtëpi
është urdhër kulturimi
dhe detyrë e çdoditshme
për gjithsecilin shqiptar



GJUHA SHQIPE

Jam nënë e disa gjuhëve
mëmën e kam pellazge
ajo mua më trashëgoi
të jem e gjithmonshme

Ky mesazh i shekujve
10 mijë vjet pellazgji
dhe 3 mijë vjet Iliri
është gjuha jonë shqipe

Kosovë, Iliridë, Çamëri
flamuj të gjuhës shqipe
me ju unë jam shqiptar
me ju unë jam Shqipëri

Jam nënë e disa gjuhëve
Fol gjuha ime e bukur
Sa gjuhë nga gjuha jonë
u bënë gjuhë më vete


TROJEVE TË MIA

Tërë uji i lumit Vardar
është ujë i Kosovës
ujë i bardhë i maleve
ujë i bardhë i borës

Tërë uji i lumit Vardar
është ujë i Kosovës
ujë i dhéut të zemrës
ujë me Shkup e Iliri

Tërë uji i lumit Vardar
është ujë i Kosovës
uji ynë i përëndishëm
ujë që derdhet ilirisë

Tërë uji i lumit Vardar
është ujë i kombit
ujë i réve të rimta
ujë i shkriftë i gurrave



LULET E KUQE TË MARSIT

Të gjitha eposet janë zgjuar
fushës së gjelbër të Kosovës
brenda është muza dardanëve
brenda është Shqipëria etnike

Të gjitha eposet janë zgjuar
me vete sjellin pluhur e tym
të sulmuara janë tre Trojat
dhe kullat me gur të Olimpit

Të gjitha eposet janë zgjuar
në grimcat magjike të fjalës
për të përjetshmin tonë atdhé
për të përjetshmen, Shqipëri

Të gjitha eposet janë zgjuar
fushës së gjelbër të Kosovës
të ruajnë qënien dhe shpirtin
gjakun gjuhësor të shqipes


E R G J I N I


Ti që puth buzët e mia
që më josh e përqafon
ti më je më e dashura
mbrëmja ime e bukur

Ca pika gjak në duar
ca pika gjak në gur
m´u dukën të etshme
tek mbahesha për mur

I plagosur në betejë
unë ndjehesha i gjallë
për muri mbahesha
të mos bjerë në varr

Nën atë qiell të grisur
me eshkë e me uror
ca pika gjak në gur
gjak u bënë n´flamur


I BURGOSURI I IDESË


Jam zë i fjalës së plagosur
jam zë i fjalës së ndaluar
dhe jetoj ku jeton Kosova
dhe jetoj ku jeton Shqipëria

Në flakët që vetëm rriten
goditem nga valë të ashpra
nga përsëritjet monotone
të akteve të konferencave

Jam zë i fjalës së murosur
jam vetja ime e paluajtshme
në këtë tokë të pëjetshme,sa
jam i lashtë, aq jam edhe i ri

Në luftën që kemi përpara
kam plot të pashpërthyera
jam arti që nuk mburrem
jam arsyeja që nuk jepem


E R I N A


Në këtë mbrëmje me verë
Adam, të dua për timin
kam murmurimë brenda
dhimbja më vret e plagosë

Eva, merr një Adam tjetër
diçka në mua ka vdekur
emër s´kam, dhe as plagë
po diçka në mua s´jeton

Adam, ç´ janë këto fjalë
në këtë kohë aq të bukur
Eva, diçka në mua ka ngri
akull s´është, po as borë jo

Në këtë vetmi frenetike
qejfi nuk paska shkronja
shi bie sikur në antikë
pas pak edhe nata do ikë

R I L I N D J E

Rend Prishtinë rend
Rend shpirt i kombit
Rend Prishtinë rend
Rend e mos pusho

Rend Prishtinë rend
Me flakët në gji
Rend Prishtinë rend
Flamurit Kuq e Zi

Rend Prishtinë rend
Me Preshevën rend
Rend Prishtinë rend
Me Tetovën rend

Rend Prishtinë rend
Me T i r a n ë n rend
Rend Prishtinë rend
Rend atdheut tënd


1 .

