E Premte, 04.26.2024, 09:04am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
UNË ISHA ATY
Tregim nga PËRPARIM HYSI

E Premte, 11.21.2014, 04:06pm (GMT+1)


Tek kthehesha nga një promovim libri, hyra në kompjuter që të shkruaja përshtypjet e mia nga promovimi. Kam një praktikë pune: së pari, vështroj e-mailet nga miq e të njohur se, ndoshta, për ndonjë nuk pret puna për një përgjigje. Dhe u çudita që në adresën time elektronike kish ardhur përmjet e-mailit ky tekst ku fekste titulli: "Unë isha aty!". Pa dyshim, jo vetëm që e lexova me kërshëri, por, nuk kam se si e mohoj një fakt shumë domethënës: u mundova të çaja mjegullën që kish vënë koha mbi kujtesën time. Personi që ma shkruante, nuk ish se fshihej " pas gaxhoit", kur thonë, por qe defekt i kujtesës sime dhe aq. Ende jam rob i asaj mjegullle dhe jam i sigurt: edhe po të jem ballas me të, as që do ta dalloj. Se kanë kaluar jo pak, po plot pesëdhjetë vjet.
* * *
Unë do ta sjellë pak me "arna" tekstin që më erdhi dhe dua, që, sado pak, të ndërtoj "legjendën" për të zhbiruar një ndodhi të gjysëm shekulli më parë. Dhe për mos e bërë tërkuzë, po flas në vetën e parë, siç më flet e panjohura që, ndoshta, nuk do arrij ta takoj.
* * *
E di që do çuditesh. Dhe ke plotësisht të drejtë. Kanë kaluar plot pesëdhjetë vjet dhe unë po heq siparin, për të përqasur atë pak kohë kur kemi punuar bashkë. Kemi punuar?! Po të ishte për kaq, as që e vlente që të shkruaja. Por ka ndodhur më shumë se sa kemi punuar. Tek do flas çiltër, e kam vënë kryqin mbi shpinë dhe nuk kam më droje. Jo vetëm jam një gjyshe, por, për fat të keq timin, vuaj dhe nga një sëmundje që nuk lë vend për shumë entuziazëm. Pse po flas tani? Epo pas pesëdhjetë vjetësh hapen arshiva sekrete shtetesh dhe jo mos rrëfehem unë që tani jam për "andej" nga nuk kthehesh më.
Lajmi erdhi para se të vije ti. Drejtori komunikoi në personel: gjuhën e letërsinë në shkollë do ta japë një mësues që vjen nga Fieri. Dhe, kur drejtori, tha emrin tënd, Lilua, që të njihte që nga shkolla e mesme, tha: - Aha, kur do të ketë bërë ndonjë "proçkë" se jo më kot e bien nga 60 km larg.
- Ka bërë ç'ka bërë, ka bërë se ka gjetur, po këtu... me demek, jam zot unë, e kishte për vete drejtori. Po Lilua si Lilua, as që u druajt nga drejtori, po vazhdoi me të tijën:- More e njeh atë ti? Për tri vjet me radhë në shkollë ka qenë me notë të thyer në sjellje dhe shkollën e mbaroi se qe i dalluar në mësime.
-Po lëna, o Lilo, me gjithatë. Se këtu ka zot hauri. Lilos sikur i hante hunda për sherr.
Drejtor,- tha Lilua,- mos të duket vetja më i zoti se Vasil Kamami, ty?
-Po ç'hyn, Vasil Kamami?
- Hyn, si nuk hyn? E njoh mirë unë: sa punon mirë, aq dhe kokëshkretë është. Ne, të tjerët, veç dëgjonim dhe mezi prisnim se ç' mostër do ishe. Kur erdhe ti, s'është se të lije përshtypjen e një njeriu që, pse kishe bërë një "proçkë", pa dhe të kishin degdisur
larg. Shumë larg. Ne qemë mbledhur në personel dhe ti na përshëndete. Lilua t'u hodh në qafë dhe, pa lënë të bësh as
gëk as mëk, tha duke qeshur:- Epo sa ndreqet gunga e gungaçit, aq ndreqesh dhe ti. Po hë, më qafshë,- të shpoi ai,- ç'korroqyqe bëre?
-Po, jo , mor Lilo,- u përjgigje gjysmë me të qeshur,- jam ushtar i partisë dhe shkoj atje ku më thërrret detyra.
- Dhe kush? Një si ti? Po unë shpohem në hundë,- vazhdoi Lilua,- kur mos ia ke bërë bamp.
