E Djelë, 04.28.2024, 11:46pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
E QARA NË MESNATË
Prozë nga ISMAIL KADARE

E Shtunë, 11.15.2014, 08:28am (GMT+1)



Një homazh për Parisin, i ndërthurur me rrëfime për Shqipërinë, të shkuarën, të tashmen e të ardhmen e saj. Libri i ri i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare "Mëngjeset në kafe Rostand" sjell ese, portrete, shënime për kohë e personazhe të ndryshëm, që edhe nëse nuk kanë emra, mund t'i zbuloni mes radhëve.  Në këtë pjesë të librit, tregohet një skenar kërcënimi për librin "Viti i mbrapshtë". Një i njohur i bën me dije shkrimtarit se libri i tij është antiparti dhe për të do ketë ankesa lart. Ndërsa shkrimtari i kalonte ditët në ethe, duke pritur çdo të ndodhte, por duke kërkuar zgjidhje që të mos e kërcënonin, gjakrat krejt papritur qetësohen. Ka vetëm heshtje. Miku i tij qaraman, tani buzëqesh. Më vonë Kadare mëson se "grupi i armiqve" që rrinin së bashku ishin "turku", "Liliana", "I verbri", "qarësi" dhe "kërcënuesi me syze".

Ismail Kadare*

E QARA NË MESNATË
Nga cikli i përfytyruar

"Këngë dhe vome për letërsinë shqipe"

I
Ishte viti 1986. Ishte pranverë dhe mesnatë kur ra telefoni.
Ngaqë s'më kishte qëlluar ndonjëherë të flisja në telefon me një burrë që qante, në fillim kujtova se qarja s'ishte veçse rrjedhojë e çrregullimit të linjës. Por shumë shpejt e kapa se qarja ishte e vërtetë, madje, njëkohësisht me këtë, e njoha qarësin. Ishte një redaktor i shtëpisë botuese, që merrej ato ditë me një librin tim, përmbledhje novelash, më saktë novelash e reportazhesh bashkë, në përzierjen e të cilave kisha vënë gjithë shpresën e mosrënies në sy të një romani të shkurtër problematik.
Asgjë të mirë s'mund të jepte kjo qarje redaktori, ndaj mendimi i parë e, bashkë me të, droja në trajtë lutjeje që më erdhi ndër mend ishte: veç mos ketë të bëjë me romanin!
Për fat të keq kishte të bënte pikërisht me të: romanin e maskuar si novelë.
Kush e kishte kapur? Ku? Si? Shefi, drejtori, zyra e shtypit në Komitetin Qendror? Përgjigjet, ndonëse të ngadalësuara prej qarjes, i mora njëra pas tjetrës. As shefi, as drejtori, as zyra e shtypit në Komitetin Qendror. Shkurt, tani për tani romani ende nuk ishte kapur. Por mbi të rëndonte një kërcënim.
Ç'kërcënim, pyeta me padurim. Nga kush?
E qara në skajin tjetër të fillit u dendësua ndjeshëm. Ishte një fjalë e ngjashme me "kërcënim", që mbaronte me "im", por që u desh njëfarë kohe sa të shpëlahej prej gulçit.
Aha, një denoncim. Po nga kush?
E qara pati një ngritje të re. Pastaj, pas një psherëtime të gjatë, vetëfajësimi për pakujdesinë dhe naivitetin, dëgjova emrin e denoncuesit.
Po pse ai? fola me zë të ulët. Pse pikërisht ai?
E njihja, ishte një djalë i heshtur, që ashtu heshturazi hipte dhe zbriste shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve pa rënë në sy të askujt.
Ai është miku yt, apo jo?
Pikërisht, ndaj bëra gabim të madh, ia dhashë dorëshkrimin ta lexonte, ashtu kot nga qejfi.
Dhe ai të kërcënoi me denoncim?
Pikërisht. Më kërcënoi se do t'i shkruante letër Komitetit Qendror, kundër botimit të "Vitit të mbrapshtë", si vepër antiparti, anti... kështu e anti ashtu, shkurt në kundërshtim me mendimet e shefit të madh për lëvizjen e Haxhi Qamilit...
Nuk përqendrohesha dot të dëgjoja arsyet.
E qara po reshtte më në fund.

Po ai sikur s'dukej i tillë, i thashë. Përkundrazi, dukej si... tepër i krishterë... Isha kujtuar se telefonat përgjoheshin, kështu arrita të gëlltis fjalën "liberal". Nga skaji tjetër i fillit, tjetri vazhdonte të më kërkonte ndjesë.