Në vetminë kur shkruaj
shkoj më përtej Eskilit
dhe më përtej Homerit
dhe më përtej Dantes
dhe më përtej Kadaresë
në më të thellën e fjalës
në ma të thellën e kohës
në ilirinë e lirikës shqip



KËNGA E MBJELLËSIT


Qysh kur arrës fletët i ranë
nën arrë u deshëm e u ndamë
fati neve pakëz na ndihmoi
derisa fletët arra i mbaroi

I mbetur vetëm me mbrëmjen
s´doja të shtrëngoja më veten
jetes unë ia hapa gjitha dyert
le të dehet me kë të dojë

Plot vite shkuan e do shkojnë
dhe ne njëri-tjetrin kërkojmë
jeta s´i uji përroit merr e ikë
po dashuria shumë ka meritë

Në kraharorin e një mbjellësi
zemra punon të mos pushojë
përjashta koha dhe ndërron
po zemra shpirtin s'e harron


ART POETIK


Kjo fjalë gjaku o shpirt
që vjen nga thëllimat
është shpërthimi poetik
dora yllnore e muzave

Çasteve kur bëj poezi
jam në gjithësinë time
aty i marrë gjak ajrit
aty i marrë dritë diellit

O zë i ëmbël i poetit, ti
që këngët i shpërndanë
si dhuratë të shpirtit
lavdi të qoftë poezia

Kosovë e artit të gjallë
Kosovë e artit të afshtë
me qetësi prej vullkani
unë thuri këngë për ty



U L P I A N I


Askush si dashuria
dhimbjes s´i rri pranë
askush si e nderuara
nuk na deh n´këtë botë

Midis të bukurës, dhe
dhe midis përqafimit
jeta pluskon e varfër
të jetë e pavdekshme

Për një z o t të madh
siç është d a s h ur i a
s´ ka qiell më të bërë
se një e puthur e vogël

Jam i tëri i dashuruar
i tëri jam në tokën time
jeta pluskon e shkurtër
të dashuroj më gjatë


2.

Në historinë e qytetërimit tonë
s´njoh vdekja poetike të Ilirisë
Lufta Trojës ende s´ka mbaruar
në Kosovë, nuk ka fushë buke
dhe as grykë malesh, dhe as
breg lumi, dhe as prag shtëpish
pa një pikë gjaku të derdhur, dhe
pa një të rënë të bukur për liri



P O E T I


Në poezi është gjaku im
Kosova e të gjitha kohrave
sa herë qan a ngec historia
veton e bubullon poezia

Midis ajrit, frymës dhe ujit
midis bimëve dhe bëmave
jeta jo ( rrallë ) pluskon
në heshtje dhe pa beteja

Koha na do si do vetë
jo ashtu si e ( duam ) ne
ëndërrës zëshëm i thërras
po edhe ajo më del e zënë

Dhjamin dhe figurat zih
asnjë lloj i artit si duron
poezia skuqet dhe zbehet
nëse me emër shenjëzon



E M B L E M Ë


Unë jam ai i dënuari
ai burgosuri, ai trimi
ai i plagosuri për liri
që një jetë të t ë r ë
isha në luftë e beteja
Unë jam ai bandilli
ai shkruesi i trakteve
ai ilegalisti i shkathët
ai që i mbaja parullat
" Kosova Republikë "
Unë jam ai profesori
ai i bukuri i rrugëve
ai poeti i trazimeve
që me studentët trima
i ramë grusht armikut;
Unë jam ai i dënuari
ai i bukuri i UÇK-së
ai piktori i emblemës
një i dashuruar i lirisë


U J A N A


Asnjë çelës historie
Nuk më bie tamam
As mendje e Sokratit
As zemër e Jezuit

Asnjë çelës historie
Nuk më bie tamam
As çelësi i të urtit
As çëlësi i të dehurit

Në tërë këtë histori
Luftë bëhet në mua
I thosha sot mikut
Tek i shkruaja letër

Prej shpirtit më vjen
të bëhem një rebele
se tregëtarë të paqes
në 5 copash më grinë



E R M A L I


Jeta kurrë s´ më pyeti
ji mirë, si je, çfarë bën
a kam shpirt për vuajtje
a kam gjak për dhimbje

Jeta kurrë s´ më pyeti
a jam hisetar nën qiell
cilat janë udhët e mia
a kam të korra nën diell

Jeta kurrë s´ më pyeti
sa shi kam në zemër, sa
peshë kam në thembër
a kam lot për të qarë

Jeta kurrë s´më pyeti
sa është i imi ky yll
sa është i imi ky prill
ku e kam engjëllin tim


BETEJAT NË SHTRAT


Erosi më bëri të zhvishem
ju gëzova ardhjes së tij
mikun shumë e përqafova
derisa bërtisnja në dalldi

Populli ynë e do seksin
dhe di të bëjë dashuri
në mbrëmje drejt agimit
Iliri më mbërtheu për të tij

Erosi është i të gjithëve
erosi është i të gjithave
erosi mua zemrën ma njeh
erosit të ëmblen ia hongësha

Për të ëmblën e dashurisë
unë i thyej të gjitha rregullat
se shpirti sa jep, edhe merr
në shtrat, Erosi bën sherr!..