Por ç'ta zgjat? Ti fillove punën dhe ne që nuk të njihnim, prisnim kur do filloje që të bëje nga ato "proçkat" që thoshte Lilua. Le "proçka" që nuk bëre, po ne, të gjithë, po të shikonim me një sy tjetër. Nxënësit të donin dhe unë mend plasa nga zilia, kur Moza, motra ime më e vogël që vazhdonte klasën e shtatë ( atë kohë shkolla ishte me 7-vjet), më tha: - Jame ( për dijeni unë jam Bajamja që i jepja ato lëndë para se të vije ti), e di se sa mirë që shpjegon. Edhe kur vjen ora e pestë as që e ndjejmë lodhjen apo urinë. Harrohemi pas tij. Sidomos, kur reciton! Mandej, ca nga ca, ti po lakoheshe dhe nëpër shtëpitë e fshatit ku bujtje si jabanxhi. Siç duket,- i them Lilos,- ai miku yt është djegur nga qulli dhe po i fryn kosit. Dhe Lilua, ma pat mu në sy të të gjithëve:
- Jame, po cila nuse e theu shtëmbën që në javën e parë? Fliste me rromuze Lilua dhe më shumë i binte pragut që të dëgjonte dera. Ke parë ti që Lilua kish patur të drejtë. Sa kish hyrë nëntori (dy muaj kishte "nusja" që pritej të bënte "proçka") dhe, kur të dëgjojmë ty që i thoshe drejtorit. I thoshe... aha, qe larg kjo "thoshe", po bërtisje: - Ore, xhuxhmaxhuxh ( nuk është për të qeshur, por drejtor-ziu qe më i shkurtëri nga të gjithë), po kujt i flet me atë gjuhë ti? A e di se çfarë të bëj? Të kap prej zverku e të hodha nga këtu tek përroi i Gadurovës! Dhe u sule andej, po Lilua që t'i dinte "huqet" të doli përpara dhe të solli në personel. Neve na u bë qejfi që ia theve atij "buburrecit" që xhëç i dukej vetja. Unë që atë çast, fillova që të shikoja me një sy tjetër dhe, sikur mos mjaftonte kaq, nuk më linte rehat Moza. - Jame kështu e Jame ashtu. Kur na tregoi për "Manteo Falkone", kur për "Vajza e kapitenit". Po ku mbaroheshin "kuret" për ty. Dale, dale,- tha Lilua. Prapa vjen haberi.
* * *
Dhe "haberi" erdhi. Sado që qe "haber" i hidhur, unë e kujtoj sikur ka ndodhur sot. Ka qenë ditë e shtunë e nëntorit të vitit 1964. Drejtori apo xhuxhmaxhuxhi si e "përkëdhele" ti, qe hakmamrrës i egër. Kur nuk mundej vet, donte që të "vriste" me duarët e botës. Fyerjen ( nuk qe fyerje, po kërcënim!) tënde nuk e përtypte dot. Kish lajmëruar inpsektorin dhe ai, si të ish pas derës, u rrëfye në mëngjesin e asaj të shtune. Atë të shtunë nuk e harroj dhe, pse nuk e harroj, po të dërgoj dhe këtë e-mail që nuk është imi. Gjykuar kështu, ky do jetë i pari dhe i fundit. Po sa rëndësi ka tanimë kur "byreku" që po "gatuaj" tanimë është i djegur. Po le të mos ngutemi. Çdo gjë me radhë. Mbrriti inspektori. Si erë me shi dhe, si e rrahën mirë e mirë problemin, kokë për kokë, inspektori i zgjati tentakulat e hakmarrjes. - Do na shohin sytë ndonjë adhap,- foli Lilua. Kur pamë inspektorin që seç bisedoi me ty dhe, mandej, hyri pas teje në orën e mësimit, e dinim se ky "kontroll si me porosi", kish një prapavijë të keqe. Kur mbaroi mësimi, ne u futëm në sallën e personelit dhe, ndërsa prisnim seç do thoshte inspektori, pamë që ky hyri me drejtorin në drejtori. Drejtoria qe ngjitur me personelin. Qe drekë dhe, ndërsa prisnim ç'do bënim, pamë që një nga mësuesët ( gjithmonë si në tërë kolektivat dhe këtu kishte nga ata që qenë "sytë e veshët" e pushtetit), nga shtëpia solli një pulë të pjekur, një shishe me raki dhe në një sini ca vesha rrushë.
- Do hanë,- thamë ne,- po si nuk e thirrën dhe Fatmirin se vetëm ky është jabanxhi.