II

Si çdo kohë e kaluar me dyshime, java u duk së paku dyfish më e gjatë.
Dyshimet ishin të larmishme. I pari, më i shpeshti, ishte ai për vetëqarësin. E njihja prej disa vitesh, na vinte në shtëpi, kishte miqësi me vajzat, sillte libra, disqe, ngaqë kishte mundësi për të tilla. Një teze e tij ishte martuar me një zyrtar të lartë.
Hamendja se mos ai vetë e kishte bërë denoncimin kundërshtohej brenda meje pikërisht nga kjo rrethanë: karriera e tij s'kishte pasur nevojë për shtysa të tilla.

Dyshimit s'i mbetej rrugë tjetër veç të rikthehej te kërcënuesi. Të gjitha gjasat dukeshin të besueshme, emërimi i tij i beftë në shtyp fill pas Plenumit të Katërt, rrethi i tij familjar, i cili, ndryshe nga familja e qarësit, jo vetëm s'ishte i afërt me shtetin, por shihej me sy të keq, çka ia kishte penguar vazhdimin e shkollimit të lartë e të tjera të ngjashme.
Sapo më dukej se ishte kështu dhe s'kishte si të ishte ndryshe, mendimi kundërshtues ngrihej aty për aty. Vështirë të besohej që një denoncues i stërholluar, siç ishin zakonisht ata të shkrimtarëve, ta hidhte maskën kaq lehtë e kaq rëndomtas. Ngado që ta ktheje kishte diçka që nuk shkonte në këtë histori.

III

Zgjidhjen e mendova të thjeshtë, mendjelehtë për dikë, të hatashme për dikë tjetër, të vetmen për mendimin tim: me rrahje.
Kisha disa adresa rrahësish, të mbetur qysh nga koha e një skandali, por që, për fat të mirë, nuk i kisha shfrytëzuar.
Pa i treguar asgjë askujt, zgjodha njërin prej tyre, nga ata të 'Profarmës', të cilët, ndryshe nga rrahësit e vrazhdë të kombinatit të mishit, të rrethuar siç ishin prej barnave, fashave dhe kremrave qetësues, njëfarë kujdesi gjatë goditjeve e kishin përvetësuar gjithsesi.
Porosia ishte e thjeshtë: të paralajmërohej kërcënuesi me thyerje nofullash "në rast shpifjeje ndaj shkrimtarit të njohur K.".
Pas premtimit se porosia do të kryhej siç duhej, u qetësova krejtësisht. Për të shmangur çdo zbulim të mundshëm, i thashë dr. X-it (kështu e emëroja në vetëdijen time rrahësin), se s'kishte nevojë të më telefononte për "zhvillimin e mëtejshëm". Ndërkaq kjo s'më pengoi që, qysh të nesërmen, të shkoja në Klubin e Gazetarëve për të hetuar ndonjë shenjë në fytyrën e viktimës së ardhshme.
Sa më shumë që kalonin orët, aq më pak besoja se puna do të përfundonte me mirëkuptim. Disa ditë më pas, ndihesha disi i zhgënjyer. Ishte e vërtetë se midis dy pamjeve të mundshme të fytyrës së njeriut: asaj të nxirë prej goditjeve dhe tjetrës, normales, do të parapëlqeja këtë të fundit, megjithatë edhe ky idil po fillonte të më bezdiste. Fytyra e tjetrit, jo vetëm që s'dëshmonte asnjë shenjë dhune, por jepte përshtypjen e një lëmimi të tepruar, thuajse ngazëllues, si ato të njerëzve që kthehen nga qendrat termale dhe të gjithë iu thonë: sa mirë që dukesh.

Po bëhesha gati ta lija mënjanë kujdesin dhe t'i telefonoja rrahësit për të marrë ndonjë lajm, kur ndodhi diçka e papritur: viktima befas kishte ndërruar syzet. Ndërsa të tjerët e uronin për syzet e reja, duke i thënë vërtet se i shkonin, unë përpiqesha më kot të gjeja ndonjë shenjë, nga ato që krijoheshin prej goditjes ose shkuljes së dhunshme të tyre. Kur u binda se s'kishte asnjë gjurmë të tillë, mora në telefon qarësin dhe me një shpërfillje të shtirur e pyeta ç'bëhej me librin. M'u përgjigj me të njëjtën mënyrë, thua se s'kishte ndodhur asgjë dhe se nuk kishte qenë ai që ca ditë më parë i kishte derdhur lotët çurg.
Pas pyetjes sime të përsëritur për librin, ai, si të ma bënte enkas, u përgjigj edhe më shpërfillshëm, se çdo gjë shkonte për bukuri, gjë që, në çdo rast tjetër veç këtij, do të më gëzonte.