I M Ë R Z I T U R I


Kur mërzia pinë duhan
shoqëruar me kafe e raki
i mërzituri nis e zihet
edhe me ata që s´janë aty

Kur mërzia pinë duhan
i mërzituri i nxjerr plagët
dhe i gjykon një nga një
përpara se atë ta zë dehja

Kur mërzia pinë duhan
ajo e do një mik pranë
nga afër është i zemëruar
nga larg atë se zë gjumi

Jeta me dehjen s´ndalon
dehja me jetën pi duhan
deri në një ditë tjetër
deri në një mërzitje tjetër



L I B R I


Jam gjak i çmuar i shpirtit
gjak jetësor i gjitha çasteve
jam libër, jam imazhi juaj
jam fryma e fjalës në letër

Në libër janë bërësit e kohës
e përditëshmja e më të gjallit
Libri është ekzistenca dijeve
libri me vete bart ndryshimet

Kjo lartësi e mendjes, dhe e
dijes, është më e fuqishme se
duart, më i fuqishëm se çasti
i lig i vrasësit dhe i xhelatit

Mesazhet nëpër libra janë të
përhershme, libri është vlerë
harresa është vdekja e dijeve
me libër gjenitë bëjnë epoka!..


LULES SË PRIZERENIT


Kosovë me plotë zambak
kopshtin tënd unë e njoh
në kopshtin tënd jam rritur
o gjak i luleve të Prizrenit

A të kujtohet o Albulenë
kur t´i erdhe me zambak
dhe u ule midis violave
puthjen e mbetur të ma fal

Ty ta besova unë dashurinë
buza puthjen thellë e ndien
në këtë lirikë me Kosovë
ti je ëndrra e shpirtit tim

Kosovë me shumë zambak
jam n´hijnajë të Prizerenit
ty të don djal i Gjilanit
o ma e bukura e Prizerenit


TREGIM POETIK


Në atdheun e vendit tim
tërë qielli sot është i kaltërt
unë kujdesem për dashurinë
ta ruajë nga dramat e kohës

Historia është çast i realitetit
gjaku i të gjithë brezave tanë
tërësia e fakteve, dëshmive
pambarimi i shumë betejave

Të bukurën e përdori në art
edhe kur është e rrezikshme
historisë i dalin pordhë, kur
historia pi verë me xhelatët

Ju dua të gjithëve ju dua
më shumë se veten time
jam pikë e ujit të Drinit
jam gjak i kroit të vërrinit


HIMN I LIBRIT në librin "Kanuni poetik"


Eja muzë e ngadhnjimit të artit
fletë e çdo dite, muaji dhe viti
kjo kohë më bën të vet-digjem
me bashkudhtaren time, poezinë

Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
ji shpërthim i flakëve të shpirtit
je lavdi e popullit të përgjakur

Në shpirtin vullkanor të poezisë
bërë i kam betejat e secilit varg
në jetën biologjike të këtij libri
je nënëemadhja e arbërimit tonë

Shqipëri, unë e ti jemi një gjak
që nga pellazgët e lashtë e Iliria
toka jonë qe shesh i luftërave
dhe arenë gjaku e perandorive

Kosovë, kryengritëse e këngës
stërmbesë e dardanëve të Trojës
në trup ende ke plagë të gjakut
nga fqinjët që tokat t´ i morën


2
----------------------------------------

Liri, bëje dorën grusht mos u jep
me emrin tënd u rritëm betejave
për ty dashurova mes plumbave
për ty i rashë grusht dallgëthyesve

Nuk ka paqe për lumin me vaj
nuk ka paqe për lumin e ndarë, me
pikën e gjakut i këndoj bashkimit
liri, këngës dua t´i shkojë në fund

Në kryqëzim të kohës së tashme
zjarri ende bën luftë me errësirën
Shqipëri, trashëgimtare e pellazgëve
me ty e kam vajtimin zëmadh

Atdhe, në trup i kam pesë plagë
në pasqyrë i shoh armiqtë e mi
kjo botë qenka vërtet me përrallë
Shqipëri ka veç në gjuhën time

Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës kudo ngulmon gjak i ri
arti i çlirimit nuk njeh kufij
në të gjitha kohrat ka emrin, liri!..



