VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 'TI DO T'I MËSOSH TË GJITHA NGA PAK'Nga ALBANA MËLYSHI LIFSCHIN

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 08:46am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
'TI DO T'I MËSOSH TË GJITHA NGA PAK'
Nga ALBANA MËLYSHI LIFSCHIN

E Enjte, 11.27.2014, 03:47pm (GMT+1)


Si sot, 22 vjet më parë, unë mbërrita në Nju Jork.

Në dalje të aeroportit JFK i zgjata dorën një taksie të verdhë duke i dhënë shoferit adresën e tim gjyshi. Taksia ecte shpejt në lumin e dritave pa fund. Ishte sikur po shkisja vetëtimshëm në një skenë surreale. Isha tmerrësisht e lodhur. Ndieja marrje mendsh. Ngushëllohesha me mendimin se ky ishte segmenti i fundit e një udhëtimi tepër të gjatë.

Pas një ore, taksia kishte ndalur pranë një godine të lartë që kishte nja dhjetë shkallë përpara.

- A erdhe? - Këto ishin dy fjalët e para që shqiptoi plaku dhe ndjeva shtrëngimin e dobët të dorës së tij. Qëndronte shtrirë në një shtrat të plotë, gati sa dy shtretër tek. M'u kujtua që, kur ishte tek ne, i qe ankuar nënës për shtratin e ngushtë. "Kam frikë të kthehem në krahun tjetër se mos rrëzohem në dysheme".
- Mos u tremb. Këtu nuk të thotë askush përse ke ardhur, as nuk të përzen kush, - tha ai.

Ndjeva se përzënia nga atdheu i ishte ngulur si thika në asht e nuk i qe ndarë deri në ditët e fundit të jetës.

U shtrua në spital të nesërmen e mbërritjes sime. U ndodha vetëm dhe e vetmuar njëherësh.

Ishte 28 nëntor 1992. Dita e flamurit. S'kisha për ta harruar kurre atë ditë. Shikoja e përhumbur piklat e shiut që rrëshqisnin mbi xhamin e dritares dhe përtej një qytet të madh e të pafund, krejt të panjohur për mua.

Lajmet në stacionet televizive të Nju Jorkut paralajmëronin stuhi.

...Çdo gjë që shihja përreth filloi të merrte kuptim e madje të bëhej e dashur për mua: tryeza mbi të cilën ishte vendosur një makinë e vjetër shkrimi (letrat që na shkruante i paskësh shtypur me këtë makinë), aparati telefonik me numra të mëdhenj (gjyshit i qe dobësuar shikimi shumë), gazetat, librat Lahuta e Malsisë, Shejzat, Kanuni i Lekë Dukagjinit, një libërth i vogël i zverdhur nga koha- procesverbal i një mbledhjeje të Bllokut Indipendent, (gjyshi kishte qenë anëtar i hershëm i tij), një libër për Vatrën dhe vatranët, dhe tri libra të shkruar nga vetë ai dhe botuar në Detroit. Ishin libra dokumentarë të mbushur me fotografi martirësh, datash e ngjarjesh. Në njërin prej tyre gjyshi kishte dhënë një listë emërore të personave nga familjet e Shqipërisë së Veriut, të ndarë në krahina, vrarë pa gjyq pas 1944-ës në Shqipëri. Në mes tyre ishin shtatë emra nga familja e tij dhe fotografi të babait të gjyshit, me shënimin: Gjon Melyshi - Bajraktari i Kthellës.

Ai qe një burrë i veshur me tirq, me pamje trimi e sy zhbirues. Në krah të tij, i biri, një burrë i hajthëm me pak mustaqe. Emrin e tij e kisha dëgjuar nga nëna ime për herë të parë. Pastaj fotografia e familjes, dalë në Shkodër. Gjyshi, gjyshja dhe fëmijët e vegjël, familja e veshur alla franga.Në mbyllje të një libri gjyshi kishte bërë një përmbledhje të shkurtër datash të rëndësishme për aktivitetin e babait të tij dhe të tijat. Lexoj:

Në vitin 1917 - Gjon Melyshi çarmatosi postat e vendit austro- hungareze.
Më 1921 - Gjon Melyshi mori pjesë në kryengritjen e Mirditës,ku iu dogjën kullat dhe iu konfisku gjëja e gjallë.
Më 1937- Nikoll Melyshit iu mohu e drejta e gradës kapiten, sepse nuk pranoi të bahet spiun personash kompetentë.
Më 1939 - Nikoll Melyshi mori pjesë në mbrojtjen e Durrësit.
Më 1941 - Nikoll Melyshi nuk firmosi me u ba anëtar i partisë fashiste dhe u nxor në lirim...