Gati i fyer, e pyeta nëse "ai" ishte bërë i gjallë?
Cili ai? pyeti qarësi.
Një këngë dashurie, dëgjuar një natë në bregdet, rrihte të futej midis: lotët e tua, o moj korçare, si i harrove.
Ai, pra, thashë me njëfarë nervozizmi. Ai që të kërcënoi lidhur me...
Aha, ia bëri tjetri, pas një vonese të shkurtër. Aha, përsëriti, më kishte dalë fare nga mendja... Jo, jo, vazhdoi. Nuk është ndier fare.
Këtë herë isha unë që e kisha radhën të thosha "aha".

S'më kujtohej mirë vazhdimi i serenatës korçare. Ishte diçka me syçka dhe me premtimin e shkelur.
Kisha njëfarë mpirjeje kur e mbylla telefonin. Njëherë m'u duk se gjithçka mund të kishte qenë e thjeshtë dhe ishte mendja ime që po i ndërlikonte gjërat. Rrahësi e kishte bërë punën e vet, me dhunë apo pa, kjo ishte punë e tij. I trembur, kërcënuesi ishte tërhequr paq. Libri po shkonte në shtyp dhe kjo ishte kryesorja.

Po qetësimi ishte i shkurtër. S'ishte vetëm vazhdimi i këngës së dikurshme që, për dreq, më ishte kujtuar: Lotët e tu, o i pabesë, ku i çove..., por tani gjithë kjo histori po më ngjante e dyshimtë. Mendimi për t'i telefonuar rrahësit, shoqëruar me fjalën "idiot", me të cilën e qortova veten, më erdhi si gjëja më e natyrshme në botë. Çelësi për ta shpjeguar ngjarjen lidhej me të, dhe duhej të isha një karafil i pandreqshëm po ta kërkoja gjetkë. Këtë po mendoja tek po i bija telefonit, gjersa ndërhyrja e centralit, se numri tani për tani ishte jashtë përdorimit, më shtangu si një lajm i keq.


IV

Pas mpirjes, dyshimi, i papenguar tashmë nga asnjë kufizim, po binte mbi të gjithë, pa kursyer askënd. Zhvendosej si mjegull, nga rrahësi te kërcënuesi, për të përfunduar atje ku ishte nisur: te qarësi. Mendoja se dikush prej të treve kishte qenë i pabesë, e aty për aty thosha me vete: përse njëri e jo dy prej tyre, për të mos thënë të tre.

E ndieja edhe vetë se kishte një mungesë logjike në këtë lëmsh.
Rrahësi i pabesë? Zhdukja e tij e ngucte natyrshëm dyshimin, por po aq natyrshëm më bënte të pyesja: përse? Ishte thjesht një rrahës. Dhe, veç kësaj, s'ishte ai që ma kishte kërkuar shërbimin, por unë vetë. Sa për heqjen dorë, nuk ishte vështirë të shpjegohej: frika e ndërlikimit në një punë të rrezikshme ose këshilla e dikujt, e një njeriu ose ndonjë zyre, që të mos përzihej në grindje shkrimtarësh.
Lidhur me kërcënuesin, sa më shumë dyshoja, aq më pa kuptim dyshimi më dukej. E para, nuk isha i sigurt për kërcënimin e tij. Gjithçka që dija, e dija prej qarësit. E dyta, kërcënimi, edhe pse ngjante i pështirë, s'mund të thuhej se ishte qind për qind ashtu. Madje me pak vullnet të mirë mund të merrej edhe si një përpjekje për shmangien e një të keqeje më të madhe. Në fund të fundit, shokut të tij po i drejtohej dhe jo shtetit.