Ti as që e bëre veten, por tek të shihja nga banka ku qeshë ulur, të lexohej një shqetësim i madh. Hëngrën e pinë sa u dëndën dhe, për turpin e tyre, të servirën ty "diçka" nga ajo që kishin lënë. Turp i madh. Mallakastra është e varfër, po për mikun bëhet copë. Kur ta zgjatën atë "pjatë lëmoshë", ti nuk e deshe veten, por e ruajte gjakftohtësinë.
- Të faleminderit,- i the atij syfetit që u shërbente,- por nuk më hahet. Ndërkaq, erdhën ata. Drejtori dhe inspektori. Drejtori, dy pëllëmbë mbi tokë dhe inspektori, i gjatë si një hosten nga ata me çapë që bujqit e përdorin kur lërojnë.
Tani,- tha inspektori,- do fillojmë mbledhjen e këshillit pedagogjik.
Me leje,- fole ti. A ka mundësi që të largohem unë,se jo vetëm jam larg, po kam dhe një javë pa shkuar në shtëpi?
- Jo, mor jo,- foli tërë mlllef inspektori. Paske një javë? Epo punë e madhe se ke një javë. Ti do ikësh në shtëpi, kur të duam unë dhe ky. "Ky", merret vesh që qe drejtori. dhe kaq mori përpjekur, sa u duk se u rrit nja dy pëllëmbë të tjera. Ti, dalëngadalë, si puna e asaj makinës që sa ndizet dhe merr xhiro, po e rritje tempin dhe, përsëri, u mundove të ruaje gjakftohtësinë:
- Dëgjo, mor shoku inspektor, unë jam dakord me të gjitha ato që do diskutohen këtu, por pa merrni pak me mend: jam familjar; kam një çun të vogël në shtëpi për të cilin më ka marrë malli.
-Avash, avash se na përgjërove nga malli!- hingëlliti ai. Kur tha kështu, atëherë ti shpërtheve:
-More abrash që nuk i ke lënë gjë gorillës, mos fol më se ta mora atë tepsinë që ke aty pas dhe ta vërvita surratit. Shimpanze! Tfu!- mbështyte. Jo vetëm "dordolecët" u futën si kërrminjtë në guackë, por dhe ne u mpimë. Bëre kështu, hodhe xhaketën mbi sup dhe deklarove: - Juve, të dyve, kurrë të mos u shoh surratin! Ditën e mirë, shokë. Dhe dole. Më nuk erdhe në shkollën tonë. Unë tek të shihja që dridheshe nga inati, fillova të të doja. Të të doja sipas mënyrës sime. Femrat i duan njerëzit e guximshëm. Të doja po as të thashë dhe as më the gjë. Mbledhja u prish (ajo paskej qenë enkas për ty) dhe, tek more çantën me libra nga klasa, unë të rashë pas:
-Edhe unë sot jam për Fier. Do shkoj nga halla. Do më presësh?
-Patjetër,- the ti.
* * *
Shkova në shtëpi dhe, sa bëra këmbë të bashkohesha me ty, ime ëmë ma priti:- Deri në Fratar do të vijë dhe Petriti ( im vëlla i vogël). Aq u mërzita, sa doja të kthehesha, po ti po prisje. Me një barrë turp, erdha së bashku me tim vëlla.
-Paske marrë trim me vete!- shpotite ti. Unë u skuqa. Po a flet "faji"? Ca më tepër qeshë si "fajtore" pa faj. Bëmë goxha rrugë tok. Po qemë tre. Vetëm e mbaj mirë në mend që të thashë:- A ç'ua bëre mirë atyre dyve, ndyrësirave! Ti as pohove dhe as mohove. Prita që të thoshe ndonjë gjë, por siç duket nuk të linte "trimi", sado që qe nxënës në klasën e katërt fillore. Kur zbritëm në Fratar, dita qe thyer fare dhe këmbë makine për Fier nuk kishte. "Skodat" të ngarkuara me qymyr në Memaliaj, vendet i kishin të zëna dhe ne, për ta bërë pak më të lehtë gjetjen e një makine, u dhamë këmbëve për në Bejar. Se në Fratar kish të tjerë hallexhinj si ne. Prit e prit dhe po errej. Aha,- the ti,- natën do ta gdhijmë tek mullarët e Bejarit, se makinat sikur kanë vdekur. Mua m'u duk se u rrotullua dynjaja dhe u kthye përmbys. Tek mullarët e Bejarit dhe me kë? Me këtë që është i famshëm për "proçka!!!". Epo laj-thaj, unë e ti qemë e bjerë përmbys. Ti nuk e di seç tirrje me vete, po unë asaj "furkës" sime i kisha vënë një goxha shtëllungë që vetëm frikë tirrte. Mend po dridhesha nga e keqja. Kur dhanë ballë dy pleq të moshuar. I ngulën dhe ata putrat aty. Për Fier, jemi dhe na,- tha plaku. Plaka nuk u ndje. Tani dhe mua më erdhi gjaku në vend. Prit për makinë dhe nuk ka. Tek mullarët,- foli plaku. Dhe ne, si ushtarë të bindur, pas tij. Zumë vend dy nga dy dhe, kur xha Zeneli (kështu quhej plaku) e ndezi, ti i the:- Xha Zenel, ruhu se mos na vë flakën, se, sado nëntor, por kashta është si barot. Por xha Zeneli më kish qenë barot nga goja, aty për aty, na e priti: - Këtij zjarrit tim, e di vet babai se si fle me nënën, po atij zjarrit tuaj, nuk i bëhet dermani. Dogra e rëndë kjo që zbrazi xha Zeneli. Jo vetëm kaq, po u tregua që nuk ia hante qeni shkopin kollaj dhe, dinak nga natyra, tha:- Moj keçe e xhixhait, shko mblidhu me atë "kërcuren" time, se unë e qy (ky) do vdesim me burrat!!! Hajde- hajde, se në ç'usta që ramë! Tek po mblidhesha me atë "kërcuren" e xha Zenelit, trak ma bëri zemra! Nuk qe e thënë. Dhe as që mbylla sy. Për ty nuk e di, po me vete e mallkova xha Zenelin: - T'u bëftë në grykë!