Ndjeva që kisha filluar të hidhja hapat e parë në një botë për të cilën kisha dëgjuar e përfytyruar si nëpërmjet një tymnaje e tani po e prekja të gjallë, të vërtetë .Përqark meje vetëm libra. Isha e rrethuar prej tyre si prej qindra ngjarjeve, me dëshirën për t'i përthithur të gjitha njëherësh. Sikur të ishte e mundur! Në to gjeta episode dhe njerëz
që s'i njihja, që s'kisha dëgjuar kurrë për ta. Kisha hyrë në botën e "reaksionit". Njerëz që kishin luftuar kundër qeverisë komuniste të Tiranës në vitet e para të pasçlirimit.("Të pasluftës" thuaj, se për t'u çliruar s'jeni çliruar kurrë", më patën korrigjuar). Në libër gjyshi u referohej atyre si "luftëtarë të lirisë" dhe jo "˜reaksionarë'. Vazhdova më tej. Lufta. Përçarja. Vendosja e pushtetit të ri dhe lista të tëra të vrarësh antikomunistë. Të vrarët ishin vendosur të ndarë në kolona sipas bajrakëve. Krahas çdo emri ishte data e vrasjes dhe vendi se ku kishte rënë dëshmor. Ata ishin dëshmorë, po emrat e tyre s'i kishim mësuar dhe ndoshta nuk do t'i kishim mësuar kurrë ... Shkisja dorën nga emri i parë deri tek i fundit, sipas numrit rendor. Nga bajraku i Oroshit, 40 veta;nga bajraku i Spaçit, 30 veta; nga bajraku i Kushnenit,27; nga bajraku i Fanit, 39 veta; nga bajraku i Dibrrit,55 veta; nga bajraku i Kthellës (aty ku ishte bajraktar im gjysh), 43 vetë; nga bajraku i Selitës, 13 të vrarë në luftën antikomuniste; nga bajrakët e Malësisë së Lezhës, 22 vetë. Gjyshi vazhdonte me lista të rretheve të Veriut, deri dhe në Kosovë, në një hapësirë prej 21 faqesh.Kolona të tëra të vrarësh, me qindra. Brigada të tëra luftëtarësh antikomunistë, luftëtarë të lirisë. Një faqe e tërë historike, që kishte edhe ajo dëshmorët e saj. A kishin edhe ata një ditë përkujtimore? Jo. Atyre nuk u ishte rezervuar vend në altarin e të rënëve. Familjet e tyre ishin kalbur internimeve. "Ne të gjithë jemi viktima të atij sistemi", më pat shkruar më vonë një profesor i nderuar në Nju-Jork. Kishte bërë vite të tëra burg, sepse nuk kishte pasur të njëjtat pikëpamje me moshatarët e tij komunistë. S'ia harrova kurrë ato fjalë. Njerëzit më të vuajtur janë ata që kanë vision të qartë e të mençur...

"Për me kriju një histori shqiptare të pastër nuk duhet me mshef pas perdes as të mirat e as të ligat e njerëzve të mëdhenj për arsye partiake ose oportunizmi. E vërteta asht e vetmja rrugë me bindë opinionin pasardhës," shkruante gjyshi.

Isha ende në hapat e para të njohjes të së vërtetës së plotë.

Fragmenti është shkëputur nga libri i autores "Yjet nuk janë të kuq", 2013.

ALBANA MËLYSHI LIFSCHIN


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
'AI' DHE 'AJO'Refleksion, kushtuar grave të dhunuara, që duan të gjejnë veten... !Nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (11.27.2014)
NJË TAKSI PËR MACEN TIMETregim nga ALEKO LIKAJ (11.27.2014)
SI THONI JUPërçmuesve të këngës sonëNga FASLLI HALITI (11.26.2014)
POEMË PËR ISA BOLETININ(KUSHTUAR GJENERALIT ME PLIS TË BARDHË)Nga XHEMAIL PECI (11.26.2014)
KUKULLAPortreti i nënësNga ISMAIL KADARE (11.25.2014)
GJITHË KU PREK NDJENJACikël poetik nga VASIL TABAKU (11.24.2014)
YJETPoezi nga QAZIM D.SHEHU (11.24.2014)
AI LUM KURRË S'MA PRISHI GJUMINCikël poetik nga PATRIK SADIKAJ (11.23.2014)
TRI POEZI NGA MICHAEL AJZENBERGPërktheu: FASLLI HALITI (11.22.2014)
KUR SHEH TË RRËZOHEN GJETHET E ËNDRRAVECikël i ri poetik nga REXHEP SHAHU (11.22.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]