Ndërsa dyshimi për të, ashtu si për rrahësin, kishte raste që zbehej, për të mos thënë fashitej krejtësisht, për qarësin nuk ndodhte asnjëherë kështu. Përherë e më tepër besoja se mund të mos kishte marrë kurrfarë paralajmërimi kërcënues, por gjithçka e kishte shpikur vetë. Kishte gjasë që një panik i çastit e kishte shtyrë të besonte që vepra ishte e dënueshme dhe nga turpi për atë dyshim kishte sajuar kërcënimin e tjetrit. Kjo ishte më e pakta e të këqijave. Më e shumta do të ishte që, i mposhtur prej panikut, ai vetë e kishte bërë ndërkaq denoncimin dhe tani kërkonte një alibi. Dënesa e tij e thekshme nuk dëshmonte veçse këtë. Në të vërtetë, ishte pikërisht kjo e fundit dhe sidomos qetësimi i gjërave më pas, që më shtynin drejt një prirjeje zbutëse. Në fund të fundit, kishte ndodhur ç'kishte ndodhur, gjithçka ishte kapërcyer dhe s'kisha pse të ngulmoja për zbërthimin e një të fshehte që, përpara se të lidhej me mua, ishte e tij.
Ajo më vinte ndër mend përherë e më rrallë, madje vetë pyetja se cili nga të tre më kishte tradhtuar, njëri, dy prej tyre, apo të tre bashkë, kishte raste që nuk më trazonte më shumë se kureshtja gjatë një filmi të orëve të vona të natës.

Pak kohë më pas, në stinën e parë të rënies së komunizmit, atëherë kur nuk pritej, qarësi i dikurshëm i mesnatës, doli haptas në shtyp kundër meje, ish-mikut dhe dëshmitarit të dënesës së tij.
Bashkë me befasimin, mendova se, ndonëse me vonesë, do të merrej vesh, më në fund, misteri i tij, që tani, sido që të ishte, do të ngjante i vockël, në krahasim me zezonat e mëdha. Me këtë shpresë, mendja më shkoi te kërcënuesi i dikurshëm, të cilin vetvetiu e përfytyroja si një kundërshtar të tij, gjersa, për një befasim edhe më të madh, mora vesh se jo vetëm nuk ishin kundërshtarë, por ishin së bashku të dy në njëfarë grupimi me ide të njëjta. Me ta ishte një shkrimtar i dënuar, por i vetëshpallur kohët e fundit si turk, si dhe një i katërt, më i rëndomtë se turku si shkrimtar, për rrjedhojë më smirëzi, të cilit, detraktorët e tij, me shpresën se mund ta poshtëronin më bindshëm, e thërrisnin me nofkën "Liliana".

Ndër dy ndihmësit që iu silleshin rrotull, njëri nuk kishte nevojë për kurrfarë nofke, ngaqë mbiemrin e tij Laviro dashakeqësit e kishin lehtë ta kthenin në Lavirja, kurse tjetri, një arkitekt me sy të dëmtuar, herët a vonë do të dyshohej se verbimin e përdorte si kurth.

Grupi ishte në gjallëri të përhershme. Herë qarësi vihej në krye, e herë kërcënuesi, e kur krijohej përshtypja e lodhjes së tyre, shfaqeshin në çast turku, Liliana ose i verbri. Një valle e shëmtuar që s'resht.

*Pjesë nga libri
(Titujt janë të redaksisë)
ISMAIL KADARE


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SKËNDER LUARASI NË TEMPULLIN SHILERIANNga PETRO LUARASI (11.13.2014)
PRINCESHA E MOLLËS SË KUQEEse për shkrimtaren dhe Humanisten Xhuli SpahiuNga RRUSTEM GECI (11.13.2014)
PLAÇI SE NA PLASËT- Rreth panairit të librit-Nga DRITA LUSHI (11.12.2014)
SHKËMBIPoezi të reja nga QAZIM D. SHEHU (11.12.2014)
RRUGA E SENËSPoezi nga JACQUES PRÉVERTPërktheu: FASLLI HALITI (11.12.2014)
SABRINAFragment nga romani 'TË NGJASHMIT'Nga THANI NAQO (11.10.2014)
AnalogjiKU ISHA UNË, KUR TI MË KËRKOJEPërgjegjësia e prindit për fajet e fëmijësEsé nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (11.09.2014)
ÇASTE TË 'VOGLA' PAFAJËSIETregim nga PËRPARIM HYSI (11.08.2014)
'NGA PREMTIMI PËR LIBËR TË HAPUR, PËR BASHKËKRIJIM AUTOR-LEXUES-ROMANCIER'Studim shkencor dhe narratologjik i romanit “Loja e Fituar” të Dario RexhollaritNga Dr. ROVENA VATA (11.08.2014)
MURI I BERLINITNga QAZIM  D.SHEHU (11.06.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]