* * *
Sa u gdhi, gjetëm makinë e sosëm në Fier. Më nuk u pamë. Lilua tha një ditë:- Iku. E kanë çuar ushtar andej nga veriu. Dhe nuk u pamë më. Por, papritur e pakujtuar, ime mbesë më ftoi në këtë promovim.

-Hajde, gjyshe, se është nga fshati yt,- tha. Dhe unë erdha. Për ty as që e dija se do ishe. Po kur dëgjova emrin, tak dhe u kthjellova dhe solla në mend atë kohë. Sa m'u bë qejfi, se, kur more fjalën, ndryshe nga të gjithë, fole në këmbë. Jam mësues,- the,- dhe mësuesit, po u ul, i thyejnë notën në sjellje. M'u bë zemra mal, kur the:- Kam qenë mësues atje dhe bukën e atij fshati e kam në grykë. Atje kam ndjerë atë mikpritje: urdhëro, se në mos kemi bukë, e kthejmë me ujë. Tani e kupton që unë kam qenë aty. O Zot, pse më erdhën parasysh të gjitha dhe pse u ndjeva si sot e pesëdhjetë vjet të shkuara? E di që koha nuk kthehet pas, po kohën mund ta përjetosh siç dhe po bëj. Tani t'i thashë të tëra dhe jam më rehat. E-mailin tënd e gjeti imembesë në facebook dhe jam e çliruar që të shkrova. Të jesh mirë, o njeri i "proçkave" që vetëm porçka nuk bëje.

E solla ashtu si më erdhi dhe më nuk shtoj asnjë fjalë. Po të shtoja, më duket se i ikte dhe shija dhe kripa. A më sëmboi një e- mail i tillë? As që e mohoj, por , në se vihem në kërkim të James, kam frikë se prish një tabu. Edhe kaq, besoj se ia vlen.

Tiranë, 19 nëntor 2014

PËRPARIM HYSI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DRITË, PAQE DHE DASHURIPoezi nga L. HOUSMANPërktheu: FASLLI HALITI (11.21.2014)
AI ECTE ME DIELLIN E LIRISËCikël poetik nga KUJTIM MATELIKushtuar gjithë shqiptarëve që i pritën me armë e urrejtje pushtuesit fashistë e nazistë (11.20.2014)
UNË NUK KAM NDRYSHUARPoezi nga SERGEJ ESENINPërktheu: FASLLI HALITI (11.19.2014)
PËRPOS LEHJES SË YJEVE ASNJË ZË TJETËRKatër poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve”Nga ADEM ZAPLLUZHA (11.18.2014)
POEZIA E VETME PËR GRUANNga FATBARDH RRUSTEMI (11.17.2014)
LULE GJARPRICikël poetik në trevargëshe nga QAZIM D.SHEHU (11.17.2014)
LULET E MOLLËSPoemë nga RRUSTEM GECI (11.17.2014)
RRUGA ME PLEPA dhe NJË MBRËMJEDy poezi nga FASLLI HALITI (11.17.2014)
Kadare rrëfen pse nuk i ka besuar JorgaqitNJË NGJARJE QË MBARON ME QENNga ISMAIL KADARE (11.16.2014)
DUKE LEXUAR NJË PIKTURËProzë nga QERIM SKËNDERAJ (11.16.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]