Ç E L Ë S I


Në një çelës që hap derën
përpiqesha të gjej veten
të g j e j të kaluarën time
disa nga kujtimet e shkuara

Në një çelës që hap derën
lexoj numra të pafundmë
ëndrra të një kohe inerte
hije copash të shpërbëra

Në një çelës që hap derën
doja ta gjeja të kaluarën
pjesë të j e t ë s së jetuar
që unë i kisha për zemër

Në një çelës që hap derën
plot gjëra s´kanë kuptim
plot gjëra s´thonë a s g j ë
plot gjëra s´dua as t´i kujtoj



A N T I G O N A


Të fshehtat e një gruaje
i dashuri im nuk i kupton
ai s´e kupton të fshehtën
që unë herë-herë mëkatoj

Jam paksa e çuditshme
por unë i dua meshkujt
ata që vërtet më pëlqejnë
unë ata i dashurojë shumë

Shpirt, vema dorën në gji
puthma gjirin, shtrëngom
flakët i kam të fshehta
ato vetëm unë i ndjejë

Në këtë shtëpi në bjeshkë
ideale qenka për dashuri
zemër, ky çast është i yni
për këtë çast çmendem



ZALLAMAHI


Në këtë qytet pa ekstazë
thonë se dikush ka vdekur
qytetarët kudo janë tubuar
por ata s´din kë e vorrosin
arkmort s´ka, as të vdekur
njerëzit janë grumbulluar
dhe dikë duan ta vorrosin
Në këtë qytet pa ekstazë
ka aq shumë fantazma,dhe
vjedhës të thashethemeve
që vuajnë nga plagët pa zë
dhe nga hijet e hiadhave
thërritësit e fantazmave
duan një mort pa arkmort
qytetarët janë grumbulluar
( zëra kafshësh dëgjohet )
ata duan ta vorrosin dikë
por s´dinë kë ta vorrosin
zallamahinë apo vetveten


KËSHILLTARËT


Me ajrin e bardhë të fushave
me ajrin e bardhë të maleve
me ajrin e të gjitha dritareve
shqiptarët do të bashkohen
për aq sa ndarja na ka ndarë
Shqipëtarë të të gjitha trojeve
merrni frymë zjarrit që ndizet
historia shkruhet me të bëra
që nga e hëna në të djelen, që
nga mëngjesi, deri natën vonë
Shqipëri, e gjithë shqiptarve
s´ka nevojë të lutem me fjalë
afrohu më pranë tokave tua
tokave që fqinjët ty t´i morën
bëhu bashkë me Kosovën
bëhu bashkë me Iliridën
bëhu bashkë me Çamërinë
për aq sa ndarja na ka ndarë




Në Kodër të Gjilanit


Liria të gjithëve na fton
detyrat t´i bëjë gjithsecili
se prej këtu fillon Kosova
bashkimin me Shqipërinë

Liria të gjithëve na fton
të jemi në hap me kohën
të hapim vende të punës
të bëjmë udhë dhe shkolla

Liria të gjithëve na fton
ti japim shëndet shtetit
të mësojmë në një Abetare
kombin vetë ta bashkojmë

Liria të gjithëve na fton
se prej këtu fillon populli
detyrën e tij më sublime
ëndrrën e të gjithë brezave!..


Rrustem Geci Dortmund, 2014

(Rajonipress)
RRUSTEM GECI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
CËRRIKU I KIN DUSHITTregim nga ALEKO LIKAJ (09.24.2014)
PO UNË JAM ÇAM, MËSUES!Tregim nga NAMIK SELMANI (09.24.2014)
POEZI TË ZGJEDHURA NGA GIORGIO CAPRONI DHE FRANCO FORTINIPërktheu: FASLLI HALITI (09.23.2014)
TAKIM ME NJË TË VDEKUR*Tregim nga PËRPARIM HYSI (09.23.2014)
Lexim i pesë veprave me poezi të Daut Maliqit, nga Dardana AJRGJAKU I TOKËS SIMEEsé nga RRUSTEM GECI (09.23.2014)
DY POETË, DY POEZIPërkthime nga FASLI HALITI (09.22.2014)
Figura shkrimtarësh të njohur REXHEP HOXHA, KLASIKU I LETËRSISËNga RRUSTEM GECI (09.22.2014)
TOKË E MOHUARTregim nga ALEKO LIKAJ (09.20.2014)
SUNDIMTARJA E KUQENga QERIM SKËNDERAJ (09.19.2014)
VENDOSMËRIA E EDGAR ALLAN POE PËR TË ECUR VETË NË JETË DHE NË KRIJIMTARINga ARTUR VREKAJ (09.18.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]